Arif Molliqi
Kënga popullore shqiptare është një thesar i çmueshëm i kulturës sonë kombëtare. Ajo është shprehje më e mirë e botëkuptimit, e karakterit dhe shpirtit të popullit në përgjithësi ( Akademik Mark Krasniqi). Andaj, arti ynë popullor, ku hyn folklori, kënga popullore, janë një kontribut i mirë i popullit tonë për kulturën shpirtërore artistike, dhe njëkohësisht një nga armët kryesore për t´i rezistuar kohës. Dihet se përmes këngës folklorike dhe popullore, brezat e rinjë e mësuan historinë tone, dhe e ruajtën bërthamën e autoktonisë. Kështu bashkë me gjuhën dhe zakonet, kënga popullore na ka rikujtua gjithmone vehtveten sepse, shqiptarët nëpër shekuj më shumë kanë luftë për të mbijetuar se sa për te krijuar shtet. Në këto kushte, n´këto rrethana, krijimtaria shpirtërore e barti historinë e vet përmes këngëve tradicionale të kreshnikëve, të epikës historik, epikës lirike etjera.
Arif Molliqi në Tribunën e organizuar në Zvicër me datën 21.10.2012 |
Mbi ketë krijimtari mjaft kompleks, mbi këtë krijimtari shpirtërore popullore, jam mundua të nxjerr një fragment të historisë se Isniqit, gjegjësisht kam nxjerr disa episode për kontributin isniqas në lufte për krijimin e shtetit shqiptar.
Në fillim të këtij punimi, që t´i ik keqkuptimit më duhet ta them se; këtu nuk e kam marrë për bazë e gjithë epikën historike shqiptare, e as, e gjithë epikën historike të fshatit Isniq, por vetëm dy këngë. Thash, kam marrë vetëm dy kenge ngase, e gjithë epika historike shqiptare dhe ajo e Isniqit është shumë me e gjerë, shumë më komplekse dhe kërkon një diskurs më të gjer kerkimesh. Këtu kam marrë një këngë popullore dhe, një këngë të Gjergj Fishtës, brenda të cilave shohim Isniqin në epikën historike shqiptare, gjegjësisht, shohim kontributin e Isniqit në krijimin e shtetit shqiptar.
Kënga e parë është nje këngë folklorike; “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, ku për autorë është rapsodi popullor, vet populli dhe, kënga e dytë eshte marrë nga eposi i Gjergj Fishtës kënduar tek “Lahuta e Malcis”, gjegjësisht tek; Kënga e shtatëmbëdhjetë, që mbanë titullin: “Në qafë-Hardhi”.
Pse vetëm këto dy këngë.
E thash edhe në fillim se epika historike e Isniqit është fushë e gjerë që kërkon kohë dhe studim shumë serioz, kërkime të vëmendshëm dhe se dyti; natyra e këtij takimi është e kufizuar në kohë. Ndaj, për çastin më është dukur së brenda këtyre dy këngëve mund të prezantoj atë që mund ta quaj si diskurs të epikës historike isniqase, ose; diçka shumë më origjinale, përmes këtyre dy këngëve epike historike mund ta tregoj krenarinë kombëtare të Isniqit, shpirtin kryengritës dhe atdhedashës të djalërisë isniqase, kontributin e tyre drejt mëvetësisë së shtetit shqiptar, si dhe urrejtjen e pakufishme të tyre kundër armikut, i cili përpiqet ta pushtoj ose robërojë vatrën e tyre.
2. Epika historike e Isniqit tek kënga:
“Azllan Pash n´gjok të bardhë”
Lufta mbinjerëzore e popullit shqiptar nëpër shekuj që ta çoi Shqipërinë deri të pavarësia ishte e gjatë, e vështirë, e mundimshme dhe e shfaqur në forma të ndryshme. Edhe pse gjatë këtij formimi, shqiptarët nëpër shekuj luftuan për mëvetësi, por më shumë kanë qenë në luftë për të mbijetuar nga sundimi i pushtuesve osmanë e, sidomos nga yryshit sllave që lakmonin gjithmonë në tokat shqiptare.
Në këto kushte të rënda, gjendje lufte dhe mbijetese, ishte krijimtaria shpirtërore, ishte kënga popullore që e pasqyroj kohën, që luajti rolin e historisë. Folklori zuri rrënjë në opusin epiko-historik duke e pasurua trashëgimin kulturor të popullit. Me përmbajtjen e formën e saj artistike, me gjinitë e llojet e tyre, me figurat e ritmet e këngëve u dëshmua lufta dhe mbijetesa e popullit. Pra, historia e formimit të këtyre vlerave ishte historia e vetë popullit në luftën për ti mbrojtur tokat e veta, për ta mbrojtur ekzistencën e vet karshi sulmeve dhe plaçkitjeve që i bëheshin nga sunduesit dhe fqinjët grabitqar. Andaj, e gjithë krijimtaria artistike popullore e folklorike shqiptare nuk ishte dekor i jashtëm, nuk ishte një stoli formale, por një shpërthim, një kryengritje e brendshme, një shprehje e botës shpirtërore për pavarësi, një ecje drejt zhvillimit të tyre historik, drejt thellësisë së mendimeve, e ëndrrave dhe e aspiratave për një shtet-formim që do t´ju del zot këtyre dëshirave.
Dhe, krahas luftës se vazhdueshëm për liri, populli e konsolidoj identitetin e vet, individualitetin e vet përmes krijimeve të veta qofshin ato të legjendave, baladave, të këngëve kreshnike, epike, lirike.
Ne këto perplasje edhe lindi kënga; “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, me një autor të panjohur. Këtë këngë e kemi gjetur edhe në dy variante të tjera, që pak a shumë ndryshojnë vetëm nga titulli i këngës kurse përmbajtja është e njëjtë. Në “Epikë Historike Kosovare”- Akademia e Shkencave e RPS të Shqipërisë, Instituti i kulturës popullore, Tiranë, 1985, faqe 227, e gjejmë në variantin; “Bajraktart ja kan´ gri të tanë”, të kënduar në vitin 1958 në Rrashbull të Durrësit nga rapsodi i njohur Dervish Shaqa, Llukë e Epërm. Të njëjtën këngë e kemi gjetur të kënduar nga këngëtar edhe në variantin; “Asllan Pasha mbledh verginë”.
Ngjarja e kësaj kënge zhvillohet në fshatin Isniq të Deçanit. Azllan Pasha, sundimtar i lartë turk nga Peja, i shoqëruar me pesë bajraktarë, shkon në Isniq për të mbledhur verginë-taksen:
Azllan Pasha n´gjog të Bardhë,
na i ka mbledh´ pes´ bajraktarë
shkoi n´Isniq vergin´ me marrë.
Vetëkuptohet se për isniqasit nuk ishte vetëm taksa ajo që i detyronte t´i kundërviheshin pashait, t´ja kthenin pushkën. Ata tashmë ishin mësuar duke u mbrojtur me armë në dorë nga plaçkitjet, nga sulmet që shpesh u vinin nga sundimtarët, sado që ata në fshat ktheheshin më kërkesa plot lajka e, që, në brendësi të atyre fjalëve përkëdhelëse fshihej dinakëria e pushtuesit i cili dinte të nxirrte kokë me veprime ndëshkuese. Duke i ditur këto metoda, Isniqi gjithmonë qëndronte i përgatitur që në raste të nevojshme t´u kundërviheshin pushtuesve më armë. Ishte kjo koha kur taksa mblidhte qeveria turke dhe ato ishin të rënda dhe të papërballueshme. Taksa paguhej për shtëpi, paguhej për tokë, taksa paguhej për bagëti, për djerrina, për kullota, për mal...
Mirëpo, procesi mbledhjes së taksave në Isniq për Azllan Pashën përfundoj me konflikt. Isniqi jo vetëm mbledhjen e taksave por edhe mbrojtjen e tokave shqiptare e priti me rezistencë të organizuar ngase, kur Azllan Pasha erdhi në Isniq për të vjel taksa, ai s´ishte përgatitur vetëm më “pesë´” bajraktar, por kishte marrë me vete edhe ushtar sepse kishte informacione se isniqasit nuk i nënshtron e as nuk japin aq lehtë vergi´ -taksa tagrambledhësve. Aq më tepër kur një pashai me ushtri merrte rolin e tagrambledhësit duke menduar se vet prezenca e tij me bajraktar dhe ushtar do ti frikësonte burrat e fshatit Isniq. “Në Isniq kishte urdhëruar vetë Pashai i rrethuar me bajraktarë. Pra, vetë lartmadhëria. Pushteti. Në raste të këtilla organizoheshin pritje të nivelit të lartë. Përkulje deri në tokë. Pije dhe ushqim. Dajre dhe festë... Por, kësaj radhe, Isniqi organizon një festë tjetër, një pritje të merituar për rangun e armikut gjakpirës” (Kadri Rexha)
N´fun t´Isniqit kur asht dalë,
kur jan´ dal´ në fund t´Isniqit,
kan´ kris´ pushk´ për skej t´zidit.
Bajraktarve mir´iau ngjiti
jan´dhez´ tjerat prej çardaki
bajraktart i ka mlu gjaki,
i ka mlu gjaki, i kan´ gri të tanë
Asllan Pashën rop pe e nxanë...
S´e kan´ lan´ kurrgjë pa i thanë.
Mirëpo, edhe pse Isniqi e kanë nxënë Azllan Pashën, ndera, trimëria dhe burrëria e isniqasve tregohet në një variant shumë figurative dhe dramatike. Aty jepet figura e një luftëtari që sado në një situatë dramatike dhe shpërthyese ai din ta ruaj nderin e djalërisë dhe luftëtarëve që edhe n´raste se e mund armikun duhet sjellë brenda normave të moralit njerëzor.
Ky është virtyt vetëm e popujve të mëdhenj, luftëtarëve trima.
Ja si portretizohet kjo figurë epike përmes luftëtarit Tahir Dervishit. Me pak fjalë kënga jep edhe lartësinë e luftëtarit, jap edhe trimin, jap edhe ndershmërinë, sepse, sado që gjuha e luftëtarit Tahir Dervishi ka urrejtjen për armikun, për pushtuesin i cili ia kërkon vergi-taksen për tokën dhe pasurinë e tij, ai ngase e di se trimi nuk i bie për s´ratë kundërshtarit, i thotë, se i vjen keq prej veti:
Kur jan´ dal´, tha, tu Rodishi*
t´ madhe briti Tahir Dërvishi
Azlla Pashs për gjyks ja ngjiti,
Pshtymë e jargë në ftyrë ja çiti
Pshtymë e jargë në ftyrë ja pshteti
Mos me m’ardhë Pashë keq prej veti
Tana trutë celinë t’i treti...
Pashai duke e pa veten shumë ngushtë, ai tani mundohet që përmes dinakërisë, përmes lojës së pakryer, tamam në stilin e një sundimtari të regjur dhe që njeh traditën shqiptare të lidhur për besën, kërkon ndihmë. Këtu na del si element metafora e gjerë që ka brenda himnin antik të shqiptarëve; besën dhe fjalën e dhënë. Në ketë metaforë, brenda lojës se pakryer të Pashait, na del një portret tjetër. Nuk është më ai pashai që drejton situatën. S´është më ai pashai që kur erdhi ndiente krenari dhe një forcë të pa thyeshme. Para rezistencës, heroizmit dhe urrejtjes së Isniqit ai ndjehet i pafuqishëm, ndjehet i mundur dhe i turpërua nga luftëtaret isniqas dhe, i kthehet mënyrës politike, lojës metaforike të besës shqiptare, duke u mundua të justifikoj arsyen e ardhjes se tij. Ai provon ti mashtroj isniqasit me dinakëri se gjeja, në Isniqi erdhi si mik i tyre për një vizitë miqësore e dashamirëse:
Azlla´ Pasha n´gjog të bardhë:
-Nore t´juve, more Shalë,
se s’jam dal´ vergi me marrë
po për zijafet n´ket an´ jam dalë...
Pjesë e dytë e këngës “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, është nje grotesk dhe një antitezë e pjesës se parë. Tani Pashai sikur vihet para një turpërimi që i shkaktojnë burrat e Isniqit. Si duket Pashai i ka prekur isniqasit aty ku janë të ndjeshëm me fjalët; “Nore t´juve mori Shalë” duke i lutur në emër të fisit, besës, nderës. Isniqi e lirojnë Pashain. Dhe, Pashai, i trishtua, i hutuar, i frikësuar dhe i tmerruar nga qëndresa e Isniqit nuk di çka bën, nuk din si të vepron saqë edhe rrugën nuk mundet ta gjej. Një rrugë prej dy kilometrash mezi e kalon për “shtatë sahat”.
Tek këto vargje qëndron poetika groteske dhe ironia më e fuqishme e kenges dhe e krijuesit folklorik kur thotë:
Azlla´ Pasha, Azlla´ gusha,
Shtat´sahat iu dokti Lbusha...
Gjithsesi figura e pashai të dështua tregohet kur Azllan Pasha kthehet në Pejë. Ai në vend që të ecë më krenari nëpër qytet, ngase ka mbledh vergi-taksen duke e shtruar fshatit Isniq, ai i turpërua nuk dëshiron të flas. Ndoshta këtu për herë të parë pashai flet sinqerisht, kur ju tregon krejt atë çka i ka ndodhur në Isniq.Kur shehërlitë e pyesin si kalove në Isniq ngase ai kishte dhënë fjalë të mëdha. Azllan pasha përgjigjet i turperuar.
Sot nuk muj selam m’u dhanë
Kesh´ n’Isniq edhe rob jam nxanë
s’e kan´ lan´ kurgja pa m’thanë
bajraktart m’i kan´ gri të tanë...
Këngët “Azllan Pasha n´gjog të bardhë” është dramë e vërtetë. Ndonëse aty pasqyrohet një ngjarje lokale, përmes vargut poetik, përmes fjalës së artit këngëtari ka arrite ta sintetizojë për bukuri situatën e kohës, gjendjen kryengritës dhe rezistencën e fshatit Isniq në veçanti dhe te popullit shqiptar në përgjithësi.
Pra, nga kënga “Azllan Pash n´gjok të bardhë”, shihet se Isniqi ishte një fshat që kishte shpirtin luftarak, atdhedashës, që në çdo kohë u kacafyt edhe me armikun shumë më të madh se ai vet.
3. Potretizimi i luftëtarëve të Isniqit të
“Lahuta e Malcis” se Gjergj Fishtës, gjegjësisht
të kënga e shtatëmbëdhjetë. “Në qafë-Hardhi”.
Lahuta e malcis është pa dyshim poema epike më emocionuese e më e fuqishme e shkruar në gjuhën shqipe. Ajo qëndron mbi të gjitha sprovat e tjera në këtë gjini, do të thoshte Robert Elsie. (“Histori e letërsisë shqiptare” faqe 298, botim i Dukagjinit, Pejë, 2001). Të kjo vepër shkrirja e elementeve heroike dhe mitologjike është më se e dukshme në një numër personazhesh, të cilëve Fishta u jep një vend të rëndësishëm. Mirëpo, mes figurave heroike kryesore që e karakterizojnë Lahuten e malcis janë edhe disa figura që Fishta u jap një vend të duhur, vend të harmonizuar brenda epikës historike por duke mos lënë anash asnjëherë një përshkrim lirik dhe idilik të së bukures dhe pamjes së luftëtarit-heroit para dhe pas betejës.
Në këtë harmonizim heroik më përshkrime gjithsesi të bukura Fishta flet edhe për djemt e Isniqit të kënga e shtatëmbëdhjetë ” Në qafë- Hardhi”, tek Lahuta e malcis, faqe 198.
Derisa të kënga e parë, Isniqi lufton për ta mbrojtur fshatin, të kënga “Në qafë-Hardhi”, kemi një ngjarje tjetër.
Pas nje beteje, orët dhe dy drangoj, Rrustem Uka dhe Xhem Sadrija duke pushuar në Qafë-Hardhi kuptojnë se Mark Milani është kthye me tetë batalione të reja, i vendosur të pushtojë Plavën e Gucinë. Dy dragoit shqiptar shtrëngohen të mbrojnë hyrjen e armikut në tokat shqiptare nga treqind trupa malazeze. Ata zihen ngushtë, por u vijnë në ndihmë vullnetar dhe i zbrasin sulmuesit malazez.
Mark Milani vendos t´i tërheqë trupat për një betejë tjetër duke i sulmuar shqiptarët në Sutjeskë. Popullsia e atyre krahinave, nën udhëheqjen e Ali Pashë Gucisë, kërkon ndihmë nga krahinat e tjera shqiptare për ti dal përpara ushtrisë se Mark Milanit. Në ketë kohë thirrjes i pergjigjen mijra vullnetarë, te cilet vajtën në ndihmë forcave vendëse dhe nuk e lanë ushtrinë e Mark Milanit të futet në Plavë e Guci.
Në ketë këngë nuk e kemi vetëm ndihmën për një luftë kundër Malit të Zi, por Fishta na paraqet harten historike shqiptare, ose, thënë ndryshe; lufta që zhvillohet “Në qafë-Hardhi”, është ndërtua mbi hartën gjeografike shqiptare, gjegjësisht, për hartën e gjithë Shqipërisë etnike ngase luftëtarët janë nga të gjitha krahinat shqiptare, qe duke e mbrojtur Plavën e Gucinë, paraqitet harta historike dhe gjeografike e Shqipërisë etnike në një variantë tjetër e, ku, brenda asaj harte gjeografike dhe historike shqiptare, është edhe fshati Isniqi:
Pse edhe, e lumja, jam tuj pa,
Ke janë dyndë Plavë e Gusi,
Ke kan ra Strelc e Plivi,
Me Sutjeskë e me Nokshiq,
Vuthaj e Martinoviq,
Hoti i Kuj´t, Morinë, Isniq:
Gash, Krasniqe, Reç e Dardhë,
Qafë e Diellit, Lum e Bardhë,
Nikaj, Palç edhe Mertur, ...( faqe 202-203)
Mes këtyre luftëtarëve trima janë edhe djemt nga Isniqi që si rregull kërkohet që luftëtarët të janë në një moshe të pjekurisë. Mirëpo, isniqasit, siq i përshkruan Fishta, i përgjigjen thirrjes se Atdheut, thirrjes se Ali Pashë Gucisë pa dallim moshe. Atje në fushë betejë për të u ndihmuar vëllezërve në brojtje të tokave të veta kanë vajtur edhe djemt e ri:
“Me dy djelm prej Gegëhysenit
E me at t´bir´n e Ragip Cenit,
Nji t´Isniqas djalë të ri,
Ardhë si “ltina” vjerrë m´sergji:
Veç sa lshue `i fije mustak:
Me t´u dhimët m´e vrá per gjak!...“
(Gj.Fishta, „Lahuta e Malcis“, Këngë e shtatmdhetët, faqe 198.)
Zanat, të cilat përsëri e kanë soditur betejën nga një majë aty afër, zënë vend tani në një majë shkëmbi që shihet Sutjeska dhe rrinë në pritje të betejës e cila fillon me mjaftë ashpërsi:
Ushton “huta” bubullimë!
Por, medet! Se copë e grimë...
Por në këtë betejë që ka frymëzim për qëndresë, që ka edhe tronditje shpirtërore, është dashuria për atdhe që trimave u jap kurajo, ju jap forcë dhe shpresë se betejën do ta fitojnë ngase aty janë duke u pa se kanë ardhë vullnetarë për t´ju ndihmue nga të gjitha trevat shqiptare dhe duhet: Me qindrue tjetër nuk ka.
Sepse në mesin e shumë trimave nga harta gjeografike shqiptare, kanë ardhur edhe djemt e Isniqit të cilet e kanë kuptuar se ka ardhur moment sublim, është momenti i bukurisë absolute, është kulmi për ta mbrojtur atdheun nga grabitçaret. Çka do të thotë se, pikërisht, është momenti për formimin e Shqipërisë se vërtetë gjeografike. Kështu, edhe figura e luftëtarit nga Isniqi ndërtohet me simbole të qëndresës heroike, me pak fjalë:
“...Gjurmë per gjurmë e njitë mas ti,
Vjen nji Omer e ´i Hasan Haxhi:
Njani Isniq, tjetri Nokshiq:
Zot, n´dorë t´tyne kend mos piq,
Pse t ´a bajn, besa per vigj...” (Po, aty, faqe 204)
Krejt në fund (për shkak të natyrës se kësaj tribune), duhet ta them se në rastin konkret, këto dy këngë epike historike pasqyrojnë artistikisht kryengritjen dhe luftën e shqiptarëve për mbrojtjen e tokave e tyre dhe krijimin e shtetit shqiptar brenda Shqipërisë gjeografike-etnike, kurse angazhimi i drejtpërsëdrejti i isniqasve, tregon shpirtin e tyre atdhedashës dhe kontributin e tyre për pavarësi.
No comments:
Post a Comment