Vasil S. Tole
Një libërn në vazhdën e botimeve që i kushtohen popullarizimit dhe njohjes me vlerat më të mira të trashëgimisë sonë kulturore shpirtërore, e posaçërisht të muzikës popullore të Shqipërisë Veriore. Siç dihet, skedimi, studimi dhe shpjegimi i fjalësit të muzikës popullore në përgjithësi dhe ai i muzikës popullore homofonike-një zëshe në veçanti, deri më sot është bërë në mënyrë të pjesshme, sepse, ndër të tjera edhe vetë shkenca etnomuzikologjike (e formuar në gjysmën e dytë të shek. XX-të), është një shkencë e re në lëmin e shkencës shqiptare të antropologjisë kulturore. Kësisoj, ky botim është një sprovë më shumë, për të prezantuar vlerat e shumta të muzikës popullore homofonike, si: muzikë popullore qytetare dhe fshatare, tipologji dhe gjini të muzikës vokale dhe asaj me vegla, vegla muzikore dhe paramuzikore, dukuri teknike, bartës folklori, interpretues dhe studiues të muzikës, aktivitete kushtuar kësaj trashëgimie, legjislacion, fjalës muzikor etj. Rëndësia e njohjes së kësaj trashëgimie do të rritet edhe më shumë, pas shpalljes në vitin 2010 nga ana e Ministrisë së Kulturës, të listës së “Kryeveprave kombëtare të trashëgimisë kulturore shpirtërore”, pjesë e së cilës janë edhe “Eposi i Kreshnikëve”, “Ahengu qytetar shkodran”, “Muzika popullore qytetare homofonike e qyteteve të Tiranës, Elbasanit, Durrësit dhe Kavajës”, “Mjeshtëria e prodhimit të veglave muzikore popullore”, si dhe “Dialekti gegë” etj., të cilët trajtohen me përparësi në këtë sprovë etnomuzikologjike.
No comments:
Post a Comment