Të merresh sot me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, kur kazani i shoqërisë sonë ka filluar të vlojë jo pak, mund të të shihet për të madhe. Megjithatë, ky problem nuk është kaq i thjeshtë sa perceptohet tek ne, sepse Akademia është organi më i lartë shkencor dhe kulturor i vendit, prandaj njerëzit i drejtojnë sytë nga ajo; atyre, për çdo çështje madhore që i del para vendit, vetvetiu u shkon mendja se rrugën e zgjidhjes do ta gjejë Akademia. Por, si qëndron puna me Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës? Si funksionon kjo akademi? Sa dhe si e zbaton Kushtetutën, rregulloret dhe statutin e saj? Si bëhen zgjedhjet e anëtarëve të rinj? Shkas për këtë shkrim u bënë zgjedhjet e këtij viti për Akademi, ndërsa në fokus të tij do të jetë sidomos Seksioni i Gjuhës dhe Letërsisë, si njëri ndër seksionet themelore të Akademisë.
Si po zgjidhen anëtarët e rinj në Akademi?
Edhe këtë vit, sikurse edhe herëve të tjera, institucionet arsimore e shkencore të Republikës së Kosovës, i nominuan kandidatët e tyre për të hyrë në AKASH, por ishte Seksioni i Gjuhës dhe i Letërsisë, i cili i doli përpara këtij nominimi, duke e konsideruar një lloj sakrilegji: nominoi kandidatë të tjerë, bile i nominoi ata të cilët nuk ishin nominuar nga institucionet ku punonin ose kishin punuar më parë (Mehmet Halimi), apo edhe kandidatë të cilët në institucionin ku punojnë nuk kishin arritur të marrin vota për t’u nominuar për në Akademi (Zejnullah Rrahmani), ose kandidatë të vetëkandiduar në Seksionin e shkencave shoqërore (Jusuf Bajraktari). Pra, ky seksion, por edhe ndonjë tjetër, me forcën burokratike që ia ka dhënë vetes dhe me dobësinë që ua ka lënë institucioneve arsimore e shkencore të vendit, duke ua marrë të drejtën t’i dërgojnë në Akademi kandidatët e tyre, me të dyja këmbët shkel në dinjitetin e këtyre institucioneve, prej të cilëve, në fund të fundit, kanë dalë edhe vetë këta anëtarë të këtij seksioni të Akademisë! Pra, sipas kësaj, i bie se, atëbotë, kur këta akademikë i kishin nominuar institucionet ku kishin punuar, këto institucione kishin qenë në rregull, ndërsa tani, kur këta më nuk janë në to, nuk janë në rregull!!!
Këta akademikë, pra, që nuk kanë zbritur aty nga qielli, në qiell të paarritshëm e kanë kthyer atë vend për ata që nuk duan t’i shohin aty! Akademia shpërfill dhe përçmon institucionet tona arsimore e shkencore dhe recensuesit – emra të njohur të shkencës shqiptare, në të vërtetë, me mospranimin e propozimeve nga këto institucione, akademikët bëhen mohues të institucioneve prej të cilave kanë dale edhe vetë. Për të arritur këtë, kanë krijuar rregullore që bien ndesh me Ligjin për veprimtarinë shkencore (që është në fuqi), sipas së cilës kë duan e lënë jashtë dhe kë duan e fusin brenda. Pse ndodh kjo? Ja përgjigjja. Sepse kandidatët që do të pranohen në Akademi nuk maten me asgjë tjetër, më së paku me punën e tyre, përveç me gishtat e anëtarëve të seksionit dhe të Kuvendit të Akademisë dhe me masën a janë bashkëklanorë, miq a bashkëpartiakë me anëtarët e Akademisë! Një akt i tillë, pra mospranimi i kandidaturave nga institucionet, në të njëjtën kohë tregon mbylljen e Akademisë ndaj institucioneve arsimore e shkencore të vendit si dhe uzurpimin e organit më të lartë shkencor në vend nga një grup njerëzish, të cilët në vendimet e tyre nuk nisen nga interesi i përgjithshëm, por nga interesi i tyre i ngushtë; jo nga hyrja aty e njerëzve të cilët me të vërtetë do të jepnin kontributin e tyre, por nga mbledhja e njerëzve me të cilët janë të afërt: me bindje, me krahinë, me parti, me klan etj. Ky seksion (i Gjuhës dhe i Letërsisë) me një veprim të tillë shpërfaq primitivizmin dhe paskrupullozitetin në shkallë shqetësuese!
Këta akademikë, pra, që nuk kanë zbritur aty nga qielli, në qiell të paarritshëm e kanë kthyer atë vend për ata që nuk duan t’i shohin aty! Akademia shpërfill dhe përçmon institucionet tona arsimore e shkencore dhe recensuesit – emra të njohur të shkencës shqiptare, në të vërtetë, me mospranimin e propozimeve nga këto institucione, akademikët bëhen mohues të institucioneve prej të cilave kanë dale edhe vetë. Për të arritur këtë, kanë krijuar rregullore që bien ndesh me Ligjin për veprimtarinë shkencore (që është në fuqi), sipas së cilës kë duan e lënë jashtë dhe kë duan e fusin brenda. Pse ndodh kjo? Ja përgjigjja. Sepse kandidatët që do të pranohen në Akademi nuk maten me asgjë tjetër, më së paku me punën e tyre, përveç me gishtat e anëtarëve të seksionit dhe të Kuvendit të Akademisë dhe me masën a janë bashkëklanorë, miq a bashkëpartiakë me anëtarët e Akademisë! Një akt i tillë, pra mospranimi i kandidaturave nga institucionet, në të njëjtën kohë tregon mbylljen e Akademisë ndaj institucioneve arsimore e shkencore të vendit si dhe uzurpimin e organit më të lartë shkencor në vend nga një grup njerëzish, të cilët në vendimet e tyre nuk nisen nga interesi i përgjithshëm, por nga interesi i tyre i ngushtë; jo nga hyrja aty e njerëzve të cilët me të vërtetë do të jepnin kontributin e tyre, por nga mbledhja e njerëzve me të cilët janë të afërt: me bindje, me krahinë, me parti, me klan etj. Ky seksion (i Gjuhës dhe i Letërsisë) me një veprim të tillë shpërfaq primitivizmin dhe paskrupullozitetin në shkallë shqetësuese!
Akademia, vendstrehim për njerëzit e një lloji
Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës ka krijuar një rregullore sipas vullnetit të atyre që janë brenda dhe të cilën e përdor sipas vullnetit të disa prej anëtarëve të saj. Kështu, ajo është kthyer në vendstrehim për një disa njerëz që i kanë njerëzit e vet brenda. Akademia sot përdoret më shumë për strehimin e njerëzve të një klani sesa për realizimin e projekteve të rëndësishme shkencore e artistike që u bie si barrë e si përgjegjësi shoqërore. Fakti që në Akademi janë të mirëseardhur Zejnullah Rrahmani dhe Mehmet Halimi tregon gjendjen në të cilën ka arritur ajo. Arsyet më banale bëhen shkak që dikush të hyjë në Akademi dhe dikush tjetër mbetet jashtë saj. Cilat janë këto “arsye” në rastin konkret? Për M. Halimin, pse dikur ka qenë mësues i njërit prej atyre që janë brenda në Akademi dhe se është i një partie me ata që vendosin aty; për Z. Rrahmanin, pse aty e ka ish-profesorin e tij (Ali Aliu), por edhe se është i një partie me ata që vendosin aty. Diku në këtë shkrim kam shkruar edhe për Jusuf Bajraktarin, si të vetëkandiduar në Institutin e Historisë ku është drejtor! Në fund të fundit, edhe ky hyn në Akademi se i takon klanit të atyre që janë brenda! Mënyra e tillë e përzgjedhjes së kandidatëve, akademikëve ua mundëson që, duke u nisur nga niveli më i ulët i kandidatëve deri tek ai më i larti, të përzgjidhet niveli më i ulët dhe zgjedhësit të jenë në rregull me veten dhe me publikun. Kështu, në Akademi nuk ka arritur të hyjë, p.sh. Ruzhdi Ushaku, një studiues i mirëfilltë, vepra e të cilit është shembulli më i mirë se si duhet të studiohet gjuha, ndërsa arrin të hyjë Mehmet Halimi, i cili gjatë gjithë jetës është marrë me një a dy të folme të rrethit të tij, në mënyrën më tradicionale të mundur. Fatkeqësia e këtij të fundit është se ende nuk e zotëron as drejtshkrimin e gjuhës shqipe. “Sekularizimi “ i Akademisë. Gjersa kjo Akademi nuk i pranon në radhët e veta të nominuarit e institucioneve arsimore e shkencore, me rastin e çdo zgjedhjeje pranon kryetarë, nënkryetarë, ish-funksionarë etj. të partive të ndryshme, më të shumtët të LDK-së. Ndërkaq, për aktivistë të partive, të mos flasim, sepse pa qenë aktivist (militant) i kësaj partie që e ka uzurpuar Akademinë, ose aleat i saj, aty nuk mund të hysh kurrë! Prandaj them se deri më sot nuk kemi një akademi sekulare, sepse edhe sot e kësaj dite, ashtu sikur shteti mesjetar në Evropë që për një kohë të gjatë nuk mund të ndahej nga feja, kjo Akademi nuk po mund e nuk po do të ndahet nga politika dhe, rrjedhimisht, edhe të depolitizohet. Në të, vazhdon të zgjidhen anëtarë kryetarë apo nënkryetarë partish apo parlamenti dhe edhe kryetarë e ish-kryetarë komunash! Çfarë shkence apo arti mund të bëjnë ata të cilët çdo ditë janë në krye të partisë apo në seancat e Kuvendit? Kështu, Akademia u bë Akademi partiake e Akademi e politikanëve. Këtë mentalitet, pra të pranuarit në Akademi vetëm të udhëheqësve të një partie, ose militantëve të saj dhe të partive aleate, e konsideroj si trashëgimi nga e kaluara nostalgjike tyre për LKJ-në, kur së pari duhej të ishe anëtar i Lidhjes së Komunistëve pastaj të pranoheshe... Këta ishanëtarë të Lidhjes së Komunistëve krijuan partinë e re të tyren dhe i trashëguan dhe i monopolizuan të gjitha ato që ua kishte lënë partia e tyre e dikurshme. Janë po aq fanatikë sa kanë qenë kur kanë qenë në pushtetin e Lidhjes së Komunistëve dhe nuk arrijnë ta kapërcejnë atë fanatizëm. Është koha e fundit që Akademia të “sekularizohet”! Të ndërpritet kjo praktikë që na e kujton sistemin e kaluar kur shoku Tito e Sinan Hasani zgjidheshin anëtarë të Akademisë. Paradoksale është kjo, por e vërtetë! Mjaft më!
Disa “xhevahire” të tjera të Akademisë
Akademia shkel rregulloren që e ka krijuar vetë duke ribotuar pa ndonjë kriter librat e anëtarëve të saj. Kështu, libri i Ali Aliut, “Don Kishoti te shqiptarët”, pasi është botuar e ribotuar dy herë (maqedonisht – “Kultura” 1994, shqip – “Flaka” 1996, në vitet ‘90), për të treten here u ribotua nga AKASH-ja më 2005, vit në të cilin u botua edhe në kompletin e librave të Ali Aliut (Vepra të zgjedhura III, “Serembe”, Shkup, 2005). Po ashtu, pothuaj nuk ka një anëtar të Akademisë (Seksioni i Gjuhës dhe i Letërsisë) që nuk i është ribotuar një libër së paku njëherë, duke filluar me librat me poezi e deri te kritikat e recensionet me të zakonshme; Nuk merr kurrfarë masash ndaj plagjiaturës. Fakti që Akademia nuk mori masa ndaj plagjiaturës së Sabri Hamitit, edhe pas disa publikimeve në shtypin tonë, lë të kuptohet se problemi i plagjiaturave në këtë Akademi është paksa më i thellë sesa që duket. Për këtë, më gjatë, në një shkrim tjetër; Hap vende që nuk parashihen me ligj. Akademia, përveç që interesohet për të hyrë në të njerëzit e saj, ajo, po ashtu, interesohet edhe për të mbetur aty ata që normalisht, me ligj, do të duhej të dilnin në pension. Kështu ndodhi me rastin e ishsekretarit të saj, Zija Bylykbashi, i cili, në vend që të pensionohet, u shpall këshilltar i Akademisë! Çka do të thotë ky titull, sigurisht që në Akademi e dinë mirë!
Përfundim
Në vend që Akademia sot të jetë personifikim i së vërtetës dhe i së drejtës, ajo është kthyer në personifikim të gënjeshtrës dhe së padrejtës, në të vërtetë të së shëmtuarës dhe të së keqes. Prandaj, nëse vërtet ne si shoqëri kemi interesa të larta, Akademia, duhet të hyjë nën ligj, si çdo institucion tjetër dhe sipas ligjit të veprojë. Rrugë tjetër nuk ka. Përndryshe degjenerimi i saj do të jetë i vazhdueshëm. Aty duhet të hyjnë njerëzit që me të vërtetë kanë dhënë dhe japin kontribut (kontributet duhet të jenë të matshme, konkrete, jo abstrakte) në fushat e tyre, e jo njerëz të cilët i pëlqejnë klanit që e ka uzurpuar e privatizuar Akademinë! Akademia, nëse vërtet është e Shkencave dhe e Arteve, në gjirin e saj duhet të pranojë njerëz të shkencave dhe të arteve e jo njerëz të politikës! Duhet të krijohen norma të qarta kush mund të hyjë në akademi e kush jo. “Pesha” e atyre që hyjnë ose nuk hyjnë të jetë e matshme, konkrete, dhe jo njerëzit të varen nga vullneti i atyre që janë brenda! Të mos shikohet ngjyra e syve të atyre që nominohen, por vepra konkrete. Në fund, ja disa nga masat që duhet të ndërmerren, që të “shëndoshet”
Akademia:
Është koha e fundit që Akademia të shkurorëzohet nga politika. A mos vallë njerëzit më të mençur të këtij vendi janë politikanët?! Çfarë bëjnë politikanët në Akademi? (Fillimit të shkurorëzimit të Akademisë nga politika do të duhej t’i paraprinte një statistikë e saktë e pranisë së politikanëve në të, e cila me shifra konkrete do të tregonte se sa është e kontaminuar kjo Akademi nga politika). Duhet të krijohen norma të qarta sipas të cilave një kandidat i plotëson kushtet për të hyrë në Akademi dhe një tjetër jo. Sot edhe aplikimi në shkollën më të skajshme të Kosovës bëhet sipas disa normave, ndërsa janë të paprekshmit e Akademisë të cilët i bëjnë dhe i zbatojnë “normat” sipas vullnetit të tyre! Akademia të ndahet në Akademi të Shkencave dhe në Akademi të Arteve. Vërtet, çfarë projekti mund të bëjnë bashkë shkencëtarët dhe vjershëtarët apo piktorët? Akademia të funksionojë në bazë të të ligjit, e jo të shkel ligjet!
No comments:
Post a Comment