Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/02/16

Qazim H. Berisha :G j a k i m , poezi 2011.


Të gjithë atyre që dhanë jetë, gjak dhe mund  për lirinë e atdheut.
                                                                                          
A u t o r i


Qazim Berisha
Qazim Berisha u lind më 1953 në Drenofc të Prishtinës.Filloren e kreu në vendlindje,normalen në Prishtinë dhe Mitrovicë,ndërsa Fakultetin e Letërsisë dhe Gjuhës Shqipe në Prishtinë.

Me shkrime filloi të merret heret që në bangat e fillores.Filloi si publicist,duke bashkëpunuar me gazetat dhe revistat më të njohura,në Kosovë,Shqipëri dhe diasporë.

-Botoi ”Lot Gjaku”-për 105 deshmorët e martirët e Kosovës-1981-1991.

-Autor i fejtonit të gjatë për ushtarët e vrarë në Armatën Jugosllave (1981-1991), botuar në –”Fjala jonë” dhe ”Gazeta shqiptare”.
.
Veprat letrare: 

-Lot Gjaku,poezi 1995
-Në zemren time banon dhembja,poezi 2005
-Nënëlokja-monografi 2011
-Gjakim,poezi,2011

Në dorëshkrim ka: “Kronikë pas lufte”

“Aforizma nga përditshmëria jonë”


Aktualisht punon profesor i Gjuhes dhe letersisë shqiptare.




ditë e madhe


Ishe ëndërr e pakëputur
Me vite e shekuj
Ndër breza ishe
Gjakim i ndezur

Lulegjaku ishe
Me vesë të syve t’ujitëm
Në Shkurtin e përflakur
Linde DITË E MADHE.



Kushtrimi


jemi ne


Jemi ne,
Hapeni derën

Për të parën herë
Vijmë
Derën hapeni
Ushtarë të lirisë
Ne jemi.

Hapeni derën
Bijtë e popullit
Ne jemi.

Kushtrimi ka rënë
Bashkohuni me ne
Të gjithë♪ ata .
Që e gjakuan
Lirinë
Lirinë e ATDHEUT.



Nënë, më jep uratën


Fanelën
kapelën
dhe çorapët
i mora
nënë

tash
më jep
uratën

Nënë
merr këtë çantë
me shënime
por
më parë
më jep uratën,
uratën,nënë...

Më thuaj nënë
a më linde për male
tani malet po më thërrasin
atje ku farkohet trimëria
atje ku përflaket liria.



marshimi i UÇK-së


gjëmë kanë edhe malet
gjëmë kanë edhe lisat

gurët e ndarjes
sot po shkilen


gjarpëri i zi
u shkel në kokë

ndarje të mos ketë
kurrë në këtë tokë.



ndryshe nuk vjen liria


Shtëpisë
do t’ i kthehet
përsëri gëzimi
me agun e lirisë
me këta
dy pëllumba
të bardhë.

Unë
do t’i rris
fëmijet nënë,
fëmijët
e trimit të maleve
bashk
me Ty nënë
do t’i rrisim
të premtoj
unë
nusja e trimit.

Liria
kurrë nuk erdhi
ndryshe
përveç
me grykën e pushkës.



E papërjetuar



asnjëherë
nuk e preka

burrë u bëra
pa të

liria
nuk erdhi

tash
një rreze

freskim shpirti
po vjen

si lyrë
e mbrëmjeve



diçka
ndryshe

në krahror
po rrahë

lajmëtari i lirisë
mbi tokë zbriti:

Urime K o s o v ë.

Gatitu!
-para përmendores,në Marinë


Në granit
Të gjithë ata
Që një zemër
Dhe një emër
Paten.

Edhe tash numrat
Rrinë të rreshtuar:
Ushtarë në granit
Të gjithë me shikim
Të ngrirë

E ti rri gatitu miku im
Sa herë këtej kalon
Sa herë ke të ftohtë
Dhe ndien mall

Eja këtu
Lot mos derdh
Gatitu rri
Sepse rreshtat
U përjetësuan
Në granit

Gatitu rri
Në nderim
Të dëshmorëve
Dëshmorëve të lirisë
Por lot mos derdh...


Madhështore-17 shkurt 2008-

Në tokën e bekuar
Nga Teuta
Nga Agroni
Një fanar drite zbriti

Për këtë
Ogur të bardhë
Dëgjoi
Edhe shpirti
I Ymer Prizrenit.


Dëgjoi
Edhe Abdyli
Edhe Haxhiu
Dëgjoi
Edhe Hasan Prishtina.

Dëgjoi
Edhe Idriz Seferi
Edhe Mic Sokoli
Dëgjoi
Edhe Shota e Azemi
Edhe Shaban Palluzha
Dëgjoi
Edhe komandant
Adem Jashari

Për këtë
Dëgjoi
Edhe Zahir Pajaziti
Gjeva dhe Fehmiu
Dëgjoi
Edhe profesor
Selim Berisha
Madhështinë e fjalës:
PAVARESI


new born


Edhe një lindje
E re
Tash në
Klinikat e Kuvendit
Po vjen
Po vjen
Aq shumë e pritur.

Në Tiranë
Londer
Stamboll
Paris
Berlin
New York
Tash po flitet
Për një lindje të re

Po flitet
Për një lindje
Në Kosovë
Që edhe Zoti
Këtë lindje
Po e bekon
Po e b e k o n.
Këtë ogur të bardhë.

Porosi e dëshmorëve


Le t’ vinë
Për vizitë
Nënat
Motrat
Vëllazërit
Shokët e idealit
Të gjithë
Le të vine.

Po le të vinë
Të gjithë ata
Që gjakim e kishin
L I r I n ë.

Edhe ti eja
Edhe ti
Që ndryshe
Më quaje
Deri dje.

Eja
Edhe ti
Vetëm nëse
Vërtet
Më në fund
Ke ndërruar
Mendje
Për ne.


Ato duar


Janë ato duar
Të nënave
që filizat
e pranverës
I koloviten
në djepin
e rritës

Janë ato nëna
që gatuan
e gatuan
atëherë
edhe tash
për trimat
e maleve

Janë ato duar
të nënave
që u gatuan maleve
e tash
në zemrat e tyre
rritët liria
liria
shumë e pritur.


Prehje

njëqind hapa
nga dera ime
një fushë bleroshe
pranverën qëndisë

me zogj takohem
çdo mëngjes
atëherë kur
shiu lulet
i harlisë
atëherë kur
e vesa
faqet ua skuqë

vetëm mbrëmja
që të gjithëve
na pushon,
agimin për ta pritur
dhe takimin e ri


rrugë e kombit

Po kthehem
pranë rrugës së vjetër
të karrocierëve
ku njerëzit e mi
udhëtonin
me pak drithë
e me shumë halle.

2.
Këto kodra të thepisura
Vallë ku i morëm
Që kanë mësyrë qiellin
Dhe ruajnë dimra të ashpër.

3.

Gjarpëri i zi
Ka tretur diku
Ai
Që zinte prita
Mbrëmjeve
Të errëta
Katran.

4.
Dikur
Rruga gjarpëronte
Ku zinin prita
dhe helmonin zemra
E sot
Hapë shtigje
Sheron plagë
E bashkon .
Zemra të ndara.

Normalja rënkon

Rrugë e gjatë
e dashurisë
pas dyzet vitesh
kroi i vjetër i ftohtë
njësoj freskon

Sa keq
pa mësuesin e madh
Beqir Kastratin
Abdyl Ramën
E Ditar Qamilin
,

Nuk takoj
as vëlla Selimin
se lufta e përpiu
as Bajram Krasniqin
se vetëm rinia iu desh

Nuk takoj
As shokët e klasës
tretur janë diku
Rrahimja thonë
nënë u bë
dy bimë të zemres
i ranë për liri

Ahmeti thonë
histori po shkruan
Muzaferi e Nixharja
Janë diku
E Drita e bukur flokëverdhë

Për Zojen
Asnjë lajm
Nuk kemi
Thonë:
Fatin e lidhi
në Stamboll
Edashurinë e mbolli këtu
Te kroi që freskon.

Poezia ime



I them
fol
me zemer
me De Raden
e Naimin

Fol
edhe me
Gjergj Fishten.

I them
bisedo
për metaforat
simbolet
ajo flet
pë trimat

I them
fol
me kullën
e Boletinit
fol edhe
për plangun
e Hasan Prishtinës

Ajo
më thotë:
po plangun e shiti
për Lirinë e Kosovës.


Poezia ime
rri gatitu
para trimave
u këndon maleve
u këndon trimave
dhe ua freskon
ballin e zhuritur
.


K U Q E Z I



Babë Halili
Ndjesë pastë
Po shumë e ka dashur tokën
Po shumë e ka dashur punën
Kur hapte hulli
Në arën e bukës
Me dy qetë e vet
Njëri i kuq
E tjetri i zi
Ashtu siç ishte toka
Ashtu siç ishte fara
Kur e mbillte
Vjeshtave me shi .


Shpesh
Udbashet
E nxirrnin nga ara
Për dy qetë që ishin
Njëri i kuq
E tjetri i zi

Udbashët
Vertet
Bëheshin nervoz
E babai dredhte mustakun
Forcohej e forcohej
Për t’ i dobësuar të tjerët...




TOKA KA ETJE

Miku im
flet për tokën
e për sofren
kur avulli i bukës
përshkon
deri në qelizë.

Miku im i thinjur
nuk mjafton
gjunjëzimi
as puthja e tokës
pas ores dymbëdhjetë
Kur në zenit shkon dielli.


diç të bukur


Secili
nga një gjymtyrë
kështjelle
secili
nga një çurg djerse

Histori e gjatë
Histori e dhembjeve

Vertikalja mbeti
nuk u trand
as sot
as atëherë
kur prindërit tanë
kohë korbash
përjetuan
sepse
endërruan
diç të bukur.



zëri i kohës


Bacë Adem Demaçit




Me agun
E mëngjesit
E nise
Të gjatë
Një rrugëtim

Rrugë të thepisur
Zgjodhe ti
Për të zhdukur
Errësirën
Katran.

Bacë
Ti rininë ia fale
Njomeve
Pa pranverë.
Që kërkonin LIRI

E sot,
Baca I rinuar
Ecen rrugës
Qe qe pati nisur
Rrugës së gjakimit
Rrugës së bashkimit.

Faleminderit

Vesh i pashurdhër
Përtej oqeani
Renkimet dëgjoi

President
Mrekullia
Pa TY
Harroi
Të ndodhte

Kosova
Një pikë
E largët
E botës
Po digjej
Dhe piqej,
Kosova
Kërkonte
Shpëptim

Faleminderit
Për doren tënde
Shpëtimëtare
Klinton

Faleminderit
Se një botë
E tërë ishe
President.

Sot populli
E nderon
këtë mik
Këtë trim
THANK YOU
PRESIDENT
THANK YOU
BILL CLINTON




legjendë

-Fatime Sokoli


Heret e pate shkelur
Gjarpërin e zi
Qe e quanim kufi

Ti ishe ajo
Që kalove male e fusha
Me qifteli mespërmes
Që ngrohe zemrat tona

Bashkim kërkonte
Zëri yt ndër male
Kënga jote kushtrim lirie
Sokoleshë mali
Me afsh dashurie.


Rrugë e pazakontë

Treni
i
zi
ecën
e ecën
gijotina
rrugen ndërprenë
tmerr në ecje
tmerr në drejtim.

Rrugë e fat
a pafatësi
sytë nga perëndimi
kohë të gjata drejtuam
Këtë rrugë
që nuk e gjetem kurrë
Rrugë të pazakontë
Me dekada na drejtuan.


E kaluara vret


Emrin tim
mos e kujto
kohë
të balcamosura
ishin.

Çyçavica
Nuk do të ndodhë
As në Dasmën
E zjarrtë
As nën hijen
E blirit
Se malet
E egra
Na mbanin
Larg.

Ti
Mos më kujto
Se i pafuqishem
Isha.
E ti ike
Siç ikin .
Dallëndyshet
Në pakthim.


KOHË PAKOHË

Kohët e errëta më sollën
Qetësim të mos gjej.

Kohë të egra ishin
Që flokët m’i thinjë.

Jetoj më të dashurit e mi
Me filizat e pranveres së vonuar.

Kur hy ne klasë
Zogjtë fluturojnë
Kënga fillon
E unë harroj të rinohem
Se në shpirtë kam plagë
Që akoma kullojnë.



Vitaku i hidhëruar


Gjethet e para
të vjeshtes me shi
kanë rënë
zogjtë e parë
të strukur.

Erdhën
lugetërit
malin e thijnë


Kroi i Vitakut
është i hidhruar
frymen
po ia zënë
rrjedhen po ia ndalin
korbat e zi
që kokat kanë ngritë
nuk ka kush
hovin me ua ndale
se ne spektatorë
te ngrire jemi berë.


bereqet


bereqet
është
djersa
arave
në verë

mirërsi
kur flladi
dhe uji
me ibrig
freskojnë
venat
në arat
e bukës

babai
ujë pinte
i fundit
pushimi
dhe flladi
thoshte
bereqetin
rritë



idilë e humbur




Kaloj
nëpër
fshatin tim
pleq
me qeleshe
te bardha
nuk takoj

As fushën
rinore
nuk e shoh
më.

Kanë ikur
delet
kanë ikur
shqerrat
kumbonat
mbajnë zi.

As vashëzat
gushpëllumbi
këngë
baritore
nuk këndojnë

fushat
janë djegur
shikimet
kanë tretur
e lumi Llab
gjemë
të madhe
lëshon.




afsh




Kënga
bashkonte
brigjet
e fyelli
digjte
zemra
e tundte
male

Në dushk
sherri plaste
pas dashurive
në heshtje

Shikimet e drojtura
u tretën
sherr s’ka pa dashuri
dashuria s’ jeton
pa sherr
këtu
e andej.


nostalgji




arave
dhe livadheve
trup u bie

kroje dikur kishte
këtu e atje
babain e pashë
me plisin e vrugët
pinte ujë
dhe avullonte


ujë pi prap
te një krua i largët




padiktueshëm




Mali zbret
padikueshëm
në fushë.

Rosat
hareshëm
zhysin sqepat
në lumë

Ecën lumi
Ecën vashëzat
gjokëszbërthyer
thyenin gishtrinj
e padiktueshëm
vitet ecin
nën mua

Padiktueshëm
ecim
dhe thyhemi
edhe ne
kthesave
të jetës.



Nuk dua

Nuk dua
ta mërzis
askë
hallet
s’ mi mori
njeri

Ti faj
s’ më ke
as fati
as
kurrëkush

Faj më kanë
korbat
që krahet
kanë shtrirë
dhe diellin
kanë zënë.


Nënëlokeve qëndresa



PSE
kaq shumë
rrudha
dhe
kaq dashuri
pikën mbi ju
Nëna Qëndresa

ofshamët
i keni lidhur
diku prapa
kodrave

as lot
nuk mbushen
se vrasin
qëndresën

prapa kodrash
prapa malesh
lotet
kanë lënë
atje
te shkëmbi
i vajes.



plagë


ditë tmerri


As gurgullimat e Lepencit
Bllacën nuk e shuan

Nënat e përbaltura
Nëpër llucë

Vdekja në Bllacë
Sikur na harroi

Se vdekja më nuk kishte kuptim
Se çdo minutë vdisnim ngapak



harresë nuk ka

Tokën
e djegur
terrin
tmerrin
e harron
I mallkuari



Trenat e zi
që si gjarper
ecnin
në paqartësi
i harron
i mallkuari

Fëmijët
e përbaltur
nënat
lehona
dhe varrezat
në Bllacë
I harron
i mallkuari

Bukën
mikëpritjen
korçare
e harron
i mallkuari



shpërngulje

kur Zoja
iku
njomakë ishim
sherret pak i pamë

mall kam për të
riga loti më pikojnë

Thonë:
për shokët e klasës
me lot
nga një fidan ka mbjellë



Ankthi


sytë
kot shikojnë
në dritaren
e veriut


gjumi
s’ banon
këtu
banon
zija


edhe nëna
edhe djali
edhe vajza
edhe nusja
pa gjumë

shtëpi
me themel
me çati
e mure
të djegura,
jetë
ankthi I thonë

luftëtari I lirisë
presin të kthehet…



Drejtësia në peshojë

kur drejtësi
bëjnë
të tjerët
këmisha
frymën ta zë


e drejta
rrudhet
e zvarritët
njësoj:
si dje
si sot
dorë
e drejtësisë
mungon

njësoj:
si i vrari
si vrastari
në peshojë
na barazojnë.



simboli : Bllacë
Nuk maten
gjemimet
e Lepencit
dhe Bllacës
simbol i së keqes
për tetë ditë
e tetë netë.

Pranverë e zymtë
e luftes së fundit
dhe
ikjes së madhe.

Treqindmijë ikje
të një Bllace
tre miljon rrëfime
pa pasaportë
i këndohen
Bllaces
dhe simbolit
të kufirit.

2

Bulimi
e harroi
pranverën
tetë ditë
dhe tetë netë
me ofshamat
e lehonave
Dhe thirrjet
e fëmijëve.

Vallë
kah po vajmë
medet.



BALTE E VAJ


Në baltën
e ngjeshur
tokë e djegur
prapa mbeti

Llucë
gjetëm
rënkime
dëgjuam
të paktën
nënat
nuk harrojnë

Ato
nuk harrojnë
as flakët
as trenat
as baltën
as lutjet e gjata
Zot
na shpeto
Nga thika
e gjakësorit.



migjeniane 2


Luli serish
përqafon
dimrin
dhe Lulin
e vocërr
nga përralla
dhe Lulin e vocërr
nga mordja.

Serish
Luli po vjen
dhe një tjetër
Migjen

Po shfaqet
dhe një
dimër
tash
në televizor.

Një natë
krejt vonë
një nënë
me pesë fëmijë
ofshanë
e nuk pushon.

Edhe
Unë
jam
Kosovë

Hise
në tokën
e bukës
kam.


hise
Hise
në diell
kam
pak
largohu
edhe pak.

Hise
në hënë
kam
sikur ti
ec
e lësho
rrugë.

Edhe dje
edhe sot
edhe neser
hise kam.


E ti,
ku
i ke
Karpatet?!


Dje e sot


Dje në zyrë te vjetër
Sot në zyrë të re

Dje udbash i thinjur
Sot demokrat i ri.


Sa keq kur lëbyra e syve
Vërtet vërbon.



Dosjet



Dje
E sot
mbyllur
rrinë
e këmbë
nuk marrin.

Kutia
e pandores
nuk hapet

Dosjet
flejnë
mbi gjak
dosjet flejnë
mbi krime.

Inkuizitorët
pijnë
vere
te
bardhë
dhe nuk
brengosen.



në airoport

Në asnjë
vend
nuk ka
më shumë
lot
më shumë
përqafime
e më shumë
ndarje
dhe
bashkime

edhe Aiola
mbesa ime
paska ardhur
sot.

Edhe unë
tash
jam
mërgimtar
se pres
të hapet
qielli. .
e të zbresin
të dashurit
që malli na kallë.


karieristi


Ai nuk ka filter
Shapin nga sheqeri ta ndajë
Endërrat e tij të sëmura
Nuk mund t’ I ndalojë

Karjeristi ka sëmundje
Që nuk gjejnë shërim
Nëse zbret nga hierarkia
Ai shpejt behet servil



E imja Shqipëri

Të lodhur
të rraskapitur
të gjeta
nënë
Shqipëri.

Mjerimi
ta vret
atë bukuri
të rrallë
të falur
nga Zoti.

Dikush
po ta zë
diellin
në sy
të botës
po të bënë
qerdhe krimi

Ti nuk
e meriton
këtë
zezonë
e imja
Shqipëri.



kthehu


Perëndim
kërkove
perëndimin
gjete

Tash
kthehu
miku
im

Kthehu
se po perëndon
ëndrra e vjetër
po nisë
ëndërr e re
këtu
në strofullin
e lashtë.

Kthehu
sa
nuk
është
bërë
vonë.


penë e heshtur

-mikut poet, Behxhet Rexha

Edhe
lekët
e fundit
për ilaçe
libër
i gatove.

Edhe
robërinë
edhe
gëzimin
edhe
jetën
të skalitur
tulla
muresh
i bëre.

Miq
kur të kaloni
pranë një rrapi
ndaleni
pak
hapin:
përshënetuni
me poetin
me mikun
tim
të vjeter.

Ndaluni
te varri
I tij
Ndero këtë pishtar
që rininë e jetën
e shkriu për një ideal.



fëmijëria ime



Kur nisi fëmijëria ime
shi i madh pat rënë
në rrugën
për në Anadoll


Lindjet
dhe vdekjet
bashkë bëheshin
në karroca
në qerre
mortore.

Kur nisi
fëmijëria ime
Babë Halili
e pat hapur
një dritare
dhe mbylli
një rrugë.

Këtu
do të ngrysemi tha
se dheu
për të gjallë
nuk më lëshon.

Zgjohu Amelë

Të gjithë atyre
që dhanë jetë, gjak dhe mund
për lirinë e atdheut.
a u t o r i






/Mbeses sime që lufton me jetë a vdekje/

Zgjohu Amelë
Se gëzim
Do të merr shtëpia
Edhe trolli
Edhe lumi

Gëzim përtej ashtit
Përtej jetës
Do të kisha

Amelë e vogël
Zoti e bekoftë
Zgjimin tend

Edhe një here
Më duhesh
Siç ishe
Vetëm edhe një shikim
Embël kur shikoje

Të keqen
Dhe vdekjen
Ta marrtë gjyshi.

Amelë
Shpirti i gjyshit
Zgjohu
Se mjaft ndejte në komë
Zgjohu ëngjullesha ime
Se ritmi i zemres do më ndalë.



5 vjet shtet!


  
 



Sot më 17 shkurt, u bënë 5 vjet që ku Kosova është shpallur si shtet i pavarur.                                                  Dita e shumëpritur nga të gjithë ne. Dita më e veçantë për mua dhe për të gjithë ne! Dita që shumë njerëz dhanë jetën për atëdhenë e tyre, dhe, e arritën qëllimin. Tani jemi të lirë, të gëzuar dhe çdo vit festojme ditën më të veçantë, 17 shkurti.

Punoi:Elisa Bruçi kl. IV/1  “Iliria”

Integrimi Shqiptar si sfidë

"Folëm edhe për konceptin e integrimit, jo atij evropian, por atij shqiptaro-shqiptar. Në vend të konkluzioneve u pajtuam se gjëra të tilla ndodhin gjithkund, por në hapësirat tona janë më të ndjeshme dhe më të pranishme"



Shkruan: Jeta Starova Mehmeti

Shkruan: Jeta Starova Mehmeti




Mes miqsh nga Prishtina ndër të tjera folëm rreth muzikës, artit, mediave, bashkëpunimit, shkëmbimit të përvojave, por edhe për inatet, xhelozitë përfshirë edhe përplasjet e panevojshme.

Gjithashtu folëm edhe për konceptin e integrimit, jo atij evropian, por atij shqiptaro-shqiptar. Në vend të konkluzioneve u pajtuam se gjëra të tilla ndodhin gjithkund, por në hapësirat tona janë më të ndjeshme dhe më të pranishme.

Arsyet janë të natyrave të ndryshme, megjithatë këto probleme i’a faturuam ndarjes shpirtërore dhe fizike prej një shekulli. Në fakt kjo ndarje ka dhënë efektet e saja që janë të pranishme dhe aktuale. Ndoshta është e kuptueshme që një komb i ndarë duhet gradualisht të eleminojë steriotipet, paragjykimet, xhelozitë që shfaqen në mjedise të ndryshme përfshirë edhe ato politike dhe intelektuale.

Cfarë duhet bërë për të ndryshuar një realitet të tillë? Pak, vullnet politik, pak institucional dhe shumë punë përmes projekteve konkrete përbashkuese. Të paktën të realizohet në mënyrë insitucionale atë që e bën muzika dhe arti në mënyrë vetanake.

Ne të familjes së artit dhe muzikës kemi shumë telashe mes veti, por ama kemi dëshmuar dhe arritur që në një periudhë realitisht të shkurtët t’i thyejmë barrierat dhe të ndërtojmë ura komunikimi dhe bashkëpunimi me të gjitha viset shqiptare. Pra kemi vendosur një gur në kalanë e përbashkimit.

Në këtë aspekt nuk është vetëm kultura, por edhe sistemi mediatik qe ndër vite ka kultivuar vlerat përbashkuese. Përmes medias ne e njohim më mirë njëri tjetrin, përmes medias ndihemi më të integruar mes vete, bile edhe më të bashkuar. Por, ky investim përbashkues nuk mjafton!

Shqiptarët si komb kanë nevojë për një integrim të gjithmbarshëm mes vete dhe kjo arrihet duke ndërtuar programe e tregje të përbashkëta. Tregu i muzikes, artit, librit, ai ekonomik, arsimor, mediatik, etj krijojnë atë që do ta quaja mozaikun e vlerave të unifikuara. Më së shumti ky përbashkim vlerash do t’i konventonte shqiptarëve të Maqedonisë dhe Malit të Zi, por në një farë mënyrë edhe Kosovës.

Arsyeja është e thjeshtë, aty ku mungojnë institucionet, aty domosdoshmëria e vlerave unifikuese është më e madhe. Për ta cekur dhe njëhëre takimin me kolegët nga Prishtina, ramë dakord që ne jemi një komb, kemi një gjuhë, një histori, një traditë, një kulturë, por duhet unifikimi si ilaçi i vetëm për të eleminuar keqkuptimet dhe paragjykimet. Gjithsesi integrimi mes vete shqiptarëve mbetet një sfidë!

Dy fytyrat e shqiptarit mbi pastertine

Ky qe sjell Domestos ne shtepi dhe promovon pastertine sa del nga shtepia ndez cigaren dhe e hedhe kutine boshe para shtepise se vet se do e pastrojne "Ata"



Ai eshte i detyruar te sjell ne shtepi Domestos se gruaja ja kerkon, ajo eshte e detyruar te pastroje shtepine dhe ben nje gje te tille, ai madje nganjehere edhe mer abdest (pastrohet) per te shkuar edhe te falet se ashtu e kerkon Islami, ai madje nuk durohet duke promovuar pastertine, Ai madje e egzagjeron duke thene "se ata te pales tjeter hic nuk jane te paster".
Kjo eshte fytyra 1.
Autori anonim
Ky qe sjell Domestos ne shtepi dhe promovon pastertine sa del nga shtepia ndez cigaren dhe e hedhe kutine boshe para shtepise se vet se do e pastrojne "Ata", ky kurre nuk mer nje fshirese ta pastroje oborin dhe trotoarin para shtepise se vet se "duhet ta pastrojne ata", ky kurre nuk ka mbjellur nje peme para shtepise se vet se "duhet ta mbjellin ata", ku kurre nuk mer nje aktivitet vullnetare per te pastruar lagjen e vet qe kundermon se "duhet ta bejne ata", ky edhe ne xhami kur shkon nuk i ndron rrobat dhe nuk pastrohet se "jo se jane me te mire ata tjeret".

Ky gjithe botekuptimin dhe veprimin e mbeshteten ne filozofine " jo se ta tjeret jane me te mire dhe me te paster". Ky i fundit madje konstaton se nuk ka me te paster se shqiptaret, dhe eshte ne gjendje te hedhe balte mbi gjithe te tjeret qe mendojne ndryshe" Kjo eshte fytyra 2 qe i rrijne perballe tjetres.

Uskana, shqiptarët dhe matematika


S’ke se si të shkruash për shqiptarët e t’mos ua shohësh plagët. Ne presim nga mërgimtarët. Me bindjen që ato kanë një pasqyrë të rrugëve të Kërçovës jo vetëm ditëve e netëve të verës kur ato ngjallen


Liridona Veliu
Liridona Veliu


M'u tha edhe mua të shkruaj për Kërçovën . Ka shumë dhe ka asgjë për Kërçovën mendova. Ka shumë shtëpi , plot. Shtëpitë kanë shumë kate, shumë. Kemi dhoma , dhoma të mëdha. Të mëdha e të zbrazëta, boshe …vetëm qoshe. Ka shumë rrugë në Kërçovë , me gropa e pa gropa. Rrugë të vetmuara, të kota, që s’i mban dhe toka. Ka shumë ëndrra Kërçova, tepër. Ka plot histori, shumë. Ka heronj Kërçova, të vdekur . Ka fjalë Kërçova ,me thes. Ka njerëz Kërçova?! Këtu romantizmi bien dhe më tepër se kurrë të ngjall nevojën për të potencuar “hiçi-n” karshi “shumës” . Këtu të duhet patjetër të zgjohesh jashtë poezive , këngëve e përrallave dhe të futesh në një katrahurë shifrash nga të cilat varet fati kërçovarë. Prandaj, ju që s’e doni matematikën, për Kërçovën , tani duhet ta doni.

Ç’na thotë matematika jonë ? Matematika thotë : “Unë them si thoni ju”. Për t’mos hyrë në një lojë “më thaje –të thash” me matematikën, le ta formojmë ne vetë llogarinë tonë. Në zgjedhjet 2013 kërçovarët më tepër se kurrë kanë nevojë për një matematikë të mirëfilltë dhe mbi të gjitha, për një hartim të mirëfilltë të saj. Fillimisht, Kërçova humbi shumë kohë . Kohë kjo që doemos shërbeu në favor të fqinjëve tonë, si gjatë kryesimit me këtë komunë ashtu edhe në aspekt të organizimit më të gjatë për ditën e zgjedhjeve lokale në Kërçovën, Zajazin, Osllomenë, Dërgovën dhe Vraneshnicën e bashkuar. Bashkimi që duhej të bëhej më 2008-ën , u arrit sot, vite më vonë.
Si të arrihet fitorja është çështja? Për fat të keq, duhet t’u referohemi shifrave dhe të dhënave ekzistuese që ndonëse janë fiktive apo joreale, ne s’kemi ku tjetër të mbështetemi. Sipas të dhënave në librin : "Popullsia e përgjithshme, familjet dhe banesat në Maqedoni" të formuluar nga Enti statistikor, Kërçova disponon më gjithsej 30138 banorë ( 28112 qytetarë me të drejtë vote ) prej të cilëve 16140 maqedonas, 9232 shqiptarë, 2430 turq, 1630 rom, 76 vlleh, 56 serb, 7 boshnjak dhe 567 të papërcaktuar.
Në Kërçovën e bashkuar nga 9232 shqiptarë llogariten rreth 6500 votues, ndërkaq komuniteti turk llogarit në 1600 votues dhe ai rom në 1000 votues. Zajazi pritet të vijë me rreth 10 000 votues, Osllomeja me rreth 8650, Vraneshnica me rreth 800 si dhe Dërgova me rreth 2700 votues. Ajo që në fakt bën përshtypje është numri i votuesve maqedonas prej rreth 19 000 , që është qesharak në krahasim me numrin e përgjithshëm të popullatës maqedonase në Kërçovë prej rreth 16 000 .Votues më tepër se njerëz ! Tani, a thua mund edhe të vdekurit të votojnë? Paj, jo shumë e besueshme , por ama, mund të gjallët të votojnë në emër të të vdekurve. Kjo po që është shumë e besueshme dhe kjo është ajo që pikërisht ndodh.
Qytetarët maqedonas përpos që votojnë dyfish njëherë nëpër fshatra e pastaj në qytet, ato edhe votojnë për familjarët e ndjerë të tyre që nuk janë paraqitur kurrë si të vdekur .Kjo nuk mjafton. Duke parë rrezikun e fitores së shqiptarëve si shumicë në Kërçovë me bashkimin e komunave , ka filluar edhe pajisja me dokumente zyrtare të identifikimit të qindra maqedonasve nga jashtë vendi . Si duket fqinjët tanë kohë më parë kanë përpiluar teknikat dhe metodat për të fituar superioritetin karshi nesh saqë edhe kontradiktat nëpër rezultatet statistikore te Enteve shtetërore haptazi shpallen dhe kjo s’i bën kujt përshtypje. Dokumente identifikimi jepen falas duke mos dhënë llogari për kriteret e shpërndarjes së po të njëjtave. Dorën në zemër , bravo ju qoftë. Bota ndërtojnë identitete më buste, ura dhe ndërtesa antike , transportojnë votues andej-këndej, “vrasin larg”- thotë populli, por ama s’kanë pse të ndjehen në siklet miqtë tonë. Në fakt, me këto shifra që disponojmë , shqiptarët edhe ashtu s’janë aq afër fitores. Pse?

Në bazë të një studimi të bërë nga Instituti Liberta- Qendra për hulumtime politike dhe ekonomike nga Shkupi, thuhet se : “…nevojiten 6.235 votues për balancimin etnik të votave (përkthyer në mjete transporti – 31 avionë ose 125 autobusë të mbushur me votues shqiptarë me të drejtë vote në ditën e votimit ). Ato japin një pasqyrë se si do te dukej komuna e re e Kërçovës, po të ishin zgjedhjet lokale 2013 të njëjta me ato të vitit 2009. Për ti rënë më shkurt, në “zgjedhjet lokale të vitit 2009 në komunat e cekura (Kërçova e kombinuar me Vraneshticën, Drugovën, Zajazin dhe Osllomenë) kanë dalë në votime gjithsej 24.502 votues, prej të cilëve 14.544 maqedonas dhe 8.309 shqiptarë.”
Këtu edhe arrimë tek thelbi : Numri i shqiptarëve të regjistruar në këto komuna, nuk ka vlerë poqese nuk reflektohet në numrin e votuesve. Na duhen jo vetëm njerëz, por njerëz – votues , përndryshe numri i shqiptarëve mund të bëhet vetëm pjesë e lëvdatave dhe fryrjeve euforike të shqiptarëve në bisedat e zakonshme të kafeneve pa ndonjë peshë politikë në realitet. Bashkimi i komunave në fakt, bart në vete rrezikun e humbjes së Osllomesë dhe Zajazit. Ndonëse numri i këshilltarëve shqiptarë do të rritej, ne sërish do të ngelnim pakicë në rast humbjeje. Kjo do të thotë së nëse tani humbim, humbim shumë më shumë se çkemi humbur më parë. Ku shpresat?

Shpresat tek plagët . Ndonëse me shifra e statistikë, s’ke se si të shkruash për shqiptarët e t’mos bëhesh romantik. S’ke se si të shkruash për shqiptarët e t’mos ua shohësh plagët. Ne presim nga mërgimtarët. Me bindjen që ato kanë një pasqyrë të rrugëve të Kërçovës jo vetëm ditëve e netëve të verës kur ato ngjallen, por edhe stinëve të tjera ku të rinjtë s’ka ditë që t’mos thonë : “Duam jashtë !” , me bindjen se gjallëron ende tek ato gjeni i kombit që i mbajnë emrin, me bindjen se jo vetëm dasmat i bëjnë të kujtohen për truallin ku kanë shtëpitë, me bindjen se ato do te dinë të bëhen shembulli më i denjë se si duhen trojet, ne presim nga mërgimtarët. Mërgimtarët tanë kurrë më tepër se tani s’do të kenë rast më të mirë për të dëshmuar përkushtimin ndaj vendlindjes së tyre.
As që do të kenë rast më të mirë për t’ua dëshmuar fëmijëve të tyre se si duhet të ndihmohet Kërçova që më së shumti e shohin një herë në vit. As që do të kenë rast më të mirë për të transformuar thirrjet euforike : “O sa mirë me qenë shqiptarë!” në vepra,përfitime e krenari konkrete.Në botën e shekullit XXI, shpesh dashuri shprehet me shifra e jo me fjalë. Në botën e këtij shekulli vendlindja duhet me vota e jo me këngë , dasma e valle. Përshtatu ose vdis !

Kjo është më tepër se një luftë votash. Kjo është më tepër se “Rroftë partia!” . Kjo është edhe më tepër se një fitore politike. Kjo është gjallërim i ëndrrës së kamotshme : “Uskana e shqiptarëve.” “Kur thyet çerrja, xhinen udhët ” – e dëgjova. Të mos lejojmë të gjejmë zgjidhje pasi t’ia pësojmë njëherë keq .Kur të thyejmë karrocën, të mbani mend, do të flasim më vrull, nervozizëm , keqardhje dhe dëshpërim se si duhej të kish qenë. Kur të thyejmë karrocën do t’ia mbathim në këmbë , por në këmbë të nderuar ecet shumë ngadalë. Ne edhe ecim se jemi mësuar që të shqyejmë këmbët në gracka të historisë , herë nga të huajt e herë nga vetja. Ndonëse dhimbja nuk do të jetë aq e madhe sepse jemi bërë edhe imun ndaj dëshpërimit , por ama ndaj inatit jo. Në mos për më tepër , për hir të atij inati që do t’na hajë qelizat kur të shohim të tjerët të na kalojnë pranë më karrocë e ne të zbathur, për hir të atij inati në mos për më tepër -të zgjohemi. Gjumi rrit fëmijët, por popujt i vdes. E si rriten fëmijët në një komb të vdekur ? Jetimë.

Fjala e studentit:Paguaj darkë te 'Sedra' dhe kalo provimin!


Këto kompromise të fëlliqura me studentët, me Tetovarët që nuk ju arrin paga mesatare mbi 200 euro, me ne që jetojmë në një standard të ulët ku marrja e patentë shoferit deri në fund mban shumën 800 euro


Liridona Vejseli

Liridona Vejseli



“Ti tani më je për herë të katërt në testim , nëse nuk dëshiron të hysh për herë të pestë atëherë duhet të paguash darkë tek restoranti Sedra ose do të vish përsëri” – ja ky ishte kompromisi që bëri komisioni me mua, një kandidate për tu paisur me patentën e shoferit , një tetëmbëdhjetë vjeçare që nuk kish menduar më parë se korrupsioni bëhet kaq hapur, se edhe unë do isha pjesë e tij, nuk mendoja që duke e merituar diçka do duhet që t’i paguaj çmim të dyfishtë, madje shtojcë edhe malltretimin tim psiqik.
Ja kjo ishte ajo që dëgjoja edhe nga të tjerët, se është vështirë të kalosh në radhën e parë të dytë e të tretë pjesën praktike të lejes për vozitje, e ndërsa në radhën e katërt mund të bësh kompromis!
Këto kompromise të ndyra me studentët, me Tetovarët që nuk ju arrin paga mesatare as 200 euro, me ne që jetojmë në një standard të ulët ekonomik, ku marrja e patentë shoferit deri në fund mund të shkojë edhe deri në 800 euro.


Në vendin tonë është e rrezikshme të vjedhësh 50 denarë në qoftë së nuk je pjata lëpirës por nuk është e rrezikshme të vjedhësh shuma të majme, të bësh korrupsioni kaq hapur. Askush nuk i del para nuk i thotë STOP mua nuk më korrupton dot. Thjeshtë ngelin vetëm fjalë e kandidatëve që thonë “Do ua tregoj qejfin unë këtyre, s’munden me ne te tallen” dhe sapo përfundojnë punët e tyre pra marrin patentën e shoferit ikin të irrituar që më mos ua shohin sytë më.
Kaq shumë ne frikësohemi edhe kurë kemi të drejtë ? Apo mos vallë ne jemi popull shumë tolerantë?
Mirëpo unë, një studente, ju premtova komisionit, kryeshefit dhe te gjithëve që ishin pjesëmarrës aty, ju thashë "Ta dini që këtë korrupsion që pashe me sy do ua tregoj të gjithëve do botojë një shkrim në gazetë dhe do e ngre në debat publik", e dini si ishte përgjigja e tyre : “Po mirë bëje dhe ne të përkrahim”. Unë ja ku e bëra tani më për të dytën herë , do e bëj edhe për të njëmijtën herë deri sa të ndalohet ky fenomen që ndodh në një vend si i yni, këto janë gjera të tmerrshme, pse duhet ne të përballemi me këtë?!

Shumë miqtë e mi privohen nga kjo e drejtë e pakontestueshme që të posedojnë patentën vetëm e vetëm se ato nuk kanë mundësi të japin ryshfet, nuk kanë mundësi të bëjnë pagesa të dyfishta dhe duhet të përballen me atë malltretim psiqik ku edhe pse kanë kaluar pjesën teorike të provimit, sërish nuk kanë shpresë të provojnë praktikën, ngase ashtu jemi mësuar "Nuk është radha jote sot dhe duhet përsëri të aplikosh edhe në javën e ardhshme deri sat ë mbushësh normën që është caktuar".
Ti themi JO të gjithë se bashku AMCM-së, JO më lojëra të pista me marrjen e patentës, qytetarët janë të pafajshëm. Pse duhet të përballemi me mashtrimin kaq herët ?! Pse duhet që në fillim ta shohim kaq hapur korrupsionin ?! A nuk mundemi ne studentët të ndryshojmë dhe botën ?!
Po, po, ne mundemi, andaj urdhëroni ta bëjmë. Të gjithë po të ngremë zërin lartë të paktën me çfarë do mënyre duke u’a përplasur fytyrës të vërtetën komisionit për dhëninen e patentës së shoferit, ndoshta do ndryshojmë këtë “rreth të djallit” ku të humburit janë qytetarët dhe të rinjtë kandidatë për patentë shoferi.

Sulejma Kurtishi, poetja 12 vjeçare botoi librin e parë me poezi


Libri i saj i parë me poezi mban titullin "Me ty laps"






Sulejma është nxënëse e Sh.F. " Kongresi i Manastirit" në Shkup. Ajo tani ndjek mësimet në klasën e gjashtë të arsimit nëntëvjeçar pranë kësaj shkolle.

Që në ditët e para shkollore Sulejma u dallua me talentin e saj në të gjitha lëmitë e sidomos në artin e të shprehurit me laps dhe me gojë, thotë mësuesja e saj Lumnie Vrenezi, e cila e ka përkrahur atë dhe inkurajuar që të shkruaj .

Sulejma Kurtishi, poetja 12 vjeçare botoi librin e parë me poezi


Sulejma Kurtishi, poetja 12 vjeçare botoi librin e parë me poezi



“Gjate katër viteve që kemi kaluar bashkë me Sulejmën jemi bindur se kjo nxënëse ishte e veçantë, mësimet i ka ndjekur me shumë vëmendje dhe aktive në të gjitha fushat po ashtu shumë e afërt , e sinqertë dhe shumë komunikative me të gjithë.Unë si mësuese e Sulejmës, që në fillim e kam vërejtur dhe zbulova se është një talent i rallë që dallohet nga moshatarët e saj. Ajo ka marrë pjesë në të gjitha aktivitetet e lira,sidomos në orët letrare gjatë leximit të tregimeve dhe recitimit të vjershave na bënte të gjithëve që ta dëgjonim me vëmendje” deklaroi mësuesja e Sulejmës, Lumnie Vrenezi.
Sulejma thotë se dëshirën për të shkruar e ka pasur gjithmonë, ndërsa tani ka mbledhur guximin që ato edhe ti publikoj. Temat për të cilat shkruan poezitë e saja Sulejma janë të ndryshme, ajo shkruan për dashurinë ndaj prindërve të saj, shkollës, kombit dhe fesë së saj.
Në poezitë e saj ajo përdorë rimën, ndërsa aftësitë e saj për të shkruar i përsos për çdo ditë ndërsa shpreson që një ditë të bëhet pjesë e grupit të poetëve më të njohur shqiptar.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...