Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/08

Përurohet në Akademinë e Shkencave vepra albanologjike e profesorit Tito Johalas


Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë kohë më parë u përurua vepra e albanologut të njohur grek Tito Johalas, i cili vizitoi vendin tonë i ftuar në Konferencën e parë Ndërkombëtare "Studimet gjuhësore dhe kulturore shqiptaro-greke: Arritje dhe perspektiva". Prof. Johalasi është autor i shumë studimeve nga fusha e albanologjisë. Libri i tij i parë nga kjo fushë i kushtohet figurës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut në letërsinë dhe historiografinë e Greqisë së re. Veprat e tjera janë kryesisht nga fusha e gjuhësisë, siç është botimi prej tij i fjalorit të M. Boçarit, i fjalorit të P. Kupitorit, i gramatikës së gjuhës shqipe hartuar prej mjekut të Ali Pashë Tepelenës, J. Velara, për të ardhur te tri veprat e fundit, njëra prej të cilave u kushtohet arvanitasve të ishullit Andros ("Andros, Arvanitët dhe gjuha arvanitase", 2000) tjetra ishullit Eubea ("Eubea", 2002) dhe e treta gjuhës së arvanitasve të ishullit Hidra ("Hidra, gjuha e harruar", 2005). Këto tri vëllime janë kurorëzimi i një pune e përkushtimi shumëvjeçar i prof. Johalasit ndaj studimit të gjuhës, kulturës e traditave të arvanitasve të Greqisë; ato përbëjnë një korpus unikal të thesarit gjuhësor të arvanitasve, i rrezikuar nga humbja. Në takimin e organizuar për paraqitjen e veprës së prof. Johalasit pas fjalës së hapjes nga akademik Jorgo Bulo, folën prof. Francesko Altimari (Universiteti i Kalabrisë - Itali) dhe prof. Emil Lafe, të cilët ndaluan në kontributin shkencor të prof. Johalasit në fushë të studimeve shqiptare, veçanërisht për gjuhën e të folmeve të arvanitasve në Greqi dhe të arbëreshëve në Itali. Prof. Johalas duke marrë fjalën në këtë takim gjeti rastin të falënderonte Akademinë e Shkencave për vlerësimin e lartë që i bëri duke e pranuar "Anëtar Nderi" të saj si dhe për organizimin e kësaj veprimtarie promovuese të veprës së tij. Ai në fjalën e tij tha se dashuria për shqipen dhe Shqipërinë është dashuria e madhe e jetës së tij, e se në punën e tij të mundimshme shumëvjeçare e ka frymëzuar e trimëruar figura e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastrioti - Skënderbeu.


 

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...