Shkruan: Blendi Fevziu
Kuvendi i Vlorës zhvilloi 7 mbledhje, derisa ai u shpërnda më 7 dhjetor 1912. Sipas statistikave të studiuesit Artan Lame, nga 40 firmëtarët e pavarësisë, 27 ishin myslimanë, 11 ortodoksë dhe 3 katolikë. Delegati më i ri ishte Ferit Vokopola, 25 vjeç, ndërsa më i moshuari, Babë Dudë Karbunara, 70 vjeç.
I fundit i firmëtarëve, Dhimitër Berati, ndërroi jetë në vitin 1970 në një aksident automobilistik në Romë. Ndër firmëtarët e pavarësisë, 1 u pushkatua nga regjimi komunist, 3 vdiqën në burg, 4 u arratisën, 6 u burgosën dhe 15 vdiqën në emigracion!
Manipulimi me historinë e pavarësisë
Historia e pavarësisë u manipulua shpesh gjatë 100 viteve. Në vitin 1937, në një biografi zyrtare të mbretit Zog, u nënvizua fakti që Mbreti kish qenë në Vlorë dhe kish firmosur dokumentin më të rëndësishëm të historisë sonë.
Në fakt, firma e Zogut nuk figuron në dokument, ndërkohë që procesverbali i mbledhjes së fundit të Kuvendit, më 7 Dhjetor 1912 shënon:
“Lajmërohet të ardhurit e delegatëve të Ohrit, Hamdi Beu dhe Dervish Hima; nga Starova Z. Hajdar Blloshmi dhe Mustafa Efendiu dhe nga Mati, Ahmet Muhtar Beu, Riza Beu dhe Kurt Agai”!
Pra, Ahmet Zogu kish mbërritur me mandatin e Matit, plot 9 ditë me vonesë. Siç dëshmon edhe ai vetë në një telegram të datës 2 dhjetor 1912 për Ismail Qemalin, nisur nga Tepelena:
“U sgjodha përfaqësues i Matjes. Ndëshkruani për mua vendimet e kongresit. Të nisem për aty apo jo? Pres me nxitim urdhënin tuaj.”
Zogu la në heshtje shumë firmëtarë që ishin kundërshtarë të tij. Po kështu veproi Enver Hoxha që mbuloi emrat e kundërshtarëve politikë me një foto të pleqësisë që u vendos mbi dokument.
Në vitin 1982, Hoxha deklaroi se xhaxhai i tij Hysen Hoxha kishte qenë atje. Filmi “Nëntori i dytë” paraqet mbërritjen e Ismail Qemalit në anën tjetër të urës së Mifolit më 27 Nëntor 1912 dhe një person që i prezantohet: “Hysen Hoxha, delegat i Gjirokastrës”.
Por Hysen Hoxha nuk u bë dot firmëtar i pavarësisë. Firma e tij nuk është në dokument dhe një procesverbal i mbledhjes së datës 3 dhjetor 1912 sqaron:
“Sot ardhnë delegatët e Gjinokastrës, emrat e të cilëve janë këto: Myfit Bej, P. Poga, Jan Papadhopullo, Hysen Efendi Gjinokastra dhe Veli Bej Klisura”
Hysen Hoxha, po ashtu si Ahmet Zogu kish ardhur me vonesë! Pavarësisht kësaj, të dy ata qenë delegatë të zgjedhur në atë kuvend.
Delegatët e Kosovës me 400 trima pas
Ismail Qemali ishte në zyrën e tij mesditën e datës 29 nëntor kur e njoftuan se delegatët e Kosovës po hynin në qytet. Ai doli bashkë më shumicën e atyre që u gjendën në shtëpinë e Xhemil Vlorës, siç dëshmon sërish Dhimitër Zografi:
“Të nesërmen priteshin të vijnë gjeneral Isa Boletini, Riza be Jakova, Mehmet Pashë Kalkandeli dhe disa delegatë të tjerë të Kosovës me 400 trima pas. Megjithëqë atë ditë binte shi, po një shumicë e madhe kish dalë përpara me flamurin tonë në dorë.
Kur u afruan të tre bajraktarët e Kosovës, zbritnë nga kuajtë dhe iu falë flamurit, duke u puthur me ngashërim të madh.
Riza beu, një burr i madh, ballëmadh, symadh, habitej dhe të zinte frika kur rrëfente veprat e tyre. Ishte i plagosur në këmbën e mëngjër, po s`donte të rrëfente se e kish për turp, dhe na thosh që i kish dalë një çiban.
Isa be Boletini është më i gjatë se Riza beu, rrëfen që është njeri i sivilizatur, i ëmbël në fjalët dhe me energji të çuditshme. Ç`rrëfejnë këta për barbarizmin që bënë serbët mbi shqiptarët pleq, gra dhe fëmijë, është një tmerr i madh që s’e përshkruan dot as penda”.
Mbërritja e delegatëve të Kosovës e ndryshoi edhe më shumë atmosferën në qytet. Mbi 400 besnikët e Isa Boletinit u bënë forca e parë ushtarake, por edhe xhandarmëria e Qeverisë së re.
Njohja e autonomisë së Shqipërisë nga Stambolli
Po më 29 nëntor mbasdite, Ismail Qemali u njoftua se Qeveria Perandorake në Stamboll njohu autonominë e Shqipërisë dhe urdhëroi ngritjen e flamurit turk, përbri atij shqiptar në gjithë zonat ku banonin dhe luftonin shqiptarë në perëndim të Perandorisë. Autonomia, siç dëshmon Eqrem bej Vlora, ishte 34 vjet e vonuar.
Ajo duhej të ishte shpallur në kohën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Tani nuk vlente më.
Njohës i vjetër i rregullave administrative, Ismail Qemali i zbatoi ato me përpikëri.
Më 1 dhjetor u zgjodh Pleqësia (Kuvendi) me në krye Imam Vehbi Dibrën dhe më 4 dhjetor kjo pleqësi votëbesoi qeverinë e Ismail Qemalit. Edhe pse qeveria i kish nisur mbledhjet që në datën 30 nëntor, ajo vendosi që mbledhja e parë të konsiderohej ajo e mbasdites së 28 nëntorit 1912, mbledhja që shpalli pavarësinë e Shqipërisë.
Ndryshe nga sa pritej, qeveria nisi të marrë masa të ngutshme për të administruar territorin e vogël që kontrollohej prej saj. Ajo ngriti ushtrinë kombëtare, xhandarmërinë, policinë, nxori gazetën “Përlindja e Shqipërisë” dhe filloi të urdhëronte përfaqësuesit në të gjithë vendin që të zbatonin rregullat e saj.
Qeveria mori në dorëzim fondin e Perandorisë Osmane, duke lënë ligjet e saj në fuqi për administrimin e vendit.
Ismail Qemali e dinte se vendi ishte në gjendje të mjerueshme. Në një dokument atij i njoftohej se në vend kishte vetëm 200 km rrugë kryesisht për karvanë, 34 njësi industriale, nga të cilat 18 mulli bloje.
Shqipëria që administrohej prej qeverisë së tij nuk kish asnjë metër hekurudhë dhe asnjë port modern ku mund të ankorohej një avullore. Mbi të gjitha nuk kishte një monedhë kombëtare dhe deri në mes të viteve ‘20, edhe pasi Perandoria Osmane ishte shpërbërë, u punua me lira turke, me stërlina angleze dhe me monedha në njësi floriri.
Por problemi i funksionimit të Qeverisë dhe selitë e saj mbeteshin problem. Eqrem bej Vlora, i zgjedhur nënkryetar i Senatit, që mbërriti ato ditë në qytet nga fronti i Himarës ku po luftohej me grekët, kujton:
“Këshilli i Ministrave mblidhej në shtëpinë e Ismail beut, por se ku i kishin selitë ministrat e tij, këtë unë s’e mora vesh kurrë…”
Më pas, ai kujton takimin e parë me Kryeministrin e Shqipërisë:
“Oborri, sallat poshtë e lart, shkallët, ishin të mbushura plot nga njerëz që s’i kisha parë kurrë në Vlorë. Të gjithë bisedonin me zë të lartë dhe kur mërziteshin lëviznin diku tjetër pa teklif…
Në katin e sipërm ishte një sallon i madh, dera e të cilit ishte krejt e hapur. Përpara saj, njerëzit ngjesheshin e shtyheshin, për të dëgjuar se ç‘thuhej atje brenda. Hyra në sallon. Ismail beu po rrinte në një divan me një pamje të ligështuar, sa m’u dhimbs.”
Ruajtja e njësisë territoriale të Shqipërisë
Problemi më i madh i qeverisë së re mbetej ruajtja e njësisë territoriale të Shqipërisë dhe njohja e shtetit të ri nga fuqitë e mëdha.
Më 20 dhjetor 1912, Eqrem bej Vlora po rrinte buzë vatrës në shtëpinë e tij, ngjitur me atë ku flinte Ismail Qemal Beu kur dëgjoi befas disa krisma që erdhën duke u shtuar. Në pak kohë ato u bënë me qindra, siç dëshmon ai vetë në kujtimet e tij:
“Qëllohej nga të gjitha dritaret, mijëra gjuhëza flakësh çanin terrin e thellë të natës mjegullore… Dërgova dikë të pyesë në shtëpinë e Xhemil Beut (Ku rrinte Ismail Qemali) po aty nuk dinin gjë.
Dola me 20 trima të armatosur të shoh. Nëpër muret e shtëpive kërcisnin plumbat si bizelet në xham.
Përpara zyrës së postë-telegrafës gjetëm një turmë prej qindra vetash që shtinin si të tërbuar në ajër. Atje u zbulua edhe e fshehta. Nga Vjena dhe Parisi kishin ardhur telegrame private që thoshin se Konferenca e Ambasadorëve kish njohur në parim ‘Pavarësinë e Shqipërisë’!”
Në fakt telegramet nuk gabonin. Më 17 dhjetor 1912 Konferenca e Ambasadorëve në Londër me insistimin e Austro-Hungarisë mori në shqyrtim çështjen shqiptare. Ajo pranoi në parim njohjen e vendit të ri dhe deklaroi hapjen e diskutimeve për kufijtë e tij.
Eqrem bej Vlora rrëfen sesi në natën e 20 dhjetorit:
“Në mesnatë gjithë qyteti vërshoi në shtëpinë e Ismail beut për ta uruar për suksesin e Qeverisë së Përkohshme. Ai ishte i zemëruar: “Keq shumë filloi kjo lojë?! Ç’është kjo sjellje e çmendur?! Që në hapat e saj të parë Shqipëria u prit me këto krisma të marra!”
No comments:
Post a Comment