Shkruan : Muharrem NITAJ
A ka vend më të bukur sesa Tirana, për ta pirë kafen e mëngjesit dhe për ta ndjerë fuqinë e atdheut, në 100-vjetorin e tij. Se Tirana që për më shumë se 50 vjet ishte tokë e pashkelur për gjysmën e kombit. Ndërsa po e pinim këtë kafe në njërën prej restoraneve më të famshme të Tiranës, “Il Gusto”, njëri prej miqve të mi “tirons” i vjetër po thoshte: “Mirë mor vëlla, po e shënojmë 100-vjetorin e shtetit shqiptar, por ku është shteti se”, ndërkaq në tavolinën ngjitur nesh, po bënte pallë njëri prej spiunëve më të ndyrë të UDB-së jugosllave, që sot është pjesëtar i elitës intelektuale të Tiranës.
Kosovarët gjithmonë e kanë parë ndryshe Shqipërinë, e kanë jetuar ndryshe dhe ndryshe e kanë paguar haraçin për të. Shqipëria e Qemalit, e Vidit, e Zogut, Enver Hoxhës dhe së fundi kjo e Berishës, edhe pse shtet amë për gjysmën e kombit, gjithmonë kanë qenë më pak se atdheu i shqiptarëve jashtë kufijve të kësaj Shqipërie njëqindvjeçare.Ka më shumë se dhjetë vjet që politikanët e kombit, romantikët nacionalë, por edhe elitat kulturo e intelektuale, flasin me sa zë kanë se si shekulli 20 ishte shekulli i shqiptarëve. Se si në këtë shekull shqiptarët e krijuan Shqipërinë e Vlorës, dhe se si po këtë Shqipëri e bënë anëtare të Aleancës më të fuqishme ushtarake dhe se si po këta shqiptarë, pothuaj 100 vjet më vonë e krijuan shtetin e dytë në Ballkan, Kosovën.
Sigurisht se ka një të vërtetë të madhe kur flitet për shekullin shqiptar, sepse kombi më i pushtuar, më i copëtuar dhe më i shkelur i Evropës, në këtë njëqindvjetor, gjithçka në jetën e tij e ka të shumëzuar për dy. Për dy e ka të shumëzuar edhe lirinë, edhe shpirtin, edhe qeverinë, edhe paranë, edhe hajninë.I ka të shumëzuar edhe kufijtë, kryeqytetet…gjithçka herë dy, duke përfshirë edhe heronjtë, edhe tradhtarët, edhe varret… Vetëm se edhe në këtë 100-vjetor, bijtë e shqipes vazhdojnë të jetojnë të shpërndarë në pesë shtete si dikur, dhe me shumë pak gjasa që kjo të ndryshojë, qoftë edhe për 100 vjet.
Sot, 100 vjet më vonë, nuk besoj të ketë vend më shqiptar sesa Tirana, për ta pirë kafenë dhe për ta kujtuar historinë e kombit më shumë se mijëvjeçar dhe të shtetit dhjetë herë më të vogël, dhe Shqipërinë natyrale, dhe Shqipërinë e madhe dhe Çamërinë e humbur përgjithmonë, dhe Mollën e kuqe, dhe Shkupin, që dikur kishte qenë qyteti më i madh shqiptar…Menjëherë mbrapa “Il Gustos” ku në Tiranë të shijonte kafeja në këtë nëntor, përbri dhe pothuaj të ngjitura ndodheshin ambasadat e Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, që në këtë 100-vjetor janë më shumë se simbolikë që dy popujt e armiqësuar të shekullit mund të kenë filluar të mos e vrasin njëri-tjetrin si dikur.
Spiunit të UDB-së jugosllave, që sot është pjesëtar i elitës intelektuale të Tiranës, ndërsa e pinte kafenë përballë, i kishte rënë nuri i vdekjes dhe biznesi i spiunit, por që për t’i larë, më thanë, në këtë 28 Nëntor do të ishte në Morinë, për ta kallur kufirin shqiptaro-shqiptar.Popujt virtuozë, në mesin e të cilëve janë edhe shqiptarët, gjithmonë kanë krijuar batuta për udhëheqjet, dhe në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, dëgjova se pse qenkësh vonuar Isa Boletini, për të qenë në Vlorë, më 28.Thanë që paskësh ndaluar një natë te Zogu i Zi në Tiranë, për të bujtur në hanet e kohës për “t’i ndërruar dy llafe” me kutizanat e kasabasë shqiptare. Ndoshta edhe e rastësishme por 100 vjet më parë, Isait të Boletinëve, po i digjej Mitrovica flakë, por që pavarësisht kësaj, ai duhej të nisej për në Vlorë, bash si pasardhësit e tij sot në festën e madhe.
Janë mbledhur të gjithë që më 27 nëntor, të nisen rrugës së kombit, që do t’i çojë në Vlorë, ku dhomat e hoteleve tashmë janë të mbushura dhe plot njerëz që duan ta jetojnë magjinë e 100-vjetorit të pavarësisë, duhet të flenë nën çadra, megjithëse nuk është ndonjë punë e madhe, nëse një herë në 100 vjet i mban sytë kapsollë.Nuk e di se kush dhe çfarë do të bëjë më 28 Nëntor, por për ne mëkatarët e gjallë nuk do të ketë një tjetër 100-vjetor. Prandaj, më bëhet se në këtë ditë, më shumë se në Kosovë, mund t’i shkojë “Kur ka ra kushtrimi në Vlorë”.
No comments:
Post a Comment