Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/07



Shkruan: Shaban MEMIA


Historia ka treguar se përmbysja e vërtetë e tiranisë realizohet vetëm atëherë kur dënohen krimet e saj. Duke mos e dënuar diktaturën ke bërë një marrëveshje të heshtur me të dhe në këto rrethana i jep tiranisë së rrëzuar shpresën e ringjalljes. Duhet të jemi të qartë se dënimi i krimeve të një epoke është domosdoshmëri historike. Ky dënim nuk realizohet për hakmarrje dhe për të krijuar probleme, por për t’iu dhënë fund spekulimeve, mashtrimit, mjegullës së qëllimshme që po e trondit dhe do vazhdojë ta tronditë përherë e me tepër realitetin shqiptar. Ky proces është i dhimbshëm, por i shëndetshëm, ashtu siç është një ndërhyrje kirurgjikale e domosdoshme.


Këtë mision duhet ta realizoje e djathta shqiptare duke përdorur të gjitha mjetet e ligjshme dhe demokratike sepse objektivi i vitit 190-1991 i çmontimit dhe çrrënjosjes së komunizmit ka mbetur në mes të rrugës.Kurajë e atyre qe janë përgjegjës për krimet e diktaturës ka arritur deri në ekstrem, sepse jo vetëm që kundërshtojnë procesit e lustracionit por janë kundër asaj që është thelbi i një demokracie, transparencës, madje ata janë bërë agresiv duke u sulur kundër atyre që e kërkojnë transparencën. Stalinistet ashtu si në të kaluarën po krijojnë një terror të vërtetë psikologjik. Mjafton të kujtojmë thirrjet e opozitës për revoltë, për mos bindje civile, pra kjo është ideja e revolucionit permanent.Stalinistët shqiptarë të sotëm kanë korruptuar duke i kthyer shërbëtorë, gazetarë, politikanë te korruptuar, letrarë, ish-spiunë ose bij spiunësh, përdorues të internetit etj. Kjo dhunë verbale kërkon të paralizojë çdo përpjekje për zbulimin e tmerreve ende të pazbuluara të regjimit që shkoi.E keqja më e madhe e kësaj dhune është se kjo shkatërron çdo prirje për shëndoshje morale, e cila sot është e nevojshme për kombin shqiptar. Indirekt kjo dhunë është nënshtrimin përpara gënjeshtrës dhe heshtje plot turp përpara saj. Kjo situatë është fatale, në mënyrë të veçante për brezat e rinj.
Mbrojtje e së keqes dhe goditja e njerëzve që e kanë pësuar prej saj është një shenjë dëshpëruese. (Sot persekutorët trajtohen me pensione, madje dhe speciale dhe viktimat rropaten pas dëmshpërblimit modest për vitet e burgut. Persekutorët u dëmshpërblyen për vitet e burgut që u dënuan në vitet e para të demokracisë.) Kështu në vitin 1996 disa ish-anëtare të Byrosë Politike u dënuan për gjenocid dhe për krime kundër njerëzimit. Për turpin e shtetit shqiptar ata, me ardhjen në pushtet të ish-komunistëve, u shpallën të pafajshëm dhe u dëmshpërblyen, në një kohë që viktimat e tyre vdesin duke pritur dëmshpërblimin për vitet e burgut.Gjithashtu pas ngjarjeve të vitit 1997, me kthimin në pushtet të ish-komunistëve, jo vetëm që u rikthyen në punë shumica e sigurimsave, hetuesve dhe përfaqësues të nomenklaturës së vjetër, por në mënyrë të kundra-ligjshme, nën pretekstin e të drejtave që lindin nga statusi i ushtarakut, marrin dhe pensione suplementare të larta si shpërblim për dhunën ndaj shqiptarëve. Kjo është shkalla më e lartë e korrupsionit Shqipëria duhet ta verë në gjunjë këtë korrupsionin, se përndryshe ajo do të vihet në gjunjë prej tij.Për të penguar njohjen dhe zbulimin e dimensionit të krimit komunist dhe në mënyrë të veçantë për ti bërë barrierë dënimit të tij, sot është mobilizuar një armatë e tërë. Me shantazhe, presione, me kërcënim, me para, me dredhi, me të gjitha mënyrat e mundshme, kjo ushtri e thirrur në shërbim po përpiqet të mbulojë të vërtetën.Sistemi i përmbysur ka qenë aq i egër, mizor dhe i pabesë sa ka shkatërruar çdo element të lirisë. Kjo mizori nuk ka njohur kurrë as falje e as mëshirë dhe as pendese, prandaj si e tillë nuk i meritonte ato.”Ëndrra e kriminelit duhet të jetë pendesa”,- këtë këshillë u jepte i madhi Aleksandër Dyma të prapëve për të gjetur qetësinë.Duke mos dënuar krimet e diktaturës, me dashje apo pa dashje, është rënë në lojën e instrumenteve dhe armatës së diktaturës së përmbysur, dhe nuk është kuptuar se është bërë një gabim fatal duke harruar atë që nuk duhej harruar.Në demokracinë shqiptare është vërejtur gjatë këtyre 20 viteve se diçka themelore nuk po ecën . Ajo është penguar, deformuar dhe ngadalësuar, duke u shfaqur paradoksi tjetër i madh se ajo që përfitoi më së shumti nga demokracia ishte diktatura e rrëzuar. E inkurajuar kështu nga mos-dënimi i krimeve, ajo jo vetëm qe shumë shpejt filloi të ushqehej me shpresën e rikthimit në pushtet dhe tek privilegjet e humbura, por këtë e beri realitet. Ajo, gjatë këtyre viteve, nga njëra anë është bërë me pasuri brenda dhe jashtë vendit, është bërë zotëruese dhe kontrolluese e mendjes elektronike dhe të shkruar me mbështetje të mafies vendase e të huaj dhe nga ana tjetër, në mënyrë të veçantë për t’ia arritur qëllimit, kishte dy armata të fshehta në dispozicion: Atë të spiunëve, dhe tjetrën, atë për të cilën është folur shumë pak por që është më e rëndësishmja, ushtrinë e njerëzve të cilët nuk kanë qenë në listat e spiunëve por që kanë qenë të përlyer më shumë se vetë spiunët. Ata që kanë gatuar çorbën janë të parët dhe jo ata që kanë ngrenë një lugë çorbë. Pas ngjarjeve të vitit 1997, me ardhjen në pushtet të ish-komunistëve në mënyrë të rrufeshme u amendua disa herë Ligji Nr. 8043 date 30.12.1995, “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve dhe personave të tjerë që lidhen me mbrojtjen e shtetit demokratik”, i cili e humbi funksionin për atë që ishte miratuar. Kështu u rikthye në punë shumica e sigurimsave, hetuesve dhe pinjollët e diktaturës etj, madje dhe në poste të larta, në “profesionin” që ata e kishin “zanat” kundër “krimit politik”.Gjatë viteve të demokracisë këto forca kanë futur në dorë një pjesë të jetës publike, të diplomacisë, të shërbimeve të fshehta, institucioneve qendrore dhe lokale, janë në krye të strukturave partiake dhe sidomos në sektorin e ekonomisë. Ato arritën të infektonin të djathtën, një pjesë të së cilës e kishin pasur në kontroll qysh në krijimin e saj. Me sa duket, në këto rrethana lindi një marrëveshje e heshtur ndërmjet të dy krahëve të politikës për të mos prekur ish-agjentët e fshehtë nga që secila palë kishte pjesën e vet në këtë llum të zi.Edhe në Shqipëri u importua tradita famëkeqe e KGB-së sovjetike, e zhdukjes dhe fabrikimit të dosjeve. Po kështu intriga, shpifja dhe veprimtaria ilegale e oficerëve të shërbimit sekret dhe të hetueseve është kthyer në armë për të goditur ata që kanë dhënë kontribute për rrëzimin e diktaturës dhe që i janë përkushtuar demokracisë si dhe kanë kërkuar e kërkojnë bërjen e drejtësisë. Dalë ngadalë ata që mbollën mortajën e diktaturës dhe duhet të përgjigjeshin e dënoheshin për të, arritën të dalin në krye, dhe mjedisi gradualisht po ndërgjegjësohet se kjo është elita, se ata janë të parët.Në këtë rrafsh, pika kulminante arrihet katërmbëdhjetë vjet pas rënies së komunizmit totalitar në Shqipëri, në vitin 2005, kur parlamenti shqiptar mori vendimin e turpshëm kundër hapjes së dosjeve për deputetët. Ky turp mund të konsiderohet historik sepse nuk ka ndodhur në asnjë parlament të vendeve të tjera. E gjithë kjo është shpjeguar me argumentin cinik se përjashtimi nga kandidimi i deputetëve spiunë ishte një shkelje e të drejtave të njeriut. Kjo i ka vënë kapakun duke damkosur gjithçka dhe përbën një epilog të turpshëm të parlamentit shqiptar. (….. para së gjithash këto janë sfida politike…) E majta dhe nomenklatura e diktaturës ka kundërshtuar me forcë prej 20 vitesh çdo përpjekje për dënimin e krimeve të komunizmit.Duhet sjellë në kujtesë se në vitin 1995, për Ligjin nr. 8043, datë 30.11.1995. “Për kontrollin e figurës së zyrtarëve…”, ka pasur kundërshtime të mëdha nga e majta ende komuniste dhe e përlyer me të kaluarën, që nuk kishte treguar as pendesë e as kishte kërkuar falje. Po kështu për ligjin e lustracionit, Ligji Nr. 10 034, datë 22.12.2008, “Për pastërtinë e figurës së funksionarit të lartë….”, u aktivizua në mënyrë të rrufeshme dhe asgjësuese aleanca e bashkëpërgjegjësve në krim, lidershipi i PS-së, drejtues që gjendeshin në krye të institucioneve kushtetuese, të gjithë mëkatarë si dhe zyrtarë e të përfshirë në administratë pas ngjarjeve të vitit 1997. Ky ishte kori i kundërshtarëve të dënimit të krimeve të diktaturës të cilët duke qenë kundërshtarë të përbetuar të demokracisë, ia dolën ta rrëzonin në Gjykatën Kushtetuese ligjin, nën argumentimin cinik të shkeljes së të drejtave të njeriut të atyre që kanë qenë ideator dhe realizues të krimeve monstruoze në diktaturë, pasi ata nuk mund të përfshiheshin në jetën politike në mënyrë aktive.Po kaq e rëndë dhe hije e zezë e zhvillimeve të demokracisë, është shantazhi brenda grupimeve dhe ndërmjet krahëve të politikës me lojën e dosjeve të bashkëpunëtorëve të sigurimit. Duke u larguar nga veprimtaria legale e nomenklaturës e cila ideoi dhe realizoi krimet e diktaturës staliniste, secila palë me kurthin e dosjeve mban zap jo njerëzit e vet, por edhe një pjesë të palës tjetër. Kështu shpjegohet paradoksi i madh që ka zyrtarë të së djathtës që janë po aq të zellshëm për të mbuluar krimet e komunizmit, njëlloj si të ishin të majtë.Kategoria e bashkëpunëtorëve përbën një armatë prej disa mijëra, dhe këta mijëra njerëz janë rekrutuar në rrethana të ndryshme, disa në kushte çnjerëzore, duke u gjetur në situata të vështira, natyrisht disa e kanë pasur me shumë zell këtë punë, por disa të tjerë e kanë bërë edhe të detyruar.Vetëdija njerëzore tregon se , sa me të ndjeshëm të jemi ndaj kësaj katastrofe të ndërgjegjes, aq më të pandjeshëm duhet të jemi ndaj atyre që e kryen këtë punë me zell dhe më të ashpër ndaj atyre që e kryen të njëjtën punë pa i detyruar kush. Për sa i përket atyre që përbënin kupolën e nomenklaturës së kuqe e cila ka krijuar këtë mjerim biblik, as që mund të mendojnë për mirëkuptim, çka do të ishte një krim i dytë për shoqërinë shqiptare. Vlerësim krejt të kundërt duhet të kemi për ish-nomenklaturën e cila për ironi të fatit është quajtur “elitë” e vendit dhe ka luajtur rolin kryesor në jetën e tij. Sistemi piramidë tregon se sa më i lartë ka qenë posti, aq më i madh bëhet faji për të arritur deri te maja e kupolës.Në Shqipëri duhet të çrrënjoset njëherë e përgjithmonë ideja e gabuar se kanë qenë si kanë qenë udhëheqësit, punët e liga i kanë bërë spiunët profesionistë. E vërteta është krejt ndryshe. Mbi “elitën” udhëheqëse jo vetëm rëndon fakti i realizimit të kësaj murtaje dhe i krimit madhor, por ajo kastë i ka bërë të gjitha punët e pista të spiunimit. Po ti referohemi të dhënave historike që nga krijimi i Partisë Komuniste, në vitin 1941, krerët e saj kanë denoncuar njeri-tjetrin tek Stalini, Titoja, tek jugosllavët, tek rusët, derisa spiunimi u kthye rit familjar duke u ngritur në sistem.Pinjollët e diktaturës nuk mund të përdorin më legjendën poshtëruese aq shumë të përhapur se zyrtarët e lartë ushtruan terror nga që ishin të keqinformuar. Gjithashtu drejtuesit e institucioneve kryesore të terrorit intelektual nuk mund të justifikohen se ishin të detyruar nga lart të bënin ato që kanë bërë. Të dyja palët janë të përlyera deri në grykë, të mpleksura në një aleancë monstruoze, e cila shumë rrallë herë mund të ndeshet në histori. Prandaj në transparencën e krimeve të diktaturës duhet kapur dreri për brirësh për të nxjerrë të vërtetën lakuriq. Këtë të vërtetë mund ta japë vetëm dhe vetëm bota e dokumentacionit. Bota e mashtrimit, më fort se çdo gjëje i trembet dokumentacionit.
Pikërisht për këto motive nga viti 1991 e deri më sot u janë sulur dëmtimit të arkivave në të cilat është fiksuar kujtesa historike e diktaturës. Gjatë viteve janë asgjësuar 39518 dosje (nga të cilat 29453 në tri vitet e fundit). Eksponentët e organeve të diktaturës , jo vetëm që kanë zhdukur, falsifikuar dosjet e tyre por imoraliteti arrin në shkallën më të ligë që mund të përfytyrohet duke falsifikuar jetëshkrimet për periudhën që kanë shërbyer në këto struktura të krimit politik dhe mashtrojnë zyrtarisht emërtesat për të uzurpuar strukturat shtetërore si dhe ato politike. Akoma me shqetësuese dhe shumë e rrezikshme është kapja e medies nga stalinistet që kërkojnë të fshehin krimet e tyre. Sot është tepër e vështirë të përpiqesh të botosh dokumentacion zyrtar, autentik, madje kur nuk janë sekret, në përpjekje për të bërë transparencën për krimet e ish-zyrtarëve të organeve të diktaturës se proletariatit. Kori i bashkuar kundër hapjes së arkivave të fshehta, ato që janë kusht i domosdoshëm për çdo demokraci e çdo qytetërim, tregon qartë se sa larg qytetërimit ndodhet ende sot një pjesë e shoqërisë shqiptare. Kodi i moralit kërkon që kur vihen përballë moraliteti me imoralitetin, në mënyrë të natyrshme dhe të vetvetishme kalon në anën e moralitetit.Kjo aleancë dhe ky kor jo vetëm që është kundër viktimës, por në mënyrë të hapur bëhet mbrojtës i dhunuesit (shtypësit, diktatorit). Kjo aleancë përbëhet nga dy grupe: grupi i parë përfshin bashkautorët në krim që i lidhe dhe i bashkon ata, dhe grupi i dytë janë një tufë zyrtarësh të mesëm e të lartë, ata që dje ishin buka dhe kripa e diktaturës, e që sot i gjen kudo në jetën e sotme politike, deputetë, kryetarë partish, diplomatë, shefa, mbi shefa e nën shefa pa fund.Tabloja rozë që del prej tyre është fyerje e rëndë për vuajtjet e këtij populli. Trimërimi i së keqes staliniste, arroganca, fryma revanshiste e saj, dëshmohet pikërisht tek politikë bërja e lidershipit të majtës Shqiptare.Këtej e kanë origjinën sëmundjet kronike të politikës të manifestuara nga e majta shqiptare gjatë këtyre 20 viteve si: Mosnjohja e zgjedhjeve, bojkotimi i institucioneve kushtetuese dhe i parlamentit, politika e rrugës e të tjerë. PS-së në vitin 1996 -1997 deri sa i vuri zjarrin vendit nuk u kthye ne parlament. Pas zgjedhjeve të vitit 2009, ku nuk ka bërë asnjë ditë jetë aktive institucionale përveç se qëndrime bllokuese e destabilizuese. Këto jo vetëm përbejnë turpet te neveritshme të jetës politike në vendin tonë, por do ta kishin zili grupet terroriste marksiste – leniniste. Lidershipi i PS-së nuk pranon demokracinë dhe rregullat e saj pa u dënuar krimet e regjimit totalitar stalinist për mizoritë e kryera në Shqipëri. Përpjekjet për shëndoshjen morale të Shqipërisë po bëhet kusht për ekzistencën tonë të mëtejshme.Evolucioni i shoqërisë njerëzore nga lashtësia deri më sot është historia e hapjes e transparencës dhe e përpjekjes drejt të vërtetës dhe jo histori e mbylljes nëpër skuta. Duke mos u bërë transparenca dhe duke mos u dënuar krimet e diktaturës staliniste po dëmtohet rëndë institucioni i përgjegjshmërisë individuale dhe kolektive i cili është garant i zhvillimit dhe progresit të vendit. Kjo është trashëgimia më e keqe që mund tu lesh brezave. Në këto rrethana po krijohet ideja se mund të bësh gjithçka dhe nuk mban përgjegjësi dhe akoma më keq nuk përgjigjesh. Pse qytetërimi ka krijuar procesin e Holokaustit, Gjykatën e Hagës për të gjykuar krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin?! Pse nuk parashkruhen në konventat dhe kushtetutat e vendeve demokratike krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi?! Këto instrumente janë krijuar për tu mbrojtur nga e keqja e cila duhet dënuar. Kjo gjykatë ka gjykuar Sllobodan Millosheviçin dhe të tjerë.Në këto rrethana duhet sjellë ndërmend sentenca e ish-presidentit të SHBA-së, Klinton, “Kujtesa është mbrojtja më e mirë”.Shqipëria në rast se nuk bën lustracionin, liria, demokracia, siguria, integrimi nuk do të jenë reale por vetëm virtuale.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...