Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/30

Si u shkruan 400 vargjet e “Lahutës…” në vapor

Në gazetën “Dielli” të 1984-ës zbulohet një letër e panjohur e At Gjegj Fishtës drejtuar Justin Rrotës. Kjo letër e Fishtës që përshkruan udhëtimin e tij në Amerikë, mbushur plot me histori intime me një seri “aventurash” udhëtimi të fratit të njohur në Nju Jork në mars të vitit 1922 i bënë edhe më besueshme rrëfimet gati legjendare të bashkëkohësve të tij shkodranë, kur flasin për karakterin me një humor të hollë të françeskanit besimtar e njëkohësit i çliruar nga formalizmi fetar. Duke i rrëfyer aventurat e udhëtimit të tij më Amerikë mikut më të ngushtë At Justin Rrotës, At Gjergj Fishta përshkruan plot fantazi letrare udhëtimin e tij drejt Amerikës. Këto letra jo vetëm na hedhin shumë dritë për të njohur thellë karakterin e poetit kombëtar e misionarit françeskan, por edhe na njohin sesi ishte zhvilluar ekonomia dhe kultura e vendeve të tjera para një shekulli. Sidoqoftë në gjithë letrën e At Gjegj Fishtës dërguar At Justin Rrotës na befason shpalosja e personalitetit të tij në mënyrën më të prekshme, më të dhimbshme dhe njerëzore.

At Gjergj Fishta (foto)


 Historitë e udhëtimeve të Fishtës dhe trazimet që i bënin doganierët, kur u sillte familjarëve aksesorë ose bizhuteri sepse gratë e familjes që e porosisnin shpesh për dasma e fejesa, i tregojnë sot shkodranët në formën e barsoletave, por në këtë letër vërtetohet edhe prej gojës së At Gjergj Fishtës, i cili na rrëfen nga një anë aventurën plot rreziqe të udhëtimit dhe në anën tjetër gëzimet dhe kënaqësitë e jetës. Kjo letër tregon gjithçka ka ndodhur gjatë udhëtimit që nga Shkodra drejt Nju Jorkut e Anasjelltas. Po e botojmë më poshtë letrën e që daton 11 Mars 1922, Nju Jork.

LETRA

“Fort i dashtun Justin!

Mbas 12 ditë udhëtimi dhe mbasi nëpër kujdes të mis Aleksandër, mujta me u shkapllue prej çapojve të policisë amerikane me 8 të k.m. në orës dy e gjysë mbasdite vuna kambën n’Amerikë, në Nju Jork edhe kam ra ndër do fretën italjanë.
Mundi i rrugës e rreziqet e kalueme:trazimet e çuditshme e të neveritshme të doganave e të policisë e sidomos mendimi se aq ujë edhe mue më dan prej jush, kaq fort m pat ligështue moralisht në të nesërmen-sidmos prej mallit tuej -më kanë shkue lotët rrëkajë, tue ndej vetun në ket odë.

Por për fat të bardhë ky mjerimi i shpirtit nuk më ngjati shumë. Kah 11 sahati pasdite erdhi mis Aleksandra me më marr, për me shkue me ngranë mjesditë bashkë me mis Uilliams. Në këtë rast ajo më dorëzoi, a e din shka? Letrën tande të 7 Marsit, që prej Londret m’a kish dërgue më adresë të sajë. S’e ke besë, sesa fort u ngushëllova kur e pava e lexova atë letër, sado që ish tepër e shkurtë. Të famem nderës me gjithë zemër, si dhe Provincinialit, për letrën që kishte kalue bashkë me t’anden. Çuditem fort që Vinçensi s’mi ka përgjegj njaj letre, q’i i kam pas shkrue prej Parisit.

Heshtimi i tij mundet me çart shumë punë, e mue më ka pasë qit në një kujdes tepër të madh. E dij se ka punë shum; port ë gjegjunit e tij më asht lypun domosdo. Por ndoshta më ka shkrue dhe ka hup letra rrugës.

Më 24 të Frorit, pra u nisa prej Londret në Liverpul. Në t’nesret hypa në vapor “Çameronia”. Na në Shqypni s’kemi as kuptimin se shka asht një translatik. Mendo që ky vapor asht aq i lartë në det sa me i mbrrijt kati i epër mbi buzë të pullazit të kishës sonë Gjuhadol, e i gjatë sa prej “Rrugës së madhe” deri në teatrin tonë. Mbrendë pasandej, ashtë më mirë se në çdo hotel të Vienës. E pra, ky vapor nuk asht si gjysma e do vaporrëvet tjera, qi bajnë udhëtimin e Amerikës. Më 6 mbadite u nismë prej Livepulit për në Nju Jork. Via Queenstown e Halifax. Queenstown është nga fundi i Irlandës, e Ali fax ashët në Kanada (Nuova Scozia). Deti kje me nam deri kah mjesnata. Si duelm në Knall të Iralndës, filloi era e filluan tallazet me iu turr vaporrit, i cili, si një kolos, përkundej mallnueshëm mbi to. Kah i çate me një forcë 16.50 milash në sahat. Kah mjesdita mrrijtëm në Queenstown, ku ndejmë nja tre sahat. Atëherë u nismë për në Amerikë. Ishte e Diellë. Udhëtarë mbrendë 911, e detarë 294 (equipaggio). Era frynte pa da e tallazia vinte tuj u shtue, sa më thellë që ju fujsha Antlantikut.

Orët e tmerrit në anije. Sulmi nga dallgët e Atlantikut
Në këtë letër të gjatë përshkruhet edhe një fakt tjetër. Anija ku udhëtonte At Gjegj Fishta është sulmuar nga dallgët. Tmerri që Ati i nderuar ka parë me sytë e tij, tashmë e ka humbur trajtën tragjike. Ai ia përshkruan këtë mikut të tij At Justin Rrotës me një humor të bukur përqeshës sesi e përjetoi frikën. Ai e komenton më së shumti me humor këtë ngjarje kaq të frikshme, ku me sytë e tij shihte prag-vdekjen.

“Më 26 deti ardh tuj, u aj, dhe ashtu turbull gjithë natën e ditën e nesret. (Më 28, kah mbasditja, deti u paque, e ashtu ndej fashë der në nesret mjesditë. Ishte e mërkurrë). Masditen prapë ia nis era, e deti u trëbue e gjithmoj se bani nata, me të shti mnerën (frikën-red). T’ejten nade u shkref një thellim i frigueshëm. Zoti na ruajt se shka kam pa me sy! Na në Shqypni s’mund të kemi as kuptimin e një thellimit m’det. Njëherë qiella u vra e erdh u mbërthye krejt me të zeza, si plumi. Era trefishoi furiën e vet aq, sa e përkuli vaporrin m’njanën brijë, e atëhere deti u aj (u fry-red) e u dyndën tallazet. Zoti na rujtë!. Me të shti mnerren, me i pa me syë. Tallaz për ne në Shqypni asht një fjalë, por m’Atlantik asht nji mal, nji mal, po si Kreshta, Mali i Rencit, Taraboshit, etj…

Prite Zot rrezikun se shka kam pa atë ditë. Ene më përqethet shtati sa herë më bjen ndërmend ajo duhië. ….(shkurtohen disa hollësira më tej-red). Kriste vaporri, krisnin makinat, rrapllojshin gota, shishe, ëinija, karrige, tavolina, a thua se po ishte daulla e Frano Ndojës tuj na përcjell në vorr…Prej friget paë hi krejt në vedi e vogëlue e ba sa grushti i dorës. Kah më ishte shkurtue qafa e më bahej se kolarini po ma za frymën krejt, e mbajshe sytë kokërrdhoe ashtu për hajrië, pa i ndal në kurrnjë pikë të ngultë, veç kanjiherë m’u vidhisshin për me kqyrë për një çast të vetëm e tërhtyer tallazet, që vlojshin, zijshin përreth vaporrit. Nuk lashçë as shejt, as shejtneshë pa mërzitë atë ditë; veçse kusht nuk bana asnjë, e jo s’e s’isha në terrezie edhe njëqind për nji herë, pop se për sherr nuk më hiqej mendsh puna e atij ulqinakut, qi tuj u pasë gjet edhe ai në hall, t’em, i paska pasë kushtue Shënkollit një qiri 20 okësh.

–Si more 20 okësh i thotë një shoq i veti.
–Hajt ti, -i përgjegjet aj, -të pështojë njëherë prej këtij rreziku se mbasandaj sheh puna punën.

Kjo punë e atij ulqinakut më siellej nëpër mend sa herë ishem në kuditë me ba nodnjë kusht me gjithë atë hall. Më vinte me qesh prej vetvedit. Por mbas dy sahatesh tue pa se spo nodhte gja e se Inglizt rrijshin tue pië birrë e Wisky e tuj lujt letrash, megjithat që ishin zbeh në fytyrë si flaka e qiririt, më erdh zemra e shkova në kabinë e fillova me lexue… Molierin. Mbasditen u paqtue deti, por në mbramje u tërbue më fort se paradite. Atëherë fillova prapë me drashtë. A e di pse? Se një kamarier që flitte italisht më tha se një vapor norvegjez ishte mbytë në nadjet shi n’atë vend, ku na pat zënë dallka ne”.

RREFIMI I FISHTES: SI U SHKRUAN VARGJET E LAHUTES
Në vijimin e letrës së Fishtës dërguar At Justin Rrotës del edhe emri i një gruaje të panjohur, por mike e Fishtës. Ajo quhet Miss Alesandër. Duket se Fishta ka një marrëdhënie të fortë të një miqësie të vjetër, sepse në letrat dërguar mikut të tij, Miss Aleksandër është një emër shumë familjar për të dy. Pas makthit që përjetoi Fishta me dallgët në det, përmbysjen e anijes në brinjë dhe lajmit që morën për mbytjen e një anijeje norvegjeze në atë ditë e në atë vend, të cilat At Gjergj Fishta ia rrëfen me hollësi At Justin Rrotës, ai mbërrin më në fund në Nju Jork. Atje e pret mikesha e tij Miss Aleksandër të cilën e përmend gjthandej në letrën e tij. Pastaj tregon për argëtimet, muzikën, ushqimin dhe pijet në anije. Por Fishta kërkonte pak qetësi dhe falë respektit atij i dhanë një kabinë më të mirë, në të cilën u shkrua edhe një nga episodet më të bukura të lahutës “Dervish Pasha”. Ja si i shkruan Ata Gjergj Fishta mikut të Tij At Simon Rrotës:

“Në lyma të Nju Jorkut më kishte dalë përpara Miss Aleksandër, e cila nëpër miqtë të vet ia mbrriti me ba kapidanin me më thirr ndër 400 e ma udhëtarë të dy klasëve, edhe me më qit prej vaporrit e prej diganet njgjit pas qytesvet amerikanaj. A e din si më thirrshin inglizt në mes të udhëtarëve? “Mister Feshta, Mister Pi! Xha Fajshta!”

Mbasi u vrand moti, në vaporre kam kalue kohën me nam. Vaporri ishte për bukurij, me oda e me rrugina krejet si një kuvendi joni. Salonat, kabinat ishin për bukuri e e me gjithë konfort që mund të kenë hotelat ma të mirë. Masandje inglizt janë bujarë fort kah ushqimi. Në nadjet në silla në mjesditë e në darkë njeri mund me zgjedh çfarëdo e sa herë donte. Për gjithë hae kishte nga dhjetë pjatancë për gjithfarë pemësh për rrush, pjeshka, dardha.

E mbasi pej Zotit deti s’ma ka za kurrë edhe në dallgat më të rënda t’kam hangër që ç’ke me të. Pije nuk kish në sofër veç nalt në “bar” të vaporit. Po unë gjithë rrugës s’kam pi asnjë got se drojshe se çars zgrofin. Në vapor kishte koncerte, luhej ballo e kishte orkestër gati përditë. Të dielën dha urdhën kapidani me u ba ail servizio il divino (servisje verës-red) si për katolik, si për protestaj; pse do ta dijsh si inglizat si amerikanët janë njerz fejets, e për me të ma forcue më tepër këtë ket fjalë due me të kallzue një punë.

Në vapor në të dytë klasi ishte vetëm një prift protestant me të shoqen e vetëm unë meshtarë katolik. Prifti protestant ishte tepër i hallakatur, flitte tepër, pinte lotte, si çdo tjetër shekuallar. Unë domosdo rrijsha urtë, as pijshe, as lojshe, as s’u hallakatshe ashu pa njerëzi; po rrijsha në kabinë tuj këndue a tuj shkrue e tuj thanë uficensi nescis orare vad ad mare-të gjithë më nderojshin sado që unë isha katolik e nuk dijsha inglizçe. Të gjithë ma dijshin emnin Mister Fishta..e tue pa il maestro di caza, se unë në kabinë tuj kenë se ishim katër vetë mbrendë –nuk mund me e pasë qetësinë e nevojshme më lëshoi një zyrë fort të mirë të vaporrit, ku unë mujshe me punue në vapor. Kam mbarue një kangë të Lahutës “Dervish Pasha”, që ka ma se 400 vjersha. Kujtoj se më ka dalë mjaft e interesatshme. Atje në vapor kam fillue tjatër kang “Lugati”, e cila kujtoj se më ka dalë prej pikëpamje estetike –ndër ma të mirat e Lahutës. Se kështu nuk më mbet tjetër veçse një këngë për ta kryer Lahutën. Por këtu në Amerikë përnjëherë nuk kam mujt me e shkrue. Pse kam me pasë ndoshta shuëm punë, mos aspak. Ku thonë se ka dardha shumë, shporta do marr e vogël, ka thanë i moçmi.

En s’mund të thomë gjë pozitivisht. Si të orientohem pak më mirë kam e i shkrue. P.Palit, gjithë si asht puna, puna tash për tash asht se unë jam keq më kamb të errëmakët. Kur e bien shi hijeku fort keq me ec se m’dhemb në palcë. Më ka fillue ne Londër. Ka me kenë punë fort e intresantshme në u kthefsha në Shqypnie skëpt me njanën kambë.

Këtu në Nju jork kam nie tu i ra Violinit Arturin Kreiser, prej Vjenet, s’do mend më i madhi violinist i Botës. Kujtoj se i binte nja tetë herë më mirë se ai frati i Planit në vjetin 1918. Ta kishe Ndie. Por kurrkund s’kam ndie muzikë më të mirë kishtare se se në Kishë të Jezuitëve në Umblendon, nget Londret! Punë e madhe!

N’e pashë P.Genovizin kund, m’ju fal me shëndet prej anës s’eme. M’i thuje se më ka marë malli fort për të.

E Ambrozin si e kam? Gajret he gozhdë, se me uzdajë të Zotit e jona se e jona.

Ma merr n’grykë prej anës s’eme.

M’ju fal me shndet të gjithë fretërve me emën. Kështu edhe të gjithë mësuesvet. Falë i kjofshim Zotit që Klemendi e Zerafini qenkam kthye prej Shqypnie. U falem të dyvet.

Falë me shëndet dhe shpijës sate me gjithë zemër. N’i pashë gjindjen e u thuaji ndonjë fjalë të mirë për mue.

Po të marr në gryk e jes.

Gjithë i yti

P.G.Fishta”

Vargjet e shkruara në mes Atlantikut
Të dielën dha urdhën kapidani me u ba ail servizio il divino (servisje verës-red) si për katolik, si për protestaj; pse do ta dijsh si inglizat si amerikanët janë njerz fejets, e për me të ma forcue më tepër këtë ket fjalë due me të kallzue një punë. Në vapor në të dytë klasi ishte vetëm një prift protestant me të shoqen e vetëm unë meshtarë katolik. Prifti protestant ishte tepër i hallakatur, flitte tepër, pinte lotte, si çdo tjetër shekuallar. Unë domosdo rrijsha urtë, as pijshe, as lojshe, as s’u hallakatshe ashu pa njerëzi; po rrijsha në kabinë tuj këndue a tuj shkrue e tuj thanë uficensi nescis orare vad ad mare-të gjithë më nderojshin sado që unë isha katolik e nuk dijsha inglizçe. Të gjithë ma dijshin emnin Mister Fishta..e tue pa il maestro di caza, se unë në kabinë tuj kenë se ishim katër vetë mbrendë –nuk mund me e pasë qetësinë e nevojshme më lëshoi një zyrë fort të mirë të vaporrit, ku unë mujshe me punue në vapor. Kam mbarue një kangë të Lahutës “Dervish Pasha”, që ka ma se 400 vjersha. Kujtoj se më ka dalë mjaft e interesatshme. Atje në vapor kam fillue tjatër kang “Lugati”, e cila kujtoj se më ka dalë prej pikëpamje estetike –ndër ma të mirat e Lahutës.

Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo


Titulli: Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo
Origjinali: Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo
Gjinia: Roman
Autori: Dritëro Agolli
Shtëpia botuese: Dritëro
Viti: 1999
Fq. 464
Pesha: 0.42 kg
ISBN: 978-99927-34-09-4

Shkelqimi dhe renia e shokut Zylo, Dritero Agolli

Nuk kisha dëshirë të shkoja në asnjë zyrë. Isha lodhur duke ndenjur në kolltuk para shokut Zylo. Veç kësaj, më pihej një kafe. Kështu që pas tij dola edhe unë. Hyra në kafe "Tirana" dhe u ula në një tavolinë përballë dritares. Duke ndenjur i menduar, fillova të qeshja me vete: "Për mua shoku Zylo është fenomenal. Me shumë njerëz kam punuar. Shumë njerëzve ua di psikologjinë, karakterin, tekat. Por njerëzit që kam njohur nuk mund të krahasohen me shokun Zylo. Si do të më shkojë puna me të, vallë? Më duket se ky do t'i shkruajë vetë referatet dhe raportet.
Unë vetëm do t'i mbledh të dhëna. Të paktën kështu do ta kem më lehtë..." - mendova i ulur në tavolinë. Pastaj, aty për aty, më ndriti një mendim: "Sikur të shkruaj çdo ditë në një fletore pjesë nga bisedat me shokun Zylo, pjesë nga fjalimet e tij në telefon pjesë nga kuvendimet e tij me njerëzit, kjo do të jetë diçka e rrallë. Po, unë do të merrem përsëri me letërsi! Ta shohë Zenepja se cilat do të jenë tregimet më të forta, ato që shkruan Adem Adashi me fejesa e shfejesa, me burra shpatullgjerë e me hoxhallarë, apo ato që do të shkruaj unë..." Prapë qesha, por këtë radhë me zë. Por papritur, pas kësaj qeshjeje, më pushtoi një trishtim i pakuptuar. Në ndërgjegjen time të dytë vinte jehona e raporteve. Kjo jehonë gjithnjë kështu më ndiqte. Edhe kur më shfaqej ndonjë gëzim i turbullt, jehona e raporteve goditëse në muret e ndërgjegjes sime dhe ma shuante këtë gëzim të pandezur. Edhe te shoku Zylo, - mendova me vete, - nuk do të shpëtoj nga raportet. Unë i duhem shokut Zylo, prandaj kërkoi të më mbajë pranë. Ta zemë se për një kohë ai do të më lërë të qetë. Pastaj? - pyeta veten. - Në mos më ngacmoftë shoku Zylo, do të më ngacmojë shoku Q. Edhe shokut Q i duhen raportet. Kurrizi yt, o Demkë, do t&#39i mbajë të gjitha letrat e nxira të futura në dosje të bardha!"
Përsëri qesha si psikopat: "jo, jo, më duket se po lajthit..."
Në tavolinë m'u kujtua ftesa e shokut Zylo. Sa e priste! Me siguri ajo nuk i ka ardhur. Kot e pret. Ai e di që nuk i vjen. Edhe sikur të mos i ketë ardhur, do të thotë se i erdhi, por nuk kishte qejf të shkonte.... Shoku Q. ka rrezik ta lërë mbrëmjen solemne dhe të shkojë në shtëpi të shokut Zylo (sipas mendimit të tij).
Më erdhi keq për të. Sikur të kisha një ftesë do t&#39ia jepja. Le të shkonte...
Tek rrija në tavolinë, pashë nga dritarja Bakirin, një nga kolegët e mi. Ai më vuri re dhe u kthye.
- Ne thamë se do të punoje në zyrën tonë; ti e paske punën me shefat, - tha ai.
- U paraqita për herë të parë.
- E, të dha udhëzimet?
- Biseduam, - u përgjigja.
- T&#39i tregoi studimet e para në "prizmin shkencor"? - qeshi ai.
- Folëm për gjëra të tjera, - thashë, pasi nuk doja ta merrja nëpër gojë shokun Zylo.
- Po partiturat e Diogjenit t&#39i tregoi? - pyeti ai përsëri.
- Jo.
- Çudi! Ai i mban në çantë..., - tha Bakiri duke qeshur.
- Do të merrni një kafe? - e pyeta.
- Asgjë nuk do të marr, - tha ai. - E njihnit mirë më parë shokun Zylo? - shtoi.
- Pak.
- Unë e njoh mirë. Dikur kam pasur mjaft miqësi. Ai kujton se unë tallem me të dhe është larguar, - tha Bakiri.
- Keni qenë edhe më parë bashkë në ndonjë punë?
- Kemi qënë në një klasë në shkollë. Pastaj ai u ngrit në përgjegjësi. Megjithatë, përsëri vazhdoi miqësia jonë. Edhe tani kemi njëfarë miqësie.
Heshtëm për një çast. Nga dritarja frynte një erë e ngrohtë. Perdja e hollë lëkundej dhe herë pas here më binte në fytyrë.
- Ëndrra e shokut Zylo është të emërohet ambasador në ndonjë vend të Evropës, - tha Bakiri.
- E kam dëgjuar, - thashë unë.
Bakiri qeshi.
- Na tha një ditë se i ishin lutur ta emëronin ambasador në një shtet të huaj, por e kishte refuzuar, sepse nuk i pëlqente jeta monotone, pa njerëz të njohur, pa vende të njohura... "jashtë shtetit është mërzi për njerëzit që janë mësuar mes një shoqërie të madhe", - na tha.
Edhe mua mu qesh. Bakiri e imitonte zërin e tii me përpikmëri të madhe. Ai u jepte fjalëve intonacionet e shokut Zylo, ai bënte të njëjtat gjeste dhe të njëjtat lëvizje. Ndofta prandaj shoku Zylo ishte ftohur nga Bakiri. Nuk ka gjë më të tmerrshme se ta vësh njeriun në pozita qesharake. E qeshura e çarmatos njeriun. Aristofani me të qeshurat i çarmatosi perënditë. Bakiri kishte një zakon që kur thoshte ndonjë fjalë me humor, qeshte me zë të lartë dhe i binte gjunjëve me pëllëmbë, pastaj të cëmblidhte në krah për të ta tërhequr vëmendjen.
- Po në shtëpi të tij ke qenë? - pyeti ai dhe më cëmbidhi në krah.
- Jo.
-Do të shkosh e do të kënaqesh, - tha Bakiri duke mbyllur njërin sy.
- Pse?
- Nuk të tregoj asgjë që të mos e humbasësh kuriozitetin. Vetëm kur të shkosh më merr edhe mua, - tha dhe u ngrit.
- Rri! Shpejt është.
- Po dal, Demkë.
Mbeta vetëm në tavolinë. Mendja më shkoi përsëri te shënimet që duhet të mbaja nga jeta e shokut Zylo. Por në çast mu thye zemra. Kujtova "Tartarinin nga Taraskona" të Alfons Dodesë dhe mendova se shënimet e mia do t&#39u ngjanin atyre që ishin shkruar në atë libër të zgjuar. "Njerëzit do të kujtojnë se unë kam imituar "Tartarinin nga Taraskona", - thashë me vete. Pastaj prapë u qetësova. "Tartarini nga Taraskona" është shkruar shumë më vonë nga "Don Kishoti" i Servantesit dhe "Panairi i kotësive" i Tekerit, por Dodenë nuk e akuzojnë se ka imituar këto dy romane të famshme".
Pas këtyre mendimeve u ngrita. Kishte kaluar mesi i ditës. Edhe gruaja duhej të ishte kthyer nga puna, prandaj u nisa dalëngadalë për në shtëpi.
Kur hyra në dhomë, pashë në tavolinë një zarf, mbi të cilin ishin shkruar: "Shoqes Zenepe".
E hapa dhe nxora që andej një letër të trashë të lëmuar. Ishte një ftesë.
Me ftesën në dorë hyra në kuzhinë. Gruaja po hidhte gjellën në pjatë.
- Ftesë për në mbrëmjen solemne? - pyeta.
- Pse çuditesh? Vetëm ti që shkruan raporte ke të drejtë të shkosh nëpër mbrëmje solemne? tha ajo me një buzëqeshje dhelpërake.
- Çuditem se si nuk i erdhi një ftesë e tillë shokut Zylo, - thashë unë...

Mbi librin

Ndonëse vetë shkrimtari është shprehur se me "Arkën e Djallit" do të ndryshojë përfytyrimin e letërsisë shqipe, për një shumicë lexuesish kontributi më i rëndësishëm letrar i tij në prozë është "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo" (1973). Kronikë e karrierës së palavdishme të një zyrtari "në vijë", romani është në të njëjtën kohë pasqyrë e pozitës së mjerë të vartësit të tij, Demkës, një kalemxhi i stërvitur, që pak nga pak është ndarë me talentin.
Vitet e fundit, veçanërisht pas botimit në Francë, këtij romani i është rikthyer vëmendja. Rreth tij është debatuar shumë. Janë hequr paralele dhe janë bërë analogji me vepra të ngjashme që nuk gjetën tribunë botimi në vende të Lindjes ish - komuniste. Me këtë rast është përmendur, jo pa njëfarë çudie, shkalla e lirisë së krijimtarisë tek autorët më të talentuar në Shqipëri. Për një gjykim më pranë së vërtetës rreth kësaj çështjeje, ndoshta duhej vënë në dukje fakti që ky roman u paraqit fillimisht si pronë letrare e së vetmes revistë humoristike të vendit - "Hosteni" - si dhe fakti tjetër i njohur, që e qeshura mundëson gjithçka. Përmbysjet e mëdha fillojnë me humorin. Kur një periudhë historike mbërrin kohën e humorit, kjo do të thotë se ajo ka trokitur në çastin e zbaticës. "Ushtari i mirë Shvejk shembi lavdinë e perandorisë", thotë Hasheku.
Për burokratët dhe servilët është shkruajtur jo pak, por faji përgjithësisht i është hedhur njërës palë: ose eprorit arrogant, ose vartësit të përulur. Kurse në romanin humoristik të D.Agollit, Zyloja dhe Demka, shkurtime të emrave tradicionalë "Zylyftar" dhe "Demir", ku nuk merret vesh ku fillon "modernizimi" dhe ku mbarojnë "përkëdhelja dhe përqeshja", e meritojnë plotësisht njëri - tjetrin. Të dy janë shkaktarë situatash që e bëjnë lexuesin të shkulet gazit, por edhe të pezmatohet disi. Produkt i njëri-tjetrit, ata janë njëherësh bashkëfajtorë për lëngatën që e vetëvuajnë.
Për artin e humorit paraqitja e dy personazheve në bashkëfajësi është një zgjedhje e njohur. Mjafton të kujtojmë, bie fjala, lidhjet midis Don Kishotit e Sanço Pançës në veprën e mirënjohur të Servantesit, Oliver Hardin dhe Sten Laurelin. Edhe Zyloja me Demkën të tillë janë, një në dy apo dy në një. Ata ushqejnë njëri--tjetrin dhe nuk mund të ndahen.
Zylo pa Demkë dhe Demkë pa Zylo nuk mund të ketë. Cili prej tyre është më shumë fajtor? Kjo nuk është një gjë që zgjidhet lehtë.
Komizmi i figurës së Zylos buron nga kontradikta themelore e karakterit të tij: ai i jep vetes të tjera vlera nga ato që i takojnë, duke menduar se hierarkia shtetërore është edhe hierarki meritash. Shoku Zylo është një nga qindra e qindra nëpunësit e mesëm të një aparati shtetëror me shumë instrumente. Ai nuk është pa merita pune, diçka ka bërë për të mirën e saj, por këto merita në peshoren e shoqërisë kanë rëndesë shumë më të vogël se në mendjen e Zylos.
Në të vërtetë Zylo Kamberi është një figurë tragji - komike. Veprimet e tij të bëjnë të qeshësh, po aq sa edhe të ndiesh keqardhje. Zyloja nuk është një burokrat poterexhi, bujëmadh, i zhurmshëm. Arroganca e tij është e heshtur. Prepotenca e tij është me zë të ulët. Veprimet e tij përherë priren nga qëllime të mbara, por çojnë në gabime trashanike.
Zyloja nuk është i vetëdijshëm për sëmundjen që e mundon. Ai nuk është një burokrat skematik, që shquhet që atje tej. Përkundrazi, lexuesi e mbyll librin i bindur se, po të mund të bëhej i ndërgjegjshëm për dobësinë, shokut Zylo ndoshta do t'i vinin mendtë dhe do të gjente forcë për të ndrequr veten. Prandaj ai është një figurë fatkeqe, ku bëhen bashkë mirësia e qëllimit me padijen, me humbjen e ndjenjës së realitetit, të masës për të vërtetën. Në këtë kuptim, Zyloja i shfaqet lexuesit në një pamje sa të rrezikshme, aq edhe për t&#39i qarë hallin.
Zyloja nuk i beson faktit, por imazhit që ka në mendje, iluzionit. Përmasa e jetës në mënyrën e të menduarit të tij është zëvendësuar nga idetë format. Subjektivisht Zyloja e konsideron veten në pararojë të shoqërisë, kurse objektivisht e kufizon atë. Këtu ndahet edhe qëndrimi emocional i autorit. Ai e përqesh, e satirizon, e vë në pozitë të vështirë personazhin e vet, por edhe i dhimbset, e justifikon disi, madje, në një farë mënyre, ka raste kur duket qartë se e merr në mbrojtje, duke mos e zhveshur nga çdo vlerë. Situatat që kalon Zyloja i jeton me seriozitetin më të madh, kur të tjerët mezi e mbajnë të qeshurën. Duke ngatërruar forcën e ligjit, të kompetencës, të të drejtave si epror, me forcën e argumentit, që është autoriteti më i lartë, ai i mvesh vetes atribute të pamerituara, beson verbërisht në forcën çudibërëse të urdhrit, të fjalës. Duke imituar modelin që ka zgjedhur si shpresë për "nëpunësin në ngjitje", ai shmanget nga vetja.
Burokrat i çuditshëm, në të shumtën e herës i dehur nga një realitet që nuk ekziston, i mërguar nga jeta e vërtetë, megjithatë, here - herë Zyloja thotë disa të vërteta lakonike dhe të befta, që ai i quan "ese". Në këto raste është shumë e vështirë të përdoret për të emërtimi burokrat. Madje thua: "sa mirë do të ishte të mos e pushtonte ajo sëmundje e mallkuar, ajo marramendje, ajo dehje që vjen nga iluzionet, ai dyzim i realitetit".
Hasheku, në parathënien e romanit të tij të njohur "Ushtari i mirë Shvejk", thotë se kënaqësia dhe vlerësimi më i madh për të ka qenë kur dëgjoi një ushtar t'i drejtohej me emrin e personazhit të tij shokut të vet. Këtë kënaqësi duhet ta ketë ndier edhe autori i romanit "Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo". Zyloja dhe Demka janë bërë shenjime kategorish të shoqërisë. Edhe si burokrat, Zyloja është i veçantë, disi kapriçioz, kontradiktor, krejt i pangjashëm me një galeri të tërë personazhesh të këtij lloji, që gjenden në letërsinë humoristike apo johumoristike. Zyloja është një burokrat me dramë, burokracia e tij nuk është butaforike dhe estradeske. Natyra e dyfishtë, mospërputhja ndërmjet qëllimit dhe përfundimit, i provokon lexuesit emocione tejet të kundërta. E rëndësishme është se cilido që të jetë emocioni: dhimbje, keqardhje, përqeshje, lexuesit i shkakton ndjenjën e refuzimit ndaj pozitës së personazhit.
Zyloja dhe komisari Memo janë dy prej personazheve që e kanë vënë autorin në provën e skemës. Një burokrat dhe një komisar, në një letërsi të mbushur me burokratë dhe komisarë, ishte e vështirë të kishin individualitetin e tyre. Nëse D.Agolli edhe në këto dy raste e tejkalon skemën, duke krijuar një burokrat të vërtetë dhe një komisar të vërtetë, kjo do të thotë se ai e ka mundur skemën.
Demka, nga ana e tij, gjlthashtu është sa qesharak, aq edhe i mjerë. Dikur njeri me talent, me kohë ai e ka lënë rrugës individualitetin dhe dhuntinë e vet, për t'iu nënshtruar "vullnetit të detyrës", një eufemizëm për vullnetin e eprorit. Ai nuk e ka zotësinë magjike të kundërshtimit dhe lexuesi thotë "mirë t'i bëhet", por prapë së prapë ndjen keqardhje për të.
Me Demkën, autori paralajmëron se njeriu i zakonshëm mund ta shpërngulë fajin nga vetja dhe të gjejë një alibi, por ai që ka hyrë në botën e mediumeve publike nuk ka alibi. Individi fiton aq liri sa meriton. Për skllavin e bindur më e mira është skllavëria.
Ku mund të jenë sot, pas dy dekadave jete si personazhe ndërmjet lexuesve, Zyloja dhe Demka? Një gjë mund të thuhet me siguri: ata përsëri janë bashkë. Ndoshta mund të kenë ndërruar rolet. Kjo ndodh shpesh me çifte të tillë personazhesh. Në romanin e njohur të Servantesit në fillim Don Kishoti është krejt jashtë realitetit, në botën e iluzioneve, kurse Sanço Panço habitet me lajthitjet e të zotit. Por në fund të romanit është Sanço Panço që e humbet sensin e realitetit, duke besuar se është emëruar guvernator i një shteti, ndërsa Don Kishoti habitet me naivitetin e shqytarit të tij.

EMRI I TRENDAFILIT, UMBERTO ECO


Titulli: Emri i trëndafilit
Origjinali: Il nome della rosa
Gjinia: Roman
Autori: Umberto Eco
Shqipëroi: Donika Omari
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 2012
Fq. 600
Pesha: 0.64 kg
ISBN: 978-9928-103-34-5

Emri i trendafilit, Umberto Eco

Vepra më e njohur letrare e Umberto Ecos, Emri i trëndafilit, i jepet përsëri lexuesit, por në një ribotim të riparë e të përpunuar pas 32 vjetësh nga vetë autori. "Ky nuk është një rishkrim", – thotë Eco në një intervistë. "Është një pëmirësim kozmetik, por disa portete kanë pësuar më shumë se një tualet."
Romani është punuar me kujdes, është ndryshuar, plotësuar por edhe lehtësuar nga disa citime në latinisht, nga disa situata që, pas kaq kohësh, autori gjykoi t'i përmirësonte. Kjo vepër, e konsideruar si një prej 10 romaneve më të mira të shekullit të kaluar, u ribotua përsëri dhe u mirëprit, si gjithmonë, në të gjitha gjuhët kryesore. Të njëjtën gjë bëmë edhe ne për lexuesit tanë.
"Gëzohem, dhe e gjithë bota do të bashkohet në këtë gëzim, që një libër mund të bëhet bestseller kundër të gjitha parashikimeve kibernetike, si dhe që një vepër letrare e vërtetë i hedh tutje snobizmat...Cilësia e lartë dhe suksesi nuk e përjashtojnë njëri-tjetrin." – Anthony Burgess, Observer

Komente mbi librin

"Libri është kaq i pasur, saqë lejon të gjitha nivelet e leximit... Eco, sërish i mrekullueshëm"
Robert Maggiori, Liberation
"Është një tip libri që na transformon, që zëvendëson realitetin tonë me të vetin... na paraqet një botë tjetër, në traditën e Rabëlesë, Servantesit, Melvilit, Dostojevskit... është vetë Xhojsi e Garsia Markesi bashkë."
Kenneth Atchity, Los Angelos Times
"Gëzohem, dhe e gjithë bota e letrave do të gëzohet bashkë me mua, që një libër mund të bëhet bestseller kundër parashikimeve kibernetike, dhe se një vepër e letërsisë së vërtetë mun dtë shmangë rrangullinat... Cilësia e lartë dhe suksesi nuk përjashtojnë njëri-tjetrin."
Anthony Burgess, The Observer

Visar Zhiti: Letërsisë i mungonte rrëfimi i ndjesisë


“Intelektuali, poeti, duhet të jenë të sinqertë dhe poezia duhet të jetë e vërtetë.”

Në një kohë kur ende pas më shumë se dy dekadash në Shqipëri vijon debati për persekutimin dhe persekutorët, për hapjen ose jo të dosjeve të tyre, poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti, përmes dy librave të tij më të fundit “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, na rrëfen përvojën e tij dhe ndjesinë brenda hekurave në kohën e diktaturës, me vokacion të ardhmen. Në këtë bisedë, Zhiti thotë se pa kujtesën kolektive një shtet nuk mund të ecë dot përpara. Poeti “që u dënua se u këndoi trëndafilave”, na tregon se, të gjitha diktaturat preken dhe cenohen nga sinqeriteti dhe e vërteta që sjellin poezia dhe romanet.

Kjo intervistë nisi “si rastësisht” duke folur për shkrimtarin dhe filozofin bashkëkohës, Umberto Eco, më pas kaloi në rolin e intelektualit në Shqipëri, si dhe gazetarinë e publicistikën e sotme, por, gjithsesi, ato na zbulojnë njeriun Visar Zhiti.

Rruget e ferrit, Visar Zhiti

Titulli: Rrugët e ferrit
Origjinali: Rrugët e ferrit
Gjinia: Roman
Autori: Visar Zhiti
Shtëpia botuese: OMSCA - 1
Viti: 2012
Fq. 576
Pesha: 0.55 kg
ISBN: 978-9928-132-05-5


"Prangat në duart e Zhitit nuk janë vetëm prangat e tij, por të njeriut përgjithësisht... Autori na përkujton se "liria më shumë eshtë gjendje shpirti, sesa trupi". Zëri i tij sjell dhembjen e Shqipërisë, të një kohë të dhimbshme. Në thjeshtësinë e tij, Visar Zhiti është kompleks, i thellë, shumështresor, plot shpirt. Ai të përvetëson me nivelet e mendimit të tij, me fisnikërinë e ndjenjave, si dhe me aftësinë që të shprehet lehtë e fuqishëm."
Bozhidar Prosenjak, shkrimtar kroat
"Romani shfaqet si një tekst që kuptohet qartë dhe përthithet menjëherë. Por teksti dëshmon të njëjtat cilësi (si çdo letërsi e madhe) dhe lëçitje nga një lexues tjetër i çfarëdollojtë dhe ky fakt u detyrohet talentit letrar të pakapërcyeshëm të Visar Zhitit, si dhe përvojave të tij si intelektual inteligjent, i kthjellët dhe pjesëmarrës..."
Liviu Lungu, shkrimtar rumun
"Është një nga librat e rrallë që ka forcën t&#39ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën. Merreni dhe mbajeni fort. Është dhe ilustrimi më i shkëlqyer që kam parë, ku shpjegohet se si shpresat e larta me socializmin e fillimit të shekullit të njëzetë degjeneruan në një tirani të përditshme."
Kevin Higgins, shkrimtar dhe botues anglez






“Emri i trëndafilit” ne si lexues na kujton një roman të mrekullueshëm të Umberto Eco-s. Ju kemi parë të vlerësoheni nga U. Eco. Pyetja ime është: Po ju, çfarë mbresash dhe mendimesh keni, jo thjesht për “Emrin e Trëndafilit”, por edhe për vetë “trëndafilin” e vyer, shkrimtarin dhe intelektualin e madh, elitar të Europës, Umberto Eco?

Ashtu siç e thatë dhe ju, Umberto Eco është një personalitet italian ndër më të mëdhenjtë në kulturën europiane, me famë botërore. Eseist, historian, semiotist, filozof, kritik arti, shkencëtar i komunikimit, shkrimtar, ndërkohë që e mposht me kulturën e vet këtë zeje. Të mposht me dije dhe me taktikat sugjestionuese të krijimit, me të vërtetë maestro. “Emri i Trëndafilit” është romani i tij i parë që e bëri të njohur, por dhe romani i tij i fundit, sepse iu rikthye, e ripunoi dhe sapo është botuar mbas 30 vjetësh në vendin e tij, por dhe në Shqipëri.

Pomë pyesni për të, por s’kam ç’them më shumë se një lexues. Emrin e tij e kam dëgjuar pas viteve ’90, kur dola nga burgu. Fati më çoi të punoj në Itali, kemi folur për të, kam lexuar, kam shkuar në qytetin e tij, në universitetet ku jep leksione, por nuk e kam parë asnjëherë. Si çdo i madh, ka adhuruesit e vet dhe kundërshtarët e vet ose nga ata që nuk magjepsen prej tij, janë indiferentë ose dhe kundërshtarë. I çmojnë kulturën, por nuk pajtohen me qëndrimet e tij apo dhe me veprën shkrimtarore.

Ferri i care, Burgologji, Visar Zhiti

Titulli: Ferri i çarë
Roman i vërtetë
Burgologji
Autori: Visar Zhiti
Shtëpia botuese: Omsca-1
Viti: 2012 (ribotimi)
fq. 560
Pesha: 0.53 kg


Visar Zhiti lindi në vitin 1952, në qytetin e Durrësit, ku kaloi fëmijërinë dhe kreu një pjesë të shkollës fillore. I ati, për qëndrimin e tij nacionalist dhe për shkrimet pacifiste në një kohë të ashpër, ishte pushuar nga arsimi dhe kishte kaluar punëtor krahu, që rregullonte rrugët e Durrësit apo shkallët që të çonin në amfiteatër. Por falë talentit, ndihmës së miqve dhe nevojave të kohës, kaloi si mësues dhe aktor në qytetin e Lushnjës, ku u shpërngul e gjithë familja. Aty ai do të bëhej një nga themeluesit e estradës së këtij qyteti. Pikërisht në këtë qytet Visar Zhiti do të përfundonte shkollën e mesme. Duke përfituar nga një zbutje e përkohshme e luftës së klasave, ndryshe nga dy vëllezërit më të mëdhenj, arriti të fitojë një të drejtë studimi në Universitetin e Shkodrës, dega Gjuhë-Letërsi. Në vitin 1979 arrestohet dhe dënohet me 10 vjet burg për agjitacion dhe propagandë, të shprehura në poezitë e tij. Del falë një amnistie në vitin 1987 dhe kthehet në qytetin e Lushnjës, ku siguron punë në fabrikën e Tullave, por pa të drejtë elektorale, pa të drejtë profesioni dhe pa të drejtë botimi. Në vitin 1990, me ndryshimin e sistemit politik në Shqipëri u angazhua me lëvizjen demokratike dhe punoi në gazetën e parë opozitare. Pasi Partia Demokratike fitoi zgjedhjet punoi për disa kohë në shtëpinë botuese, "Naim Frashëri" dhe më pas në Parlamentin shqiptar. Në vitin 1995 dërgohet në ambasadën shqiptare në Romë. Në vitin 1996, kandidon në rrethin e Lushnjës dhe zgjidhet deputet. Një vit më pas u dërgua sërish në ambasadën shqiptare në Romë, ku qëndroi deri në vitin 1997. Pas ngjarjeve të këtij viti u kthye në Tiranë. Ka botuar një sërë librash në poezi dhe prozë ku përmendim: "Kujtesa e ajrit" (vëllim me poezi), "Hedh një kafkë në këmbët tuaja" (libër me poezi të burgut), "Mbjella e vetëtimave" (vëllim poetik i botuar në Shkup), "Këmba e Davidit", "Funerali i pafund" (romanin) "Perëndia mbrapsht dhe e dashura" (roman) etj. Si shkrimtar, Visar Zhiti është vlerësuar me disa çmime në Shqipëri e jashtë saj dhe është përkthyer në disa gjuhë. Emri i tij është si zë më vete ne Enciklopedinë e Madhe italiane. Eshtë anëtar i akademisë "Alfonso Grasi" në Itali.

Vleresime mbi librin

“U gëzova për mençurinë tënde fisnike, u gëzova edhe më shumë për faktin që njeriu shqiptar është i aftë për një mençuri të tillë. Dhumë zymti vjen nga Shqipëria, shumë dëshpërim e disa herë shumë egërsi. Ndaj për oguret e mirë kemi të drejtë të gëzohemi.”

Ismail Kadare (letër “Kujtesa e ajrit”)

“Shqiptari Visar Zhiti është fitues i çmimit “Ada Negri”... I dërguar në Itali, ka ndjekur kurse perfeksionimi pranë gazetave “Il sole”, “Corriere della Sera” dhe “Avvenire” duke botuar ndërkohë artikuj dhe poezi. Proza “Trego Zotin tënd” është botuar nga Oscar Mondadori...”
Gazeta “Corriere della Sera”

“Përkundrazi, Zhiti me të drejtë na kujton se është madhështi të dish të qash, të shprehësh vetë intimitetin e shqyer në të jetuarit e drejtpërdrejtë pikërisht me ndjenjat.”
Gazeta “Avvenire”

“Librat e tij dëshmojnë edhe vitet e burgut, edhe zbardhëllimën e demokracisë, karakterizohen nga kërkime stilistikore gjithë romantikë, në të cilat shquhen jehonat si në hermetizmin italian dhe te poetët rusë dhe francezë.”
Enciklopedia Italiane “La Piccola Treccani”




Të dal te pyetja juaj, ka bërë përshtypje parathënia e tij për një libër, botuar së fundmi në Itali, me autorë të dalë nga burgjet nga vende të ndryshme të botës, përgatitur nga PEN Club italian. Fjala hyrëse e Ecos në këtë përmbledhje u botua në gazetat më të mëdha. Ai i bën një lloj rivlerësimi qëndrimit të tij të dikurshëm për këta lloj autorësh, të cilët, në një parathënie të bërë përpara, dikur në një botim në Angli, thoshte se janë të dënuar të pafajshëm. Tani e korrigjon mendimin e tij dhe këmbëngul se ata janë autorë të fajshëm për diktaturat. Këtë e argumenton me faktin se, nëse nuk do t’i këndoje diktaturës apo diktatorit, pra, do të ishe mënjanas ndaj tyre e do të shkruaje për tjetër gjë, qoftë dhe për trëndafilat, ishte faj. Më merr si shembull mua, më citon duke kujtuar librin tim me poezi për të cilin jam dënuar, “Rapsodia e jetës së trëndafilave”, dhe ndër të tjera thotë: “…poezia u shkakton frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe nëse flet, si në rastin e Zhitit, për trëndafilat…”



Pra, paskeni të përbashkët edhe trëndafilat…

Trëndafilat janë për të gjithë, dhe, pse jo, të gjithë janë për trëndafila. Më vjen mirë kur një intelektual i madh arrin të ndiejë tjetrin edhe tej, në tjetër vend e në tjetër gjuhë, që nuk e njeh e s’janë takuar kurrë. Është fat kur të mëdhenjtë janë të tillë se dinë të shohin më gjerë, sintetizueshëm, opinionbërshëm. E çmoj shumë këtë konstatim sfidues të tij, që autorët e burgjeve i zbulon të fajshëm për diktaturat e tyre. Jo të gjithë e pranojnë kështu.

Së fundmi, do të shtoja, për kërshëri, se edhe Umberto Eco edhe unë jemi anëtarë të PEN Clubit italian, kam pasur rast të shkëmbej mesazhe. PEN-i, ju e dini, është krijuar për të mbrojtur shkrimtarët që persekutohen në vendet e tyre, kudo. S’e di a ka këtë rol në Shqipëri.



Atëherë vazhdojmë me termin intelektual dhe për “intelektualin e angazhuar”, që aq shumë flitet. Ju lutem, mendimin tuaj për këtë problem?

Unë, kur dëgjoj fjalën intelektual, nuk e shkëpus dot nga angazhimi. Pra, nëse je intelektual, absolutisht je i interesuar për shoqërinë, për vendin tënd, aktualitetin, historinë, çështjet, deri dhe për tjetrin si individ. Interesi nuk mjafton, duhet të veprosh, të ndërhysh, të mbështesësh, të kritikosh, të mos pajtohesh, të zgjidhësh, të mbrosh, të bëhesh ndërgjegje. Intelektualët e vërtetë i kanë bërë dhe i bëjnë këto. Ata që vetëm dinë, enciklopedikë të mbyllur në Kullën e Fildishtë, siç thuhej, kur nuk janë socialë, të angazhuar, mënjanës, pakësojnë shumë nga vetja e tyre, bëhen të harrueshëm, madje edhe të dëmshëm.

Angazhim mund të jetë dhe vepra ashtu si dhe jeta e intelektualit. Ne shpeshherë e keqkuptojmë fjalën angazhim, kujtojmë sikur do t’i shërbehet një partie apo një lideri a thjesht do të jesh militant diku. Angazhim do të thotë t’i shërbesh idealit, çështjes, vendit, kohës, të angazhohesh do të thotë të plotësosh idealet, idetë dhe qëllimet e tua në dobi të të gjithëve a të një shumice, qoftë dhe të njërit, kur ka të drejtë.



Po për figurën e intelektualit në Shqipërinë e sotme?

Në rastin shqiptar, gjendja, për sa i përket dijes intelektuale, mund të themi se nuk kemi qenë dhe aq keq, a mbase nuk jemi. Për sa i përket rolit intelektual, rolit emancipues që kanë për detyrë ndaj shoqërisë ata që quhen intelektualë, mund të themi se lë për të dëshiruar. Jemi vendi ku është formuar dhe na ka mbetur intelektuali legal i shtetit të diktaturës, i shquar i kompromisit, pa kurajën e duhur qytetare, gjithmonë nga ana e më të fortit, si rrjedhojë e hipokritit të mbijetesës, me ndërgjegje të pakët përgjegjësie dhe janë nëpërkëmbur të kundërtit e tyre, janë braktisur, dënuar e zhdukur si kundërshtarë. Me intelektualët shqiptarë ka ndodhur ajo që zakonisht zbërthehet nga sociologët perëndimorë, që, përgjithësisht, në vendet diktatoriale, intelektualët kanë qenë me diktaturën, sepse ajo u jepte mundësi të bëheshin dikushi, u zhdukte rivalët dhe u jepte famë. Dhe, diktaturat i ndanin intelektualët në të tyre dhe në armiq dhe dihet se ç’bëhej me ta. Në njërin kah ngjitje dhe në tjetrin zbritje. Mesi i mediokërve. Ka një simetri diabolike, për këdo intelektual që ngrihej, një tjetër rroposej dhe me ndihmesën e të parit.

Duke mos lënë shembullin e intelektualit disident, kundërshtues, martir, sepse, edhe kur ishin, ato zhdukeshin dhe përvoja e tyre heshtej – sot, kjo përvojë e vyer, edhe pse duket sikur nuk ka gjetur vlerësimin dhe vendin e duhur, është bërë parësore dhe gjithsesi ka përfaqësues e dishepuj.



Librat tuaj të fundit “Rrugët e ferrit” dhe “Ferri i çarë”, janë pritur shumë mirë nga lexuesi. Cilat janë, sipas jush, disa nga shkaqet, lidhen me angazhimin?

Në qoftë kështu, gëzohem. Shkaqet për këtë duhet t’i dijë lexuesi më mirë. Unë mund të flas për arsyen a diçka të tillë që pse i shkrova këta libra. Është emocionale, gjakimi për të bërë letërsi, por dëshiroja të isha dhe i angazhuar për të sjellë ndërkaq librat që i shërbejnë kujtesës historike të të gjithëve, të sillja nga vuajtja njerëzore, duke e parë atë, më shumë sesa fakt dhe datë, si ndjesi. Ndjenjat sjellin mendimin dhe veprimin. Me dukej sikur mungonte kjo e vërtetë. Mund të kemi rrëfyer për vuajtjen, por jo ndjesinë brenda saj. Desha jo vetëm të vërtetën si ndjenjë, por dhe ndjenjën si të vërtetë.

Gjithsesi, desha që të ishin dhe romane me personazhe dhe ngjarje të vërteta me qëllimin që, përveç të tjerash, të ndiejmë që ka një sy vëzhgues mbi bëmat tona dhe që gjithkush është i denjë të hyjë në një vepër, romani nuk është “zonë e ndaluar”, repart ushtarak, presidencë a ambasadë, por ngjan me rrugët, sheshet, parqet, ku shkojnë të gjithë, me hotelet ku bujtin, me tempujt ku rrëfehemi, ku dëgjojmë orakujt. Pra si të thuash, ka romane që nuk kanë personazh kryesor fantazinë, por të vërtetën me kredon që ne jemi të aftë të hymë në letërsi me çfarëdolloj jete dhe duhet t’i përgjigjemi asaj. Sado të pasur qofshim, të kaluarën nuk e blejmë dot, përsëris. Sado të varfër qofshim, ëndrrën e së ardhmes nuk na e rrëmbejnë dot. Se ëndrra mund të mbetet dhe pa ne.



Ju folët për kujtesën historike, sa e rëndësishme është ajo për të ardhmen e një vendi?

Kujtesa historike është e domosdoshme për çdo popull, për çdo kulturë, është vetë historia. Nuk ka të tashme pa kujtesë. Kudo, në çdo gjë, që nga më e madhja e deri te më e imta, te e zakonshmja, e dukshmja, e padukshmja, universalja etj., është kujtesa si një përvojë. Madje ka dhe kujtesë të së ardhmes. Bibliotekat, shkenca, të gjitha, i takojnë jetës pa kohë, të gjithëkohshmes. Çasti në të cilin flasim menjëherë bëhet i shkuar. Gjithçka është e ikshme, ikën. Dhe shqetësimi i madh i njerëzimit është dhe mbetet të qëndruarit, të qenët si forma të përjetësisë, vetë përjetësia si një mundësi. Në këtë kuptim, kujtesa është çelësi i kësaj magjie jete, edhe parajetë dhe pasjetë. Kur ajo na vjen nëpërmjet artit, është fat, fat i madh, se është edhe emocion estetik, që do të thotë “të jesh bukur”, gjithmonë, sipas meje.



Ju jeni ndër poetët, publicistët që keni vuajtur mbi supe torturat çnjerëzore të regjimit të egër të Enver Hoxhës. Megjithatë, në poezitë dhe artikujt tuaj, nuk sheh mllef dhe ndjenjë hakmarrjeje, as në hermetizmin tuaj krijues, por gjejmë sinqeritet, vërtetësi, argument, kuptohet dhe kundërshtim. Si arrini ta bëni këtë?

Unë do të thosha se torturat nuk janë njerëzore, por çnjerëzore. Torturat s’duhej të ishin për njeriun, sidomos nuk duhet të vinin nga njeriu. Ç’t’ju them, poezia duhet t’i ketë të gjitha, pse jo, edhe mllef. Njeriu i poezisë duhet të dijë të urrejë, në emër të dashurisë e jo të dashurojë në emër të urrejtjes, kështu besoj, duhet të dijë të indinjohet, që të shërbejë për të krijuar energji pozitive.

Poezia në vetvete është dhe hakmarrje, jo banale, por artistike, e shenjtë mundësisht. Të mos kesh aftësi indinjate, kundërshtimi, do të thotë të jesh tolerues i së keqes. E rëndësishme është t’i përgjigjesh asaj dhe ta kundërshtosh me mënyrën tënde, mundësisht të shenjtë, e them prapë, pra qiellore, e padukshme në tokë. Pavarësisht se ndëshkimi, tokësor e nëntokësor, vjen si rezultat i këtij beteje. Por jo çdo britmë është kundërshtim, jo çdo thirrje është kundërshtim, madje jo çdo kundërshtim është kundërshtim. Mund të kundërshtosh edhe urtë, dhe ky ndonjëherë është më i forti dhe më seriozi. Në këtë kuptim, unë them se vuajta nuk duhet ta bëjë më të keq njeriun, pavarësisht se ia bën më të keqe jetën. Mendoj se ai që kupton më thellë botën, kupton më thellë të tjerët, veten, dhe di se çfarë dhe si të kërkojë. Pse jo, edhe me poezi. Në këtë kuptim, vuajtja njeriun e bën më të sinqertë e më të heshtur. Fillon hermetizmi. Poezia, në një farë mënyrë, duhet të jetë sa më e zhveshur dhe hermetike, jo në kuptimin e qartësisë, se ashtu nuk sjell rezultatin që dëshiron. Poezia hermetike është tjetër gjë, nuk fsheh vetveten a gjendjen, por ka sensin e të paarritshmes si vegim. Intelektuali, poeti, duhet të jetë i sinqertë dhe poezia duhet të jetë e vërtetë. Nëse këto arrihen, është me fat ai poet.



Ndoshta ngaqë edhe vetë jam njeri i gazetarisë, më vjen të bëj pyetjen, ç’mendim keni për gazetarinë dhe publicistikën e sotme?

Ka arritje të shkëlqyera dhe profesionalizëm. Edhe shpërdorime të tyre, edhe… por të pranojmë të mirën. Ndërkaq, unë shoh një paradoks midis gazetarit dhe gazetës së tij. Gazetarët janë shumë më të mirë se gazeta e tyre. Liria ka bërë të shpërthejnë talente, sy vëzhgues, qëndrime kritike, zëra prijës, por…

Me gazetat ka pakënaqësira. Faqet e para duket sikur kërkojnë më shpesh, sforcueshëm, të bujshmen, skupin, të jashtëzakonshmen, të padobishmen, të keqen, ngjalljen e pakënaqësisë. Ndoshta kjo ndodh, sepse kështu shiten më shumë, nëse interes është shitja e gazetës. Por ka dhe shitje të atyre që mbajnë atë gazetë, pronarët. Një sukses i tillë është i dëmshëm. Kur gazetat duan të mbushen me krime, vrasje, hedhje nga ballkoni etj., duket sikur i bëhet apel a pyetje lexuesit të tyre: Po ti, kur do të bësh deliktin tënd? Nëse krijohet kështu një klimë krimi, në të vërtetë ajo është më e keqe se vetë krimi. Lenini thoshte: më jepni një gazetë dhe të shikoni po nuk përmbysa një pushtet. Unë do të thosha: më jepni një gazetë të ngre një popull. Shpirtërisht, moralisht…



Sot ka censurë apo autocensurë?

Censurë – jo. Gjithçka thuhet. Madje dhe me tepri. Autocensura është më e keqe se censura për shkrimtarin, mendoj. Mënyrat për t’i thënë gjërat gjenden. Shpeshherë janë të detyruar të jenë në shërbim të interesave të një klani të caktuar, e kam fjalën për gazetarët. Megjithatë mendimin e tyre mund ta përçojnë në forma të tjera. Nëse pengohet te një gazetë, e thonë te tjetra. Këto janë privilegjet e lirisë. Shkrimtarët po, i gëzojnë të plota, më mirë se kurrë. Artet në përgjithësi. Pengesë duhet të jetë vetvetja tani. Por mungesa e kulturës është autocensurë. Mungesa e moralit është censurë për informimin mbi të vërtetat.



Edhe për traditë, do të desha t’ju pyes për librin a librat tuaj të ardhshëm?

Vërtet nuk e di. Dy librat e porsa botuar që përmendët ju, në njëfarë mënyre kanë qenë dhe si një lloj gërryerje munduese, por e ngazëllyese gjithsesi. Duhet t’i bëja patjetër. Tani jam në gjendjen e “pusit bosh”, siç thoshte dhe e shpjegonte Hemingway. Më duhet të pres ujë të ri jete. Ndonjëherë respektimi i boshatisjes është më i mirë sesa të shkruarit keq. Do ta rimarr ndonjë nga dosjet e mia. Por jo për traditë.

Paulo Coelho -Irani ndalon librat e mi Brazili të ndërhyjë

Shkrimtari i njohur brazilian Paulo Coelho deklaron se Irani ka ndaluar shitjen e librave të tij, dhe i bëri thirrje qeverisë së Brazilit të ndërhyjë. Coelho, veprat e të cilit janë ndër më të shiturat në botë, e bëri njoftimin në internet, duke informuar për vendimin e qeverisë iraniane që t’ia ndalojë librat.

Shkrimtari brazilian Paolo Coelho (foto)

Shkrimtari e përkufizoi “një vendim arbitrar” i cili mund të jetë vetëm fryt i “një keqkuptimi”. Në blogun e tij Coelho kujton se në 1998 në Iran ka shitur 6 milionë libra ndërsa Irani qeverisej nga “qeveri të ndryshme” . Shkrimtari ka publikuar një letër të botuesit iranian Arash Hejazi, i cili e informon se librat e tij “janë ndaluar me urdhër të ministrit të Kulturës”. Arash Hejazi, u shfaq në një video gjatë protestave në vitin 2009 teksa përpiqej t’i shpëtojë jetën vajzës Neda Aga-Soltan, vdekja e së cilës u bë simbol i dhunës pas zgjedhjeve. Ceolho tha se nuk e di arsyen e ndalesës, por tregoi se i ka përdorur rrjetet sociale në internet për t’a mbështetur botuesin Hejazi.


Philip Roth, shkrimtari që bëri revolucion seksual

Autori Philip Roth

Si mund ta njohësh një autor, për të cilin ke dëgjuar vetëm të flitet? Ndoshta është më mirë t’i referohesh librit të tij të parë. Për shkrimtarin amerikan, Philip Roth, ndoshta ky lexim duhej filluar nga “Ankimi i Portnoit”. Ky libër, i treti në karrierën e Roth, bëri të diskutohej gjatë për të si autor. I botuar në vitin 1969, romani u kritikua për përshkrimet seksuale dhe të masturbimit, e madje u quajt edhe skandaloz nga një pjesë e mirë e kritikës. Së fundmi, ky libër ka ardhur edhe për lexuesin shqiptar nga shtëpia botuese “Skanderbeg Books”, e cila ka publikuar edhe libra të tjerë nga shkrimtari amerikan si “Inati” apo “Del Hija”.

Komploti kunder Amerikes, Philip RothInati, Philip Roth


Titulli: Komploti kundër Amerikës
Roman 
Histori alternative
Autori: Philip Roth
Shqipëroi: Jorgji Qirjako
Shtëpia botuese: Dituria, 2006
f. 358
Pesha: 0.45 kg
ISBN: 99927-59-97-6


Autori niset nga një trillim artistik për të rrëfyer se çfarë i ndodhi familjes së tij gjatë viteve ’40, kur hebrenjtë amerikanë patën motive të forta për t’iu trembur më të keqes.

Titulli: Inati
Origjinali anglisht: Indignation
Roman
Autori: Philip Roth 
Shqipëroi: Sokol Bega
Shtëpia botuese: Skanderbeg Books
Viti: 2009
fq. 192
Pesha: 0.20 kg
ISBN: 978-99943-891-2-4

Është viti 1951, viti i dytë i Luftës Koreane. Markus Mesner nga Njuarku, Nju Xhersi, po fillon vitin e dytë në kampusin pastoral konservativ të Kolegjit Uajnsburg të Ohajos. Përse ndodhet aty? Sepse i ati, kasapi i palodhur i lagjes, duket se është marrosur- marrosur nga frika, ankthi dhe rreziqet e moshës, rreziqet e botës, rreziqet që sheh në çdo cep për djalin e tij të dashur. 
 “Inati”, rrëfenja për arsimimin e një të riu mes mundësive tmerruese dhe pengesave të pashpjegueshme të jetës, është një kontribut i fuqishëm në zhbirimin që Roth i bën ndikimit të historisë amerikane mbi jetën e individit të brishtë.



Për këtë libër është shkruar shumë deri më sot. Përveç përjetimit personal të leximit, mjafton të futesh në kërkim online dhe blogjet në të cilat diskutohet për të janë të pafundme. Distanca kohore prej gati 40 vjetësh, tashmë e bën gjykimin edhe më të lirshëm. “Ankimi i Portnoit” është cilësuar si një libër i revolucionit seksual, një monolog erotik e njëkohësisht libri më komik për seksin. Aleksandër Portnoi është ulur dhe po rrëfehet përballë psikanalistit të tij për çfarë ka ngjarë me seksin, epshin, obsesionin, joshjen, lojërat dhe vuajtjet e tij seksuale. Në të vërtetë, rrëfimi i tij është një monolog i gjatë i një djaloshi të varur plotësisht nga seksi, të diktuar nga epshi dhe kureshtja ndaj nënës së tij dhe nga një përkujdesje fatale për të mos i cenuar kodet morale të përcaktuara nga brezat e familjes së tij, trysni kjo e dhënë nga Philip Roth përmes një rrëfimi sa komik, aq edhe të vërtetë e të dhimbshëm. Një çrregullim trupor, i ndikuar sa nga fiziku, aq edhe nga etika familjare e prejardhjes së Portnoit, si dhe impulset e tij altruiste, përplasen me një dëshirë të skajshme seksuale të tij, shpesh edhe me natyrë perverse, që e bëjnë Aleksandër Portnoin të gjendet shpesh në situata të vështira.

Ankimi i Portnoit, Philip Roth


Titulli: Ankimi i Portnoit
Origjinali: Portnoy's Complaint
Gjinia: Roman
Autori: Philip Roth
Shqipëroi: Shpëtim Myshketa
Shtëpia botuese: Skanderbeg Books
Viti: 2012
Fq. 264
Pesha: 0.32 kg
ISBN: 978-99943-5174-9


Aleksadër Portnoi është ulur dhe po rrëfehet përballë psikoanalistit të tij për çfarë ka ngjarë me seksin, epshin, obsesionin, joshjen, lojërat dhe vuajtjet e tij seksuale. Në të vërtetë rrëfimi i tij është një monolog i gjatë i një djaloshi të varësuar plotësisht nga seksi, të diktuar nga epshi dhe kureshtja ndaj nënës së tij dhe nga një përkujdesje fatale për të mos i cënuar kodet morale të përcaktuara nga brezat e familjes së tij, trysni kjo e dhënë nga Philip Roth përmes një rrëfimi sa komik, aq edhe të vërtetë e të dhimbshëm.
Një çrregullim trupor, i ndikuar sa nga fiziku, aq edhe nga etika familjare e prejardhjes së Portnoit, si dhe impulset e tij altruiste, përplasen me një dëshirë të skajshme seksuale të tij, shpesh edhe me natyrë perverse, që e bëjnë Aleksadër Portnoin të gjendet shpesh në situara të vështira.
Për shkak të kohës kur është botuar, Ankimi i Portnoit cilësohet si një roman emblematik, pasi iu përgjigj me idetë e tij valës së revolucionit seksual që përfshiu fundit e viteve 60'. Menjëherë pas botimit, libri provokoi një debat të gjerë publik për shkak të përsiatjeve dhe analizave të tij mbi seksualitetin dhe obsesionin mbi seksin, si dhe përshkrimeve të patabu mbi vetëkënaqjen, reaksion ku veçmas u përfshinë edhe intelektualë hebrenj të Amerikës. Ankimi i Portnoit është romani më popullor i Philip Rothit dhe u rendit ndër 100 librat më të mirë të shekullit XX.



Për shkak të kohës kur është botuar, “Ankimi i Portnoit” cilësohet si një roman emblematik, pasi iu përgjigj me idetë e tij valës së revolucionit seksual që përfshiu fundin e viteve ‘60. Menjëherë pas botimit, libri provokoi një debat të gjerë publik për shkak të përsiatjeve dhe analizave të tij mbi seksualitetin dhe obsesionin mbi seksin, si dhe përshkrimeve pa tabu mbi vetëkënaqjen, reaksion ku veçmas u përfshinë edhe intelektualë hebrenj të Amerikës. Philip Roth njihet si një shkrimtar i “heshtur”. Intervistat e tij nuk janë të shumta, por edhe në rastet kur ndodhin, nuk ia arrijnë qëllimit të tyre. Janë të kursyera në fjalë dhe argumentet ndoshta nuk marrin shpesh përgjigjen e kërkuar. Roth flet ftohtë për këtë prirje të tij të të trajtuarit të seksualitetit në librat e tij. “Më ka interesuar gjithmonë të kuptoja se çfarë ndodh në jetën e personave kur në mes hyn seksi. Ka qenë një temë me shumë rëndësi, edhe pse tani nuk më tërheq më si dikur”, thekson shkrimtari. Në një intervistë të tij pak kohë pas botimit të librit, Roth është shumë i kursyer në shpjegime përpara furtunës që shkaktoi libri. Këtë monolog erotik pa tabu, për habi të të gjithëve ai e sheh më shumë si një çështje letrare, një çështje stili se sa parimesh. “Disa ide që më pas i kam shkruar në librin tim, më qarkullonin në mendje që nga koha kur kam filluar të shkruaj. I referohem veçanërisht ideve mbi stilin e rrëfimit. Libri është i ndërtuar mbi teknikën e ‘bllokimit të ndërgjegjes’, ku copëza materialesh të formës dhe dimensioneve të ndryshme, vendosur njëra mbi tjetrën, i bën bashkë një lidhje e rastësishme më shumë se sa një rrjedhë kronologjike. E kisha provuar diçka të tillë edhe më parë, ndaj mendova ta ripërdorja për të vendosur përfundimisht nëse do ta bëja timen këtë tip rrëfimi apo do ta hidhja tej”, thekson shkrimtari amerikan. E ndërsa pyetet nëse ky roman i rrallë i rrëfimeve seksuale mund të jetë krijuar vetëm duke pasur parasysh shtysa letrare, Roth përgjigjet: “Jo. Por koncepti nuk është asgjë krahasuar me realizimin. Sipas pikëpamjes sime, përderisa ‘idetë’ e mia mbi seksin, fajin, fëmijërinë, mbi burrat hebrenj e gratë e tyre të sjellshme, nuk janë formësuar në një strategji apo në një mënyrë rrëfimi, këto ide nuk ndryshonin aspak nga ato të shumë njerëzve të tjerë. Të gjithë kanë ‘ide’ për një roman: kryeqyteti është i mbushur me njerëz që e kanë kokën plot ide për një roman, por që nuk janë në gjendje as të nisin ta shkruajnë. Shpesh, unë jam një prej tyre”. Tashmë ai është një nga shkrimtarët amerikanë të gjeneratës së tij më të vlerësuar. Është vlerësuar dy herë me Çmimin Kombëtar të Kritikëve, tre herë me “PEN/Faulkner Award”, ka marrë çmimin “Pulitzer” në vitin 1997, pak muaj më parë mori çmimin “Princi i Asturias në Letërsi” dhe së fundmi emri i tij qarkullon në listën e favoritëve për çmimin “Nobel”. Roth është rebeluar shpesh ndaj faktit që atë sot e cilësojnë si shkrimtari më i mirë hebre që është gjallë. “Kjo gjë më inatos jashtë mase. Do të doja të më konsideronin si një prej shkrimtarëve më të mirë amerikanë në gjallje”, ka thënë ai në një prej intervistave të tij të shkurtra. Ndërkohë, romani “Ankimi i Portnoit” është përfshirë si një ndër 100 librat më të mirë të shek XX.

“Kush e vrau dashurinë?!”


Nga: Dragua Shehu

Z. Albert. Zholi, “Kush e vrau dashurinë?!”

Roman

Mbresa mbi personazhet e romanit

Kanë kaluar disa muaj, që ka dalë nga shtypi dhe është në qarkullim romani i bukur i shkrimtarit dhe publicistit, të njohur për lexuesin, Albert Zholi “Kush e vrau dashurinë”, dhe përshtypja e jehona për të është e madhe.
Në dukje të parë nga titulli dhe nga kopertina, lexuesi krijon përshtypjen se është një roman për moshat e reja dhe që trajton çështje aktuale të kohës.
Dhe unë mendova e thashë me vete:
- Ndofta s’më takon mua, as për vetë moshën e madhe ta lexoj, pale dhe të jap impresionet për të.
Në të gjitha veprimtaritë krijuese, artistike dhe publicistike të Albert Zholit, spikat nga fillimi në fund të çdo vepre, ku del në pah faktori njeri në tërë kompleksitetin etj. Ajo që bashkon e lidh tërë krijimtarinë, jo vetëm këtu, por në tërë shkrimet dhe librat e tjerë është dashuria për Shqipërinë, për Atdheun, e këtë dashuri e paraqit me forma dhe në kohë të ndryshme, portretin e shqiptarit në shekuj, trimëritë dhe bëmat e tij në Shqipëri dhe kudo në mërgim. Por nuk ndalet këtu, në këto shkrime evidenton plagët kanceroze të shoqërisë sonë, që lindin tani dhe dikur kanë ekzistuar, të kultivuara dhe nga izolimi, lufta e klasave, depersonalizimi i njeriut, niveli ekonomik, prapambetja e jetesës në disa fshatra të thella etj., por dhe shkaqet e reja të lindura e të kultivuara tek ne si korrupsioni, prostitucioni, droga, gjakmarrja, vetëgjyqësia, disniveli i jetesës dhe polarizimi i tejskajshëm i shoqërisë e shumë e shumë të tjera, futën në masë, në vendin tonë dukuri që nuk i kishim problem më parë.
Pra, autori evidenton por njëkohësisht jep rrugët për të dalën nga këto probleme dhe për t’u integruar plotësisht me të gjitha parametrat njerëzore Evropiane në BE.
Romani ka në qendër të tij Sinan Drinin, bashkëshorten Florikën, tre djemtë, motrën, nuset, mbesat etj. Autori ka ditur të gërshetoi dhe të ndërtoi, harmonin mes brezave në familje dhe në shoqëri Sinani, që përbën dhe boshtin e romanit me ndershmërinë dhe edukatën e tij, krijoi një familje normale dhe të qetë, deri në dalje në jetë të fëmijëve.
Jeta e gjatë e çiftit Drini, përballimi me sukses i sfidave të Luftës Nacionalçlirimtare dhe peripecitë në jetë, tregohen bukur nga autori. Ka “qëndisur”, me mjeshtëri dy letrat prekëse, po me kuptim të kundërt, që nëna e tij ia dërgonte Sinanit kur ky ishte partizan, në njërën i thoshte: “Se Florika nuk jeton më” dhe në tjetrën po aq prekëse por të gëzuar që thotë se: “Florika tënde e dashur, o bir jeton...”
Por jeta ndonëse është e shkurtër, në të mund të ndodhin shumë gjëra, disa dhe të papërballueshme për moshën e tyre. I ndershmi është i ndershëm në çdo sistem. Të mos harrojmë se, e tregoi veten si komunistë në çdo kohë. Bukur e ndërton autori dialogun e Sinanit me Skënderin, njeri i korruptuar që mendon se ryshfeti mund të korruptoj çdo njeri... Sinani jo se s’kish nevojë për para, por s’mund të shkelte mbi idealet dhe ndershmërinë e tij.
Dhe pse në demokraci nuk duhet të ketë “Luftë partiake”, shoqëria jonë u nda në të djathtë dhe të majtë, me demokratë dhe ish-komunistë, që në disa raste bëhet e padurueshme. Kur Sinani takoi një ish-komshiun e vet, i përndjekur politik e që kish bërë 20-vjet burg i tha: Ti Sinan ke qenë komunist i ndershëm, ashtu si dhe Florika, po dhe të tjerë ka pasur si ju... “Hajde tha Ramazan Gjashta, të pimë kafe, ne nuk ngatërrohemi bashkë në politikë, unë kam vuajtur në burgje të diktaturës, por tani disa punë nuk po bëhen mirë dhe unë po zhgënjehem nga kjo demokraci...”
Autori është i vërtetë na jep personazhe të sakta siç dhe kanë qenë. I tipizuar është “shoku Astrit” pehlivan ishte në vitet e diktaturës dhe ashtu mbeti dhe tani... thuhet se “shumë herë në socializëm fiton servili”. Po dhe vajza e tij Elsa, i ngjante babait, meqë ishte goca e zëvendësministrit “kishte vjedhur vota” jo dije, se dija s’mund të shitej. Edhe në jetë në shkollë, në punë dhe në Itali emigrantë, ky botëkuptim për jetën do ta ndiqte pas. Prindërit ja kishin sjellë “çdo gjë në gojë”. Jam qytetare italiane – thoshte Elsa! – edhe për vajzën e vet do të thoshte: S’ka ç’i duhet gjuha shqipe – le të mësoi gjuhët konteporane...! Ndryshe është Adi, i rritur dhe i edukuar në një familje të ndershme e të thjeshtë, që çmonte dhe nderonte shumë babanë e tij.
Personazhi që pati një fund tragjik ishte Alketi, ndonëse dhe ky ishte si dy vëllezërit e tjerë. Po që në jetë bëri një zgjidhe të gabuar në dashuri, ra preh e intrigës dhe ambientit. Është ky personazhi që e pagoi këtë konflikt me jetën e tij. Autori paraqet dhe jetën e bashkëshortes së Alketit, Fatbardha plot probleme negative në jetën e saj, në Shqipëri por edhe në SHBA, në Miniapolis ku shkuan për emigrim. I ndihmuar dhe nga xhaxhai i saj Abdyli në SHBA, që i urrente komunistët shqiptar “Ata e kanë vendin në litar”. Kurdisi intriga dhe bëri plane për të zhdukur Alketin, “Këtë kulishë komunisti!...” Sa e egër hakmarrja...!
Ishte e shkruar që Florika dhe Sinani, të merrnin nga fundi i jetës një dënim, të përjetonin humbjen e Alketit. Dialog interesant para martesës së Alketit me Bardhën nga një anë dhe Sinanit me Florikën nga ana tjetër. Nuk mund të kalojë lehtë lexuesi, kur Florika mori vesh vdekjen e djalit dhe në çfarë rrethanash! Nuk mund ta besonte se ai kishte vdekur. Bënte analogji me jetën e saj... “ndofta është bërë ndonjë gabim, a është ndonjë sajesë!”
Në kontrast me Bardhën, autori na prezanton Rinën një vajzë e thjesht e ndershme shqiptare që e dashuronte pa interes Alketin dhe që e përjetoi me dhimbje humbjen e tij. Kur shkoi në varreza për t’i dhënë lamtumirën Alketit, sytë i shkuan në një pllakë mermeri, ku qëndronte fotografia e një 17 vjeçare të bukur Ina, e cila sipas mbishkrimit kishte flijuar veten për hir të dashurisë së saj të pamundur. Rina e shikonte me shumë zili veprimin e Inës... “Unë nuk isha aq e zonja sa ty, të mbroja dashurinë time”. Jetova për të njohur një dhimbje shumë të madhe, atë të vdekjes së dashurisë sime...!
Një personazh tjetër i spikatur është dhe djali i vogël i Sinanit dhe i Florikës, Arjani i edukuar si dhe vëllezërit e tjerë që së bashku me bashkëshorten Mirjetën krijuan një familje model, ndonëse në emigrim në Greqi, u bënë mjeshtër të pikturës dhe restaurimit.
Lexuesi lexon e nxiton, se libri s’të hiqet nga dora, derisa t’i shkosh në faqen 211. E kërkon të qeshë: Kush e vrau dashurinë?! E pyetje të tjera: Sa dashuri u vranë? Pse u vranë? Etj., etj.
Është një zgjidhje e bukur e autorit, vdekja e Alketit, labirintet në jetë, ku u zhyt ai. Po nuk është vrarë vetëm Alketi – po u “vranë” dhe Rina u vra dhe Ina “nga kjo sëmundje!” Po nga jeta u “vra” dhe çifti Drini qysh në rininë e tyre dhe më vonë. Sepse vdekja nuk vjen vetëm nga plumbi a nga faktorë të tjerë fizikë. Ka dhe një vdekje tjetër duke qenë i gjallë:
- Vdekja shpirtërore njëlloj janë... E këto personazhe i ka dhënë Alberti, në mënyrë të përsosur. Dritëro Agolli thotë se:
“Albert Zholi... hyn në shpirtin e personazhit dhe e zbërthen atë, duke na e prurë pranë të gjallë dhe të freskët”. Nuk mund t’u bëhet koment fjalëve të Dritëroit. Por vetëm t’i uroj shkrimtarit të ri në moshë Albertit, jetë të gjatë dhe shkrime sa më shumë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...