Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/09/30

Salman Rushdie:The enchantress of Florence

Titulli: Magjistricat e Firences (kopertinë e trashë)
Origjinali: The enchantress of Florence
Gjinia: Roman
Autori: Salman Rushdie
Shqipëroi: Ilir I. Baçi
Shtëpia botuese: Dudaj
Viti: 2012
Fq. 376
Pesha: 0.57 kg
ISBN: 978-99943-0-251-2

Magjistricat e Firences, Salman Rushdie

Një djalosh shtatlartë e flokëverdhë nga Europa, i cili e quan veten "Mogor del'Amore" (që do të thotë mongol i lindur jashtë lidhjes martesore), vjen në oborrin e një mongoli të vërtetë: Mongolit të Madh, perandorit Ekber.
Udhëtari i ri ka sjellë me vete një histori që fillon ta magjepsë kryeqytetin perandorak. I huaji pretendon se është fëmija i një princeshe të humbur mongole, i motrës së vogël të gjysh Babarit të perandorit Ekber.
Princesha quhej Karakëze, "Zonjë Syzeza", dhe ishte një bukuroshe që besohej se zotëronte fuqitë e magjisë. Në fillim, princesha Karakëze e zë rob një kryeluftëtar uzbek, pastaj shahu i Persisë dhe, më në fund, bëhet e dashura e njëfarë Argalia, një mercenari fiorentinas, komandant i ushtrive të sulltanit osman. Kur Argalia kthehet në qytetin e lindjes së bashku me të dashurën mongole, qyteti magjepset nga prania e saj. Dhe atëherë fillojnë telashet.
"Magjistricat e Firences" është hsitoria e një gruaje që përpiqet të marrë në dorë frerët e fatit të saj në një botë të drejtuar nga meshkujt. Në të bashkohen dy qytete që thuajse nuk janë në dijeni të ekzistencës së njëri – tjetrit.
Këta janë kryeqyteti qejfdashës mongol, ku mendja e shkëlqyer e perandorit merret përditë me çështjet e fesë, dëshirës dhe tradhtisë së të bijve, si dhe Firencja, po aq sensuale, me botën e fuqishme të kurtizaneve, filozofinë humaniste dhe torturat çnjerëzore të saj, ku shoku i fëmijërisë i Argalias, Makia (Niccolò Machiavelli), po e provon mbi kurrizin e tij se çfarë është mizoria e pushtetit. Këto dy botë kaq të largëta dalin se, çuditërisht, janë shumë të ngjashme e të ngërthyera në magjepsjen e grave.
Por a është e vërtetë historia e Mogorit? Nëse po, çfarë i ka ndodhur princeshës së humbur? E nëse Mogori është gënjeshtar, a duhet të vdesë ai?
Mbi autorin
Salman Rushdie është autor i dhjetë romaneve të tjera, një përmbledhjeje me tregime, katër vepra eseistike dhe publicistike, si dhe bahkautor recensues i veprës "The Vintage Book of Indian Writing". Në vitin 1993, romani "Fëmijët e mesnatës" u vlerësua me çmimin "Booker of Bookers" si romani më i mirë që kishte fituar çmimin "Booker" gjatë 25 viteve të shpërndarjes së këtij çmimi. Romani "Psherëtima e fundit e Arapit" u vlerësua me çmimin "Whitbread" në vitin 1995 dhe me çmimin "Aristeion" të Bashkimit Europian në vitin 1996.
Rushdie është "Fellow of Royal Society of Literature" dhe "Commander des Arts et des Lettres". Ai është ngritur në rangun e kalorësit në qershor të vitit 2007.

Orhan Pamuk;Mosumiyet Muzesi


Titulli: Muzeu i pafajësisë
Origjinali turqisht: Mosumiyet Muzesi
Roman
Autori: Orhan Pamuk
Shqipëroi: Drita Çetaku-Turdiu
Shtëpia botuese: Skanderbeg Books 
Viti: 2011
fq. 656
Pesha:0.75 kg 
ISBN: 978-99943-51-75-6

Muzeu i pafajesise, Orhan Pamuk

Vepra voluminoze është shkruar dhe është botuar dy vjet pas marrjes së Çmimit Nobel në Letërsi në vitin 2006. "Muzeu i pafajësisë" është një histori magjepsëse dashurie, me një shtritje të gjatë në kohë dhe një densitet të lartë emocional.
Besnik i zhanrit të tij rrëfimtar, Pamuk përmes një linje të qartë me një vijueshmëri detajesh dhe sentimentesh, nuk lodhet së përsjelli lexuesin në një ëndërr të gjatë nanuritëse, por njëherësh edhe ankthsioze. Ky libër risjell në kujtesën e botës letrare, histori elektrizuese dashurie të njohura dhe pashlyeshme, të cilat koha jo vetëm që nuk i zbeh, por i kthen ato në pjesë të kanunit të sentimentit njerëzor.
Jo më kot ky libër është identifikuar me peshën dhe forcën shenjuese të "Lolitës", të "Madamë Bovarisë" dhe " Ana Kareninës".
Në qendër të romanit është një djalosh i ri, i pasur, Kemali, i cili në zenit të lumturisë së tij, i rrethuar nga mirëqënia, nga jeta aristokrate, dashuria dhe klasi i gruas me të cilën do të fejohet, prej një takimi të beftë me një vajzë të re të bukur, një kushërira e tij e largët, që tashmë është rritur dhe punon si shitëse, do të hyjë në një spirale ndjenje e pasioni të verbër, të një robërimi shpirtëror e fizik, që do të jenë qerthulli i tetë viteve të ardhshëm të tij. E gjithë bota e tij përmbyset dhe djaloshi ynë Kemal, shumë i përngjashëm me vetë Pamukun e ri, do të ecë mes përpjekjesh, vuajtjesh, ëndërrimesh ku e shpie "verbëria" e dashurisë së tij të parrokshme, që e lëkund mes shpresës dhe ëndërrimit.
A do të lidhet Kemali me Fysunin? Lexuesit do t'i duhet të ndjekë hap pas hapi fatin e këtyre personazheve për të zbuluar një Turqi që po zhvillohet, evropianizohet dhe që përpëlitet mes dukurive të tranzicionit.
Ky roman është një dedikim ndaj "pafajësive" të mëdha të turkut të fundshekullit te kaluar dhe të sotëm, që përpiqet mes civilizimit evropian dhe traditës orientale. Të gjitha detajet që shpesh duken tejet të hollësishme, s'janë veçse piketa dhe shenja që autori dëshiron t&#39i bëjë me dije për të zbërthyer jo thjesht një histori dashurie, por vetë Turqinë, historinë, kulturën, mentalitetin, modernitetin, traditën, bashkë me peizazhin e patjetërsueshëm, aq të njohur nga lexuesi shqiptar përmes korpusit letrar të Pamuk, i cili prej vitit 2006 është botuar në vijim në shqip.
"Muzeu i pafajësisë" është përkthyer mjeshtërisht në shqip nga përkthyesja Drita Çetaku, e cila ka përkthyer një pjesë të mire të veprës së Orhan Pamuk për lexuesin shqiptar.
Orhan Pamuk ka vizituar Shqipërinë në maj të vitit 2010, dhe mori pjesë në prezantimin e veprës së tij në shqip "Stambolli-qyteti dhe kujtime".
Në shqip nga Orhan Pamuk janë botuar nga Skanderbeg Books, botuesi i tij ekskluziv, veprat:

  • Unë jam e kuqja, roman
  • Bora, roman
  • Kështjella e bardhë, roman
  • Jeta e re, roman
  • Shtëpia e heshtjes, roman
  • Baulja e babait, ese
  • Stambolli, kujtime
  • Muzeu i pafajësisë, roman

Në vjeshtë të këtij vitit do t'i prezantohet lexuesit shqiptar romani "Libri i zi".
Në pranverë të vitit 2012 do të prezantohet romani "Xhevdet beu dhe të bijtë", që do të përmbyllë botimin e plotë të veprës së Orhan Pamuk në gjuhen shqipe.

Artan Stravoi;Arti për të fituar miq dhe pushtet


Titulli: Arti për të fituar miq dhe pushtet
Origjinali: How to win friends and influence people
Autor: Dale Carnegie
Shqipëroi: Artan Stravoi
Shtëpia botuese: Pegi
Viti: 2006
f. 192
Formati: 20.7 cm
Pesha: 0.21
ISBN: 978-99943-83-95-7

Arti per te fituar miq dhe pushtet, Dale Carnegie

Një udhërrëfyes praktik për marrëdhëniet njerëzore, të cilat nuk jua mëson asnjë shkollë.

Arti për të fituar miq dhe pushtet është një nga librat më të njohur të ekspertit të famshëm të komunikimit, Dale Carnegie, i ribotuar në mbi 150,000,000 kopje.
Në këtë libër, ju do të mësoni se nëpërmjet një komunikimi të frytshëm në jetën e përditshme, do të keni sukses në biznes apo politikë, në mësimdhënie apo sipërmarrje, në një marrëdhënie intime apo familjare.
Carnegie, me shembujt nga jeta e personaliteteve me të njohur, në Amerikë dhe Europë, tregon se zbatimi i rregullave të arta të komunikimit, ka ndihmuar mijëra personazhe të arrijnë famë dhe pushtet.
Djali i varfër i Presidentit të Amerikës - Abraham Linkolni. Shkrimtari, vepra e parë e të cilit nuk u pëlqye nga askush, ia doli të jetë mbret i leximit të të gjithëve - Çarls Dikensi.
Këshillat e këtij libri do t&#39ju ndihmojnë edhe ju të kuptoni mesazhin e Carnegie: Lumturia nuk varet nga kush je dhe çfarë ke, por nga çfarë mendon dhe si komunikon!

Marguerite Duras:Dashnori

Titulli: Dashnori
Roman
Autori: Marguerite Duras
Përktheu: Nasi Lera
Shtëpia botuese
Dituria, 2002
f. 210
Pesha: 0.15 kg
ISBN: 999-27-47-62-5


Dashnori, Marguerite Duras

Dashnori (në frëngjisht L'Amant), është një roman autobiografik i shkruar nga Marguerite Duras, publikuar në vitin 1984. Ky është një roman i përkthyer në mbi 50 gjuhë dhe që më 1984 mori çmimin prestigjioz të letërsisë franceze Goncourt.

I vendosur në sfondin e Vietmanit si koloni franceze, “Dashnori” paraqet intimitetet dhe telashet e një romance klandestine mes vajzës adoleshente të një familjeje franceze të rrënua financiarisht dhe një burri kinez të moshuar dhe të pasur.

Më 1929, një 15 vjeçare pa emër po udhëton me traget përgjatë deltës Mekong; po kthehej nga pushimet në shtëpinë e familjes së saj në fshatid Sadec, për të shkollën e saj në Saigon. Ajo tërheq vëmendjen e një 32 vjeçari, djali i një mandati kinez biznesi, një i ri i pasur me një trashëgimi të bollshme. Ai godet me një bisedë vajzën; ajo pranon të kthehet pas në qytet me limuzinën e tij.

E nxitur nga rrethanat e edukimit të saj, kjo vajzë, e bija e një vejushe të falimentuar dhe depresive, sapo ka zbuluar se ka një detyre reale, të hapë rrugën e vet në botë. Në këtë mënyrë, ajo bëhet e dashura e tij, deri sa ai i bindet mospranimit të të atit dhe ndërpret lidhjen. Për të dashurën e tij, nuk ka dilemë mbi thellësinë dhe sinqeritetin e dashurisë, por vetëm shumë më vonë, vajza pranon para vetes ndjenjat e vërteta.

Romani është ngjarja e jetës së vetë autores, e cila pati një dashuri në moshën 15 vjeçare. I dashuri real i quajtur Lee, vdiq në vendlindjen e vet.

E fiksuar pas dyqaneve

Titulli: E fiksuar pas dyqaneve
Origjinali: The secret dreamworld of a shopaholic
Gjinia: Roman
Autori: Sophie Kinsella
Shqipëroi: Agim Doksani
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 2007
Fq. 316
Pesha: 0.37 kg
ISBN: 978-99927-59-77-6

E fiksuar pas dyqaneve, Sophie Kinsella
Beki është një gazetare që jep këshilla për kursime dhe investime të sigurta në një gazetë të njohur londineze. Është e këndshme, plot fantazi dhe e vendosur. Por ka një pasion të shfrenuar: dyqanet! Aq të shfrenuar sa i është shndërruar në një sëmundje , që e nxit të blejë veshje, sende zbukurimi, kozmetike, por edhe ëmbëlsira, veshje të brendshme dhe orendi shtëpiake...
Blerja për të "është dielli i mëngjesit, si drita e ditës së re, si çastet më kulmore të seksit". Kjo pasi në çdo dyqan apo supermarket, në çdo katalog shitjesh, gjendet gjithmonë, për Bekin, rasti i shumëpritur, objekti i parezistueshëm pa të cilin nuk bën dot. Del nga shtëpia për të blerë një litër qumësht dhe kthehet me golfin e radhës, e bindur që ka vërtet nevojë; vitrinat e magjepsin, mbishkrimi ULJE ÇMIMESH e drithëron. Vetëm se paskëtaj duhet të përballet për tmerrin e saj me kartën e kreditit që ka mbaruar.
E fiksuar pas dyqaneve është një roman rrëzëllitës, shpotitës dhe i mprehtë, i ndërtuar me situata sa paradoksale aq edhe të njohura në jetën e secilit prej nesh.

Matei Calinescu.:Pesë fytyrat e modernitetit


Kemi kënaqësinë t’ju prezantojmë me një studim të dalë rishtazi: “Pesë fytyrat e modernitetit” me autor Matei Calinescu.

Libri është një studim kritik plot dituri, i kthjelltë, i mprehtë dhe origjinal, i cili shtrihet mbi hapësirën e pothuaj krejt Europës, duke përfshirë kohën prej hyrjes së fjalës modernus në latinishten mesjetare deri te postmodernizmi i ditëve të sotme.




Matei Calinescu (Bukuresht, 1934 – Blumington, Indiana, 2009), profesor i letërsisë së krahasuar, i anglishtes dhe i studimeve europiano – perëndimore në Indiana University, Blumington. Librat dhe artikujt e tij përfshijnë studime rreth modernizmit dhe lidhjeve midis letërsisë, fesë dhe politikës.
"Pesë fytyrat e modernitetit" u botua për herë të parë më 1977 nga Indiana University Press dhe prej atëherë është rishikuar disa herë prej autorit dhe ka pasur më shumë se 15 ribotime.


Pese-fytyrat-e-modernitetit-matei-calinescu


Titulli: Pesë fytyrat e modernitetit
Origjinali: Five faces of modernity
Gjinia: Kritikë letrare
Autori: Matei Calinescu
Shqipëroi: Gëzim Qëndro
Shtëpia botuese: Dituria
Viti: 2012
Fq. 400
Pesha: 0.50 kg
ISBN: 978-9928-103-35-2


Gjithmonë ka qenë e vështirë të datohet me përpikmëri shfaqja e një koncepti, aq më tepër kur koncepti në shqyrtim ka qenë gjatë gjithë historisë së tij kaq i ndërlikuar dhe kaq i aftë për të mbjellë mospajtime sa koncepti i "modernitetit". Megjithatë, dihet se ideja e modernitetit mund të konceptohet vetëm e brendashkruar në kornizën e një vetëdijeje të caktuar për kohën, pra të kohës historike, lineare dhe të pakthyeshme që rrjedh pandalshëm përpara.
Moderniteti si nocion do të ishte krejt i pakuptimtë në një shoqëri, e cila nuk përdor konceptin kohor, të rrjedhës së rregullt e të njëpasnjëshme të historisë që i organizon kategoritë e kohës sipas një modeli mitik dhe gjithëpërtëritës, i njëjtë me atë që përshkruan Mircea Eliade në librin "Myth of the Eternal Return".
Megjithëse ideja e modernitetit është e lidhur pothuaj vetvetiu me shekullarizmin, elementi përbërës kryesor i saj është ndjenja e kohës së pakthyeshme, dhe ky element nuk do të thotë se nuk përputhet me Weltanschauung – un qoftë edhe kur lidhet me pikëpamjen eskatologjike judeo – kristiane të historisë. Ja pse, ndonëse nuk kishte qenë aspak e pranishme në botën e lashtësisë pagane, ideja e modernitetit lindi gjatë Mesjetës së krishterë.
Pikërisht gjatë Mesjetës fjala modernus, si ndajfolje dhe emër, u formua prej ndajfoljes modo (që do të thotë "e kohëve të fundit, pikërisht tani") në të njëjtën mënyrë që fjala hodiernus zuri fill pre hodie ("sot"). Modernus, sipas Thesaurus Linguae Latinae, do thotë qui nunc, nostro tempre est, novelus, praesetaneus... Antonimet kryesore të tij ishin ashtu siç i rendit fjalori: antiques, vetus, priscus...


"Një studim plot dituri, i kthjelltë, i mprehtë dhe origjinal, i cili shtrihet mbi hapësirën e pothuaj krejt Europës, duke përfshirë kohën prej hyrjes së fjalës modernus në latinishten mesjetare deri te postmodernizmi i ditëve të sotme."
Notes and Quotes
"Ky libër ambicioz e sqarues ofron një analizë të ideve estetike dhe intelektuale që drejtuan krijimtarinë letrare gjatë 150 vjetëve të fundit. Calinescu diskuton me mendjemprehtësi të rrallë dhe elegancë rreth marrëdhënieve komplekse midis konceptesh që përdoren rëndom, por rrallëherë janë përcaktuar saktësisht... Duke vepruar kështu ai u jep një ndihmë të veçantë studimeve bashkëkohore dhe kritikës."
Yearbook of Comparative and General Literature



Si u shkruan 400 vargjet e “Lahutës…” në vapor

Në gazetën “Dielli” të 1984-ës zbulohet një letër e panjohur e At Gjegj Fishtës drejtuar Justin Rrotës. Kjo letër e Fishtës që përshkruan udhëtimin e tij në Amerikë, mbushur plot me histori intime me një seri “aventurash” udhëtimi të fratit të njohur në Nju Jork në mars të vitit 1922 i bënë edhe më besueshme rrëfimet gati legjendare të bashkëkohësve të tij shkodranë, kur flasin për karakterin me një humor të hollë të françeskanit besimtar e njëkohësit i çliruar nga formalizmi fetar. Duke i rrëfyer aventurat e udhëtimit të tij më Amerikë mikut më të ngushtë At Justin Rrotës, At Gjergj Fishta përshkruan plot fantazi letrare udhëtimin e tij drejt Amerikës. Këto letra jo vetëm na hedhin shumë dritë për të njohur thellë karakterin e poetit kombëtar e misionarit françeskan, por edhe na njohin sesi ishte zhvilluar ekonomia dhe kultura e vendeve të tjera para një shekulli. Sidoqoftë në gjithë letrën e At Gjegj Fishtës dërguar At Justin Rrotës na befason shpalosja e personalitetit të tij në mënyrën më të prekshme, më të dhimbshme dhe njerëzore.

At Gjergj Fishta (foto)


 Historitë e udhëtimeve të Fishtës dhe trazimet që i bënin doganierët, kur u sillte familjarëve aksesorë ose bizhuteri sepse gratë e familjes që e porosisnin shpesh për dasma e fejesa, i tregojnë sot shkodranët në formën e barsoletave, por në këtë letër vërtetohet edhe prej gojës së At Gjergj Fishtës, i cili na rrëfen nga një anë aventurën plot rreziqe të udhëtimit dhe në anën tjetër gëzimet dhe kënaqësitë e jetës. Kjo letër tregon gjithçka ka ndodhur gjatë udhëtimit që nga Shkodra drejt Nju Jorkut e Anasjelltas. Po e botojmë më poshtë letrën e që daton 11 Mars 1922, Nju Jork.

LETRA

“Fort i dashtun Justin!

Mbas 12 ditë udhëtimi dhe mbasi nëpër kujdes të mis Aleksandër, mujta me u shkapllue prej çapojve të policisë amerikane me 8 të k.m. në orës dy e gjysë mbasdite vuna kambën n’Amerikë, në Nju Jork edhe kam ra ndër do fretën italjanë.
Mundi i rrugës e rreziqet e kalueme:trazimet e çuditshme e të neveritshme të doganave e të policisë e sidomos mendimi se aq ujë edhe mue më dan prej jush, kaq fort m pat ligështue moralisht në të nesërmen-sidmos prej mallit tuej -më kanë shkue lotët rrëkajë, tue ndej vetun në ket odë.

Por për fat të bardhë ky mjerimi i shpirtit nuk më ngjati shumë. Kah 11 sahati pasdite erdhi mis Aleksandra me më marr, për me shkue me ngranë mjesditë bashkë me mis Uilliams. Në këtë rast ajo më dorëzoi, a e din shka? Letrën tande të 7 Marsit, që prej Londret m’a kish dërgue më adresë të sajë. S’e ke besë, sesa fort u ngushëllova kur e pava e lexova atë letër, sado që ish tepër e shkurtë. Të famem nderës me gjithë zemër, si dhe Provincinialit, për letrën që kishte kalue bashkë me t’anden. Çuditem fort që Vinçensi s’mi ka përgjegj njaj letre, q’i i kam pas shkrue prej Parisit.

Heshtimi i tij mundet me çart shumë punë, e mue më ka pasë qit në një kujdes tepër të madh. E dij se ka punë shum; port ë gjegjunit e tij më asht lypun domosdo. Por ndoshta më ka shkrue dhe ka hup letra rrugës.

Më 24 të Frorit, pra u nisa prej Londret në Liverpul. Në t’nesret hypa në vapor “Çameronia”. Na në Shqypni s’kemi as kuptimin se shka asht një translatik. Mendo që ky vapor asht aq i lartë në det sa me i mbrrijt kati i epër mbi buzë të pullazit të kishës sonë Gjuhadol, e i gjatë sa prej “Rrugës së madhe” deri në teatrin tonë. Mbrendë pasandej, ashtë më mirë se në çdo hotel të Vienës. E pra, ky vapor nuk asht si gjysma e do vaporrëvet tjera, qi bajnë udhëtimin e Amerikës. Më 6 mbadite u nismë prej Livepulit për në Nju Jork. Via Queenstown e Halifax. Queenstown është nga fundi i Irlandës, e Ali fax ashët në Kanada (Nuova Scozia). Deti kje me nam deri kah mjesnata. Si duelm në Knall të Iralndës, filloi era e filluan tallazet me iu turr vaporrit, i cili, si një kolos, përkundej mallnueshëm mbi to. Kah i çate me një forcë 16.50 milash në sahat. Kah mjesdita mrrijtëm në Queenstown, ku ndejmë nja tre sahat. Atëherë u nismë për në Amerikë. Ishte e Diellë. Udhëtarë mbrendë 911, e detarë 294 (equipaggio). Era frynte pa da e tallazia vinte tuj u shtue, sa më thellë që ju fujsha Antlantikut.

Orët e tmerrit në anije. Sulmi nga dallgët e Atlantikut
Në këtë letër të gjatë përshkruhet edhe një fakt tjetër. Anija ku udhëtonte At Gjegj Fishta është sulmuar nga dallgët. Tmerri që Ati i nderuar ka parë me sytë e tij, tashmë e ka humbur trajtën tragjike. Ai ia përshkruan këtë mikut të tij At Justin Rrotës me një humor të bukur përqeshës sesi e përjetoi frikën. Ai e komenton më së shumti me humor këtë ngjarje kaq të frikshme, ku me sytë e tij shihte prag-vdekjen.

“Më 26 deti ardh tuj, u aj, dhe ashtu turbull gjithë natën e ditën e nesret. (Më 28, kah mbasditja, deti u paque, e ashtu ndej fashë der në nesret mjesditë. Ishte e mërkurrë). Masditen prapë ia nis era, e deti u trëbue e gjithmoj se bani nata, me të shti mnerën (frikën-red). T’ejten nade u shkref një thellim i frigueshëm. Zoti na ruajt se shka kam pa me sy! Na në Shqypni s’mund të kemi as kuptimin e një thellimit m’det. Njëherë qiella u vra e erdh u mbërthye krejt me të zeza, si plumi. Era trefishoi furiën e vet aq, sa e përkuli vaporrin m’njanën brijë, e atëhere deti u aj (u fry-red) e u dyndën tallazet. Zoti na rujtë!. Me të shti mnerren, me i pa me syë. Tallaz për ne në Shqypni asht një fjalë, por m’Atlantik asht nji mal, nji mal, po si Kreshta, Mali i Rencit, Taraboshit, etj…

Prite Zot rrezikun se shka kam pa atë ditë. Ene më përqethet shtati sa herë më bjen ndërmend ajo duhië. ….(shkurtohen disa hollësira më tej-red). Kriste vaporri, krisnin makinat, rrapllojshin gota, shishe, ëinija, karrige, tavolina, a thua se po ishte daulla e Frano Ndojës tuj na përcjell në vorr…Prej friget paë hi krejt në vedi e vogëlue e ba sa grushti i dorës. Kah më ishte shkurtue qafa e më bahej se kolarini po ma za frymën krejt, e mbajshe sytë kokërrdhoe ashtu për hajrië, pa i ndal në kurrnjë pikë të ngultë, veç kanjiherë m’u vidhisshin për me kqyrë për një çast të vetëm e tërhtyer tallazet, që vlojshin, zijshin përreth vaporrit. Nuk lashçë as shejt, as shejtneshë pa mërzitë atë ditë; veçse kusht nuk bana asnjë, e jo s’e s’isha në terrezie edhe njëqind për nji herë, pop se për sherr nuk më hiqej mendsh puna e atij ulqinakut, qi tuj u pasë gjet edhe ai në hall, t’em, i paska pasë kushtue Shënkollit një qiri 20 okësh.

–Si more 20 okësh i thotë një shoq i veti.
–Hajt ti, -i përgjegjet aj, -të pështojë njëherë prej këtij rreziku se mbasandaj sheh puna punën.

Kjo punë e atij ulqinakut më siellej nëpër mend sa herë ishem në kuditë me ba nodnjë kusht me gjithë atë hall. Më vinte me qesh prej vetvedit. Por mbas dy sahatesh tue pa se spo nodhte gja e se Inglizt rrijshin tue pië birrë e Wisky e tuj lujt letrash, megjithat që ishin zbeh në fytyrë si flaka e qiririt, më erdh zemra e shkova në kabinë e fillova me lexue… Molierin. Mbasditen u paqtue deti, por në mbramje u tërbue më fort se paradite. Atëherë fillova prapë me drashtë. A e di pse? Se një kamarier që flitte italisht më tha se një vapor norvegjez ishte mbytë në nadjet shi n’atë vend, ku na pat zënë dallka ne”.

RREFIMI I FISHTES: SI U SHKRUAN VARGJET E LAHUTES
Në vijimin e letrës së Fishtës dërguar At Justin Rrotës del edhe emri i një gruaje të panjohur, por mike e Fishtës. Ajo quhet Miss Alesandër. Duket se Fishta ka një marrëdhënie të fortë të një miqësie të vjetër, sepse në letrat dërguar mikut të tij, Miss Aleksandër është një emër shumë familjar për të dy. Pas makthit që përjetoi Fishta me dallgët në det, përmbysjen e anijes në brinjë dhe lajmit që morën për mbytjen e një anijeje norvegjeze në atë ditë e në atë vend, të cilat At Gjergj Fishta ia rrëfen me hollësi At Justin Rrotës, ai mbërrin më në fund në Nju Jork. Atje e pret mikesha e tij Miss Aleksandër të cilën e përmend gjthandej në letrën e tij. Pastaj tregon për argëtimet, muzikën, ushqimin dhe pijet në anije. Por Fishta kërkonte pak qetësi dhe falë respektit atij i dhanë një kabinë më të mirë, në të cilën u shkrua edhe një nga episodet më të bukura të lahutës “Dervish Pasha”. Ja si i shkruan Ata Gjergj Fishta mikut të Tij At Simon Rrotës:

“Në lyma të Nju Jorkut më kishte dalë përpara Miss Aleksandër, e cila nëpër miqtë të vet ia mbrriti me ba kapidanin me më thirr ndër 400 e ma udhëtarë të dy klasëve, edhe me më qit prej vaporrit e prej diganet njgjit pas qytesvet amerikanaj. A e din si më thirrshin inglizt në mes të udhëtarëve? “Mister Feshta, Mister Pi! Xha Fajshta!”

Mbasi u vrand moti, në vaporre kam kalue kohën me nam. Vaporri ishte për bukurij, me oda e me rrugina krejet si një kuvendi joni. Salonat, kabinat ishin për bukuri e e me gjithë konfort që mund të kenë hotelat ma të mirë. Masandje inglizt janë bujarë fort kah ushqimi. Në nadjet në silla në mjesditë e në darkë njeri mund me zgjedh çfarëdo e sa herë donte. Për gjithë hae kishte nga dhjetë pjatancë për gjithfarë pemësh për rrush, pjeshka, dardha.

E mbasi pej Zotit deti s’ma ka za kurrë edhe në dallgat më të rënda t’kam hangër që ç’ke me të. Pije nuk kish në sofër veç nalt në “bar” të vaporit. Po unë gjithë rrugës s’kam pi asnjë got se drojshe se çars zgrofin. Në vapor kishte koncerte, luhej ballo e kishte orkestër gati përditë. Të dielën dha urdhën kapidani me u ba ail servizio il divino (servisje verës-red) si për katolik, si për protestaj; pse do ta dijsh si inglizat si amerikanët janë njerz fejets, e për me të ma forcue më tepër këtë ket fjalë due me të kallzue një punë.

Në vapor në të dytë klasi ishte vetëm një prift protestant me të shoqen e vetëm unë meshtarë katolik. Prifti protestant ishte tepër i hallakatur, flitte tepër, pinte lotte, si çdo tjetër shekuallar. Unë domosdo rrijsha urtë, as pijshe, as lojshe, as s’u hallakatshe ashu pa njerëzi; po rrijsha në kabinë tuj këndue a tuj shkrue e tuj thanë uficensi nescis orare vad ad mare-të gjithë më nderojshin sado që unë isha katolik e nuk dijsha inglizçe. Të gjithë ma dijshin emnin Mister Fishta..e tue pa il maestro di caza, se unë në kabinë tuj kenë se ishim katër vetë mbrendë –nuk mund me e pasë qetësinë e nevojshme më lëshoi një zyrë fort të mirë të vaporrit, ku unë mujshe me punue në vapor. Kam mbarue një kangë të Lahutës “Dervish Pasha”, që ka ma se 400 vjersha. Kujtoj se më ka dalë mjaft e interesatshme. Atje në vapor kam fillue tjatër kang “Lugati”, e cila kujtoj se më ka dalë prej pikëpamje estetike –ndër ma të mirat e Lahutës. Se kështu nuk më mbet tjetër veçse një këngë për ta kryer Lahutën. Por këtu në Amerikë përnjëherë nuk kam mujt me e shkrue. Pse kam me pasë ndoshta shuëm punë, mos aspak. Ku thonë se ka dardha shumë, shporta do marr e vogël, ka thanë i moçmi.

En s’mund të thomë gjë pozitivisht. Si të orientohem pak më mirë kam e i shkrue. P.Palit, gjithë si asht puna, puna tash për tash asht se unë jam keq më kamb të errëmakët. Kur e bien shi hijeku fort keq me ec se m’dhemb në palcë. Më ka fillue ne Londër. Ka me kenë punë fort e intresantshme në u kthefsha në Shqypnie skëpt me njanën kambë.

Këtu në Nju jork kam nie tu i ra Violinit Arturin Kreiser, prej Vjenet, s’do mend më i madhi violinist i Botës. Kujtoj se i binte nja tetë herë më mirë se ai frati i Planit në vjetin 1918. Ta kishe Ndie. Por kurrkund s’kam ndie muzikë më të mirë kishtare se se në Kishë të Jezuitëve në Umblendon, nget Londret! Punë e madhe!

N’e pashë P.Genovizin kund, m’ju fal me shëndet prej anës s’eme. M’i thuje se më ka marë malli fort për të.

E Ambrozin si e kam? Gajret he gozhdë, se me uzdajë të Zotit e jona se e jona.

Ma merr n’grykë prej anës s’eme.

M’ju fal me shndet të gjithë fretërve me emën. Kështu edhe të gjithë mësuesvet. Falë i kjofshim Zotit që Klemendi e Zerafini qenkam kthye prej Shqypnie. U falem të dyvet.

Falë me shëndet dhe shpijës sate me gjithë zemër. N’i pashë gjindjen e u thuaji ndonjë fjalë të mirë për mue.

Po të marr në gryk e jes.

Gjithë i yti

P.G.Fishta”

Vargjet e shkruara në mes Atlantikut
Të dielën dha urdhën kapidani me u ba ail servizio il divino (servisje verës-red) si për katolik, si për protestaj; pse do ta dijsh si inglizat si amerikanët janë njerz fejets, e për me të ma forcue më tepër këtë ket fjalë due me të kallzue një punë. Në vapor në të dytë klasi ishte vetëm një prift protestant me të shoqen e vetëm unë meshtarë katolik. Prifti protestant ishte tepër i hallakatur, flitte tepër, pinte lotte, si çdo tjetër shekuallar. Unë domosdo rrijsha urtë, as pijshe, as lojshe, as s’u hallakatshe ashu pa njerëzi; po rrijsha në kabinë tuj këndue a tuj shkrue e tuj thanë uficensi nescis orare vad ad mare-të gjithë më nderojshin sado që unë isha katolik e nuk dijsha inglizçe. Të gjithë ma dijshin emnin Mister Fishta..e tue pa il maestro di caza, se unë në kabinë tuj kenë se ishim katër vetë mbrendë –nuk mund me e pasë qetësinë e nevojshme më lëshoi një zyrë fort të mirë të vaporrit, ku unë mujshe me punue në vapor. Kam mbarue një kangë të Lahutës “Dervish Pasha”, që ka ma se 400 vjersha. Kujtoj se më ka dalë mjaft e interesatshme. Atje në vapor kam fillue tjatër kang “Lugati”, e cila kujtoj se më ka dalë prej pikëpamje estetike –ndër ma të mirat e Lahutës.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...