Nga Ali Cenaj
Kaluan dy ditë e për këtë punë nuk iu dëgjua zëri kujt.
Jo vetëm ministrit por edhe deputetët dje në Kuvend, edhe ata të Vetëvendosjes që shkumojnë patriotizëm, u zunë për shumëçka, por harruan ta përmendin fare punën e xhandarëve të Daçiqit në Mitrovicë.
E në një vend më normal e në rrethana tjera, diçka e tillë do të konsiderohej ashtu siç është, agresion dhe do nënkuptonte reagimin e organeve të rendit e sigurisë në bazë të ligjit dhe kompetencave që i kanë. Normalisht, nëse këto kompetenca nuk ua ka përvetësuar ministri i urdhrave “për një minutë....”
Fshehja prapa KFOR-it dhe EULEX-it nuk pi më ujë. Më në fund ata janë aty me mision të përkohshëm. Me gjithë specifikat e Veriut ne duhet të marrim përgjegjësisë. Dhe ta bindim edhe veten se jemi shtet. E të sillemi si të tillë. Se kemi kërkuar njohjet dhe na kanë njohur në këta kufij.
Ministri Rexhepi dje pati komoditetin që nuk pati asnjë pyetje për çështjen që do të meritonte edhe mbledhje të jashtëzakonshme të Kuvendit. Po ta pyeste kush, do të ishte vërtetë interesante të shihej çka do të thoshte ministri Rexhepi.
Poshtërimi me kidnapimin, muaj më parë, i dy policëve kufitar bashkë me automjetin, armatimin e pajisjet tjera u bë disi me arsyetimet: jo janë kidnapuar në vijën kufitare, jo xhandarët serbë kanë hyrë 20 metra brenda territorit, jo policët kanë kaluar gabimisht 50 metra matanë kufirit, jo nuk mund të përcaktohet saktë vija dhe se u dashka të dalë KFOR-i që të saktësojë ngjarjen etj.
E çka të thuhet tash? Çka ka të paqartë. Xhandarmëria hyn rreth 60 kilometra në brendi, me pajime, xhipa, armatim dhe në mes të rrugës afër spitalit në veri arrestojnë Joviqin. Njeriun ndoshta edhe me prapavijë kriminale, i njohur me nofkën Pagi por më shumë për organizimet e strukturave serbe atje dhe për të shtënat mbi ushtarët e KFOR-it nga të cilat pati edhe të plagosur me një qershor 2012 te ura në Rudare afër Zveçanit.
E sërish heshtet. E çuditshme, sidomos kur kujtojmë teatralizmin e reagimit ndaj vizitave të ndonjë zyrtari serb. Jo, s’ka pa na pyetur, nuk e lëmë, do ta arrestojmë... Që më në fund sërish hynte përmes rrugëve “anësore”
E tash, askush të qartësojë se si ka qenë e munduar që xhandarmëria serbe të futet në Kosovë, të arrestojë një person dhe të dalë nga Kosova po u vërejtur.Se të gjithë e dinë por bëhen të verbër, se krejt kjo është rezultat i takimit Thaçi- Daçiq, dhe gjoja marrëveshjes që Daçiqi, sa për fillim t’i thyejë vetë disa nga arrat e forta në veri. Që për të ruajtur qetësinë brenda shtëpisë, të mos duken andej as KFOR-i, as EULEX-i e aq më pak Policia e Kosovës, por këtë “punë” ka kryejë vetë të policia e Daçiqit dhe “të kidnapuarit” të barten në Serbi për t’u gjykuar, duket pak si në filmat fantastiko-shkencorë. Por megjithatë edhe në filmat e tillë ka diçka të vërtetë.
Sidoqoftë, hyrja e xhandarmërisë serbe në Kosovë, është shkelja më e rëndë e marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës. Është fyerje dhe poshtërim për Kosovën por edhe për misionet partnere, NATO-n, KFOR-in, EULEX-in.Pse të gjithë heshtin. Si mumia. Pse ministrit Rexhepi nuk iu dëgjua zëri? Përveç nëse ministri tanimë e di epilogun e bisedimeve. Dhe ka hequr dorë para kohe
No comments:
Post a Comment