Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/07

Nostalgjia shkodrane apo Shkodrën e ka bekue Zoti...


Nga Kabil BUSHATI

1-Qyteti që po vdes në "gjumë"

Nëse do të jepej ndonjë rekord giness se cili qytet në botë, flën gjumë ma shumë, patjetër që në krye të toplistës do të renditej Shkodra. Asht nji qytet që bjen me fjetë heret, që në orën 22, përnjiheri me pula, dhe zgjohet kund nga ora dhetë e mëngjesit. Pjaca brilante që dikur krenohej Shkodra me të, "vdes"që në ora 21 dhe përveç policëve e posterave me fotografitë e deputetave, nuk sheh tjetër në rrugë. Qyteti bie me fjetë herët, nën zukatjen e mërzitëshme të mushkajave, dhe dritat fiken nji nga nji. Parruca, diku nga Ura Dervishbeg, mundohet të thyejë monotoninë, me dy tre lokale që qëndrojnë hapë deri kah ora 3 mbas mesnate.
Në mëngjes, kah ora 6, nëpër rrugë nuk shikon tjetër pos nja 30 grave që presin autobuzët për me fillue punë nëpër dy tre rrobaqepsitë e huaja. Zgjimi i qytetit fillon aty nga ora 8. 30 dhe dalengadale rrugët fillojnë me u mbushë në fillim me burra që vërshojnë nëpër kafenetë e shumta. Orari i tyre vijon deri kah ora 1 e drekës dhe masandej të ngopur me thashetheme politike, shamje, ngerrverre, gerrmerre e tym duhani, nisen gjithë kapadaillek kah shpija që të hajnë drekën e varfën që ju kanë pregaditun gratë.
Ndërsa gratë tanë ditën e kalojnë npëpër radhat e gjata të çertifikatave, asistencës sociale apo të tregut të Zdrales e Rusi. Si gjithnji të gjithë pa përjashtim kah ora 15 mbasdreke bijnë të flejnë më libër familjet. Rrijnë zgjuet vetëm macet e qentë shpijakë. Gjumi i mbasdrekes vijon deri në ora 19 për të vijuar me dalje në kafene apo ndjekeje filmash serialë. . .
Një herë në Shkodër e pyetën nji qytetar italjan se përse veriu i Italisë asht ma i pasun se jugu. Ai u pergjigj duke buzëqeshë:veriu asht ma i pasun sepse nuk flë gjumë në drekë siç flen jugu. . . Po kush e dënoi Shkodrën me "gjumë"?Kush ja bani këtë "aktakuzë" djallëzorë e vdekjeprurëse qytetit tim sa të rrijë ditë natë në gjumë apo tuj pa filma serialë?Ku asht Shkodra që çohej nga gjumi qysh në 3 mbas mesnate?Ku janë ata dugajxhitë e vjetër të cilët qysh nadje heret delnin me kova, gjygyma e lagca për me lagë sokakun?Ku janë ato gratë fisnike e varzat impozante që vraponin për në punë. Asht kthye në terminal, asgja nuk prodhon, vetëm konsumon. Ku janë ato rrugët e Shkodrës që vlonin nga njerzit tanë ditën e gjatë si dallgët e detit. O Zot, ça po ndodh me qytetin tem. . . asht kthye në sonnmambul. .
.
2-Delenda Karthago!. . .

Dy mijë vjet ma parë ishte në Senatin Romak nji prijës që thirrej Katoni Plaku, i cili çdo fjalim që mbante e mbyllte me këtë fraze latine që përdorëm për mestitull, që don me thanë:ta shkatërrojmë Kartagjenën. Si për çudi, mbas dy mijë vjetëve, nji prijës rozë që quhet Fatos Nano, ka tetë vjet që bërtet:ta shkatërrojmë Shkodrën. Me të nji ndryshim, ndërsa Katoni Plak bërtiste përpara Senatit publikisht, Fatosi ynë bërtet vetëm në mbledhjet e mbylluna të KPD-së së partisë së tij. Huji i tij dhe i tanë partisë së tij me metropolin e veriut asht i vjetër, por u ba ma evident pas revolucionit evgjito-spiuno-fshataro-komunist të vjetit 97. Në Shkodër në atë kohë, revolucionarët me e kuq nuk mundën me ngritë Komitetet e Shpetimit, sepse nuk patrën kërrçikë.

Shkodranët ua thyen turijt dhe ata dy tre kriminelë të liruem nga burgjet e hueja që i prune për me vra në Shkodër u asgjasuen ose u banë me ikë me bisht nder shalë. Shkodranët votuen bindshem për Partinë Demokratike. Ishin votat e Shkodrës ato që sollën në Parlament PD-në, në nji kohë që në Tiranë, kjo parti humbi 19:0. Dhe këtë Nanoja nuk ja fali asnjiherë Shkodrës pas ardhjes në pushtet.
Dy vjetët e parë të qeverisjes rozë, Shkodra jetoi vetëm me krisma armësh natën dhe me zhurma veturash pa targa ditën. U dogjen dhe u vodhen shumica e firmave të huaja duke qitë në rrugë të madhe me mjiera punetorë. Për 8 vjet radhazi Shkodra përjetoi vetëm netë të errëta, pa drita. U mbyllën dhe falimentuen me qindra biznese dhe varferia u ul kambekryq nëpër tryezat e shkodranëve.

Deri me 3 korrik 2005, kryeministri vijoi të bërtasë fjalët e Katonit Plak:ta shkatërrojmë Shkodrën. Por ai harroi se Shkodra nuk shkatërrohej, asht qyteti Feniks që ringrihet mbi hirin e vet. Më kujtohen thaniet e Krajl Nikollës, kuri i tha të birit Princit Danil kur nji pjesë e Shqipërisë së Veriut me Ulqi, Tivar, Hot e Grudë, Plavë e Guci, me vendim të Kongresit të Berlinit po i aneksoheshin Malit të Zi. Princi Danil i tha të Atit, Krajl Nikollës:''Baba, meqë na erdhi zogu në dorë, përse të mos kërkojmë të na japin edhe Shkodrën?Krajl Nikolla qeshi dhe ju përgjigj:"Po të marrim Shkodrën, pas dhetë vjetësh, do të na marrë Shkodra ne dhe nuk ka me pasë ma Mal të Zi. . . Shkodra asht gropë e madhe e të gllabëron. . .

3-Shkodrën e ka bekue Zoti

Tashma de fakto qeveria Nano-infinit ka ra. Na pastë marrë të keqen. Qeveria e re e Partisë Demokratike ka me u fokusue bindshëm ndaj metropolit të Veriut, pasi ky metropol pagoi nji haraç të rëndë duke kenë bastion i fuqishëm i bluve. Dhe Shkodrën e ka bekue Zoti. Dikur nji kronikan i njohun turk e pat krahasue deltën e Bunës me nji Bosfor të dytë.
Bile Divani Perandorak turk në fillim shekullin e XX-të kishte dhjetë projekte gjermane për thellimin dhe rigjenerimin e ketij lumi që pak kujt në botë Perëndia ja bani dhuratë si Shkodrës. Mos të harrojmë se mbarësia e këtij qyteti gjithnji ka fillue aty ku buron Buna, tek kambët e kalasë së lashtë aty ku kishte strehën Zoja e Këshillit të Mirë. A do të jetë në gjendje qeveria e re demokratike ta realizojë këtë ëndërr për ridimensionimin e Bunës. Pa dyshim që po, por jo me projekte diletantësh. Me projekte e fizibilitete teknicienësh vendas e të huej, tue thithë donacione e kredi partnerësh seriozë.
Shkodra ka disa prioritete ekonomike që me pak investimente financiare mund të rikuperohen dhe të shndrrohen në burime të pastra monetare, biles fitimprurëse. Po renditim disa syresh. Rrethi i Shkodrës para pak dekadave ka qenë i përmendur për prodhimin dhe industrializimin e duhanit. Me dhjetra mijëra hektarë kanë kenë sipërfaqet duhanore. Ka pasë në eficiencë nji Fermentim Duhani dhe nji Fabrike Cigaresh. Sot janë në konservim. Duan vetëm nji rinim teknollogjie dhe prodhimi të rifillojë, biles ta tejkalojë edhe atë të ma parshmin.

Po përse rrihet duarkryq. Sepse dikujt atje në Tiranë i ka leverdisë që me mbyllë fabrikat e duhanit në Shqipëri dhe me fillue importin me fqinjët, për llogari të mafias rajonale. Po të sheqosh Bursën Europjane, vëren se Maqdonia dh Mali i Zi përfaqsohen në këtë Bursë me dy dhe tre zera, ndersa vendi ynë jo. Me duhan është kuotuar Maqedonia dhe jo Shqiperia. Prandaj ne nuk na lejohet që të eksportojmë duhanin. Po kështu dhe me bakrin. Shkodra ka nji Uzinë Telash dhe nji Fabrikë Pasurimi të Bakrit (në Vau Dejës). Të dyjë në konservim apo në fillimet e nji joint venture të pa sigurtë.
Përsëri del barrierë Bursa Europjane. Shqiperia nuk është e kuotuar në këtë organizëm financiar me asnji metal, ndersa Mali i Zi përfaqësohet me aluminin. Përse?Në tregun e fruta perimeve të qytetit tonë domatet blihen me nga 10 lekë kilogrami, pjeshkat me nga njizet lekë dhe shalqini në këtë periullë me 8 lekë. Fshatarët nuk po nxjerrin as lekët e transportit për me pru mallin deri në qytet. As jonxhen e kalit të karrocës që ka prue produktet.
Mungon vetëm hapësira ekonomike që me ba rivlerësimin e mallit. Hekurudha nderkombëtare është, magazinat janë, firmat tregtare egzistojnë, mungon vetëm nji hapësirë që me e vu në lëvizje këtë ingranzh dhe ky mall mos me u shitë ma me dhjetë cent kilogrami por me nji dollar a euro në tregun transeuropjan. Ky treg prej Shkodret asht fare afër. Ndaj i kena thanë dhe i thona qeverisë së re demokratike dhe Berishës:në Europë kena me hy nga Hani i Hotit dhe jo nga Kakavija. Prandaj i kena thanë qeverisë së re:me sy nga Shkodra. . . dhe jo nga Athina. . . Shkodrën e ka bekue Zoti.

4-Nga Kroni i Kadukut tek bregu i Rrjollit

Në fillim të shekullit të XX-të, Hasan Efendi Kadukut, dentistit të vjetër të Shkodrës, i sëmuret bashkëshortja. Nuk la vend në Europë pa kërkuar sherim. Ma në fund, kur shkoi në vendet klimaterike të Zvicrrës, nji profesor i tha:kot jeni lodhë me ardhë deri këtu, malet e Zvicrës i ke në Theth dhe i tregoi hartën. Që ahere Hasan Efendija, me bashkëshorten erdhën në Thethin e virgjër, në atë klime të rradhë.
Në Theth edhe sot e kësaj dite, ka nji krue ndanë rrugës që quhet Kroni i Kadukut, që vazhdon të rrjedhë ujë brilant. Ne si gazetë disponojmë pasaportën e Hasan Efendi Kadukut i cili ka udhetuar pothuej në të gjitha shtetet europjane deri edhe në Rusi. . . Po sa zona klimaterike si Thethi ka rrethi i Shkodrës?Po përmëndim disa syresh si Boga me Okolin, Razma, Qafa e Bordolecit deri në Vermosh e po mbarojmë tek Krebajt në Tarabosh krejt afër Shkodrës.

Po plazhet në liqen e det si Shiroka deri në Zogaj dhe Velipoja që fillon në Pulaj e mbaron në Rrjoll. Janë plazhe të pa përsëritshme që me pak investime ma tepër infrastrukturore mund të kthehen në burime fitimi të pa llogaritshme nga turistët e ndryshëm. Le të marrim shëmbull nga Ulqini në Malin e Zi i cili çdo vit akomodon mbi gjysëm milioni turistë, pa përmëndë këtu Tivarin, Sutomoren e Budvën, të cilat lidhen me boten me det, me aeroporte gravitante, me hekurudhë dhe me rrugë magjistrale. Vetëm 25 kilometra rrugë magjistrale dhe nji port i vogel në Pulaj i duhen Velipojës që të vërshojnë me mijëra e mijëra turistë të huaj. Vetëm kështu ato mallrat bujqësore që përmëndëm në fillim të shkrimit nuk do të shiten më me 10 cent kilogrami, por do të perpunohen dhe riciklohen me 20 fishin e çmimit. Nga turizmi do të fitojnë të gjithë.
Sikur në çdo vit gjatë verës, nji gjysëm milioni turistë të vizitojnë vetëm dy orë Shkodrën dhe së paku të harxhojnë nga 20 dollarë mesatarisht, në tregun shkodran vetëm nga vizitorët do të hyjnë 10 milion dollarë në tre muaj verë. Nuk janë pak, për të zgjuar nga gjumi nji qytet si Shkodra me 130 mijë banorë. Por mbi gjithçka është rendi dhe qetësia që duhen rivendosë pa hezitim. Ja nji fakt kuptimplotë. Gjatë restaurimit të shtepisë së vjetër tregtare të Lukajve, miku i gazetes tonë Agron Luka, kur po prishte suvatë e shumta në mur, gjeti nji tabelë metalike që bënte fjalë se ajo shtepi ishte e siguruar që më vjetin 1831 në Trieste. E rivendosi.

Pothuaj të gjitha shtepite e vjetra shkodrane siguracionet kanë nji datim vjetor, atë të vjetit 1831, vit ky që përkon me me ikjen për në Ankara të Vezirit të Fundmë Bushatli, Mustafa Pashës. Kjo tregon që nga ky vit shkodranët nuk patën më rend dhe qetësi, ndaj u çuan me sigurue shtepijat. Që nga ky vit fillon asfiksia graduale e tregut të njohun shkodran, mos të harrojmë se Pazari i Vjetër i Shkodrës, vinte i dyti në perandorinë turke, pas atij të Stambollit. Nga Buna për në portin Venecjan gjatë sundimit pothuej shekullor të Bushatlijve, janë të dokumentuara eksportet e mijëra e mijëra tonë vaj ulliri, duhan, lëkurë, verëra etjerë.
E sot Shkodra ka tre pika kalimi kufiri me doganë të rregullt, në të ardhmen mund të shtohet edhe nji në Urën e Bunës për transportin liqenor.

5-Në vend të mbylljes, nji batutë nga Nexho Shabani

E ejte, ora 23. 30 e darkës. Shkodra ime flë gjumin e saj të detyruar. Edhe 20 ditë Shkodra bën "punën e detyruar"të gjumit të thellë. Ura Dervishbeg që lidhë Parrucën me Isa Boletinin buis ngadalë me baret e saj elegantë. Në Barin e Ri të Gazetës "Shkodra" kam xanë vend jashtë me disa miq. Papritun në rrugë çfaqet si Konti Drakula, Nexho Shabani, i cili asht mësue çdo natë vjen dhe merr krikllën me birrë Kaon nga unë, në këmbim të batutës së ditës. . Qetë-qetë zë vend në cepin e tavolinës, patjetër i lodhun nga replikat e fundit me Paulin Selimin, sepse Paulini ja thur vargjet dhe i ban batutat dhe Nexhoja si zakonisht ja "vjedh", prandej janë në grindje të vazhdueshme si SHBA me Irakun.
-Mirëmbrama o Ar-më drejtohet Nexhoja.
-Mirsevjen o Humoristi Mbarëkombëtar-i përgjigjem tue porositë kamarjerin me pru Kaonin e Nexhos.
-Nexho, dona prej tejet batutën e fundit paszgjedhore-i drejtohen miqtë. Nexhoja zgurdullon sytë që i shkelqejnë nën neonët e bardhë dhe tuj ju marrë goja fillon:
-Gjjjjatë 8 vjetëve që qeverisi Ffffatos Nanoja të gjithë shqiptarët patën nji portofol, edhe atë e kishte bashkëshortja e kkkkkryeministrit, Xhoana, ndersa kur ka qeverisë Pppppartija Demokratike nji herë e nji kohë, at'here kanë pasë edhe qent e rrugës portofol e jo ma njerëzit!!!


*Autori asht botuesi i Gazetës "Shkodra"

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...