Është tejet e ditës çështja e raporteve të trupit dhe parasë, pra vlerësimi moral e etik në këto marrëdhënie, njëra ndër të cilat ka zënafillën që në kohërat më të hershme e që disa e konsiderojnë, të them kalimthi, gabimisht si zeja më e lashtë njerëzore. Me zhvillimin e shkencës mjekësore të transplantacioneve ky fenomen merr përmasa jashtëzakonisht të mëdha dhe çel pyetjen e moralit në këto marrëdhënie. Përderisa laviria dënohej rreptë me ligje, me doke kombëtare dhe me fétë më të përhapura në botë; dhënia (shitja) e organeve hap një çështje të re në marrëdhëniet trup / pagë të panjohur gjer në shekullin XX. (Njihen disa tentativa të rralla : e para daton nga shek i II p.e.r – Sushruta, kirurg hindus, disa shekuj më vonë, me 1596 kirurgu italian bënë disa tentativa të pasuksesshme por mirë të detajuara në veprën e vet Curtorum Chirurgia par Insitionem dhe më 1905, Eduard Zirm (Çeki) realizoi operacionin e parë të suksesshëm të hundës por këtu akoma nuk kemi të bëjmë me transplantim të organeve në dhënës - marrës). Përpos kësaj, janë një grup tjetër profesionesh që kanë në thelb shërbimet trupore që nuk ngrejnë asnjë humnerë morale e ku bëjnë pjesë fizioterapia, osteopatia, estetika (e fytyrës etj.) dhe masazhe të tjera kurative. Këtu kaptinë të posaçme përbën transplantacioni i organeve që gjithashtu është shërbim me trupin shum herë e kontraktuar me tregti mes palëve dhënës - marrës. Ky aplikim është shum i diskutueshëm e dabatet janë kundërthënëse në aspektin se nga cili kënd vështrohet dukuria në fjalë.
Prostitucioni
Ajo që buthëton polemika më antagoniste sot, është tregtia me trupin që përfshinë seksin. Në disa vende të avancuara ekonomikisht dhe me tendenca më tolerante, ka anime të forta drejt ndërrimit të botëkuptimeve rreth prostitucionit. Filozofë e sociologë, pa dramatizime të tepruara dhe në mënyrë serioze « angazhohen » në favor të çranjosjes së mentaliteteve të gjertanishme duke u deklaruar në favor të një morali të ri që tregtinë e këtillë nuk e konsideron më si të pamoralshme. Është kjo një dëshirë vetjake për t’u treguar avangardist ose i emancipuar e prandaj nuk çon shum peshë pasiqë analiza e ime është bazuar në vlera tjera dhe nga një pikëparje tërësisht të kundërt e mbështetur gjithashtu në të dhënat e fundit të shteteve e kulturave më tolerante në botë. Është fjala për popujt që jetojnë në Skandinavi e ku kohëve të fundit u ndalua prostitucioni me ligj e në raste të kundërvajtjes dënimet janë shembullorë. Përpos kësaj, doket tradicionale që mbisundojnë edhe sot në botë, nuk tolerojmë një shitje trupi në emër të ndonjëçfar lirie dhe të drejte për të vendusur se ç’do të bëjmë me trupin tonë sepse kjo shkon kundër vlerave familjare që akoma sot konsiderohen dhe duhet të jenë qëllim primar të krijimit të relacioneve të shëndosha. Çdo devijim drejt shitblerjes së trupit human krijon humnera dhe trauma të rënda të drejtpërdrejta e anësore, nëse anësore në raste të këtilla mund ti quajmë pjestarët më të ngushtë të shitblerësve. Nëse njëri nga partnerët e lidhur në bashkësi plagos tjetrin duke u shitur apo blerë, dëmi është i shumëfishtë e sidomos nëse në mes tyre ka fëmi të përbashkët apo të njërit prej tyre. Këto plagë janë të paevitueshme, pa marr parasyshë lartësinë e tolerancës shoqërore ndaj dukurisë së prostitucionit.
Një grup pak më pak i prekur janë njerëzit që nuk kanë asnjë angazhim, pra janë pa partner ose ndryshe, janë më të lirë. Ata bëjnë ndoshta më pak dëme kolaterale momentale, mirëpo në plan më afatgjatë, nuk janë të imunizuar nga dukuritë e pashëndosha të shitblerjes.
Është gjithashtu tejet kompromitues fakti se me këtë prekim edhe në moralin fetar i cili nuk lejon në asnjë mënyrë një aventurim të tillë e kjo shkakton gjithashtu trauma dhe ndjenjë të shkeljes së fjalës së shejtë. Në të gjitha religjionet e mëdha që kam njohuri, janë të ndaluara praktikat e bërjes komerc me trupin për qëllime përfituese materiale apo për mashtrime, ryshfete e përfitime të tjera por edhe ndërrimi i partnerit për dëshira thjeshtë epshore që dalin nga kodet fetare e për të cilën do të bëhet fjalë në një shkrim të veçantë.
Profesionet ose zejet simotërza
Mundimet që bëhen për t’i shti në një shportë profesionet që bëjnë pjesë në të njëjtën familje të gjesteve dhe prekjeve trupore janë vetëm një formë e ligshtë dhe mjaftë e pakupimtë që megjithatë gjenë adeptët e vet në disa shtresa të shoqërisë në botë. Këtu bëhet fjalë për shërbimet fizioterapeutike që në kohë të ndryshme të historisë se njerëzimit, vise vise ishin të ndaluara si të pamoralshme nëse mjekimi bëhej nga seksi i kundërt. Gradualisht, ky shërbim human kurativ u profesionalizua dhe njerëzimi në përmasa të mëdha e çmon si vlerë të mirëfilltë dhe nuk ngren aspak pyetjen e moralit në të. Dallimet mes këtyre dy shërbimeve me pagë janë evidente edhe në sferën e relacioneve të përgjithëshme familjare në kushte normale nuk ngrejnë peshë pasiqë me njerën krijojmë dhimbje potenciale, me tjetrën krijojmë lumturi për vete dhe për familjen nga momenti që kurimi sjell kënaqësi për të gjithë.
Estetika trupore
Estetika e fytyrës, e duarëve dhe siluetës, hyn gjithashtu në grupin e zejeve (profesioneve) ku trupi (prekjet e gjata) vihet në shërbim të një trupi tjetër. Kjo praktikë ka gjetur përdorim të gjërë dhe nuk konsiderohet gati askund në botë si amorale se edhe nuk mund të jetë e tillë. Edhe ky lloj shërbimi trupor çon drejtë kurimit dhe harmonizimit fizik por dhe psiqik të personit që kërkon këtë shërbim. Në asnjë moment nuk vihet në dyshim trajtimi i tillë dhe qëllimi përfundimtar i mjekimit apo estetizimit të fizikës humane.
Është kryekëput i pathemel barazimi i të gjitha llojeve të shërbimeve me pagesë pasiqë ato dallojnë fundamentalisht në qëllimet e tyre si dhe në pasojat që sjellin. Është amoral vet krahasimi barazues mes këtyre shërbimeve pasiqë njëra ka pasione nga më të ndryshmet e të tjerat janë në shërbim të shëndetit, që është gjëja kryesore në jetën e njeriut. Nuk kemi asnjë të drejtë etike e morale të barazojmë një profesion human shëndetësor me pasionet e pakontrolluara e meskine të atyre që ofrojnë shërbim dhe atyre që paguajnë shërbime të tilla.
Prostitucioni dhe skamja
Në kohërat e vështira të cilat krijohen pas luftërave dhe pas fatkeqësive natyrore që rëndojnë gjëndjen e idares themelore të një popullate, ku ndoshta edhe më parë mbisundonte varfëria e skajshme, vërehet një paraqitje jo e dëshirueshme e prostitucionit të cilën e justifikoj si të paevitueshme dhe një tolerancë morale është e pranueshme kurr të kihet parasyshë se shitja e trupit bëhet me qëllime të mbijetesës vetjake por dhe të anëtarëve të tjerë të familjes e më shpesh, për shpëtimin i fëmijve nga vdekja për kafshatën e gojës. Një ndërhyrje e tillë ka baza të thella vetëmohuese dhe meriton respekt e jo gjykim. Një nënë që flijon diçka të shejtë nga vetja për të shpëtuar fëminë, prindin, të dashur të tjerë, nuk mundet asesi të gjykohet moralisht e dobët se këtu bëhet fjalë për një vetëmohim të pashoq që do ti lë vragë në një anë, por në anën tjetër një lumturi dhe haré sepse shpëtoi jetë, jetë femijësh e prindërish… Në këtë kontekst, duhet shiquar moralin e atyre që shërbehen me trupin e personit në skamje e rrezik jete. S’është rëndë të shifet në anën e kujtë është morali në këto marrëdhënie.
Moralistët që shprehen kundër një shërbimi të tillë që bëjnë me trupin e vet skamnoret, e kanë lehtë të çelin qeset e tyre të majme dhe ndihmojnë pa rezervë rajonet në krizë jetësore se kështu më së miri do të mbrojnë moralin që predikojnë. Edhe për këta vlen pyetja apo më saktë të them konstatimi : Në anën e kujtë është morali !?
Shitblerja organeve për transplantim
Që nga marrja përmasa më të gjëra, transplantacioni ka hapur debate të pafundme mbi çështjen etike e morale të këtyre operacioneve kirurgjike në botë. Përderisa konservimi i organeve dhe transplantimi i tyre nuk ka për bazë përfitime materiale nga dhuruesi, krejt gjërat janë në rregull dhe ndërmarrjet e tilla konsiderohen dhe janë vlerë e lartë morale. Janë të shumtë ata që dhurojnë organet në rast vdekje akcidentale etj. e që meriton simpati dhe respekt të pamohueshëm. Problemet fillojnë me dhënien e organit tjetrit kurr personi është gjallë dhe falas dhuron një organ të vetin. Këto forma zhvillohen gati kryekëput brenda familjes së njejtë por megjithëkëtë, çështja delikate morale është prezente. Nëse atmosfera nuk është e tendosur në rastet kurr prindët falin një organ, ajo ndërlikohet në situatë të anasjelltë. Këtu punohet në pikë të parë për moshën e dhënësit dhe të marrësit e pastaj të ndjenjës në kahje prind > fëmi dhe e kundërta, fëmi > prind që është zakonisht më pak e fortë. Mandej janë relacionet tjera vëlla, motër dhe më larg që vetëm mbjellë një ndjenjë të obligimit se duhet shpëtuar të afërmin e shpesh çon gati me forcë të këtyre botëkuptimeve që konsiderohen si më bujaret, dikush të fal një organ të vetin (shpesh një veshkë). Në këto kushte, nevojtari do të ishte ndoshta më mirë të blen organin e duhur që përsëri vë në pyetje moralin tash në një dimenzion tjetër. Gjej një lloj tolerance në këto marrëveshje trupore në kushte kurr dhënësi e bënë këtë me një fijë respekti ndaj jetës së tjetrit dhe me qëllime investimesh të mëtutjeshme nëpër afera të ndryshme me profesionale e dëshirë për fitim material. Këtu natyrisht ka gjithashtu skamnorë që shesin organet e tyre për gjallërim e ku kushtet kirurgjike janë nën çdo nivel, gjë që sjell pasoja të vështira si dhe vdekje të parakohshme të dhënësit. Andaj një vijë më e qartë mbi çështjen e moralit është vështirë të tërhiqet. Zgjedhja më e mirë do të ishte të ndalohet tregtimi me organe humane, qoftë edhe në forma të konsideruara legale në disa shtete të botës ku mungojnë kushtet më elementare për të konstatuar gjëndjen faktike reale të dhënie-marrjes.
|
No comments:
Post a Comment