2013-05-19

Teknika e hipokrizisë dhe teknologjia e konformizmit...

Gëzim TUSHI


(Përshtatje, konformizëm apo hipokrizi e maskuar?) Kur erdhi demokracia në Shqipëri, përveç shumë gjërave menduam se erdhi më në fund edhe koha duhur, e shumëpritur nga shqiptarët, si epokë e të jetuarit me të vërtetën dhe e shpëtimit përfundimtar nga larmia shumëformëshe e mënyrave barbare të tjetërsimit, që njerëzit pësuan për gjysmë shekulli nga pushteti i plotfuqishëm i shtetit totalitarist. Njerëzit nën peshën e dhunës pësuan deformime humane, që kanë lënë pasoja dhe që po na pengojnë për të fituar drejtpeshimin demokratik edhe sot. Sepse ende pushteti është shumë më i fuqishëm sesa duhet përballë njeriut të thjeshtë, sepse ende nuk është larguar nga njerëzit “hija” dhe reminishenca e frikës nga forca leviatanike e pushtetit, që e bëri njeriun pa bosht human, plastelinë, qenie pa personalitet, i mësuar të sillet me dy faqe dhe me disa fytyra, një njeri i depersonalizuar, një qenie “pa gjoks”. Por demokracia shqiptare ka shfaqur defektet e veta, sepse mesa duket, edhe ajo ka format e veta të tjetërsimit të njeriut, në dukje janë më të buta, më të sfungjerta dhe më elokuente, por në shumë raste në thelb janë të ashpra dhe diabolike. Nuk ka si të mos jetë shqetësues fakti, që në diapazonin e gjerë të lirisë kanë filluar të agravohen dhe të shtohet diapazoni i formave të larmishme të “tjetërsimit demokratik”, që edhe tani në kushtet e demokracisë kanë filluar të lulëzojnë në format e njohura të konformizmit me pushtetin, të hipokrizisë në sjelljen e njeriut me shoqërinë. Kaq shumë janë zgjeruar këto dukuri, saqë ka sociologë, të cilët me të drejtë i kanë konsideruar dy dukuri sociale, që në jetën e shoqërisë shqiptare po shfaqen si “çimento” e modernitetit. Me ndryshimin e formave të vartësisë së vjetër të njeriut nga pushteti dhe në nevojën e përdorimit të taktikave të larmishme për të qenë i suksesshëm në komportimin me shoqërinë, përsëri në mënyrë fatale ka disa forca që veprojnë jashtë dëshirës së njeriut, që nuk varen prej tij, apo që në mënyrë të rafinuar dhe shpesh të padukshme qëndrojnë mbi të. Koha po tregon se pesha e tyre deformuese është shumë e madhe. Kjo peshë e thellë deformuese dhe tjetërsuese, ndryshe nga forca e dhëmbëve të pushtetit totalitarist dhe determinimit social super-kolektivist, fshihet pas formave të alambikuara të burokracisë së shtetit ligjor, buzëqeshjeve ironike të përfaqësuesve omnipotentë të pushtetit demokratik dhe të lulëzimit nga ana tjetër në kushtet e konkurrencës së egër individuale, që ka bërë që baza e shumicës së marrëdhënieve sociale të mbështeten mbi platformën e hipokrizisë. Kjo forcë ka bërë që esenca e marrëdhënieve të qytetarit me pushtetin (jo në kuptimin politik të termit) dhe marrëdhëniet midis njerëzve me njëri-tjetrin në shoqëri të kenë ndryshuar pak nga tabani, thelbi dhe ambalazhet e së kaluarës. Kjo ka bërë që të zgjerohet procesi i tjetërsimit të marrëdhënieve të njeriut me “veten”, pushtetin, të “tjerët” dhe shoqërinë shqiptare në tërësi. Mesa duket, më shumë ka ndryshuar forma dhe mënyra e re moderne e shfaqjes së tjerësimit, tashmë jo si frikë patologjike në përmasa totalitare, por si kërkesë për të adoptuar si mjet përshtatjeje dhe mbijetese dy “mjete perfekte” të adoptimit etatist dhe social të njeriut, duke perfeksionuar hipokrizinë dhe konformizmin, ndaj atyre që kanë pushtetin politik apo ekonomik, që kanë “çelësat” e administratës publike apo në ingranazhet financiare të sektorit privat. Konformizmi dhe hipokrizia kanë zëvendësuar në mënyrë perfekte raportet e vjetra të marrëdhënieve ideologjike të njeriut me pushtetin dhe shoqërinë. Hipokrizia dhe konformizmi janë bërë jo vetëm “çimento e shoqërisë moderne”, por ca më shumë edhe ideologjia e domosdoshme e përshtatjes së qytetarit me realitetet e ndryshuara të kohës moderne. Natyrisht, dialektika e shoqërisë moderne kërkon që njeriu të përshtatet me kërkesat e shtetit ligjor dhe normat konsensuale të shoqërisë. Por kjo nuk do të thotë se, në çdo rast dhe në mënyrë fatale duhet të konformohet me to Koha natyrisht që ka sjellë edhe në shoqërinë shqiptare një “dialektikë të re”, në raportin jetësor midis synimeve pragmatiste, aftësisë përshtatëse dhe vënies në funksionim të “shpirtit konformist”. Kjo dialektikë është shumë delikate dhe dilematike, sidomos kur është fjala për të ruajtur ekuilibrin personal midis personalitetit dhe suksesit, synimit pragmatist dhe shpirtit autonom, midis dinjitetit personal dhe koniunkturës konformiste, të dëshiruar apo të imponuar. Ajo që duket shqetësuese, është fakti se në shoqërinë tonë ka tregues të shumtë që tregojnë shqetësimin qytetar se në shoqërinë tonë po ngushtohet hapësira për të garantuar dinjitetin personal dhe shpirtin e kundërshtimit konstruktiv të njeriut të thjeshtë. Loja me idenë se njeriu është i suksesshëm vetëm në qoftë se mëson vetëm artin e përshtatjes, nuk është tërësisht e vërtetë. Sepse procesi i aftësisë përshtëse të njeriut me pushtetin politik, shtetin ligjor dhe kërkesat e shoqërisë nuk është tërësisht ekuivalent me konformizmin pasiv dhe hipokrizinë sociale, sepse gjatë procesit të përshtatjes është e nevojshme që njeriu të ruajë integritetin moral dhe dinjitetin personal. Kjo do të thotë që njeriu mund të përshtatet me “veten”, “të tjerët”, shtetin dhe shoqërinë, por pa i lejuar ato që “ta shtypin” atë me super-peshën e tepërt të tyre. Njerëzit që nuk kanë dinjitet, nuk kanë si rregull as aftësi përshtatjeje sociale qytetare. Konformizmi dhe hipokrizia nuk i çon ata në çdo rast drejt suksesit të gjatë e të sigurt personal, por më shumë i bën ata që duke mos pasur besim te vetja, në forcat dhe integritetin e tyre, të kenë prirje veçimi, izolimi, mazohizmi dhe margjinalizimi. Më vjen keq që duhet ta pohoj, por ka aq shumë fakte në jetën e shoqërisë shqiptare, saqë të detyron të pohosh se, mesa duket, njeriu edhe në demokraci nuk i shpëton dot të gjithë peshës së tjetërsimeve që i vijnë nga jashtë dhe që e deformojnë dhe e depersonalizojnë atë. Me fjalë të tjera, edhe në shoqërinë demokratike nuk është e lehtë që të sigurohet te njerëzit tanë veprimi sinkron dhe i harmonizuar i dy mekanizmave, që filozofi më modern i liberalizmit, Izaiah Berlin, i konsideron sintetikisht me fjalët “liri pozitive” dhe “liri negative”, që kanë të bëjnë me raportet e reja të vartësisë dhe pavarësisë së njeriut nga faktorët e jashtëm që kanë peshë sociale, ekonomike apo ndikim shpirtërisht deformativ. Po sigurisht ne nuk jemi në kohën kur shteti kishte gjithçka në dorë, kur çdo gjë ishte politike dhe asgjë pothuaj meritokratike, kur vlera e njeriut transformohej dhe tjetërsohej radikalisht nga fondamenti politik. Por përsëri jashtë nesh qenkan përsëri disa forca pushtetesh, të vështira për t’u kontrolluar, që na sundojnë përsëri dhe ndaj të cilave në shumë raste nuk ka terapi për t’i përballuar përveç konformizmit dhe hipokrizisë. Madje ato në disa raste në shoqërinë tonë kanë marrë një zhvillim kaq të madh, saqë e tërë jeta të duket si një “teatër”, në të cilin nuk mund ta luash “rolin”, pa përdorur mjeshtërisht këto dy maska sociale: hipokrizinë dhe konformizmin. Kjo temë e “artit të përshtatjes” apo përmes hipokrizisë sociale dhe konformizmit me pushtetin, është nga gjërat që ndeshim rëndom në jetën e përditshme. Nga njëherë të duket se njerëzit më shumë se të krijojnë aftësi personale për të sjellë produkt social, vlera meritokratike, ata janë në luftë për të përshtatur, duke perfeksionuar këto dy armë (konformizmin dhe hipokrizinë), pa të cilat, mesa duket, qenka bërë e vështirë që të jesh i suksesshëm në këtë jetë. Sa më mirë të zotërosh “teknikën e hipokrizisë” apo “teknologjinë e konformizmit”, aq më shumë duket se ka shanse që njeriu të jetë i suksesshëm në jetë. Pa to, sado vlera, merita dhe punë të bëjë, është vështirë t’i shmanget peshës shtypëse të autoritarizmit të politikës, determinimit të pushtetit dhe fuqisë së parasë. Padyshim është e domosdoshme që njeriu qytetarisht, moralisht dhe kulturalisht të përshtatet me kërkesat e shtetit, politikës, realitetit social të shoqërisë. Por të përshtatesh është tjetër gjë dhe të konformohesh apo ca më keq, të bëhesh hipokrit është gjë krejt tjetër. Padyshim lufta konformiste dhe hipokrite e “përshtatjes”, i duhet njeriut ngaqë, mesa duket, janë ngushtuar “rrugët legale” të suksesit me dinjitet, ngaqë njeriu ndjen nevojën që i duhet të mbrohet nga “shtypjet sociale” që vijnë nga jashtë dhe që i deformojnë dinjitetin, autoritetin dhe prestigjin social, që e fosilizojnë, e shpërfillin dhe “i ngrinë” mendimin personal. Sepse, megjithëse jemi shoqëri e lirë, përsëri pranë kemi shumë pushtete të ekzagjeruara paternaliste, kemi shumë hallka të determinimit social, kërkesa dhe imperativë moralë me natyrë imponuese, që shpesh e privojnë njeriun nga liria e ligjshme e tij. Kjo është dialektika e jetës moderne, njeriu është dhe duhet të kalojë me kujdes midis “skillës” dhe “karibdës”. Kjo do të thotë se njëherësh duhet të jetë i përshtatur, sepse nuk mund të jetë asnjëherë i suksesshëm duke qenë i pavarur nga forca e jashtme e pushteteve të shumta që qëndrojnë jashtë tij, që shpesh kanë forcë të deformuar, të ekzagjeruar, përtej standardeve të shtetit demokratik, që forcën e tyre shpesh e tregojnë në mënyrë brutale, duke ndëshkuar dhe favorizuar, duke përdoruar dhe shpërdoruar mekanizmat e tij, në emër të politikës, militantizmit, ligjit, trajtimit parcial të favoreve të pushtetit etj. Në kushtet e shoqërisë sonë nuk mund të ecet kuturu, nuk mund të ecet pa përfillur këto forca, të cilat nëse njeriu i shpërfill, nuk është dhe nuk mund të jetë kurrë i fituar. Domethënë se, përveç meritës si vlerë konsistente, për të qenë i suksesshëm në jetë, mesa duket, duhet të duhet të zotërosh edhe “dy armët” e tjera, që në pamje duken si aftësi përshtatëse, por që në të vërtetë janë aftësi për të bërë konformizëm dhe hipokrizi. Padyshim, në këtë kohë të ngatërruar, njeriu ka vështirësi së pari, që të ketë aftësitë e duhura që të zotërojë veten, por në të njëjtën kohë edhe ambientin rrethues, në të cilin duhet të jetojë dhe me të cilin duhet të përshtatet. Shikoni sa vështirësi ka njeriu i kohës sonë, që për të qenë i suksesshëm duhet të përshtatet me shoqërinë dhe që të ruajë dinjitetin dhe lirinë duhet t’i shmanget konformizmit, që është gjëja më e vështirë që të realizohet në kohën tonë, të cilën jo të gjithë munden ta realizojnë. Gjërat janë zhvilluar deri në atë masë, saqë njeriu e ka të vështirë t’i zotërojë ato me dinjitet, sepse shumë gjëra në kohën moderne zhvillohen pavarësisht dhe kundër dëshirave të tij. është e vështirë të garantosh dinjitetin deri në fund dhe të mos biesh preh e konformizmit dhe hipokrizisë. Sepse njeriu duhet të gjejë dhe të mbrojë veten, të garantojë suksesin pragmatist dhe njëherësh të ruajë dinjitetin e vet, në kushtet kur është përballë presionit social, përballë turmave, pushtetit të politikës militanteske, nepotizmit, krahinarizmit, përballë alambikimeve të një makine të stërmadhe e të sofistikuar të burokracisë, përballë fuqisë së të cilave dinjiteti është i diskutueshëm për t’u garantuar. është zgjeruar paranoja sociale dhe frika e mospërshtatjes sociale të njeriut, ndaj të duket se konformizmi dhe hipokrizia nuk janë më vetëm epidemi sociale për shoqërinë shqiptare. Ato në njëfarë mënyre, po bëhen ideologjia e saj. 

Sado-mazohizmi shqiptar

image
Dr. Vlera EJUPI

Kaloi edhe një ndërrim motmotesh, kush me halle e kush pa halle, por të gjithë së bashku me një hall identik, edhe atë të natyrës kombëtare, ekzistencialiste, pra -a thua do të fillojnë shqiptarët në mënyrë më agresive të ripërtërijnë kërkesat e tyre civilizuese, të cilat ashtu siç e dimë ne janë shuar viteve të fundit. Përderisa ne po shkojmë mbrapa, popujt të cilët po krijohen shumë më vonë, duke glorifikuar me famë të kaluarën tonë, pra me përvetësimin e zbrazëtirës që po e krijon garnitura momentale qeverisëse, këta përvetësuesit së paku po e lënë përshtypjen se po arrijnë zenitin e civilizimit, kurse ne e privuam veten nga të ushqyerit të kërkesave të civilizimit. E dimë të gjithë pse dhe nëqoftëse nuk e bëjmë atë çka duhet bërë, jo vetëm që po e dëmtojnë kombin por do të na dërmohen edhe gjenerata e gjenerata nga gabimet që po i lejojmë të bëhen. Harruam vallë kuptimin e fjalës civilizim, në fillim të vitit 2012? A nuk do të thotë fjala civilizim kombëtar, ruajte me xhelozinë më të madhe gjuhën, historinë dhe elementin kryesor i cili na bëri të mbijetojmë nëpër shekuj, flamurin? E po të gjitha i humbëm, sa herë po mundohemi këtë gjë ta potencojmë edhe te potencojmë, por nëqoftëse përsëritja është nënë e mësimit te ne përsëritja është njerkë, shkatërruese e mësimit. Ne nuk po duam të mësojmë për momentin, respektivisht tu këpusim këmbë këtyre tipave që e kanë shndërruar Shkupin, natyrisht aty ku është koncentrimi i shqiptarëve më i madh, në vende të arnuara, arna këto të cilat aq lehtë janë përforcuar për tokën shqiptare sa që gati janë duke u shkëputur fare. Mirë, mirë se mirë e kemi, atë që mbjell do ta korrësh.
Çka na nevojitet për t’u kthyer në rrjedhën normale të civilizimit, asgjë e rëndë, asgjë e parealizueshme...Vetëm një luftë e ashpër me analfabetët të cilën janë bërë një përditshmëri me plot monotoni të rrezikshme, gati se një dekadë, prej tipave dhe tipeve të tharët, të cilët gënjeshtrën po e shndërrojnë në të vërtetë, në mënyrë shumë lezhere dhe suksesive duke lënë pas vetes pasardhës të pafatshëm, të dënuar nga thatësira e tyre shpirtërore dhe mentale. Dhe kështu lënë pas vetes krijesa me disproporcione anormale, ata po i kap vullneti degjenerik i këtyre kanibalëve, me një epilog të njohur sa njerëzimi- shqiptarët- viktima të tyre. Sa më i madh degjenerimi i përvetësuesve por dhe aspiratat e kanibalëve, aq më i madh numri i viktimave i cili po shkrihet në masë asimetrike, që po lejon tiranizimin e vetes, meqenëse po i shuhet dituria rreth proceseve dhe funksioneve.
Unë kurrë nuk mbaj mend dozë kaq të madhe të sado-mazohizmit tek dhe mes shqiptarëve. Kurë nuk kemi pas kaq vetë-promovime, vetë-koncentrime në imazhe personale pra lloje nga më nënçmueset të vetëfetishizimit, dhe në fund nuk do të mundem ti shmangem të së vërtetës e pa e thënë, vetëmaçoizmit. E kjo e fundit, besa duhet mbajtur me dinjitet se për ndryshe ashtu siç jeni ju shembull i përkryer, ju shpien kah ekstremi tjetër. Prandaj, në bardhësinë e kokës së juaj mund të ngjyrosni tufa , tufa flokësh për të treguar kameleonizmin e mendjes dhe shpirtit tuaj, prej nga buron kërkesa e mirënjohur për famë te “miqtë e juaj ndërkombëtarë”. Ky maçoizëm i juaj ju bëri të harroni se miqtë e vet njeriu i urtë dhe i ditur e bën duke i mundësuar kombit të vet cilësi në identitetin kombëtar, gjë e cila minimalisht do të kishte shlyer josinqeritetin e juaj.
Promotor i këtyre dy proceseve kombëtare, pra tek ne në shuarje e sipër, është pa dyshim dashuria dhe urtësia për të dëshmuar se jemi pjesë e esencës së njerëzimit, edhe pse çdo herë përvetësuesit mundojnë ta thonë dhe po e bëjnë të kundërtën të ndihmuar nga mprehtësia e dhëmbëve dhe kthetrave të kanibalëve, duke harruar se e vërteta ekziston, dhe nevoja për të e animon njeriun ta krijojë botën e tij të prosperitetshme. Në vend të kësaj kjo nomenklaturë qeveritare, promovon në mënyrë të paparë dhelparake agoni, makth, sfidë për vdekje. Shqiptarizmi në Maqedoni, është i stërmbushur me probleme nga më të ndryshmet, duke iluminuar tepër qartë kontroversën e konfliktit 2001, por edhe më shumë të marrëveshje së Ohrit, realizimi i të cilës kaloi në 2004. Sa bajate dhe të pakuptimta këto gjëra shikuar nga perspektiva e sotme, por jo edhe për familjet të cilat nuk kanë bukë për të ngrënë. Mjaft më me justifikime për suksese të arritura, kur ju as nuk keni guxim për të arritur ndonjë sukses. Keni futur në lëvizje format e forcës së zgjatur, me amplitude dhe operacione të molisura, duke shtuar edhe më tepër përvojat e materializimit të juaj. Shenja e vetme virtuale e juaja është mënyra për shpreh mossukseset, zbrazëtirat të cilat për fat të keq kanë implikime të rënda kombëtare. Kështu keni rrethuar shqiptarizmin me vistrin lemeritës të “definicioneve të juaja”, as që keni haber se çka do të thotë kjo, por ju i doni dhe i përqafoni përzemërsisht gjërat të cilat nuk i dini duke i aranzhuar në pseudo-kategori. Shqiptarë, po e harrojmë historinë e vërtetë, po e mësojmë atë të vjedhurën nga ne për ti shërbyer okupatorit tonë, e gjithë kjo po ndikon në rrjedhat normale të popullit. Janë shndërruar në ishuj shkretëtire të paparë kërkesat tona elementare civilizuese. Po harrojmë folklorin tonë, i cili është kushti kryesor për mbijetesë. Akceptimi i këtyre kërkesave tona elementare civilizuese është skajshmërisht subordinues dhe i pamoralshëshm nga ana e përvetësuesve e sidomos kanibalëve. Nëse doni që të gjithë të shkelni krenarinë dhe bërthamën kombëtare, ushqeni këta me flirtet, mirëqenien e juaj dhe të gjeneratave të ardhshme. Kujtoj që një shumicë e mirë e shqiptarëve të Maqedonisë më nuk duan të nënshtrohen. Tregoni me vepër këtë duke ju lutur që mos të jeni më viktima kujdestare. Duhet t’i vije fundi sado-mazohizmit shqiptar.

Studim psikiatrik: Çfarë ndodh në mendjen e një pedofili?




Pedofilia është një argument delikat, i dhimbshëm, i vështirë për tu trajtuar edhe pse për fat të keq shumë shpesh është lajmi kryesor i hapjes së medieve. Por çfarë dimë për pedofilët? Kush janë mekanizmat me të cilat ata mbrojnë dhe justifikojnë krimet e tyre? Çfarë ndodh në mendjen e një pedofili?

Psikiatër dhe shkencëtarë të ndryshëm kanë arritur të zbulojnë detaje të reja të asaj që ata e konsiderojnë sëmundje mendore, pedofilisë. Nga ana mjekësore, konsiderohet si një sëmundje mendore e cila kthehet në krim në momentin që i sëmuri hyn në aksion. Sipas studimeve më të fundit amerikane, çelësi për të ndaluar dhe kuruar këtë problem mendor është në detajet klinike. Edhe midis psikiatërve, në nivel botëror ka përçarje për pedofilinë: disa e përcaktojnë atë si një varësi, të tjerë si një orientim seksual dhe të tjerë akoma e kërkojnë përgjigjen tek skanimet e trurit të pedofilëve.
D626B6E0D430F3285A8A882E00BD99E4
Edhe pse me hipoteza të ndryshme, të gjithë psikiatrit kanë rënë në ujdi për një përkufizim të përbashkët se ç’është pedofilia. Sipas tyre, pedofilia është një kriter që përcakton dëshira erotike për fëmijët prepubertet, zakonisht nën 13 vjeç. Arsyeja është akoma për tu stabilizuar, por sipas studimeve të ndryshme të bëra në këtë fushë, numri më i madh i pedofilëve është i gjinisë mashkullore, 94%. Studimi i sëmundjes është shumë i komplikuar për vetë faktin se shumica e personave me tendenca të tilla nuk kërkojnë ndihmë dhe zbulohen vetëm (jo gjithmonë), në momentin kur hyjnë në aksion.
Pedofilët shpesh kalojnë muaj të tërë në kontakt me “viktimat”, luajnë me ta, ju dhurojnë lodra dhe dhurata të tjera për tu bërë pjesë e universit të fëmijës.


Pedofilët nuk kërkojnë tek fëmija vetëm kënaqësinë seksuale, ata shumë shpesh identifikohen fuqishëm tek viktimat e tyre. Terapitë e ndryshme që bëhet kërkojnë që të afrojnë pedofilët me botën e të rriturve, pra shkëputjen nga bota e të miturve, rikrijimin e aftësive normale sociale të cilat shpesh ju mungojnë.

Shumë pedofilë nuk operojnë me qartësi në lidhje me moralin e asaj që bëjnë, por ata krijojnë “shtrembërime konjitive”, shfajësojnë veten nga faji dhe përgjegjësia. Për shembull, shpesh justifikojnë këtë duke thënë se “fëmija nuk ka thënë jo kur kam filluar”, apo “dikush e bëri për mua një veprim të tillë kur unë isha fëmijë dhe kam menduar se ishte normale”, ose “Unë me të vërtetë i duan fëmijët“.

Në shumicën e rasteve, miq apo fqinjë të pedofilëve kanë treguar “dukej një person normal”, dhe se nuk do të kishin dyshuar kurrë për një gjë të tillë. Pra, një person normal por që në mendjen e tij formulon lloj–lloj skenarësh që më mbas mundohet ti vërë në jetë sapo të gjejë prenë e radhës.
nina-en-pedofilia
Fiksimi erotik për fëmijët pre-pubertet është një zonë e tmerrshme për pedofilët të cilët pa këtë “fiksim” do të bënin një jetë normale.



Dëshirat seksuale të këtyre personave janë si “copëza pellgjesh”. Por këto ide bien ndesh me rezultatet e kërkimeve më të fundit të bëra nga James Cantor, prof. në Departamentin e psikiatrisë në Universitetin e Torontos. Cantor është i vetmi mjek në botë që studion pedofilinë nga pikëpamja biologjike, diferencat fizike dhe cerebrale që dallojnë pedofilët nga pjesa tjetër e popullsisë.

 Cantor ka zbuluar se, përgjithësisht pedofilët kanë një kofiçent intelekti 10 pikë më të ulët se e mesmja e përgjithshme e popullsisë. Ata janë 2.5 centimetra më të ulët dhe pjesa më ë madhe e tyre janë mëngjarash dhe gënjeshtarë. Mëngjarashët janë më të shumtë në numër edhe në rastet e autizmit dhe skizofrenisë, dy kushte psikiatrike me “bazë të qartë biologjike”.

Nga skanime të ndryshme të trurit janë zbuluar dallime të shumta të lëndës së bardhë midis pedofilëve dhe jo pedofilëve, ose më saktë në substancën që lidh njërin rajon të trurit nga tjetri. Në grupin e pedofilëve të analizuar, është vënë re një deficit i theksuar i lidhjes së lëndës së bardhë në këto rajone.

Kur nuk ka mjaftueshëm lëndë të bardhë, rrjeti cerebral identifikon se potencialet seksuale nuk funksionojnë mirë. Ky është një zbulim shumë i rëndësishëm për ndalimin dhe më pas kurimin e këtij fenomeni që ende sot ngelet destinacion i kërkimeve të ndryshme mjekësore dhe shkencore.


 Personalisht e shikoj në një këndvështrim më të gjerë, besoj që nuk mund të mbyllet gjithçka vetëm në kuadrin klinik, por të studiohet dhe të nxirren përfundime shkencore me baza të forta,shkruan në mes tjerash
 Aurora Allushaj.

Floripress

2013-05-18

Pedofili


Rexhep Shahu



E pashë tek ndiqte nga pas atë pasdite një grup socialistësh dhe dy kandidatë për deputetë. E degjova tek fliste me zjarr, me këmbë e me duar dhe me shumë trimëri kundër kandidatëve të partisë republikane në atë njësi që kishin filluar të qarkullonin përditë.
Shante qeverinë dhe kryeministrin me libër shtëpie. Shante shtetin, gjykatat, prokurorinë, vetëm shante.
Shante Enver Hoxhën dhe Partinë e Punës me fjalët më të rënda. Shante komunistët me motra, gra e vajza. Thoshte se gjithë anëtarët e Komitetit Qendror të PPSH i kanë patur gratë kurva, vajzat kurva dhe gjithë komunistët ashtu i kanë patur.
E shihja dhe filloi te me përzihej muti në bark.
Ata në Partinë Socialiste e durojnë edhe pse e dinë se po i shan edhe ato pasi ato e dinë mirë se një pjesë e madhe e tyre janë nipa ose bij të anëtarëve të Komitetit Qendror, nipa ose bij të drejtuesve të shtetit e të partisë në kohën e diktaturës, të sekretarëve të parë, të dytë e me radhë, të kryetarëve të komiteteve ekzekutive, të drejtorëve të rëndësishëm të ministrive, nipa apo bij të kryetarëve të degëve të brendëshme, të shefave të sigurimit të shtetit, etj, etj, dhe vetëm frika i bën bashkë në llogoren kundër demokratëve, kundër Partisë Demokratike dhe pushtetit të saj.
Ai, pedofili, kishte qenë mësues dikur. Kishte përdhunuar një fëmijë, nxënëse të klasës së shtatë. Qe bërë skandal që u fsheh nga shteti, shkolla e familja, por mori dhenë në fakt. Përfytyro vitet 1970 të shekullit të kaluar. Familja e vajzës nxënëse, familje e nderuar dhe me reputacion. Arrijnë bashkë me partinë dhe pushtetin e asaj kohe ta mbyllin rastin në fjalë, ose më saktë, ta fshehin, duke e transferuar mesuesin pedofil nga ajo zone. Duke menduar se do të ishte shumë më e rëndë dënimi i tij apo publikimi i ngjarjes se përdhunimit. Familja e nxënëses nuk e vrau mesuesin pedofil. Mund ta vriste por frika se do të përgojohej vajza e tyre e pafaj, frika se do të tregohej me gisht vajza e tyre, ishte më e madhe.
Pas pak kohe, organet e sigurimit, ia gjetën anën këtij mesuesi pedofil dhe e futën në burg gjoja për axhitacion e propagandë dhe e dënuan mbi 10 vjet. E ai për spiunlleqe që bënte në burg, beri 15 vjet burg. E dënuan për këtë vepër penale, por ndërkohe ia bënë të qartë se pse po denohej, por shkaku i vërtetë mbahej fshehte për hir të nxënëses së përdhunuar.
Bëri burgun. Erdhi demokracia dhe doli i lire. Iu ngjit Partisë Demokratike si muti këpucës. Vriste e priste në emër të Partisë Demokratike, të demokracisë, vendoste për të tjerët, për emërimet e kuadrove, denigronte intelektualët, i përbuzte. Njerzit shtangeshin. E njihnin. Ia dinin pedofilinë. Ia dinin shkakun e burgut. Njerzit e donin Partinë Demokratike, por pyesnin nën zë, si ka mundësi të gjejë strehë dhe të bëhet kapo tek kjo parti ky pedofil. Pedofili, intelektualët i quante komunistë dhe të përkëdhelur të Partise së Punes dhe gjente mënyra që ti largonte apo të mos lejonte të afroheshin tek PD intelektualët.
Rrodhën ditë dhe Partia Demokratike e volli. Dhe pasi e volli pedofilin ajo parti u bë esëll, qiqërr, nuk i bënin më sytë hije.
Ai, ndërkohë që kishte mbetur si qen i zgjebur, vazhdonte të kërcënonte, të fyente, të përbuzte intelektualë dhe t’i quante si e keqja më e madhe e demokracisë se janë intelektualë komunistë pasi janë shkolluar në kohën e Partisë së Punës. Kërcënonte sikur kishte marrë informacione të rëndësishme nga dosjet e sigurimit sa ishte kuadër tek Partia Demokratike dhe në pushtetin e saj.
Një ditë, një intelektual u përball me të. Ai e quante komunist intelektualin ndonëse asnjë herë nuk kishte qenë në parti, ndërsa intelektuali që kish duruar sa mali, që kishte informacion plot, i tha, pedofil. I tha se ke hyrë në burg se ke përdhunuar një nxënëse në klasë pas orës së mësimit teksa ajo pastronte klasën... Ia vuri para fytyrës maskarallëkun që kishte bërë dhe fshehjen që kishte mundur të bënte gjithë këto vite. I tha se njerzit e dinë se çfarë kishte bërë dhe pse ishte dënuar…
Po të ishe në Amerikë, i tha intelektuali, ti do ishe vënë në karrige elekrtike. Ndërsa në Shqipëri ti arrite të mashtrosh dhe të bëhësh edhe drejtues dhe jep mend, bën moral.
Që nga ajo ditë që kuptoi se njerzit ia dinin historinë, pedofili filloi të fshihej dhe të ecte natën dhe hijeve. U bë i huaj qyteti për të. Në çdo mjedis lavdëronte intelektualin që ia përplasi në fytyrë të vërtetën por i shmangej si djallit.
Nuk e kisha parë gjatë. Kisha menduar se i ka bërë nder vdekja.
Por e pashë, të mplakur e të mbajtur me një republikë në kokë, duke u kacavjerrë pas dy kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, siç u kacavirrej kohë më parë kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike.
E kuptova se e kanë thirrë në shërbim ata që e kanë dënuar atëhere. E ka thirrë në shërbim operativi i sigurimit të asaj kohe që ishte në atë zonë ku ishte shkolla, që ia fshehu pedofilinë dhe i bëri nder duke e dënuar për axhitacion e propagandë, që kur të delte nga burgu të bëhej nëndetëse e sigurimit të shtetit në partinë demokratike.
E njihja edhe operaivin e sigurimit qe ia kishte bere dosjen, edhe kryetarin e deges se puneve te brendeshme te asaj kohe. E kanë mbajtë peng pedofilin se të tillët mbahen peng. E kanë kërcënuar mbase duke i thënë se mud të të vrasë sot familja e ishnxënëses së përdhunuar…
Njëri nga kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste është nipi i ishkryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme të asaj kohe, të asaj zone.
E pashë pedofilin që kish zënë për krahu nipin e ishkryetarit të Degës së Punëve të Brendëshme që do të bëhet deputet. Iknin duke qeshë me potere, duke sharë demokratët...
Qesha lehtë e hidhur me vete. Qesha me zor me veten se nuk më le të qesh muti që po më thartohet e perzihet keq në bark.
Për shkak të këtij pedofili që endet ende mes nesh dhe po përdhunon ende ditët e mia.

Gratë e abuzuara dhe qasja e mjekëve


 Dhuna ndaj grave mbetet problem serioz dhe i vazhdueshëm në Kosovë. Sipas zyrtarëve që merren me mbrojtjen e grave, 90 për qind e viktimave të dhunës në familje janë femrat.

Dhuna në familje në Kosovë, edhe sipas raporteve ndërkombëtare, është cilësuar si një problem mjaft shqetësues.

Por shpeshherë kontakti i parë i femrave që janë të abuzuara, qoftë fizikisht apo seksualisht, është mjeku.

Se si i qasen vetë mjekët këtyre rasteve, shpjegon doktor Buajr Gjikolli, i cili i ka thënë Radios Evropa e Lirë se për këtë çështje janë mbajtur ndër vite edhe trajnime.

"Edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit, ne jemi duke marrë mësime se si duhet qasur viktimave të dhunës. Por, për këtë fushë nuk duhet të ketë mjekë specialistë për shkak se kjo përfshin shërbime specialistike të të gjitha fushave, dhe mjekësia kosovare është në gjendje që ti trajtojë ato, por është çështje e qasjes. Si fenomen është mjaft i shprehur, por sa është i mbuluar shtrohet pyetja".

"Andaj është e nevojshme të ngrihet vetëdija e institucioneve shëndetësore që merren me këtë problematikë. Andaj, përmes punës sa më korrekte të mjekëve ai kontribuon në zvogëlimin e pasojave dhe parandalimin e kësaj dukurie", shprehet Gjikolli.

Derisa Xhulieta Devolli, zyrtare në departamentin e të drejtave të njeriut në Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, ka bërë të ditur se numri i grave viktima për vitin 2012 është 1,021, derisa 800 nga to kanë qenë femra të abuzuara.

Sipas saj, është parë si e domosdoshme që të mbahet trajnimi i mjekëve se si duhet qasur viktimave të dhunës.

"Trajnimi është bërë për fenomenin e dhunës në familje , çfarë elemente kanë , prej kujt shkaktohen, pse shkaktohen pra të dhënat e përgjithshme për këto fenomene. Në gjithë Kosovën janë trajnuar mjekët e qendrave të mjekësisë familjare dhe emergjencave".

"Kjo është bërë në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë, duke e parë si të nevojshme, sepse ata duhet të dinë ta identifikojnë dhe ta lajmërojnë policinë, pastaj të dinë si t'i qasen si ta trajtojnë. Dhuna në familje ekziston në gjithë botën. Numri i viktimave për vitin 2012 është 1,021 dhe 800 kanë qenë gra, raste të cilat janë lajmëruar në polici.", thekson Devolli.

Sido që të jetë , Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna të sakta se sa gra, viktima të dhunës seksuale apo fizike lajmërohen fillimisht te mjeku.

Kjo, si mungesë e një baze të të dhënave lidhur me ofrimin e këtyre shërbimeve.

Sanije Kicmari, koordinatore e njësisë për të drejtat e njeriut, në Ministrinë e Shëndetësisë jep hollësi të tjera.

"Fatkeqësisht për viktimat e trafikimit numri është në rritje, e sidomos te fëmijët. Por, ne posedojmë vetëm të dhënat e policisë. Sa i përket MSh-së, baza të të dhënave lidhur me ofrimin e këtyre shërbimeve nuk kemi".

"Kemi shumë probleme, kemi pasur shumë vizita nëpër spitale, kemi pasur trajnime , kemi përcjellë mesazhin te stafi që të kemi një bazë të dhënave, sa viktima të trafikimit i trajtojnë si mjekë, por nuk kemi arritur", thotë Kicmari.

Sidoqoftë edhe udhëheqës të Këshillit për Lirinë dhe Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut,kanë deklaruar se kohët e fundit dhuna në familje ka shënuar rritje, duke thënë se ky fenomen, fatkeqësisht, kohëve të fundit ka marrë përmasa shqetësuese.

Sipas tyre institucionet kanë përpiluar strategji, por që ajo nuk ka treguar efikasitet, meqë numri është në rritje.

Në QKUK ushtruesit e detyrës do zëvendësohen me drejtorë

Klinikat në Qendrën Klinike Universitare nuk do të kenë drejtorë deri në mesin e këtij viti. Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për shëndetësi, konkursi për drejtorë të klinikave mund të hapet nëse Qeveria jep dritën jeshile për statutin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar.

Drejtorët e klinikave do të zgjidhen nga Bordi drejtues i emëruar nga Qeveria e Kosovës me propozim të Ministrisë së Shëndetësisë. Punëtorët shëndetësorë nuk i takojnë shërbimit civil të Kosovës me Ligjin e ri për shëndetësi.

Ndërkaq, sipas nenit 21, janë përcaktuar edhe kushtet e udhëheqësve të njësive profesionale spitalore. Klinikat në Qendrën Klinike Universitare kanë ushtrues detyre për më shumë se tre vjet, pasi përzgjedhja e tyre ka dështuar, edhe pse brenda këtyre viteve janë shpallur disa herë konkurset përkatëse.
Ministria e Shëndetësisë ka anuluar konkursin për zgjedhjen e drejtorit të ri në Spitalin rajonal në Gjilan.

Faik Hoti tha për rajonipress se konkursi për drejtor në spitalin e Gjilanit është anuluar meqë tash e tutje konkurset duhet të shpallen sipas Ligjit të ri të shëndetësisë, për institucionet që janë në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë. Drejtori aktual (u.d) Abdylatif Latifi tha se shtyrja nuk është e mirë.

Ndonëse ishte shpallur me kohë konkursi për drejtor të spitalit rajonal në Gjilan dhe ishte mbyllur më 27 mars nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe në këtë konkurs kishin konkurruar mbi 8 kandidatë, tash vjen në lajm jo i mirë nga e njëjta ministri, se konkursi është anuluar. Anulimi i konkursit nuk është parë si metodë ose zgjidhje e mirë nga ana e ushtruesit të detyrës së drejtorit në spitalin e Gjilanit, Abdylatit Latifi.

Faik Hoti zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë i kontaktuar nga rajonipress tha se konkursi për drejtor në spitalin e Gjilanit është anuluar meqë tash e tutje konkurset duhet të shpallen sipas Ligjit të ri të shëndetësisë, për institucionet që janë në vartësi të Ministrisë së Shëndetësisë.

Ndërkaq Abdylatif Latifi tha se konkursi është anuluar për shkak të ligjit të ri, por kjo shtyrje nuk është e mirë. “Në spitalin e Gjilanit punët kryhen mirë dhe gjithçka ka shkuar duke u normalizuar. E kemi marrë gjendjen me shumë borxhe e telashe që kishte shkaktuar ish drejtori Xhavit Hajdari i cili për shkak të aferës së krijuar edhe është dënuar me 1 vit burgim. Por shtyrja e gjatë e konkursit nuk shkon në favor të spitalit sepse janë disa gjëra që duhet me kohë të kryhen” tha Latifi.

Latifi tha se anulimi i konkursit nuk lenë vakum dhe nuk paraqet ndonjë problem në menaxhimin e situatës në këtë institucion shëndetësor sepse punët po rrjedhin mirë tha ai. Ndryshe Latifi u caktua ushtrues detyre nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë pasiqë ish drejtori Xhavit Hajdari ishte dënuar dhe shpallur fajtor nga Gjykata e Gjilanit.

Ndërsa ndër emrat e përfolur që kanë konkurruar për pozitën e drejtorit në spitalin e Gjilanit kanë qenë Ilaz Poroshtica kirurg, Selvete Shurdhani infektologe, Ramush Osmani internist, Behxhet Murtezi ekonomist, Agron Leka internist, Ramadan Halimi-ish drejtor etj.

Virusi NCoV “mund të bartet nga njeriu në njeri”


Ndihmës sekretari i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Keji Fukuda, ka thënë se ka gjithnjë e më tepër dëshmi se virusi i zbuluar tash së fundit, që i përngjet atij SARS, mund të transmetohet nga njeriu në njeri.

Këto komente ai i bëri sot gjatë udhëtimit në Rijad të Arabisë Saudite.

Në Arabinë Saudite dhe në Evropë 18 njerëz kanë humbur jetën nga koronavirusi.

Fukuda ka thënë se fakti se rastet po paraqiten në grupime në shumë vende, e përforcon hipotezën e transmetimit prej njeriut në njeri.

Autoritetet në Francë sot e kanë konfirmuar rastin e dytë të koronavirusit. Ky infeksion është identifikuar te një pacient, i cili ishte në të njejtën dhomë me të vetmin pacient me koronavirus në Francë. Pacienti i parë, një mashkull 65 vjeçar, është sëmurë pas kthimit nga udhëtimi në Dubai.

Deri tash, 35 raste të kësaj sëmundjeje janë konfirmuar në gjithë botën.

































Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se është e mundur që virusi i llojit të ri, NCoV, të transmetohet në mesin e njerëzve me kontakte të afërta.

Paralajmërimi vjen pasi Ministria franceze e Shëndetësisë ka konfirmuar një rast të dytë me këtë virus.

Në Arabinë Saudite janë raportuar dy njerëz të vdekur nga ai.NCoV shkakton pneumoninë dhe nganjëherë dështimin e veshkave.Zyrtarë të OBSh-së kanë shprehur shqetësimin për potencialin e virusit që të shpërndahet.

Sipas të dhënave të OBSh-së, qysh në vitin 2012, kanë qenë 33 raste të konfirmuara në Evropë dhe në Lindjen e Mesme. Nga to, 18 kanë vdekur.


Ekspertët botërorë të shëndetësisë kanë shfaqur shqetësim për virusin e ri, nga i cili tashmë kanë vdekur 18 njerëz, në Gadishullin e Gjirit dhe është përhapur në Francë, Britani dhe Gjermani.

I ashtuquajturi koronavirus është i afërt me virusin SARS, nga i cili në vitin 2003, kanë humbur jetën afro 775 vetë.

Tashmë po bëhet një dekadë kur sëmundja SARS, që do të thotë Sindromi akut i rëndë respirator, u përhap nëpër Azi dhe më gjerë, duke i vrarë qindra njerëz dhe duke i ngritur shqetësimet për pandemi globale.

Tash, zyrtarët shëndetësorë janë shprehur të alarmuar për një virus të ngjashëm, i quajtur koronavirus, që është paraqitur në Gadishullin Arab, vjeshtën e kaluar.

Gregory Hartl, është ekspert i sëmundjeve epidemike në organizatën Botërore të Shëndetësisë në Gjenevë.

Lidhur me këtë virus, ai thotë:

“Virusi është nga e njëjta familje si të dy virusët, ai i të ftohtit dhe SARS-i. Ky virus dallon pak nga të dy të përmendurit. Për momentin duket se është më pak i transmetueshëm se SARS-i dhe më pak i transmetueshëm se virusi i të ftohtit, por qartazi është më vdekjeprurës se të dy ata”, thotë Hartl.

Rastet e deritashme të kornavirusit janë më pak, vetëm 34 raste në Katar, Arabinë Saudite, Jordani, Pakistan, Britani, Gjermani dhe Francë.

Por virusi, që mund të shkaktojë simptome sikur pneumonia e rëndë dhe dëme në veshkë dhe organe të tjera, i ka vrarë më se gjysmën e të infektuarve, pra është më vdekjeprurës se SARS-i, nga i cili kanë vdekur afërsisht 10% të të sëmurëve.

Burimi i virusit është ende i panjohur, megjithëqë besohet se origjinën e ka në shtazë, me gjasë në lakuriqët e natës, qengja dhe deve.

Por, zyrtarët shëndetësorë thonë se koronavirusi, sikur SARS-i, po ashtu, duket se është i aftë për transmetim nga njeriu në njeri, në mënyrë që infektimi të përhapet më lehtë.

Shqetësimet lidhur me transmetimin prej njeriut në njeri, janë theksuar këtë fundjavë, kur zyrtarët në Francë e konfirmuan se një pacient i spitalit e ka marrë virusin pasi ishte në të njëjtën dhomë me njeriun, që ishte sëmurë pas një udhëtimi në Dubati, dhe më vonë u diagnostikua me koronavirus.


I ndjeri Ismail Kadare, ose shkrimtari që i zgjati jetën regjimit komunist

Kërko brenda në imazh Nga Flori Bruqi Ismail Kadare (28 janar 1936 - 1 korrik 2024) ishte akademik, politikan, ish-deputet i Kuvendit Popull...