Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/07

Domosdoshmëria e pemës gjenealogjike të Ismail Qemalit


Nga : Kostaq XOXA


Në vend që të japin një kontribut të mirëfilltë për figurën e Plakut të madh të Vlorës, Ismail Qemalit, historianët në shërbim të diktaturës, njëherësh të “demokracisë”, pas viteve të një historie me përmasa të jashtëzakonshme, viteve Nëntëdhjetë të shekullit të mëparshëm, merren me mashtrimet që i kanë si trashëgim nga historiografia e shformuar enveriste. Njëri prej tyre, pa e respektuar asfare profesionin e tij si “historian”, me titull pllakatesh, ka dalë në një të përditshme: „Po na e zbehin figurën e Ismail Qemalit!”.


Kur flasim për figurën e Ismail Qemalit, natyrisht mendja na shkon edhe te festat e 28 Nëntorit, që janë lënë nën hijen e rëndë të indoktrinimit, përgjatë vitesh të tëra rresht të mohimit ideologjik të të gjitha vlerave të njëmendta kombëtare. Mendja, na shkon, natyrisht edhe te një fakt molisës: Si janë trajtuar paraardhësit e pasardhësit e kësaj familjeje të madhe, disa nga anëtarët e së cilës, patën fatin e mjeruar që të mbeteshin në këtë vend fatkeq, në të cilin edhe festat e mëdha duhej të zëvendësoheshin me festat jugosllave: Mos të harrojmë thënien e vasalit më të paskrupullt të armiqve shekullorë të kombit tonë, në telegramin dërguar mareshalit Tito: “Dhe paskëtaj festat më të mëdha të të dy popujve tanë, do t’i kemi të përbashkëta!”. E. Hoxha nuk vonoi që të bënte edhe një dhuratë tjetër, përtej festës kombëtare të shqiptarëve: Ta vinte vendin e tij nën terror, nën sundimin de jure të kreut jugosllav. T’i dhuronte kryetarit të një shteti tjetër, Jugosllavisë titiste, postin e Sekretarit I të K.Q. të P. Komuniste Shqiptare. A mund të quhet ndryshe ky veprim, veçse një pushtim zyrtar?Ai që mëton përvajtueshëm, se po “na zbehin figurën e Ismail Qëmalit”, le të na përgjigjet hapur e të na thotë se kush është ai që e ka zbehur këtë figurë. Në ç’kohë është zbehur? Gjatë diktaturës 1945-90, apo pas ’90-s? Kush janë ata që e kanë zbehur, konkretisht? Këto pyetje nuk mund të bëhen jashtë kontekstit të trajtimit të farefisnisë së Plakut të Vlorës, sidomos të të afërmve të kësaj familjeje të madhe që pati fatin e zi të gjendej brenda kufijve zyrtarë të Shqipërisë. Pra, përjashtohet që kjo blasfemí të jetë bërë në periudhën 1990- 2012. Sa për atë periudhën paraardhëse, 1945-1990, janë marrë persona të kësaj familjeje e janë rropatur nëpër punë nga më të rëndomtat e nga më rraskapitëset, punë krahu thuajse të papaguara, ku kanë lënë bretkun intelektualë e intelektuale të spikatura. Janë çuar nëpër internime. Janë burgosur. Të gjithë pa faj. Të gjithë nën kosën e paragjykimeve kundër familjeve të mëdha, sipas kritereve çnjerëzore të luftës së klasave. Në fshatra të humbura, një anëtar i kësaj familjeje, me tituj universitarë e me disa gjuhë të huaja, jepte mësim në fillore, me kolegë fshatarë që mezi hidhnin firmat e tyre! Institucioni i Nexhmijes së kësaj lufte mizore ka pas arritur paroksizmin në kohën e diktaturës enveriste, i pakrahasueshëm edhe me regjimet më gjakatare mesjetare.Në librin e njërit prej pinjojve të kësaj familjeje të madhe, “ Paraardhësit dhe pasardhësit e Ismail Qemal Vlorës”, autori, Darling Vlora, thotë në Hyrje të librit, se “ai synon të nxjerrë në pah, në radhë të parë, atë çka u mohua, ose édhe u shtrembërua qëllimisht nga regjimi i para ’90-s rreth familjes “Vlora”. Ai vazhdon, më tej: “Shfrytëzohej vetëm figura qendrore (I.Qemali – K.X.). Dhe, në rastin e familjeve të mëdha, denigrimi arrin gjer në ndërrim mbiemrash (…). Ndihet shqetësimi për çka ishte deformuar për shkak të skemave, stampave, vënies së historisë në shërbim të ideologjisë, domethënë të indoktrinimit të saj”.Ky libër është botuar në nëntor të vitit 1997, me rastin e 85-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë.
Para se të flas për Darling Vlorën si qëmtues të zellshëm të historisë, më duhet të them se ai i ka dhënë përgjigje shteruese asaj pyetjes profane që ka ngritur për të mos dalë dot vetja e tij si person që nuk dihet mirë nëse është më shumë partiak fanatik i së majtës, apo historian i cekët që ngré pyetje-bumerang. Darlingun e kemi pasur si formatues në gazetën e ish-të përndjekurve politikë, “Liria”, si përgatitës formatesh për shtypshkrim , para se ky organ i shtypit të bashkëvuajtësve të binte në iluzionet e tregishtorëve të Vlorës. Né që iu kundërvumë ’97-s për synimet e saj për zhvatje pushteti me metodat kallashdemokratike, iu larguam këtij organi që u vu nën diktatin e një kryetari të dyfshtë të Integrimit (Çintegrimit, në të vërtetë), plus kryetarit të Shoqatës, që binte ndesh me statutin e Shoqatës Kombëtare të ish-të Përndjekurve Politikë. Unë iu bashkëngjita “55-s” qysh në fillim të 1998-s. Këtë gjë bënë, pak më vonë, edhe njeriu më me prestigj i Shoqatës, Luan Myftiu, si edhé Arshi Pipa, Uran Kostreci, Sami Rrepishti, Fatmir Agalliu, Ilir Nikolla, Ylber Merdani, Gëzim Zilja, Uran Butka, Pjetër Pepa, Uran Kalakulla, Sherif Delvina, Agim Musta, Tanush Mulleti, Mexhit Kokalari, Bardhyl Vuçiterna, Eden Babani, Reshat Kripa, Iliaz Goga, Agim Shehu, Enver Lepenica, Sadik Bejko, Mhill Gjini, Xhemal Imeri, Sejdí Peka, Tanush Kaso, Çobo Skënderi, Bajram Cenameti, Pirro Kuqi e shumë intelektualë të tjerë.Duke iu kthyer Darling Vlorës, të cilit i kërkoj të falur që e kam cilësuar modestish si qëmtues të zellshëm të historisë, por që – në të vërtetë, – ia kalon atyre farë historianëve të “shkencave historike” me një bagazh njohurish sa një gjel kartash papagajsh në kurriz, dëshiroj të argumentoj këtë sfidë. Le të shohim vetëm o e Darlingut, në atë vëllimin e tij të vogël të cituar, në të cilin ka shpalosur, në mënyrë të thukët, të gjithë personat e rëndësishëm, pjesëtarë të familjes së madhe pasardhësish (por edhe paraardhësish) të familjes me prestigj të lartë të heroit tonë të 28 Nëntorit të 1912-s. Sipas këtij libri, mund të përpilohet lehtësisht pema gjenealogjike e këtij fisi të nderuar, e domosdoshme për një ngjarje të madhërishme historike, siç është festimi i 100-vjetorit të Pavarësisë. Në librin e Darlingut janë përmendur një për një të gjithë. Vetëm pema gjenealogjike mungon. Ai tani është banues në Komo të Italisë, që prej 1998-s, në mos gaboj. Këtë detyrë asnjë nga ata megalomanët që përmendëm nuk mund ta bëjnë, se kanë rënë ndesh gjer në turpërím, me mosnjohjen fillestare të përbuzjes klasore që ka treguar regjimi që kanë për zemër, ndaj anëtarëve dinjitozë të kësaj familjeje që meriton vlerësimin e munguar.Për veprën e Darlingut, mund të shfaqim vetëm një pjesë të studimeve të thelluara të këtij pinjolli mendjemprehtë të kësaj familjeje intelektualësh të spikatur. Citohen me titullin dhe me faqen përkatëse veprat e Edwin E. Jacques, të Gaston Doumergue-ut, të Justin Godart-it, të Eduard Herriot (Herrióit), të Zhorzh Kastelanit (Castellan); gazetat “Albania”, “Besa”, “Drita (1932 – ’37), “La Nazione Albanese” , “Liria” e ish-të përndjekurve politikë (1995), “Opinga”, “Përlindja e Shqipëniës”, Fletorja Zyrtare (1928) (1926 – ’28) e mjaft të tjera; nxirren të dhëna interesante nga kujtimet e Reshat Agajt (Kanada, 1968), nga kujtimet e Ago Agajt (Toronto, 1920), nga prof. Karl Gurakuqi dhe prof. Filip Fishta (1937), nga Tafil Buletini (Tetovë, 1996), Koli Xoxi ; Sami Frashëri (vepra 9), Sejfi Vllamasi (1995). Referencat janë 89.
Për paraardhësit renditen: Ali Bej Vlora (xx.xx.xx – 0.7. 10 1571); Ismail Pashë Velebishti (xx.xx.xx – xx.1764), Ibrahim Pashë Vlora (xx.xx.xx-xx.xx.1819),Ismail bej Vlora (xx.xx.1778-05.05.1829), Mahmut bej Vlora (xx.xx.xx.1814-xx.xx.1866), Mustafa Pashë Vlora (xx.xx.1824-xx.xx.1885), Ferid Pashë Vlora (xx.xx.1859-xx.xx.1914 (?).Autori bën pyetjen: “Dikush mund të pyesë: – Përse duhet të flitet edhe për djemtë e Ismail Qemalit? Përgjigjja jonë do të ishte kjo: Se sa është kontributi i Ismail Qemalit në Pavarësinë shqiptare, kjo pak a shumë dihet. Por, në kontributin e tij, një pjesë të rëndësishme luajtën edhe djemtë. Ata që i ndenjën deri në fund afër Atit të tyre, pa kërkuar portofol apo të tjera interesa. Historia jonë nuk u dha vendin që meritonin. Edhe në ato raste kur duhej të përmendeshin, meqë u aktivizuan në shumë ngjarje të rëndësishme, shpeshherë edhe në rreziqe, ata u lanë në harresë” (f. 23). Në fund të këtij citimi, atij që “përvajtohet” se po na e zbehin figurën e Ismail Qemalit, i jepet përgjigjja e merituar, bashkë me lokucionin tonë se “në shtëpinë e të vdekurit nuk kujtohet litari”!Për pasardhësit duhet që të citojmë diçka, pa u zgjatur shumë: Qazim Bej Vlora ishte shoqërues i Ismail Qemalit në çdo aktivitet të të atit. Më 1913 e shoqëroi të atin në Londër. Ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja dhe kishte një kujtesë të jashtëzakonshme. I ati shprehej: “Qazimi është memorja ime”. “Si kundërshtar i regjimit komunist, u largua nga Shqipëria dhe u vendos në Strugë, ku vdiq në dhjetor të vitit 1953, në varfëri”.
Do të shtoja që ishte fatlum që vdiq në Strugë, në po atë vit që na la shëndenë Josif Visarionoviçi, të cilin e denoncoi, pastaj edhe mareshali Tito. Të ishte në vendin tonë stalinist, ai nuk do të vdiste nga Perëndia 60 vjeç, por shumë më herët. Dhe jo nga vdekje natyrale, po t’i besojmë Darlingut, se ishte antikomunist!Qamil Bej Vlora ishte djali i fundit i Ismail Qemalit. Njihte dhjetë gjuhë të huaja. Në vitin 1926 ishte dekoruar nga presidenti francez me dekoratën “Chevalier de la Legion d’honneur”. Në vitin 1928 “satrapi Zog” i kishte dhënë dekoratën “Kavalier i Urdhrit të Skënderbeut”. Si antizogist, u shpërngul familjarisht në Francë. Mbarimi i luftës e gjen në Shqipëri. Këtu i lutem lexuesit të lexojë me vëmendje ç’thotë Darlingu: “Pas ardhjes në pushtet të komunistëve, iu kërkua bashkëpunimi me ta (lexo: të bëhej spiun! – K.X.) , gjë të cilën ai kurrë s’mund ta pranonte. Më 10 dhjetor 1947, me pretekst për armëmbajtje pa leje (trofé? –K.X.), arrestohet dhe dënohet me dy vjet heqje lirie. Në burg sëmuret nga tuberkulozi (prill 1948) dhe, pas dy vjet në anéksin e Sanatoriumit- Tiranë , vdes në mjerim të plotë më 15 shkurt 1950. Vuajtjes së sëmundjes i shtohej së tepërmi édhe ajo morale, kur shikonte familjen e tij të denigrohej dhe të luftohej nga regjimi komunist, duke vuajtur për bukën e gojës”.A e sheh ai i paemri me lot krokodili se cili është ai regjim që e paska detyruar atë të dekoruar nga regjimi i Zogut, (ndonëse kundërshtar i tij) të vdesë para kohe nga regjimi pasardhës, 55 vjeç, në klinikën e burgut, i brengosur për familjen në pikë të hallit që, në letrën e fundit, mundohet ta mbajë me gajrét? “Duhet të forcohemi për t’i bërë ballë gjendjeve dhe ngjarjeve që na rezervon fati”. 9.02.1950”. Më 15.02.1950, Qamili jep frymën e fundit. Letra është vërtet lapidare. (Jo dhe aspak për ndjenjat e admiruesve të Enverit, që ia vënë foton në institucionet shtetërore, duke tronditur ndjenjat e ish-të burgosurve politikë!). U thotë djemve të dashur të mbahen me kurajë për mjerimin moral dhe material të kësaj jete.Ata që s’i durojnë dot padrejtësitë flagrante të mender “historianëve” si ky i paemri, kanë përse t’i akuzojnë këta, si njerëz pa ndjenja njerëzore.Darling Vora ka të drejtën e Zotit që të thërrasë në kupë të qiellit, ashtu siç kishte bërë Emil Zolai kundër dënimit të padrejtë të Drejfysit: “J’accuse!” (Unë akuzoj.) . “J’ accuse” të gjithë djajtë e kuq të propagandës, që sajojnë akuza qesharake ndaj familjes së madhe të I. Qemalit me halucinacionet djallëzore të tipit “Po na zbehet figura e I. Qemalit”, kur unë jam dëshmitar në vetë të parë se ç’ka hequr farefisnia e Plakut të Vlorës, në kohën e diktaturës enveriste: Të zitë e ullirit. Atëherë , nëse e kanë për kundërshtarët e atij regjimi, le të japin një fakt të vetëm: Kush? Në cilën gazetë? Përndryshe janë shpifës. Dhe, siç thoshte Azemi, Zoti mos i faltë, se dinë ç’bëjnë!
Është interesante se ky autor, i tejkalon të gjitha njohuritë gjysmake për një temë të caktuar, ato të “historianëve” të dhjamosur për përsëritjen e njëri-tjetrit, sipas diktatit të “kryehistorianit” Enver Hoxha. Ende s’e kuptojnë se ishin shndërruar në papagaj ? Le të mos orvaten të bëjnë protagonistin tani, me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë. Në çdo vend tjetër Europian, ata nuk do të guxonin të zbardhnin të zezën e regjimit që kanë në pasur në zemër. Prandaj nuk duan që të hyjmë në komunitetin europian!Darlingu m’u lut që libri i tij të ishte në pajtim të standardit gjuhësor. Po të shihet faqja e fundit, e korrigjimit të gabimeve, gabimet janë thuajse të papërfillshme.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...