Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/02/10

Herbert më 1913: Shpëtoni shqiptarët e gjallë nga serbët

Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, të enjten u promovua libri “Miku i madh i shqiptarëve, Aubrey Herbert dhe krijimi i Shqipërisë së sotme”, një vepër e rëndësishme që përmban pjesë ditari dhe letra të njërit prej diplomatëve të huaj me kontributin më të madh në shpalljen dhe njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Në promovimin e këtij libri, të përgatitur për botim nga Bejtullah Destani dhe Jason Tomes, përkthyer nga Kujtim Myftari, me parathënie të balkanologut dhe gazetarit të njohur, Noel Malcolm, ishin të pranishëm historianë e studiues, si dhe politikanë të shquar shqiptarë, raportoi gazeta Panorama.
Aubrey ishte një diplomat dhe oficer anglez, jeta e të cilit u lidh ngushtësisht me Shqipërinë. Ai u bë një avokat i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë dhe e vizitoi atë gjatë viteve 1907, 1911, 1913. Gjatë qëndrimit në Tiranë u miqësua me Esad Pashën. Në Konferencën e Paqes në Londër, delegatët shqiptarë gjetën përkrahje tek ai si këshilltar. Ai luajti një rol të rëndësishëm në arenën ndërkombëtare për ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Iu ofrua dy herë froni i Shqipërisë. Rasti i parë ishte përpara Luftës së Parë Botërore. Oferta mbeti jozyrtare dhe kurora iu dha Vilhelm Vidit. Rasti i dytë ishte pas Luftës së Vlorës, në shtator të vitit 1920, kur shqiptarët shpartalluan forcat italiane. Edhe pse propozimi u bë nga gjysma e qeveritarëve shqiptarë, ai mbeti sërish jozyrtar dhe u shua me ndryshimin e ministrit të Jashtëm shqiptar. Në librin e promovuar dje, me syrin e një diplomati vijnë disa prej momenteve më të rëndësishme në historinë shqiptare, që nga pavarësia, te copëtimi i trojeve, masakrat serbe e greke në territoret e pushtuara, ndarja e kufijve nga Komisioni Ndërkombëtar, zgjedhja e Princ Vidit.

Nga libri

Denoncimi i krimeve të shëmtuara, vjeshtë 1913

Pasi takoi refugjatët në Shqipëri dhe dëgjoi rrëfimet e tyre, Aubrey Herbert i shkroi menjëherë shtypit britanik për të publikuar krimet e shëmtuara të kryera nga forcat serbe, malazeze dhe greke në viset që kishin aneksuar ose vazhdonin t’i pushtonin. Me kthimin e tij në Londër në tetor, ai e intensifikoi fushatën. Nga fundi i atij muaji, një ultimatum i lëshuar nga Austro-Hungaria e detyroi Serbinë t’i tërheqë trupat e saj nga territoret që i ishin caktuar Shqipërisë. Në Jug, megjithatë, Komisioni Ndërkombëtar për Kufirin hasi pengesa në punën e tij, të shkaktuara nga grekët dhe hyrja e dimrit.

“The Times”. E hënë, 22 shtator 1913- “Akuzat kundër serbëve”

Më 10 shtator morëm letër nga z. Aubrey Herbert MP, dërguar nga Vlora, në të cilën ai veçon dy raste konkrete të krimeve të shëmtuara të pamenduara, që u vishen autoriteteve serbe dhe më tutje vazhdon të shkruajë:

“…Kam përpara meje një listë të gjatë aktesh të ngjashme nga ana e serbëve. Kam dëgjuar shumë histori nga njerëzit e varfër, katolikë dhe muhamedanë; këta refugjatë mund të përgjigjen vetëm për atë që u ka ndodhur atyre dhe familjeve të tyre, por në gjërat kryesore historitë e tyre janë të përafërta. Pak dyshim kam se në zona të ndryshme po vazhdon ndërrimi sistematik i fesë, dëbimi dhe shfarosja, të diktuara nga politika. Këto metoda, me sa mund të zbuloj, ishin harruar për një periudhë bukur të gjatë, por tani kanë nisur sërish. Qeverisë serbe i kërkohet diçka më shumë se mohimi gojor i këtyre akuzave, sepse ndiej se skamja e mjerueshme dhe eksodi i nxitur nga terrori nuk do të sosin deri sa t’u jepet fund krimeve të shëmtuara dhe për shkak se vetëm një hetim do t’u vinte frerin këtyre krimeve të shëmtuara, ju lutem ta botoni këtë letër.

“The Times”. E enjte, 25 shtator 1913- “Trazirat në kufirin serbo-shqiptar”

Kemi marrë nga z. Al. V. Georgevitch (sekretar i legatës serbe), i ngarkuari serb me punë, një letër në përgjigje të deklaratave të bëra nga z. Aubrey Herbert MP në “The Times” më 22 shtator. Në këtë letër i ngarkuari serb pohon se:

“Duke mos bërë asnjë tentativë për ndërrimin e fesë me dhunë, Serbia është një prej shteteve më liberale që kanë ekzistuar ndonjëherë. Liria e ndërgjegjes është garantuar jo vetëm me Kushtetutën serbe, por si shembull praktik, që nga viti 1878 komuniteteve myslimane në Serbi (në Beograd, Nish, Leskovac) u është dhënë një subvencion qeveritar. Edhe çifutët kanë gjetur në Serbi, si të thuash “Tokën e Premtuar” të tyre, sepse i kanë të gjitha të drejtat politike dhe qytetare… Në shpalljen e aneksimit të territoreve të pushtuara, ku Madhëria e tij u përcolli më 25 gusht përshëndetje mbretërore të gjithë nënshtetasve të rinj-pa dallim feje, race, besimi, ose veprimtarie të mëparshme-mesazhi mbretëror shpalli në mënyrë solemne se tani fillon epoka e re e lirisë së plotë për çdo njeri”.

AH për “The Spectator”. E martë, 23 shtator 1913 (botuar më 4 tetor 1913) – Shëngjin

The Spectator ka zbatuar ngaherë parimin e ngritjes së zërit për të gjithë ata njerëz të pafat, të cilët nuk mund të flasin vetë. Prandaj, guxoj të kërkoj mikpritjen e faqeve tuaja në emër të një populli, që është veçanërisht pa ndihmë në këtë moment. Gjatë muajit që kalova në Shqipëri, udhëtova në treva të ndryshme të vendit dhe pashë vërshime refugjatësh, që vazhdojnë të derdhen nga territore të aneksuara kohët e fundit nga Serbia dhe Mali i Zi. Për shkaqe të arsyeshme nuk udhëtova nëpër ato rajone, andaj nuk mund të pretendoj se kam qenë dëshmitar pamor i asaj që po ndodh atje, por bisedova me refugjatë, skamja dhe mjerimi i të cilëve nuk kishte ku të vente më shumë. Shumë syresh, burra dhe gra, më treguan për ngjarjet e tyre të dhimbshme dhe dukeshin si të shastisur nga vuajtjet. Detyra e bërjes së pyetjeve të hollësishme për fatkeqësitë e tyre nuk ishte e këndshme. Jam i sigurt se ata nuk janë të aftë t’i sajojnë ato ndodhi që i tregojnë me shumë pak imagjinatë…

….Europa ka premtuar një Princ. Princi për të cilin po luten të gjithë, ende s’po duket. Qeveria e Përkohshme nuk është njohur, çka të çon pashmangshëm në trazira dhe ankth brenda vendit. Europa ka premtuar se Serbia do të largohet nga territoret e pushtuara nga trupat e saj. “Europa”, kanë filluar të thonë shqiptarët, “na ka premtuar mbrojtje. Por, deri më sot, kjo mbrojtje ka nënkuptuar intrigat e fuqive të mëdha për veten e tyre në Veri; kurse gratë tona përdhunohen dhe burrat tanë herë torturohen, herë vriten e herë dëbohen nga serbët. As kur ishim të pambrojtur nuk përjetuam gjëra të tilla”. Shpirtrat binjakë të keqardhjes për viktimat e skllavëruesit ose të persekutonit zgjohen shpejt në Angli, por këta njerëz nuk mund t’i bëjnë të ditura vuajtjet e tyre. Britania e Madhe nuk ka konsuj në Shqipëri (përveç se në Shkodër) dhe as gazetarë; në të vërtetë, dyshoj se në atë vend nuk ka asnjë korrespondent zyrtar. Të huajve, që dëshirojnë të vizitojnë viset ku po kryhen masakra, u duhet të shkojnë nga Beogradi, ku do të tregohen as më shumë e as më pak, vetëm ato, që dëshirojnë autoritetet atje. …Sikur kjo letër të ishte shkruar në frymë politike, Sër, do të kisha shtuar se shqiptarët duhet të zhdëmtohen për ato masakra, do të kërkoja dënimin e përgjegjësve dhe shqyrtim të sërishëm të çështjes së kufijve; por unë kam shkruar vetëm me shpresën e sinqertë se ndikimi juaj mund të bëjë diçka për t’i dhënë fund kësaj neverie dhe se “The Spectator” mund t’u bëjë të njëjtin shërbim jo vetëm popujve të San Thomes, por edhe popujve në portat tona. Nevoja për veprim është aq e ngutshme, sa nuk mund të thuhet me një fjalë…

T’i lëmë të vdekurit e Ballkanit të varrosin të vdekurit e tyre; le të shpëtojmë, nëse mundemi, gratë dhe fëmijët që kanë mbetur ende gjallë. Përderisa Britania e Madhe ka premtuar bashkërisht me fuqitë e tjera të mbrojë një popull, duhet të kujdeset që ky detyrim të përmbushet. Nëse kjo kasaphanë nuk prek prestigjin tonë, ajo duhet të prekë nderin tonë shumë thellë. Beogradi mund t’i japë fund kasaphanës, madje Beogradi mund të detyrohet t’i japë fund.

AH për “Lord Cromer”. E premte, 10 tetor 1913

Sapo kam marrë këtë telegram nga Onslow, në Zurën e Jashtme “Isa Buletini, i sëmurë ose i plagosur në një fshat shqiptar. Po ta kapin, do ta gjykojnë sipas ligjit ushtarak. Onslow”. Gazetat, të cilat as Paget, as unë nuk i kemi vënë në dyshim, duket se u kanë paraprirë ngjarjeve. Nëse ai është sëmurë dhe di që ishte sëmurë para gjashtë javësh, serbët do të bëjnë çfarëdolloj orvatjeje për ta shtënë në dorë. Ai është malësori luftëtar më me përvojë në Shqipëri. Nëse e kapin, shpresoj që lutjet fisnike të letrës suaj të kenë rezultat; nëse arratiset, myslimanët, për të cilët ju keni bërë aq shumë, duhet t’ju jenë më se mirënjohës për qëllimin e mirë të telegramit tuaj.

“Komiteti shqiptar” nga AH, pa datë, 1922-23

Në përfundim të Luftës Ballkanike, kur Turqia europiane ishte shpartalluar, në vend të përfaqësuesve, në Angli mbërritën refugjatë, për të bërë të njohur gjendjen e tyre të dëshpëruar. Përfaqësuesit e Maqedonisë, të cilët gjithë jetën kishin përjetuar vrasje dhe mizori, ende ruanin besim patetik në drejtësinë e Fuqive të Mëdha…

…Mbërriti delegacioni shqiptar, i përbërë nga burra të tri besimeve të ndryshme-ortodoksë grekë, katolikë dhe myslimanë. Në krye të tij ishte Ismail Qemal Beu, një burrë gojë-ëmbël dhe me dhunti të gjithanshme, jeta e të cilit kishte qenë një kolovajzë e gjatë dhe plot rreziqe. Dobësia e tij qëndronte në rrethanat e tij dhe në debulesën që kishte për fëmijët e tij. Nëse ishte dredharak, arsyeja ishte se në pozitën e tij ishte e vështirë të ishe i drejtpërdrejtë. Skamja ishte mbikëqyrësi i rreptë i tij dhe në disa raste, atij i lypsej të gjente gjuhën e përbashkët midis bindjeve të papranueshme dhe sjelljes së pranueshme, në dëm të së parës. Ai ishte dishepull i Mit’hat Pashës, guvernator i Përgjithshëm i Bejrutit, guvernator i Përgjithshëm i Kretës, guvernatori i emëruar i Tripolit, këshilltar i Sulltanit dhe i arratisur nga Sulltani, redaktor anglofil, mik i Gordonit “kinez”, bir i aventurës, ai ishte një burrë plak i lodhur dhe i rraskapitur, avokat i një vendi të rrënuar. Ishte tregimtar i shkëlqyer dhe i admiroja historitë që tregonte për veten dhe të tjerët… Ismail Qemal Beun e njoha kur ishte në moshë të thyer, kur ishte si ajo breshka e mençur dhe dashamirëse. Kishte në vetvete një liberalizëm të vërtetë, që nuk shterej kurrë, por që ishte bërë i padukshëm nga rregullsia e natyrës së tij dhe shmangiet e lodhshme nga çiltërsia, i detyruar nga rrethanat. Ishte dinak dhe i zoti, dhe dinakërinë e tij kishte fuqinë ta formulonte me brishtësi. Sikur Sër Henry Campbell-Bannerman të ishte martuar me një fshatare bullgare dhe gjatë gjithë jetës së tij të ishte i detyruar që, për të shmangur rrahjen me thupër në shputat e këmbëve, të qetësonte dhe zbuste Abdul Hamitin dhe shpesh ta kishte pasur të vështirë të siguronte para dhe strehim sa për të kaluar natën, ai do të kishte pasur shumë të përbashkëta me Ismail Beun. Figura të tjera të shquara të delegacionit shqiptar ishin Monsinjor Fan Noli dhe Faik bej Konica, të cilët përfaqësonin “Vatrën”, federatën e shqiptarëve të Amerikës. Vëllai i tij, Mehmet bej Konica… kishte qenë në shërbim diplomatik turk. Monsieur Filip Noga ishte katolik dhe ishte po aq i përkushtuar ndaj muzikës, sa edhe ndaj politikës. Figura më piktoreske e delegacionit ishte Isa bej Boletini, Robin Hoodi i Shqipërisë. Ai ishte një burrë i paarsimuar, me një emër të madh, të drejtë për guximin e tij dhe si njeri punëmbaruar. Bëmat e tij ishin bërë legjendë, kurse rrëfenjat se sa herë u kishte shpëtuar turqve dhe serbëve, ishin shndërruar në fabula. Në Londër ndjehej i humbur dhe përmalluar për vendlindjen, sepse nuk ia thoshte asnjë fjale të vetme anglishte. Kalonte orë të tëra në shtëpinë time, duke pirë kafe turke. Kur ndodhesha në Dhomën e Komuneve, vazhdimisht merrja telefonata të shqetësuara nga gruaja dhe kur kthehesha, shpesh i gjeja atë dhe Isën pa shkëmbyer asnjë fjalë, por duke iu përkulur njëri-tjetrit herë pas here… Shqiptarët që erdhën në Angli, lanë përshtypje të shkëlqyera. Në një rast, z. Lloid George drekoi me mua për të takuar shqiptarët dhe pas drekës, Toni Precha, i restorantit shqiptar dhe unë, përkthyem bisedën ndërmjet Isa Beut dhe ministrit të Financave. “Tregoji atij”, tha Isa, “se unë jam malësor si dhe ai, andaj e di që zemra e tij ka dhembshuri për ata që vuajnë, sidomos për malësorët”. Pastaj bëri një mbyllje të ashpër me fjalët, “dhe thuaji që, kur të vijë pranvera, do t’i plehërojmë fushat e Kosovës me gjakun dhe kockat e serbëve, sepse ne shqiptarët kemi vuajtur aq shumë, sa nuk mund të harrojmë”.

E mendova me vend ta zbusja paksa frazën e fundit, por z. Lloyd George u ngazëllye me malësorin shtatlartë, tek i cili mendonte se pikasi një shpirt të përafërt dhe u tregua i afruar me të.

… Krahas ndihmës politike, Komiteti Shqiptar bëri ç’të mundte për të argëtuar shqiptarët në Angli. Një pasdite Isa Beu erdhi me ne në kopshtin zoologjik. Kur po ngisnim makinën teposhtë rrugës “Regent”, vumë re që kishin vendosur afishe: Vrasja e Njazi Beut nga djali i Isa Boletinit. Anëtarët e Komitetit Shqiptar, të cilët nuk kishin qenë në Shqipëri, u ndjenë më të befasuar dhe ndoshta më të tronditur se unë nga ky lajm. Ata besonin se kjo duhej të ishte një shpifje tjetër ndaj një populli të pambrojtur. “Tregoji atij, -m’u drejtuan ata, -se çfarë shkruhet në afishe”.

I thashë Isa Beut: “Në ato mure është shkruar se djali juaj ka vrarë Njaziun. E besoni këtë”?

“E çfarë do të ndryshonte tek unë, -u përgjigj Isa me maturi, -po të ketë ndodhur?”.

I thashë: “Asgjë. Në vendin tonë nuk e duam vrasjen, por njeriu nuk ka pse fajësohet për ato që bëjnë të afërmit e tij”.

“Atëherë, -m’u drejtua Isa, -mendoj se është mjaft e mundur. Im bir dhe Njaziu kishin bërë be se do ta vrisnin njëri-tjetrin”.

Shkuam në kopshtin zoologjik dhe teksa shëtisnim, Isa tha: “Të gjitha gjërat këtu i keni mbyllur në kafaze, përveç Djallit. Mua më pëlqen liria”. Në Dhomën e Komuneve, Isa i befasoi të gjithë me kostumin e tij kombëtar. S’kishte se si të mos e shihnin gjithë admirim. Atij i bëri përshtypje të madhe Lord Treowen, të cilin e takoi në uniformë dhe ishte shumë i dëshiruar ta merrte me vete në Shqipëri dashur, pa dashur. Bëri shumë miq, të cilët i treguan atij lavditë e Londrës. E megjithatë, në një moment më tha: “Sado që këtu gjithçka është madhështore dhe megjithëse ju anglezët jeni mjaft të mirë, prapëseprapë nuk do ta ndërroja me shkëmbinjtë dhe lumenjtë e mi”.

-------------------------------------
 Bejtullah Destani promovoi në Tiranë librin  për Aubrey Herbert,  i cili ishte deputeti britanik, që luajti roli kyç në momentet kritike të pavarësisë së vendit. Në promovim, njofton abcnews,  ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha, i cili lartësoi figurën e britanikut Herbert, duke theksuar rëndësinë e kontributit që ai dha për pavarësinë e Shqipërisë.
Duhet të bëjmë shumë më tepër për mikun e madh të kombit tonë që ai të vendoset në piedestalin që meriton, u tha me këtë rast.  



Gjatë fjalës së tij, kryeministri kujtoi se Aubrey Herbert së bashku me Edit Durham ishin miq të shkëlqyer që ndihmuan në krijimin e shtetit dhe institucioneve shqiptare. Sipas Berishës, këta njerëz meritojnë të kujtohen me vlerësimin e  duhur në ditët e sotme. 


Oliver Schmitt: Nuk ka vijimësi iliro-shqiptare, mungojnë faktet

Eseja e fundit 'Shqiptarët' është një kontribut vetjak i historianit të njohur zviceran Jens Schmitt për të hedhur dritë mbi historinë e shqiptarëve. E konceptuar në këtë mënyrë, ajo ka pasur si qëllim kryesor vendosjen në një rrafsh ballkanik të historisë së shqiptarëve. "Unë shpresoj se ky studim do të konsiderohet për çfarë ai përfaqëson: një përpjekje për t'ju përgjigjur pyetjeve shkencore. Fatkeqësisht, ky lloj studimi është për momentin paksa i vështirë në Ballkanin shqiptar për shkak të politizimit të tij. E nuk është vetëm teoria shqiptare e vazhdimësisë iliro-shqiptare, por është gjithashtu edhe mohimi i autoktonisë shqiptare në Ballkan nga grupe nacionaliste në vendet fqinje", përgjigjet ai ekskluzivisht në intervisten e Ben Andonit për "MILOSAO".

Intervista ka marrë shumë kohë. Është konceptuar, është drejtuar, është marrë, është përkthyer dhe sërish është kthyer pas për korrigjime.

Z. Schmitt, faleminderit që pranuat të intervistoheshit nga ne. "Shqiptarët" tuaj, ende nuk kanë pasur përballje "të egër" nga kritika shqiptare, siç ndodhi me "Skënderbeun". Megjithatë, thjesht nga tharmi i saj besohet se do ketë "probleme". Ju kanë shqetësuar këto reagime zakonisht?

"I gjithë debati prej publikimit të 'Skënderbeut' shpalos modele shumë komplekse të interesave politike dhe kulturore. Unë nuk kam ndërmend të komentoj shumë rreth kësaj sepse mendoj që publiku shqiptar është i familjarizuar me momentet kyçe të diskutimit si dhe motivet dhe interesat e tyre. Por unë mbeta shumë i habitur nga fushata ekstremisht agresive kundër mikut tim të ndjerë Ardian Klosi. Mendoj se brezat e ardhshme të studiuesve e intelektualëve do të jenë në gjendje të gjykojnë si duhet mbi integritetin moral të atyre pjesëtarëve të elitës politike dhe veçanërisht asaj kulturore të cilët e 'sulmuan' këtë njeri të madh kur ishte gjallë dhe pastaj e nderuan kur ai vdiq".

Ka pasur gjithmonë teori të historianëve shqiptarë për vijimësinë iliro-shqiptare. Si e shikoni juve personalisht këtë vijimësi, të argumentuar apo hipotetike?

"Së pari, dua t'ju bëj një vërejtje, e cila ka të bëjë me të gjithë intervistën: pyetjet që ju bëni janë shumë komplekse dhe është shumë e vështirë që ato të zvogëlohen në përgjigje të shkurtra. Unë, gjithsesi, do të përpiqem të kujtoj lexuesin se nuk ka përgjigje të thjeshta, dhe shumë probleme janë akoma të diskutueshme e shumë përgjigje nuk mund të jenë më shumë se komente hyrëse për këto debate studimore. Jam përpjekur të shpjegoj ne libër qëndrimin e sotëm të studiuesve të huaj. Ekziston një konsensus për sa i përket teorisë së vazhdimësisë Iliro-Shqiptare, sipas të cilës kjo vijimësi nuk mund të provohet për shkak të mungesës së gjurmëve të mjaftueshme të gjuhës ilire. Po ashtu ekziston një konsensus mbi proto- shqiptarët, një term përcaktues për të përshkruar folësit e formës së lashtë shqiptare - që jetonin atëherë në Antikitet në një zonë, e cila përmblidhej nga zona e hinterlandit të Shkodrës e deri në Kosovën e sotme dhe Maqedoninë Qendrore. Qarkullojnë ide të ndryshme rreth vendndodhjeve të proto-shqiptarëve në zonën e Jugut të Shqipërisë së sotme. Kështuqë, kur mendoj mbi baza të tilla se shqiptarët jetuan në Antikitet në shumë nga zonat ku ata gjenden akoma dhe sot, unë mbështes edhe mendimin e linguistëve, të cilët e konstatojnë thjesht se ne nuk mund të provojmë që gjuha moderne shqiptare vjen nga ilirishtja, pasi ne nuk e njohim aq mirë sa duhet atë. Mund të ekzistojë një vazhdimësi iliro-shqiptare, por për momentin ku ndodhen kërkimet tona, kjo është vetëm një hipotezë. Por siç e theksova, emri i paraardhësve të shqiptarëve modernë dhe pyetja se ku ata janë vendosur duhet të ndahet në dy pyetje të ndryshme. Duhet të theksohet, se ka akoma nevojë të vazhdohet të bëhen kërkime e veçanërisht mbi toponimet. Së fundmi, unë shpresoj se ky studim do të konsiderohet për çfarë ai përfaqëson: një përpjekje për t'ju përgjigjur pyetjeve shkencore. Fatkeqësisht, ky lloj studimi është për momentin paksa i vështirë në Ballkanin shqiptar për shkak të politizimit të tij. E nuk është vetëm teoria shqiptare e vazhdimësisë iliro-shqiptare, por është gjithashtu edhe mohimi i autoktonisë shqiptare në Ballkan nga grupe nacionaliste në vendet fqinje. Teoria e ilirëve apo origjina pellazge e shqiptarëve u zhvillua në shekullin e 19-të nga pjesëtarët e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, konsideruar si një përgjigje direkte kundrejt pretendimeve të nacionalistëve grekë dhe serbë, të cilët i justifikonin pretendimet territoriale me argumentin se Shqipëria ishte një komb pa histori. Por megjithëse grupe nacionaliste në Greqi dhe në Serbi akoma vazhdojnë të qëndrojnë mbi këto ide, duhet nënvizuar se studiuesit jashtë Ballkanit nuk i marrin seriozisht këto pretendime. Vetëm se për sa kohë shumë anëtarë të elitës shqiptare, e diskutojnë temën e vazhdimësisë si një çështje politike dhe jo një çështje shkencore dhe për sa kohë nuk ekziston vullneti për të analizuar mënyrën se si kjo teori doli në pah në shekullin e 19-të dhe 20-të etj, dhe për sa kohë flitet për të 'vërteta' historike, dhe jo përgjithësisht për rezultate të proceseve politike, sidomos të politikës shtetërore të Shqipërisë enveriste, ku i tërë ky problem nuk mund të diskutohet asfare në një mënyrën të pastër shkencore".

A ka një lulëzim të qytetërimit shqiptare në shekujt XII-XIII. Cilat ishin kushtet që e ndihmuan këtë?

"Nuk mendoj se termi 'Civilizimi shqiptar' është i përshtatshëm për këta shekuj. Duhet të jemi në gjendje të bëjmë dallimin midis formave jetëshkurtra politike shqiptare në hinterlandin malor të Durrësit, i cili shërbeu në fund të shekullit të 11-të qoftë si një rrugëdalje e autoritetit bizantin, vendosur në bregdet, por në fillim të shekullit të 13-të, doli gjithashtu nga mbetjet e Perandorisë Bizantine mbas Kryqëzatës së Katërt (1204). Nuk gjenden gjurmë të një civilizimi specifik shqiptar të sensit etnik, sipas koncepteve në zonën e Shqipërisë moderne, por shihet një lulëzim i kulturës bizantine në Shqipërinë Qendrore dhe atë Jugore ndërsa në Veri kultura urbane është po kështu impresive: njerëz që flisnin gjuhën shqipe jetuan në të dyja këto zona kulturore.

Më tej akoma, të dyja kulturat si ajo bizantine dhe adriatiko-katolike nuk ishin monoetnike, por përfshinin grupe linguistike të ndryshme: Shqiptarë, Sllavë të Jugut, Dalmatë Romanikë dhe Vllehë në veri, Shqiptarë, Grekë, Vllehë në Jug. Veçanërisht Bizanti ishte një perandori shumë-etnike ku Ortodoksia shërbente si një lidhje e përbashkët midis grupeve të ndryshme linguistike. Duhet theksuar se veçanërisht kultura urbane nga Durrësi e shtrirë deri më poshtë në jug e përbënte deri në fund të shekullit të 13-të shumë të përfaqësuar elementin grek; edhe njëherë 'Grek' do të thotë grekofonët ortodokse njerëzit e qytetit, të cilët ishin shtylla kurrizore e kulturës Bizantine në vendet e ulëta dhe në bregdet".

Ju i keni kushtuar "Skënderbeut", një punë shumë të madhe. Mendoni se i ka plotësuar parametrat tuaj? Dhe, botimi juaj i fundit "Shqiptarët", a i plotëson kërkesat tuaja për ta vendosur ashtu si duhet historinë shqiptare në një kuadër ballkanik?

"Te dy librat kanë sfond të ndryshëm. 'Skënderbeu' është rezultat i shume viteve kërkime arkivash, ndërsa 'Shqiptarët' është një ese historike, e cila përpiqet të na japë një perspektivë të re alternative në historinë shqiptare. Si një ese, ky libër mbështetet vetëm pjesërisht në kërkimet e mia personale, ndërsa me shumë mbështetet në veprat e atyre historianëve, emrat e të cilëve i kam cituar në hyrjen e librit. Libri u shkrua për një shtëpi botuese të madhe gjermane, e cila dëshironte një hyrje në historinë Shqiptare për lexuesit në botën gjermano-folëse. Lexuesi shqiptar do të njihet me shumë detaje, por ndoshta jo me prezantimin dhe interpretimin e tyre. Unë doja të paraqisja historinë shqiptare si një histori të hapur, në kuptimin që shqiptarët nuk ishin të izoluar nga fqinjët e tyre siç shkruanin historianët enveristë - duke e modeluar historinë e tyre në realitetin ekstrem të Shqipërisë enveriste - por që historia e Shqipërisë është shumë më e pasur dhe me shumë më tepër ngjyra se rrëfimi standardi monolitik, i cili është i prodhuar nga Akademia Shqiptare. Historia e Shqipërisë, ashtu si ajo e Ballkanit, nuk është përshfaqur si një Ballkanike: por theksohet se kjo histori ndërvepron, fqinjëron, shpesh herë është në simbioza me ata që e rrethojnë si grekët, sllavët apo vllahët. Historia e Shqipërisë nuk është 'rrethuar' nga armiqtë e përjetshëm, por ka qenë një tendosje historie komplekse nga tiparet social-kulturore të përbashkëta të njerëzve në Ballkan e deri tek izolimi etno-kombëtar kryesisht në shekullin e 20-të dhe 21-të, kështu që konfliktet midis vendeve dhe kombeve duhet të përshkruhen në periudhën në të cilën ato ndodhën,por ato nuk duhet të projektohen në një të shkuar të largët kur këto lloj konfliktesh nuk ekzistonin, pra tensione etno-kombëtare midis shqiptarëve dhe fqinjëve të tyre".

Historianët shqiptarë e kanë ndarë historinë tonë në katër vëllime, që përfshijnë po katër perioda kohore shumë konvencionale. E shihni të drejtë këtë ndarje dhe pse e shmangët në librin tuaj?

"Mendoj se ka gjithmonë qasje të ndryshme për çdo objekt shkencor. Shqipëria është një nga shtetet e fundit në Evropë së bashku me Rumaninë apo Maqedoninë - ku institucionet shtetërore si Akademitë, akoma prodhojnë një lloj historiografie zyrtare apo gjysmë zyrtare. Një model i tillë nuk gjendet as në Francë, Gjermani apo Angli apo në SHBA. Në Shqipëri, historia, është e perceptuar nga shtresa të gjera të shoqërisë, ende si një pasardhëse e kohëve komuniste dhe si një detyrë e autoriteteve zyrtare. Qasje alternative apo këndvështrime të reja shihen si pasojë një kërcënim potencial i interpretimit zyrtar. Struktura me katër volume e historisë reflekton një shkrim tradicional, i cili ndjek shtetin si model teologjik, ku apogjeu i historisë së Shqipërisë konsiderohet themeli i shtetit kombëtar në 1912. Krijimi i shtetit është elementi kyç i këtij narracioni, e kjo është arsyeja pse kjo ndërtoi traditën e shtetit në Antikitet dhe në kohët e Mesjetës, duke dhënë një imazh negativ të gjitha periudhave "të pushtimeve të huaja" (kryesisht atij Osman) dhe fokusohet në shumë detaje në Lëvizjen Kombëtare dhe në shtetin kombëtar. Veçanërisht për periudhën komuniste nuk ka konsensus në interpretim - kjo është arsyeja që kapitulli i katërt shmang në titullin e tij termat ' komunist' apo 'socialist' duke përsëritur termin politik neutral ' periudha e pasluftës'. Nëse dikush do përdorë koncepte të tjera për të analizuar historinë e Shqipërisë - kulturën, shoqërinë, hapësirën - ai domosdoshmërish duhet të përdorë korniza të tjera kronologjike. Qasje te tjera në rastin më të mirë janë plotësuese, ato nuk përjashtojnë njëra-tjetrën por nuk ka vetëm një variant të historisë. Unë mendoj se kryesore është që historianët duhet t'i shpjegojnë publikut të gjerë që qasjet e ndryshme na çojnë tek historia, dhe jo një interpretim i institucioneve shtetërore. Dhe ato mund të shpjegojnë programin e tyre shkencor dhe jo thjesht të fillojnë me periudhën e Paleolitike. Një shoqëri e përcaktuar si pluraliste nuk mund të ketë vetëm një variant të vetëm të historisë, pasi një historiografi e mirë, të paktën, përpiqet të kapë tendencat e reja të kërkimit. Kurse të katër volumet e historisë nuk i reflektojnë këto zhvillime moderne në disiplinën e historisë, dhe druhem se shumë historianë evropianë do të kishin probleme me një koncept të tillë si historiografia tradicionale kombëtare".

Si e shikoni periudhën e pushtimit turk në Shqipëri? A e shikoni elementin shqiptar që kundërshtoi prej nacionalizmit apo thjesht prej kushteve ekonomike dhe marrjes në ushtri?

"Ky është një diskutim kyç në shoqërinë shqiptare dhe historiografinë e saj, dhe është fatkeqësi që Turqia ndërhyri së fundmi në diskutime të tilla duke i imponuar Republikës së Kosovës një komision miks për rishikimin e teksteve të historisë në shkolla. Nuk ka dyshim që rrëfimi tradicional zyrtar shqiptar e paraqet Perandorinë Otomane me ngjyra të errëta. Ai fokusohet shumë në kryengritjet dhe shumë pak ka shpjeguar rolin që myslimanët shqiptarë luajtën në Perandori që në fillimet e hershme. Ne fakt, armiqtë më të rrezikshëm të Skënderbeut ishin shqiptarët, të cilët ishin të konvertuar në Islam.

Një rishikim i këtij imazhi shumë të keq megjithatë nuk duhet të na çojë tek një idealizim jokritik i Perandorisë Otomane, një tendencë kjo e mbështetur shumë nga zyrtarët e sotëm politikë turq.

Sundimi Otoman zgjati për pothuajse 500 vjet, dhe përgjatë kësaj periudhe të gjatë, pjesë të tëra të Shqipërisë ishin plotësisht të shkatërruara (tokat e Skënderbeut më 1460-ën, Shqipëria Venetike), ndërsa e njëjta pjesë u shndërrua më vonë në një qendër të shndërritshme të perandorisë Otomane (hapësira e Shkodrës), apo nuk ka asnjë dyshim që qytetet si Elbasani arritën kulmin e zhvillimit urban dhe jetës së qytetëruar në shekullin e 17-te nën sundimin Otoman; nuk ka po ashtu dyshim që perandoria joshi një numër të madh të myslimanëve shqiptarë të cilët shtuan radhët e elitës perandorake: si dhe nuk ka asnjë dyshim se shumica e shqiptarëve suni i qëndruan besnikë Perandorisë deri në fund. Në anën tjetër, shoqëria shqiptare ishte shumë e tronditur nga pushtimi Otoman - të ndërruarit e etnisë nga Arbër në Shqiptarë është prova e një ndryshimi të thellë mentaliteti. Kryengritjet të cilat në historiografinë tradicionale janë të theksuara si shenjë e një kundërshtimi të vazhdueshëm veçanërisht në zonat malore, një zemërim i cili kishte të njëjtat arsye edhe si në pjesët e tjera të Ballkanit, ishin thjesht lokale ose rajonale dhe deri në shekullin e 19-të nuk ishin kombëtare. Islamizimi në shkallë të lartë mund të ndiqet hap pas hapi në zona të ndryshme të Shqipërisë, por nuk ka akoma një shpjegim të njëzëshëm për faktin që asnjë grup tjetër etnik në Ballkan ta ketë përqafuar Islamin në një përqindje kaq të madhe, ashtu siç e bënë shqiptarët. Kështu që pati integrim në sistemin Otoman - ku shqiptarët e besimit mysliman suni ishin shtylla e Perandorisë - dhe distancë politike drejt të njëjtës perandori në të njëjtin ambient mysliman suni. Babai i Ahmet Zogut e shpreh shumë bukur, kur i shpjegon një diplomati Austriak në fillim të shekullit të 20-të, që zona e Matit është plotësisht besnike e Sulltanit me kushtin që shteti Otoman nuk do të ndërhynte në çështjet lokale. Në shekullin e 19-të, shqiptarët ishin disi shpejt të ndikuar nga ideja e një shteti autonom brenda perandorisë Otomane; mbas pavarësisë së Greqisë në 1830 apo dhe si një reagim i kundër reformave në perandorinë Otomane, ku rebelët e Shqipërisë së Jugut formuan 30-35 vite më parë se 1878, qëllimin e një Shqipërie autonome brenda perandorisë Osmane politike. Unë mendoj se të gjitha këto shembuj tregojnë se është e vështirë të paraqesim një imazh të thjeshtë të shqiptarëve në perandorinë Osmane: Sunni-të, Bektashinj-të, anëtarët e urdhrave të tjerë dervishë, Ortodoksët dhe shqiptarët katolikë, fusharakët dhe malësorët, njerëzit e qyteteve dhe fshatarët, Shqiptarët në diasporë dhe brenda perandorisë Otomane, të shkolluar dhe analfabetë, kishin në periudha të ndryshme pozicione shumë të ndryshme në perandorinë Otomane. Dhe, asnjë nuk ka kundërshtuar që deri në shekullin e 20-të nuk kishte një hapësirë kombëtare të komunikimit shqiptar; shoqëria ishte kryesisht lokale, në rastin më të mirë rajonale, ashtu si në pjesët e tjera të Ballkanit ku pothuajse nuk kishte rrugë, hekurudha, telegrafe, jo sistem shkollor koherent dhe një rend publik shumë i dobët. Një histori shkencore e perandorisë otomane duhet të analizojë një sërë faktorësh lokalë, socialë, fetarë, kulturorë, si dhe modelin politik që ndryshoi për gjysmë mijëvjeçari.

Një qasje tjetër do të ishte diskutimi i trashëgimisë së shtetit otoman më 1912-tën; pothuajse një vend pa infrastrukturë, një traditë shumë e dobët në pjesëmarrje politike, institucione shumë të dobëta shtetërore, zona të mëdha që nuk ishin të integruara në administratën shtetërore që nuk paguanin taksat rregullisht, nuk e njihnin fare ligjin shtetëror (kryesisht në zonat malore),me një numër shumë të madh analfabetësh, diferenca sociale shumë të dukshme, integrim të dobët të kristianëve në administratën shtetërore. Kështu që mendoj se është krejt e qartë që nuk ka një lloj imazhi bardh e zi të perandorisë Otomane dhe që nuk mund të bëjmë një vlerësim kritik në cilësinë e një sistemi thjesht të mirë apo të keq".

Shqiptarët, në disa këndvështrime mbahen si popull jo fetar. Kurse ju mendoni se shqiptarët u islamizuan në thelb dhe janë fetarë. Cilat janë shpjegimet tuaja për ta përshkruar si popull fetar, popullin shqiptar?

"Sapo vlerësova që shqiptarët nuk janë një përjashtim- ka njerëz që besojnë dhe që nuk besojnë ashtu si në vendet fqinje. Unë jam paksa dyshues për sa ka të bëjë me idenë që shqiptarët janë shumë më tepër tolerantë dhe më shumë indiferentë në besimin fetar se popujt e tjerë. Ka fenomene sinkretike si p.sh Myslimanët dhe Kristianët bëjnë pelegrinazhe në të njëjtën vend të shenjtë, bëjnë nderimin e të njëjtëve shenjtë, Myslimanë që adoptojnë praktikat popullore Kristiane, megjithëse fenomeni i Kriptokristianëve ekzistonte po ashtu dhe diku tjetër në Ballkan dhe në Anadoll. Aktivistët e Rilindjes përshfaqën idenë e tolerancës fetare dhe indiferencës për të ngushtuar boshllëkun e madh midis shqiptarëve Myslimane dhe ata Kristianë; por dëshmi për tensione midis shqiptarëve myslimanë dhe kristianë ka tepër shumë; nëse do ti hidhni një sy të dhënave. p.sh raportet e konsujveaustriak që nga fundi i shekullit 19-të në Kosovë janë plot me detaje rreth dhunës së Myslimanëve shqiptarë kundër katolikëve shqiptarë; po ashtu në Kosovë Myslimanët shqiptarë thoshin që Guvernatori Otoman ishte thjesht i çmendur kur ky i fundit shpalli që Myslimanët dhe Kristianët do të trajtoheshin njëlloj në drejtësinë shtetërore. Por Lëvizja Kombëtare ia doli të kishte sukses në bindjen e shumë shqiptarëve se shteti duhet të mbizotërojë mbi bashkësitë fetare, nga impresioni i të qenit të kërcënuar nga serbët, malazezët dhe nga ekspansioni Grek që kontribuuan shumë në suksesin e këtij koncepti. Shkolla shtetërore dhe propaganda shtetërore, armiqësia ekstreme e regjimit komunist kundër besimit fetar ndihmuan të përhapej masivisht ideja, e cila sot është e pranuar gjerësisht si një element thelbësor në identitetin kombëtar. Një perspektivë kritike nuk e mohon këtë fakt, por e vendos nevojën e rishikimit të këtij fenomeni në një perspektivë të re. Nëse historianët shqiptarë do të bënin më shumë punë krahasuese, ata do të shihnin që historia shqiptare është pak e veçantë, dhe kjo është po ashtu e vërtetë edhe për historinë e besimeve fetare. Madje dhe nga periudha midis 1968 dhe deri në 1991, shumë shqiptarë mbetën besimtarë dhe praktikuan ritet e tyre në mënyrë të fshehtë. Në përgjithësi, është për t'u vëzhguar - dhe ky vëzhgim është i vërtetë për shumë nga historianët, të cilët studiojnë historinë e tyre e që shumë shpesh janë të përqendruar në çështjen e tyre kombëtare dhe e zmadhojnë veçorinë e kombit të tyre. Kështu që krahasimi do të ishte shumë i vlefshëm për një kuptueshmëri më të mirë të historisë kombëtare".

Si e shikoni përfytyrimin shqiptar për një hapësirë kompakte shqiptare në shekujt e shkuar?

"Gjithë lëvizjet kombëtariste synojnë për një territor kompakt kombëtar dhe pothuajse pa asnjë përjashtim ato e projektojnë këtë ideal që nga e shkuara. Ne dimë se ideja e kombësisë homogjene ka shkaktuar luftëra të tmerrshme, miliona viktima dhe shkatërrime të rajoneve te mëdha; p.sh., shembulli i fundit ishin luftërat në ish- Jugosllavi. Nacionalizmi shqiptar, po ashtu, ëndërroi për një Shqipëri të madhe homogjene; megjithëse në fund të shekullit të 19-të, kjo ishte Shqipëria e katër vilajeteve. Anipse, megjithëse Shqiptarët jetuan në këto katër vilajete, (dhe në pjesë të tjera të perandorisë Otomane - bashkësia më e madhe shqiptare, Stambolli, nuk ishte pjesë e këtij vizioni hapësinor), ata nuk ishin të kudondodhur në shumicën etnike; konstelacioni etnik përpara 1912 ishte shumë kompleks, identitetet kombëtare (p.sh në jug të Shqipërisë/ Epiri në pjesët Ortodokse) dukeshin ende.

Mendoj se modeli i Jakob Filip Fallmerayerit, të cilin e kam përdorur në librin tim, është shumë i vlefshëm: ai ndërtoi një zonë qendrore me një shumicë shqiptare të pastër: kjo ishte bërthama historike e quajtur Shqipëri, e thënë rëndom territori i Shqipërisë moderne; ekziston dhe zona më e madhe, e dyta në Ballkan, ku shqiptarët u vendosën me dendësi të ndryshme, një zonë e cila historikisht nuk u quajt Shqipëri (Kosova, Maqedonia, Lugina e Moravës së Sipërme, por gjithashtu dhe fshatrat shqiptare dhe të vendosurit në Bosnje, Serbinë Qendrore, Bullgari, Trakë, Greqi dhe së fundmi në Stamboll si qendra më e madhe urbane e Shqiptarëve në Perandori). Unë mendoj se duhet të punojmë me modelin hapësinor, i cili është i hapur; Historia e Shqipërisë nuk është thjesht shtesa e Shqipërisë plus Kosova, plus Shqiptarët në Maqedoni. Historia e Shqipërisë është po ashtu historia e Ballkanit, në kuptimin që nuk mund të përjashtohen shqiptarët që jetojnë në pjesë të tjera të Ballkanit. Kjo histori, megjithatë, nuk mund të jetë e izoluar, ajo duhet të fokusohet në njëtrajtshmërinë e shqiptarëve me fqinjët. Kjo sigurisht që është një sfidë për historiografinë sepse po ashtu historiografitë fqinje p.sh në Greqi apo Serbi më shumë fokusohen 'në popujt e tyre' dhe injorojnë komunitetet e tjera. Historiografia duhet të shpëtojë nga burgu i izolimit kombëtar; pra duhet të studiohet grupi juaj por pa eliminuar fqinjin tuaj nga historia".

Kosova përbën një fushë shumë të ngatërruar studimi mes serbëve dhe shqiptarëve. Si e shikoni autoktoninë e serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë dhe pretendimet për vjetërsinë shqiptare në Kosovë?

"Së pari, i tërë diskutimi ka dhe njëherë tjetër, dy nivele. I pari është fatkeqësisht jo shkencor, shumë i politizuar dhe emocional. Ka një kërkesë të madhe për të vërteta të thjeshta dhe pozicione maksimaliste, në kuptimin ku shumë serbë tolerojnë vetëm adoptimin e plotë të perspektivës së tyre, dhe shumë shqiptarë sillen në të njëjtën mënyrë. Nuk është frytdhënëse nëse kërkimi dhe pasioni kombëtar ngatërrohen kaq fort. Së dyti, niveli i kërkimit shkencor, është, përsëri, kompleks. Megjithëse nacionalistët në të dyja krahët pretendojnë se njohin të vërtetat e tyre dhe sulmojnë këdo, që nuk ka të njëjtin mendim, ne duhet të pranojmë se sot ka vetëm pak studime të paanshme e të kuptueshme në historinë demografike të zonës. Të dyja palët përshkruajnë se pala tjetër është ajo Barbare që erdhi së fundmi dhe shkatërroi një shoqëri në lulëzim. Ngjashmëria në sulme ka dhe ne tekstet e shkruara: për shqiptarët, barbarët paganë serbë shkatërruan provincën kristiane të Dardanisë dhe shkatërruan civilizimin e tij Roman: Serbët kështu shihen si rreziku që vjen nga Lindja; për Serbët, malësorët e egër shqiptarë myslimanë në shërbim të perandorisë Otomane sollën kaos në tokat me kulturën serbe- në këtë rast, shqiptarët janë njerëzit e pa civilizuar nga Lindja Islamike. Siç e thashë më sipër, proto-shqiptarët jetuan në Kosovë në Antikitet; me ardhjen e komuniteteve Sllave, modelet etnike pësuan një ndryshim të madh. Deri tani, ne dimë shumë pak rreth bashkekzistencës së proto-shqiptarëve me Sllavët; gjuha Shqiptare dhe toponimet janë burimet tona më të rëndësishme. Dokumentet e shekullit të 14-të dhe të 15-të qartësisht i tregojnë shqiptarët si fshatarë gjedhëritës sidomos në atë që sot është Kosova Perëndimore, por ka gjithashtu dokumente që i atashojnë shqiptarët p.sh. në Maqedoninë Qendrore. Meqë nuk ekzistojnë statistika etnike, por më shumë sepse termi i etnisë kishte një kuptim të ndryshëm në Mesjetë, është shumë e vështirë që të dimë konstelacionin etnik të Kosovës në ato kohë. Por është megjithatë mjaft e qartë - dhe kjo është theksuar nga orientalisti shqiptar Selami Pulaha, se shumica dërmuese e Shqiptarëve në Kosovë ishin Ortodoksë dhe ndiqnin ritus-in sllav1. Është shumë evidente, që nuk kishte antagonizma etnike midis serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë. Kosova ishte një shoqëri ortodokse e traditës së kishës Serbe, e përbërë nga serbët, shqiptarët dhe vllehët. Kosova ka qenë një zonë me një numër të madh emigrimesh: Shqiptarët dhe Malazezët që kthehen, Serbë dhe Shqiptarë që ikin; shumë shpesh, ky migrim ishte në shkallë të vogël- familje komplekse që migronin nga Shqipëria Qendrore dhe Veriore dhe nga Mali i Zi për shkak të varfërisë apo gjakmarrjes zakonisht nuk u regjistruan nga autoritetet Otomane. Popullsia shqiptare në Kosovë është, ashtu si Serbët e Kosovës, produkt i autoktonisë (nga Antikiteti apo Mesjeta) dhe i migrimeve; me islamizimin, u krye po ashtu një proces i shqiptarizimit të Serbëve, të cilët u konvertuan në Islam; e meqë shumica e myslimanëve ishin Shqiptarë dhe meqë ata u martuan në komunitetin e tyre fetar (jo etnik), ata ngadalë adoptuan vetveten me ambientet e reja. Raportet e konsullit Austriak në fund të shekullit të 19-të, po ashtu tregon presionin në fshatrat serbë të cilët me tej u shqiptarizuan.

Në anën tjetër, në mjedisin ortodoks, shqiptarët Ortodoksë tentonin të orientonin vetveten drejt gjuhës serbe. Të dyja proceset janë politizuar shumë, jo të paktën nga teza serbe e Arnautasi-ve, d.m.th. që pretendohet se të gjithë shqiptarët në Kosovë janë "në të vërtetë" serbët e Islamizuar dhe shqiptarizuar, gjë e cila sigurisht, nuk është e vërtetë. Por proceset e adaptimit kulturor me grupin më të fortë brenda një komuniteti fetar mund të ndeshen akoma p.sh. në Maqedoni. Edhe një herë tjetër, një lexim i kujdesshëm i burimeve tregon një situatë shumë komplekse e cila nuk korrespondon me teoritë sempliciste nacionaliste në të dyja krahët".

A e ka dëmtuar historiografia shqiptare e pasluftës së dytë botërore historinë e Shqipërisë?

"Ka prodhuar historinë e Shqipërisë. Meqë nuk kishte kërkime institucionale përpara L2B, historiografia komuniste nuk kishte kundërshtarë. Mbas 1945, për herë të parë në historinë e Shqipërisë, Shteti përdorte të gjitha mjetet e tij për të prodhuar dhe propaganduar versionin e tij zyrtar të së shkuarës. Fatkeqësisht, kjo ndodhte në një shtet Orvellian, ku historianët ishin thjesht mjete në duart e diktatorit, i cili personalisht diktonte linjat kryesore të interpretimit. Kjo ishte periudha ku shumë nga Shqiptarët u konfrontuan për herë të parë me historinë - e sistemi shkollor i shtetit të ri integroi për herë të parë gjithashtu fëmijë nga zonat rurale dhe familjet e varfra. Shumica e shqiptarëve besojnë se çfarë mësuan në shkollë dhe lexuan e dëgjuan në media është e vërteta e vetme. Atyre nuk ju është shpjeguar kurrë se historia u shkrua nga njerëz, të cilët ishin objekte të një programi të madh indoktrinimi dhe propagande. Vazhdimësia e elitës dhe presioni i madh politik mbi historianët bëri që diskutimi i hapur i historiografisë komuniste të ishte i pamundur. Aleks Buda, përgjegjës për shovinizmin Kombëtar-Stalinist, ashtu, sikundër Arshi Pipa vendosi 'ksenofobinë, sllavofobinë, izolimin, homogjeninë etnike dhe unitetin gjuhësor' (dikush mund të shtojë edhe grekofobinë, ortodoksofobinë po ashtu) konsiderohet akoma si një shtyllë e kulturës Shqiptare. Kritikët ose u denoncuan si jo-profesionistë (sepse ata nuk u rekrutuan në institucionet kërkimore për shkak të mendimeve të tyre ndryshe) apo si të huaj me qëllime të errëta. Këndvështrimi enverist gjendet akoma në trurin dhe shpirtin të paktën e disa njerëzve që merren me temat historike në shoqërinë që i rrethon. Vetëm disa nga intelektualët shqiptarë kanë kurajën të kritikojnë historiografinë zyrtare, apo vetëm vitet e fundit kanë treguar një tolerancë disi modeste te medias Shqiptare dhe elitës drejt këtij qëndrimi. Ashtu siç është, trashëgimia komuniste në historiografi është një pengese serioze për hapjen mendore të shoqërisë shqiptare. Për sa kohë që historianët duhet të përballën me sulme e kërcënime të forta, nëse ata formulojnë rrëfime të tjera, Shqipëria nuk mund të karakterizohet si një shoqëri liberale dhe e hapur".

Si e shikoni Shqipërinë, më afër Perëndimit apo Lindjes?

"Unë kam përdorur Lindjen dhe Perëndimin në titullin e librit tim, vetëm për të treguar kornizën kulturore në të cilën u zhvillua shoqëria shqiptare, por jo si një njësi ontologjike. Lindja apo Perëndimi janë dy terma kyç në debatin e vazhdueshëm mbi identitetin kombëtar në shoqërinë Shqiptare, por unë mendoj se pyetjet qendrore janë të tjera: a jetojnë Shqiptarët në një shtet ligjor, me institucione të besueshme shtetërore, një shkallë korrupsioni të ulët, një demokraci pluraliste, ku opinionet e ndryshme pranohen si një pjesë esenciale e jetës politike, ku kundërshtarët nuk janë 'tradhtarë' apo 'spiunë'. Unë kam përshtypjen se shumë shqiptarë do të dëshironin një model të tillë, por për shkak të vështirësive ekonomike, përpjekja e përbashkët për të mbijetuar ekonomikisht, ndikimi i kudondodhur i politikës në jetën sociale dhe politike, bën që shumë njerëz nuk e kanë fuqinë apo mundësinë të luftojnë për këto vlera. Ekziston një opozitë politike radikale, e cila megjithatë ofron më shumë slogane nacionaliste dhe demonstron një shkallë të lartë pa aftësie në çështjet e politikës ekonomike. Përveç kësaj, perspektiva evropiane e ka humbur joshjen e saj, dhe është shfaqur Turqia si një lojtar i ri. Turqia është një shtet me një numër të konsiderueshëm njerëzish të persekutuar apo të burgosur për shkak të ideve të tyre, me një media vetëm pjesërisht të lirë, ku nacionalizmi i fortë ofron një model të ndryshëm për udhëheqësit shqiptarë. Në kontekstin e Lindjes se Afërme, Turqia është një demokraci, por duke u krahasuar me shtetet e Evropës, Turqia është akoma një shtet me një demokraci në zhvillim. Për momentin, Lindja dhe Perëndimi nuk janë vetëm terma në debatin e brendshëm kulturor Shqiptar, por gjithashtu shumë mundësi për orientim politik. Shpërthimi i retorikave nacionaliste që ndodhën rreth 28 Nëntorit 2012 japin përshtypjen se liderët politikë janë më shumë të interesuar në mbrojtjen e privilegjeve të tyre duke u fshehur pas zhurmës nacionaliste- kurse pyetja themelore nuk është Lindja apo Perëndimi, por se si do arrijë Shqipëria të ndërtojë një nivel shtetëror të ndershëm dhe si do t'u ofrojë ky shtet një jetë të paqtë qytetarëve të tij".

Në spikamë Rexhep Ferri


Rexhep Ferri, piktor, profesor e shkrimtar , u lind në Kukës (Shqipëri) në vitin 1937. Më 1958 mbaroi shkollën e mesme të Artit në Pejë. Më 1962 botoi poezitë nga cikli Shëtitësit e lodhur në revistën letrare Jeta e re në Prishtinë. Në vitin 1966 u diplomua në Degën e Pikturës Monumentale në Akademinë e Arteve në Beograd. Në vitin 1970 mbaroi studimet pasuniversitare në Akademinë e Arteve në Beograd. Më 1971 mori çmimin e Dhjetorit të Kuvendit të Kosovës. Në vitin 1974 zgjedhet pedagog i Akademisë së Arteve Figurative në Prishtinë. Më 1975 fiton çmimin e Sallonit Pranveror për pikturë të Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Në vitin 1999 zgjedhet sekretar i Seksionit të Arteve në ASHAK dhe në vitin 2000 zgjedhet anëtar i rregullt i ASHAK. Kritika i ka vlerësuar lartë veprat e tij në aspektin artistik. Ka botuar edhe disa përmbledhje të poezive, si dhe disa romane.
Frike nga Guernika, Rexhep Ferri
Tituj të veprave

Ndoshta ishte dashuri, Prishtinë: Gazeta "Rilindja", 1997
Atdheu im Torzo, Prishtine: Rilindja, 1998
Kuartet për harqe : partiturë, Autorët" Rauf Dhomi, Rexhep Ferri. Prishtinë, 2001
Frikë nga Guernika: roman, Tiranë: Onufri, 2004
Njeriu po kush tjetër: roman, Tiranë: Onufri, 2005
Shapo Albane: roman, Tiranë: Onufri, 2006
Humbës i lumtur, Tiranë : Toena, 2007


Etj.



http://floripress.blogspot.com/2011/04/prerja-regjisoriale-rexhep-ferri.html

Rexhep Ferri dhe muza e mëngjesit të hershëm




Rexhep Ferri, njëri prej artistëve më të shquar modernistë shqiptarë, të kujton pikërisht një lloj arkeologjie të mëngjesit (një mëngjes që për ta kuptuar duhet të rrëmosh thellë nëpër terrin e kohërave). Ky prezantim na çon drejt përmbajtjes të një studimi të thelluar mbi veprën e Rexhep Ferrit, me të cilin studiuesi i gjuhës pamore Gëzim Qendro kërkon në labirintet që krijon ky medium, në kontekstin e kohës dhe hapësirës duke e konsideruar si përfaqësues i periudhës së artit modernist të Kosovës.

Togfjalëshi "arkeologji e mëngjesit"

description
Megjithatë, Qendro ndalet për të kuptuar pse togfjalëshi "arkeologji e mëngjesit", prej së cilës ndan titullin dhe tharmin vendoset si "njëfarë tautologjie e metaforës së Bernardit të Shartrës (… ne shohim më shumë dhe më larg se paraardhësit tanë, jo sepse kemi vështrim më të mprehtë, apo se jemi më truphedhur, por sepse jemi ngjitur dhe qëndrojmë lart mbi shtatin e tyre vigan), sepse bart në vetvete tensionin e skajshëm semantik të paradigmës moderniste: ajo u shfaq si mëngjesi vezullues i një lloji të ri, pas shumë të tjerëve mbi të cilët kishte rënë muzgu e që tashmë ishin kyçur përgjithmonë në sarkofagun e historisë".

Sado e brishtë t'i ngjajë qasja e gjuhës pamore kushteve reale, përmes së cilës kalon ky medium në trojet shqiptare, Qendro vazhdon t'i rezistojë kaosit duke gjetur "rrugë të fshehta" hulumtimi (kurator ekspozitash, pedagog i lëndëve të gjuhës pamore, filozofi arti dhe histori arti, përkthyes) si kontribut në ndërtimin e një biblioteke moderne në të tilla shqyrtime kritike studimore.

Prognoza që ndërton ky studiues e zhvesh punën e Ferrit nga tipizimi lokal duke e zhvendosur në një hapësirë më vizionare, në afrim të qartë me çfarë duhet identifikuar rasti përballë burimeve universale të gjuhës pamore.

Pa huazime nga disiplinat e tjera artistike

Prandaj, shpesh në artikulimin, apo gërmimin e tij për zbulime përafruese, na çojnë në të dhëna krahasuese me të njëjtin medium duke i takuar një territori më të gjerë. Në rastin konkret, piktori Rexhep Ferri kalon në hapësirën dhe kohën paralele të modernizmit përtej territoreve të këtushme.

"Në veprat e Rexhep Ferrit jo vetëm që nuk gjejmë huazime nga disiplina të tjera artistike, por përforcimi i zonës së kompetencës së pikturës së tij, shpeshherë, merr forma të skajshme, duke shtjelluar me zhdërvjelltësi teknike ato risi që transformuan rrënjësisht marrëdhëniet themelore të artit evropian: të artistit me realitetin, të hapësirës reale me atë piktorike, apo të kësaj të fundit me hapësirën kontekstuale, të imazhit me realitetin, të mediumit me teknikën dhe të plasticitetit modal me subjektin", shkruan Qendro.

Simbioza e modernizimit

Përndryshe, ky vështrim kritik i referohet simbiozës së modernizmit njësoj siç e trajtojnë dhe e njohin fenomenet paraardhëse në Evropë, si koncepte të njohura botërisht.

"Rastin për t'u ngjitur mbi "supe viganësh" e patën të parët artistët që jetonin në anën perëndimore të "vijës së re të Teodosit", që do të ndante vertikalisht trojet shqiptare gjatë shekullit XX. Kjo sepse shteti shqiptar lehonë, pas një periudhe turbullirash shoqërore që pasuan shpalljen e pavarësisë, mundi gjithsesi të arrinte njëfarë zhvillimi ekonomik dhe kulturor, veçanërisht gjatë mbretërimit të Zogut I; nga gjysma e dytë e viteve '20 deri në pushtimin italian më 1939.

Tekefundit, historia e artit është edhe njëfarë arkeologjie mëngjesesh, ku cilido brez shfrytëzon përvojën e atyre që jetuan përpara tij për t'i dhënë kuptim dhe substancë mëngjesit që sapo ka nisur për të, duke nxituar të lërë gjurmën e tij përpara perëndimit", shkruan Qendro në lëndën hyrëse, të vëna në dispozicion nga shtëpia botuese "Dituria", prej nga është mbështetur për botim kjo vepër.

PILOTËT E VJETËR


Riza Lahi
Hodhën nga një grusht dhe në varrin e hapur
ku qanin të gjithë.
Iu afruan të heshtur tavolinës së mortit.
U ulën
Pikëlluan ca
Pinë dhe nga pakëz raki
Dhe bënë shaka.
Kishin luajtur me vdekjen tër jetën.
Unë ua njoh të gjithëve:
Mëritë,
Djallëzitë,
Modestitë,
Egoizmin,
Pisllëqet,
Furinë,
Plogështinë
Fuqinë
Dobsinë
Të qeshurat
Lotët
Që të gjithë këta
E patën një të dashur
Që i treguan gjithëçka
Që i falën gjithëçka
Që i qeshën gjithëmonë
Që nuk e tradhëtuan kurr...
Ajo ishte
Hapsira mbi atdhe.
Shënim – kjo poezi është shkruar në një ceremoni vdekjeje
VETERAN PILOTS
Threw a palm land on opened grave
Where were crying at all.
They approached silently to mortal dinner’s table
Set down
Afflicted a little
Took a sip raki
And did
Jokes.
All their life they had played with death …
I know to everybody:
The grudges
The deceits
The modesty
The egoism
The dirtiness
The frenzies
The apathy
The strength
The weakness
The rushes
The laughs
The tears
All they had a lover
To whom
They
Told everything
Gave everything
Everywhere only laughed
And
Never
Betrayed….
Was
That:
The sky
Over
Homeland .
Note – written on a death ceremony
老練な操縦士
VETERAN PILOTS
ぽっかりと空いた墓に投げ出された一握の土地
そこは泣き叫ぶ声ばかりだった
静かに死の夕食のテーブルに来て
座って
少し考え込んで
ラキをすすり
冗談を交わした
死を奏でたのが彼らの人生
みんな分かっている
その敵意
その地獄絵
その内気
その自己主義
そのいやらしさ
その激しさ
その冷淡
その無力
その弱さ
その活力
その笑い
その涙
みんな愛人をもっていた
彼らが
 何でも話せる人
何でも与えて
笑いだけが残る所で
 そして
 決して
裏切ることがなく...
 それは
故郷の空のこと
死の儀式で書かれた詩
死の儀式で書かれた詩 Note – written on a death ceremony
Pwrkthyer nw japonisht nga poetesha Kae Morii, antare e bortit ekzekutiv tw “Shoqatws Botwrore tw Shkrimtarwve dhe Artistwve”
ΒΕΤΕΡΑΝΟΙ ΠΙΛΟΤΟΙ
Έριξαν μια χούφτα χώμα στον ανοιχτό τάφο
Εκεί που όλοι έκλαιγαν
Πλησίασαν αθόρυβα στο τραπέζι με το μνημόσυνο δείπνο
Κάθισαν
Κάπως λυπημένοι
Πήραν μια γουλιά ρακί
Και
Αστειεύτηκαν.
Σ’ όλη τους τη ζωή έπαιζαν με το θάνατο…
Γνωρίζω πολλά για τον καθένα τους:
Τις έριδες
Τις απάτες
Την μετριοφροσύνη
Τον εγωισμό
Την ατιμία
Τις εντάσεις
Την απάθεια
Τη δύναμη
Την αδυναμία
Τις βιασύνες
Τα γέλια
Τα δάκρυα
Όλοι αυτοί είχαν έναν εραστή
Σε αυτόν
Έλεγαν
Τα πάντα
Έδιναν τα πάντα
Παντού γελαστός
Και
Ποτέ
Δεν τους πρόδωσε…
Ήταν
Αυτός:
Ο Ουρανός
Πάνω
Απ’ την Πατρίδα.
Pwrkthyer ngapoetesha greke Vassiliki Ergazaki, antare e “Shoqatws Botwrore tw Shkrimtarwve dhe Artistwve”
PILOTOS VETERANOS
Lançou uma palma na terra na cova aberta
Onde todos estavam chorando.
Eles se aproximaram silenciosamente à mesa do jantar mortal
Sentarem-se
Afrigiram-se um pouco
Tomaram um trago de raki*
E contaram
Anedotas.
Toda a vida eles brincaram com a morte…
Conheço a todos:
Os rancores
As decepçòes
As modestias
O egoismo
As sugeiras
Os arrebatamentos
A apatia
A força
A fraqueza
As pressas
Os risos
As làgrimas
Todos tiveram uma amada
Para quem
Eles
Contaram tudo
Deram tudo
Riram em toda parte
E
Nunca
Trairam…
Foi
Assim:
O cèu
Sobre
A patria.
Nota: Escrito numa cerimònia de morte .
*Raki – Bebida alcoòlica de Albania
Traduçao po Teresinka Pereira
Përkthyesja, poetesha Teresinka Pereira, një personalitet i shquar i botës së sotme, është Presidente e “Shoqatës Botërore të Shrimtarëve dhe Artistëve”
Kjo poezi është përkthyer dhe botuar edhe në Indu, nga Dr. Harish K. Thakur – Shimla, India si edhe në gjuhën ruse nga poeti nga më të mirët që ka bota e sotme, rusi Adolf Shvedçikov, antar i bortit ekzekutiv të “Shoqatës Botërore të Shkrimtarëve dhe Artistëve”. Ne nuk i kemi përfshirë këtu, sepse gërmat “Indu” dhe “Rusisht” nuk i njeh kompiuteri .

POETËT

Riza Lahi

Unë i dalloj poetët e brezit tim
Shkojnë rrugës vetëm, porsi qënie të huaja
Me xhepat shpuar, nën mundimin e rrudhave
Të poshtëruar që nga shoqëria deri te gruaja
Shteti ynë gjen para që të paguajë ushtarë
Të ruajnë paqën nëpër botën e gjërë
Për librat e vjershatëve të mjerë
Nuk ka para as një copë për të blerë
Veç shpirti i tyre e di se si ia bëjnë
Një vëllim me lirika për të botuar
Me gjithse fatin e librit e dijnë të gjithë
Si e ardhmja e bebit që lindi i gjymtuar
As librashitëset nuk ia pranojnë
Ndonjëri – fshatar – bëhet politikan
Si lule që çel e vyshket brënda natës
T’i thotë “Ai” : “Poetët ikam xhan!”
Tër bota e sotme është kundra poetëve
Paratë, karriget, britmat i kanë kundër
Por ata shkruajnë prap dhe kjo tregon
Kjo botë njerëzish, si Noeja, e ka një lundër
Poetët përloten menjëherë
Vuajnë vetë për të mos therur dikë
Kur t’u zemërohet kjo bandë e mjerë
Uleni kokën, mos e përsëritni më!
Poetët s’kanë fuqi t’i vënë shqelmin
Atij që për jetë po zhytet nën dëborë
Ata s’kanë shpirt, nuk durojnë dot, nuk mundin
Rryshfet të marrin dhe para nën dorë
Kuptojini poetët, janë përqark
Të ndershëm, të vetmuar dhe të mjerë
Ata prap shkruajnë kjo do të thotë se bota
E ka një varkë, ndërsa rend për skëterrë

“Marëdhëniet me komunistat e Enverit? Vetëm përmes nishanit të pushkës!!!”*

RIZA LAHI


Nga biseda me ballistin kosovar që ka qënë në Shqipëri me 4 shkurt 1944, të ndjerin Ram Mehmetaj, ish emigrant në Suedi

Ram Mehmetaj, i 2 prillit 1925, përveç fillores, ka mbaruar edhe një “kurs ndërtimtarie” dhe ka një shkrim me kaligrafi të mrekullueshme, me të cilin po shkruan kujtimet e veta.
Ky ka qenë në Shqipëri nga shtatori 1943 deri në maj 1944; ka qenë nën komandën supreme të Xhaferr Devër, të cilin e adhuron.
“Ai a kanë burr trim e ka luftue për Shqypni etnike!”, thotë baca me mustaqe të bardha si të ndërtuara me fill qeleshesh, dhe me mëndjen qiqërr.
- Baca Ramë, ke qënë në Shqipëri me 4 shkurt 1944?
- Po, jam kanë!
- Ke qënë në Tiranë?
- Jo, jam kanë në Berat!
- A e din që, me urdhër të Xhafer Devës janë vrarë me 4 shkurt 1944, 86 njerëz të pafajshëm të qytetit të Tiranës?
- Kan rrejt komunistat!
- E ç’i del për zot, o bacë, asaj pune? Varret e viktimave të Katër Shkurtit në Tiranë, i dijnë që të gjithë në Shqipëri.
Unë mbyll diktofonin. Darka është gati. Natë Bajrami.
Familja e bacës Ramë është e madhe. Shumë pjestarë të saj hanë me ne, por jo baca. E kanë këshilluar mjekët të mos hajë darkë.
Kthehemi prap në dhomën ku simpatizanti i Xhafer Devës dhe Beslim Bajgorës (që detyronte njerëzit, pa përjashtim, të binin “shahdet”) na pret. Dukej se diçka kishte qënë duke bluar në vetminë e tij. Foli i pari:
- Jom plak e du me dekë nesër. E…N’Tiranë jan pas bo do gjana…Jan kanë vra do nierz me 4 shkurt. Por me urdhën t’gjermanit. Janë kanë edhe tre katër vetë qi ju kanë pas pre veshët e gishtat do grave me ju marr florinjtë...
- Mos more! Ju kan pre gishtat e veshtë motrave shqyptare? Vajzave të nanës Teutë? Q’ashtu Ram? Pash zotin!!
Baca im, Ibrahim Metaj, ka kërcyer në këmbë. Sytë i ka të xhindosur. Më hynë të dridhurat. Poqese ai do të braktiste konakun e krushkut të tij në mënyrë demonstrative, unë sigurisht që do t’I shkoja pas.
Bacës Ramë nuk I lëvizi asnjë nerv nga fytyra. Vazhdoi me të njëjtin zë, të qetë, si të ishte duke u rrëfyer:
- Q’ashtu bash. Veçse ata qi kan ba qashtu, nuk jan kanë t’Kosovës, por shqyptar t’Shqipnisë. E, Xhaferi, qata, i ka vra. Ma ka thanë ni shoq, qi i ka vra sak me dorë t’vet.
Ndërkohë, unë hap diktofonin:
- O baca Ramë! Ata komunistat e këqi Ti e din se komunistat janë të këqi...
- Bash sak t’këqi, mana!
- Ata, pra, atyre që bëhen kryeministra, kur vendi dhe populli i tyre është i pushtuar, ju thoni Kuiskuis
- Kuislinga! – ma kapi fjalën baca Ram nga goja.
- E pra, Xhafer Deva ka qenë kryeministër i Shqipërisë në kohen e gjermanit!
Baca Ram më pa njëherë me kujdes e, si heshti pak duke kruajtur kokën, ia pat:
- Edhe Enveri a kanë kuisling!
- I kujt, baca Ram?
- A kanë kuislingu i Titas, i Stalinit, i Hrushovit
- I Mao Ce Dunit- e ndihmova unë.
- Q’ashtu, q’ashtu! I Mao Ce Dunit, i Teodor Zhivkovit
- Mirëpo, kur mbeti vetëm Enveri, kuisling i kujt ka qënë?
Baca kruajti kokën dhe m’u përgjigj:
- Titja a kan i keq Enveri hini n’Kosovë e iku prap e na la vetëm. A kanë i keq Enveri se na la n’duar t’Titas e t’Sërpit!
Baca plak, ky burr i shëndetshëm e i rëndë, si është kthyer në Kosovë, ka vazhduar luftën kundër partizanëve të Titos, kundër “Sllavokomunistave”.
Ai ka patur një rast tejet të veçantë gjatë jetës së tij, si asnjëri nga ne.
Ai ka dëgjuar të artikullohet nga goja e dikujt kundër tij dënimin “me vdekje”.
Nga goja e prokurorit titist.
"Dënim me vdekje!”u revizionua nga gjykata me 25 vjet burg të rëndë.
Baca Ram ka bërë gjithsej 9 vite nga këto 25, duke i shlyer uljet e dënimit me punë dërrmuese, “non stop!”. Duke pushuar vetëm me ndonjë “raport doktori”.
Më pas, ai ka kryer, “non stop” edhe plot 13 vite të tjera burg të rëndë, se “nuk ka marrë mend”.

XXX

Ram Mehmetaj befas u gjallërua. Sytë i ndritën sikur po i vezullonte realizimi i një ëndre që nuk ia kishte thënë askujt.
Si pa një herë nga krushku, me një të ecur thuajse djaloshar, u afrua te unë. Më foli me një zë intim, sikur donte të mos e dëgjonte njeri.
Të gjithë i kishin veshët pincë.
Heshtje e plotë.
- Ngo bacin këtu!
Unë afrova karrigen më pranë vetes.
- Më the se je pilot i Shqypnisë …Qi je edhe shkrimtar i Tiranës, e?
- Ëhë.
- Ngo bacin! A e keni dashtë Enverin ju n’Shqipni?
- Enveri ka hikë e ka shkuar në punë të vet,e ne jemi në punë tonë, bashkë.
- E di, e di, po a e kani dashtë.
- Po ça po të duhet mor bacë... Enveri ka ikë tash. Janë kohë të tjera.
- Jo, ma difto!
Dhe pa nga krushku, baca jem Ibrahim, sikur donte që ai ta ndihmnte që unë t’i përgjgijesha pyetjes së tij.
- A don me të thanë të vërtetën, a don me të rrejtë.
- Të vërtetën, thuja bacit
- E kena dashtë boll. Na pilotat, e kena dashtë ma fort se të tanë.
Ndërsa hapa sytë të dëgjoja bacin se ç’do të më thoshte më, ai kërceu te një kasafortë që e kishte ca përtej dhe erdhi me disa fletë të shkruara. Dallohej një kaligrafi e mrekulleushme.
- Qitu ka hedhë baci jetën e tij. Tan jetën teme e kom shkrue qitu. A je ka m’i merr me vedi në Tiranë e m’i boton atje?
- Po a ke kopje tjetër?
- Jo, nuk kom. Paj po t’i la ty, burr, si me i pas vetë. Oj, piloti jem. Piloti i Shqypnisë teme! Piloti i bacit!
Nuk kisha se si t’i merrja ata gjëra të shënjta shumë dhe vetëm në një kopje, por i ftova të bijtë që t’ia kompjuterizonin dhe, më pas, le të m’i nisnin materialet me disketë në Tiranë, ku do të ishte përkrahja ime e plotë. Më vonë njëri nga djemtë më tha në vesh :”Qysh po don me t’i dhanë shënimet baba ty, bre baci Rizë? Paj kanë ardhë disa doktor profesora prej Prishtine e prej Tetove me ia marrë shënimet e jetës e nuk ia ka dhanë kurkujt. Kurse ty po don me t’i dhanë vetë”...
Ja, le ta hapim edhe një herë diktofonin përpara se të largohemi nga baca Ramë...
- E pra Baca Ramë! Çfar ke ndjerë, kur more vesh se shpërtheu lufta për çlirimin e Kosovës?
- E ça m’duhet mue me folë? A nuk jam kanë n’Kosovë me luftue? Jo! S’kam ça flas hiç.
- Ti e din, ma, bac, si a kanë Enveri. Mirëpo, disa djem që kanë luftue në Kosovë me UÇK-në, e kanë dashtë Enverin. Ç’a thue ti?
- Kush ka luftue me arm kundra shkjaut për Kosovë, të tanë janë të mirë. Ani se e kanë dashtë Enverin. – Kruajti kokën baca Ramë dhe më zgjati për herë të fundit gjënë e tij më të shtrenjtë ditarin e jetës nëpër burgjet titiste, kampet e përqëndrimit dhe kantjeret e ndërtimit.
Ku sigurisht duhet të jetë edhe pikëllimi i tij, që shëndeti tradhëtar nuk e kish lënë t’u bashkohej brigadave kosovare.

* Për fat të keq, edhe Baca Ram Mehmtaj na ka lënë. Nuk e di se ku kanë përfunduar kujtimet e tija që , me siguri, kanë materiale jetike pafundësisht të vyera - autori.

RIZA LAHI, fragment nga libri që nuk u botua kurr për turpin e mungës së financimit të tij “Flatrat e Shqipes sime”

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...