Nga Dr. Greta Bregu
Janë të shumtë emigrantët shqiptarë në botë, por të paktë intelektualët shqiptarë emigrantë, të cilët përfaqësojnë në mënyrë të izoluar, por mjaft dinjitoze, kombin shqiptar përtej kufijve kombëtarë. Rastësia më bëri të njoh gjatë udhëtimit tim më të fundit në Francë një intelektual, i cili, nga angazhimi dhe vlerat akademike, transmetonte jo vetëm një imazh pozitiv për veten, por dhe një vlerë të shtuar për kombin shqiptar.
Në rrugëtimin tim në veri të Francës, e shoqëruar nga një grup miqsh që më pritën në Nancy, një ditë, rastisa të drekoj me një shqiptar të emigruar rreth 20 vite më parë në Francë. Në fakt, ishte një shqiptar ndryshe nga të tjerët, jo vetëm për atë çfarë ai kishte arritur profesionalisht në Nancy, por edhe për atë që ai përfaqësonte atje, një figurë të nderuar dhe të respektuar në rrethin e tij shoqëror dhe tej tij.
Nga prezantimi i parë mësova që quhej Arian dhe ishte diplomuar si inxhinier gjeolog në Tiranë, duke ndjekur traditën e babait të tij në këtë profesion. Kishte ardhur në Francë (Nancy) jo për qëllime emigrimi, por për të kryer studimet pasuniversitare të nivelit Master për Pasurimin e Mineraleve, në Institutin Kombëtar Politeknik të Lorenës dhe më pas, ishte diplomuar në po të njëjtin Universitet, si Doktor i Shkencave Gjeologjike dhe Ambientale. Pas diplomimit me rezultate të shkëlqyera, nuk kishin munguar dhe ofertat e para për punë, të cilat e kishin “joshur” për t’u punësuar dhe jetuar atje.
Ndërsa fliste për momentet e fillimit të sistemimit në Nancy, Ariani nuk i fshehu, as nuk i mohoi vështirësitë e para të integrimit në shoqërinë franceze, jo vetëm për faktin që ishte një intelektual i huaj, por edhe për faktin se gjithçka e niste nga hiçi, ndryshe nga vendasit. Fillimisht, i punësuar si inxhinier në një ndërmarrje të zonës, më pas, me iniciativën e tij, kishte hapur një kabinet të tijin “C.R.E.D.I.-Environnement”, ku ofronte studime, konsulencë, audite, trajnime profesionale në fushën e mbrojtjes së mjedisit, projekte në fushën e riciklimit të mbeturinave industriale, etj.
Por, angazhimi dhe ego e tij profesionale nuk kishte mbetur me kaq, në një shoqëri si ajo franceze, që të ofron shumë alternativa zgjedhjeje. Pas marrjes së titullit Doktor Shkencash, ai kishte konkurruar dhe nisur punën si pedagog me kohë të pjesshme në disa universitete të zonës, në Universitetin e Nancit, Metzit dhe Strasburgut, punë të cilën vazhdonte ta bënte me të njëjtin pasion dhe përkushtim, pasi sipas tij “formimi adekuat profesional i brezit të ri, është suksesi ose mossuksesi i shoqërisë së nesërme”.
Në bisedë e sipër, si padashur, ai më tregoi i pezmatuar se Universiteti i Bujqësisë dhe Mjedisit në Tiranë, kishte refuzuar kërkesën e tij për të dhënë disa orë mësimi atje. Meqenëse mbrojtja e mjedisit është një disiplinë e re shkencore në universitetet shqiptare dhe realiteti shqiptar ka pak ekspertë të mirëfilltë të fushës, verën e vitit të kaluar, ai kishte paraqitur dosjen personale pranë Departamentit të Mjedisit, me kërkesën për të dhënë një cikël leksionesh në këtë Universitet, nisur nga dëshira për të kontribuar me dijen dhe eksperiencën e tij akademike disavjeçare në fushën e mbrojtjes së mjedisit, për formimin e studentëve shqiptarë.
Por, siç duket, vijoi më tej Ariani, CV-ja dhe eksperienca ime nuk u dukën “të dëshirueshme” për Dekanatin e Universitetit dhe Departamentit, me të cilët kishte biseduar dhe ishte takuar personalisht, për më tepër që me Përgjegjësin e Departamentit, për “fatin” e tij (të keq) edhe njiheshin, pasi kishin mbaruar bashkë në të njëjtin Universitet formimin pasuniversitar. Një ndër “shqetësimet” e tyre tha ai, ishte se pse unë e paraqisja dosjen në katedër? U shpjegova se nuk kisha ndër mend të vija në Tiranë, por një zë i brendshëm më thoshte që mund të kontribuoja, qoftë duke sakrifikuar pak edhe nga vetja, për brezin e studentëve shqiptarë në fushën e mjedisit, me një cikël të plotë leksionesh. Por, kësaj kërkese, i ishte përgjigjur heshtja, çka në raste të tilla, rëndom, përkon me refuzimin.
Në fakt, duke e njohur relativisht mirë realitetin shqiptar, në një këndvështrim sociologjik, u përpoqa ti shpjegoja se shoqëria shqiptare funksionon në thelb si një shoqëri miqësore-fisnore dhe aspak si një shoqëri e kontributit dhe meritës, pasi mjerisht, njerëz si ai, intelektualë të formuar në perëndim, pseudo intelektualët tanë i shohin si rivalë që mund ti zënë vendin e punës apo mund ti krijojnë edhe probleme për karrierën e tyre modeste. Në këtë kontekst, heshtja nga ana e tyre është një refuzim i moderuar, çka të bën të mendosh se tashmë edhe Universitetet shihen si ‘’prona private’’ dhe kriteri i meritave akademike-shkencore, nuk është kriteri kryesor i përzgjedhjes.
Ndërsa koha kalonte dhe ne drekonim, telefoni i Arianit binte vazhdimisht nga punonjësja sociale e zonës, për të përkthyer direkt nëpërmjet linjës telefonike për shqiptarët të cilët kishin ardhur rishtas në Nancy dhe kërkonin strehim e përkrahje sociale. Pasi Ariani mbaroi disa telefonata, ai më sqaroi se një angazhim i tretë ishte dhe puna e tij si përkthyes i licencuar shqip-frëngjisht-shqip në Gjykatën e Nancit dhe në rajonin e Lorenës. I pyetur nga unë për situatën e emigracionit në këtë rajon, ai më shpjegoi në mënyrë më të detajuar se numri i emigrantëve shqiptarë së fundmi ishe rritur në mënyrë të ndjeshme, çka të bënte të mendoje se po të vazhdonte me të njëjtat ritme edhe në të ardhmen, do të përbënte një problem për shtetin francez. Momentalisht, hotelet ku sistemoheshin më parë emigrantët e ardhur nga e gjithë bota ishin të zëna, ndaj sistemimi i emigrantëve kishte filluar të bëhej në gjimnaze dhe ambiente të tjera sportive, të cilat përshtateshin si fjetore për emigrantët e vendeve të ndryshme, që të paktën të bënin “të sigurtë” gjumin e natës atje. Ndërkohë që në Nancy, nuk mungonin dhe shqiptarët që përballeshin me gjykatën, të inkriminuar në rrjete trafikantësh apo për krime ordinere.
Pasi diskutuam dhe mbi disa çështje të tjera, drekës i erdhi fundi dhe u ngrita e mbushur me energji pozitive dhe krenare që një individ, përfaqësonte në mënyrë të izoluar por me dinjitet, emrin shqiptar. U largova nga ai vend me premtimin ndaj vetes që Ariani dhe intelektualë të tillë kudo ndodhen, duhen të falenderohen publikisht për përfaqësimin dinjitoz që na bëjnë në botë dhe që në një farë mënyre, përpiqen të ndryshojnë e përmirësojnë imazhin negativ të krijuar ndër vite për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ndaj, menjëherë pas kthimit tim në atdhe, nuk munda të mos ulesha për të shkruar këto rreshta, nisur nga një dëshirë e brendshme, për të treguar se ka dhe shqiptarë që punojnë me dinjitet dhe janë të mirëintegruar në shoqërinë franceze e tej saj, por që fatkeqësisht shoqëria shqiptare, jo vetëm që nuk i angazhon, por i refuzon të bëhen pjesë e saj.
Padiskutimisht që Shqipëria e çdo komb, zhvillohet e përparon nga intelektualët e vërtetë dhe aspak nga pseudo intelektualët, të cilët, e shohin postin e punës si domen të tyren dhe aspak si një post të përkohshëm ekzekutiv. Mediokriteti intelektual shqiptar nuk ka asgjë të përbashkët me normat dhe vlerat e mirëfillta intelektuale, të cilat do duam dekada të tëra ti aplikojmë dhe arrijmë siç duhet në një nivel makrosocial.
Gjithsesi, mua më erdhi mirë që rastësia më bëri të takoj një intelektual, në një vend të zhvilluar evropian si Franca, që të bënte të ndiheshe krenare për përkatësinë shqiptare, me profesionalizmin dhe angazhimin e tij social. I respektuar socialisht në rrethin e tij shoqëror, jo vetëm nga francezët, të cilët tashmë e konsideron pjesë të tyre, por dhe nga shqiptarët emigrantë, të cilët Ariani i kishte ndihmuar dhe vazhdonte ti ndihmonte më ç’të mundte për t’u mirëintegruar në jetën e përditshme franceze.
Rasti i Arianit është një, por jam e sigurt që si ai ka dhe shumë shqiptarë të tjerë nëpër botë, të cilët punojnë dhe jetojnë njësoj si vendasit në tokë të huaj, me të cilët duhet të krenohemi që janë shqiptarë. U largova me shijen e mirë e dëshirën që shqiptarë të tillë nëpër botë të ketë sa më shumë, për të treguar se jemi një popull me vlera, pavarësisht imazhit të keq të krijuar rreth nesh në botë.
Së fundi, nëse këto rreshta do të lexohen qoftë dhe nga një student apo punonjës i thjeshtë i Universitetit të Bujqësisë dhe Mjedisit në Tiranë, lutem të përcillen në Dekanat, për ti ndërgjegjësuar këto autoritete apo për ti rifreskuar kujtesën e një dosjeje të harruar, qëllimisht apo gabimisht, ka pak rëndësi tashmë…