Gazeta prestigjioze italiane “Corriere della Sera” i kushton përsëri vëmendje fenomenit të gjakmarrjes shqiptare. Në një artikull me titull “Fëmijët e humbur shqiptarë, të murosur në shtëpi për t’u shpëtuar grindjeve”, gazeta përshkruan një panoramë të qartë të asaj çfarë ndodh në Shqipëri. Artikulli sjell protagonistë dhe personazhe të angazhuara në procesin e pajtimit të gjaqeve. Reportazhi nis me rrëfimin për dy vëllezër, 17 dhe 15 vjeç, të cilët e kanë kaluar fëmijërinë dhe adoleshencën e tyre të ngujuar dhe nuk dalin prej mureve të shtëpisë as për të shkuar në shkollë.
Një izolim total, thuajse çnjerëzor që vjen pjesërisht edhe si pasojë e vendimmarrjes së prindërve për t’i limituar nga kontakti i parakohshëm me botën adulte, një komunitet veçanërisht i dhunshëm- shkruan “Corriere” online.
Gazeta raporton më tej se “nuk bëhet fjalë për një rast të izoluar.
Në këto 20 vitet e fundit është bërë gjithnjë e më i shpeshtë emigrimi i malësorëve shqiptarë, që braktisin shtëpitë, stanet dhe bagëtitë e tyre në rajonin verior, në kërkim të punës dhe të paqes.
Mbi të gjitha të paqes”. Nga viti 1991 e deri më sot janë me mijëra personat që janë vrarë, dhe të shumtë fëmijët të cilët si rezultat e ngujimit kanë mbetur analfabetë, thuhet më tej.
Reportazhi sjell në vëmendje Kanunin, i cili sipas gazetës mbulon me rregulla të gjitha aspektet e jetës, duke cituar se “gjaku duhet të paguhet me gjak”.
Një nga ndërmjetësuesit e pajtimit të gjaqeve, Aleksandër Kola, shprehet në reportazh se “gjatë viteve të diktaturës nuk ka pasur vrasje të tilla, pas rënies së saj rastet janë shtuar”.
Kola është shprehur se në vend ka një harmoni të shkëlqyer mes besimeve fetare. Ndërsa një opinion tjetër i paraqitur në këtë reportazh është edhe ai i Luigji Milës, Sekretar i Përgjithshëm i Komisionit për Drejtësi dhe Paqe Shqiptare, i cili thotë se gjakmarrja është një fenomen tipik i shoqërive ku ligji nuk është mjaftueshëm i fortë dhe për këtë arsye marrëdhëniet mes familjeve janë burimi kryesor i autoritetit.
No comments:
Post a Comment