Vëzhgues aktiv i debateve kulturorë e politikë në Shqipëri, Astrit Lulushi nuk mungon të sjellë një mendim ndryshe, një përvojë e re, një përfundim, që e nxjerr duke qëndruar përmbi konfliktin politik shqiptar, larg radikalizmit, por asnjëherë duke synuar që të jetë i pëlqyeshëm për të gjitha palët.
Pak ndryshe, Astrit Lulushi
Me gjuhë sintetike e elastike që të kujton herë – herë Volterin apo Emile Chartier (Alain), me ngjeshje ideore dhe forcë konkluduese që shkon deri në aforizma a shpërthime proverbiale, Astrit Lulushi vjen me këtë libër për t'i thënë disi ndryshe dukuritë e jetës sonë, përmes lëvrimesh filozofike, sociologjike e kulturore.
"Pak ndryshe" (histori, art, poezi, politikë, kulturë) me autor Astrit Lulushi. Ky libër përmbledh shkrime ndër vite të autorit Astrit Lulushi i cili prej kohësh është i pranishëm me gjini të ndryshme të letërsisë, i vlerësuar për fjalën e tij të pjekur, kërkimin e avancuar në aspektin e mesazhit filozofik. Tashmë ky autor shqiptar është i pranishëm edhe në mjedisin e librit dhe botimeve shqipe. Ky vëllim përfshin rreth 130 ese të tematikave të ndryshme dhe është një libër i këndshëm i shkruar me objektivitetin e një të emigruari shqiptar, larg politikës dhe ndikimeve ideologjike të partive të shumta në atdhe.
"Me gjuhë sintetike e elastike që të kujton herë – herë Volterin apo Emile Chartier (Alain), me ngjeshje ideore dhe forcë konkluduese që shkon deri në aforizma a shpërthime proverbiale, Astrit Lulushi vjen me këtë libër për t'i thënë disi ndryshe dukuritë e jetës sonë, përmes lëvrimesh filozofike, sociologjike e kulturore, ku fokusohet dhe dritësohet e nesërmja shqiptare drejt progresit."
Fotaq Andrea
"Pak ndryshe" na sjell për lexim diçka me të vërtetë specifike, thellësisht të dallueme nga biblioteka e botimeve shqiptare sot. Që në fillim, citati i R. W. Emerson – it na përgatit për landën; ai tregon preferencën e autorit me ndjekë "një rrugë të ndryshme", nji qëndrim pak a shumë ikonoklast në fushën e kulturës së sotme shqiptare, atë që Robert Frost e quen "... the unbeaten path".
Ky asht një pozicionim që kërkon guxim intelektual. Hapi i parë "Liri pa fjalë" asht nji përbuzje për heshtjen e pajustifikueshme e thirrje për nji jetë me "... ndjenja, arsye e kuptim", për mendimin e lirë me shprehje të reja. "Jepuni njerëzve mundësi e kushte dhe ata do të mendojnë ndryshe" asht nji kambëngulje për ndryshim që ngrihet sidomos kundër konformitetit mbytës të çdo fanatizmi.
Ky vëllim asht një përpjekje fisnike me sjellë një kuptim në irracionalen e së kaluemes sonë, nji përpjekje me tejkalue traumën e konformitetit që sundon dhe mundësisht me projektue një perspektivë të re për breznitë e ardhshme. Sepse, asht e nevojshme për këtë brezni me njohë qoftë kufizimet e paevitueshme, qoftë kundërthanjet e brendshme që përmbajnë idetë e normat e jetës, nji qëndrim që fton pyetjet e pambarim, e rishikimet e pafund, nji orientim i qartë në "Pak ndryshe".
Sami Repishti, PhD. City University of New York
"Pak ndryshe", apo më saktë, mjaft më ndryshe vërtetë për nga ndjesia, emocioni që të jep kur kundron këtë "buqetë" shumëngjyrëshe përsiatjesh (dhe artikuj shkencorë), që rivalizojnë njëra – tjetrën për nga thjeshtësia e natyrshmëria e "ndriçimit" të gjërave, pazakontësia e kapërcimit të trajtesave stereotip, guximi për të shkuar përtej të zakonshmes në hamendësim, një udhëtim brilant në përmasat e kohësisë shoqërore... E gjitha e mbështjellë nga një dhimbje koniciane për Shqipërizën tonë të dashur!"
Aleksandër Kocani
No comments:
Post a Comment