2013-02-10
Koncert nën Narkozë - Cikël Poetik nga Vaso Papaj
Dy fjalë:
Nga mesazhi i autorit të respektuar z. Vaso Papaj mësova se disa nga poezitë janë të botuara tashmë, ndonjëra aty-këtu dhe pa botuar akoma por do t'përfshihen në vëllimin që po përgatitet nga ai, dhe që paratitullohet "Koncert nën Narkozë". Të njëjtin emër ia vura dhe këtij cikli... të cilin cikël për shkak të volumit njëherë desha ta ndajë në dy pjesë. Por jo, thjesht do ishte dëm, iu qasa dy-tre herë si volum dhe bagazh poetik, për mua s'është një cikël por një libër i tërë në fakt.
Faleminderit z. Papaj, ju vetë padyshim do hidhëroheshit me mua dhe me secilin nga ne të tjerët po t'i "prishnim punët me muzat", prandaj besoj të njëjtën të drejtë kam dhe unë tani si lexues, e edhe lexuesit tjerë, pavarësisht se si ata kanë qasje në prurjet e poeteve, krijuesve, qoftë përmes librave... qoftë dhe kështu, thjesht përmes një emaili miqësor... ju lutem pra assesi mos i "prishni punët..." as ju!
Nga pozita ime, dmth. personalisht, sa me perket mua, po t'mos ishin keta "emailat" dhe keto teknikat e ftohta, veshtire te isha ndeshur keto dite me nje dhurate te bukur poetike nga Ju... se paku jo me kohe, kushedi kur do isha "ndeshur" me librin tuaj, njeriu ashtu-keshtu s'mund t'i lexoje me miliona e miliona librash, do duhej t'i kishte nente jete se bashku qe t'ia dilte!
Një fundjavë sa më të bukur! - S. Guraziu
MË KOT NË MESNATË
Më kot në mesnatë të kërkoj Naim bej,
Më kot kalldrëmet i pyes: A e patë?
Po ngjyra reklamash ngacmojnë gjithandej
Dhe veten pa ty ç’e ndiej fillikat.
E shkela me këmbë Stambollin e vjetër,
Kalldrëme, hotele dhe prapë s’ po të gjej.
Ky vend ka parë sulltanër dhe mbretër
Po unë veç një mbret dua, ty Naim bej.
Bares përmes parkut si të isha fajtor
Bosforit aromën ia thith gjer në fund
Sa dua të të gjej me qiriun në dorë
Dhe flaka e tij ngado të më shkundë.
E shtrihem mbi stolin e vjetër në park,
Kjo mjegull Azie paksa po më ftoh.
Buzëqeshur afrohet Pamuku nga larg
Veç ty me qiriun në dorë nuk të shoh.
E ngrihem, të ndjek në rruginat pafund,
Këto ngjyra reklamash pa gjum’ po më lenë.
Do të desha që flakë e qiriut t’ i mundë,
Ndaj malli për ty aq shumë më mbërthen.
VENDSTREHIMI IM
Në ato netë të ftohta me hënën kallkanisur
Kur s’ dihej në të gjente në shtrat ndonjë agim
Në gjoksin tënd i zhytur, me heshtjen nanurisur
Të thoja lehtë te veshi: Je vendstrehimi im.
Kur bora qetësisht gjithçka e kish mbuluar
Dhe flokët dhe çatitë dhe fjalët tona ngrinë
Në gjirin tënd u zhyta me heshtjen përqafuar
E përsërita prapë: Je vendstrehimi im.
E në shetisnim rrugës me gishta gërshetuar
Dhe ca vështrime shtrembër na shponin pambarim.
Me puthje të padhëna aq shpesh të shoqëruar
Unë ty sërish të thosha: Je vendstrehimi im.
E nëse ndodh një ditë, prej teje larg të jem
Do t’ doja prapë te veshi dy fjalë të të arrijnë
Nga tjetra botë qetësisht, përsëri do të t’i them:
Të dua fort! E di?... Je vendstrehimi im.
MË MUNGON
Më mungon,
Kur terri shuan gjurmët nëpër gurë,
Kur dielli valët detit ia përkëdhel,
Si hije më gjurmon, s’ më ndahesh kurrë
Dhe lodhja brenda vetes nuk më del.
Më mungon,
Në shikime, në buzëqeshje, s’ të kam gjetur
Në biseda lënë përgjysmë, më mungon
Në grykën time si një nyje më ke mbetur,
Bëj të të gëlltis e kurrë poshtë nuk më shkon.
Më mungon,
Mund të shtirem, se jam mirë, por më mungon.
Tani kuptoj seç është, të mos ndjesh’ një çast intim,
Mos më ndodhesh pranë, kur gjumi më harron,
Kur ecën këmbëzbathur brenda shpirtit tim.
Më mungon,
Ku të t’ kërkojë? Do gënjeja veten. Më mungon,
Je lutja ime në të ftohtët e mëngjeseve pafund
Për rreth, i arratisur ësht’ dhe ajri, më mundon.
Të të shoh edhe një herë, gjithë botën do ta shkund.
TASHMË
Tashmë
Në shtëpinë time je një hije,
Natyrë mort e varur në mur.
Je një lëngim poezie,
Varg i pashkruar kurrë..
Tashmë
Për ty ndodhem larg
Dhe rrugët më nuk më gjejnë.
Nuk më ndërrojnë më zemrën,
As lotët lumenj.
Tashmë
Je një kujtim në letër,
Harruar diku në sirtar.
Një e re, mbetur e vjetër,
Një i prishur kandar.
Tashmë
Një vështrim në skaj kyçur,
Në jetën time një dyshim.
Një menteshë porte e ndryshkur,
Lule e tharë në kopshtin tim.
E tashmë
Je zjarr i shuar.
Sa jetuam bashkë, u dogj
Lëngim i kthyer në lutje,
Frut që stinës kurrë s’u poq!
SHKULE TRENIN TËND
Unë njoh poetë, që edhe malet i lëvizin,
Ndaj mbylli sytë dhe vetëm ëndërro!
Dëshirat, për të puthur hënën, s’të habisin,
Në sytë e tu ke botën, këtë mos e harro!
Ndaj fort përpiqu ta mbrosh dashurinë
Dhe kurrë të mos ta lësh të t’ ik fitorja!
Nën xhup fshihe si zog që po mërdhin,
Po kurrsesi ta bjerrësh nga memorja!
E në çdo rast shtrëngoje grushtin fort,
Me ëndrrën tënde përballu gjer në fund,
Po kurrë atë grusht mos e lësho më kot,
Dhe s’do të ketë njeri në botë që të të mund!
Ëndërro një herë, dy, ëndërro pafund djalosh
E mos ndrysho një varg nga ç’ke kënduar
Nuk ta kam frikën, e keqja ty s’ të josh,
Ndaj shkule trenin tënd, stacioneve ndaluarl
Nëse do vijë një ditë e ëndrrat nuk të dalin,
Vrapo te dashuria, krahapur si avion!
Përkëdheli ëmbël flokët, e ëmbël puthja ballin
Dhe buza si qershi nga etja të shpëton.
Më të madhe mbretëri, kjo botë s’ka pasur kurrë
Se kjo vogëlushja jonë, që ne e quajmë jetë
E po kaptove muret, do të marrësh tjetër nur,
Do të shohësh ti atëherë ç’është jeta e vërtetë.
Ëndërro djalosh, ëndërro kohëra magjike
Se ditëve që do t’vijnë, do t’vijë dhe dashuria
Po netëve ndalu pak, urrejtjen për rreth fike
Njeri do të jesh atëherë në poezitë e mia.
Ëndërro, djalosh, ëndërro si një i ri,
E di?.. Mbi skrivani kam lënë një letër.
Mungon vetëm një varg në atë poezi,
Mbi të vër zemrën tënde, mos pyet as për mbretër!
NUK E PASHË TROJËN, ENEA*
Trojën nuk e pashë atë ditë, Enea,
Megjithëse i kalova fare pranë.
S’ doja të shihja një qytet të vdekur.
Vallë, për një grua ishte bërë kurban?!...
Po kioskat në rresht suvenire ofronin,
E bleva një kalë edhe unë, gjithsesi.
Ata kuaj më dukej akoma mashtronin.
Veç dy euro. Sa lirë, më e madhja pabesi!...
I ngjante kështjellës me vrima e kamare
Një kalë kuqalash me qeramikë të pjekur.
Sa e bleva, bir, e hodha tej, për fare,
S’ do t’ merresha kurrë me qytete të vdekur.
As ti mos u merr me ta, asnjëherë.
Shpëtove, ah, atë natë të pafund .
Mes flakësh që rrotull villnin veç tmerr,
Do të ngrije dhe ti një qytet tjetërkund.
Nuk e pashë, Enea, Trojën e vdekur,
Mos e shih atë asnjëhere edhe ti
Por as kalin me qeramikë të pjekur
Në kioska suveniresh kurrë mos e bli.
* Djali im që mban emrin e princit trojan
E ÇFARË U BË…?
Kur këngë i dehur nis këndoj,
Në mëndje vetëm ty të ndesh.
Po karafila më s’dërgoj
E lumtur qofsh, kudo të jesh!
Të më kujtosh, nuk të kërkoj,
Dhe as kërkoj të ndjesh për mua,
Se vjen një çast, në mos gaboj,
Tek njeri tjetri s’kemi më hua.
E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Secili shkoi në rrugë të tij.
Ç’më pate dhënë, e lashë mënjanë,
Një flakë të shuar mbi thëngjinj.
E çfarë u bë, nëse u ndamë,
Shpirti na mbeti njëlloj i ri
Ç’patëm thënë mënjanë e lamë,
Ndaj flakë të re ndezëm tani.
KËNGA E NOMADËVE
Sa zhytet dielli, vjen e më kërkon
E dorë më dorë më shumë të ndjej.
Vallë nga i merr ato fjalë që më kon?...
Se unë mbi to më mjalt nuk gjej.
Ne si nomadë shkretëtirash ngjajmë,
Humbur rrugëve të qytetit
Dhe si dy shpirtra frymën ndajmë
Mes ëndërrës dhe realitetit.
E kohën vrasim, oaze kërkojmë
Me netë pa gjumë në qiell të hapur.
Atje ku duam, kurrë s’ përfundojmë,
Se Zonjën Liri prapë e kanë kapur.
Lirinë gabele me ngjyra - ngjyra.
A ka vallë liri me xhepa bosh?!...
Lirinë që paska aq shumë fytyra,
Lirinë që qenka veç për kodosh.
Nomadë të dashurisë ne jemi,
Udhëtarë që çajnë në çdo tallaz.
Të ndalemi, ne mendje s’ kemi,
Rebeles erë i shkojmë nga pas.
ZOT, JE AKOMA MBI QYTET?
Çngjyroset nata si një albatros gjigant
E vidhet ngadalë me flatra
përgjatë Autostradës.
Po zbehen si me drojë
sytë e verdhë të shumkatsheve,
Ngordhin dritat e përkulura të rrugëve,
të lodhura nga puna e natës.
Si pelikan i pangopur zbriti agimi
në këtë qytet të rrëmujtë.
Po ky qytet s’është më i imi
është i të gjithëve dhe i askujt.
Ndoshta nga taracat e kateve shtatëmbëdhjetë,
me kopshte si parajsa vet,
Ka mbetur, në një qoshe Zoti e na shikon.
S’e di, ndoshta dhe na përgjon,..
E di Ai, që në këto rrugë, qielli nuk shihet më?!...
Do të jetë e fundit vepër arti modern,
Pasuria mbyt lirinë… Edhe qiellin e rrëmben...
Ç’e harxhova ditën sot si një monedhë kusuri!
Pesëdhjet lekë një gazetë
Merre, palose dhe fute nën xhaketë.
Ndërsa qyteti i të gjithëve dhe i askujt
nën smog me shpejtësi po humbet.
Ndaj unë pyes:
Zot, a je akoma mbi qytet?...
Zbrit, sonte dua të të takoj.
Tek Bari i lagjes,
në qoftë kësmet!
Tek bangot e vjetra gjysmëbosh,
që ke frikë t’i vështrosh
Mos druaj, nuk loz bixhoz!
Vetëm një raki,
me speca, me domate, me turshi.
Sa keq më vjen të të them,
kështu esëll: Jam i lodhur, Zot!
S’kam më fuqi!
NËN KASOLLEN E ANUAR
Puthmë fort që të harrohem,
Fort, fort, mos më lëshò.
Ngrohmë shpirtin se po ftohem,
Asnjë fjalë nuk dua, jo!
E kafshuar është dhe hëna,
I kafshuar shpirti im.
Nën kasollen e anuar
Trupin tim bëje ushqim.
Puthmë fort, gjithnjë më fort,
Të harrohem gjer n’agim...
LUFTOHEJ NË ATHINË
Një re e zezë ra mbi qytet
E gjuha e flakës u ngrit lart.
Një varg vitrinash djegur krejt
Dhe m’u kujtua veç një varg:
Pa pije detin, pije, Ksant!...
Mundesh me të, të mbytësh flakë?
Ekrani , bir, më villte zjarr,
Kërkoj mes turmës të të njoh.
Dikush ju pagëzoi barbarë,
Por unë barbarë gjëkund nuk shoh.
Në këmbë nuk mbeti një vitrinë...
Sa keq!... Luftohej në Athinë.
E gjumi n’arrati këtë natë,
Ky celular, pse shurdhmemec?!
Im bir kish ikur për pak fat,
Por fati shpesh diku dhe ngec.
S’më mbetet veç të bëj durim.
Sa keq!... Luftohej në Athinë.
Ja, biri im, mes turmës sot.
Dikush i trumbetoi barbarë.
Po pije detin, nginjur lotë,
Ti Ksant, vërtet qenke kusar.
Mbështjellur flakë ca manekinë,
Sa keq!... Luftohej në Athinë.
Seç thënka spikeri buzëvarë,
Ca fjalë që thell’ në shpirt më shpojnë.
Barbarë ka plot, kur ka kusarë,
Thërras tim bir, po valët s’shkojnë.
Ndaj vetëm flas me perëndinë.
Sa keq!... Luftohej në Athinë.
PO U PAMË!?...
Ndonjëherë dhe po u pamë,
As shëndet nuk do të themi,
Por mes turmës, siç u ndamë,
Ndoshta lot në sy do t’kemi.
Dhe po e thirra tëndin emër,
Do t’ma hedhësh fshehtë vështrimin.
Do t’bëj “tak” e jotja zemër,
Ndoshta ëndërron dhe kthimin.
Ja, qëlloi, në trotuar...
Ndala frymën dhe të prita
Dhe pa folur, pa u qarë,
Ndoshta sytë i thanë të gjitha.
E po m’ pyete, si po shkoj,…
Do të t’them, s’di të gënjej
Do t’mundohem të t’harroj,
Veç harresën s’mund ta blej.
UJKU
Përballë të kam.
Me ujk më ngjan.
Prapa syzeve ca sy të zinj.
Me një buzëqeshje false,
Prerë diku, një Zot e di!?...
E bëj durim.
Unë, një kec jam.
Nga zori të kërkova një takim.
Si ujk pas skrivanisë,
Lyer me maskën miell,
Se si m’u duke.
Ndoshta një palaço veshur me diell.
Si në një film socrealist
Me zë, o pa zë,
Që kërkon të më detyrojë
Një “po” të them gjithnjë.
Fundosur i tëri në kolltuk,
Provon të më godasësh
Me atë maskën tënde lyer me miell.
Por mielli më nuk vlen.
Nuk më gënjen.
Tashmë unë atë përrallën e di mirë
E të të them qoftë dhe një “po”,
Nuk kam dëshirë.
Seç pyet!…
Gjëra pa kuptim.
Nga ato që i përkasin ujkut.
Një ujku që kërkon bashkëpunim.
Por këtë mos ma kërko mua.
S’e kam dashur, s’e dua.
Ndoshta të ndihmojnë
Ujqit e tjerë të qytetit tim.
E kot të flas.
Ngrihem.
Ç’ta zgjas!?...
Me një ujk
S’mund të rri më.
Ti
Edhe në dëgjon gjithçka,
Nuk ndjen asgjë.
E PALYER ME MIELL
Ta dërgova poezinë, ashtu, siç ish,
Në një kupë për ta pirë.
S’u habite, kur lot gjëkundi nuk kish,
Se e dije, diku larg kishin ngrirë.
Dhe besoj të të japë përherë emocion,
Ndryshe, ç’poezi do të ish!?...
Do t’i ngjante bukës së mykur, racion,
Që në burg as të ngop as të grish.
Nuk e desha atë si rrobë, vish e çvish,
As për krime, ndëshkime.
Në luftën për jetë s’u bëra kurrë bishë,
Ndonëse lidhur zinxhir’ e privime.
Ta dërgova ashtu poezinë, siç ish,
Të palyer me miell.
Kisha folur një ditë me Zotin, ta dish,
Në një kënd, as në tokë as në qiell.
KILOMETRA
Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Seç më mbyti hapësira.
Retë më ngjajnë me egërsira.
Për çdo natë avionë, tragete.
Të mbaj në mendje, me vete,
Po me duar kurrë s’më preke,
Larg se larg përherë më mbete.
Kilometra,
Mijra kilometra, mijëra!
Të gjitha për një natë t’i lija,
Veç një herë pranë të të vija.
Zot, t’më bëje një trumcak!
Të çukitja atje në prag!
Mëngjesi le t’më mirrte prapë!
Le të qe dhe çmendurak.
Kilometra,
Mijëra kilometra, mijëra!
Po shoh ëndrra me çudira.
I kaloj në çast të gjitha,
Dete, po dhe kontinente,
Veç ti larg dhe vetëm mbete.
Duar zgjat e kurrë s’më preke.
Anën si t’ia gjej kësaj jete!?...
MË NË FUND
Më në fund s’jam kriminel,
S’e vrava kujtesën.
Po ta kisha vrarë, or mik,
Nuk do kisha kurrë një NESËR.
Është si baltë hipokrizia
E ndot të vërtetën.
Po të isha bërë pak pis,
S’do ta doja kurrë jetën.
GRUA
Grua,
Qetësinë do të ta sjell
Dhe do ta mbaj me kyc,
Në zemrën tënde strukur.
Le të rrahë e qetë atje
Dhe unë do të jem i lumtur.
Grua,
Universin do ta mbledh
Dhe do ta sjell në grusht,
Në mëndjen tënde ndrydhur.
Të ngopesh me pafundësi
Dhe unë do të jem i lumtur.
Grua,
Do të ta sjell edhe durimin.
Do ta strehoj aty,
Në shpirtin tënd të bukur.
Durimi shpirtin të të shplodhë
Dhe unë do të jem i lumtur.
Se ti je grua e pazakontë.
Me orë, ditë, vite, më mban në sy.
Gjysmë njeriu u bëra që kur të njoha,
Se gjysmën tjetër ta kisha falur ty.
TË MË DUASH TË DIELAVE
Ndyshon diçka kur bie drita xhamave.
Të dielat sikur paskan dritë edhe më shumë.
Duket qyteti kërkon me ngulm një rast të lumtur.
Hapi perdet, erdh hëna! Besoj, nuk je në gjumë.
Shëtit ajo në dhomën tënde, të puth edhe në faqe
E ngjan me një lumë njerëzish që sillet si të dojë.
Në trotuare, kafenè, pse jo edhe në pabe,
Por unë tek sytë e tu gjithnjë do t’përfundoj.
Të them: Shikomë! Dhe ti më thua: Zemër!
Si përpëlitet zemra, a mundet të ma thuash?
Sa ditë të javës ikën, s’arrita t’u ve emër
Por ti të dielave s’do mund të mos më duash.
Ndyshon diçka kur hëna troket xhamave.
Ajo më vjen në dhomë, më përkëdhel në gjumë.
Mos ky qytet kërkon një tjetër rast të humbur?!
Ç’të bëj që të më duash të dielave më shumë?...
NË DJALL VAFSHI!...
Rreze drite në pasqyrë,
Nuk ngjasoj me atë që shkoi:
Më i plakur, më i fryrë,
Por më i pasuri nga soj.
E vërtetë e hidhur kjo
E poetit të vonuar.
Të qëllon dhe ja, provo,
Nga vetja të jesh lehtësuar.
Isha një nga ata që s’bije,
Ëndrrimtarë, agim me vesë,
Që kërkonin dritë në hije,
Mëndja kurrë të mos i vdesë.
Dhe përherë mbetur në këmbë,
S’i donin vështrimet bosh.
U përgjigjeshin ndër dhëmbë:
"Në djall vafshi! Gjë s’na josh."
Ngjizjet shpesh janë dhe të këqija,
Janë si gropat me gjarpërinj.
Mbërritur vonë, të ze pleqëria
Dhe dështimet shpesh të mpijnë.
Ndaj më thonin shokë e miq:
"Mos limo vargje të mjera.
Këmbëngul, mos u tërhiq,
S’ka poeti armë të tjera.”
Dhe i ruhesha së keqes.
Vjen e keqja kot së koti.
Si poet i thoja vetes:
Në djall vafsh, në s’je i zoti.
Shpesh tërë gaz, i çensuruar,
Sikur shigjetoj pushtetet.
Veç në vargje kam tentuar
Dashuri pafund të mbetet.
Në një botë prej dimërakësh,
Vargu mbase sjell pranverën.
Ajo sjell funde dështakësh
Dhe poetin deh me erën.
Ndaj nuk gjendem qoftë një ditë,
N’asnjë rresht nëpër gazeta.
Faqet i kanë zënë orgjitë.
Vallë të jenë gjithë të vërteta?!...
Por kronika e zezë ka zbritur,
Ndaj i urtë prita sa prita,
Botës për t’i ulëritur:
“Në djall vafsh, moj, me të gjitha!”
Nuk dorëhiqem. Jam poet.
S’jam profet i kësaj bote.
Desha t’ jua mësoj këtë jetë,
Nga përvoja, mote e mote.
Ndaj do të ec mes fishkëllimash,
T’u çliroj nga vetja ime.
Fundja ky është një trill trimash,
Ëndërrim mbi ëndërrime.
Jam një i çmendur që bërtet,
Dashurinë kërkon të lidhë.
"Mjaft më, mjaft, se ndihem keq!
Në djall vafshi që të gjithë!"
Po ç’të bëj?!...Nuk jam një tjetër.
S’kam ndryshuar që i mitur.
Shpirtin kam mik më të vjetër
Se kjo maskë që po mbaj ngjitur.
Si armiq e miq t’ju kem,
Me dëshpërimin që s’e shqita.
Nuk do t’mundem kurrë t’ju them
"Në djall vafshi, me të gjitha."
KËNGA E REFUGJATIT
Emri im është bërë si parja e kuqe.
Del në sheshe tragetesh, mbin në aerodrome.
Gjatë e lënë në rresht si të ish njeri me huqe,
Sikur kish dalë motelesh veshur me kondome.
I ngjan fytyra ime një pasqyre të krisur.
Veç refugjatë me sy të ndritshëm pasqyron.
Sa herë flasim në skype s’rri pa të përsëritur:
“Dije, kurrë s’kam qenë dhe s’do të jem demon.”
Pranë s’mund të më mbaje në këtë kohë të keqe.
Jam zot i vetes, tjetërkujt nuk i takoj.
Një qiell të thyer copë kam marrë me vete.
Sa shumë e desha! Kurrë s’do ta harroj.
I heshtur endem, thith ajër me vegime.
Me natën puthem, ndukem dhe bëj dashuri.
S’paska pasur një plis nga ajo toka ime
Të më shtrëngojë fort e të më mbajë në gji?...
Mendimi im i ngjan një zogu të shtegëtuar.
Ikën në prag vjeshte, të gjejë pak ngrohtesi.
Se rruga është e hapur, telat me dhëmbë rrëzuar.
Mos më kërko. S’më mban. I lidhur dot nuk rri.
Tashmë, e di. Kjo rrugë është rruga ime.
S’e zgjodha unë, dhuratë ma dhanë të tjerë.
Nuk ka tabela, as semaforë, ka vetëm ëndërrime.
Ndaj ti pa drojë më thuaj: “Ec edhe më merr!”
Po rrugën time e ka zënë një gjumë i thellë.
Në fund të saj s’më jep qoftë dhe një yll.
Për dashuri gjithmonë më jep të njejtën gjellë:
Një çantë shpine shtegut, nëpër të njejtin pyll.
SHI I SHPIRTIT TIM
Shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga…
Zbutmë plagët,
Plagët e përgjakura të mundit,
Mos i lerë të zenë merimanga.
Miku im i mirë,
Shi plot hir.
Shuama grahmën e dhembjes.
Freskomë qelizat e mendjes.
Të mos rend kuturu.
Ngreje vetullën tënde,
Ylberin,
Ja, kështu:
Bashkoja kreun dhe fundin,
Mirësinë dhe mëshirën…
Shi i shpirtit tim,
Për mua,
Bëje më të mirën!
Se je shi i shpirtit tim,
Shi pa pranga
Do më zbusësh plagët,
Mos të kem më danga…
MË SILL PAK DET!
Më sill pak det!
Nga ai që përkëdhel brinjët e qytetit tim.
E dua nga ai të jetë.
Më sill pak det!
Në valixhe ndrydhe, si përrallat me qilim,
Si suferinë mbi retë
Ta ngjesh mbi kokë.
Të ngopem e të dehem me aromë e kripë,
Ta përqafoj si shok.
Më sill pak det!
Të lutem, më sill pak det! Të vras vetminë.
Vetmia po më vret.
Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.
Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...
-
Genci Gora NË SHKOLLË TEK SHTRIGA Shkarko falas Begzat Rrahmani VALËT E GURRËS Shkarko falas Mehmet Bislim...
-
Akademik Prof. Kujtim Mateli Pak histori derisa nisa t ë shkruaj librin “E vërteta për Dodonën dhe Epirin” (Pjesa e parë e para...
-
"Zëra nga burime të nxehta" mbetet një libër i veçantë i shkrimtarit Sabri Godo . Ai vjen për të dëshmuar se ka autorë dhe vepr...