RIZA LAHI
Reportazh nga baza e helikopterëve në Farkë, Tiranë
AB – 206, AB – 205, BO – 105, A – 109, EC – 145 dhe AS – 532 (Cougar), janë 6 tipet e helikopterëve që sundojnë tani perandorinë e dikurëshme të ariut MI – 4 që e mbylli jetën e tij me lavdi. E mbylli atë duke harxhuar resurset e fundit në periudhën kur Shqipëria ishte me mish e me shpirt pranë popullit kosovar, ndërsa ai kish rrëmbyer armët kundër regjimit kriminal të Millosheviqit…
Pilotët e Farkës, “farkanët” e periudhës së Shqipërisë së izoluar, që përballuan inondondat e dëborës, përmbytjet e ujrave, trnasportimin e të sëmurëve e të plagosurve, aerodesantimin stërvitor, shumica tanimë janë në pension apo ndonjëri ka vdekur tanimë; një pjesë vazhdon të fluturojë jashtë repartve të ushtrisë, ndonjë vazhdon te jetë ende në Farkë, por shumica dërmuese e të 33 pilotëve – më i riu 26 vjeçar - janë djem dhe burra që kanë kryer kurse specializimi jashtë atdheut, dikush në Itali, dikush në Turqi, apo Greqi a në ndonjë vënd tjetër.
Por, me ndonjë përjashtim të vogël, që të gjithë i përkasin shkollës shqiptare të aviatorëve.
Vetë komandanti i tyre, kolonel Sokol Çunaj, ky 50 vjeçar dhe me ndjenjën e mrekulleushme të dhimbjes për të tjerët; që , veç detyrës së tij specifike, merret vazhdimisht më përgatitjen e kualifikimin e pilotëve që komandon, ka fluturuar më parë në MIG 19, si ka pas mbaruar me nota të shkëlqyera akademinë e aviacionit në Vlorë.
Ishte shumë e dhimbëshme kur shikoje MI 4 veterane të dalë jashtë loje! Dukeshin, shpërndarë andej këndej nëpër bazë, si ushtarë të vrarë e të pa varrosur. Tanimë ata nuk mund të ngriheshin dot më. Kurrë më.
Mirëpo, në Farkën moderne, u ndje menjëherë dora e aleatëve tanë që u vunë të ndihmonin vëndin tonë, Shqipërinë e vogël e gjithmonë problematike, plot ëndërra dhe ambicie të mëdha dhe shekullore. Aleati i parë që na dhuroi dy tipe helikopterësh, ishte ai që solli dikur ushqime gjatë operacionit “Pelikan” – pikërisht shteti dhe ushtria italiane.
Pilotët që kanë studiuar në Itali, spiegon komandanti i bazës ajrore, kanë ardhur në atdhe me nga 105 orë fluturimi të bëra në ajër, një shifër kjo mjaft e lakmueshme për pilotët e gatishmërisë së kohës sonë, kur kurseheshin resurse e karburante përditë e më shumë.
“Ne e bëjmë kalimin e pilotëve nga njëri tip helikopteri te tjetri, këtu. Na duhen pilotë të rinj…Popo, i përgatisim ne krejt Më parë kalimi bëhej…Dale një minutë…të lutem….”
Sokol Çunaj shikoj që hapë tej mase sytë e menduar dhe sikur do të përpijë ekranin e tv Neës 24, që ndodhet në fundin e zyrës së tij, i hapur. E ngrë zërin me telekomandë.
Kthehem dhe unë andej.
Është një njoftim i dhimbshëm. Për pilotin është thuajse i tmerrshëm.
Paska vdekur në Itali heroi i policisë së shtetit, Shefi i Zhdukjes së Krimeve të komisariatit të Burrelit, Musa Skuraj.
…Diçka e veçantë e lidhte komandantin e Farkës me këtë fakt të dhimbshëm.
Ai, tok me pilotin tjetër, Aurel Agollin janë ngritur natën dhe në kushte të vështira meteorollogjike për të transportuar urgjentisht policin hero të plagosur rëndë, poshtërisht dhe pabesisht gjatë aksionit të policisë në fshatin Suç të Matit.
Këtë detyrë, shkalla e vështirësisë të së cilës, kërkon pilotë të klasit të parë, e morën përsipër oficerët e Ministrisë së Mbrojtjes. Me siguri që burrat që e morën përsipër këtë detyrë, e dinin që po rrezikonin, duke marrë për sipër rriskun e kësaj detyre. Lexuesit duhet të dijnë që ka tre kategori klasi për pilotët. Klasi i parë, përfshin ata që mund të fluturojnë edhe natën në kushte të vështira metereollogjike; është aplikuar te ne shumë vite më parë, por është ndërerë nga fundi I viteve ’60 dhe nuk u vu më në rendin e përgatitjes së pilotëve të parkut shqiptar të aeroplanëve.
Nuk do të qe keq që të shikohet tani, mundësia e përgatitjes së programuar të pilotëve të këtij klasi. Ja, të dy këta burra jo vetëm që nuk refuzuan të kryenin këtë detyrë – mund të nxirrnin shkak mungesën zyrtare të klasit– por e kryen me sukses duke I zgjatur shpresat për të jetuar heroit Musa Skura, që paska dhënë shpirt në Itali, në një spital në Fuggia , si qe nisur nga Rinasi me aeroplan special .
Gjithsesi, është për t’u përshëndetur Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral Major Xhemal Gjunkshi , që ,për kontributin e dhënë natën e 13 janarit 2013 , i ka dërguar protogonostëve të ajrit këtë letër falënderimi:
“Pasi u njoha me detyrën e vështirë që realizuat mbrëmjen e datës 13 janar 2013, dëshiroj t’ju falënderoj për gatishmërinë e treguar, duke transportuar efektivin e plagosur të policisë, nga Burreli për në SUQU, në kushte të vështira të motit dhe të pamjes së kufizuar....
... Nëpërmjet kësaj letre, gjej rastin të falënderoj gjithashtu, të gjithë efektivin e Regjimentit të Helikopterëve, për shpirtin e madh të vetëmohimit dhe të sakrificës, duke u ndodhur gjithmonë të parët atje ku populli ka nevojë. Shpreh bindjen se, ashtu si deri më tani, falë përvojës së fituar dhe përgatitjes profesionale, do të realizoni me sukses misionin e ngarkuar, duke lartësuar traditën e vyer të pilotëve të Forcës Ajrore.”
Xxx
“Shqipëria ka tanimë një park helikopterësh me pilotë e teknikë që janë të shkollës sonë shqiptare. Një pjesë nga ata janë specializuar edhe jashtë shtetit dhe po përballojnë me dinjitet të gjitha detyrat kombëtare që u ngarkojnë. Ata mbajnë mbi kurriz jetën dhe nderin e tyre të përditëshme, të ardhëmen që kanë përpara, por, edhe barrën e lavdisë së dikurëshme të paraardhësve të tyre .
Burrave që mbrojtën qiellin e vëndit të tyre me sa ditën e me sa mundën.
Që e deshën shumë atë, si një të dashur, u mburrën me të, nuk iu ankuan asnjëherë dhe i treguan gjithëçka…Një pjesë , edhe ranë me emrin e tij në gojë. Ca, po mplaken përditë; dikush ende mbahet i kërpitur si në rininë e tij; ndonjë merret me hobet e tija të vjetra; Eqerem Tuga ka një ansambël folkloric që ia ka vënë emrin “Shqiponjat”; dikush është jashtë atdheut dhe përlotet sapo shikon avionë në qiell; dikujt, ja, i ka nisur goja dhe me zi pret të tregojë ngjarje fluturimi në ambjente jo pilotësh; një tjetër ecën me shkop; alamet Edip Ohri ecën mbi një karrocë invalidi…”
Jam duke përfunduar librin kushtuar sagës së aviatorëve shqiptarë, “Dinosaurët e fundit” dhe, sapo ktheva nga Farka ku kisha shkuar për të shkruajtur reportazhin nën nxitjen e veçantë të Gjeneral Brigade në rezervë Astrit Jaupi, kur,takova dy miq të mi të vjetër; të përzgjedhur të librit tim. Gezdar Veipi është bërë i famshëm që në moshë fare të re, kur është ngritur siç ka qënë në gjumë, pra, vetëm në mbathje, dhe, me MIG 19, është sulur në ajër për kapjen e një shkelësi sërb të armatosur deri në dhëmbë. Kurse piloti elegant Myzafer Zaho, ish instruktori im, njihet si piloti që ka hapur siparin e fluturimeve shqiptare të linjave ndërkombëtare.
Sigurisht, të dy këta gjuajtës, që kanë fluturuar që adoleshentëë dhe kanë dalë në pension nga kabinat e aeroplanëve, janë të dëshpëruar se është zhdukur në vëndin tonë specia e pilotit luftarak. Kur e hapë këtë bisedë dikush, atyre u ndryshin çerja e fytyrës nga mërzia. Ama, kur u tregova se Shqipëria tanimë ka një helikopter që mban 28 veta, se këtë vit do të marrë edhe dy të tjerë, dhe vitin tjetër edhe dy, e do të ketë 5 helikopterë ultra modernë siç është “Cougar”, u sulën të më përqafonin, sikur të kishin marrë një sihariq familiar.
Astrit Jaupi e dinte këtë, pa ndaj kishte këmbëngulur për reportazhin.
Lexuesit duhet të na falin ne pilotëve të vjetër për ngazëllime të tilla si edhe për dëshprime që lidhen me aeroplanët. Pilotët e vjetër ia falën gjithëçka ajrit të atdheut.Unë nuk kam për ta harruar sa të vdes, pilotin shkodran Agim Vodopi, kur e hoqën nga fluturimi për punë të burgosjes politike të baxhanakt të tij. U ngrit nga karrigia ku rrinte dhe , tër ai pilot levend dhe burrnor, që nuk i bënte syri tërr kurr nga çfardo fluturimi në çfardo lloj konditash, pa i folur asnjeriu, pa i kërkuar lejë askujt, u nis drejt derës mes heshtjes së të gjithëve. Kur po e hapte atë, nisi të qante me të madhe. Dëgjuam të thoshte me zë të çjerrë “ tan jetën e kam dishrue vdekjen teme në ajrë” dhe, pa e kthyer më kokën nga shokët e ajrit të ulur ndër karrige, u largua për të mos u parë në repart më kurr.
Është një hare shumë e bukur që Shqipëria të ketë në parkun e saj kësi helikopterësh. T’i ketë në këta hapsira rrëzë fshatit Farkë, të njohur ngado për poçerinë e trashëguar qënga mesjeta, ku sillen si hije të gjalla kujtimet e kaq e kaq djemve dhe burrave të rinj që i ranë pëllëmbë për pëllëmbë atdheut të tyre me helikopterin një motorrësh; në mes të tyre, edhe kujtimet e komanduesëve e pilotëve të njohur, si Lulo Musait, Refat Kasimatit, Et’hem Mehmetit, Mustafa Çiçit, Tomorr Avdisë, Ndue Lokut, Selman Meçes, Jorgo Tabakut, Sejdo Kamberit, Albert Shkurtit, Vangjel Postolit, Manush Kreshpës, Namik Agollit, Vangjel Çondit, Beqir Barxhës, Vangjel Nakuçit, Mentor Rugisë, Sinan Çelës, Jonuz Trimit, Osman Kushtës, Luan Baçit, Syrja Gjokës, Frederik Beltojës, etj
Natyrisht që, nuk do të qe keq të rishikohet ca me kujdes pagesa e fluturuesve oficerë në Farkë.. Mua më treguan të ardhurat totale që merr një pilot i kësaj baze të vetme ajore që ka ushtria jonë. E them pa asnjë hezitim, ne në kohën e komunizmit dhe me tër atë varfëri ekstreme, na kanë trajtuar shumë më mirë. Është krejt i pa justifikueshëm ky lloj trajtimi; nuk kam pikën e dëshirës ta bëj publike pagesën e këtyre fluturuesëve. Edhe Maqedonia, pa le vëndet tjera, i trajtojnë shumë më mirë ekonomikisht pilotët e tyre. Biles edhe Minsitria jonë e Brendëshme dhe ajo e Shëndetësisë. Shumë më mirë nga këta burra që mbajnë në shpinë alamet detyrash; që i kanë kryer në mënyrë të shkëlqyer dhe pa as edhe një aksident , siç kemi pasur ne në kohën tonë kohë pas kohe. Le të përmendim, përveç prezencës në emergjencat e përmbytjeve, të të sëmurëve, transportimeve gjithfarëshe edhe gjëndjen e tyre të menjëherëshme mu mbi galerën e llahtarës me emrin Gërdec. Atje një helikopter i kësaj aze, ka mundur të shpëtonte për qime nga explozioni i një predheje të vonuar dhe shumë të fuqishme; një ditë pas kasaphanës së zjarrtë. Por lexuesit nuk e besoj ta dinë se, një vit para këtij skandali planetar siç ka qënë Gërdeci mes kryeqytetit dhe Rinasit, një tjetër shpërthim ca më i vogël, por i kësaj natyre, kishte ndodhur. Pikërisht në Dhëmblan të Tepelenës. Edhe atje kishin shkuar me korrektesë dhe përpikmëri shkencore pilotët e këtij reparti që ka në hyrje emrin e komandantit të tij të parë e me plot merita, pilotit Lulo Musai.
“Cougar” është helikopter shumë modern dhe, në Farkë, ndodhet prej disa kohësh edhe një pilot instuktor, pilot – inxhinier, majori i ushtrisë franceze, Solignac Thiery. Ne , me këtë rast , i morëm atij këtë intervistë të shkurtër, për të vazhduar më të plotë një herë tjetër
RIZAI – Cfar thashethemesh kishe dëgjuar për Shqipërinë para se të vijë këtu?
THIERY – Në fillim nuk dija asgjë për të. Më vonë, më thanë se ishte vënd i rrezikshëm, por unë doja ta provoja vetë këtë lloj rreziku.
RIZAI – Si t’u dukën shqiptarët kur erdhe këtu?
THIERY – I kisha njohur disa që në Francë. Shumë popull i afrueshëm dhe miqësor.
RIZAI – Po pilotët?
THIERY – Të përkushtuar për të mësuar sa më shumë...
RIZAI – Dhe gati për të rrezikuar pa hezitim....
THIERY – Në asnjë mënyrë nuk duhet rrezikuar pa hezitim. Futja nëpër rreziqe, rrezikon plotësimin e detyrës që të kanë ngarkuar, rrezikon jetën tënde që do të thotë dëshpërim të një miramidë të madhe njerëzish; rrezikon edhe mjetin fluturues.
RIZAI – U ambjentove ndopak me terrenin e perhtyer kodrinor e malor që kemi?
THIERY – Unë kam fluturuar në kësi terrenesh që Franca ka shumë. Le të themi, ta zëmë, alpet franceze...
RIZAI – Si ju duket trajtimi ekonomik i kolegëve tuaj pilotë këtu në Farkë?
THIERY – Unë jam major francez, kam ardhur me një detyrë të caktuar dhe kjo pyetje nuk është në fokusin e interesimit tim.
RIZAI – Sa orë fluturimi keni? Keni fluturuar shumë jashtë Francës?
THIERY – Kam 2800 orë dhe kam qënë 8 herë vetëm në Afrikë, sidomos në Bregun e Fildishtë.
RIZAI – Helikopteri që po flasim, është modern apo i nivelit të mesëm?
THIERY – Është modern dhe me përdorim shumë të gjërë në ditët e sotme.
RIZAI - Edhe sa kohë do të asistoni kolegët tuaj shqiptarë këtu?
THIERY – Besoj edhe ndonjë vit.
RIZAI – Shpresoj të flasim për përshtypjet dhe kujtime tuaja këtu pas 9 apo dhjetë muajsh; para largimit.
THERY – Ju falënderoj shumë...
RIZA LAHI
Tiranë, ora 04.30 e mëngjesit të dt 24 janar