Femra që kurrë nuk u dorëzua
Sot pas shumë vitesh, organizimin që e bëri gjatë luftës Flora Brovina nuk e konsideron aktivitet politik, por situatë ku kërkohej nga secili ta kryejë punën e vet aty ku e kërkonte nevoja. Aktiviteti i Flora Brovinës ishte aq i rëndësishëm dhe me rezultate në atë kohë, saqë arriti ta themelonte spitalin më të madh emergjent në mes të Prishtinës
Të shkruash për Flora Brovinën e të mos i vësh në pah virtytet e saj të larta humane është e pamundur. E cilësuar nga shumëkush shembull i humanizmit dhe atdhetarizmit të pashembullt, Flora Brovina të bën për vete me ëmbëlsinë dhe urtësinë e saj.
Fëmijëria dhe rinia
Lindi në Skenderaj, ku qëndroi vetëm tre muaj për t'u shpërngulur në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar ne Prishtinë, aty e kreu edhe shkollën fillore dhe të mesme. Vajza e një familje intelektuale gjakovare, e lindur në Skenderaj dhe e rritur në Prishtinë, ka një përgjigje shumë interesante për ata që interesohen se si u bë kështu? “Kjo ndarje dhe përkatësi regjionale më pengon, andaj nuk kam dëshirë as ta përmend; kur me pyesin nga jam, përgjigjem me të drejtë ‘nga Kosova’, sepse secilin vend të saj e dua dhe e ndjej timin”.
Kur përmendet fjala “fëmijëri”, jo të gjithë njerëzit mund të kujtojnë lumturinë dhe harmoninë familjare në gjirin e prindërve. Duke qenë bija e një atdhetari të madh të çështjes kombëtare, Flora Brovina, që në fëmijëri do ta marrë mbi supe një pjesë të vuajtjes shekullore të popullit shqiptar.
Ne klasën e parë babai i burgoset për bindjet e tij politike dhe dënohet me 10 vjet burg. Kjo ishte një goditje e madhe për familjen: në një shtëpi me qira kishin mbetur gjashtë femra: stërgjyshja, gjyshja, nëna shumë e re dhe tri motrat fare të vogla.
Tregimi i saj të prek thellë në zemër, ta krijon pasqyrën reale të vuajtjeve që ka përjetuar populli shqiptar. E vuajtur dhe krenare ajo shprehet: “Në këtë moshë do t’i njoh pritjet para burgut të Prishtinës, të Pejës e të Nishit, për t’u takuar me babanë, do ta njoh mallin për të. Do të njihem dhe do ta ndjej intimisht se çka do të thotë të jesh familje e lëçitur jo vetëm nga pushteti”.
Pasojat e këtyre përjetimeve ajo i ndjen edhe sot, por këto do ta inspirojnë në rrugën e saj e jetësore. Ajo nuk i harron edhe më të dashurat e veta: ”Jam shumë falënderuese ndaj gjyshes dhe nënës sime për dashurinë dhe edukimin që ma ofruan, më mësuan dashurinë ndaj atdheut dhe kombit i cili meriton çdo sakrificë dhe përkushtim”.
Pas kryerjes së shkollës së mesme, nxënësja e dalluar nga Prishtina kishte propozime të ndryshme se nga duhet t’ia trasonte rrugën vetes. Në shpirtin e saj mbizotëronte dashuria për njerëzit dhe ajo e zgjodhi mjekësinë, për të qenë kështu më afër njeriut. Krahas shkollimit të vazhdueshëm, Flora shkruante poezi dhe tregime. Ajo ishte shpirt artisti, energji e cila do t’i reflektohet gjatë gjithë jetës.
Shkollimi
Studimet i filloi në Beograd. Pas kryerjes së vitit të parë, u kthye në Prishtinë për të vazhduar studimet, sepse po atë vit ishte hapur këtu Fakulteti i Mjekësisë. Kthimi në Prishtinë për Florën do të thoshte kthim në “profesionin e zemrës”, në poezinë dhe librin shqip në përgjithësi. Krahas vazhdimit të studimeve ajo punoi si gazetare në të përditshmen “Rilindja”.
Aty punoi për nëntë vite me radhë. Kohën sa punonte në gazetari e cilëson si periudhë shumë të rëndësishme në jetën e saj: “Si gazetare do ta mësoj lirinë personale e lirinë ekonomike, që janë shumë të ndërlidhura. Do ta botoj librin tim të parë, do të dashurohem në krijuesin dhe studentin më të mirë të Fakultetit Ekonomik, tregimtarin, poetin dhe dramaturgun Ajri Begu, me të cilin do ta kalojmë jetën deri më tani, me dy drita në jetën tonë, bijtë tanë Uranikun dhe Yllin”.
Me 1973 pranohet në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës. Duke e pasur parasysh rolin e krijuesit në shoqëri në atë kohë, Flora ndjehej shumë e privilegjuar me respektin dhe nderimin që i bëhej, sado që ishte një ndër femrat e para dhe të pakta poete.
Pas diplomimit, ajo kishte një dilemë të madhe, sepse profesioni i gazetarisë e kishte përvetësuar aq shumë, saqë nuk bënte ballë ta linte. Ishin demonstratat e vitit 1981 ato që ndikuan te Flora për lënien e gazetarisë dhe përkushtimit në mjekësi. Puna me fëmijë e bëri Flora Brovinën për vete; ajo krijoi një lidhje speciale shpirtërore që i përgjigjej pikërisht ndjenjave humane që i zotëronte ajo. Lidhja e fortë shpirtërore me fëmijët ishte shtysë e fortë për Florën të shkonte për të specializuar në Zagreb, pikërisht në pediatrinë e fëmijëve. Njëkohësisht i kreu edhe studimet postdiplomike në drejtimin e pediatrisë.
Kthesa e madhe
Ndërkohë situata në Kosovë po bëhej gjithnjë e me e rëndë. Si intelektuale dhe atdhetare e devotshme, Flora Brovina do të gjendej përkrah vëllezërve dhe motrave që punonin e luftonin për lirinë e këtij vendi. Ajo ishte një ndër nënshkrueset e grupit të intelektualëve në një letër të njohur si “Letra 205". Ne gazetën studentore “Bota e Re” ajo do ta botojë një letër të hapur drejtuar Sllobodan Millosheviqit (1990). Kjo ishte mjaft e guximshme për atë kohë. Ndërkaq ky veprim nuk kaloi pa u vërejtur nga pushtuesi.
Situata vinte e rëndohej çdo ditë, ndërsa populli i Kosovës kishte nevojë për prijës të rinj. Momenti kërkonte një qasje tjetër, andaj Flora Brovina bashkë me disa bashkëveprimtarë si: Hajri Begu, Jusuf Buxhovi, Milazim Krasniqi, Bujar Bukoshi e shumë të tjerë, duke pasur për bazë statutin e partisë “CDU” në Gjermani, e krijuan idenë për themelimin e një partie gjithëpopullore e cila do t’u printe proceseve. Kështu lindi ideja për formimin e Lidhjes Demokratike te Kosovës. Mbledhja themeluese u mbajt ne lokalet e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës dhe faktikisht ky ishte fillimi i hyrjes në politikë për Flora Brovinën.
Duke e konceptuar si një formë rezistence kundër dhunës dhe pushtimit serb, ajo e udhëhoqi “Forumin e Gruas Demokratike të Kosovës”. Por, meqë nuk mund të pajtohej me humbjen e kohës kur situata vinte e rëndohej çdo ditë, pas kuvendit të parë të këtij forumi, ajo u largua nga LDK-ja. Disa muaj më vonë, me insistimin e grave aktiviste, ajo do ta themelojnë “Lidhjen e Gruas Shqiptare”. Aktiviteti i këtij forumi ishte shumë i rëndësishëm. Përveç kontaktit dhe ndihmës së vazhdueshme për gratë e Kosovës, ky forum vuri kontakte me gratë e regjionit dhe të botës për ta treguar të vërtetën për situatën në Kosovë.
Lufta kundër “popullit tim”, siç e quan Flora, do të fillojë mu aty ku asaj i dhemb më së shumti, pikërisht kundër fëmijëve. Ne pranverë të vitit 1990 në Kosovë do të bëhej “segregacioni” në shkolla, në punë, në çerdhe e ku jo. Disa muaj ose javë më vonë ndodhi helmimi masiv i fëmijëve shqiptar, kur u helmuan më shumë se 7.000 fëmijë. Të gjendur përballë kësaj situate, Flora dhe bashkudhëtarët e saj për liri nuk mund të rrinin duarkryq; ajo nuk dorëzohej pa e gjetur diagnozën e saktë të këtyre helmimeve. Por, pushtuesit nuk u ndalën. Andaj ajo do ta kishte fatin e keq që të ishte e përjashtuara e parë nga puna së bashku me dhjetëra mjekë të fëmijëve.
Largimin nga puna e përjetoi shumë rëndë, aq më shumë kur e mendonte nevojën e madhe që kishin njerëzit për të dhe për kolegët e saj. Pas këtyre ngjarjeve Flora Brovina u detyrua që profesionin e vet ta ushtrojë në mënyrë ilegale, vetëm që t’i dilte në ndihmë “popullit të saj”. Këtë aktivitet Flora nuk e kreu vetëm. Me të ishin edhe Xhemile Ruhani, inxh. Aziz Pacolli, psikologia Elizabeta Dernaku (polake, e cila u helmua sepse dyshohej se shoqërohej me Flora Brovinën).
Sot pas shumë vitesh, organizimin që e bëri gjatë luftës Flora Brovina nuk e konsideron aktivitet politik, por situatë ku kërkohej nga secili ta kryejë punën e vet aty ku e kërkonte nevoja. Aktiviteti i Flora Brovinës ishte aq i rëndësishëm dhe me rezultate në atë kohë, saqë arriti ta themelonte spitalin më të madh emergjent në mes të Prishtinës, i cili ishte në Bregun e Diellit, e që pakkush e di këtë (sot është çerdhe e fëmijëve). Themelimi i këtij spitali ishte shumë i rëndësishëm, sepse aty u përgatitën një numër shumë i madh i njerëzve të aftë për dhënien e ndihmës mjekësore për nënën, fëmijën dhe secilin që kishte nevojë, një plan i cili i përfshinte edhe pjesëtarët e UÇK-së. "Ndoshta kjo është arsyeja pse unë u arrestova nga policia dhe u quajta ministre e Shëndetësisë”, kujton atë kohë protagonistja e këtij rrëfimi.
Pranverën e vitit 1999 Flora e kujton si një “episod të dhimbshëm” për Kosovën. Puna që e kreu Flora Brovina dhe detyrat që ishte gati për t’i marrë, bënë që ajo të arrestohej dhe të burgosej. E kujton edhe dënimin e saj me 12 vite dhe shprehet: “Me shpallën terroriste ata që masakruan e vranë burra e gra, fëmijë të pafajshëm, ata që zhdukën mijëra e mijëra njerëz, ata që dhunuan gra, nuse e vajza të reja, ata që duart i kishin me gjak dhe sytë e pangopur të bishës”. Edhe pse e dënuar me 12 vite, presioni (i kthyer në ndërgjegje) i madh kombëtar e ndërkombëtar bëri që ajo të lirohej pas një viti e gjysmë. Edhe pse u mundua dhe vuajti shumë për këtë vend, ajo thotë se e konsideron si një sakrificë të shpërblyer nga populli me pritjen madhështore që ia bënë.
Ajo u shpërblye me çmime të shumta kombëtare e ndërkombëtare. Çmimet ishin nga fusha të ndryshme: për paqe, humanizëm, art dhe poezi.
Edhe pse me një jetë “histori” të gjatë angazhimesh, ajo edhe sot e kësaj dite preokupohet nga çështjet madhore që kanë të bëjnë me kombin në përgjithësi. Ajo shprehet se është koha e fundit që ne si popull ta zëmë hapin e humbur qindravjeçar, që të bashkohemi kundër armikut tonë të dëshmuar dhe të deklaruar në vazhdimësi, t’ia kthejmë dinjitetin vendit, t’i lëmë ndasitë dhe interesat personale, gjithmonë duke kujtuar me krenari sakrificën e madhe të popullit tonë.
No comments:
Post a Comment