2013-02-16

Qazim H. Berisha :G j a k i m , poezi 2011.


Të gjithë atyre që dhanë jetë, gjak dhe mund  për lirinë e atdheut.
                                                                                          
A u t o r i


Qazim Berisha
Qazim Berisha u lind më 1953 në Drenofc të Prishtinës.Filloren e kreu në vendlindje,normalen në Prishtinë dhe Mitrovicë,ndërsa Fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Prishtinë.

Me shkrime filloi të merret heret që në bangat e fillores.Filloi si publicist,duke bashkëpunuar me gazetat dhe revistat më të njohura,në Kosovë,Shqipëri dhe diasporë.

-Botoi ”Lot Gjaku”-për 105 deshmorët e martirët e Kosovës-1981-1991.

-Autor i fejtonit të gjatë për ushtarët e vrarë në Armatën Jugosllave (1981-1991), botuar në –”Fjala jonë” dhe ”Gazeta shqiptare”.
.
Veprat letrare: 

-Lot Gjaku,poezi 1995
-Në zemren time banon dhembja,poezi 2005
-Nënëlokja-monografi 2011
-Gjakim,poezi,2011

Në dorëshkrim ka: “Kronikë pas lufte”

“Aforizma nga përditshmëria jonë”


Aktualisht punon profesor i Gjuhes dhe letersisë shqiptare.




ditë e madhe


Ishe ëndërr e pakëputur
Me vite e shekuj
Ndër breza ishe
Gjakim i ndezur

Lulegjaku ishe
Me vesë të syve t’ujitëm
Në Shkurtin e përflakur
Linde DITË E MADHE.



Kushtrimi


jemi ne


Jemi ne,
Hapeni derën

Për të parën herë
Vijmë
Derën hapeni
Ushtarë të lirisë
Ne jemi.

Hapeni derën
Bijtë e popullit
Ne jemi.

Kushtrimi ka rënë
Bashkohuni me ne
Të gjithë♪ ata .
Që e gjakuan
Lirinë
Lirinë e ATDHEUT.



Nënë, më jep uratën


Fanelën
kapelën
dhe çorapët
i mora
nënë

tash
më jep
uratën

Nënë
merr këtë çantë
me shënime
por
më parë
më jep uratën,
uratën,nënë...

Më thuaj nënë
a më linde për male
tani malet po më thërrasin
atje ku farkohet trimëria
atje ku përflaket liria.



marshimi i UÇK-së


gjëmë kanë edhe malet
gjëmë kanë edhe lisat

gurët e ndarjes
sot po shkilen


gjarpëri i zi
u shkel në kokë

ndarje të mos ketë
kurrë në këtë tokë.



ndryshe nuk vjen liria


Shtëpisë
do t’ i kthehet
përsëri gëzimi
me agun e lirisë
me këta
dy pëllumba
të bardhë.

Unë
do t’i rris
fëmijet nënë,
fëmijët
e trimit të maleve
bashk
me Ty nënë
do t’i rrisim
të premtoj
unë
nusja e trimit.

Liria
kurrë nuk erdhi
ndryshe
përveç
me grykën e pushkës.



E papërjetuar



asnjëherë
nuk e preka

burrë u bëra
pa të

liria
nuk erdhi

tash
një rreze

freskim shpirti
po vjen

si lyrë
e mbrëmjeve



diçka
ndryshe

në krahror
po rrahë

lajmëtari i lirisë
mbi tokë zbriti:

Urime K o s o v ë.

Gatitu!
-para përmendores,në Marinë


Në granit
Të gjithë ata
Që një zemër
Dhe një emër
Paten.

Edhe tash numrat
Rrinë të rreshtuar:
Ushtarë në granit
Të gjithë me shikim
Të ngrirë

E ti rri gatitu miku im
Sa herë këtej kalon
Sa herë ke të ftohtë
Dhe ndien mall

Eja këtu
Lot mos derdh
Gatitu rri
Sepse rreshtat
U përjetësuan
Në granit

Gatitu rri
Në nderim
Të dëshmorëve
Dëshmorëve të lirisë
Por lot mos derdh...


Madhështore-17 shkurt 2008-

Në tokën e bekuar
Nga Teuta
Nga Agroni
Një fanar drite zbriti

Për këtë
Ogur të bardhë
Dëgjoi
Edhe shpirti
I Ymer Prizrenit.


Dëgjoi
Edhe Abdyli
Edhe Haxhiu
Dëgjoi
Edhe Hasan Prishtina.

Dëgjoi
Edhe Idriz Seferi
Edhe Mic Sokoli
Dëgjoi
Edhe Shota e Azemi
Edhe Shaban Palluzha
Dëgjoi
Edhe komandant
Adem Jashari

Për këtë
Dëgjoi
Edhe Zahir Pajaziti
Gjeva dhe Fehmiu
Dëgjoi
Edhe profesor
Selim Berisha
Madhështinë e fjalës:
PAVARESI


new born


Edhe një lindje
E re
Tash në
Klinikat e Kuvendit
Po vjen
Po vjen
Aq shumë e pritur.

Në Tiranë
Londer
Stamboll
Paris
Berlin
New York
Tash po flitet
Për një lindje të re

Po flitet
Për një lindje
Në Kosovë
Që edhe Zoti
Këtë lindje
Po e bekon
Po e b e k o n.
Këtë ogur të bardhë.

Porosi e dëshmorëve


Le t’ vinë
Për vizitë
Nënat
Motrat
Vëllazërit
Shokët e idealit
Të gjithë
Le të vine.

Po le të vinë
Të gjithë ata
Që gjakim e kishin
L I r I n ë.

Edhe ti eja
Edhe ti
Që ndryshe
Më quaje
Deri dje.

Eja
Edhe ti
Vetëm nëse
Vërtet
Më në fund
Ke ndërruar
Mendje
Për ne.


Ato duar


Janë ato duar
Të nënave
që filizat
e pranverës
I koloviten
në djepin
e rritës

Janë ato nëna
që gatuan
e gatuan
atëherë
edhe tash
për trimat
e maleve

Janë ato duar
të nënave
që u gatuan maleve
e tash
në zemrat e tyre
rritët liria
liria
shumë e pritur.


Prehje

njëqind hapa
nga dera ime
një fushë bleroshe
pranverën qëndisë

me zogj takohem
çdo mëngjes
atëherë kur
shiu lulet
i harlisë
atëherë kur
e vesa
faqet ua skuqë

vetëm mbrëmja
që të gjithëve
na pushon,
agimin për ta pritur
dhe takimin e ri


rrugë e kombit

Po kthehem
pranë rrugës së vjetër
të karrocierëve
ku njerëzit e mi
udhëtonin
me pak drithë
e me shumë halle.

2.
Këto kodra të thepisura
Vallë ku i morëm
Që kanë mësyrë qiellin
Dhe ruajnë dimra të ashpër.

3.

Gjarpëri i zi
Ka tretur diku
Ai
Që zinte prita
Mbrëmjeve
Të errëta
Katran.

4.
Dikur
Rruga gjarpëronte
Ku zinin prita
dhe helmonin zemra
E sot
Hapë shtigje
Sheron plagë
E bashkon .
Zemra të ndara.

Normalja rënkon

Rrugë e gjatë
e dashurisë
pas dyzet vitesh
kroi i vjetër i ftohtë
njësoj freskon

Sa keq
pa mësuesin e madh
Beqir Kastratin
Abdyl Ramën
E Ditar Qamilin
,

Nuk takoj
as vëlla Selimin
se lufta e përpiu
as Bajram Krasniqin
se vetëm rinia iu desh

Nuk takoj
As shokët e klasës
tretur janë diku
Rrahimja thonë
nënë u bë
dy bimë të zemres
i ranë për liri

Ahmeti thonë
histori po shkruan
Muzaferi e Nixharja
Janë diku
E Drita e bukur flokëverdhë

Për Zojen
Asnjë lajm
Nuk kemi
Thonë:
Fatin e lidhi
në Stamboll
Edashurinë e mbolli këtu
Te kroi që freskon.

Poezia ime



I them
fol
me zemer
me De Raden
e Naimin

Fol
edhe me
Gjergj Fishten.

I them
bisedo
për metaforat
simbolet
ajo flet
pë trimat

I them
fol
me kullën
e Boletinit
fol edhe
për plangun
e Hasan Prishtinës

Ajo
më thotë:
po plangun e shiti
për Lirinë e Kosovës.


Poezia ime
rri gatitu
para trimave
u këndon maleve
u këndon trimave
dhe ua freskon
ballin e zhuritur
.


K U Q E Z I



Babë Halili
Ndjesë pastë
Po shumë e ka dashur tokën
Po shumë e ka dashur punën
Kur hapte hulli
Në arën e bukës
Me dy qetë e vet
Njëri i kuq
E tjetri i zi
Ashtu siç ishte toka
Ashtu siç ishte fara
Kur e mbillte
Vjeshtave me shi .


Shpesh
Udbashet
E nxirrnin nga ara
Për dy qetë që ishin
Njëri i kuq
E tjetri i zi

Udbashët
Vertet
Bëheshin nervoz
E babai dredhte mustakun
Forcohej e forcohej
Për t’ i dobësuar të tjerët...




TOKA KA ETJE

Miku im
flet për tokën
e për sofren
kur avulli i bukës
përshkon
deri në qelizë.

Miku im i thinjur
nuk mjafton
gjunjëzimi
as puthja e tokës
pas ores dymbëdhjetë
Kur në zenit shkon dielli.


diç të bukur


Secili
nga një gjymtyrë
kështjelle
secili
nga një çurg djerse

Histori e gjatë
Histori e dhembjeve

Vertikalja mbeti
nuk u trand
as sot
as atëherë
kur prindërit tanë
kohë korbash
përjetuan
sepse
endërruan
diç të bukur.



zëri i kohës


Bacë Adem Demaçit




Me agun
E mëngjesit
E nise
Të gjatë
Një rrugëtim

Rrugë të thepisur
Zgjodhe ti
Për të zhdukur
Errësirën
Katran.

Bacë
Ti rininë ia fale
Njomeve
Pa pranverë.
Që kërkonin LIRI

E sot,
Baca I rinuar
Ecen rrugës
Qe qe pati nisur
Rrugës së gjakimit
Rrugës së bashkimit.

Faleminderit

Vesh i pashurdhër
Përtej oqeani
Renkimet dëgjoi

President
Mrekullia
Pa TY
Harroi
Të ndodhte

Kosova
Një pikë
E largët
E botës
Po digjej
Dhe piqej,
Kosova
Kërkonte
Shpëptim

Faleminderit
Për doren tënde
Shpëtimëtare
Klinton

Faleminderit
Se një botë
E tërë ishe
President.

Sot populli
E nderon
këtë mik
Këtë trim
THANK YOU
PRESIDENT
THANK YOU
BILL CLINTON




legjendë

-Fatime Sokoli


Heret e pate shkelur
Gjarpërin e zi
Qe e quanim kufi

Ti ishe ajo
Që kalove male e fusha
Me qifteli mespërmes
Që ngrohe zemrat tona

Bashkim kërkonte
Zëri yt ndër male
Kënga jote kushtrim lirie
Sokoleshë mali
Me afsh dashurie.


Rrugë e pazakontë

Treni
i
zi
ecën
e ecën
gijotina
rrugen ndërprenë
tmerr në ecje
tmerr në drejtim.

Rrugë e fat
a pafatësi
sytë nga perëndimi
kohë të gjata drejtuam
Këtë rrugë
që nuk e gjetem kurrë
Rrugë të pazakontë
Me dekada na drejtuan.


E kaluara vret


Emrin tim
mos e kujto
kohë
të balcamosura
ishin.

Çyçavica
Nuk do të ndodhë
As në Dasmën
E zjarrtë
As nën hijen
E blirit
Se malet
E egra
Na mbanin
Larg.

Ti
Mos më kujto
Se i pafuqishem
Isha.
E ti ike
Siç ikin .
Dallëndyshet
Në pakthim.


KOHË PAKOHË

Kohët e errëta më sollën
Qetësim të mos gjej.

Kohë të egra ishin
Që flokët m’i thinjë.

Jetoj më të dashurit e mi
Me filizat e pranveres së vonuar.

Kur hy ne klasë
Zogjtë fluturojnë
Kënga fillon
E unë harroj të rinohem
Se në shpirtë kam plagë
Që akoma kullojnë.



Vitaku i hidhëruar


Gjethet e para
të vjeshtes me shi
kanë rënë
zogjtë e parë
të strukur.

Erdhën
lugetërit
malin e thijnë


Kroi i Vitakut
është i hidhruar
frymen
po ia zënë
rrjedhen po ia ndalin
korbat e zi
që kokat kanë ngritë
nuk ka kush
hovin me ua ndale
se ne spektatorë
te ngrire jemi berë.


bereqet


bereqet
është
djersa
arave
në verë

mirërsi
kur flladi
dhe uji
me ibrig
freskojnë
venat
në arat
e bukës

babai
ujë pinte
i fundit
pushimi
dhe flladi
thoshte
bereqetin
rritë



idilë e humbur




Kaloj
nëpër
fshatin tim
pleq
me qeleshe
te bardha
nuk takoj

As fushën
rinore
nuk e shoh
më.

Kanë ikur
delet
kanë ikur
shqerrat
kumbonat
mbajnë zi.

As vashëzat
gushpëllumbi
këngë
baritore
nuk këndojnë

fushat
janë djegur
shikimet
kanë tretur
e lumi Llab
gjemë
të madhe
lëshon.




afsh




Kënga
bashkonte
brigjet
e fyelli
digjte
zemra
e tundte
male

Në dushk
sherri plaste
pas dashurive
në heshtje

Shikimet e drojtura
u tretën
sherr s’ka pa dashuri
dashuria s’ jeton
pa sherr
këtu
e andej.


nostalgji




arave
dhe livadheve
trup u bie

kroje dikur kishte
këtu e atje
babain e pashë
me plisin e vrugët
pinte ujë
dhe avullonte


ujë pi prap
te një krua i largët




padiktueshëm




Mali zbret
padikueshëm
në fushë.

Rosat
hareshëm
zhysin sqepat
në lumë

Ecën lumi
Ecën vashëzat
gjokëszbërthyer
thyenin gishtrinj
e padiktueshëm
vitet ecin
nën mua

Padiktueshëm
ecim
dhe thyhemi
edhe ne
kthesave
të jetës.



Nuk dua

Nuk dua
ta mërzis
askë
hallet
s’ mi mori
njeri

Ti faj
s’ më ke
as fati
as
kurrëkush

Faj më kanë
korbat
që krahet
kanë shtrirë
dhe diellin
kanë zënë.


Nënëlokeve qëndresa



PSE
kaq shumë
rrudha
dhe
kaq dashuri
pikën mbi ju
Nëna Qëndresa

ofshamët
i keni lidhur
diku prapa
kodrave

as lot
nuk mbushen
se vrasin
qëndresën

prapa kodrash
prapa malesh
lotet
kanë lënë
atje
te shkëmbi
i vajes.



plagë


ditë tmerri


As gurgullimat e Lepencit
Bllacën nuk e shuan

Nënat e përbaltura
Nëpër llucë

Vdekja në Bllacë
Sikur na harroi

Se vdekja më nuk kishte kuptim
Se çdo minutë vdisnim ngapak



harresë nuk ka

Tokën
e djegur
terrin
tmerrin
e harron
I mallkuari



Trenat e zi
që si gjarper
ecnin
në paqartësi
i harron
i mallkuari

Fëmijët
e përbaltur
nënat
lehona
dhe varrezat
në Bllacë
I harron
i mallkuari

Bukën
mikëpritjen
korçare
e harron
i mallkuari



shpërngulje

kur Zoja
iku
njomakë ishim
sherret pak i pamë

mall kam për të
riga loti më pikojnë

Thonë:
për shokët e klasës
me lot
nga një fidan ka mbjellë



Ankthi


sytë
kot shikojnë
në dritaren
e veriut


gjumi
s’ banon
këtu
banon
zija


edhe nëna
edhe djali
edhe vajza
edhe nusja
pa gjumë

shtëpi
me themel
me çati
e mure
të djegura,
jetë
ankthi I thonë

luftëtari I lirisë
presin të kthehet…



Drejtësia në peshojë

kur drejtësi
bëjnë
të tjerët
këmisha
frymën ta zë


e drejta
rrudhet
e zvarritët
njësoj:
si dje
si sot
dorë
e drejtësisë
mungon

njësoj:
si i vrari
si vrastari
në peshojë
na barazojnë.



simboli : Bllacë
Nuk maten
gjemimet
e Lepencit
dhe Bllacës
simbol i së keqes
për tetë ditë
e tetë netë.

Pranverë e zymtë
e luftes së fundit
dhe
ikjes së madhe.

Treqindmijë ikje
të një Bllace
tre miljon rrëfime
pa pasaportë
i këndohen
Bllaces
dhe simbolit
të kufirit.

2

Bulimi
e harroi
pranverën
tetë ditë
dhe tetë netë
me ofshamat
e lehonave
Dhe thirrjet
e fëmijëve.

Vallë
kah po vajmë
medet.



BALTE E VAJ


Në baltën
e ngjeshur
tokë e djegur
prapa mbeti

Llucë
gjetëm
rënkime
dëgjuam
të paktën
nënat
nuk harrojnë

Ato
nuk harrojnë
as flakët
as trenat
as baltën
as lutjet e gjata
Zot
na shpeto
Nga thika
e gjakësorit.



migjeniane 2


Luli serish
përqafon
dimrin
dhe Lulin
e vocërr
nga përralla
dhe Lulin e vocërr
nga mordja.

Serish
Luli po vjen
dhe një tjetër
Migjen

Po shfaqet
dhe një
dimër
tash
në televizor.

Një natë
krejt vonë
një nënë
me pesë fëmijë
ofshanë
e nuk pushon.

Edhe
Unë
jam
Kosovë

Hise
në tokën
e bukës
kam.


hise
Hise
në diell
kam
pak
largohu
edhe pak.

Hise
në hënë
kam
sikur ti
ec
e lësho
rrugë.

Edhe dje
edhe sot
edhe neser
hise kam.


E ti,
ku
i ke
Karpatet?!


Dje e sot


Dje në zyrë te vjetër
Sot në zyrë të re

Dje udbash i thinjur
Sot demokrat i ri.


Sa keq kur lëbyra e syve
Vërtet vërbon.



Dosjet



Dje
E sot
mbyllur
rrinë
e këmbë
nuk marrin.

Kutia
e pandores
nuk hapet

Dosjet
flejnë
mbi gjak
dosjet flejnë
mbi krime.

Inkuizitorët
pijnë
vere
te
bardhë
dhe nuk
brengosen.



në airoport

Në asnjë
vend
nuk ka
më shumë
lot
më shumë
përqafime
e më shumë
ndarje
dhe
bashkime

edhe Aiola
mbesa ime
paska ardhur
sot.

Edhe unë
tash
jam
mërgimtar
se pres
të hapet
qielli. .
e të zbresin
të dashurit
që malli na kallë.


karieristi


Ai nuk ka filter
Shapin nga sheqeri ta ndajë
Endërrat e tij të sëmura
Nuk mund t’ I ndalojë

Karjeristi ka sëmundje
Që nuk gjejnë shërim
Nëse zbret nga hierarkia
Ai shpejt behet servil



E imja Shqipëri

Të lodhur
të rraskapitur
të gjeta
nënë
Shqipëri.

Mjerimi
ta vret
atë bukuri
të rrallë
të falur
nga Zoti.

Dikush
po ta zë
diellin
në sy
të botës
po të bënë
qerdhe krimi

Ti nuk
e meriton
këtë
zezonë
e imja
Shqipëri.



kthehu


Perëndim
kërkove
perëndimin
gjete

Tash
kthehu
miku
im

Kthehu
se po perëndon
ëndrra e vjetër
po nisë
ëndërr e re
këtu
në strofullin
e lashtë.

Kthehu
sa
nuk
është
bërë
vonë.


penë e heshtur

-mikut poet, Behxhet Rexha

Edhe
lekët
e fundit
për ilaçe
libër
i gatove.

Edhe
robërinë
edhe
gëzimin
edhe
jetën
të skalitur
tulla
muresh
i bëre.

Miq
kur të kaloni
pranë një rrapi
ndaleni
pak
hapin:
përshënetuni
me poetin
me mikun
tim
të vjeter.

Ndaluni
te varri
I tij
Ndero këtë pishtar
që rininë e jetën
e shkriu për një ideal.



fëmijëria ime



Kur nisi fëmijëria ime
shi i madh pat rënë
në rrugën
për në Anadoll


Lindjet
dhe vdekjet
bashkë bëheshin
në karroca
në qerre
mortore.

Kur nisi
fëmijëria ime
Babë Halili
e pat hapur
një dritare
dhe mbylli
një rrugë.

Këtu
do të ngrysemi tha
se dheu
për të gjallë
nuk më lëshon.

Zgjohu Amelë

Të gjithë atyre
që dhanë jetë, gjak dhe mund
për lirinë e atdheut.
a u t o r i






/Mbeses sime që lufton me jetë a vdekje/

Zgjohu Amelë
Se gëzim
Do të merr shtëpia
Edhe trolli
Edhe lumi

Gëzim përtej ashtit
Përtej jetës
Do të kisha

Amelë e vogël
Zoti e bekoftë
Zgjimin tend

Edhe një here
Më duhesh
Siç ishe
Vetëm edhe një shikim
Embël kur shikoje

Të keqen
Dhe vdekjen
Ta marrtë gjyshi.

Amelë
Shpirti i gjyshit
Zgjohu
Se mjaft ndejte në komë
Zgjohu ëngjullesha ime
Se ritmi i zemres do më ndalë.



Në rritje është dhuna e të miturve në rrjetet sociale

Kërko brenda në imazh                                      Nga Flori Bruqi Tik Tok është një aplikacion në pronësi të kompanisë kineze, Byte...