Agjencioni floripress.blogspot.com

2012/11/06

SILOGJIZMI LETRAR PËR SIMBIOZËN ME THESARET



Muharrem Blakaj: “THESARET E HUMBURA”, roman, botoi ShKSh “Mëmëdheu”,

St. Gallen / Prishtinë 2005, faqe 156. ISBN: 9951-423-04-3

Shkruan: Shefqet DIBRANI

Romani i Muharrem Blakajt “THESARET E HUMBURA”, është një vepër letrare e veçantë, qoftë për tematikën e qoftë për mënyrën e rrëfimit, sidomos për konceptimin e ngjarjes. Muharrem Blakaj ka arritur të avancoj mënyrën e shkrimit, duke e bërë veprën - rrëfim interesant, një materie letrare që percepton me kujdes ngjarjen e cila lidhet me zhvillimet historike, duke e mbajtur lexuesin në ankthin e asaj ngjarje që ka ndodhur në kohëra të largëta. Ky roman i shkruar me kujdes, rikujton ato vite, ato rrethana politike, të njohura për shumë kënd. Kjo prozë letrare pa vështirësi mund të bëhet skenar filmi dhe mund të dramatizohet duke nxjerrë një film a vepër skenike për “thesaret e humbura” me vlerë dhe interes specifik.

Autori, qysh me romanin e tij të parë “Misioni sekret” ka dhënë shenja të një autori serioz për prozën e gjatë - romanin. Me romanin “Thesaret e humbura”, vetëm sa e ka sforcuar rrëfimin duke e bërë tekstin më konciz dhe romanin më të pranueshëm në aspektin estetik.

Pa dyshim autori, me këtë roman i qon edhe më tej vlerat letrare në fushën e prozës, duke sjell për lexuesin një roman edhe më të realizuar në aspektin ideor, vlerë kjo që e ngrit edhe anën estetike por edhe atë përmbajtjesore të romanit në përgjithësi.

Ngjarja e këtij romani zhvillohet në një “qytet” që gjendet diku në Rrafshin e Dukagjinit, kurse ndodhitë janë vendosur në vitet e tridhjeta të shekullit që lamë pas, në kohën e “stabilitetit?!” të Mbretërisë serbo-kroate-sllovene (SKS). Themi kështu jo vetëm nga pikëpamja e lëndës që ka shtruar autori por edhe në aspektin historik mund të besohet se vitet e tridhjeta të shekullit të kaluar ishin vitet kur administrata e Mbretërisë SKS në Kosovë dhe mbarë Rrafshin e Dukagjinit ndihej më e qetë. Ndoshta është edhe kjo një vlerë tjetër e këtij romani kur autori me vetëdije e merr këtë periudhë dhe një “qytet” i cili ndodhet në këto anë, që për njohësit e Kosovës nuk është aq vështirë për ta ditur se për cilin qytet bëhet fjala. Me këtë roman shihet se autori e njeh mirë fushën e hulumtimit dhe të studimeve gjë që ia kanë mundësuar të shtroj rrëfimin me kaq kulturë, dhe të shpjegoj shtrembërimet e fakteve historike që i ka bërë vazhdimisht Serbia, dhe përmes këtij rrëfimi interesant ka mbrojtur të vërtetën shqiptare për Kosovën.

Në këtë roman Muharrem Blakaj do të shpjegon se këto pushtete kanë dëmtuar e asgjësuar objektet e kultit dhe të fesë, madje kanë dëmtuar edhe varrezat, pastaj kishat dhe kalatë e ndryshme, mënyra këto që mendonin se ua mundësojnë për të kryer misionin e tyre shkatërrues mbi të gjitha monumentet arkeologjike që i ruante nëntoka e këtij vendi. Siç shihet edhe nga romani ekspedita serbe do të shkon në “Krahinë”, në një “qytet të huaj”, përkatësisht të paidentifikuar, për ta zhbërë ekzistencën e popullit shqiptar, dhe në aspektin historik për t’ia shkatërruar vlerat nëntokësore që janë ruajtur për shekuj të tërë.

Vendosja e ngjarjes në këto kohëra me ngatërresa politike është bërë për të shpjeguar edhe një formë të dhunës që bënte unitarizmi dhe shovinizmi serb, i cili vepronte i papenguar në spastrimin etnik nga elementi njerëzor që jetonte mbi tokë, e për të vazhduar shkatërrimet me përmasa barbare edhe në “thesaret” që i ruante nëntoka e këtij vendi. Janë këto dy elemente që shpjegojnë dhunën që ka përjetuar populli ynë për shekuj me radhë në njërën anë, dhe në anën tjetër e bënë romanin me një strukturë të qëndrueshme, një rrëfim të qartë dhe me personazhe konkrete, disa mjaftë karakteristik, të tjerë edhe kontrovers, varshmërish nga roli dhe misioni që kanë në kuadër të këtij romani, i cili si një vepër letrare është mjaftë mirë i realizuar. Gjithsesi materia e hulumtuar është shtruar si ide e strukturuar mirë, ashtu sikurse koncepti e përmbajtja që janë mjaftë interesante duke e bërë romanin si një vlerë letrare me përmasa të gjera artistike.

Jo rastësisht autori në romanin e tij “Thesaret e humbura” ngjarjet i ka vendosur në një periudhë të errët e cila përmes zhvillimeve që ndodhin i jep veprës letrare një observim dinamik ku përmes personazheve herë dinamike e herë misterioze shpjegojnë zhvillimet e kohës. Kjo arrihet me mjaftë sukses përmes personazheve karakteristike si: Naçallniku, udhëheqësi i ekspeditës arkeologu Van Joviq, gjeologu Dushko Jevtiq, etnografi Dragomir Marjanoviq, ushtaraku major Dushan Miqiq, vojvoda Miliq Kërstiq të ndihmuar e mbështetur nga miqtë e aleatët tradicional, gjeologu rus Sergej Ivanov, arkeologu francez Fransua Roger, që bëjnë atë aparatin e dhunës që eksplorohet brenda romanit si vepër letrare, ku do të mbështeten e ndihmohen nga konsulli francez e ai rus që janë të vendosur në Mitrovicë, e aty këtu edhe nga element fshataresh shqiptarë si rekuizita të kësaj ekspedite siç është Dan Mujani, apo “korrieri i katundit që të gjithë e quanin “polic”, Keç Syku e ndonjë fshatar tjetër të rëndomtë të cilët kryenin detyrat e tyre që ua jepnin vojvodët e zyrtarët politik të yshtur nga ryshfeti a interesi i tyre.

Në anën tjetër kemi prijësit e popullit që bëjnë rezistencë aktive të njohura në Kosovë dhe veriun e Shqipërisë si kaçak mali, disa prej të cilëve janë personazhe reale si Selman Kadrija, Bardhi i Jusufit, Bajraktari i Podgurit, Misin Kapedani (Musë Tahir Dakaj), Nak Përkiçi (Binak Përkiçi – Dreshaj), Cam Mani, Bel Feka, Ymer Ahmeti e të tjerët, kurse personazhe letrare të romanit janë: Jashar Efendiu, Cenë Dreni, Deli Turileshi, Ukë Xhemalbashi, Sef Beli, Marë Rexha, Dak Lami, Mak Suti, Keq Syku, Sejdi Çekiçi, Mahë Ymeri, Lif Leteci e disa të tjerë më pak të rëndësishëm.

Kjo shtresë qytetare as në kuadër të romanit nuk pajtohen me pushtimet serbe, prandaj ata rezistonin, në mos jo tjetër ata mbronin pragun e shtëpisë, të paktën bënin që pushtuesit në asnjë çast të mos ndjehen të qetë siç dëshmohet nëpër fragmente të romanit ku jetonin me frikën dhe tmerrin i cili herë pas here iu del qoftë nga dehja apo nga dufi që kishin për shqiptarët dhe për këtë “Krahinë të mallkuar?!”.

Në një tablo tjetër si rast tragjik paraqitet fati i intelektualit shqiptar në kohë, fat ky i cili përfaqësohet nga personazhi Kekë Ymeri, përmes të cilit zbërthehet mënyra e shantazhit që u bëhej intelektualëve të pakt që ishin në atë kohë, pastaj mënyra e shpifjes, diskreditimi publik, madje mënyra e implikimit edhe në krime që bëheshin e këta intelektual s’kishin gjë të përbashkët me ndodhitë dhe krimet. Në këtë gjendje e shohim edhe pozitën e intelektualit Kekë Ymeri, i cili në mënyrë perfide është mashtruar e joshur, fillimisht me vendin e punës, e më pas duke e shndërruar në levë të tyre, por karakterin patriotik të një shqiptari të arsimuar Kekë Ymeri nuk e humb e as e devalvon, as si vlerë e as si karakter. Pavarësisht nga rrethanat dhe situata që zhvillohet në roman roli pozitiv i Kekë Ymerit mbetet për t’u admiruar edhe pse vazhdimisht nga shqiptarët do të fajësohet e dyshohet për krimet që i bënin vojvodët të shtyrë nga majori dhe naçallniku, dhe kjo ndodhë sigurisht më shumë për ta bërë ngjarjen e romanit edhe më dramatike, edhe më interesante, dhe shumë herë më të trishtueshme për kohen që ishte me të vërtetë me përmasa tmerruese.

Roli patriotik i Kekë Ymerit, dhe përpjekja e tij e vazhdueshme për të fshehur e shpëtuar atë që mund të fshihej del edhe nga një fragment i shkurtër në të cilin „Kekë Ymeri shtrëngonte grushtet me nervozë”, kur një fshatar do të sillte gjëra me vlera të çmuara arkeologjike për t’ua shitur serbëve të cilët dëshironin që edhe përmes blerjes t’i varfëronin “thesaret” që i ruanin me fanatizëm shqiptarët e kësaj ane:

“– Gabim bërë!... – i foli me zë të ulët dhe qortueshëm fshatarit, Kekë Ymeri.

– Unë i solla për t’i shitur!... – u përpoq të shfajësohej fshatari.

– Këto gjëra nuk shitën! Këto janë të shenjta për... – deshi të vazhdonte edhe më tutje me qortimet e tij, por e ndërpreu Van Joviqi:

– Ku i gjete këto?

– Në Banjë, pranë mureve të kishës së vjetër. – u përgjigj fshatari.

– Kush të ka thënë të gërmosh atje? – pyeti Van Joviqi.

– Të thash! Angari kam punuar! Sot në vendin tim e dërgova vëllain, kurse vet erdha...

– Kush të ka thënë të punosh angari atje?” – pyeti kësaj radhe i nxehur Van Joviqi.

– ... kryeplaku... tellalli! – foli fshatari i skuqur, duke i rrudhë krahët dhe duke shikuar si me dyshim drejt Kekë Ymerit.

Kekë Ymeri në vend të përgjegjës e shikoi qortueshëm.

...

Kekë Ymeri vazhdoj ta shikonte me inate. Fshatari dukej edhe më i hutuar.

– Gurët e bazilikës së vjetër?! Është e mundur kjo? Kush i drejton punimet atje? – pyeti kësaj radhe Fransua!” (faqe 92-93).

Në anën tjetër, edhe pse xhandarmëria e ushtria komandoheshin nga naçallniku, udhëheqësi i ekspeditës arkeologu Van Joviq ndjehej i frikësuar sepse “kullat që i gjeti në këtë provincë të humbur ju dukën të frikshme dhe kërcënuese. Mirëpo prania e majorit, e naçallnikut, e komandantit të xhandarmërisë, e vojvodës, rojet në çdo skaj të qytezës sikur e kishin qetësuar pak”, pasi atë “ka ditë që e shqetësojnë këto dreq gërmimesh. As në gjumë nuk e lënë të qetë!”, kështu duket ngjarja sa e zymtë po aq edhe misterioze edhe për vet udhëheqësin e ekspeditës gjeologun Van Joviq. Kurse roli i Miles, gruaja e majorit, e cila gjatë tërë romanit është përdorur si një rekuizitë për romancat e dashurisë, ku bashkë me pastruesen dhe gruan e shefit të postës, e bëjnë ngjarjen me përmasa tragjiko komike.

Në një plan tjetër shihet edhe roli negativ i Patriarkut dhe i Kishës Ortodokse Serbe që vepronte prej shekujsh në këto anë për ti prezantuar shqiptarët si shkatërrues si barbar. Gjithsesi roli i Patriarkut ishte i rëndësisë specifike ku përmes Kishës ai do të krijon shantazhe duke inskenuar vrasje mizore të familjeve serbe, për të fajësuar pastaj shqiptarët siç del edhe nga ky fragment që po citojmë: “Pastaj, Patriku në shenjë pabesie e tradhtie i kishte larguar nga puna rojet tradicionale shqiptare, që brez pas brezi e kishin ruajtur me besnikëri Manastirin. Njëri nga rojet, që atë natë tmerri kishte qenë në detyrë, kishte deklaruar se gjatë natës në Manastir ishte parë të futej Miomiri me fëmijën e sëmurë. Pastaj kishte dalë i vetmuar dhe pas pak ishte kthyer me të shoqen. Ajo ishte futur në Manastir duke qarë me kuje. Kishte dëgjuar të shtëna, brenda mureve të Manastirit. Vonë, pas mesit të natës, Patriku i kishte thënë të shkonte në shtëpi. Se çfarë kishte ndodhur atë natë të errët, me shi e vetëtima, brenda mureve të Manastirit nuk dihej. Por, dihej se brenda jave, të gjitha rojet shqiptare të Manastirit, ishin gjetur të vrarë!”, (faqe 24).

Mjaftë interesant është përshkruar “Dasma Shqiptare” ku si mysafir të pa ftuar kishin ardhur Van Joviqi dhe Fransua Roger nën shoqërimin e Miliq Kërstiqit, i cili luante rolin e përkthyesit. I zoti i shtëpisë i pret me bujari, i grish mysafiret e paftuar, sipas zakonit shqiptar i ulë në krye të vendit. Me kërkesën e tyre për të vazhduar dasma, për të buçitur kënga e hareja, këngëtarët vazhdojnë këngën e ndërprerë për Betejën e Kosovës dhe kryeheroin e saj Millosh Kopiliqin, për të cilën këngë mysafirëve të paftuar askush nga serbet vendor nuk ju kishte folur. Eposi shqiptar që zbërthente një të vërtetë historike sikur me ngulm kundërshtonte misionin e mysafirëve të paftuar për t’i grabitur thesaret arkeologjike. Ky element epik është një sfidë konkrete që iu bëhej atyre, duke ua shpjeguar se vlerat arkeologjike mund të shkatërrohen, por eposin kaq të pasur, as nuk do të arrijnë ta shkatërrojnë, dhe as nuk do të mund ta blejnë, pasi ai është i ngulitur thellë në mendjen dhe në zemrat e shqiptarëve dhe trashëgohet brez pas brezi. Një gjë e qartë që del nga romani është se serbet e rëndomtë as që dinin kush ishte Millosh Kopiliqi, as për Lazarin e as për Betejën e Kosovës nuk kishin dëgjuar ndonjëherë. Këto epika serbet i kanë dëgjuar vetëm nga shqiptaret dhe me përvijimin e kohës ata i kanë përvetësuar sikurse kanë përvetësuar edhe shumë e shumë ngjarje e momente historike nga kultura, tradita dhe historia shqiptare.

Në një fragment tjetër, si një copëz rrëfimi shtjellohet edhe gojëdhëna e tunelit sekret të Manastirit të Stupenit (Sudenicës), pastaj storie të veçanta janë edhe vrasja e kallugjerve, shpella e Shkëmbit të Kuq, urdhri nga prifti serb për shkatërrimin e gjetjeve arkeologjike, pastaj dalja e ujit gjatë kërkimeve për naftë, masakra e mullirit, sulmi i arkeologëve te Varret e Krushqve, shkatërrimet arkeologjike në Banjë të Pejës, zbulimi i diademës dhe ndërtimi i Kishës Ortodokse me gurët e bazilikës së vjetër në Lumborë e ndonjë detaj tjetër që ka mundur të më përvidhet, janë gjetje letrare që duken si margaritar të ndërtuara mbi ndonjë gojëdhënë, apo nga ndonjë ngjarje ose ndodhi reale që autori i ka vjelë me kujdes duke e veshur veprën e tij edhe me petkun letrar e artistik ka bërë një rifreskim të kujtesës sonë për këto bëma e ngjarje të vërteta.

Në romanin e Muharrem Blakajt “Thesaret e humbura” pos të tjerash lexuesi do të gjen toponime, emërtime, shprehje arkeologjike, gjeologjike, pastaj emra sendesh e mjetesh që e pasurojnë jo vetëm vokabularin gjuhësor dhe e rritin vlerën e librit por pasurojnë e rikujtojnë mendjen e lexuesit për gjëra të harruara a të braktisura nga kohë të largëta. Ky sfond kaq i begatë e ka bërë rrëfimin më interesant, me të tërë dramacitetin e ndodhisë ku i ballafaqon momentet si çastet më intriguese, madje shpesh kundërshtuese të dramës së brendshme të individit apo të shoqërisë si tërësi. Esenca e romanit është për të sjellë situata dramatike si ekzistencë jetësore dhe për të shpjeguar mbijetesën me sfida të mëdha të shqiptarëve.

Edhe elementet tjera siç janë: rrëfimi, kompozicioni, syzheu dhe personazhet e tjera janë vendosur në atë formë që kanë krijuar dramacitetin e ngjarjes, rrëfimin për një histori sa të dhimbshme po aq tragjike të cilat si figura narrative janë përplot dinamizëm dhe figuracion të kapshëm dhe mjaftë real që janë sendërtuar me një mjeshtri për t’u lakmuar, por që e bëjnë romanin më tërheqës dhe më të pranueshëm s’ka dyshim.

Gjithsesi romani “THESARET E HUMBURA” kujton një lloj reminishence nga historia për etnosin dhe hapësirën jetësore që dalin si mesazhe për të tashmen e pakujdesshme që shihet e përjetohet brenda etnosit tone nacional.

No comments:

Post a Comment

Profesor Dr.sci. Shkodran Cenë Imeraj Familja e Isa Boletinit me origjinë nga Isniqi i Deçanit

                                Historiaani Prof.dr.Shkodran  Cenë Imeraj  Zbritja nga vendbanimi i pjesës kodrinore-malore dhe vendosj...