Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/04/29

Isa Mustafës i është kujtuar shumë vonë për ta gëzuar këtë qytetar



Çdo gjë po bëhet më një arsye. Secili semafor që po vendoset nëpër rrugët e Prishtinës, secila pemë që po mbillet, çdo park që po rregullohet dhe çdo trotuar që po asfaltohet kohët e fundit në kryeqytet, po bëhen për shkak të frikës. Madje, Isa Mustafa ka filluar të kuptojë se po e humb Prishtinës dhe votën e qytetarit të saj për çdo ditë. Është kjo arsyeja e vetme që ai tash ka nis e po i bën disa investime të vogla nëpër kryeqytet.

Të paktën kështu mendojnë zyrtarët e partive politike që po presin ditën e zgjedhjeve lokale, që t’ia mësyjnë Prishtinës.

Ka disa javë që Komuna e Prishtinës ka nis e po investon në qytet. U vunë disa semaforë të rinj në “Ulpianë”, e po mbillen disa drunj në po të njëjtën lagje. Por krejt kjo, për disa zyrtarë të partive që do të konkurrojnë për ta marrë Prishtinës, është e kotë.

Semaforë të rinj, fidanë nëpër lagje, investime në shtëpitë e shëndetit e rregullimi i disa parqeve për Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës është sinjal që Isa Mustafa ka nis e po nden frikën.

Lirak Çelaj, kryetar i Partisë Demokratike në Prishtinë, thotë se tashmë Lidhja Demokratike e Kosovës ka filluar ta marrë vesh se po e humb Prishtinës. Sipas tij, kjo gjë po vërehet duke u nis nga vet deklaratat që ata po bëjnë vazhdimisht kundër Partisë Demokratike të Kosovës.

“Deklarata që ‘PDK le ta harron Prishtinën’ është shenja e parë që ata e kanë kuptuar edhe vet që janë duke e humb Prishtinën, përndryshe nuk kishin pas nevojë të çojnë selame”, ka thënë Çelaj për Express.

“PDK nuk do ta heq LDK’në nga Prishtina, por do ta heq vet qytetari, sepse ai është i pakënaqur me investimet, me punën, me mënyrën se si udhëheqja e LDK’së ka punuar deri tash”.

Çelaj mendon se LDK ka nis tash e po i bën disa investime tejet të vogla nëpër Prishtinë duke u munduar t’i kamuflojnë gjitha dështimet dhe mospunën e deritanishme.

“Deri tash ata nuk kanë qenë të zot t’i menaxhojnë ato mjete, dhe nuk kanë qenë të zot të punojnë me buxhetin të cilin vet e kanë parapa me planet që kanë pas për Prishtinën. Gjithashtu ata kanë dashur ta luajnë rolin e viktimës gjoja se kanë pengesa nga dikush që të punojnë me qëllim që të përfitojnë më shumë politikisht”, thotë ai.

“Por fatmirësisht qytetari i Prishtinës është mjaft i pjekur dhe e sheh që kjo gjendje e tyre tash nuk ka të bëjë aspak me të vërtetën. Është thjeshtë mungesë e kreativitetit dh e njerëzve që dinë të punojnë”, ka shtuar Çelaj.

E pothuajse njëjtë mendon edhe Besnik Tahiri, kandidati i ardhshëm për Prishtinë nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Ai vlerëson se është shumë normale që çdo qytetar i gëzohet çdo lloj investimi që bëhet në qytetin e tij. Por thotë se Isa Mustafës i është kujtuar shumë vonë për ta gëzuar këtë qytetar.

“Çdo qytetar i Prishtinës i gëzohet secilit investim që ndodh në qytet. Por sa i përket investimeve të fundit që po bëhen nga komuna e Prishtinës komenti im i vetëm është që është bërë tepër pak e tepër vonë”, ka thënë Tahiri

Adem Demaçi ka thënë se është keqkuptuar kur ka deklaruar se llapjanët nuk e donin luftën.



Veprimtari i çështjes kombëtare, shkrimtari  Adem Demaçi ka thënë se është keqkuptuar kur ka deklaruar se llapjanët nuk e donin luftën.

Ai ka thënë se e ka pas fjalën për ata llapjan të cilët e sabotuan luftën e UÇK-së dhe nuk morën pjesë në kryengritjen e armatosur.

“Kohë më parë në deklarimin tim jam keqkuptuar apo nuk kanë dashur të më kuptojnë llapjanët e mi. Kam thënë se disa nga llapjanët e mi nuk e deshën luftën. Kam thënë kështu për ata, të cilët, 14 vjet pas përfundimit të luftës, Besianën vazhdojnë ta quajnë Podujevë. Kam thënë për ata të cilët pa asnjë meritë e qeverisin komunën e Besianës. Kam thënë për ata llapjanë të cilët e sabotuan luftën dhe nuk morën pjesë në kryengritjen e armatosur”, ka thënë Demaçi.

Fijet e biznesit të Prof.Dr. Isa Mustafës







Skuadra e futbollit të kryeqytetit është një klub ku ka aksione  kryetari i Komunës së Prishtinës dhe disa përfitues  të rregullt nga aktivitetet e prokurimit të Komunës së Prishtinës. KF Prishtina bashkon Isa Mustafën me Ragip Mustafën e Ahmet Kurtollin, por degëzimi biznesor i kryetarit të Komunës së Prishtinës nuk mbaron me kaq. Ai ka një rrjet të tërë njerëzish me lidhje biznesore e familjare, të cilët kanë përfituar nga buxheti dhe asetet tjera të komunës.

Preportr që publikohet nga Qendra Kosovare për Gazetari Hulumtuese, shkruan se kryetari i Prishtinës dhe i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka qenë i lidhur me një licencë taksie, me monopolin e krijuar tash e më shumë se një dekadë në fushën e reklamave publike dhe me tenderët milionësh të dhënë për biznesmenin e “papërgjegjshëm”, ndaj vetë Komunës së Prishtinës, Ragip Mustafa.


Lidhje e Isa Mustafës me “City Taxi”


Që nga ardhja në krye të Prishtinës të Isa Mustafës, në vitin 2007, publikisht dihet që në tregun e radio-taksive janë futur “London Taxi”, “City Taxi” dhe së fundi janë parë në qarkullim edhe “Golden Taxi”.

“London Taxi”, është kompani e  lidhur me Fatmir Sejdiun, ish-kryetar i LDK-së të cilit në kohën kur iu dha licenca për këtë kompani, Isa Mustafa pos që e kishte shef partie, i shërbente edhe si këshilltar i tij për ekonomi.



Megjithëse Fatmir Sejdiu asnjëherë në deklarimin e pasurisë në Agjensionin Anti-Korrupsion nuk i deklaroi bizneset e djalit të tij, lidhja me familjen Abazi, më saktësisht me biznesmenin Meriton Abazi mik i Bardhyl Sejdiut, e nxjerrë të “zbuluar”, këtë licencë. Kjo licencë e dhënë në atë kohë për djalin e shefit të Isa Mustafës, i dha mundësinë familjes presidenciale të Sejdiut  qasje në asetet publike.  Meriton Abazi, ishte ortak në  kompaninë “London Taxi”, e cila është në emër të Shqipo Sejdiut, djalit të ish-presidentit Sejdiu. Në këtë kompani  aksione kishin edhe Muhamet Berisha, Etrit Zeneli e Luan Berisha.

Një vit më vonë, në vitin 2010, do të jepej edhe një licencë tjetër për radio-taksi. Preportr, ka gjetur se me këtë licencë  për kompaninë “City taxi”, është i lidhur ngushtë Isa Mustafa. Ky biznes i licencuar për të operuarit si radio-taksi u themelua nga Gëzim Idrizi e Burim Hasani, të dy me lidhje me krerët e tanishëm ose të dikurshëm të LDK-së.


Gëzim Idrizi është tash shoferi personal i Isa Mustafës, kurse Burim Hasani është nga familja Fona, nga e cila vjen edhe Isa Mustafa, dhe nip i Hazbi Hasanit. Hazbi Hasani, ishte ortak me djalin e madh të Isa Mustafës, Arbenin, në kompaninë “Intereuropa Kosova L.L.C.”.

Preportr, në një kërkesë për qasje në dokumente publike ka pritur në afat ligjor përgjigje nga Komuna e Prishtinës mbi numrin dhe emrat e kompanive të licencuara për të operuar si radio-taksi që nga viti 2007 si dhe numrin e kërkesave që janë refuzuar gjatë kësaj kohe të qeverisjes së Isa Mustafës me Prishtinën, por nuk ka marrë përgjigje.
Lidhje e Isa Mustafës me monopolin e reklamave

Isa Mustafa është aksionar në Klubin Futbollistik “Prishtina”. Në Këtë klub aksionar është edhe Ahmet Kurtolli, i cili së bashku me biznesmenin tjetër, Gëzim Salihu janë ortak në kompaninë “AMM”, e cila mban monopolin e hapësirave reklamuese në kryeqytet.

Kjo kompani që nga viti 2000 mban të drejtën ekskluzive për vendosjes së reklamave në “Bill Board-e” në kryeqytet, derisa edhe kontrata mbi të cilën ajo punon nuk është publikuar ndonjëherë nga Komuna e Prishtinës. Asnjëherë nuk u lejua qasje në këtë kontratë, përderisa e njëjta ishte vazhduar në vitin 2006 mbi një tender që ishte hapur për ndërtimin e qoshqeve ku do të kishte edhe hapësira reklamuese. Por, edhe në vitin 2006, Zyra e Auditorit të Përgjithshëm, gjeti parregullsi në kontratën me AMM-në.  Auditorët që në vitin 2006 në mes tjerash gjetën se çmimet e kësaj kontrate, të lidhur mes komunës në fjalë dhe “AMM-së” janë për 50% ma të ulëta se tarifat komunale ekzistuese. Ndër shkeljet e tjera që ishin gjetur në këtë kontratë, ishte se në panot e ekspozuara reklamohet duhani dhe alkooli edhe përkundër asaj se në rregulloren komunale për taksa e tarifa është e ndaluar të reklamohen këta artikuj, se ishin lëshuar dy akt-vendime të kundërligjshme mbi këtë kontratë, njëra për vendosjen e posterit të Bill Klintonit, ndërsa tjetra për promovim të albumit muzikor. “Për asnjërën nuk janë përdorur procedura të prokurimit.

Mos-respektimi i kushteve të kontratës për artikujt që dëmtojnë shëndetin, mungesën e transparencës dhe devijim nga rregullat për taksa dhe tarifa”, ishin disa nga gjetjet e ZAP për kontratën, deri tash sekrete, në mes të Komunës së Prishtinës dhe financuesve të LDK-së, Kurtolli e Salihu.

Kompania AMM më vonë u ekspozua si financuese e LDK-së, partia që tradicionalisht udhëheq me qeverinë lokale në Prishtinë. Preportr, ka publikuar deri më tash dy hulumtime: “Monopoli komunal në reklama” dhe “AMM – Absolut Mustafa Monopol” për këtë kontratë.

Lidhje e Isa Mustafës me tenderët e Ragip Mustafës 

Isa Mustafa dhe biznesmeni Ragip Mustafa, ndonëse kanë të njëjtin mbiemër nuk janë kushërinj. I pari është kryetar i Prishtinës, kurse i dyti  kontraktor tradicional i kësaj komune, megjithëse kompania e tij është shpallur e  papërgjegjshme dhe ka bërë ndërtime ilegale në këtë komunë.
Isë e Ragip Mustafën i lidh futbolli duke qenë se ata janë bashkaksionarë në Klubin Futbollistik “Prishtina”. Preportr ka gjetur se në komunën e drejtuar nga Isa Mustafa, biznesmeni Ragip Mustafa, që është pronarë i kompanive “Beni Dona Plast” dhe “Olti Trasing”, me këto dy kompani, vetëm nga viti 2007 ka marrë tenderë dhe hise në tenderë, si pjesë e konzorciumeve, shuma që kapin vlerën prej 3.4 milionë eurove. Këtu përfshihen vetëm tenderët e mëdhenj dhe të mesëm, pa analizuar tenderët e tjerë, ku bizneset e Mustafës marrin hise që nga furnizimi i shkollave me xhama e deri te tenderët për organizimin e ndejave.

Kompania “Beni Dona Plast”, sipas gjetjeve të Auditorit (ZAP),  ka qenë një kohë të gjatë e papërgjegjshme ndaj Komunës së Prishtinës, por megjithatë del që ajo është favorizuar duke iu vazhduar kontrata kundërligjshëm.

Kjo kompani bën  edhe  ndërtime kolektive pa leje. Ragip Mustafa, në lagjen Ulpiana, rruga “Imzot Nikë Prela”, ka ndërtuar objekt kolektiv pa leje ndërtimi. Ajo ndërtesë është shumë e dukshme, dhe mban mbishkrimin  “Beni Dona”.  Ky biznesmen, “rrugëtimin e favorizmit” nga Komuna e Prishtinës e kishte nisur që në vitin 2005, kur ishte kryetar Ismet Beqiri, tash kryetar i Grupit Parlamentar të  LDK-së në Parlamentin e Kosovës.

ZAP në vitin 2006 gjeti se  për parkingjet publike nëpër trotuare, Komuna e Prishtinës kishte kontraktuar kompanitë “Beni Dona Plast” dhe “LTG”. Këto dy kompani i mbetën borxh komunës në vlerë prej 164,480 eurosh. “Nga viti 2005, Komuna ka pasur kontratë me ndërmarrjen “Beni Dona”, për dhënien në shfrytëzim të vendeve për parkim publik në rrugët e qytetit. Kjo kontratë është vazhduar edhe njëherë deri me 30.06.2006. Nga zyrtarët përgjegjës në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, është thëne se kontrata është vazhduar edhe për vitin 2007. Mirëpo, kjo nuk është ofruar si dëshmi ekipit të auditimit”

"Pas 60 vitesh, shkrimtari Ismail Kadare i jepet nostalgjisë së shkrimit, ashtu si i jepemi një dashurie të madhe, duke sjellë në një libër tregimet e mbledhura nga arkivi i kohës “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”.


Rikthimi i Kadaresë në dashurinë e shkrimeve të para

"Pas 60 vitesh, shkrimtari Ismail Kadare i jepet nostalgjisë së shkrimit, ashtu si i jepemi një dashurie të madhe, duke sjellë në një libër tregimet e mbledhura nga arkivi i kohës “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”.

…Roberti kishte qëndruar i mbështetur pas parmakut dhe sytë e tij të mbyllur përgjysmë, ishin ngulur në një pikë të horizontit. Ai vështronte dallgët e errëta dhe padashur ndër mend i përfytyrohej një përmbysje e fuqishme e këtij vapori të madh që lëkundej, ç’prej dy javësh mbi këtë oqean gjithë mjegull, e këtyre reve dhe valëve të hirta, e atij vetë që shikonte i vetmuar e plot trishtim këtë hapësirë oqeanike. Në anije kishte zhurmë. Tingujt e shpejtë e të njohur të një zvingu shpërthenin që nga brenda, duke u përzier me zhurmat shurdhonjëse të njerëzve që luanin bilardo në sallonin e madh. Filloi një shi i hollë, i dendur. Robert u shkëput nga mendimet e ngatërruara. Ai pa me çudi se nga gjithë ajo mori njerëzish, ai qe i vetmi që qëndronte akoma në kuvertë…” Kur Ismail Kadare krijoi “Robertin”, personazhin në novelën “Në dheun e panjohur” duhet të ketë qenë vetëm 17 vjeç. Teksa hidhte në letër historinë e një djaloshi ëndërrimtar që përmes udhëtimit kërkonte të ndryshonte të ardhmen, por jo atdheun e tij, pasi për të “një ndjenjë e nxehtë i pushtonte zemrën”, Kadare nuk mund ta mendonte se kjo histori e shkruar me pasionin e një adoleshenti që adhuronte letrat më 1953-shin mund të lexohej dhe të ngjasonte aq bashkëkohore dhe sot në shekullin e XXI. Heroi i tij Roberti, që i hidhte shikime të ëmbla veç kushërirës, dhe një ditë teksa e pa në oborr duke lexuar e përqafoi dhe e puthi fort dhe nxehtë në buzë, e në fund zgjedh sërish pyllin me gjethet e blerta që dridheshin lehtë nga era për të qëndruar, e ëndërruar, është një personazh që të bën të duash ende sot. Roberti i Kadaresë, dhe pse i krijuar gjysmë shekulli më parë mbart nën lëkurë gjithë pasionin e një njeriu ëndërrimtar, që ashtu si të gjithë njerëzit e tillë përballet me vetminë dhe moskuptimin… Por ky tregim, është dhe një vështrim mbi Shqipërinë e atyre viteve, ku revolta ndaj kornizave të kohës shihet në dëshirën e Robertit për të marrë anijen e për të shkuar larg… Një tregim që tregon shpirtin prej disidenti të një talenti të ri, që do të kthehej më pas në një nga personazhet më të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Ka shumë mënyra për të interpretuar një krijim artistik, por ajo që mbetet pas çdo interpretimi është shija artistike dhe stili, gjë që te proza e Kadaresë vazhdon të mbetet e papërsëritshme në çdo krijim të tij. Rrëfimet e tij mbartin një magji që të përfshin dhe të ndiesh erën e një leximi që gjithnjë ke kërkuar…. Dhe … “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit”, libri që shtëpia botuese “Onufri” hodhi në treg në ditën ndërkombëtare të librit, është vërtet një brilant që i shtohet botimeve që mbajnë firmën e shkrimtarit Kadare. Një tufe “brilantesh”, të cilat shkrimtari i ka mbledhur duke kërkuar në arkivin e kohës, për t’i sjellë si një dhuratë për lexuesin në këto ditë të para të pranverës. Që te novela e parë “Provokacioni”, “Leximi i Hamletit”, “Raporti i fshehët”, “Dosja e Orfeut”, “Martesa e gjarprit”, “Për të harruar një grua”, “Diptik për murin e madh kinez” etj., Kadare të fton të takosh personazhe, t’i duash, t’i prekësh përmes rreshtash dhe të ndjesh shijen e një letërsie që do të mbetet e tillë në çdo kohë. Persida Asllani është ajo që ka ndier e para forcën e këtyre rrëfimeve, për t’i shoqëruar më pas me një parathënie, e cila shoqëron librin. Më poshtë, ajo sjell një rrëfim për kohët e saj me “brilantët”, dhe magjinë e një letërsie e cila na kujton se pavarësisht tranzicioneve të gjata politike, dhe kaosit social, ky vend ka fatin të ketë në gjirin e tij një shkrimtar të kalibrit botëror, që ashtu siç shkruan dhe “Figaro Litteraire” një kalibër i jashtëzakonshëm i këtij shekulli…
Le ta nisim këtë bisedë nga novela, titullin e së cilës e mban edhe libri “Bisedë për brilantët, në pasditen e dhjetorit”, një novelë e shkruar në vitin 2008, dhe që duket se i ngre letrat shqipe, pikërisht në nivelin e brilantëve…, por është dhe proza e fundit e shkruar nga Kadare… Cilat ishin ndjesitë që ju dha kjo novelë, dhe as është kjo “brilanti” i fundit, nisur nga deklarata e shkrimtarit se nuk do të shkruajë më letërsi…
Leximi im i parë i novelës “Bisedë për brilantët, në pasditen e dhjetorit”, novelë që i jep titullin edhe kësaj përmbledhjeje, përkon me vitin e shkrimit të saj, 2008, teksa përgatitej botimi për veprën e plotë të autorit në botimet “Onufri”. Atmosfera e leximit përkonte çuditërisht me fjalën “brilante” që zotëron titullin e novelës, duke i dhuruar bujarisht leximit të këtij teksti ndjesinë e zbulimit të një guri të çmuar, të një dritësimi të papritur e të rrallë, pikërisht siç quhen “të rrallë” vetë brilantët. Prandaj e kam quajtur “befasuese” këtë novelë, ashtu siç themi “befasues” për një zbulim, i cili, përpara se të jetë “zbulim” i yni, është në vetvete zbulim i ndërmarrë nga autori dhe nga vetë teksti i tij në hapësirën ku takohet letërsia me historinë, është shkundje nga harresa, është rikthim nga vdekja, është vezullim etik i jetës përtej gjithçkaje. Novela “Bisedë për brilantët në pasditen e dhjetorit” rreket të shkundë si pluhur të së shkuarës harresën etike të historisë dhe t’u japë jetë një prej shtegtimeve më mbresëlënëse të kësaj përmbledhjeje. Më lejoni t’ju josh me një përshkrim të tërthortë të saj: mund të ngjasë që njerëzit t’u përngjasojnë fantazmave më shumë se ato vetë mes tyre; burra e gra të “midistë”, ikur prej skajesh internimesh reale e potenciale, që shfaqen apo trokasin befas përmes një telefonate, një rrëfimi, një fjale, dhe ikin sërish, të përkorë, në heshtjen e natës. “Janë mbretërorë - përsiatet rrëfimtari, është e natyrshme të mos bëjnë zhurmë e të mos bien në sy”. Por, përtej rishfaqjes së tyre disi të mënjanshme, në predemokracinë shqiptare, si “në larginë”, përtej ndjesisë së butë të fajit, që për çudi, asaj pasditeje nuk ndahet, përtej kujtimit tundues të brilanteve të shuar dhe shkëlqimit të ftohtë të atyre që do të vijnë, kumbon shtegtimi i dyfishtë i një gjuhe dyfish të vdekur, ikje dhe ardhje nga një botë tjetër, nga romane të mëparshme, dhe nga njerëz tashmë të vdekur. Latinishtja rivjen, si një kumt i ri i ringjalljes, si një “gjuhë e ftohur, (që) sillte shpirtësinë e fundit të një brezi njerëzor që po shuhej”. Lufta e gjuhëve, e kacafytjeve gjuhësore në gjirin e njerëzimit. Këtë luftë, Kadare na e ka treguar disa herë në botën e tij romanore. Por ajo nuk është më shenjë e bashkëpërkimeve dhe huazimeve, por luftë për jetë a vdekje mes botëve që identifikojnë. Mjafton të kujtojmë romanin e fundit “Çështje të marrëzisë”, dhe të shohim se si latinishtja dhe frëngjishtja kacafyten për vdekje me rusishten, gjuhën e re që shtronte mendjet dhe shpirtrat e njerëzve në një sistem të ri mendor. Rikthimi i latinishtes në prag-rënien e komunizmit shqiptar, pulsimi i saj mes sentencave ambulante të shtypit, risjell në novelë vizllimin e dyfishtë të jetës, ashtu siç ndodh gjithmonë, mes keqkuptimit dhe shpresës, mes tragjizmit dhe ironisë, si në mjegull: falë kësaj gjuhe të vdekur “që rrihte të bënte të pamundurën, të nxirrte pakëz frymë nga morti i saj”. Ishte kumti që rikthehej nga varri për të ribërë, me verbin, jetën; shpresa e vdekur për të rigjetur të vdekurit; shkëlqimi si prej brilanti i një gjuhe që, ashtu si trokitja e fantazmës, rreket të thotë diçka më shumë se vdekja e saj dhe e njerëzve që dikur e folën. Nëse Ismail Kadare ka deklaruar se nuk do të shkruajë më letërsi, atëherë mund të themi se ky është brilanti i fundit i shkrimit të tij letrar, por jo i botimeve të tij. Besoj se e kuptoni “trukun” e vogël letrar që fshihet si në një lojë pas këtyre fjalësh…!
Ju jeni e para që keni parë dorëshkrimet në origjinal…duke ndjekur me kujdes procesin që ato kanë pasur deri në ardhjen në një libër… A ka pasur ndërhyrje të mjeshtrit në tekste, sa kanë ndryshuar ato nga origjinali?
Besoj sinqerisht se kam pasur fatin të ndjek “së afërmi” kalimin, apo më saktë shndërrimin precioz nga një variant më i hershëm te tjetri të kësaj novele, në një shtrirje vetëm disaditore. Për çdo studiues të letërsisë, ky është një luks i rrallë, një brilant më vete. Aty kam parë se si çdo ndërhyrje në tekst ishte një sfidë më vete me gjuhën, stilin, koherencën logjike dhe atë muzikale, një sofistikim estetik, por jo vetëm, që veç mjeshtrit e mëdhenj të fjalës ia dalin.
Libri është një rikthim në kohë të ndryshme, duke parë vitet në fund të çdo tregimi 1981, ‘83, ’84, 1990, 2004 dhe 2008.. Si është Kadare në të gjitha këto vite? A ndieni ndryshim në prozën e tij?
Është e vërtetë, kjo përmbledhje ka një kalendar të brendshëm shkrimor, madje edhe një hartografi personale hapësinore. Emra njerëzish e vendesh, ndodhi të vogla personale dhe ngjarje që vërtiten në vorbulla të mëdha historish, lidhje dashurore, gjaku dhe tejhistorike, shkasin nga një fletë në tjetrën, përmes tregimesh e novelash. Një datë, shpesh një stinë dhe viti i shkrimit përmbyll si me një kumt të dytë, të heshtur, leximin dhe rileximin e tyre. Mars 1981, 28 maj 1983, shkurt 1984, dhjetor ’85, 11 korrik, 19 qershor, Tiranë, Paris, Mali i Robit, 1990, 2004, 2008. Mes këtyre datash pulson ngulmimi i shkrimtarit për t’u përballur me daljen nga kujtesa qoftë të historisë së jetës së një kombi ashtu dhe të grimcave të çmuara të një çasti, të gjestit të pakthyeshëm, të tingëllimit të zërave, të dritësimit të vështrimeve, të brishtësisë së dashurive të përjetshme. Nga ky këndvështrim, përmbledhja bart një koherencë të brendshme të admirueshme.
Si do ta përshkruaje dëshirën e shkrimtarit për t’u rikthyer tek e shkuara?
Shkrimet e hershme të një autori gëzojnë gjithmonë një lidhje të privilegjuar me të. Jo pse janë të parat në vargun e gjatë të veprave, por se mundësia e rikthimit drejt tyre udhëhiqet nga nostalgjia intime për shkëndijën që i krijoi, për gjurmën zanafillore të shkrimit, për jetën e fshehtë në errësirën e heshtur të një arkivi, për kureshtjen joshëse të ritakimit me to si të një dashurie të parë. Kureshtja e një shkrimtari për shkrimet e veta është njëkohësish kureshtje për botët që ai krijoi, për artin që guxoi, për gjuhën, për jetët, mitet, fatet, historitë me të cilat sprovoi. Mbas thuajse 60 vjetësh Ismail Kadare iu dha nostalgjisë së shkrimit, ashtu siç i jepemi një dashurie të madhe, pa kushte dhe të pambrojtur, ndonëse, përtej nostalgjisë, botimi ose ribotimi i tyre ka kaluar sprovën e heshtur të një droje delikate, të një stepje fisnike. “Atëherë, le të botohen… ashtu siç janë…!”
Cili është personazhi më i dashur për ju nga veprat e Kadaresë?
Ndër personazhet më të dashur për mua është tregimtari i romanit “Kronikë në gur”, djaloshi i qytetit të gurtë, zëri i brendshëm romanor që dëshmon “mishin e butë të jetës” brenda korracës shkëmbore të qytetit, fëmija që interpreton botën përmes zbulimit dhe befasimit, emri i të cilit përmendet vetëm një herë shkarazi në të gjithë romanin. Janë shumë të paktë lexuesit që e dinë këtë gjë. Unë nuk po e shqiptoj emrin e tij këtu, me shpresën se kjo do të jetë një joshje tjetër për një lexim të ri të “Kronikës”. Nuk ka gjë më të bukur se rileximi i një vepre të bukur letrare…!

“Më i përkëdheluri në këtë kalendar ngjan tregimi i gjatë “Provokacioni” shkruani ju… Pse?

Sikundërse e sqarova edhe më lart, në përmbyllje të secilit prej shkrimeve, që unë i quaj shpesh në kuadër të kësaj përmbledhjeje edhe “shtegtime”, spikat, i pashmangshëm, viti i shkrimit, kalendar i brendshëm i jetës së tyre, ritmi solemn i leximit, 1981, 2000, 2004, 2008. Më i përkëdheluri në këtë kalendar më ngjan tregimi i gjatë “Provokacioni”, prozë me stil të pezullt e të rëndë, tekst i rishkruar vazhdimisht nga autori në përpjekje për t’i nxjerrë “lejen e botimit”, më së fundi, në revistën “Nëntori”, në vitin 1972. “Provokacioni” sprovon me sukses përkueshmërinë mes trajtës dhe ngjarjes, mes strukturës së një tekstit letrar dhe gjendjes ekzistenciale së qenies njerëzore, vendosur në limitet saj kohore dhe hapësinore. Një postë e skajshme kufitare, në një fundvit të ngrirë e të acartë, gjendet në qendër të një provokacioni të ashpër kufitar. Histori dashurie që mbyllen, njerëz të vrarë dhe pritje e ankthshme e së nesërmes së fundit, e cila nuk do të agojë dot kurrë. Atmosfera e rëndë e këtij tregimi, ritmohet nga episode që ndjekin njeri-tjetrin si në një skenë. Mbyllja e çdo episodi përkon me një paralajmërim të fundmë, të përgjithshëm, konceptual. Ndryshe nga proza të tjera, ky tregim ka një jetë të shumëfishtë. Ai është shkruar e rishkruar, herë nën trysninë e stilit dhe herë nën atë të censurës, në disa variante mes viteve 1962-1972, vit i botimit të tij. Një lexim krahasues sot mes këtyre variantesh, të vëna në dispozicion nga vetë autori, na lejon të gjurmojmë veç nuancimeve të stilit edhe modifikimet detyruese e për pasojë jo gjithnjë “fatlume”. Kështu, nga varianti i parë në të fundit (atë të botueshmin) ka humbur krejt një linjë e rëndësishme e tregimit, ku të dyja postat kufitare armike, të ngrira nën izolimin çoroditës të dëborës, duket sikur dalin tërësisht nga e tashmja e tyre, dhe në këtë perpetum mobile shkëmbejnë njerëz, të plagosur, infermierë dhe vizitorë, shkëmbejnë një humanitet ekzistencial të brishtë sa vetë shkrirja e dëborës. “Tashmë prania e fqinjëve në postën tonë nuk i bënte më përshtypje asnjërit dhe pas dy ditësh ne i mbajtëm dy prej tyre të pinin konjak me rastin e ditëlindjes”. Por pikërisht bashkë me shkrirjen e pritshme të dëborës, që nënkupton për të dyja palët nxjerrjen nga izolimi dhe rikthimin e armiqësisë, rikthehet edhe ankthi i dënimit dhe i fajit që kurrë nuk sqarohet përfundimisht në këtë tregim. Askush nuk do ta tregojë dot se çka ndodhur me të vërtetë. Kemi vetëm një gjurmë të tij në bashkëbisedimin mes dy personazhesh sa neutralë aq edhe potencialisht “armiq”, Fred Kosturit dhe të sëmurit (të papranishëm krejtësisht në variantin përfundimtar): “Kam parandjenjë të keqe, murmuriti, nuk është mirë për infermierin që kapërcen kufirin dhe për ata që e lejojnë, as për mua nuk është mirë që po dergjem këtu”; ankth dhe moskuptim i shumëfishtë që përfshin të dy anët e kufirit dhe mbetet i pezullt deri në fund. Për kërshërinë e lexuesit mund të shtojmë edhe një fakt tjetër shumë interesant. Nëse në variantin e parë enigma mbetet e tillë deri në fund, mes dy postash kufitare ku nuk mbijeton dot askush, në atë të botueshmin e vitit 1972 ngjarja mbyllet me një skenë-shtojcë që ngjan se merr përsipër sqarimin e enigmës së një provokacioni kufitar: ai shfaqet si një provokacion i paramenduar dhe strategjik, ndërkohë që fotografia e ushtarit të masakruar shqiptar, përcjell rrëqethshëm infinitin e një konflikti tashmë akohor, “sinjalet e të cilit vinin të turbullta nga thellësitë e kohërave e të popujve”. Provokacioni vazhdon… Ky variant gjendet tashmë i botuar në “Veprën e plotë” të Ismail Kadaresë. Ndërsa në këtë përmbledhje autori ka parapëlqyer t’i qëndrojë besnik mbylljes së parë, asaj më enigmatikes dhe sipas tij më të vërtetës estetikisht, ku me asgjësimin total mes kufitarëve të të dyja palëve e vërteta mbetet e pashqiptueshme dhe vetëm e hamendësueshme. Mbi trupat e të vrarëve, vendosur në rimorkion e një kamioni, hidhet shkujdesshëm trasta e letrave të shkruara për ta, si gjest i fundmë, absurd dhe i ftohtë, që mbyll përfundimisht historinë e tyre të patregueshme dhe njëkohësisht vetë tregimin. Ndoshta një ditë jo të largme, variantistika proliferike e këtij tregimi mund të përbëjë edhe një objekt të privilegjuar studimor më vete. Atëherë, nën shqyrtimin e hollë të studiuesit letrar do të na shpalosen proceset e shumëfishta të shkrimit, sfida me gjuhën dhe stilin, shestimet e vijueshme të tekstit, por edhe gjurma e thellë e epokës kur u shkrua, penetrimi i censurës dhe autocensurës në nivele të ndryshme të shkrimit. Sidoqoftë, në shtrirjen përgjatë një dekade, 1962-1972, pavarësisht humbjes së një linje të tërë apo skenës-shtojcë së variantit të fundit, shkrimi i këtij tregimi sofistikohet dhe estetizohet. Një lexues i kujdesshëm e ndien fare lehtë pjekurinë stilistikore të këtij teksti, ripunimin e vazhdueshëm të frazës dhe dialogut. Ky rishkrim i zgjatur mban gjurmën e një procesi marramendës, ku çdo shkronje, çdo fjale, fjalie të thjeshtë e të ndërvarur, kumti emotiv a neutral, i duhet të gjejë vendin që i përket në tekstin letrar.
Duket se atdheu ka qenë një peng për shkrimtarin që në ngjizje të krijimtarisë së tij, kam parasysh novelën që e ka shkruar kur ishte 17 vjeç “Në dheun e panjohur”. A i ka dhënë atdheu, këto vite, atë që Kadare i ka dhënë atij me letërsinë e shkruar?
Më lejoni të sqaroj një specifikë të nocionit “atdhe” në novelën “Në dheun e panjohur”, shkruar në vitin 1953, kur autori i saj është vetëm 17 vjeç. Në fakt, novela paraqet fillesat e një “poetike të përmbysur”, në qendër të së cilës gjendet “ideja e papranueshme e një atdheu fiktiv”. Kështu, dheu i panjohur është paradoksalisht atdheu, dhé i origjinës, por jo i shpirtit dhe i mendjes së personazhit të saj kryesor, djaloshit Robert që shkruan poezi e lexon Chateaubriand-in. Prandaj udhëtimi i tij për t’u kthyer “në atdhe” është njëkohësisht udhëtim për në një vend të huaj, i cili do të mbetet i tillë deri në fund. Ky refuzim, kjo “mosqasje”, së pari shpirtërore e së dyti mendore e botës së re që ai zbulon, ecën paralelisht me një ironi të brendshme të tekstit: “Pothuajse të gjitha gjërat në fshat i dukeshin qesharake. Qesharake i dukeshin këto brigada pune kolektive, këto gara socialiste, këto konferenca “ideologjike” dhe kurse analfabetizmi”. Roberti thuajse hesht. Mendimet e tij mësohen ose prej ditarit ose prej bisedës me vetveten, deri te vendimi i tij për t’i ikur përfundimisht “atdheut të tij”. Por keni të drejtë kur thoni se atdheu është një peng për Kadarenë. Pjesa më e madhe e veprës së tij i kushtohet marrjes së vijueshme në shqyrtim të rrugëtimeve, fateve, peripecive, por edhe zgjedhjeve e sakrificave që janë bërë në emër të tij. Dhe ky zbërthim njëherësh historik, antropologjik, filozofik dhe estetik është dashuria e tij e madhe për një atdhe jo vetëm hartografik, por mbi të gjitha etik dhe estetik. Nga kjo pikëpamje sfida e Kadaresë vijon…

Lutfi Haziri do ridefinim të kufijve, sipas 1956-ës


Lutfi Haziri do ridefinim të kufijve, sipas 1956-ës
Problem nuk është vetëm zgjidhja e problemeve për serbët në veri të Kosovës, por është edhe zgjidhja e problemit të shqiptarëve në Kosovën Lindore. Duhet të definohet qartë kush ka qenë agresor e kush viktimë. Serbia nuk ka hise në Kosovë dhe nuk guxojmë të lejojmë që Kosova Lindore të mbetet e pazgjidhur, thotë kreu i LDK-së në Gjilan, Lutfi Haziri.
“Unë nuk jam për ndarje, por për ridefinim të kufirit të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Haziri për revistën ‘Jehona’. “Mitrovica gjithmonë ka qenë e Kosovës dhe është quajtur Mitrovica e Kosovës. Bistrica e Boletini kurrë nuk ka qenë të Serbisë. Leposaviqi ka qenë fshat kur u formua si komunë në vitin 1956 dhe ka mbetur ashtu e pazhvilluar. Unë nuk jam për prerje të tilla, sepse Serbia kërkon ndarje natyrale deri në Lumin Ibër, e kjo është në dëm të Kosovës. Këtë s’e pranon askush. Këtë se pranoj as unë, por kthimin në normalitet sipas 1956-ës”.
Kur është fjala te Lugina e Preshevës, Haziri shton: “Nuk guxojmë të lejojmë një Kosovë të vogël të mbetet ashtu sikur mbeti Kosova pas Shqipërisë londineze... Zgjidhja e kufirit në mes të Kosovës e Serbisë, në parimin e vitit 1956, besoj se i jep fund hallit tonë shekullor”.


------------------------

Deputetja e Listës së Bashkuar Serbe në Kuvendin e Kosovës, Rada Trajkoviq ka thënë se me zbatimin e marrëveshjes së Brukselit në veri të Kosovës asgjë nuk do të ndryshojë në raport me atë çka momentalisht kanë serbët.
“Tani të gjithë bashkërisht duhet të bëjmë përpjekje që me pranimin e kësaj marrëveshjeje popullata mos të drejtohet kah shpërnguljet, që me ndonjë zhurmë në Beograd, popullata të mos frikohet edhe më shumë dhe të mos fillojë të shpërngulet, dhe pas kësaj kur të stabilizohemi duhet ngadalë të punojmë në projektin e kthimit”, ka thënë Trajkoviq, raportojnë mediat serbe.
Sipas saj, liderët serbë nga veriu i Kosovës duan që me një fushatë sa më të fuqishme të punojnë në destabilizimin e Serbisë, sepse mendojnë se Serbia e destabilizuar nuk do të punonte në zbatimin e marrëveshjes.
”Ata llogarisin se do të mbetet status kuoja sa i përket veriut. Kjo praktikisht do të thotë se shkojnë në projektin e realizimit të ndarjes së Kosovës dhe të përgatitjeve për zgjidhje e cila në esencë duhet të jetë ndarja e Kosovës. Ata tërësisht eliminojnë serbët poshtë Ibrit, e do të thosha edhe serbët në Serbinë Qendrore, sepse pas kësaj do të pasonte kriza e tmerrshme politike dhe ekonomike e Serbisë”, ka theksuar ajo.



BOTA SOT:Sulltanat osman apo shqiptar


Sulltanat osman apo shqiptar
Gazeta "Nju Jork Times" e datës 26 Prill 1909 (figura përbri) përcjell një lajm mbi sulmin e bërë nga Turqit e Rinj kundër Sulltanit, i cili mbrohej nga 4000 ushtarë shqiptarë, dhe dorëzimin e tij. Ekzistenca e 4000 ushtarëve elitë shqiptarë në rrethin më të afërt me Sulltanin tregon se ato i përkitnin majës së piramidës ushtarake shqiptare që ishte nën petkun osman/turk. Mijëra e mijëra të tjerë sulmonin sulltanin si "turq të rinj"; ndër këta ishte edhe Esad Pashë Toptani. Mijëra e mijëra të tjerë të tjerë ishin në kryengritje kundër osmanëve në tokat shqiptare, gjë që solli pas tre vitesh pavarësinë e një shteti shqiptar. Pa llogaritur ushtarët me porosi, mijëra e mijëra ushtarë të tjerë shqiptarë ishin të shpërndarë në tërë tokat e zotëruara nga sulltanati osman dhe zbatonin urdhrat ushtarake të sulltanit edhe në luftimet në kufijtë e sulltanatit edhe në shtypjen e kryengritjeve në tokat [edhe ato shqiptare] e të zotëruara nga sulltanati.
A nuk pati edhe mijëra e mijëra të tjerë në poste zyrtare të Sulltanatit, që nga kryeministër e deri tek nëpunësi i thjeshtë, të cilët në shumicën e rasteve vetëm e vetëm vetes i shërbenin? Vetëm ato 4000 ushtarë elitë shqiptarë mund ta kishin kapur vetë sa hap e mbyll sytë tërë sulltanin e qeverinë e tij dhe më pas bashkë edhe me shqiptarët e tjerë mund të bënin tërë popullsinë e sulltanatit që edhe ëndrrat t'i kishin shqip. Ç'bënë e ku ishin ato forca, për shembull, kur u sulmua Shkodra dhe Janina gjatë luftës së parë ballkanike më 1913? A i ka pas ndaluar interesi vetjak dhe shpirtvogëlsia ato ushtarakë e zyrtarëve shqiptarë që të bëheshin "bukëshkelës" ndaj sulltanatit dhe të bëheshin kultivues të farës arbërore shqiptare? A janë ndjerë ata të shqetësuar po të dëgjonin për një gjë të lart me siç është ardhmëria e Shqipërisë arbërore?

Dag Henderson:Shtetet më të fuqishme botërore, SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, në njërën anë, dhe Rusia e Kina në anën tjetër, nuk do të konfrontohen shkaku i Kosovës


Superfuqitë nuk do të konfrontohen shkaku i Kosovës
Shtetet më të fuqishme botërore, SHBA-të, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, në njërën anë, dhe Rusia e Kina në anën tjetër, nuk do të konfrontohen shkaku i Kosovës, ka thënë ish ministri britanik i mbrojtjes, Dag Henderson.
“Nuk mendoj se fuqitë e mëdha botërore, Amerika Britania, Gjermania, Franca, Rusia dhe Kina do të konfrontohen mes veti lidhur me Kosovën. Ato i shohin problemet e migracionit, kurse ky problem është në pjesën tjetër Evropës”, ka thënë Henderson, cili ishte ministër i mbrojtjes në kabinetin e ish kryeministrit Tony Blair.
Henderson ka thënë se SHBA-të dhe BE-ja duan një stabilitet në Ballkan
Ai ka thënë se Prishtina dhe Beogradi duhet të merren vesh dhe dallimet që kanë nuk duhet ë jenë pengesë për evropianizimin e tyre dhe të hyjnë në BE.
“Ky do të duhej të jetë një hap përpara. Nëse Serbia dëshiron të hyjë në BE, atëherë çdo konflikt eventual me Kosovën mund të jetë pengesë për anëtarësimin e saj në BE”, ka thënë Henderson në një intervistë për “Danas”.
Henderson, ministër në kabinetin e ish kryeministrit Blair, mendon se bombardimi i Serbisë në vitin 1999 ishte i domosdoshëm, pasi presidenti i atëhershëm serb Slobodan Milosevic nuk deshi marrëveshje.
“Bombardimi ishte minimal. Nuk ishte një bombardim i rëndë, por çdo bombardim është i keq, veçmas për civilët”, ka thënë ai.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...