2013-02-15

A po e përdor premieri kosovar Hashim Thaçi kartën e Nacionalizmit?







Kryeministri Hashim Thaçi ka luajtur me kartën e bashkimit kombëtar edhe të premten, teksa ka folur në Kuvendin e Kosovës në lidhje me procesin e liberalizimit të vizave.

Shefi i Qeverisë ka thënë se nëse BE vazhdon ta izolojë Kosovën dhe të mos i lejojë qytetarët e saj të lëvizin lirshëm, atëherë zgjidhja mbetet te bashkimi në një shtet.

Pa e përmendur emrin e shtetit, Thaçi ka aluduar në Shqipërinë.

“Nëse vonohet dhe vazhdon të sillet kështu Brukseli, atëherë shqiptarëve nuk u mbetet tjetër alternativë veç të akomodohen në Bashkimin Europian më së miri dhe më së lehti si një shtet i vetëm. Edhe Brukseli më në fund duhet të sillet edhe në atë se çka bëjmë, por nuk duhet të sillet në se kush jemi”, ka kërcënuar Kryeministri Thaçi.

Pavarësisht se zyrtarët e Komisionit Europian kanë bërë 70 kërkesa për të arritur deri te liberalizmi, Kryeministri ka thënë se faji është te BE’ja.

Sipas tij, shqiptarët e Kosovës e kanë merituar liberalizimin.

“Justifikimet e Brukselit janë të paqëndrueshme dhe të pajustifikueshme për procesin e liberalizmit për Kosovën”, ka thënë ai.

Ndryshe, analisti Ardian Arifaj ka thënë se para deklaratave politike dhe kërcënimeve, Kryeministri Thaçi duhet t’i kryejë detyrat e shtëpisë.

Sipas tij, Brukseli po kërkon veprime konkrete për luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Për t’ia lënë fajin Brukselit, ne duhet t’i kryejmë të gjitha detyrat e shtëpisë. Vetëm atëherë me konstatu se përnjëmend e ka fajin Brukseli. Njëherë për njëherë edhe pse është e vërtetë se në Bruksel nuk janë unikë rreth Kosovës, megjithatë Kosova u anëtarësua në Bankën për Zhvillim dhe Rindërtim. Na kanë ofruar MSA’në. Jo gjithmonë janë pengesat në Bruksel kur Kosova po meriton diçka”, ka thënë ai, shkruan Express.

Megjithëkëtë, Arifaj thotë se edhe politika e BE’së po ndikon keq te Kosova.

Sipas tij, shqiptarët e Kosovës do të kërkojnë alternativë te Shqipëria për të depërtuar në BE.

“Nuk ka dyshim se izolimi në të cilin është Kosovë mundet me shty qytetarin e Kosovës me kërku rrugë tjera për në Europë. Nuk kemi nevojë me zbulu asgjë të re, na mjafton me shiku përvojën e sportistëve, artistëve, të cilët po shkojnë në BE vetëm përmes Shqipërisë. Sikurse e kemi rastin e Majlinda Kelmendit, Nora Nishliut”, ka shtuar ai.

Megjithëkëtë, kreu i Qeverisë ka thënë se kushtet e vëna nga Brukseli do të plotësohen në afat rekord.
Sidoqoftë, Lideri i PDK’së, Hashim Thaçi, kishte premtuar gjatë fushatës së dhjetorit të vitit 2012 se brenda 12 muajsh qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza. Prej asaj kohe kanë kaluar më shumë se 24 muaj dhe liberalizimi i vizave nuk po ndodh.

Për gjithë këto vonesa, opozita në Kuvendin e Kosovës ia lë fajin Qeverisë dhe Kryeministrit Thaçi.

Vjosa Osmani e LDK’së ka thënë se Hashim Thaçi po mundohet t’i fshehë dështimet duke dhënë deklarata politike.

Ajo ka numëruar disa prej dështimeve të Qeverisë, që, sipas saj, kanë ndikuar në vonesën e liberalizimit.

“Thaçi po provon të fshihet pas deklaratave politike. Nuk është faji i pesë shteteve që nuk e kanë njohur shtetin. Ndërhyrjen politike në gjyqësor, administratë, etj. Prandaj, në vend se të vazhdohet me deklarata politike, duhet urgjentisht t`i adresojnë kërkesat e paraqitura në këtë raport dhe të tregojnë vullnet për çrrënjosjen e krimit dhe korrupsionit”, ka thënë Osmani.

Edhe deputetja e Vetëvendosjes, Alma Lama ka thënë se raporti i Komisionit Europian vërteton se Qeveria është duke keq-qeverisur në mungesë të ligjit dhe me afera korruptive.

Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...