2013-02-10

“Marëdhëniet me komunistat e Enverit? Vetëm përmes nishanit të pushkës!!!”*

RIZA LAHI


Nga biseda me ballistin kosovar që ka qënë në Shqipëri me 4 shkurt 1944, të ndjerin Ram Mehmetaj, ish emigrant në Suedi

Ram Mehmetaj, i 2 prillit 1925, përveç fillores, ka mbaruar edhe një “kurs ndërtimtarie” dhe ka një shkrim me kaligrafi të mrekullueshme, me të cilin po shkruan kujtimet e veta.
Ky ka qenë në Shqipëri nga shtatori 1943 deri në maj 1944; ka qenë nën komandën supreme të Xhaferr Devër, të cilin e adhuron.
“Ai a kanë burr trim e ka luftue për Shqypni etnike!”, thotë baca me mustaqe të bardha si të ndërtuara me fill qeleshesh, dhe me mëndjen qiqërr.
- Baca Ramë, ke qënë në Shqipëri me 4 shkurt 1944?
- Po, jam kanë!
- Ke qënë në Tiranë?
- Jo, jam kanë në Berat!
- A e din që, me urdhër të Xhafer Devës janë vrarë me 4 shkurt 1944, 86 njerëz të pafajshëm të qytetit të Tiranës?
- Kan rrejt komunistat!
- E ç’i del për zot, o bacë, asaj pune? Varret e viktimave të Katër Shkurtit në Tiranë, i dijnë që të gjithë në Shqipëri.
Unë mbyll diktofonin. Darka është gati. Natë Bajrami.
Familja e bacës Ramë është e madhe. Shumë pjestarë të saj hanë me ne, por jo baca. E kanë këshilluar mjekët të mos hajë darkë.
Kthehemi prap në dhomën ku simpatizanti i Xhafer Devës dhe Beslim Bajgorës (që detyronte njerëzit, pa përjashtim, të binin “shahdet”) na pret. Dukej se diçka kishte qënë duke bluar në vetminë e tij. Foli i pari:
- Jom plak e du me dekë nesër. E…N’Tiranë jan pas bo do gjana…Jan kanë vra do nierz me 4 shkurt. Por me urdhën t’gjermanit. Janë kanë edhe tre katër vetë qi ju kanë pas pre veshët e gishtat do grave me ju marr florinjtë...
- Mos more! Ju kan pre gishtat e veshtë motrave shqyptare? Vajzave të nanës Teutë? Q’ashtu Ram? Pash zotin!!
Baca im, Ibrahim Metaj, ka kërcyer në këmbë. Sytë i ka të xhindosur. Më hynë të dridhurat. Poqese ai do të braktiste konakun e krushkut të tij në mënyrë demonstrative, unë sigurisht që do t’I shkoja pas.
Bacës Ramë nuk I lëvizi asnjë nerv nga fytyra. Vazhdoi me të njëjtin zë, të qetë, si të ishte duke u rrëfyer:
- Q’ashtu bash. Veçse ata qi kan ba qashtu, nuk jan kanë t’Kosovës, por shqyptar t’Shqipnisë. E, Xhaferi, qata, i ka vra. Ma ka thanë ni shoq, qi i ka vra sak me dorë t’vet.
Ndërkohë, unë hap diktofonin:
- O baca Ramë! Ata komunistat e këqi Ti e din se komunistat janë të këqi...
- Bash sak t’këqi, mana!
- Ata, pra, atyre që bëhen kryeministra, kur vendi dhe populli i tyre është i pushtuar, ju thoni Kuiskuis
- Kuislinga! – ma kapi fjalën baca Ram nga goja.
- E pra, Xhafer Deva ka qenë kryeministër i Shqipërisë në kohen e gjermanit!
Baca Ram më pa njëherë me kujdes e, si heshti pak duke kruajtur kokën, ia pat:
- Edhe Enveri a kanë kuisling!
- I kujt, baca Ram?
- A kanë kuislingu i Titas, i Stalinit, i Hrushovit
- I Mao Ce Dunit- e ndihmova unë.
- Q’ashtu, q’ashtu! I Mao Ce Dunit, i Teodor Zhivkovit
- Mirëpo, kur mbeti vetëm Enveri, kuisling i kujt ka qënë?
Baca kruajti kokën dhe m’u përgjigj:
- Titja a kan i keq Enveri hini n’Kosovë e iku prap e na la vetëm. A kanë i keq Enveri se na la n’duar t’Titas e t’Sërpit!
Baca plak, ky burr i shëndetshëm e i rëndë, si është kthyer në Kosovë, ka vazhduar luftën kundër partizanëve të Titos, kundër “Sllavokomunistave”.
Ai ka patur një rast tejet të veçantë gjatë jetës së tij, si asnjëri nga ne.
Ai ka dëgjuar të artikullohet nga goja e dikujt kundër tij dënimin “me vdekje”.
Nga goja e prokurorit titist.
"Dënim me vdekje!”u revizionua nga gjykata me 25 vjet burg të rëndë.
Baca Ram ka bërë gjithsej 9 vite nga këto 25, duke i shlyer uljet e dënimit me punë dërrmuese, “non stop!”. Duke pushuar vetëm me ndonjë “raport doktori”.
Më pas, ai ka kryer, “non stop” edhe plot 13 vite të tjera burg të rëndë, se “nuk ka marrë mend”.

XXX

Ram Mehmetaj befas u gjallërua. Sytë i ndritën sikur po i vezullonte realizimi i një ëndre që nuk ia kishte thënë askujt.
Si pa një herë nga krushku, me një të ecur thuajse djaloshar, u afrua te unë. Më foli me një zë intim, sikur donte të mos e dëgjonte njeri.
Të gjithë i kishin veshët pincë.
Heshtje e plotë.
- Ngo bacin këtu!
Unë afrova karrigen më pranë vetes.
- Më the se je pilot i Shqypnisë …Qi je edhe shkrimtar i Tiranës, e?
- Ëhë.
- Ngo bacin! A e keni dashtë Enverin ju n’Shqipni?
- Enveri ka hikë e ka shkuar në punë të vet,e ne jemi në punë tonë, bashkë.
- E di, e di, po a e kani dashtë.
- Po ça po të duhet mor bacë... Enveri ka ikë tash. Janë kohë të tjera.
- Jo, ma difto!
Dhe pa nga krushku, baca jem Ibrahim, sikur donte që ai ta ndihmnte që unë t’i përgjgijesha pyetjes së tij.
- A don me të thanë të vërtetën, a don me të rrejtë.
- Të vërtetën, thuja bacit
- E kena dashtë boll. Na pilotat, e kena dashtë ma fort se të tanë.
Ndërsa hapa sytë të dëgjoja bacin se ç’do të më thoshte më, ai kërceu te një kasafortë që e kishte ca përtej dhe erdhi me disa fletë të shkruara. Dallohej një kaligrafi e mrekulleushme.
- Qitu ka hedhë baci jetën e tij. Tan jetën teme e kom shkrue qitu. A je ka m’i merr me vedi në Tiranë e m’i boton atje?
- Po a ke kopje tjetër?
- Jo, nuk kom. Paj po t’i la ty, burr, si me i pas vetë. Oj, piloti jem. Piloti i Shqypnisë teme! Piloti i bacit!
Nuk kisha se si t’i merrja ata gjëra të shënjta shumë dhe vetëm në një kopje, por i ftova të bijtë që t’ia kompjuterizonin dhe, më pas, le të m’i nisnin materialet me disketë në Tiranë, ku do të ishte përkrahja ime e plotë. Më vonë njëri nga djemtë më tha në vesh :”Qysh po don me t’i dhanë shënimet baba ty, bre baci Rizë? Paj kanë ardhë disa doktor profesora prej Prishtine e prej Tetove me ia marrë shënimet e jetës e nuk ia ka dhanë kurkujt. Kurse ty po don me t’i dhanë vetë”...
Ja, le ta hapim edhe një herë diktofonin përpara se të largohemi nga baca Ramë...
- E pra Baca Ramë! Çfar ke ndjerë, kur more vesh se shpërtheu lufta për çlirimin e Kosovës?
- E ça m’duhet mue me folë? A nuk jam kanë n’Kosovë me luftue? Jo! S’kam ça flas hiç.
- Ti e din, ma, bac, si a kanë Enveri. Mirëpo, disa djem që kanë luftue në Kosovë me UÇK-në, e kanë dashtë Enverin. Ç’a thue ti?
- Kush ka luftue me arm kundra shkjaut për Kosovë, të tanë janë të mirë. Ani se e kanë dashtë Enverin. – Kruajti kokën baca Ramë dhe më zgjati për herë të fundit gjënë e tij më të shtrenjtë ditarin e jetës nëpër burgjet titiste, kampet e përqëndrimit dhe kantjeret e ndërtimit.
Ku sigurisht duhet të jetë edhe pikëllimi i tij, që shëndeti tradhëtar nuk e kish lënë t’u bashkohej brigadave kosovare.

* Për fat të keq, edhe Baca Ram Mehmtaj na ka lënë. Nuk e di se ku kanë përfunduar kujtimet e tija që , me siguri, kanë materiale jetike pafundësisht të vyera - autori.

RIZA LAHI, fragment nga libri që nuk u botua kurr për turpin e mungës së financimit të tij “Flatrat e Shqipes sime”

No comments:

Post a Comment

181 vjet nga lindja e Ismail Qemalit

                           Kërko brenda në imazh                         Nga Flori Bruqi  Teksa ngrinte flamurin e palosur të Skënderbeut pë...