2012-08-10

"Hasi mes luftës dhe lirisë"


Eksluzive në Floart-Press:Rajmonda Maleçka "Hasi mes luftës dhe lirisë"



Gjeneral –Plaku (Xheladin Gashi)


Në foto:Bekim Shyti, Xheladin Gashi-Plaku dhe Besim Mala -Murrizi. Shqiperi (Gjatë luftës 1998)

Puna e gazetarit është e çuditshme. Në kushtet e luftës, kur në çdo moment, në mëngjes, në drekë apo në darkë mund të ndodhë diçka e paparashikueshme, nevoja për të fiksuar dhe ruajtur gjithçka është e rëndësishme dhe e shenjtë. Puna e gazetarit në këto raste vlen sa krejt jeta. Koha për të mos e humbur pamjen e saj është optimale.
Kanë kaluar vite. Kohët kanë ndryshuar. Lufta u bë amanet, kujtesë, u bë lapidarë, u bë këngë. Kosova fitoi Pavarësinë dhe nga dita në ditë, ajo po njihet në të gjithë botën, dhe disa nga ato, luftëtarët legjendarë nuk janë më.

Nëse ato i mungojnë kohës sonë, gëzimit tonë të ligjshëm, për atë që u flijuan për shekuj me radhë qindra-mijra djem, burra e atdhetarë të çështjes sonë kombëtare. Kohës sonë i mungon Komandant Plaku, Xheladin Gashi, i famshëm, njeriu i paepur i luftës dhe i UÇK-së.

I betuar për lirinë e Kosovës, i paepur para të gjithë vështirësive, që ajo luftë po kryhej dhe u kry, i pamposhtur në idealin kombëtar. Komandant Plaku duket se është diku nëpër bazat e luftës në Has, diku nëpër luginat dhe llogoret e Pashtrikut, duket se është atje ku Kosova dhe njerëzit e saj kishin dhimbjet e tyre të mëdha. Komandant Plaku, duket se të pret e të përcjell, të tregon për të gjithë ngjarjet e luftës, për të rënët, për ditë-netët e luftës dhe të dimrit. Të tregon të gjitha ngjarjet e Hasit që nga Kruma e deri në bazën më të largët të luftës. Të duket se ai din gjithçka ka ndodhur.

E nisa rrëfimin me Xheladin Gashi nga një rrethanë e çuditshme lufte, pasi lufta me njerëz si Xheladin Gashi, kishte dimensionin e vet, kishte peshën e vet, kishte logjikën dhe arsyetimin e vet. Pra, ajo kishte kauzën e saj të drejtë dhe të pamundur për ta.
Në të gjithë kujtimet për luftën në trevën e Hasit, Xheladin Gashi i kryqëzon të gjitha opinionet. Askush nuk harron të flaës për ata luftëtarë, ata burra të heshtu, të urta, trim dhe të paepur. Tek puna e shumë malësorëve dhe njerëzve që ishin pjesë e luftës, ai përbën pjesën thelbësore të opinionit, të peshës dhe të vërtetës, të cilën askush nuk guxon ta anashkalojë. Mjafton vetëm të dëgjosh atë referim të njohur, ishte dhe Komandant Plaku dhe atë që duhet ta besosh siç besohet në gjërat e shenjta e me besë.

Lufta pati fatin të ketë burra të tillë. Burrat si Xheladin Gashi, patën fatin me e vërtetu burrnin në luftë. Të gjithë ato që morën pjesë në luftë, ato që e ndihmuan luftën, ata që e panë luftën, patën rastin që dhe në kohët moderne njeriu i luftës, i cili më së pari ishte njeri i Atdheut të ishte shembulli më i shkëlqyer i burrit dhe të luftëtarit.
Në kujtesën e Hasit Xheladin Gashi, nuk do të harrohet kurrë. Atë e “takon” në gjithë rrëfimet për luftën, para-luftën dhe pas-luftën.

Në librin “Hasi mes luftës dhe lirisë”-unë kam gjurmuar të sjell të gjithë faktorin e madh njerëzor të luftëtarëve që ishin në Has. U pritën dhe u përcollën nga hasjanët, ato që i besuan shumë gjëra të rëndësishme kësaj treve. Të gjithë këto njerëz me të cilët më ka lidhur lufta dhe pas lufta, koha e sotme e progresit….të shtetit më të ri të Botës, si Kosova, kanë përbërë një fat të madh për mua.

Shumë prej tyre i njoha në luftë. I thirrnim eprorë, i rrespektonim si eprorë dhe pse ishin shokët tanë, pjesa më e madhe e tyre bashkëmoshatarë. E pas lufte dikush shtegtoi, nodnjëri u kthye në shtëpi dhe u bë përsëri, ai njeriu i zakonshëm. Veçse historia e luftës është prezente tek secili.

Xheladin Gashin e njoh që gjatë luftës. Bashkëbisedues fjalë-pak. Ishte i heshtur. Siç janë të heshtura gjërat e rëndësishme. Por jeta dhe veprimtaria e tij nuk ka qenë e heshtur. Jeta e veprimtaria e tij i ka ngjarë stinës së begatë, e cila ashtu pa u ndalur, ngadalë heshturazi ditë pas dite e mbush hambarin.

Xheladin Gashi e ka krijuar personalitetin e tij në vendin e historive dhe shembujve të burrave të lidhur më çështjen madhorë Bashkimin Kombëtar. Në 45-vjetët e fundit të sundimit sllavo-serb mbi shqiptarët, kalibret e luftëtarëve të lirisë që nga Azem Syla, Nait Hasani, Xhavit Haliti, Rexhep Selimi, Luan Haradinaj, Adem Jashari, Hamza Jashari, Musë e Sahit Jashari, Zahir Pajaziti, Mujë Krasniqi, Iljaz Kodara, Jakup Nura, Sami e Nuredin Lushtaku, Lahi Ibrahimaj, Jetullah e Sabit Geci, Hashim Thaçi, Kadri Vesli, Sokol Bashota, etj. Xheladin Gashi, ishte dhe veproi mu në këtë qendër dhe klimë atdhetarësh.

Ideja e luftës dhe marrja në krah është një vendim i vështirë dhe me rrisqe të mëdha për vendin. Në kushtet e Kosovës, përballë një shteti dhe politike-shoviniste-vrasëse, ishte akoma më e rrezikshme. Prandaj burrat e Kosovës, morën këtë vendim të vështirë, pasi ai ishte një vendim që do të kërkontemund të madh, sakrificë të madhe dhe jetë njerëzish. Lufta për çlirimin e Kosovës, triumfoi. Komandant “Plaku”, për të cilin të gjithë hasjanët ai ka qenë një legjendar. Jetëshkrimi i Xheladin Gashit është i vështirë dhe unik. Është kompleks dhe specific. Kanë mjaftuar ato pak kohë kur, ai ka banuar në Has, në Krumë dhe mundësia për ta njohur nuk ka qenë e vështirë.
Ka qenë pak e vështirë për të gjithë njerëzit e letrave ta fusin në “kurthin” e tyre, Xheladin Gashin. Natyrisht, ai ishte i arsimuar me shkollë të lartë, dhe patjetër dhe ka qenë dhe një edukator i mirë, por sepse gjërat i maste me pak fjalë.
Një rast, në një vend pushim, i prekur nga mijra djem e vajza shqiptare që kalonin Hasin, pastaj shtegtonin nëpër Pashtrikun e lartë dhe të vështirë më është shprehur: “ Më duket Pashtriku si shtëpia ime, si shtëpia jonë, që i nxe brenda krejt luftëtarët e lirisë”.

E gjithë kjo që Komandant “Plaku” e thoshte me dy fjalë:-kishte brenda të gjitha ato që po bëhej për lirinë. Kam gjetur me dhjetëra rrëfime luftëtarësh, aktivistësh dhe atdhetarësh, që flasin për këtë njeri. Mbante mbi shpinë më shumë se të gjithë dhe armët më të rëndësishme. Nuk dinte të ndalonte kurrë dhe as të dredhonte kurrë. Të jepte fjalën se të priste diku, aoftë shi a borë, natë a ditë, aty e gjeje dhe pas disa ditësh.

Ai ishte si një monument i lartë.


“Që herët, të parët tanë, burra të njohur, që e rrespektonintokën e vet, sakrificën me çfarë e kishin ruajtur atë prej pushtuesve të vazhdueshëm, na është trashëgue besa e burrnia. Historia na vuni mbi shpinë një armik të egër, një kundërshtar tinzar e pa burrni, të pabesë e gjaksorë.
Në asnjë vend të botës, në asnjë histori koloniale nuk asht veprue si me shqiptarët e Kosovës siç na ka bashkue me ne. Shihni si e kanë mbjellë tokën me vdekje të madhe e të gjatë. Mina të vret sa e prek dhe jeton gjatë nën tokë. Shihni si vepron serbi me gratë, fëmijët e pleqtë. Terror si në asnjë vend tjetër të botës…”

Pastaj heshte dhe binte në mendime. Të gjithë thonin se Komanadnt “Plaku” nuk diti të thotë kurrë “Jo”. Ju printe vetë i pari të gjithë aksioneve ku ka marrë pjesë.

                   Gjeneral"Plaku"-  Xheladin Gashi  ne mesin e familjeve te dëshmorëve në Has
 (Fotografi të botuara për herë të parë në Agjencionin Floart-Press:Foto:Rajmonda Maleçka) 

“Hasi ka qenë dhe do të jetë shtëpia jonë. Shtëpia e gjithë shqiptarëve, qoftë nga Veriu dhe nga Jugu. Nuk e di, por zemër kaq të madhe e kanë popujt me cilsina të rralla. Dhe pse vdekja na ka përgjuar të gjithëve në çdo moment malësoret e Hasit nuk u trembën. Asnji derë nuk ka qenë mbyllë as ditë e as natë”.

Lufta pa dyshim ka qenë një opsion i vështirë. Mes jetës e vdekjes, ajo nuk ka asnjë alternativë tjetër. Dhe kjo ka qenë e ditur nga të gjithë. Malësorët e Hasit dhe krerët e UÇK-së, e pranuan atë. Hasi i definoi me sukses të gjithë aksionet luftarake.
Po qe se do të na bllokohej korridori i Hasit, fati i luftës sonë do të ishte i vështirë. Në këtë corridor thuajse ka kaluar gjithë municioni dhe fuqia njerëzore e luftës. Pastaj ka qenë shtegu më i afërt për popullatën e pambrojtur për t’i ikur terrorit serb,…Nuk i përballon dot një njeri me ndërgjegje dhe humanizëm pamjet e njerëzve të pambrojtur, që i detyruan të lënë shtëpitë dhe të iknin. Kjo kohë ka qenë e vështirë për ne. UÇK-ja, duhej të mbronte jetën njerëzore. Kurse Hasi i hapi dyert e veta…”.

Kjo është një e vërtetë e madhe. Komandant “Plaku” dukej se e vinte zemrën e madhe mbi sofër. Zakonisht njerëzit e veprimit flasin pak. Por cilësitë e tij si luftëtarë dhe si burrë dukej se vinin prej këtij formimi njerëzorë.

Ai sot nuk jeton më, por e la veten tek të gjithë, tek familja, tek Kosova, në të gjithë Hasin dhe me cilindo që bisedoi dhe bashkëpunoi.



(Përgatiti për shtyp:Flori Bruqi