Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/07

DUA



Nga : Edison YPI

Sa ende pyjet nuk janë sharruar të tërë, sa ende do të ketë edhe vetëm një gjethe të jeshiltë, sa ende vrima e ozonit nuk i ka shkrirë akullnajat, sa ka njerëz të ndershëm, që adhurojnë perëndinë, sa ende ekziston mëshira dhe dhembshuria, sa ende ka nëna që dridhen nga dashuria, duke mbajtur në gji foshnjën që qan, sa ende të ketë edhe një njeri të vetëm të aftë t’i mbushen sytë nga dashuria, nga padrejtësia, nga fatkeqësia, sa ende yjtë ndriçojnë, sa ende dielli djeg, sa ende hëna frymëzon……dua! Dua të di të dua të jetoj, jo të di të vdes. Të vdes dua, nëse nuk dua; shira të përgjakta të më përmbytin, erëra të përflakta të më djegin, baltra e dhera të nxehta të më mbulojnë. Dua bardhësinë e jetës së lirisë, dashurisë e paqes dua. Dua zinë, errësirën e kozmosit, errësirën e shpirtit dua. Nuk e di sa dua, s’di sa kam dashur, s’di sa do dua. Dua shumë dhe kam pak. Dua pak dhe kam shumë. Dua sa s’belbëzohet, sa s’thuhet, sa s’shkruhet, veçse dua, dua, dua. Dua të di të dua. Dua të mos di të mos dua. Të dua prita. Dua të mos pres më të dua. Dua të ngutem të dua. Dua ngutja për të dashur të mos jetë yrysh, rrëmujë, dhunë, revolucion. Dua ngutja të jet’ jetë. Dua që shqiptarët, shqiptarët kudo që janë, ta duan njëri-tjetrin. Dua që shqiptarët ta dinë, ta kuptojnë, ta mësojnë më së fundi, se diktaturat e djathta janë kriminale, por të majtat, si ajo nën të cilën u shkatërruan, janë edhe më kriminale, edhe më të përbindshme. Sepse të djathtat bëjnë çfarë bëjnë, por pas tyre, vendet e tyre, popujt e tyre, bëjnë si bëjnë e vinë në vete, bashkohen e ndreqen, ndërtohen e begatohen. Hidhi një sy Gjermanisë, Italisë, Kilit. Por ah, diktaturat e majta godasin shumë më dhimbshëm, shumë më vdekshëm. Sepse prekin, dëmtojnë, helmojnë, shkatërrojnë genin, qelizën, gjenezën e njeriut e të mbarë kombit. E për t’u ndrequr, për të ardhur në vete, duhen dhjetëra a më shumë vite. Madje pasojat e disa krimeve të tyre sa duket nuk ndreqen kurrë. Dua të marrë fund majmunllëku i importimit të sub-kulturave, sub-civilizimit, atij që edhe atje prej nga e importojmë urrehet. Dua të mos dëgjoj më shurdhërimtarë, që flasin për korrupsion e nuk venë kurrë në Prokurori. Dua rrugët të mos mbarojnë kurrë së ndërtuari, trotuaret të mos mbarojnë kurrë së sistemuari, e parqet kurrë se jeshiluari. Derisa Shqipëria të bëhet Zvicër, derisa sheshi “Skënderbe” e plot sheshe të tjera të mbushen me pëllumba që nuk kanë frikë nga njerëzit, derisa autobusët dhe trotuaret të mbushen jo si tani me të shara e me piskama, por me “më fal”, “të lutem”, “faleminderit”, deri atëherë pra, dua buldozerët të buçasin, vinçat të ulërijnë, kompresorët të shfryjnë, shembjet të më shurdhojnë, pluhuri të më mbulojë, mushkëritë copë të më bëhen nga ai pluhur. Dua të gjithë shqiptarët e ikur të kthehen. Të vijnë të bashkohemi të gjithë nën këtë pluhur ndërtimtar, e së bashku, po të lypset, edhe të vdesim nën atë pluhur. Të kthehen në të njëjtën mënyrë si ikën dua; njëherësh të gjithë, me mijëra, duke rrëmbyer tragetet e shpresës, lirisë e dashurisë, dhimbjes, rënkimit, mallit. Të vijnë këtu, me diturinë e bukurinë e të gjithë botës mbi shpinë. Dua që të gjithë shqiptarët ta kuptojnë se shtettharët që qeverisin sot nuk janë ata që meritojmë. Dua që shqiptarët të mos u besojnë kurrsesi përrallave hileqare për demek mosnënshtrim, përulje, nderim ndaj më të mirëve mes tyre. Dua që shqiptarët ta dinë e ta pranojnë se kanë edhe ata me se të mburren, se e kanë historinë e tyre, artin e tyre, Shekspirin e tyre, Çurçillin e tyre, atë që u tha anglezëve se pas shkatërrimit nuk duhen shumë, por vetëm tre gjëra të thjeshta: punë, punë, punë. Dua që shqiptarët të mos presin hënën e plotë në muzg për t’ua ndërruar ajo qeverinë, por ta ndërrojnë vetë sa herë të duan, jo me ëndrra me yje e hëna të plota, apo të ngrëna, por duke votuar në paqe. Dua që shqiptarët të mos lodhen duke u përleshur, duke sharë, duke shpifur për njëri-tjetrin, siç vazhdimisht dhe fatkeqësisht po bëjnë tërë këto vite. Sidomos të vuajturit, të burgosurit, të sakatosurit, të mos e përgojojnë njëri-tjetrin. Dua ta kuptojnë se nuk hyhet, nuk kuturiset atje, ku asnjë logjikë nuk funksionon, asnjë kuptim nuk ka kuptim, asnjë pyetje nuk ka përgjigje, asnjë “Pse?!” nuk ka “Sepse….”; në ferrin e Spaçit e të Burrelit, si në atë të Dantes, apo të Aushvicit. Dua shqiptarit që nuk flet, por leh, të mos i hahet haku, të quhet me një emër të përshtatshëm për të qenë. Dua të mos shoh emisione televizive me analistë pordhëtarë, shumica të parruar, që, pa pikë turpi mes kamerash, dritash, reflektorësh, gjeneratorësh, ngrehur nga kolltuku i shtëpisë “në lidhje direkte me studion”, kur studio mavria dhe shtëpi zia nuk janë më larg se dyqind a tetëqind metra larg në vijë ajrore nga njëra-tjetra, flasin lodhshëm e ngatërrueshëm për hallet e shqiptarëve, duke cituar filozofë e dijetarë, aq keq, aq ligsht, aq mbrapsht, aq kot, sa duken si alienë, që sapo kanë zbritur nga Marsi për t’u llafosur për rrathët e Saturnit. Dua të mos shoh vajza që edhe ato pa pikë turpi dalin e llafosen e krekosen përpara kamerave të veshura e zhveshura si porno star. Dua të shoh në TV sa më tepër fëmijë nga fshatra të thellë izoluar nga dëbora, që u plas apendiciti rrugës për në spital. Po, po ashtu dua! Sepse këto kanë ndodhur gjithmonë, shumë më shpesh se tani, por vetëm tani po bëhen të njohura, e sa më të njohura të bëhen, aq më rrallë do ndodhin. Dua të besoj se ai tuneli nga një dyqan brenda një burgu, që u zbulua pak ditë më parë, nuk u ideua as nuk u financua nga ndonjë i burgosur që donte të dilte jashtë, por nga ndonjë i lirë, që donte të hynte brenda, punë e tij pse. Dua që sa më shumë shqiptarë ta shohin, ta ndjejnë, të rrëqethen para asaj të krisurës së vogël fare prej nga shpërthen ai zjarri i madh, ajo flaka e bardhë e dashurisë që djeg, drita që ndrit gjithçka, urtësia që zbut, nënshtrimi që fisnikëron, malli që s’vdes, ajo drita pra që e bën universin kaotik, të pakuptueshëm, të pazbërthyeshëm, misterioz, por po aq të qëndrueshëm dhe jetës i jep atë lëngun e veçantë, e mbështjell me atë eterin e padukshëm, duke e bërë sa më të vështirë e të dhimbshme, aq më të dashur. Dua të gjithë shqiptarët ta kenë atë talentin e rrallë që të bën të dish të plakesh, duke mbetur gjithmonë adoleshent. Dua që, tani që dijes e shkencës po u shfaqen disa mure, disa kufij, dukshëm të pakapërcyeshëm, të cilat mure, të cilat kufij, po i bëjnë dijetarët ta kthejnë kokën nga besimi, të bëjnë disa pyetje të vjetra të harruara, dua pra që jo vetëm dijetarët, por të gjithë shqiptarët ta kthejnë kokën andej e të nisin të bëjnë ato pyetje. Dua që të gjithë ta dinë se dashuria është si numri “¶”, natyral, irracional, mistik dhe shumë, shumë i rëndësishëm. Dua të gjithë të dinë se të dashurosh nuk do të thotë të gjesh njeriun e përsosur, por të mësosh të shohësh njeriun e papërsosur përsosmërisht. Dua që shqiptarët ta kuptojnë mirë e të mos e harrojnë kurrë atë që ka thënë bashkëkombësja e tyre Nënë Tereza: “Në këtë Botë, uria për Dashuri është shumë më e madhe dhe më e vyeshme se uria për bukë”. Dua që për Shqipërinë “më mirë të qaj unë për të, se sa ajo për mua….”. Dua atë që dua. Dua dhe përshëndes të gjithë ato/ata që më duan dhe i dua, por dua më tepër të gjithë ato/ata, që nuk më duan. Dua që, të gjithë, shqiptarka e shqiptarë…. “të jetojnë duke u mahnitur, të mos munden kurrë dot të vështrojnë pa u tronditur, të dashurojnë pa derdhur lot”.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...