2013-02-15

Dy fjalë tha Koço Kosta...


(esse)


Nga Përparim Hysi


Kur tentoj të shkruaj këtë esse për një nga prozatorët nga më të bukurit të Letërsisë Mbarë Shqiptare, Koço Kostën, i lutem lexuesit që të më falë për një digresion paksa të gjatë. Kur them kështu, bëhet fjalë për aty e 50 vjet më parë, kur me të ndjerin doktor Astrit Delvinën (qe një njohës dhe lëvrues
perfekt i letërsisë) zhvillova gojarisht një dialog, që për kohën mjaftonte që të të mbyllte brënda: në apsanë. Unë riosh dhe ai burrë, në palcë të burrërisë.
Unë:- Doktor Astriti, a egziston trimëria e të shkruarit letërsi ndër ne?
Ai, burrë i pjekur që shihte dhe në "surdinë", bëri sikur u përtyp paksa, por me intuitën se pyetësi qe veç një riosh i patëkeq, më tha:
-Ekziston, por është e fshehur.
E sjell këtë dialog si një dëshmi e asaj kohe, se të shkruaje letërsi nuk qe fare e lehtë. Është si puna e asaj thënies që thotë:- Nga disiplina tek heroizmi një çap të ndan. Pra,qe punë pak me spec. Mund të shkoje si qeni në vresht. Dhe rastet, për turpin tonë, janë nga më përçudët. Që të të hiqnin të drejtën për të shkruar, kjo qe më e pakta. Të priste burgu, internimi dhe... Po ç'ka përtej kësaj dhe... Përtej kësaj,llahtara. Letërsia e "realizmit (jo socialist, por diktatorial) ka vulën e gjakut. Kur shfleton historinë e letërsisë së diktaturës komuniste, tmerrohesh. Tmerrohesh se gjen britmën heroike të Trifon Xhagjikës me thirrjen "Atdhe, je lakuriq", dëshmorëve aq të rinj Genc Leka e Vilson Blloshmi. Dhe kjo llahtarë si çdo gjë që ka kulmin e vet, të trondit kur sheh që varin një poet. Poeti Havzi Nela e pagoi më shtrenjtë se kushdo disidencën e tij që nuk qe vetëm letrare, por dhe ideologjike.

* * *
Pyetjes që shtrohet që a ka patur disedencë të mirëflllitë letrare në diktaturën 50 vjeçare, unë i përgjigjem: - Po. Ka patur. Duke arritur në këtë përgjigje, unë nuk mbështet korin se të gjithë krijuesit, kush më shumë e kush më pak, e kanë vuajtur dissidencën. Të ishe non grata për letërsinë e realizmit socialist, do të thoshte se ti apo ajo, kishit dalë nga "shtrunga" apo nga vatha. Dhe pati nga ata që tentuan apo vunë në provë, si: e hedhim,nuk e hedhim kanalin. Një i tillë qe Mehmet Myftiu. Me "Shkrimtari". E pagoi mirë "doganën". Lasgushi që e nuhati "gijotinën" made in diktaturë, u kthye në përkthime dhe bëri sikur e "harroi" poezinë. I ktheu bythën realizmit socialist. Më mirë djepi bosh, se shejtani brënda. Edhe liriku tjetër po aq i bukur, Ali Asllan Efendiu, bëri sikur i "harroi" a ca më tepër: e urdhëruan që të rrijë sus! I hoqën të drejtën e botimit. Pa iu rikthyer atyre që e paguan me kokë , daljen nga shtrunga, s'kam se si mos kujtoj disa të tjerë që e pësuan nga ajo "trimëri,që i bukuri, doktor Astrit Delvina, e quante të fshehur. "Qyteti i fundit" i Petro Markos, "RRethimi i bardhë" i Naum Priftit, "Dielli dhe rrëketë" i Faslli Halitit dhe,për mos të vazhduar me të tjerë,se nuk është ky qëllimi im, dua të theksoj se, kushdo që tentoi të dilte nga vatha, e pagoi shtrenjtë. Mos flakë për flakë. Të nesërmen. Se "qatipi"( mos qe ai "Qatipi i Tabirsarait" të Kadaresë?!!!) mbante shënime. "I çali ju kujton dhe s'ju harron" është batuta e një filmi. Dhe "qatipi" nuk harroi: në burg Petro Marko; për të "ndjekur kuajtë në pyjet e Divjakës, prozatori aq i bukur,Naum Prifti. Për Faslli Halitin kishte një "golgotë" tjetër.
Rrufeja nuk goditi nga lart, po nga poshtë. E vunë me "shpatulla në mur" gjimnazistët e Lushnjës që nuk i zinte gjumi për shkak të vargjeve të këtij heretiku. VendimI: kur të lodhet në kazmë, t'ia kthej me shatë. Lista e këtyre "të dalë nga vatha" është e gjatë dhe janë studiuesit që duhet t'i evidentojnë këto vlera të mohuara të letërsisë sonë, por,mjerisht,studiuesit sikur i ka zënë gjumi. Një farë gjumi dimëror siç bëjnë arinjtë. Kështu do të jetë, deri sa kanadezi Robert Elsie ka marrë si të thuash "tapitë" për të trajtuar, shkencërisht, historinë e Letërsisë Shqiptare. Kjo lloj "tapie" sa lartëson studiuesin Elsie, aq u vë vulën e turpit "gjumashëve" tanë. Mendimi im është: Shqipërisë kurrë nuk i kanë munguar kapcitetet për të trajtuar shkencërisht letërsinë dhe dinamikën e saj. Me aq sa e njoh unë letërsinë, them se një nga kritikët më në zë dhe më vitali ( këtë e theksoi si moshë)
është Doktor Fatmir Terziu; është doktor Agron Tufa; është Behar Gjoka, pa mohuar punën aq me vlerë të Profesorë Uçit,Jorgaqit apo LLoshit. Kur citoj të sipërmit, e di që nuk kam tagrin suprem. Ky është mendimi im dhe duhet marrë si shumë hipotetik. Kërkoj ndjesë në nuk kam cituar profesionistë të jerë që merren me studime, por u them çiltas: nuk është karshillëk apo mënjanim i qëllimshëm, por dijet e mia të cunguara në këtë fushë. Duke e ulur pak siparin e këtij digresioni, nuk do rri pa përmëndur, mikun tim të ndjerë, doktor Astrit Delvinën që "harroi" ta fshihte trimërinë dhe tek "doli nga vatha" (atëherë qe në Levan të Fierit) , u burgos se "oponenti" i "Globi në rrjetë" qe sytë e veshtë e mbretit. Doktori i mirë Astrit Delvina ka ndërruar jetë dhe e kujtoj me shumë veneracion. E,sa për "oponentin", ky bëri karrierë. Shkoi në kupolë.. Po stomaku ynë qe mësuar me të tilla.

* * *
Në bëra gjithë këtë digresion, dua të tregoj se një nga ata që "doli nga shtrunga", ka qenë dhe Koço Kosta. Siç e shoh, në tërësi, veprën letrare të Koço Kostës, arrij në përfundim se ky prozator ( ka një penë që të dredhë kur e lexon) gjithmonë ka tentuar të dalë nga "shtrunga". Them shtrunga se vatha është shumë më e madhe se shtrunga. Jo vetëm ka tentuar, por si bari i mirë që jam, Koçoja do të ma falë analogjinë: ashtu si delja që ruhet nga gërshëra, ashtu ka bërë dhe ai që t'i shmanget partishmërisë në letërsi; zor se gjen në veprat e tij një komunist që bën çudira;një komisar.
Gjen nga ata që, për të shtuar të ardhurat mjerane të kooperativës, gjuajnë për kunadhe. Lexoni "Dademadhja" dhe provoni ta hiqni nga dora.
Natyrisht, Koço Kosta, ky fshatar nga Suha ( eh,si përlotet kur kujton fshatin;kur kujton lumin; kur..) e ka bërë beli me penën e tij duke fituar çmime (garonte me aradhën e madhe dhe potente të kohës) dhe "qatipi" që mbante shënime, nuk ia fali këtë galop dhe Koçoja mënd e pagoi: romani Qafa e botës,nga për çmim shkoi dhe u gri në brumatriçe. Kjo, mendoj unë, bëri që e degdisën në Fier. Erdhi në Fier, po dalja nga "shtrunga" ishte siç dukej, shpirtërore. Ai qe antiparti ( jam dëshmitar i gjallë) por nuk vuri tellallin atje tek sheshi, por mendimet i tirrte atje,tek studioja e tij, tek rruga "Konfeenca e Pezës në Fier. Sa herë i kam ngjtur ato shkallë për në atë studio. Asgjë nuk më kish thënë se po shkruante për ata të dy. "Ata të dy e të tjerë" që unë e lexoja në faqet e revistës "Nëntori". Qe i çuditshëm. RRinte me ta dhe,si të thuash, u bëri atë diseksionin anatomik të karakerit dhe të shpirtit të tyre. Ata të dy i njihja dhe unë. I njihja dhe para Koços. Por shkrimtari Koço Kosta duke shkruar për ta, i bënte një karshillëk të madh ( herezia nuk kish brirë. Po brirë ama nuk kish as trimëria ) vijës së partisë. Ku në ç'vepër letrare të deriatëherëshme (jemi fill sa ka vdekur diktatori) gjenden persoanzh pak përçudë. Përçudë dhe unikë. Peshku i kuq dhe Djaloshi i bukur. Koçoja po luante me zjarrin. Nuk e njihte rrezikun? Po ai qe rrezik jo në potencë, po real. E njihte dhe shumë mirë. Aq më tepër, kur pasqyrat ishin përpara. Nuk qenë të paktë ata ë e kishin pësuar. Koçoja qe familjar shëmbullor: kish gruan, zonjën aq të respektuar, Krisanthin dhe dy fëmijë,atëherë, të vegjël. Unë kam mendimin se kur je me fëmijë, valvola e ajërit të trimërisë (në mund të shprehem kështu ?) zë e ngushtohet. Por këtu bën beli dhe trimëria made in Koço Kosta, ai,si ata samurajët japonezë, merr shpatën dhe ia ngul vetes. Shkel mbi mina. Bëhet kamikaz dhe e hedh krejt familjen dhe të ardhmen në erë. Ç'shkruaj, mos kujtoni se hiperbolizoj.
Shkruaj për gjëra që i di dhe m'i kanë parë sytë. "Qatipi" që mbante shënime, vuri "lupën" dhe ashtu siç ndodh sot në shkencën moderne, pa në brëndësi të shpirtit të Koços. Tek jam i kthiellët sot që shkruaj, them se "qatipi" nuk e vlerësoi Koçon subjektivisht, por objektivisht. Koçoja me "Ata të dy dhe të tjerë" nuk e donte partinë. Qe ngopur me "gjithë ato të mira të dikaturës" dhe shpërtheu: "Bulevardi (kish emrin e diktatorit) qe i verbër.Personazhet një "Peshku i kuq" merrej me içik"matrapazllëk", Djaloshi i bukur, sa rëndohej që qe nga"fshati" (ndahej nga qyteti me dy shina treni") bëhej edhe më i "bukur" tek thoshte: e keqja vjen nga njëshi. Dhe kur ky"njëshi" është i paaftë, atëherë bëhet hataja. Po më tej:"...seç është një diktator Derti që rri dyzet vjet" dhe... a doni më për Belulin,kur shkruante i ndjeri, Qamil Buxheli.

* * *
Me këtë roman"Ata të dy e të tjerë", Koço Kosta, nuk doli nga "shtrunga". Jo . U arratis. U arratis nga rruga e "Zotit" parti. Personazhet unik.Batutat unike. Aluzionet sa të thella, aq dhe të rrezikshme. "Qatipi" e la mërmërimën dhe ulëriti. "Ndal! majft më!". U ndalua nga revista "Nëntori". U çua në gatërr si"Qafa e botës", por mbrriti dëshkimi. Ju hoq e drejta e lejës për të shkruar e botuar. U përjashtua nga "LIdhja" dhe u çua në punë krahu në kooperativë. Mbi 30 km larg nga Fieri. Në Greshicë të Mallakastrës. E pësoi dhe kryeredaktori i "Nëntorit", i ndjeri Dalan Shapllo dhe,veç tij, poeti i bukur dhe aq njerëzor, Xhevahir Spahiu. Xhevahiri e kish "ftomën" e dytë. Të parën e kish marrë me një poezi ekzistencialiste. Dhe kjo Xhevos së mirë i ndodhi kur dhe një vëlla ia kishin marrë në burg. Po njerëzori, mbetet njerëzor. Natyrisht, që duke shkruar një vepër të tillë, Koço Kosta, si të thuash inspironte dhe sikur i shkelte syrin gjithë asaj oponence që flinte ose bënte sikur flinte. Dhe aq u shantazhua nga të gjitha hallkat partiake dhe shtetërore të asaj kohe, sa dhe ministri i mbrëndshëm, paranojaku që me"gamor fshatari s'do shkonte të merrte krypë në Vlorë", i alarmuar do bërtiste ( të gjithë ishin kopetentë partiakët e kupolës) :
-Ne nuk duam letërsi/ peshk të kuq a peshk të zi. Natyrisht, me këtë bejte perverse, ai tregon se sa u kish djegur trimëria e një pene të guximshme made in Koço Kosta. E se si e priti mjedisi i kohës dhe gjithë ata mendjekthielltit, këtë tagër e merr përsipër populli,që këndoi:
"Dy fjalë tha Koço Kosta
Dyqind i bëri posta...".
Tej këtyre nuk ke seç shton më.


Tiranë, 15 shkurt 2013

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...