Nga Dr. Lavdosh Ahmetaj*
Esat Pashë Toptani nuk ishte vetëm një personazh i kancelarive. Në dallim nga aktorë të tjerë të arenës politikë të kohës, ai ishte një personazh frekuent i faqeve të shtypit të kohës. Me të bëmat e të pabëmat e tij ai e përdorte shtypin për marketimin e vetes, por dhe përdorej shpesh prej tij.
Kështu, në faqet e Gazetës së Korçës të qershorit 1920, njihesh me një Esad Pashë që jetonte mes luksit të Hotel Kontinental në Paris, sëbashku me sekretarët e tij. Gazeta përshkruan hollësisht elementët luksoze me të cilën Esadi vesh aktivitetin e tij politik, që nga zënia e vilës me qera në periferi të Parisit, e deri tek mobilimi dhe përshtatja e ambienteve për vendosjen e delegacionit të tij.
I gjendur me vetëdije në fokus të mediave kryesisht si një i dëshiruar për jetë mondane, nuk mund të mos prodhonte jehonën e duhur e të tërhiqte vëmendjen maksimale të shtypit të kohës as akti i ekzekutimit fatal të tij.
Kronologjia e ngjarjes jepet thuajse me sekuenca filmike. Përmes tyre ne shohim Esadin, pikërisht në orën një e tridhjetë të drekës, që, mbasi kishte drekuar në restorant Bois De Boulogne, po dilte nga Hotel Kontinental i shoqëruar prej madmuazel Lysi Dyfur (23-vjeçare) dhe nipit të tij Qamil beut. Automobili i Esad Pashës i priste para portës, “e cila shikonte rrugën Kostilon”. Madmuazel Dyfur së bashku me nipin kishin zënë vend në automobil, ndërsa Esad Pasha kishte mbetur më mbrapa duke folur me një shqiptar. Por nё kohёn qё ai ishte duke kaluar portën, “një njeri iu sul përsipër duke patur në dorë një revolver dhe, me t’u afruar tek Esadi i ra dy herë. Esadi bëri dy tre hapa dhe ra rëndë mbi dhè” (- Gazeta e Korçës, e mërkurë, 30 qershor 1920, nr. 4, f. 1. art ”Vrasja e Esad Pashës në Paris”).
Hollësi që tregojnë një jetë nën sytë e paparacëve, të denjë për yjet e Hollivudit.
Por vrasja e Esad Pashës ishte një aksion politik në dobi të situatës politike të Shqipërisë. Ky aksion, duke patur në qendër një njeri të shenjuar prej shtypit, pati një jehonë të amplifikuar edhe për këtë arsye. Si rrjedhim, efekti politik ishte maksimalisht i përhapur sikurse edhe ishte synuar.
Zhvillimi i gjyqit të Avni Rustemit në sallat e drejtësisë franceze ishte një arsye tjetër e mediatizimit të aksionit politik dhe qëllimit për të cilin ky aksion ishte projektuar. Në gjyq u krijua mundësia e përfaqësimit mbrojtjes të të deleguarve nga qeveria e Tiranës, e dalë nga Kongresi i Lushnjes. Gjatë këtij përfaqësimi, folësit gjetën rastin të deklarojnë përpara trupit gjykues se vdekja e Pashait ishte një çlirim për shqiptarët nga intrigat politike të tij.
Kjo mund të konsiderohet e para vrasje politike në Shqipëri. Esad Pasha ishte një njeri që kishte alternativat e tij për Shqipërinë, që rezultuan si shumë të dëmshme per interesat e saj. Këtë konkluzion e kanë parashtruar shumë politikanë shqiptarë, të të gjitha kohërave, që i kanë ndjekur nga afër idetë dhe lëvizjet e tij politike. Për shembull, Mustafa Kruja, konkludonte se vrasja e Esadit “ishte i vetmi mjet pёr tё shpёtue vendin prej kaosit tё esadizmёs“ (- Arben Puto, “Shqipёria Politike 1912-1939”, Tiranё, Albin 2009, f. 263.). Për profesor Arben Puton, Esadi ishte nga ata politikanë qё grumbullonte rroga bashkё me nderime dhe që dinte ëё kuptonte ngjarjet dhe kursin e monedhave. (-Pashai ishte padyshim mё 2 gusht 1914 mik i Italisё dhe Greqisё, Serbisё, madje edhe i Rusisё, pra i gjithё sllavёve. Vetёm njё vend nuk e gёzonte miqёsinё e tij dhe ky vend ishte vendi i tij. Çudia ёshte se francezёt e zgjodhёn si zёdhёnёs tё Shqipёrisё, si trashёgimtar tё Skёnderbeut. Nё tetor 1914 Esad Toptani kishte hyrё nё bisedime me Francёn. Zyrtarisht? Po zyrtarisht, pa qeshur, se nuk ishte koha e tё qeshurave. Pas disfatёs serbe duhej futur nё pazar me tё. Por me para. Ndёrsa nё Selanik ai ishte njohur si kryetar qeverie nёn mbrojtjen e Francёs. Duhen hapur arkivat diplomatike pёr tё parё se çfarё priste Franca prej Esadit, tё cilin e nderoi me dekorata mё tё larta: “le Grand Gordon de la Llegion d`Honneur”, “La Croix de Guerre”.).
Ndёrsa njё profesor frёng, i cili kishte ndjekur me kujdes zhvillimet politike nё Parisin e asaj kohe, duke parё se Esadi ishte nё shёrbim tё tё gjithё atyre qё i ofronin ndihmё politike dhe finaciare, e kishte portretizuar atё si njё “afarist politik“, qё do tё thoshte se ai i shitej atij qё i jepte mё shumё para. Duke u nisur nga argumentet qё kemi dhёnё mё lart, nuk pёrbёn çudi pse ndёr personalitetet e Konferencёs sё Paris, Pashiçi ishte i vetmi qё e kishte qarё. Nё njё intervistë qё ai i kishte dhёnё gazetёs “Le Temps“, kishte thёnё se vrasja e Esad Toptanit ishte njё humbje dhe se ai ai ishte mik i Serbisё dhe i Francёs. Gazeta “Dielli“ e 26 shkurtit 1920 konkludonte se Esad Pashë Toptani ishte një njeri i rrezikshëm për Shqipërinë e shqiptarëve kombëtarë.
Por vrasja e Esad Pashë Toptanit rrezikonte të prodhonte një efekt negativ që mund të kundërbalanconte krejt të mirën që do të vinte pas saj. Ky efekt negativ mund te gjenerohej prej faktit se ishte një vrasje politike dhe, si e tillë, ishte shumë më e rrezikshme se një vrasje personale. Vrasjet personale kanë të bëjnë me fatin e një njeriu të vetëm, ndërsa ato politike përmbajnë mundësinë e një konflikti midis forcave të ndryshme politike, konflikt i cili mund të merrte edhe përmasa kombëtare. Ishte pikërisht mediatizimi i gjerë i motiveve të ekzekutimit, të shpalosura fort gjatë seancave të gjyqit dhe të pranuara nga shumica e kaheve politike në Shqipëri, që e kapërcyen këtë rrezik.
Duke ju referuar shtypit të kohës, është mjaft i kuptueshëm shqetësimi serioz nga e keqja e madhe që kishte mbërthyer politikën shqiptare si rrjedhojë e kompromiseve të paprecedenta të Esad Pashës. Si një politikan që e shihte politikën si negociatë me afaristin më të favorshëm për egon e tij politike, duke përjashtuar parimet më elementare të kombit, as që bëhet fjale qe ai te kishte adaptuar ndonje teori te caktuar shkencore politike. Për më tepër, alternativat e tij as që i afroheshin doktrinës Willsoniane, të shprehur në Kongresin Amerikan në dhjetor të vitit 1918. Kjo doktrinë, përmes kujtimeve të Ismail Qemalit, vjen me fjalët: “Kufijtë midis shteteve të ndryshme të Ballkanit duhet të caktohen miqësisht, sipas këshillave të Fuqive, dhe në bazë të vijave kombëtare të përcaktuara historikisht. Shteteve ballkanike do t’u jepen garanci për pavarësi politike e ekonomike e për tërësinë tokësore“ (Ismail Qemal Vlora, Kujtime, Tiranë 2007, f. 380 “Beteja të reja”).
Dhe kjo doktrinë mishëronte atë çfarë kishin nevoje shqiptarët, krejt pa pikë takimi me lëvizjet politike të pseudoshqiptarit Esad Toptani, të cilat me kohën janë dokumentuar dhe krahasuar pa gjetur pikëtakimi me principe politike doktrinare nga njerëzit e letrave shqip. Në mbështetje të ketij krahasimi, nuk mund të lë pa evidentuar idenë e Fan Nolit, i cili ka lënë shumë gjurmë të analizave të tij historike në Gazetën Dielli të 1924. Pikërisht aty ai shprehet se, “kur shqiptarët të kuptojnë se çfarë ka bërë Willsoni për Shqipërinë, do të ndërtojnë një monument në shpirtin e tyre, për shkak se ai në momentin që ishte në shtratin e vdekjes, ka thënë se Shqipëria do të ekzistojë.“
Nuk ka nevojë për koment vendosja përballë doktrinës së Willsonit e një politikani shqiptar me nuanca tipike tregtare, siç ishte Esad Pasha, që pikërisht për këtë natyrë tregtari nuk mund të aspironte një politikë të bazuar mbi principe dhe parime kombëtare. Vetëm kjo përballje, e tret në pluhur figurën e vogël historike të tij.
*Rektor i Universitetit “Pavarësia“, Vlorë