Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/02/16

Pesë vjet Republikë.


4


17 Shkurt 2008. Ora 15:48 minuta. Republika e Kosovës iu shtua hartës së shteteve. Newborn filloi rrugëtimin si shtet i pavarur. Mbledhja e jashtëzakonshme, solemne dhe plenare, e Kuvendit të Kosovës, e kryesuar nga Jakup Krasniqi, kryetar i Kuvendit, filloi pas orës 15:00 dhe në rend dite kishte dy pika të rëndësisë historike: miratimin e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës dhe miratimin e simboleve shtetërore të Kosovës. Kërkesa e përbashkët për këtë mbledhje u shtrua nga presidenti, Fatmir Sejdiu dhe kryeministri, Hashim Thaçi.
Në seancë morën pjesë 109 deputetë, ndërsa të pranishëm ishin edhe shumë mysafirë nga radhët e përfaqësive diplomatike, si dhe pjesëtarët e familjes së Adem Jasharit dhe të ish-presidentit Ibrahim Rugova.
Në pasditen e acartë të 17 Shkurtit 2008 Kosova hapi një faqe të re të historisë dhe ndërroi hartën politike të Evropës.

5 vjet pavarësie në një pullë postare

“Duke iu përgjigjur thirrjes së popullit për të ndërtuar një shoqëri që respekton dinjitetin njerëzor dhe afirmon krenarinë dhe synimet e qytetarëve të saj; të zotuar për t’u përballur më trashëgiminë e dhembshme të së kaluarës së afërt në frymë të pajtimit dhe faljes; të përkushtuar ndaj mbrojtjes, promovimit dhe respektimit të diversitetit të popullit tonë, miraton Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, duke riafirmuar dëshirën tonë për t’u integruar plotësisht në familjen euroatlantike të demokracive; të vendosur që ta shohim statusin tonë të zgjidhur në mënyrë që t’i jepet popullit tonë qartësi mbi të ardhmen e vet; të shkohet përtej konflikteve të së kaluarës dhe të realizohet potenciali i plotë demokratik i shoqërisë sonë; duke nderuar të gjithë burrat dhe gratë që bënë sakrifica të mëdha për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Kosovën”, deklaronte kryeministri Thaçi.
Derisa firmëtarët e Deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës nënshkruanin deklaratën për lindjen e Republikës, qytetarët kishin shkrirë akullin e dimrit kosovar me festën madhështore çdo kund në Kosovë.

Newborn përcolli mesazhin e paqes, ndërsa vetë Deklarata e Pavarësisë përcaktoi bazën e politikës miqësore ndaj të gjitha vendeve tjera. Presidenti, Fatmir Sejdiu, theksonte parimet fundamentale mbi të cilat do të ngrihej shteti i Kosovës.
Në këtë kontekst historik, Kuvendi i Kosovës, përmes Deklaratës së Pavarësisë i bënë ftesë faktorit ndërkombëtar që ta vazhdonte prezencën në Kosovës, për promovimin e vlerave perëndimore dhe demokratike.

“Vizioni ynë për Kosovën është shumë i qartë. Dëshirojmë që Kosovën ta ndërtojmë mbi parimet fundamentale demokratike. Kjo do të thotë se Kosova do të jetë në shtet demokratik, shumëetnik me marrëdhënie të mira ndërfqinjësore me shtetet përreth”, theksonte presidenti Sejdiu.
Po atë ditë, më 17 Shkurt 2008, me aklamacion, Kuvendi i Kosovës miratoi edhe simbolet shtetërore, himnin, stemën dhe flamurin, të cilat tregonin identitetin e shtetit të Kosovës.
Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2008 vazhdoi me miratimin e akteve të rëndësishme të shtetit.
Me procedurë të shpejtuar shpalli me dhjetëra ligje, që dilnin nga Pakoja e Marti Ahtisaarit, e cila parashihte pavarësi të mbikëqyrur për Kosovën.
Më 4 prill 2008 u shpall Kushtetuta e Kosovës, akti më i lartë juridik i vendit, i cili përcakton Kosovën Republikë Parlamentare.


Kryepalamentari, Jakup Krasniqi, flet për rëndësinë e Kushtetutës.
“Kushtetuta e Kosovës si dokument i rëndësishëm është ndërtuar mbi themelet kushtetuese të demokracisë moderne. Demokracia jonë siguron qeverisjen e popullit nëpërmjet përfaqësuesve të tij të zgjedhur. Përcakton qartë kompetenca institucionale dhe u garanton të gjithë qytetarëve, pa asnjë dallim, të drejta dhe barazi para ligjit”.
17 Shkurt 2013. Republika e Kosovës kremton pesëvjetorin e shpalljes së Pavarësisë. Në shtator të vitit 2012 është përmbyllur etapa e pavarësisë së mbikëqyrur. Zyra Civile Ndërkombëtare ka përfunduar mandatin dhe është mbyllur. Megjithatë, në Kosovë vazhdojnë të veprojnë dy misione ndërkombëtare: KFOR-i që është reduktuar gjatë këtyre viteve të pavarësisë, por që ende ruan besueshmërinë tek qytetarët e Kosovës dhe EULEX-i – misioni i parë i këtij formati i Bashkimit Evropian, por i cili në vijimësi është përballur me kritika dhe pakënaqësi.
Shumëçka ka ndryshuar. Kuvendi i Republikës së Kosovës ka përbërje tjetër, ndërsa debati për rolin dhe punën e Kuvendit të Kosovës, ka marr diskurs tjetër. Fryma e debatit dhe temat kanë ndryshuar, edhe pse ende përplasjet më të mëdha ndërmjet grupeve politike janë për çështje politike. Kuvendi shpeshherë është akuzuar se ka qenë viktimë e politikës së Qeverisë, e mbrojtjes së grupeve të caktuara të interesit.
Nënkryetari i Kuvendit, njëherit deputet nga Partia Demokratike e Kosovës, që nga themelimi i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, thotë se Kuvendi i Kosovës ka bërë punë shumë të mirë në fushën e miratimit të ligjeve. Sipas tij, akuzat që janë bërë në drejtim të Parlamentit janë të padrejta.
“Kuvendi i Kosovës nuk dallon shumë nga parlamentet që funksionojnë në rajon. Nga Pavarësia e deri më tani ka pasur një angazhim të madh, qoftë në përmirësimin e legjislacionit, qoftë në miratimin e ligjeve. Mbi të gjitha, Parlamenti i Kosovës ka hapur debat në këtë periudhë, për çështje të ndryshme që kanë qenë në interes të qytetarit dhe interes i votuesve. Nuk mund të them që ka qene perfekt, apo produktiv, çfarë kemi pritur ne, por të gjitha ligjet që kanë ardhur nga Qeveria, shumica janë miratuar, dhe kjo mendoj se është një sukses i parlamentarëve të Kosovës”, thotë Xhavit Haliti.
Por, partitë opozitare, dhe madje edhe shoqëria civile, nuk pajtohen me konstatimin që Kuvendi i Kosovës ka qenë i pavarur në punë e vet. Ata madje thonë se edhe pesë vjet pas Pavarësisë, deputetët e mazhorancës ndikohen nga vija partiake.
Glauk Konjufca, nga lëvizja “Vetëvendosje”, lëvizje kjo që hyri në Kuvend gjatë viti 2010, mendon se komunikimi në Kuvend brenda subjekteve politike bëhet mbi bazat e mbrojtjes së agjendave që përgatiten jashtë Kuvendit, nga politikat e grupeve të caktuara të interesit.
“Mendoj se, sa i përket komunikimit brenda Kuvendit, ka probleme, sepse komunikim reduktohet në komunikim zyrtar. Mendoj se problemet vijnë atëherë kur ka ndikime politike që vijnë nga larg, të cilat ndikojnë edhe sjelljen e subjekteve politike brenda Kuvendit. Ka agjenda që janë jashtë Kuvendit dhe që vijnë brenda, të cilat nuk bëjnë që komunikimi të jetë spontan. Sa i përket komunikimit të Kuvendit me Qeverinë, mendoj se kjo është e njëanshme, sepse përderisa në një anë kemi një Qeveri e cila është mjaft agresive ndaj Kuvendit, kurse në anën tjetër Kuvendi nuk është se ka të njëjtin raport me Qeverinë, në kuptimin e mbikëqyrjes dhe monitorimit të punës së Qeverisë”, thotë Glauk Konjufca.
Driton Selmanaj nga Instituti Kosovar për Demokraci, që merren drejtpërdrejt me monitorimin e punës së Kuvendit, thotë se Parlamenti është në krizë të gjetjes së identitetit të vet si autoriteti më i lartë në vend.
“Mund t’i ndaj në dy etapa, sepse kemi pasur dy legjislatura. Është legjislatura e parë, ajo që shpalli Pavarësinë e Kosovës dhe e cila tërë energjinë e saj e kishte koncentruar në menaxhimin e post- shpalljes së pavarësisë si dhe miratimin e legjislacionit që dilte nga Pakoja e Ahtisasrit. Ndërkohë, që kemi legjislaturën tjetër që doli si rezultat i zgjedhjeve të abuzuara dhe derivoi një legjislaturë e cila është pothuajse nga më të dobëtat që nga paslufta në Kosovë. Ajo që e dëshmon këtë është kur deputetët kanë votuar me porosi ose kur deputetët, pesë minuta pas fjalës së tyre, e kanë tërhequr atë si rezultat që ka ardhur na presioni nga jashtë. Kemi pasur raste kur mazhoranca ka ikur nga seancat plenare dhe kjo e nuk është shembull i demokracive parlamentare perëndimore. Dhe krejt kjo e derivon një konkluzion se kjo legjislaturë e ka shndërruar Kuvendin në një institucion, i cili nuk ka integritet, nuk ka autoritet në marrjen e vendimeve fuqiplote dhe shpeshherë është i kontrolluar nga Qeveria. Kuvendi akoma është në kërkim të identitetit si institucioni më i lartë në vend”, thotë Diton Selmanaj.
Pesë vjet Republikë. Në historinë e shteteve pesë vjet janë periudhë e shkurtër, megjithatë e rëndësishme kur mbushet me ngjarje të mëdha. 

2013/02/15

Rrugëtimi diplomatik i shtetit të Kosovës


Harta e Kosovës
Harta e Kosovës
Republika e Kosovës po kalon me sukses sfidat e veta pas shpalljes së pavarësisë. Pesë vitet e para të Republikës së Kosovës paraqesin sfidën e vazhdueshme të sigurimit të sa më shumë njohjeve. Që nga 17 Shkurti 2008 janë bërë përpjekje për mbrojtjen e interesave shtetërore në arenën ndërkombëtare.
Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e ka barrën kryesore për fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtarë të vendit, por ajo përballet ende me shumë probleme. Kosova ka arritur të anëtarësohet në organizata të rëndësishme ndërkombëtare, por ende jo në organizatën kryesore, atë të Kombeve të Bashkuara. Ajo është njohur nga afërsisht 100 shtete, por ende jo nga pesë vende të Bashkimit Evropian, gjë e cila ndikon negativisht edhe procesin e integrimit evropian.
“Pavarësia e Kosovës është një fakt i pamohueshëm dhe se sipas saj integriteti dhe subjektiviteti i Kosovës është i garantuar”. Ky është slogani më i shpeshtë që përdoret nga përfaqësues të Republikës së Kosovës. Por, çfarë në fakt konsiderohet e arritur në diplomacinë kosovare pesë vjet pas shpalljes së Pavarësisë. Të arriturat në politikën e jashtme të Kosovës, padyshim se vlerësohen nga autoritetet në vend. Zyrtarë të qeverisë theksojnë se objektiv kryesor i tyre mbetet fuqizimi i Republikës së Kosovës në arenën ndërkombëtare. Ministri i punëve të jashtme të Kosovës Enver Hoxhaj, thotë se në vitin e kaluar janë shënuar suksese të mëdha në politikën e jashtme.
“Kemi bërë përpjekje që ta kemi një politike të jashtme dinamike, aktive, të jemi prezent në çdo pjesë të botës dhe ta shtyjmë agjendën e promovimit, përfaqësimit shtetëror të Kosovës në çdo pjesë të mundshme të botës. procesi i njohjeve ka qenë një proces i pandalshëm. Po ashtu, gjeografia e njohjeve është një gjeografi globale”, thotë Enver Hoxhaj Por, ndryshe mendon ish homologu i tij nga LDK-ja, Skënder Hyseni. Ai thotë se në krye të 5 viteve të shtetësisë së Kosovës, populli i Kosovës nuk ka arsye të mos jetë i kënaqur, por nëse shikohet kjo në vija të holla, shumë çka le për të dëshiruar. Hyseni numëron ngecjet e Kosovës në rrafshin diplomatik.
“Nuk është arritur sidomos në rrafshin e njohjeve ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, ne kemi pas prit me të drejtë që për një periudhe jo shumë të gjatë kohore, Kosova do të mund të behej anëtare e OKB –së, kjo nuk ka ndodh, pastaj në rrafshin e anëtarësimit të Kosovës në organizmat ndërkombëtarë po ashtu ka ngecje dhe kjo vjen po ashtu si rezultat I mos arritjes së anëtarësimit në OKB, shumica e organizatave multilaterale ndërkombëtare e kanë parakusht anëtarësimin, të qenit anëtarë të OKB-së,për tu bërë anëtar edhe i organizatave tjera multilaterale”, ka shtuar ministri Hoxhaj.
Ndërsa, profesori i së drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Afrim Hoti, thotë se pozicioni i Kosovës në arenën ndërkombëtare nuk ka ndryshuar shumë. “Mendoj se Kosova ka të njëjtin pozicion, apo ballafaqohet me të njëjtat probleme që është ballafaquar para shpalljes dhe pas shpalljes së Pavarësisë, duke reflektuar në botë një vend të ri që synon të jetë krejtësisht demokratik, por që edhe sot e kësaj dite përballet me kontestim juridik dhe politik ndërkombëtar”, thotë Afrim Hoti.
Shpend Kursani nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave – KIPRED, thotë se Kosova nuk ka në një fare forme politikë të pavarur të jashtme, pasi në një masë udhëhiqet edhe nga shtetet e tjera të cilat duan t’i ndihmojnë Kosovës. Ai shton se politika e brendshme e Kosovës reflekton edhe politikën e jashtme. “Kosova në arenën ndërkombëtare me diplomacinë e saj, është komplet një reflektim edhe i politikës edhe funksionimit të brendshëm i Kosovës, do të thotë një mos koordinim i brendshëm i Kosovës natyrisht ka rezultuar në një shpërqendrim po ashtu në arenën ndërkombëtare”, thotë Kursani.
Sipas tij, Ministria e Punëve të Jashtme duhet të ketë kuadër më profesional. “Për shkak të një stafi jo shumë të mirë të përgatitur në MPJ, një pjesë dërmuese e stafit nuk kanë njohuri as në gjuhën angleze janë të përfshirë në diplomacinë kosovare, kjo nuk ka ndodhur në ndonjë vend, sepse gjuha angleze dhe franceze është gjuhë e diplomacisë në arenën ndërkombëtare. Po ashtu komunikimi me ambasadat e Kosovës është jo mirë i koordinuar, ende nuk e kemi një sistem i cili në mënyrë automatike, bartë mesazhet edhe pozicionet e shtetit karshi shteteve tjera”, shton më tej Shpend Kusrani.
Pengesë tjetër në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës konsiderohet edhe mbetja aktive e rezolutës 12 44. Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, potencon se juridikisht kjo rezolutë i bën dëm Kosovës, ani pse politikisht pesha e kësaj rezolute ka rënë pas vendimit të GJND-së. Juridikisht Rezoluta 12 44 është pengesë serioze për Kosovën në krijimin e këtij subjektiviteti, në radhë të parë në raportet që Kosova dëshiron t’i ndërtojë me OKB-në, raporte nga të cilat varen edhe raportet e Kosovës me shumë mekanizma të tjerë, sepse anëtarësimi në OKB duhet ti paraprijë anëtarësimi në një varg organizatash dhe iniciativash të tjera. Prandaj mbi këtë bazë në kuptimin juridik normalisht që vazhdon që kjo rezolutë mbetet pengese serioze drejt krijimit të një subjektiviteti ndërkombëtar. Në kuptimin politik, ndonëse rëndësi dhe pesha e kësaj rezolute ka rënë dhe kjo kryesisht në të shumtën bazuar në mendimin e GJND, në opinionin juridik që dha gjykata ndërkombëtare e drejtësisë, duke konfirmuar se rezoluta 12 44 nuk mohon apo nuk ndalon popullit të Kosovës që të bëj shpalljen e pavarësisë prandaj politikisht vende të ndryshme mund të bazohen në mendimi ne kësaj gjykate për të marr vendimin për njohje sepse vendimi i popullit të Kosovës ka qenë krejtësisht I drejtë dhe legjitim”, thotë Afrim Hoti.
Edhe Kursani vlerëson se Rezoluta 12 44 paraqet pengese sepse përmes saj Serbia dhe Rusia e ndalojnë anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat tjera ndërkombëtare dhe ngritjen e legjitimitetit ndërkombëtare të Kosovës.
“Mirëpo, pa marrë parasysh këtë, Kosova duke u forcuar përbrenda edhe më ketë numër të njohjeve që e ka mund të funksionojë shumë mirë në arenën ndërkombëtare. Nëse merret shembull Bosnja, është një shtet i pranuar ndërkombëtarisht është i pranuar në OKB, njihet edhe nga Serbia edhe nga Rusia mirëpo është një shtet edhe më i dobët dhe më i defunskionalizuar se Kosova kështu që jo domosdoshmërish rritja e njohjeve në mënyrë të pamenduar apo duke bërë kompromise të brendshme do të thotë se është mire për subjektivitetin ndërkombëtarë të Kosovës. pra numri i njohjeve jo domosdoshmërish do të thotë se shteti mund të jetë i fortë edhe në arenën ndërkombëtare, pro duhet të forcohet së pari përbrenda”, shton Kursani.
Megjithëkëtë, Ministri Hoxhaj numëron të arriturat. Vetëm gjatë këtij vitit të kaluar Republika e Kosovës ka lidhur rreth 30 marrëveshje bilaterale me shtetet e ndryshme duke avancuar bashkëpunimin me shtetet partnere, është anëtarësuar në 11 organizata ndërkombëtare rajonale. Në këtë kontekst, ai ka veçuar anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
“Përveç kësaj, një ngjarje e rëndësishme është anëtarësimi i Kosovës në Bankën Evropiane për Zhvillim. E rëndësishmja është që Kosova është anëtarësuar në këtë institucion financiar si Republikë e Kosovës, si një vend sovran dhe i pavarur pa u përdorur fare fusnota. Po ashtu, në agjendën evropiane kemi pasur zhvillime”, thotë Hoxhaj. Lajmi i anëtarësimit u mirëprit nga i gjithë spektri politik. Kryeministri, Hashim Thaçi, e vlerësoi lartë anëtarësimin e Kosovës në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për disa arsye.
“Pra, anëtarësia e Kosovës është një fitore e madhe e identitetit shtetëror të Kosovës dhe çimentimit të Kosovës si pjesë e pashmangshme e relacioneve dhe organizatave ndërkombëtare”, ka thënë Thaçi. Mirëpo, anëtarësimi i Kosovës në OKB mbetet ende prioriteti kryesor i politikës së jashtme. Kryediplomati kosovar, Enver Hoxhaj nuk flet për kohën se kur Kosova duhet të aplikojë për tu bërë pjesë e OKB-së, por thekson se do të jetë ndër vendimet më strategjike të vendit.
“Pa dyshim se, ne si Kosovë, synojmë anëtarësimin në OKB-së dhe synojmë një anëtarësim të plotë, dhe ideja e rritjes së numrit të njohjeve është, mbi të gjitha, fuqizim i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Unë jam krenar që viti 2012 ka qenë një viti suksesi, që procesi i njohjeve ka qenë i pandalshëm dhe që çdo kush në botë është bindur se askush nuk mund ta ndalë rrjedhën e historisë. Koha se kur Kosova do të aplikojë për anëtarësim në OKB – tash nuk mund ta them, sepse është një prej vendimeve më strategjike dhe për vendime të tilla neve na duhet një analizë e mirëfilltë e plotë, se kur duhet të ndodhë kjo, si duhet të ndodhë dhe cilat janë synimet tona, qëllimet tona. Ne nuk do të bëjmë asnjë hap pa një koordinim të ngushtë me SHBA-në dhe partnerët tanë evropianë”, shton ministri Enver Hoxhaj.
Por, cilat janë procedurat që Kosova duhet të ndjek për t’u anëtarësuar në organizatën e Kombeve të Bashkuara. Profesor Hoti thotë se, procesi varet nga vullneti i shteteve themeluese në kuadër të KS të OKB-së, i përbërë nga pesëshja e njohur që kanë të drejtën e vetos, ose që OKB-së I qëndrojnë si kujdestare në marrjen e çfarëdo vendimi që arsyetohet me ruajtjen e paqes dhe stabilitetit të botë.
“Sido që të jetë, procesi administrativ, apo rruga e aplikimit, bëhet në formën e parashtrimit të një kërkesë që Kosova eventualisht duhej ta depononte në sekretari te Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, kjo kërkesë më pas do të duhej të përcillej në KS të OKB-së prej nga do të duhet ti merrte dy të tretat e votave, duke përfshirë këto pesë shtetet që kanë të drejte të vetos dhe nëse ky vendim do të ishte pozitiv, apo kërkesa e Kosovës do të kalonte Këshilli i Sigurimit , pastaj kjo do të vihej në agjendë në Asamblenë e Përgjithshme vetëm sa për t’u konfirmuar dhe në Asamblenë e Përgjithshme do të duhej të merren dy të tretat e votave të anëtarëve prezentë. Kjo në pamje të parë duket një procedurë e komplikuar por nuk është gjithaq e komplikuar, sa është i komplikuar vullneti i shteteve në radhë të parë atë atyre vendeve që kanë të drejtë të vetos që janë anëtarë të përsheshëm të Këshillit të Sigurimit”, thotë Afrim Hoti.
Ndërsa, komentet që lidhin anëtarësimin e Kosovës me numrin e njohjeve 100, 120 apo 150, nuk qëndrojnë, sipas profesor Hotit. Ai thotë se këto janë vetëm shifra numerike dhe anëtarësimi në OKB nuk varet nga numri i njohjeve.
Mbase Republika e Kosovës do të kërkojë që të arrijë anëtarësimin e plotë në OKB nëpërmjet procesit të normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, që do të nënkuptonte heqjen e pengesave për tu bërë anëtare e OKB-së. Shpend Kursani mendon se edhe në rast të pranimit të Kosovës nga ana e Serbisë, Rusia nuk do ta njoh Kosovën.
“Nëse Serbia do të lëshonte pe në mënyrë hipotetike, dhe do ta njihte Kosovën, mendohet se edhe Rusia automatikisht do ta njeh? Unë nuk besoj që Rusia do ta njeh menjëherë Kosovën nëse e njeh Serbia, arsyeja kryesore është se Rusia ka interesa tjera gjeopolitike në Ballkan, por edhe borxhe të ndryshme të cilat i kërkon nga partnerët më të mëdhenj të Kosovës, siç është Gjermania, SHBA dhe Anglia. Pra, nëse Serbia e njeh Kosovën – unë mendoj se Rusia do ta kushtëzonte partnerët e Kosovës me gjërat tjera që ata i kanë ndërmjet veti në mënyrë që Rusia ta njeh Kosovën, kështu që nuk besoj se njohja e Serbisë automatikisht do të thotë edhe njohje e Rusisë sepse interesat e të dy shteteve janë të ndryshme”, thotë Shpend Kursani.
Kur flasim për anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtarë, vendi ynë tashme është anëtare e dy organizatave ndërkombëtare më të rëndësishme financiare: Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe e Bankës Botërore. Anëtarësimi dhe përfaqësimi në organizatat tjera të rëndësishme ndërkombëtare, sikurse që janë NATO-ja, BE-ja, OKB-ja, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Këshilli i Evropës – të rëndësishme për fuqizimin e legjitimitetit ndërkombëtar të Kosovës – mbetet ende pa u arritur.
Një zotim për rritjen e numrit të njohjeve e ka dhënë edhe ministri Hoxhaj. Sipas tij, në vitin 2013 do të punohet në arritjen e numrit simbolik të 100 njohjeve, në mënyrë që Kosova ta ketë më të lehtë anëtarësimin nëpër institucionet ndërkombëtare. “Në muajt e parë të vitit 2013, ne do të bëjmë përpjekje që ta arrijmë numrin simbolik të 100 njohjeve, por prioritet është anëtarësimi i Kosovës në organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare, dhe politika e jashtme në vitin 2013 do të jetë një politikë e jashtme multilateral”, thotë Hoxhaj.
E, në kuadër të rritjes së numrit të njohjeve, sfida kryesore mbetet njohja nga pesë vendet e mbetura të BE-së. Qëndrimet e tyre duket se nuk do të ndryshojnë shpejtë. Ndërkohë, brenda vendit vazhdojnë kritikat ndaj ministrisë së jashtme. Ish-ministri Hyseni nuk e vlerëson aspak angazhimin e qeverisë aktuale në lëmin e politikës së jashtme.
“Unë e them me keqardhje po qeveria e parë pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës ka bërë shumë në politikën ndërkombëtare në ndërtimin e strukturës edhe fizike infrastrukturore të shërbimit të jashtëm të Kosovës, shërbimit diplomatik, ndërsa po them me keqardhje gjatë këtyre dy viteve të qeverisjes së kësaj përbërje, është bërë shumë pak në politikën e jashtme”, thotë Skënder Hyseni.
Kritikat e tij, Hyseni i argumenton duke krahasuar periudhat qeverisëse. “Defektet janë të gjithanshme, jo vetëm ne një vështrim shumë të thjesht mund të hetoni ngecje. Për dy vjet kjo qeveri nuk ka arritur të themelojë madje as një Konsullatë të vetme mezi në Strasburg, ndërkohë që në legjislacionin, e kaluar në përbërjen, e kaluar MPJ vetëm brenda gjashtë muajsh ka themeluar 20 ambasada dhe 13 i ka funksionalizuar plotësisht ,20 ambasada dhe 13 konsullata . Ky është tregues i mjaftueshëm për dështimet gjatë këtyre dy viteve”, ka shtuar Hyseni.
Për ngecjet në njohje flet edhe Shpend Kursani. Ai përmend moskoordinimin e faktorit të brendshëm politik dhe diplomacinë serbe e cila shantazhon në vazhdimësi Kosovën. “Kemi një Zëvendëskryeministër i cili ka marrë primatin që të merret me ngritjen e numrit të njohjeve, kemi ministrin e punëve të jashtme dhe po ashtu presidenten e cila përfaqëson politikën e jashtme të Kosovës. Kështu që kemi një politikë të decentralizuar sa i përket ngritjes së njohjeve jashtë vendit. dua të them se edhe kjo është e lidhur me politikën e brendshme të Kosovës, duke pasur Kosova një imazhin të keq sa i përket krimit të organizuar dhe korrupsionit. Kjo e afekton negativisht edhe ngritjen e numrit të njohjeve. Por kjo nuk është vetëm problemi i Kosovës, problemi qëndron edhe te diplomacia e fortë e Serbisë e cila është në mënyrë të vazhdueshme e angazhuar për ta shantazhuar Kosovën”, thotë Kursani nga KIPRED. Ai konsideron se Kosovës i duhet që ta centralizojë më shumë strategjinë për shtimin e numrit të njohjeve. Megjithëkëtë sipas tij ka hapësirë dhe vende ku diplomacia kosovare mund të lavdërohet.
“Nuk mund të themi se asgjë nuk është bërë por me siguri ka pasur hapësirë që të bëhet më shumë sidomos tek koordinimi më i mirë i mekanizmave të diplomacisë të departamenteve të ndryshme në MPJ dhe te ngritja e nivelit të stafit brenda në MPJ i cili nuk është shumë mirë i përgatitur për ti përballuar sfidat e Kosovës që i ka jashtë”, shton ai. Njohjet zakonisht varen nga shumë faktorë. Ndryshimi i rrethanave të brendshme politike në shumë vende po ashtu mund të sjell njohje të reja për Kosovën dhe të tilla janë ato që paralajmërohen nga disa vende të rëndësishme të përfshira nga “Pranvera Arabe”.
Rezultat pozitiv në diplomacinë dhe politikën e Kosovës, konsiderohet edhe përmbyllja e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës. Ky proces ka efekt pozitiv, sidomos për ato vende që kanë pasur dilema për Pavarësinë e Kosovës. Heqja e mbikëqyrjes së Pavarësisë vetëm se konfirmon që Kosova funksionon me Kushtetutën e vet, operon me ligjet e veta dhe është në gjendje që të jetë pjesë e marrëveshjeve juridike ndërkombëtare. Gjithsesi, më e rëndësishmja nga të gjitha, është konsolidimi i shtetit të Kosovës për të dëshmuar se Republika më e re në Evropë është partner i barabartë në skenën ndërkombëtare.

Kardoikirurgjia, (s’)funksionalizohet më 17 shkurt




Ariana Kasapolli - Selani



Kardiologjia
Kardiokirurgjia në Qendrën Klinike Universitare ende nuk është hapur. Edhe pse zyrtarë të lartë qeveritarë kanë deklaruar se operacionet e zemrësqysh vitin e kaluar  do të kryheshin në këtë klinikë, kjo nuk ka ndodhur.
Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, kishte deklaruar se qëllimi i institucionit që ai udhëheq, ka qenë funksionalizimi i kësaj klinike më 28 nëntor të vitit të kaluar. Por, ky repart nuk është funksionalizuar me këtë datë.
Ndërkohë, vetë Ministri është prononcuar se më 17 shkurt të këtij viti, përkatësisht  në 5-vjetorin e pavarësisë së Kosovës, do të funksionalizohet ky repart dhe pacientët kosovarë, do t’i kryejnë shërbimet aty.
“Jemi duke punuar maksimalisht në atë drejtim. Problemet teknike janë duke vazhduar si zakonisht, me prokurimet, me procedurat që janë plotësisht joadekuate me nevojat e sektorit të shëndetësisë, pra nuk i marrin parasysh specifikat e sektorit të shëndetësisë. Por, megjithatë, jemi duke punuar intensivisht dhe unë kam shumë shpresë që për nder të 5-vjetorit të pavarësisë së shtetit, do të fillojmë me shërbimet kardiokirurgjike”, deklaron Agani.
Ndërkaq, kardiokirurgët në vend thonë se numri i pacientëve që kanë nevojë për këtë lloj trajtimi, është shumë i madh. Kurse, sa i përket hapjes së Kardiokirurgjisë brenda Qendrës Klinike Universitare, Bekim Dula,kardiokirurg, thotë se atë e sheh si të domosdoshme.
“Kërkesat për kardiokirurgji janë të mëdha. Ka me qindra pacientë që presin, disa shkojnë jashtë, disa në ordinanca private, por me funksionalizimin e Kardiokirurgjisë, pacientët do të mund t’i kryejnë shërbimet pa pagesë brenda Qendrës Klinike Universitare të Kosovës”, shprehet Dula.
Por, sipas Dulës, me gjithë përpjekjet që janë duke i bërë, punët nuk duket të jenë kryer aq sa duhet.
Është puna e procedurave të tenderimit dhe Ligji i prokurimit publik ka shumë procedura. Në momentin kur kryhen këto, ne jemi gati të fillojmë.
“Është puna e procedurave të tenderimit dhe Ligji i prokurimit publik ka shumë procedura. Në momentin kur kryhen këto, ne jemi gati të fillojmë. Ne po bëjmë çmos që ta angazhojmë stafin. Aktualisht është duke u përzgjedhur stafi i mesëm, edhe aty ka procedura. Ne do të mundohemi që ta hapim më 17 shkurt, por edhe nëse nuk hapet me këtë datë, nuk është me rëndësi, sepse në javët në vijim qytetarët do ta kenë kardiokirurgjinë”, thekson Dula.
Sa i përket stafit për kardiokirurgji , kardiokirurgu Bekim Dula thotë se Kosova ka një ekip për këtë lëmi, që do të mund të punonte që me hapjen e Kardiokirurgjisë, derisa stafi shtesë tashmë është duke u përzgjedhur në bazë të konkursit./Ariana Kasapolli – Selani/REL

Intervistë me këngëtarin Gjon Karrica: E dua pafund muzikën dhe artin

Bisedoi Ermira Babamusta, New York
Gjon Karrica
Gjon Karrica
Artisti Gjon Karrica është një këngëtar nga Gjakova. Në 1998 largohet nga vendlindja për në Zvicër ku jeton dhe sot. Pasionin e tij, muzikën e bëri karrierë në vitin 2008 dhe e mori seriozisht hobin e tij. Në 2010 Gjoni përfundoi shkollën private të muzikës dhe këndimit. Gjatë karrierës së tij të sukseshme ka bashkëpunuar me artistë shqiptarë dhe të huaj. Krijimet e tij të para janë “Qësht Dashuria” dhe “Një Kosovare virgjëreshë”, me producentin Anton Nuo.
Në performancat e tij i talentuari Gjon Karrica di si të emocionojë publikën me entuziasmin dhe interpretimin e bukur të muzikës shqiptare, si në këngët tradicionale dhe në zhanra të tjera.
Dua të falenderoj miqtë dhe fansat e mi për përkrahjen. Kam kënaqësinë që t’ju them se ju jeni adrenalina e karrierës sime. Kam akoma shumë punë për të bërë. E dua pa fund muzikën dhe çdo gjë të bukur që quhet ART. Ndoshta dashuria shumë e madhe për këngën ka bërë që të këndoja gjithë kohën duke kënaqur veten. Nga dita në ditë pres të sjell krijime të reja, gjithmonë për t’ju argëtuar juve që më dëgjoni dhe duke u mbështetur te ju miqtë e mi,” tha artisti Gjon Karrica.
Gjon Karrica
Gjon Karrica
Intervista me Artistin Gjon Karrica
Bisedoi Ermira Babamusta, New York
Gjon, keni kohë që merreni me muzikë. Cili zhanër përshkruan më mirë stilin e muzikës tuaj nëpër vite?                                                                                                                        
Gjon Karrica: Asht një Mix, Pop, House, R`n`B.
Cila është kënga e parë që keni kënduar?                                                                        
Gjon Karrica: Kënga e parë që kam kënduar është “Unë do t’jam i joti”. Këtë kang e këndoj për një person shumë të veqantë.
Videoklip juaj “Qësht Dashuria” është mirëpritur dhe pëlqyer shumë nga fansat tuaj. Na trego më tepër për krijimin e videoklipit.
Gjon Karrica: Videoklipi është filmua në Winterthur të Zvicrës, në nëntor 2009. Mbaj mend që ka qenë një ditë shumë e ftohtë edhe ishte shumë vështirë që të realizohet. Madje, ka në shumë vene që vërehet që kam nirth shumë. Regjizori turk Uğur Gültekin ka kryer projektin. Jam shumë i kënaqur me realizimin e kësaj video. Video është lançuar në shumë televisione të Kosovës dhe Maqedonisë.
Cila ka qenë performanca live më e preferuar për ju?
Gjon Karrica: Performanca më e pëlqyra ka qenë në finalen e programit famoz pasioni im, Finalen e Zürich.
Ku dëshironi të performoni në të ardhme?                                                                          
Gjon Karrica: Ku do që ka Shqiptar.
Cilat janë synimet dhe ëndrra juaj në jetë?                                                                      
Gjon Karrica: Ëndrra ime ma e madhe kishte me qenë nje këngë në gjuhën shqipe ta bënim të njohur në shkallë ndërkombëtare.
Me çfarë projekti po merreni tani?                                                                                                                                                                                                                                     
Gjon Karrica: Tani po merrem me një projekt të ri i cili quhet, Shqiptar, a jeni gati se po vjen Lugati.  Tekstin e kam shkruar unë dhe Anton Nue. Muzika nga  Anton Nue. Është një kang shumë e mirë edhe mendoj që ka një stil të veqant, është party song. Kurse kangët e tjera që janë në realizim kanë të bëjnë me mua, sepse nëpërmjet muzikës time mund t’i shprehi të gjitha idetë dhe talentin tim. 

Inteligjenca Shqiptare në Francë: Biesedë me politologun Dr. Mirsad Voca

Inteligjenca Shqiptare në Francë: Biesedë me politologun Dr. Mirsad Voca

Nga : Ermira Babamusta, Ph.D., New York, Prishtinë

Z. Mirsad, na tregoni për origjinën tuaj?

Dr. Mirsad Voca: Jam me origjinë nga qyteti i Mitrovicës ku kam lindur dhe jam rritur. Njihet po ashtu si qyteti i minatorëve duke e pasur parasysh minierën e Trepçës aty ku babai im punoi përgjatë 40 viteve.

Shkollën fillore dhe të mesme e kam mbaruar në Mitrovicë, e para shkolla fillore “Migjeni” ndërsa e dyta gjimnazi “Frang Bardhi”. Vitin e fundit të gjimnazit gjenerata ime nuk ka mundur ta ndjek për shkak të luftës në Kosovë përgjatë viteve 1998-1999, mirëpo pas çlirimit nga okupimi serb u ktheva në Mitrovicë menjëherë dhe përgjatë vitit 1999 u validua edhe viti i katërt i shkollës së mesme.

Cilat janë kujtimet e rinisë tuaj në Kosovë?

Dr. Mirsad Voca: Rinia ime në Kosovë nuk ka qenë edhe aq e lehtë sikur për shumë të tjerë duke e pasur parasysh situatën e veshtirë përgjate viteve tê 1990 në Kosovë. Vi nga një lagje që në ate kohë quhej “Tavnik” sot “Ilirida”, e cila konsiderohej paksa më e egër nga pjesët e tjera të qytetit. Aty edhe policia serbe shpesh nuk guxonte të depertonte pa mjete të blinduara.

Që në moshën 9 vjeçare (isha vetëm në klasën e tretë) kam marre pjesë në protesta kundër regjimit serb. Në fakt unë po shpërndaja qepë protestuesëve kundër gazit lotsjellës (ndoshta duket e çuditshme por qepa ndihmonte kundër gazit lotësjellës).

Mësimin në shkollën fillore dhe atë të mesme e bënim disi fshehurazi nga policia meqë ishte i ndaluar nga regjimi serb mësimi në shqip. Një orë mësimi zgjaste 30 minuta, nganjeherë edhe me shkurt sepse ndërtesa ishte e ngarkuar me të gjitha drejtimet dhe të gjitha gjeneratat. Kam qenë edhe dëshmitar direkt kur arsimtarët arrestoheshin dhe rraheshin në prezencën e nxënësve dhe burgoseshin për një periudhë të caktuar pastaj liroheshin. Megjithatë shkollimi shqip prapë vazhdonte në kushte jo normale dhe shumë të vështira.

Meqë kushtet financiare në familjen time ishin të vështira që nga viti 1990 deri më 1995 kam ndihmuar babain për të shitur ato perime e frute që ai i kultivonte në kopshtin e shtëpisë. Pastaj kam shitur edhe duhan në qytetin e Mitrovicës përgjatë verës së vitit 1995. Shuma që fitoja investoja pastaj në materiale mësimore.

Në vitin 1997 filloi të acarohej gjendja e sigurisë dhe ndjehej fillimi i një lufte të armatosur. Ndërsa vitet 1998-1999 kam përjetuar luftën deri në ekzodin e pranverës së vitit 1999 kur u detyruam të braktisim shtëpinë për të ecur mbi 150 km deri në kufi me Shqipërinë në Morinë. Përgjatë këtij marshi refugjatësh pati momente shumë prekse të cilët janë po aq të freskët në kujtesën time edhe në këtë moment kur po i shkruaj këto fjalë. Pastaj qëndruam në Shqipëri si refugjatë në një kamp amerikan në qytetin e Fier-it në Shqipëri.

Kur u larguat nga vendlindja dhe ku emigruat?

Dr. Mirsad Voca: Pas kthimit nga Shqipëria, u regjistrova në Universitetin e Prishtinës në vitin 1999 ku edhe mbarova në vitin 2003 studimet katër vjeçare në degën Gjuhë dhe letërsi frenge. Pasi që në vitin 2001 pata rastin të punësohem si përkthyes për KFOR-in francez përgjatë dy viteve, dhe meqë kisha grumbulluar pak të holla vendosa që menjëherë pas sudimeve në Kosovë të vendosem në France për të vazhduar studimet tjera superiore.

U vendosa në Paris në nëntor të vitit 2003. Ishte për mua një thyerje e madhe si gjeografike po aq arsimore dhe edukative. E dija që duhej punë e madhe për tu bërë në mënyrë që të arrihet një nivel i krahasueshëm me atë të kolegëve të mi francez dhe të huaj. Mirëpo nuk frikohesha duke u nisur nga fakti se kam një karakter konsistent dhe e dija shumë saktësisht se për çka kisha shkuar në Paris dhe çka dëshiroja.

Përshtypjet e para në Paris dhe jetën franceze.

Dr. Mirsad Voca: Kur u vendosa në fillim në Paris të gjitha rrugët më dukeshin njësoj për shkak të arkitekturës së qytetit me bulevardet dhe avenyt e tij të famshëm që ngjajnë shumë sidomos për një të huaj kur i sheh ato fillimisht. Sigurisht se kisha përshtypje shumë pozitive dhe isha plotë emocione dhe entuziazëm për këtë qytet.

Aktualisht vazhdoj të qëndroj në Paris. Jeta në këtë qytet është e shumëngjyrshme. Ka shumë mundësi sidomos për studime sepse është një shtet në të cilin studimet janë pothuaj falas krahasuar me shtetet tjera. Shkollimi është kualitativ me kuadro të njohur edhe ndërkombtarisht por edhe me shkolla të njohura dhe kompetente.

Jeta në Paris është e shtrenjtë, nganjëherë e vështirë por edhe këndshme sepse mendoj se është një qytet po aq i rëndë me turmat, zhurmat e njerëzve dhe shtrenjtësinë e tij sa edhe i këndshëm për jetën në shumë aspekte. Kur je student në këtë qytet ke shumë përparësi të cilat i ofron shteti për të lehtësuar jetën e studentit dhe kjo e bën më të lehtë jetën prej studenti.
Është një qytet kozmopolitan. Kam njohur francez por edhe shumë të huaj. Njerzitë në përgjithësi janë të sjellshëm mirëpo sigurisht që ka ndonjherë ndonj përjashtim. Ka një klishe për francezët apo thënë më saktësisht francezët parizian, thuhet se janë pretencioz gjë që e kam ndjerë edhe unë ndoshta ndonjëherë mirëpo kjo mund të mbetet sharmante nëse nuk teprohet.

Cilat janë arritjet dhe sukseset tuaja gjatë karrierës deri tani?

Dr. Mirsad Voca: Shkollimi im në Paris duket paska i ngjeshur përgjatë nëntë viteve dhe vetëm tash po marr frymë më lirshëm dhe po e jetoj Paris-in më ndryshe, më i liruar nga studimet.

Arritja ime e parë ishte kur në shtator të vitit 2005 mbraova studimet e master-it në drejtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare - studime evropiane.

Më pas fitova bursën pranë qeverisë franceze për studime doktorale në po të njëjtin drejtim i varur nga laboratori i Shkollës doktorale të shkencave sociale pranë institutit të gjeopolitikës dhe atij të studimeve evropiane.

Në vitin 2006 fillova hulumtimin doktoral mirëpo pas një viti apo në 2007 u koncentrova në një shkollë tjetër franceze. Është fjala për ENA (Ecole Nationale d’Administration – Shkolla kombëtare për administrim). Arrita ta kaloj konkursin për këtë Shkollë pas një përgaditjeje gjashtë mujore përgjatë vitit 2007 dhe një pjesë të madhe të vitit 2008 kalova në Strasbourg aty ku zhvillohet shkollimi në ENA. U diplomova edhe në ENA në administrim publik – drejtimi marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomaci.

Kam bërë disa publikime ( përgjatë studimeve në ENA dhe atyre doktorale kam botuar artikuj hulumtues në Bulletinin filozofik pranë Universitetit të Prishtinës, në Fondacionin për hulumtim strategjik në Paris si dhe në disa të përditshme kosovare) si në Francë po ashtu në Kosovë mirëpo mendoj se janë simbolike.

Cilat janë pasionet tuaja në lidhje me degën?

Dr. Mirsad Voca: Meqë rinia ime është ndërlidhur shumë me konfliktet në ish-Jugosllavi e veçmas me atë të Kosovës, kam zgjedhur t’ua kushtoj studimet e mija universitare dhe hulumtuese doktorale në Francë.

Kam shumë pasione, si dinamik që jam. Sportist e dua muzikën, luaj pak me kitarë dhe përpiqem të këndoj. Kitara është diçka e re për mua të cilën e kam mësuar në Paris. Duhet të përmendi se që në moshën 10 vjeçare pata filluar të mësoj të luaj qiftelin si instrument kombëtar që e kemi ne Shqiptarët.

Cilën temë trajtuat në disertacionin e doktoraturës?

Dr. Mirsad Voca: Në temën time që e kam trajtuar bëhet fjalë për Kosovën midis shpërbërjes së ish-Jugosllavisë dhe rikompozimit evropian. Brenda kësaj suaze hulumtoj çështjen e paqartësive të së drejtës për vetëvendosje të Kosovës dhe emergjencën e shtetit të Kosovës. Qasja është gjeopolitike dhe politiko-sociale por edhe historike. Teza ime vendoset në përballjen e aspiratave kombëtare të akterëve shqiptarë të Kosovës me tërësinë e zhvillimit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe atyre regjionale ku ato aspirata gërshetohen. Përqendrohet në çështjen e statusit të Kosovës nga këndvështrimi i të drejtave dhe identiteveve që (nuk) u janë njohur shqiptarëve të Kosovës.

Çfarë ju bën krenarë për prejardhjen tuaj ?

Dr. Mirsad Voca: Që jam Shqiptar (me të gjitha të mirat e të këqijat). Që vi nga një familje e shëndosh kombtarisht, moralisht dhe historikisht. Nëse nuk e duam vetën dmth të qenurit shqiptar, mos te presim që këtë ta duaj i huaji para se ne ta duam veten. Por si ta duam ? Mendoj se duhet të jetë në mënyrë vetmohuese, gjë që shpie kah një konstruktivitet. Duhet me të vertetë së pari të njohim sa më shumë kush jemi, si jemi, prej nga jemi, për se jemi. Të provojmë tu përgjigjemi këtyre pyetjeve sa më thellë dhe arsyeshmërisht duke mos e mohuar kurrë dashurinë për prejardhjen tënde, në këtë rast e të qenurit shqiptar.

Cilat vlerat shqiptare do ti mësonit Francës dhe botës ?

Dr. Mirsad Voca: Ka aq shumë për t’iu interpretuar të huajëve. Me atë që ballafaqohesh më së shumti është injoranca dhe pasqyrimi më shumë negativ për Kosovën dhe për shqiptarët. Gjithmonë përpiqem me ato argumente që posedoj t’iu interpretoj një imazh të shqiptarëve si një popull i lashtë, me traditë të vjetër, me një shpirt të pathyeshëm gjë që ka bërë që ne të ekzistojmë si popull, me një bujari, me mikpritje e solidaritet, i kthyeshëm, jo agresiv ndaj popujve tjerë. E gjithë kjo nuk e di sa arrin ta zbus sado pak atë propagandën shumëvjeçare që është zhvilluar ndaj shqiptarëve në pothuaj çdo shtet të botës.

Cili është rekomandimi juaj për Kosovën ? Çfarë na nevojitet më tepër në vend ?

Dr. Mirsad Voca: Mendoj shumë sinçerisht dhe thjeshtë se duhet bërë shumë më shumë në arsimim dhe atë pa ndalur për shumë vite intensivisht dersia t’ia arrijmë ta kemi një nivel më të lartë. Kjo vlen për të gjithë Shqiptarët kudo që janë. Pastaj, na nevojitet një punë më kolektive si shoqëri. Duhet të kupojmë se një shoqëri ec drejt dhe shëndosh me një punë kolektive dhe jo me individualizëm. Pasi që të kuptojmë njëherë e mirë, pastaj duhet të veprohet në atë drejtim. Pra, duhet pak të ndryshohet edhe karakteri individual prej shqiptari sepse kjo do të na pengoj për një të ardhme më të ndritshme.

Këshilla juaj për studentët shqiptarë në diasporë?

Dr. Mirsad Voca: Do të dëshiroja që ata që bëjnë studime jashtë vendit dhe sidomos ata që doktorrojnë të kenë edhe mundësinë (nuk mjafton vetëm dëshira) të kontribuojnë në vendlindjen e tyre sesa të qëndrojnë jashtë vendit dhe të kalojnë jetën duke punur diku në ndonjë kompani apo universitet të huajë ndërsa vendlindja vuan nga një deficit i hatashëm kuadrosh në pothuaj të gjitha fushat.

Cilat janë ambiciet dhe synimet tuaja për të ardhmen?

Dr. Mirsad Voca: Kam shumë synime mirëpo aktualisht pas mbrojtjes së doktoratës jam duke jetuar pak më lirshëm duke pritur lëshimin formal diplomës. Pres që në një të ardhme të afërme të shoh perspektivën time në Kosovë në sferën universitare, por nuk e përjashtoj edhe dëshirën për të kontribuar në diplomaci. Mendoj në atë të Kosovës e cila mendoj se ka nevojë të reformohet e të ngritet më lartë. Në fakt në Kosovë ka nevojë për gjithçka meqë është ende fillimi i një shtetndërtimi. Mendoj se mungojnë kuadro në çdo fushë e sidomos në sferën universitare ku mendoj se do të jepja me dëshirë kontributin tim.

NJOFTIM PUBLIK


Te nderuar,

Kete muaj kam filluar iniciativen per te nxjerre ne pah inteligjencen shiqptare ne diaspore, studente qe jane duke vazhduar doktoraturen ose sapo kane perfunduar 1-2 vitet e fundit. Kjo jep perkrahjen tone per karrieren e te rinjve dhe intelekualeve shqiptare ne bote dhe vend. Por me e rendesishmja, tregon dhe vlerat , ambiciet dhe synimet te inteligjences shqiptare neper bote.

Nese njihni persona qe jane duke kryer ose kane kryer doktoraturen ju lutem jepni kontaktin tim ermirab@yahoo.com te me dergojne kerkese nepermjet emailit per interviste/shkrim biografit te tyre.

Ne kete interviste keni bieseden me te nderuarin z. Mirsad Voca. Faleminderit per publikimin. Ermira Babamusta.


Ermira Babamusta, Ph.D.
Political Scientist, Foreign Affairs Expert & Author

www.facebook.com/ErmiraBabamustaFans

This email (including any attachments) is for its intended-recipient's use only. This email may contain information that is confidential or privileged. If you received this email in error, please immediately advise the sender by replying to this email and then delete this message from your system.

“I kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët”.

529600_10150951283206099_1761116442_n

Agim Vinca


“I kam borxh vitit ’13 që s’ia mbylla plagët”.


Xhevahir  Spahiu, Borxhet e mia


Derisa viti që lamë pas, 2012-a, për shqiptarët ishte, me të drejtë, vit feste, viti në të cilin kemi hyrë, 2013-a, do të duhej të ishte: vit kujtese.
Në ç’kuptim?
Shqipëria, pas një robërie të gjatë gati pesëshekullore, u shpall, më 28 nëntor 1912, “e lirë dhe e mosvarme”, por shqiptarët dhe trojet e tyre, me vendimin e padrejtë të Fuqive të Mëdha, u ndanë në mënyrën më të vrazhdë të mundshme, duke mbetur, më tepër se gjysma e tyre, nën sundimin e shteteve fqinje: Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi.
Kjo padrejtësi e madhe historike: ndarja e një kombi në dysh, që ndodhi njëqind vjet më parë, u shoqërua me krime e masakra të tmerrshme, që ushtruan trupat serbo-malazeze dhe bullgare mbi popullsinë e pafajshme shqiptare.
Është detyrë e shkencës sonë, e historisë dhe e historianëve në radhë të parë, që t’i kujtojnë këto ngjarje, jo për të ngjallur urrejtje mes popujve, por për të njohur të kaluarën dhe për të mos lejuar që ajo të përsëritet, ashtu siç u përsërit në Kosovë në fund të shekullit që lamë pas.
Kur i lexojmë dhe rilexojmë sot dëshmitë e para njëqind vjetëve, shohim se ngjarjet e përgjakshme të fundshekullit XX, ishin, në masë të madhe, reprizë e atyre të fillimit të shekullit dhe se, si të parat, ashtu edhe të dytat, kishin frymëzim e synime politike: pushtimin e territorit nëpërmjet spastrimeve etnike.
Janë të shumta dëshmitë e udhëtarëve, gazetarëve, publicistëve dhe diplomatëve të huaj për krimet që bënë trupat serbe, malazeze dhe bullgare gjatë Luftërave Ballkanike në viset shqiptare të Kosovës dhe të Maqedonisë së sotme, por për ta kursyer hapësirën e, besa, edhe ndjenjat e lexuesve, po ndalemi vetëm te disa sosh.
Mikja e shqiptarëve, shtegtarja angleze Miss Edith Durham (1863-1944), e cila ka lënë disa libra me shkrime për Ballkanin, tregon se gjatë tetorit të vitit 1912, kur ndodhej në Mal të Zi dhe kur lufta në Kosovë kishte përfunduar, kërkoi që të vizitonte Prizrenin, por pushteti serb ia ndaloi udhëtimin. “I pyeta malazeztë se përse nuk më lejohej të shkoja atje - dëshmon zonja Durham dhe vazhdon - ndërsa ata qeshnin dhe më thanë: Nuk kemi lënë atje asnjë shqiptar me hundë të paprerë!”.
Dhe, vërtet, zonja Durham, gjatë udhëtimit të saj në viset veriore të Shqipërisë, pati rastin të shihte njerëz “me hundë dhe buzë të prera”, vepër e pushtuesve që mëtonin paturpësisht se po sillnin “civilizimin” në ato vise.
Historiani anglez Noel Malcolm, në librin e tij “Kosova, një histori e shkurtër”, sjell dëshmi të shumta për vrasjet masive të shqiptarëve në vitet 1912-1913, për djegien e fshatrave të tyre dhe krimet e tjera të bëra mbi ta. Edhe pse “shumicës së gazetarëve të huaj iu ndalua hyrja në Kosovë”, thekson Malcolm-i, megjithatë, e vërteta për një pjesë të mizorive të kryera në Kosovë arriti të depërtonte në botë. Një gazetar danez raportonte nga Shkupi se në Prishtinë ishin vrarë 5.000 shqiptarë pas pushtimit të qytetit, për të shtuar se “fushata serbe kishte marrë karakterin e një masakre të tmerrshme mbi popullatën shqiptare”. Disa të dhëna depërtuan në Evropë nëpërmjet Kishës Katolike. Kështu, një prift vendës katolik, sipas gazetës “Daily Telegraph”, informonte për një masakër në Ferizaj, ku komandanti serb u kishte bërë thirrje shqiptarëve që të ktheheshin pa frikë në shtëpitë e tyre dhe kur ata e kishin bërë këtë ishin pushkatuar që të gjithë (rreth 300-400 veta), aq sa në këtë qytet kishin mbetur gjallë vetëm tre shqiptarë myslimanë të moshës 15-vjeçare. Arqipeshkvi katolik i Shkupit, Lazër Mjeda (i vëllai i poetit Ndre Mjeda), në një raport të datës 24 janar 1913 dërguar Vatikanit, shkruante se popullata shqiptare e Gjilanit ishte masakruar, “edhe pse qyteti ishte dorëzuar pa rezistencë”, kurse Gjakova ishte shkretuar krejtësisht. Akoma më keq kishte kaluar qyteti i Prizrenit, që, sipas raportit, ishte shndërruar në një “mbretëri të vdekjes”. Ushtarët serbë trokasin në dyert e shqiptarëve, i marrin burrat dhe i pushkatojnë në vend (numri i të vrarëve arrin në 400), kurse e tërë kjo plojë shoqërohej me grabitje, plaçkitje e dhunime, sepse urdhri i ditë ishte: kundër shqiptarëve lejohet çdo gjë, madje jo vetëm lejohet, por edhe kërkohet dhe urdhërohet. Dhe kulmi i të gjithave: komandanti ushtarak serb, Bozho Jankoviq, urdhëron parinë e qytetit me revole në dorë që t’i dërgonte letër falënderimi kral Petrit për “lirinë” që ua kishte sjellë! (Cituar sipas: Noel Malcolm, Kosova, një histori e shkurtër, “Koha”, Prishtinë 1998, f. 264-265).
Revolucionari i njohur rus, Lav Davidoviç Bronshtajn, i mbiquajtur Trocki (1879-1940), i cili gjatë Luftërave Ballkanike ishte korrespondent i gazetës “Kijevskaja Misl”, ka lënë dëshmi tronditëse për krimet e ushtrisë dhe të paramilitarëve serbë në viset shqiptare në Kosovë dhe në Maqedoni. Në raportin e datës 23 dhjetor 1912, nën titullin “Krimet e shovinizmit dhe të demokracisë”, Trocki shkruan: “Tmerret filluan të duken posa kaluam kufirin. Në orën pesë pas dite, kur iu afruam Kumanovës, dielli kishte filluar të perëndonte dhe të binte terri. Sa më shumë që ngrysej qielli, aq më shumë shndrisnin flakët e zjarrit, që ngjiteshin lart në qiell. Gjithçka rreth nesh digjej. Të gjitha fshatrat shqiptare ishin në flakë…”. Më tutje autori tregon se pamjet e këtilla e kanë ndjekur gjatë gjithë udhëtimit të tij nga Kumanova në Shkup. Në stacionin e trenit në Shkupin e shkretuar, një ushtar i dehur serb, çetnik, me shishen e rakisë në njërën dorë dhe me kamën në tjetrën, luan me shqiptarët e zënë robër si macja me miun, duke u bërtitur: “Ngrihuni!”, “Uluni!” dhe duke i detyruar të pinë raki. Ndërsa një ushtar tjetër, esull, i thotë udhëtarit për njerëzit me të cilët tallej shoku i tij: “Këta janë arnautë. Tash do t’i therin e do t’i bëjnë copa-copa”.
Në pamundësi që t’i shpëtojë ata, por edhe duke mos dashur të shohë me sytë e tij skena të tilla, Trocki vazhdon rrugën, por kur arrin te Ura e Gurit, në qendër të qytetit, i del para “një grumbull kufomash me koka të prera”. Që të gjithë shqiptarë, të vrarë dhe të masakruar nga çetnikët.
Trocki jep detaje tronditëse për krimet serbe mbi shqiptarët, duke raportuar direkt nga vendi i ngjarjes.
”Tre ushtarë kaluan pranë meje. Dëgjova bisedën e tyre. ‘As vetë s’e di sa shqiptarë kam vrarë’, tha njëri nga ata. Por te asnjëri nuk gjeta asgjë të vlefshme. Vetëm kur e thera një bullë (kështu quhen te myslimanët gratë që zbukurojnë nuset), gjeta tek ajo dhjetë lira ari”.
“Një natë në kafene takova një toger, njësia e të cilit ishte stacionuar në Ferizaj. ‘E çka bëni atje, në mes të shqiptarëve?’ - e pyeta. ‘Pjekim zogj dhe vrasim arnautë” - m’u përgjigj. ‘Por jemi lodhur edhe nga kjo’, shtoi duke hapur gojën nga mërzia“.
“Po si mund të silleni kaq brutalisht?” - e pyeta i shokuar nga fjalët e tij. “Nuk e di as vetë. Mësohesh. Në luftë, siç e dini, komanda jep urdhra dhe ju duhet t’i zbatoni”. Kur i thashë se po silleshin si banditë, duke vrarë e plaçkitur njerëz të pafajshëm, togeri u nxeh pak dhe filloi të arsyetohej. “Jo, nuk është ashtu. Ne, ushtria e rregullt, u përmbahemi rregullave… nuk vrasim njerëz nën 12 vjeç! Për paramilitarët nuk mund të garantoj asgjë; ata nuk njohin kufij. Të rekrutuar nga djerraditës, të papunë, keqbërës dhe fundërrina të shoqërisë - ata vrasjet, plaçkitjet dhe dhunën i kanë shndërruar në argëtim”.
Këto pasazhe të llahtarshme për krimet e para njëqind vjetëve, ngjajnë si veja me venë me krimet e viteve 1998-1999 në Kosovë, veçanërisht ato të periudhës së bombardimeve: mars-qershor ‘99. Nuk ka pothuajse kurrfarë dallimi mes tyre. Vetëm koha ndryshon: falë mundësive pakrahasueshëm më të mëdha të komunikimit bota merr vesh për atë që ndodh në Kosovë, kurse Aleanca Veriatlantike, në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk e sodit me indiferencë tragjedinë e një populli të tërë, por ndërmerr diçka për ta mbrojtur atë, qoftë edhe nga ajri, ndryshe nga ç’ndodhte në kohën e Trockit.
“Nuk isha në gjendje ta duroja këtë atmosferë; nuk e kam lukthin aq të fortë. Interesi politik, entuziazmi dhe kërshëria morale - të gjitha u zhdukën. Sërish u gjenda në tren, në vagonin e bagëtisë… Të iki nga ky vend, të largohem sa më parë dhe sa më larg!” - shkruan Trocki në “Kijevskaja Misl”, në artikullin e datës 23 dhjetor 1912, i cili, tok me shkrimet e tjera të tij nga gadishulli i quajtur ndryshe “fuçi baruti”, janë përfshirë në vëllimin e gjashtë të veprave të tij të zgjedhura.
Afërsisht në të njëjtën kohë, një diplomat i huaj, ambasador i një shteti perëndimor, harton një raport të hollësishëm për mizoritë e ushtrisë serbe në krahinën e Dibrës, gjatë operacionit për shtypjen e kryengritjes antiserbe të vitit 1913, kur kryengritësit shqiptarë të Dibrës, Strugës, Ohrit arritën t’i dëbonin trupat serbe deri në malet e Manastirit. Ky raport, i botuar në gazetën italiane “Corriere delle Puglie” të datës 21 dhjetor 1913 dhe në gazetën “Përlindja shqiptare” të Qeverisë së Vlorës në janar 1914, është një dokument i një rëndësie të veçantë.
Rrallë ndonjëherë mund të gjendet një material me të dhëna aq të sakta e të hollësishme jo vetëm për vrasjet dhe masakrimin e njerëzve, por edhe për grabitjen e pronës dhe të pasurisë.
Në raportin në fjalë flitet me emra e shifra jo vetëm për qytetin e Dibrës dhe të Peshkopisë, por edhe për secilin fshat veç e veç (rreth 80 vendbanime gjithsej), aq sa mund të thuhet lirisht se ai do të mund të shërbente si model për raportet e ngjashme të shoqatave që merren me të drejtat e njeriut përkitazi me krimet e bëra në luftërat e fundit në ish-Jugosllavi, përfshirë edhe Kosovën.
“Në Klos - Bandat serbe duke u futur bajonetën masakruan: Ahmet Aliun me të vëllanë e tij, Nezir Sulejmanin dhe Mehmet Salihun. Fshati u dogj krejtësisht.
Në qytetin e Dibrës - prefekti dhe komandanti i garnizonit arrestuan 18 vetë nga paria (para shpërthimit të kryengritjes), nga të cilët u pushkatuan pa gjyq: Ramiz Karamfili, Sheh Hyseini, Numan Hasani dhe Safit Beu. Kur u kthyen serbët e plaçkitën tërë qytetin dhe morën me vete një plaçkë, e cila kapërcente vlerën prej një milion lirash turke. Veç kësaj ata dogjën mjaft shtëpi dhe sidomos atë të Ali Beut, Rakip Atibit dhe Kurtish Agait, duke masakruar gjithashtu me një egërsi të padëgjuar shumë njerëz që kishin qëndruar në shtëpitë e tyre dhe nuk kishin marrë pjesë në kryengritje. Midis të masakruarve duhen shënuar: Kurtish Aga, Behxhet Efendiu, Haxhi Syrja Efendiu, Reshit Efendi Kusari dhe Sadullah Strazimiri. Tani qyteti i Dibrës është pothuajse i shkretë, banorët janë tërhequr në male, kurse brenda në qytet nuk kanë mbetur më shumë se 200 a 300 veta meshkuj dhe femra.
Në Homesh - Nga 150 shtëpi të fshatit kanë mbetur vetëm tri. Të gjitha të tjerat u dogjën pasi më parë u plaçkitën. Pas shtypjes serbët masakruan: Musa Ismailin, Shemshedin Bajramin dhe Halil Sulejmanin, të cilët ishin kthyer në fshat pas amnistisë. Nga gjëja e gjallë e fshatit morën me vete 1000 dele, 150 qe dhe 50 kuaj, kurse radhën e dytë 50 dele, 9 qe dhe 9 kuaj.
Në Zogaj - Fshati qe plaçkitur krejtësisht, orenditë, zahiretë dhe të gjithë gjënë e gjallë e morën me vete, 124 shtëpi u dogjën. Ndërsa flakët po përhapeshin në mënyrë të frikshme u hodhën në flakë, madje të gjallë: një grua me emrin Rihane, dy fëmijë Fazilea dhe Myslimea, si dhe një fëmijë 7 vjeç i quajtur Bajram. Trupat e tyre u kthyen në hi. Pastaj u masakruan: Haxhi Myslimi, Neziz Hazizi, Halil Numani dhe Zenel Hasani. Kur u kthyen herën e dytë serbët masakruan: Mustafa Myslimin, Haziz Jusufin, Adem Shabanin dhe Edin Nurkën. Rrëmbyen 7 lopë dhe 6 dele.
Në Bllatë - Fshati u plaçkit dhe më pas u dogj krejtësisht. Banorët u masakruan të gjithë pa dallim moshe dhe seksi. Qe një masakër e vërtetë që na pengoi të bënim një listë të plotë të viktimave. Veç kësaj serbët kapën dhe rrëmbyen 250 dhen, 37 lopë dhe 28 kuaj”.
(Cituar sipas librit “Historia e Dibrës” të historianit Kristo Frashëri, botim i vitit 2012, vepër në të cilën është botuar i plotë raporti i diplomatit të huaj, i cili i ka mbledhur personalisht të gjitha të dhënat, duke vizituar një për një vendet e masakrave në terren).
Njësoj vepron autori i raportit në fjalë edhe me shtatëdhjetë e sa vendbanime të tjera dibrane, duke regjistruar me emër e mbiemër të vrarët dhe të masakruarit, burra, gra e fëmijë; duke dhënë numrin e saktë të shtëpive të djegura dhe të bagëtive të grabitura: kuaj, qe, lopë, dhen, sepse atëbotë nuk kishte vetura, kamionë, traktorë, televizorë, frigoriferë dhe mjete të tjera teknike si ato që u grabitën nga policët dhe paramilitarët serbë në ’99-n, pa harruar as paratë e gatshme, kryesisht marka gjermane, shuma e të cilave, po qe se do të bëhej një llogari qoftë edhe e përafërt, do të arrinte shifra marramendëse.
Është për të ardhur keq, por ne nuk kemi as sot, tre-katërmbëdhjetë vjet pas mbarimit të luftës, një evidencë kaq të saktë, me shifra e fakte konkrete, për vrasjet dhe plaçkitjet që u bënë në Kosovë, në secilin cep të saj, në vitet 1998-1999 dhe veçanërisht gjatë fushatës së bombardimeve të NATO-s (24 mars-12 qershor 1999) nga policia, ushtria dhe formacionet paraushtarake serbe.
Me të drejtë flasim për gjenocid a tentim gjenocidi, por pa e kompletuar dosjen e krimit, kryesisht për shkak të ngathtësisë dhe indolencës sonë të njohur. Madje edhe kur ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Jugosllave (Serbe), i dënuar nga Gjykata e Hagës, pranon fajësinë për krimet e bëra në Kosovë: vrasjet masive, deportimin e popullatës, djegien e pronës, zyrtarët tanë heshtin; thua se ngurrojnë ta shfrytëzojnë këtë argument kaq të rëndësishëm në bisedimet me palën serbe, ta nxjerrin troç në tavolinë, duke kërkuar nga kreu shtetëror serb, presidenti dhe kryeministri aktual, që të ndjekin rrugën e gjeneralit Ojdaniq, i cili, sikurse edhe ata vetë (Nikoliqi e Daçiqi), ishte në shërbim të regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit.
Dëshmitë e Trockit, të zonjës Durham dhe të diplomatit italian (?) të cituara më lart, të cilat nuk mund të lexohen me gjakftohtësi, paraqesin vetëm majën e aisbergut të mizorive serbe mbi popullatën shqiptare në vitet 1912-1913, dëbimi dhe shfarosja e së cilës ishte program dhe strategji e të gjitha regjimeve të shtetit serb - nga Karagjorgjeviqët e Pashiqi e gjer tek Rankoviqi e Millosheviqi.
Në Konferencën e Londrës (1912/13), ku u caktuan kufijtë e shtetit shqiptar, qyteti i Dibrës dhe Gjakovës ishin koncesionet e fundit që iu bënë monarkive të shteteve fqinje, që kishin pushtuar me forcën e armëve viset shqiptare gjatë Luftërave Ballkanike.
Ja ç’thotë lidhur me këtë çështje - për marrjen e Dibrës dhe shuarjen me gjak të kryengritjes së ’13-s, socialdemokrati serb Dimitrije Tucoviq: “Kryengritja e shqiptarëve në muajin shtator, për shkak të së cilës Serbia u detyrua të mobilizonte afër tri divizione, është një shembull klasik që tregon se si mund të shkaktohen luftërat koloniale. Nga lindja, okupimi i ushtrisë serbe shtrihej deri në grykat e maleve… Ajo e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullotës, blerësin dhe shitësin nga tregu, rrethin prej qytetit dhe tërë viset malore prej qendrës së tyre ekonomike dhe hambarët e ushqimit”. (Cituar sipas Xhafer Martinit, Optika e Schmitt-it për Skënderbeun, Tiranë 2009, f. 23).
Ndarja e kombit shqiptar dhe e trojeve të tij njëqind vjet më parë u la në gjak. Ky është një fakt, që s’mund e s’bën të heshtet, e aq më pak të mohohet. Historia është mësuese e jetës. Kur i shërben të vërtetës e jo koniunkturës!
Ja përse viti 2013 duhet të jetë vit i ndriçimit të së vërtetës historike të para një shekulli, por edhe më parë e më pas, në funksion të lirisë dhe paqes e jo të urrejtjes dhe hakmarrjes. Le të na lejohet, pra, të propozojmë që ky vit të shpallet - në nivel kombëtar (dhe jo vetëm) - Vit i Kujtesës.
Dhe jo për të nxitur ndjenjën e revanshit ndaj fqinjëve tanë, tek të cilët, fatkeqësisht, siç tregojnë edhe ngjarjet e kohëve të fundit (heqja e lapidarit në Preshevë; intervista luftënxitëse e kreut të partisë naziste greke “Agimi i Artë”, deputet në parlamentin grek; sulmet e paradokohshme ndaj të rinjve shqiptarë në Shkup etj.), nuk është fashitur ende urrejtja dhe mosdurimi ndaj shqiptarëve si komb, por për të nxjerrë mësim nga e kaluara.
Sepse, siç thoshte filozofi amerikan me origjinë spanjolle, Santayana (George Santayana, 1863-1952): “Kush e harron të kaluarën është i dënuar ta përsërisë atë”.

http://agim-vinca.blogspot.com/

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...