Nga : Astrit LULUSHI
Njeriu thotë se ka mësuar nga jeta e historia, dhe krenohet, por shpesh gabimet përsëriten – çka tregon se mësimi nuk është nxenë. Poredhe alternativat janë aq të shumta sa që në një jetë kaq të shkurtër është fatkeqësi që i njëjti gabim të përsëritet dy herë, shprehej Bertrand Russell…Periudha e sundimit komunist u përshkua nga shumë të këqia, por mënyra se si “ishët” – emër shumë i lakuar në pasdiktaturë – me mendjemadhësi e pandjesë sillen , hedh dyshim mbi sinqeritetin. Gjithashtu, s’mund të quhet arritje robërimi i një populli dhe as robërimi pa dorashka,si burgosjet, internimet, përndjekjet, apo vrasjet e kundërshtareve duke i shpallur tradhëtare të kombit, vetëm se nuk pajtoheshin me të njëjtën ideologji si ajo e tyre.Gjithë këtë marshim njerëzish fodullë, triumfantësh të pashpirt, poeti Uran Kostreci, mbi 30 vjet ish i burgosur e i internuar politik, e quan “Epopeja e Karkalecëve dhe Agonia e Karkalecëve”.
“U mbush….dynjaja
Me karkalecë
Ka mall…njeriu
Përdhe të ecë!”
(Epopeja…,Botimet Onufri, 2011)
Karkalecët jane “klasë” insektesh parazitë – uzurpues, shkatërrues që ikin vetëm pasi u digjet toka nën këmbë. Karkalecët janë komunistët,shpjegon poeti në fusnotë.
“Në bulevarde
E nëpër piaca:
Sheh karkalecë
Zënë “allabraca”.
Dhe përshtypja është si një film i jetuar, sepse në kohën e rrënies së diktaturës, Shqipëria dukej një fushë e djerë e djegur, e sapo braktisur nga një ushtri e tërë karkalecësh frikacakë, jetëtharës.
“Në vend të lekut
Merr medalione,
Flamurka yllka
Emulacione”.
Vargjet e Epopesë së karkalecëve, zunë fill në mendjen e poetit në vitet 1970, kur gjatë ecejakeve në oborrin e burgut, ai i krijonte dhe përpiqej t’i mësonte përmendsh. Poetë të tjerë të burgosur i regjistronin vargjet e veta edhe ne letra cigaresh, siç ishte rasti i
Arshi Pipës, që i botoi kur u arratis në perëndim.”Epopeja e Karkalecëve dhe Agonia e Karkalecëve” (për herë të parë së
bashku në një libër të vetëm, i ngjan një kundër përgjigjeje ndaj Epopesë së B. K., poemë satirike e propagandës komuniste, një nga
krijimet e poetit dhe shkrimtarit të realizmit socialist, Shefqet Musarai.Epopeja e Karkalecëve dhe Agonia e Karkalecëve e Uran Kostrecit përfshin një epokë të gjërë nga fillimi deri në fundin e diktaturës:
“Tash karkalecë
Aty, bëjnë pallë,
Më nipër, mbesa,
Me teze e hallë”.
Të majtët e Shqipërisë i gëzohen fitores së të majtës në Francë, thotë Kostreci, por ata nuk e shoqërojnë ketë gëzim edhe me kujtesën se Franca e sotme nuk është e pasardhësve të krimeve e terrorit të giotinës komunare e anti-monarkiste, por e atyre që i dënuan ato krime, u shkëputën përfundimisht prej tyre, u thanë “Ndal, Jo më!”, ndërruan rrugë, duke hedhur themelet e ngrehinës që sot quhet Republika franceze.
“Po Shqipëria?”
“C’qe kjo mënxyrë -
Mallkon mileti -
Ai dhe vdekur
Peshqesh…na mbeti!”
Poema përfundon me përshkrimin e rënies së komunizmit dhe vendosjen e demokracisë – 22 mars 1992;
“Fillojnë greva
E demonstrata
………
E bëjnë Susakun
Të ikë me vrap”.
Gjithësesi, mendimet e ndjenjat përmbajnë më shumë sesa thonë, por shpesh vetëm nëpërmjet artit poetik mund të shprehen lirëshëm e plotësisht me fuqinë e tyre. Dhe Uran Kostreci, prozator e autor sonetesh, zgjodhi pikërisht formën e vargut të shkurtër me rimë të alternuar. me fjalë e shprehje të ngarkuara me tallje e përçmim, sarkazëm e ironi. Librin prej rreth 150 faqesh, autori ua blaton antikomunistëve shqiptarë.
No comments:
Post a Comment