Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/08

Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri



Muzafer Korkuti



Kohë më parë në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave, u përurua monografia “Qytetërimi neolitik dhe eneolitik në Shqipëri”, me autor Akad. Muzafer Korkutin. Kjo vepër paraqitet si botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, e botuar në Tiranë më 2010, me numër faqesh 351, tabela 82, figura 51, si dhe një fashikull me ngjyra. Është punimi i parë monografik i plotë për kulturat neolitike dhe eneolitike të territorit të Shqipërisë (mijëvjeçari i shtatë – deri në mijëvjeçarin e tretë p.e.s.).

Pjesën kryesore e më të rëndësishme të monografisë e përbëjnë paraqitja e detajuar e rezultateve të gërmimeve, klasifikimi i hollësishëm e mbi bazën e kritereve shkencore i materialit arkeologjik shumë të pasur e të larmishëm, si edhe krahasimet e sakta me gjetjet analoge brenda e jashtë territorit të Shqipërisë. Mbi bazën e kësaj analize arrihet në përgjithësime mbi origjinën e kulturave neolitike dhe eneolitike, mbi periodizimin e tyre si edhe mbi vendin e rëndësishëm që zënë ato në një rrafsh më të gjerë ballkanik. Kjo është një vepër themelore për prehistorinë që me siguri, do të japë një shtytje të re në studimin e këtyre periudhave për të gjithë territorin e Europës Juglindore.

Në interpretimin historik të lëndës arkeologjike, në cilësimin e përkatësisë etnike të banorëve të tejlashtë të vendit tonë, arrihet në përfundimin se, me vazhdimësi kulturore dhe etnike nga epoka eneolitike në epokën e bronzit, nuk duhet të nënkuptojmë një vazhdimësi tërësore, një kalim të drejtpërdrejtë të kulturës e të bartësve të saj nga një epokë në tjetrën, por duhet nënkuptuar përbërësi etnokulturor eneolitik, i cili mori pjesë aktive në formimin e etnosit ilir gjatë epokës së bronzit. Ky përbërës është nyja lidhëse midis banorëve ilirë të epokës së bronzit dhe banorëve të tejlashtë të epokës eneolitike, të cilët tradicionalisht quhen pellazgë. Këto përfundime i japin të drejtën autorit të shprehet se, trungu nga ku u formuan ilirët i ka rrënjët në qytetërimin eneolitik.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...