Rexhep TORTE
Në këtë jubile të ndritur mbarëshqiptar të njëqindvjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, duhet bërë të pamundurën që në muajt që na kanë mbetur gjer te shënimi i këtij jubileu t’i ndryshojmë toponimet serbosllave të ngulitura në trojet shqiptare, ose të paktën të krijojmë mundësitë dhe të fillojë procesi i zëvendësimit të këtyre toponimeve me emërtime shqiptare. Në të kundërtën do të dëshmohemi të pandërgjegjshëm, të papërgjegjshëm dhe do tu mbetemi borxh për jetë të jetë të jetëve qindra mijëra e trimave sypatrembur, që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur e çliruar trojet shqiptare dhe kjo padyshim do të mbetej një njollë e zezë në këtë vit jubilar madhështor kombëtar.
Në të gjitha trojet tona të lara me gjakun e trimave tanë duhet të figurojnë toponime që frymojnë shqip. Kjo mund të bëhet shumë më lehtë, sidomos tani në demokraci kur ekziston një sistem i konsoliduar administrativ, arsimor , historik e shkencor, e sidomos në shtetin amë Shqipërinë ku për këtë veprim nuk duhet pyetur askënd.
Po t’i shikojmë hartat gjeografike, ose po të bëjmë një udhëtim nëpër trojet etnike shqiptare në Shqipëri, Maqedoni, Kosovë, Luginën e Preshevës, Malin e Zi dhe Çamëri, do të hasim në shumë toponime serbosllave dhe greke që ta vrasin syrin duke i shikuar dhe veshin duke i dëgjuar. Këto toponime nuk kanë ardhur aq lehtë. Janë bërë luftëra të ashpra dhe është derdhur shumë gjak shqiptarësh autoktonë. Është fakt i pamohueshëm që edhe sot e kësaj dite, në mbarë trojet shqiptare është shumë e përhapur toponimia serbosllave. Historikisht është e njohur se valët e dyndjeve sllave në trojet shqiptare kanë filluar herët. Është shumë interesante se sllavët janë treguar tepër sistematikë dhe agresivë në ndryshimin e toponimisë së vendeve ku shkelnin. Kjo bëhej edhe përmes përkthimit të toponimeve vendase që i hasnin, përmes përdorimit të toponimisë kishtare ortodokse sllave dhe formave tjera. Qysh në Mesjetë në kanonikun e Car Dushanit ka pasur edhe rregulla të zyrtarizuara për ndryshimin e këtyre emrave autoktone shqiptare.
Ndryshimin e toponimeve shqipe serbosllavët e kanë bërë në mënyrë të qëllimshme, të ndërgjegjshme dhe largpamëse, për të ngulitur sa më thellë rrënjët sllave aty ku ata s’kanë qenë kurrë më parë. Sllavët me qenien dhe sjelljet e tyre kanë dëshmuar vuajtjen nga kompleksi. Ata janë ndje të kompleksuar nga mungesa e traditës kulturore dhe e lashtësisë së tyre historike. Me ardhjen e tyre në shekujt e mesjetës në trojet shqiptare, ata u ballafaquan me një qytetërim të lulëzuar dhe një kulturë të lartë ilire. Të gjendur përballë kësaj kulture të zhvilluar sllavët e kanë ndje veten të poshtëruar, dhe kjo i ka shty dhe ua ka shtuar oreksin të punojnë në mënyrë sistematike dhe agresive për afirmimin e pranisë së tyre në këto troje.
Shqipëria përplot me toponime serbosllave
Studimet dhe faktet flasin se kjo e keqe e ka zanafillën nga koha e Car Dushanit, i cili e pushtoi Shqipërinë me dhunë,vrasje, djegie e tmerr të paparë, duke krijuar një territor të okupuar për të pasur pranë edhe detin. Kjo dhunë e madhe e ushtruar ndaj popullatës vendase shqiptare, bëri që të shpërngulet me forcë një numër i madh i shqiptarëve nga trojet e veta. Serbosllavët brenda një kohe shumë të shkurtër arritën ta vendosin toponiminë në fushat, malet dhe qendrat shqiptare të banimit, duke shkelur mbi gjuhën dhe psikologjinë e popullit autokton shqiptar. Serbosllavët kur e pushtonin dhe sundonin një vend, pa marrë parasysh se ai vend kishte toponiminë e vet, ata zbatonin taktikën e konceptuar të mentalitetit të tyre të vrazhdë të vendosjes së toponimeve me gjuhën e tyre sllave. Për fat të keq kjo toponimi sllave në trojet tona është trashëguar gjatë dhe është e pranishme edhe në ditët e sotme. Flitet se në kohën e Mbretit Zog ka pasur disa nisma që toponimet sllave të zëvendësohen me toponime burimore shqipe, por faktori politik dhe shkencor nuk është treguar shumë vigjilent në këtë drejtim. Vizita ime kohë më parë në Shqipëri bëri që për të satën herë të lexoj shumë pllaka metalike të vendosura përbri rrugës e që janë të shkruara sipas toponimisë serbosllave. Kjo më shtyri të blej edhe një hartë të rrugëve automobilistike, ku nga jugu në veri të Shqipërisë figurojnë emërtimet Finiq, Lukovë, Brathaj, Selenicë, Çorovodë, Potom, Novosellë, Patos, Babica e Madhe, Kapaj, Bulgarec, Golem, Divjakë, Lezhë, Ostren, Maminas, Krastë, Mamuras, Sllovë, Gollobërdë, Zllaticë, Dobrac, Bistricë,Bogove, Bradashesh, Dobraç, Dunavec, Morave, Orenjë, Pavlle, Pogradec, Shijak etj. Toponime të këtilla serbosllave ka edhe në të gjitha trojet shqiptare jashtë trungut të shtetit shqiptar që administrohen nga shtetet fqinje.
Emri shqip ruan identitetin dhe autoktoninë
Emri është elementi kryesor dhe legjitim i identitetit të një individi, një populli dhe një vendbanimi. Gjuha dhe emri janë argumentet që i japin kuptim, frymë dhe jetë lirisë së njeriut. Copëtimi i trojeve shqiptare në pesë shtete ka bërë të vetën dhe ka lënë pasoja të thella edhe në ndryshimin e toponimisë autoktone shqiptare. Çuditërisht ky fenomen me dekada është duke u parë nga shqiptarët me një indiferentizëm dhe gjakftohtësi që nuk duhet lejuar. Kuptohet se shqiptarët që jetojnë në trojet e veta por në shtetet fqinje e kanë më të vështirë të marrin nisma për kthimin e toponimisë autoktone shqiptare,e lidhur me këtë kanë njëfarë arsyetimi, pasi ende nuk janë duke i gëzuar të drejtat tyre të plota e legjitime. Por shteti amë Shqipëria që gëzon pavarësinë e saj një shekull të plotë , nuk mund të gjejë asnjë arsyetim pse nuk e ka filluar dhe pse nuk e ka bërë gjer më sot zëvendësimin e toponimeve të huaja serbosllave me ato autoktone shqiptare. Për fat të keq gjer më sot ne nuk kemi dëgjuar që të jetë ndërmarrë ndonjë nismë e kësaj natyre.
Organizmat shkencore shqiptare dhe intelektualët e organizmat administrative vendore, duhet pa humbur kohë të ndërmarrin një fushatë dhe veprim konkret për të bërë shumëçka në këtë drejtim. Akademia e shkencave e Shqipërisë dhe Instituti i historisë, Instituti i gjeografisë dhe Instituti i gjuhës shqipe, i kanë të gjitha mundësitë dhe lirinë për ta studiuar mirë toponiminë dhe mikrotoponominë vendase, për të gjetur e zbuluar toponimet e hershme shqipe të këtyre vendeve të zëvendësuara me toponime serbosllave dhe për t’i kthyer sërish në gjuhën shqipe. Këtë angazhim dhe aktivitet duhet ta marrin në dorë edhe organizmat vendore në Shqipëri dhe në të gjitha trojet e tjera shqiptare ku jetojnë shqiptarët. Toponimia lypset të vendoset mbi bazën e etnisë dhe në mënyrë të institucionalizuar.Në këtë drejtim edhe partitë politike shqiptare edhe inteligjenca shqiptare duhet ta luajnë rolin e tyre konstruktiv. Në Kosovë onomastika sllave, që më parë ka qenë shqiptare,është e proviniencës sllave.Kishat serbe,bullgare e greke në trojet shqiptare që i kanë okupuar kanë imponuar onomastikën sllave në trojet shqiptare. Sipas informatave tona në Kosovë ekziston një traditë të hershme për zëvendësimin e toponimisë sllave me emra në gjuhën shqipe. Për shembull Kishareka quhet Lumësi, Dobërveni- Miradi, Vuçitërni- Vushtri, Uroshevaci-Ferizaj e kështu me radhë. Është themeluar edhe kartoteka e minitoponimisë së Kosovës dhe mbi baza shkencore vazhdon puna në këtë drejtim. Ndërkaq në Maqedoni lidhur me toponimet as që mund të flitet. Shqiptarët në Maqedoni edhe në vitet e demokracisë po përballen me meskinllëkun maqedonas për të drejtat e tyre legjitime. Botimi i Enciklopedisë maqedonase shtrembëruese, ofenduese dhe antishqiptare, botimi i papërshtatshëm i librave shkollorë në gjuhën shqipe, sulmet fizike mbi nxënësit shqiptarë, lejimi i rrënimit të shumë monumenteve kulturore e historike shqiptare, e mbi të gjitha zvarritja dhe obstruksionet nga ana e maqedonasve në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, tregojnë se as që mund të mendohet e flitet për ndryshimin e ndonjë toponimi sllav në këto troje shqiptare.
E aktualizuam këtë problematikë të rëndësishme për të sensibilizuar dhe mobilizuar të gjitha forcat intelektuale, administrative dhe politike shqiptare, për t’i flakur njëherë e përgjithmonë emërtimet serbosllave, këto çibanë që me shekuj po ndotin hapësirat dhe trojet tona shqiptare.