Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/08

Sprovë për një fjalës të muzikës popullore homofonike të Shqipërisë së Veriut


        Vasil S. Tole


Një libërn në vazhdën e botimeve që i kushtohen popullarizimit dhe njohjes me vlerat më të mira të trashëgimisë sonë kulturore shpirtërore, e posaçërisht të muzikës popullore të Shqipërisë Veriore. Siç dihet, skedimi, studimi dhe shpjegimi i fjalësit të muzikës popullore në përgjithësi dhe ai i muzikës popullore homofonike-një zëshe në veçanti, deri më sot është bërë në mënyrë të pjesshme, sepse, ndër të tjera edhe vetë shkenca etnomuzikologjike (e formuar në gjysmën e dytë të shek. XX-të), është një shkencë e re në lëmin e shkencës shqiptare të antropologjisë kulturore. Kësisoj, ky botim është një sprovë më shumë, për të prezantuar vlerat e shumta të muzikës popullore homofonike, si: muzikë popullore qytetare dhe fshatare, tipologji dhe gjini të muzikës vokale dhe asaj me vegla, vegla muzikore dhe paramuzikore, dukuri teknike, bartës folklori, interpretues dhe studiues të muzikës, aktivitete kushtuar kësaj trashëgimie, legjislacion, fjalës muzikor etj. Rëndësia e njohjes së kësaj trashëgimie do të rritet edhe më shumë, pas shpalljes në vitin 2010 nga ana e Ministrisë së Kulturës, të listës së “Kryeveprave kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, pjesë e së cilës janë edhe “Eposi i Kreshnikëve”, “Ahengu qytetar shkodran”, “Muzika popullore qytetare homofonike e qyteteve të Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe Kavajës”, “Mjeshtëria e prodhimit të veglave muzikore popullore”, si dhe “Dialekti gegë” etj., të cilët trajtohen me përparësi në këtë sprovë etnomuzikologjike.

Shekulli i Voskopojës (1669-1769)

Kohë më parë në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë u paraqit libri i Prof. Dr. Pëllumb Xhufit me titull "Shekulli i Voskopojës" (1669-1769).

Vepra e këtij autori hedh dritë të re në historinë e ngritjes dhe rënies së Voskopojës dhe në tërësi, në historinë e kësaj qendre të rëndësishme ekonomike e kulturore të shekullit XVII-XVIII, të banuar kryesisht nga shqiptarë dhe arumunë. Duke shfrytëzuar një dokumentacion të pasur historik, Prof. Xhufi rrëzon me argumente shkencore tezat romantiko-nacionaliste, sidomos të historiografisë greke, që e trajton Voskopojën si një "ishull të helenizmit" dhe provon se lulëzimi i Voskopojës ishte produkt i një procesi zhvillimi ekonomik. Kjo konjukturë ekonomike e përkohshme, sipas Prof. Xhufit përcaktoi edhe rrënimin e Voskopojës dhe jo konfliktet mbi baza etnike e fetare kulturore, siç ka pohuar deri më sot historiografia e huaj për Voskopojën.

Në paraqitjen e veprës "Shekulli i Voskopojës" folën Akad. Muzafer Korkuti, Prof. Ferit Duka, Prof. Nasho Jorgaqi, Dr. Moikom Zeqo dhe Dr. Pranvera Bogdani, të cilët vlerësuan monografinë e Prof. Xhufit si një kontribut me rëndësi në historiografinë tonë.

Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese



Kohë më parë në sallën "Aleks Buda" të Akademisë së Shkencave, u përurua libri i Akad. Luan Omari, "Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese".

Me anë të metodës krahasimore kushtetuese, vështrimit të thelluar në çështjet që trajton, konstitucionalisti Luan Omari sjell në këtë libër një sërë konstatimesh të vlefshme dhe mesazhesh objektive për politikën dhe drejtësinë aktuale në Shqipëri.

Idetë dhe qëndrimet e tij i ka paraqitur përmes një "dialogu" e "debati" me teori dhe përsiatje të reja që qarkullojnë sot në botën e jurisprudencës, të konstitucionalizmit dhe të shkencave politike, lidhur me shtetin e së drejtës, me ndarjen dhe balancën midis pushteteve, si edhe me sovranitetin shtetëror.

Në paraqitjen e veprës "Ndarja e pushteteve dhe pavarësia e institucioneve kushtetuese" folën Akad/as Aurela Anastasi, anëtari i Gjykatës Kushtetuese Dr. Sokol Sadushi, juristët Njazi Jaho, Spiro Peçi, Maks Haxhia, Fehmi Abdiu si dhe profesorë e studiues në fushën e jurisprudencës, të cilët vlerësuan monografinë e Akad. Luan Omarit si një kontribut me rëndësi të veçantë në këtë fushë.

Kosova - Vështrim Monografik, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Prishtinë, 2011


Kohë më parë  në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, u përurua vepra monografike enciklopedike "Kosova - Vështrim Monografik”, botim i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Kjo vepër, me përmbajtjen dhe trajtimin e saj në përputhje me kërkesat bashkëkohore, është një ndihmesë konkrete për njohjen e gjendjes dhe historisë së kësaj pjese të rëndësishme të etnisë historike aktuale shqiptare në trojet e Kosovës.

Përzgjedhja e bashkautorëve të veprës, është kryer mbi kritere profesionale, të cilat parakuptojnë kërkime dhe botime të këtyre autorëve në fusha të veçanta të veprimtarisë. Kjo përpjekje e parë për të paraqitur të vërtetat, për arsyet e njohura jashtëshkencore merr vlera të rëndësishme.

Më tej, paraqitja e realitetit shumëplanësh kosovar, në të cilin vend të rëndësishëm zë ai historiko-kulturor, do të jetë ndihmesë me vlera për mbarë shoqërinë kosovare dhe më gjerë. Kjo bëhet e mundur edhe sepse trajtimi i kësaj vepre, mbështetur mbi kërkimet në fushat përkatëse, është çliruar prej metodës shkencore të paraqitjes, gjithnjë duke pasqyruar të vërtetat e rrjedhura prej kërkimeve shkencore.

Kjo vepër, për karakterin e saj si përpjekja e parë përgjithësuese e arritjeve të inteligjencies kosovare për pasqyrimin e vlerave dhe historisë së Kosovës, do të jetë nxitëse për hulumtime të mëtejshme, të cilat natyrshëm do të pasohen me përgjithësime më të gjera dhe më të thella. Cilësia e dokumentacionit fotografik dhe topografik që shoqërojnë veprën, e bëjnë atë më konkrete dhe si të tillë, më gjerësisht të konsultueshme.

Përurohet në Akademinë e Shkencave vepra albanologjike e profesorit Tito Johalas


Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kohë më parë u përurua vepra e albanologut të njohur grek Tito Johalas, i cili vizitoi vendin tonë i ftuar në Konferencën e parë Ndërkombëtare "Studimet gjuhësore dhe kulturore shqiptaro-greke: Arritje dhe perspektiva". Prof. Johalasi është autor i shumë studimeve nga fusha e albanologjisë. Libri i tij i parë nga kjo fushë i kushtohet figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në letërsinë dhe historiografinë e Greqisë së re. Veprat e tjera janë kryesisht nga fusha e gjuhësisë, siç është botimi prej tij i fjalorit të M. Boçarit, i fjalorit të P. Kupitorit, i gramatikës së gjuhës shqipe hartuar prej mjekut të Ali Pashë Tepelenës, J. Velara, për të ardhur te tri veprat e fundit, njëra prej të cilave u kushtohet arvanitasve të ishullit Andros ("Andros, Arvanitët dhe gjuha arvanitase", 2000) tjetra ishullit Eubea ("Eubea", 2002) dhe e treta gjuhës së arvanitasve të ishullit Hidra ("Hidra, gjuha e harruar", 2005). Këto tri vëllime janë kurorëzimi i një pune e përkushtimi shumëvjeçar i prof. Johalasit ndaj studimit të gjuhës, kulturës e traditave të arvanitasve të Greqisë; ato përbëjnë një korpus unikal të thesarit gjuhësor të arvanitasve, i rrezikuar nga humbja. Në takimin e organizuar për paraqitjen e veprës së prof. Johalasit pas fjalës së hapjes nga akademik Jorgo Bulo, folën prof. Francesko Altimari (Universiteti i Kalabrisë - Itali) dhe prof. Emil Lafe, të cilët ndaluan në kontributin shkencor të prof. Johalasit në fushë të studimeve shqiptare, veçanërisht për gjuhën e të folmeve të arvanitasve në Greqi dhe të arbëreshëve në Itali. Prof. Johalas duke marrë fjalën në këtë takim gjeti rastin të falënderonte Akademinë e Shkencave për vlerësimin e lartë që i bëri duke e pranuar "Anëtar Nderi" të saj si dhe për organizimin e kësaj veprimtarie promovuese të veprës së tij. Ai në fjalën e tij tha se dashuria për shqipen dhe Shqipërinë është dashuria e madhe e jetës së tij, e se në punën e tij të mundimshme shumëvjeçare e ka frymëzuar e trimëruar figura e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.


 

Paraqitet albumi "Ismail Qemal" përgatitur nga akademik Kristo Frashëri


Akad. Kristo FRASHËRI


Akademia e Shkencave hapi siparin e veprimtarive me paraqitjen e albumit "Ismail Qemali" përgatitur nga akademik Kristo Frashëri". Botimi i këtij albumi është një homazh për Burrin e madh, arkitektin e Pavarësisë kombëtare dhe themeluesin e shtetit modern shqiptar. Përmes fotove dhe teksteve që i shoqërojnë ato, përzgjedhur nga Kujtimet e Ismail Qemalit, dhe dokumentacioni i kohës, albumi hedh dritë në figurën e Plakut të urtë dhe në ngjarjet historike të shpalljes së Pavarësisë në Vlorë më 28 nëntor 1912. Fjalën e hapjes me këtë rast e mbajti akademik Gudar Beqiraj Kryetar i Akademisë. Për vlerat e albumit dhe punën e përkushtuar të akademik Kristo Frashërit foli akademik Muzafer Korkuti, i cili falënderoi dhe sponsorizuesin e botimit, akademik Silvano Pedrollo. Akademik Korkuti u shpreh kritik për mungesën e fondeve dhe të një kalendari të menduar mirë e në kohë të veprimtarive shtetërore kushtuar kësaj ngjarjeje, përfshirë edhe ndritjen e një shtatoreje të Ismail Qemalit në një nga sheshet qendrore të kryeqytetit.

Kodikët e Shqipërisë në "Kujtesën e botës"


                    Nga Shaban Sinani


Përmbajtjen e këtij punimi monografik e karakterizon evidentimi dhe vlerësimi i kodikëve të Shqipërisë si pasuri e kulturës dhe të traditës shkrimore të teksteve të shenjta. Monografia paraqet një pamje të plotë të kodikëve, aty bëhet edhe një përpjekje shkencore për kronologjinë e tyre.

Në pjesën e parë të monografisë përshkruhen kodikët në tërësinë e tyre, në pjesën e dytë trajtohen kodikët më të hershëm Beratinus dhe Codici beratini, kurse në pjesën e tretë, përkthyer në anglisht, paraqitet regjistrimi i këtyre kodikëve në Programin e Unesco-s "Kujtesa e botës". Interes të veçantë paraqet dhe përfshirja në botim e afro 200 imazheve me ngjyra (miniatura, vinjeta, kanone, shkrime të stilizuara, portrete ungjilltarësh, shenjtorësh etj.) të panjohura më parë prej lexuesit shkencor. Monografia është një bazë për studime të ardhshme në këtë fushë.

(Prof. Dr. Shaban Sinani është studiues dhe historian i letërsisë, etnolog, eseist dhe publicist shqiptar.)

Botime



Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...