Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/06/02

VEPRA LETRARE – KUJTIM I PAHARRUAR I FYTYRËS POLIEDRIKE TË SHKRIMTARIT MARTIR




Duke rilexuar vëllimin “Vepra Letrare” të Jusuf Gërvallës, botim i Shtëpisë Botuese “Ora” të Prishtinës.

Botimet si ky i vëllimit të veprës letrare të Jusuf Gërvallës nga Shtëpia Botuese “Ora” e Prishtinës e botuar më 1992 (me rastin e dhjetëvjetorit të rënjes së J.G.), janë shenj nderimi e respekti ndaj figurës poliedrike të Jusuf Gërvallës, ngase para lexuesve nxorri portretin letrar më komplet (deri më tash), duke botuar kështu në një vëllim të gjitha veprat e tij letrare. Botimi i kësaj krijimtarie për lexuesin shqiptar është një sihariq i rrallë dhe i çmuar, ngase për të, pra për krijuesin e artistin J.Gërvalla, gjithnjë mund të flitet e shkruhet në bazë të atyre veprave që na i la si të përfunduara, por edhe në bazë të veprave të nisura e të cilat s’arriti t’i përfundonte. Ky botim na jep të kulluar krijimtarinë letrare të Jusuf Gërvallës të mbarshtruara duke pasur për bazë kriterin e vitit të botimit të veprave të tij.

Në këtë vëllim janë përfshirë të gjitha veprat letrare të këtij autori të botuara si vëllime të veçanta qoftë për të gjallë të tij (përmbledhjet e tij me poezi: “Fluturojnë e bien” 1975, “Kanjushë e verdhë”, 1978 dhe “Shenjat e shenjta”), qoftë pas vdekjes së tij (Romani “Rrotull”, 1983 dhe drama “Procesi” 1984).

Kështu duke marrë në dorë këtë botim (“Vepra letrare e Jusuf Gërvallës”) lexuesi do të komunikojë më lehtë me Jusufin si poet të një shprehje të veçantë e spontane, të lidhur ngusht me ambientin e vendlindjes (që e karakterizon një sëre poezive të vëllimit “Flutrojnë e bien”). Këtu do të gjejmë poetin e vetmuar, të ngjyer me ndjenjat e mallit dhe të vetmisë e (kryesisht në brumin poetik të vëllimit “Kanjushë e verdhë”). Poashtu lexuesi këtu do të gjejë poetin e pikëlluar i cili përmes idesë së vetmisë njerëzore e zbërthen faqen tragjikomike të jetës (kryesisht në poezitë e përmbledhjes “Shenjat e shenjta”).

Në këtë botim lexuesi do të komunikojë edhe me romansierin, i cili me një gjuhë të pastër e të rindërtuar mbi shprehjen ambientale rrëfen dhe vetërrëfehet. Kemi pra këtu atë rrëfimin rrotull ose thënë ndryshe rrëfimin figurativ. Romani “Rrotull” i Jusuf Gërvallës është një roman i personazhit, në këtë rast konkretisht, i personazhit Ketë, Ketë Avdisë. Ky personazh ka të lidhura rreth vetes fijet e linjat ngjyrëshumta të të gjitha të ndodhurave në një tërësi fabulore. Ngjarja e romanit shtrihet, apo zë fill që nga lindja e Ketës dhe mbaron me aktin e martesës së tij.

Përveç nga ky aspekt romani “Rrotull”, mund të konsiderohet dhe të studiohet edhe nga një aspekt tjetër – si roman i ambientit. Pikërisht katundi Vijujë (emër i figuruar) është ai ambienti romansor me të cilin ngushtë lidhen edhe artikulohen të gjitha veprimet, pasojat, dhembjet, ëndërrat, synimet, imagjinata e njerëzve të këtij ambienti e që janë ndërtues të fabulës së romanit “Rrotull”, ku autori tenton të hyjë thellë në botën e njeriut të një realiteti të caktuar duke prekur kështu plagë të ndjeshme të tij, siç janë mentaliteti prapanik, varfëria, kurbeti, etj. Karakteristika këto të njohura për njeriun e këtij ambienti, apo plagë plagë të njeriut të këtushëm që kullojnë vazhdimisht. Pra, siç do të shprehej edhe kritiku e studiuesi Sabri Hamiti: “Fuqia dhe vlera letrare e romanit “Rrotull” të Jusuf Gërvallës qëndron në fjalën, në domthënien dhe orkestrimin e saj në tërësinë e tekstit”.

Siç shihet, Jusuf Gërvalla individualitetin e tij krijues e bëri në lëmin e poezisë, por ai nisi t’i kushtohej edhe prozës dhe dramës. Por, hapat e parë drejt krijimit të individualitetit të tij në këto dy gjini letrare u ndërprenë tragjikisht. Ai na la një roman të përfunduar (që na jep të kuptojmë se kishim të bënim me një prozator shumë serioz) dhe një dramë që siç shihet është hap i parë i tij në këtë fushë. Pra, drama “Procesi”, edhe pse e shkruar e fundit nga kjo penë estetikisht nuk është e nivelit të veprave të tjera. Drama “Procesi”, që trajton një proces gjyqësor në Prishtinë të shpifur kundër veprimtarëve kombëtarë të cilët të prirur nga ideali i lirisë nuk dorëzohen në asnjë mënyrë para shtypësve. Drama jo vetëm që shpreh qëndresën e të burgosurve, të cilët para gjuqit e zhveshin maskën e pushtuesit, por në anën tjetër është një dëshmi tronditëse e një kohe të vështirë e shqiptarëve të Kosovës dhe luftës së tyre për çlirim.

Vëllimi “Vepra letrare e Jusuf Gërvallës”, shoqërohet edhe nga një parathënje të thukët studimore e shkruar nga pena e kritikut tonë letrar, sot njëri nga më të mirët në fushën e kritikës në letërsinë shqipe, Sabri Hamiti, i cili lexuesit ia zbërthen vlerat ideo – artistike e estetike të veprës së J.Gërvallës në përgjithësi. Një studim i tillë gjithësesi është shumë i rëndësishëm për një botim si ky. Ky botim shoqërohet edhe me shënime autobiografike, me një shënim të shkurtër për këtë botim dhe me një fjalë përkujtuese të Skënder Blakajt me rastin e dhjetvjetorit të vdekjes së J.Gërvallës dhe me rastin e këtij botimi, për të cilin ai shprehet kështu: “Botimet si ky çojnë në takim të sërishëm me Jusufin tonë”.

Duke shfletuar e rilexuar këtë botim të çmuar, shpresojmë se në të ardhmen, në një të ardhme të afërt, në një botim të këtillë do t’i kemi edhe poezitë e Jusufit që kanë mbetur jashtë veprave të tij të botuara, pastaj tekstet e këngëve që ai i këndonte me kitarë, prozat e pabotuara të shkruara gjatë viteve shtatëdhjetë dhe artikujt e tij të shumtë për artin muzikor e atë letrar.

FLETË TESTAMENTI

në zgjimin tim të heshtur të më ngurosin
në flijimin tim të begatshëm të verës
në nisjen time në fillimin tim të ri
në gjumë shekujsh me ndërrime të më zgjojnë
le të më puthë rrezja e qartë ngazëllyese
e druvarit të fjetur në rudinë
myshku le të jetë gjithmonë i blertë mbi gurë
emër të mos ketë e shkronja le të flasë
në gjuhën e vjetër të kafshës së zezë
guaca e kërminj le të vijnë për dasmë
mbi rrasën time
le të shtrihen edhe ata si dy yje
ftohtë le të bëjë verës e verës verë
e me një pikë ujë verdhësisë së barit tim
le t’i mëshirohen
vërmeni atje tek do të tregojë guri për udhën
deri te shtëpia ime bërë me dru e kashtë

le të thyhet çdo pasqyrë që ka ballsamosur
ballin tim e mërrolën e çastit plot mllef
se ja tek po zgjohet er’ e re e dashurisë së tokës
se jam i parrezikshëm kaq i pafuqishëm
mumje përfytyrim që krahasohet me rrahun
tek do të më vini përsëri ju pas
le të më lënë të fle qetë si pranë stufe
dimrit të madh të dashurisë sime
nuk do të përpëlitem s’do të rrotullohem
s’do të shplohem natën nuk do të kollitem
me fjalët e mia le të më mallkojnë
në rrasën time atë rrasë të zezë të ftohtë
në duart që i kam prekur le të më lëshojnë
rrjedhës të qetë të fatit që pret
shigjet’ e mërisë le të bjerë mbi dhe
në shkretëtirën e moskuptimit le të fiket
kurrë të mos vijnë kur unë nuk i pres
ata që tërë jetën i prita, të dashurit

ç’po flas kështu pash zotin?

NJERIU I ZI

Jam i sigurtë, kurrë s’do të bëj vetëvrasje
Kaq i hekurosur, i mirëfilltë, si arsyeja
E kam vrarë orën e murit me armën e nxehtë
Dhe kam ikur prej librit të përhitur që më shëmton
Me bukurinë e tij

Vdekja s’është dobi as moshë as lindje e re

Drurin e vjetër të tavolinës, shtizën, patericën
Boshtin e lavjerësin, rrapicën e bronztë, lëkenë
Nurin e derdhur si pluhur mbi dritare në mesnatë
Strallin e pikëlat e vesës që shpërthejnë
Me rrezen e parë të dritës në agun vjeshtor -

Vdekja nuk i ka

LUFTA DHE ARTI

Tutje gjithnjë akull
Këndej gjithnjë zjarr
Unë jam syri i Aladinit
E shoh veten si digjem
në betejën e tmerrshme
të fjalës
e të mendimit

Me shenjtëri të mallkuar
me përfytyrimin e qartë
e krijoj
Në mua shushurijnë dete
të qena
në ëndërr

S’po flas kotnasikot
Mund t’i merrni fjalët e mia
e të niseni nëpër botë
Unë s’kam guxim
Kuptoj se pa dritën e tyre
Nuk do ta di rrugën nëpër dritë
Janë krijuar prej frenimesh
prej kthesash theqafjesh
dhiaresh të shenjta
zigzage

Unë nuk i shoh yjet
pështjellë në terr
Gjithësia e ftohtë
nuk e ka gji diellin
Sikur të mos e ftohte
ana e errët e planetit

QENIE,VARR AS FRYMË


një shishe hermetike
grykëngushtë
lëfytgjatë
në murin prej argjile
në detin e ëmbël
në lëkurën me pore drite
në ballsam të largët egjipti
një një të miliontin yll
në çdo kristal
në çdo gur të çmuar

bima mugullon në terrin e tokës
në qullin e baltës
qenie, varr as frymë
sy i zbrazët
nga gjithë bukuria mbeti vetëm kjo
e prekshme e flakët dhe e pakuptueshme

seç po lebetitem po më dridhet buza
zëri im i djeshëm se ku u bë
amshim i zbrazët
si syri që më sodit me plotëninë e trilluar
i ndritshëm e i thatë si mermer i zi
dashuria e të çmendurit nga frika
mes të gjithëfuqishëmve
një gogol druri mbuluar me të tharat e vjeshtës
një leckë e një enë e ndryshkur
ca pulla sedefi

në shesh i nxora gjithë rekuizitat e parajsës
e syri i zbrazët në roje sodiste
dhe përgjonte pamundësinë time të mundshme

FLATRAT E DETIT TË HUMBUR

Qepallat e gjata, hijet e syve dhe lagështia
Lumi i bardhë, trup i thyer leckë
Ec e ec e këmbët më sharrojnë në lym
Jam larg tokës
E qielli im i lartë s’më mban

Të mos isha det i humbur, do të kisha flatra

LIBRI I SHEJTË

shpuzë e errët matanë qelqeve që avullojnë
mesnatës së ngjyer me tëmbëlin e detit
në oborr po fshihej një hije dhe qerrja e drunjtë
kuajt sonte askund s’do të marrin udhë
në mur ndrit dhe pipërrin kandili
e në letër mes dy vijash të zeza si përherë
druri i vetmuar më tutje ca hithër
ia djegin këmbët fëmijës që ëndërron
drita e praruar gjerdan me guaca
hën’ e verdhë atje lart në tavan – dhe teja
tok me djepin e vjetër që s’përkundet – e ha
nuk shihet atje rrëzë gardhi një vogëlush
që shiu i tetorit e qull ngadalë
në vatër u dogjën urët – s’ka mbetur më prush
frika nga trupi im në shtrat po më fton

mbi tryezë ora e vogël rrah e s’pushon

PLUHUR E NGJYRË

Sytë e tu qiell çerdhe e lumë i pakapërcyeshëm
ndërsa jam përgjumur përmbi tavolinë
im vëlla dhe fëmijëria ime pemën e kanë vjelë
kanë korrur kallinj
ime ëmë ka zier ftonj
shelgjet kanë vajtuar
si poeti sentimental në vjeshtë
- po asgjë s’është zverdhur.

Duart e tua pushim diçka si ujë zgjojnë
ndërsa kam ecur shtegut rrëzë mali krejt vetëm
në njërin krah shkurre zogjsh
në tjetrin gështenjat
dhe gjarpërinj.
Im vëlla të ka dashur të ka marrë dhe tash nuk je
as ti as ai s’jeni dridhmë plot fletë
nga fluturimi yt tash vetëm ngjyrë
dhe pluhur ka mbet’.

Tash po vij
fëmijë që buzëqesh mbi krahun e nënës kur pret
para shitores qumështin – tash po vij i pikëlluar
në shportën time pemë e fletë
dhe shije gjumi.
Kur të zgjohem do të iki
tash po vij në prehrin tënd, mëmë
tokë e zezë e lapidar, bajame e verdhë.
Dashuri e paluar si arni në arkë
oh s’mund ta them
as ta rrëmbej.
Tash po vij
por di se në ngjyrën e pelhurës vetëm pluhur
mbi buzëgazin tënd të shtrenjtë.

NGA MEMOARET E NJË SHITËSI

kur u ktheva nën pullazin tim mbuluar me kashtë
nën qepallat e lodhjes e të kohës botën
e në botë s’kish tjetër pos shkëlqim ari e qelqi
mbi rrashta e penda të larta zogj alumini
kish edhe uri edhe poetë edhe ujëvare në botë
kish njerëz prej druri e kafshë të buta kudo
kish edhe hieroglife dy fjalë dhe gjurmë që s’fshihen
kish lumenj të egër e fosile të lashta
mes muresh të trasha fshesa dhe minj.


SKENA NGA JETA E FSHATIT

dritarja e avulluar semaveri i çajit edhe vjeshtë
i tillë i lirë rrethuar me sendet që vjetërohen
përmbi rafte ftonj një plakë si pikturë
a nuk qenka vallë krejt zjarri një trillim
bien gjethet e në kopsht femra kotet në luhajë
me goditje të rënda imagjinate me një botë prej letre
tek gjej ngushëllim mes sendesh që s’janë më
atje diku në botën time atje diku larg
eja përsëri netve të vona si hije që sajon
pak frymë njeriu e pak dritë qiriri.

http://rugovapress.blog.com/page/32/

Të gjitha veprat e mija kanë si lajtmotiv çështjen shqiptare.


Nga Raimonda MOISIU


Flet shkrimtari,poeti dhe publicisti Flori Bruqi:



Flori Bruqi lindi më 29 qershor të vitit 1952 në Isniq të Deçanit,Republika e Kosovës. Studimet e Defektologjisë i kreu në Universitetin e Beogradit, ndërsa ato postdiplomike (Magjistraturë) në Universitetin e Prishtinës – në Fakultetin e Kulturës Fizike dhe Sportit (2004)Është kandidat potencial për Doktoraturë nga Fiziologjia kineziologjike në Universitetin e Prishtinës(2013). Bashkëpunon me shtypin e përditshëm e periodik të vendit dhe të jashtëm që nga viti 1974 e në vazhdi. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës (2000).Është menaxher i kompanisë “Flomed” nga Prishtina dhe menaxher gjeneral për Kosovë në distribucion të preparateve farmaceutike të “Schulke-Mayr-”it të Gjermanisë dhe “Borer Chemie AG“ të Zvicres.




Biografia krijuese e shkrimtarit,poetit e publicistit Flori Bruqi: ka botuar mbi 30 libra 21 fejtone publicistiko-shkencorë në gazetën “Rilindja” të Prishtinës, në përiudhën 1974-1982., si dhe mijra punime shkencore në gazeta,revista shkencore si dhe në shumë web faqe interneti (2003-2013).Shkrimtari Flori Bruqi është nga miqtë e kolegët e mij më të nderuar, respektuar dhe të mirë, prej më shumë se një dekadë. Me Florin përvec bashkëpunimit krijues, kam pasur fatin të kemi qenë në disa Festivale Poetike në Kosovë. Qershorin e viti të kaluar ishim në Festivalin Drini Poetik, Prizren e cila më dha mundësinë që unë, ta intervistoja këtë shkrimtar poet e publicist të talentuar e mirënjohur që dashuria për atdheun, cështjen kombëtare, arrtin dhe letërsinë e signifikojnë shumë produktiv e dashamirës.Për më shumë lexoni intervistën.


Bisedoi:Raimonda MOISIU

-Kam shfletuar dhe lexuar me interes të veçantë biografinë e aktivitetit tuaj krijues.
Sinqerisht jam ngazëllyer nga mjeshtëria e kulturës profesionale që ju lëvroni në zhanre të ndryshme. Cila ka qënë eksperienca juaj e parë me poezi, prozë, publicistikë, përkthim, esse, monografi….apo….?

Po nga viti 1973 datojnë publikimet e mija letrare në shtypin e kohës.Mbase këto fillime kanë qenë të suksesshme.duke fituar edhe çmime letrare në konkurset e ndryshme letrare atëbotë,por do të thosha se në publicistikë dhe eseistikë u mora nga viti 1974 e deri me 1980,duke publikuar 21 fejtone në gazetën e atëhershme të përditshme “Rilindja”,pra shkrime dhe tema të kësaj natyre.Atëbotë një përkrahje morale dhe nxitje për t’u thelluar më tutje hullive të këtyre fushave të shkrimtarisë,kisha nga Jusuf Gërvalla,Sedat Dida,Vehap Shita,Ymer Shkreli etj.Më vonë disa “smirëzinjve” ju “pengonte” suksesi im publicistik i theksuar,më tepër te gazetaria investigative,ku kam qenë më i guximshëm dhe më i ndërtuar,pra shkrimet e mia u pengonin edhe disa sejmenëve të devotshëm të komunizmit jugosllavë, të cilët ishin poltronë të atij sistemi, duket edhe kujdestarë për ta stigmatizuar fjalën dhe shprehjen e lirë, të cilët bukur shumë herë intervenonin për “embargot” publicstike ndaj meje dhe shkrimeve të mia.Për ta argumentuar këtë,kësaj i shkon më së miri një thënie e shkrimtarit tonë të mirënjohur, Ramiz Kelmendit se, “shqiptari të fal gjithçka, por jo dhe suksesin!”.


-Do të thotë se ju keni nisur aktivitetin krijues që në moshë të re. Kjo duhet të ketë qënë me të vërtetë emocionuese dhe inkurajuese. Çfarë mendoni se ju ka frymëzuar për të shkruar?

Libri im i parë i botuar doli në vitin 1995,dhe është ai me poezi “Zjarri i diellit”.Pas këtij libri poetik vjen i botuar romani “Vrasja e liridonëve”, me 1996, e që u kushtohet tri personaliteteve të kombëtarizmës:Jusuf Gërvallës,Kadri Zekës,Bardhosh Gërvallës, të vrarë me 1982 në UNtergrupenbach të Gjermanisë nga sigurimi i atëhershëm jugosllav, sepse ata ishin veprimtarë të kauzës sonë kombëtare.Më vonë,në këtë vazhdë të botimive pasojnë veprat tjera,pra romanet si:”Dorëzeza”, “Gjarprinjtë e pallatit”, “Tokë e djegur”,”Pallati i Akeronit” dhe vepra tjera poetike dhe publicistike dhe të zhanreve të ndryshme. Të gjitha veprat e mia kanë si lajtmotiv çështjen shqiptare si dhe çlirimin definitive nga cerberët e Serbisë,por të shtjelluara në temën romanciere. E them tash,pas kaq vjetëve se, sinqerisht jam dhe i kënaqur për shkak të vlerësimeve nga kritika letrare e kohës, ngase këto vepra janë vlerësuar dhe cilësuar për tematikën dhe për nivelin artistik të tyre, janë vlerësuar sigurisht nga profesionistët e kësaj fushe.Mbase këto vlerësime janë të botuara dhe në shtypin e kohës dhe përmbajnë gjithmonë të vërtetën e thënë mbi vlerat e këtyre veprave,pa kozmetikë pa elozhe,por të vlerësuara saktësisht dhe objektivisht.


- Si keni arritur ju të procedoni “në udhëtimin tuaj krijues ”, të jeni kaq kreativ, ku ka një shtrirje të gjerë të kombinimit të fakteve historike, kujtesës, miteve, marrëdhënieve ndëretnike, kombëtare, evropiane, veçmas asaj ballkanike, që perceptojnë vlerën e madhe të edukimit kuptimplotë të vetëdijes njerëzore, në marrëdhënie me të shkuarën, të tashmen e të ardhmen. A mund të na jepni disa mendime rreth tyre?

Duke u bazuar në historinë e bujshme shqiptare dhe duke i njohur rrjedhat tona historike dhe të popujve tjerë përrreth nesh,në shumë vepra të mia janë shtjelluar faktet historike,etnike,antropologjike,kulturore etj,si dhe raportet në mes të këtyre popujve dhe historisë së tyre.Nga kjo del dhe vërtetohet lashtësia jonë dhe prejardhja në hapësirat ballkanike, që në shumë nga këto vepra të mia kjo temë zë vend qëndror dhe është shtjelluar nga shumë aspekte.
OLIMPI SHQIPTAR liber nga Flori BRUQI
-Zoti Flori Bruqi keni shkruar qindra artikuj shkencorë dhe studimorë, për historinë ballkanike e botërore, të botuar në organe shtypi në Shqipëri, Kosovë agjensioni Floart press, e gjetiu. Mund të na tregoni diçka në lidhje me strategjinë tuaj për këto vepra, dhe a ka ndonjë gjë tërheqëse që ju shprehni nëpërmjet tyre apo ka diçka tjetër më tej se kjo…?

Puna publicistiko-shkencore edhe përkundër vështirësive të saj,ka arritur të më stimulojë në thellimin e këtyre studimeve,duke shfrytëzuar burimet arkivore në vend dhe jashtë tij.Qëllimi im i gjithmonshëm ka qenë që ta nxjerrë të vërtetën për tematikën në fjalë,prandaj edhe këto tema të këtyre zhanreve janë mbetur një kontribut imi mbase po shprehem “modest”,duke dashur që ta vlerësojnë të tjerët në të ardhmen.Ndërsa sa i përket agjencionit “Floart press”, mund të them lirisht se është një ndër gazetat elektronike ndër më të lexuarat,më e hapura dhe më e debatuara,më e pavarura në trevat shqiptare.Aty ka shkrime të duarta nga shkrimtarët e afirmuar dhe ata fillestarë pa dallime. Agjensioni “Floart Press” ka rreth 200 bashkëpunëtorë anë e kënd globit,ku me shkrimet e tyre kontribuan që të ketë sa më shumë lexues.Këtë e vërtetojnë rreth 1.200’000 klikime …


… që do të thotë se shënimet tuaja nënkuptojnë bashkëpunimin tuaj të ngushtë me një sërë burime dhe arkiva të ndryshme, si brenda dhe jashtë Shqipërisë, Kosovës , veçmas në Ballkan. A keni hasur në vështirësi nga këndvështrimi i një protagonisti në gjetjen e tyre?

Nuk them se nuk ka pasur vështirësi, sepse është në natyrën e punës,por ato i kam kapërcyer gjithmonë,ngase në rend të parë si synim parësor njeriu ka qëllimin e arritjes së rezultateve në akëcilën fushë, në rend të parë me interes për opinionin.Tek unë kjo ka qen cytje dhe më ka motivuar që të mos ndalem pavarësisht se sa dikujt kjo dhe mund t’i ketë “penguar”.

-Duke pasur parasysh faktin se ju jeni të njohur në nivel kombëtar e ballkanik, dhe këtë e tregon kontributi tuaj, përveç sa përmendëm më sipër, keni vëllime poetike , në prozë reportazhe, përshkrime, artikuj kritikë dhe ese etj.

Mund të them se leximi i veprave të bënë të njohur dhe pikërisht këto kontribute të miat letrare, publicistike, mbase ma kanë krijuar emrin tek opinioni ynë lexues, kjo tregon për suksesin e veprës sime letrare dhe asaj publicistike.S’do të shtoja më shumë por them se jam respketues ndaj lexuesve të mi.Secili nga lexuesit e veprave të mia,qofshin ato poetike,romanet apo publicistike dhe të tjera,kudo qoftë ata,u jam mirënjohës, i vlerësoj dhe e çmoj vlerësimin e tyre.


-Me sa di unë keni shkruar shumë lirika dashurie. Çfarë ju ka shtyrë të shkruani poezi të tilla? Ç’është dashuria për ju ? Kur një burrë e ndjen se është i dashuruar dhe cili është sekreti që fuqishëm ka influencuar në poezinë tuaj?

Kam shumë miq shkrimtarë e shkencëtarë nga Shqipëria e Kosova.Disa edhe nuk janë në mesin tonë si Mehmet Kajtazi,Iljaz Prokshi,Rifat Kukaj, etj e që me siguri se kanë pasur ndikimet e e tyre pozitive në krijimtarinë time letrare,poetike e publicistike…Ndër të gjallët do të veçoja Akademik Prof.Dr.Fatmir Terziun, Akademik Namik Shehun,prof.Dr.Eshref Ymerin,prof Naim Kelmendin,Vullnet Maton,Raimonda Moisiun,Faik Xhanin,Kolec Traboinin,Vasil Qesarin, Përparim Hysin,Prof.dr.Shyqri Galicën,Rushit Ramabajën etj.




-Cilat janë disa nga idetë apo temat që ju shtjelloni në poezitë tuaja? A janë ato autobiografike? Cfarë është idealja përreth poetëve në mënyrë që të dalin poezi të arrira?

Të gjithë përsonazhet, qoftë në poezi apo në prozë,romane etj,janë personazhe reale të kohës dhe hapësirës sonë etnike.Vlenë të veçoj se në të tre romanet e mija,sikur janë “Dorëzeza”, “Pallati i Akeronit” dhe “Pallati i gjaraprinjve”,personazhet janë realë, por të shkruar me emra artistik.Figurativisht ata janë në mesin tonë. Një numër personazhesh edhe janë gazetarë,shkrimtarë,politikanë dhe luftëtarë të tri luftërave çlirimtare,ata janë të prekshëm. Romanet e mia kanë stigmatizuar dukuritë negative në shoqëri si dhe bartësit e tyre në kohën e monizmit. Pothuaj të gjitha romanet e mi kanë bazë të mirë edhe për t’u bërë skenar filmash, dramatizime etj, ndoshta dhe mund të bëhen në një të ardhme,sepse tematika e këtyre veprave del nga jeta jonë nga ambienti ynë nga koha jonë e jetuar si shoqëri dhe si individ,por e cila kohë ka lënë gjurmet e veta, jo vetëm historike, por edhe psikologjike në njeriun e këtij nënqielli,gjithmonë i tragjizuar nga pushtuesit, në përkjejet e tij për liri dhe pavarësi kombëtare.

-Nga poet në prozator, studues, publicist, kritik letrar dhe esseist?A i shihni këto zhanre si sfidë?
Jo,përkundrazi do të thosha se e përplotësojnë njëra-tjetrën. Në rrugën time krijuese këto mbase e kanë pasuruar krijimtarinë duke e theksuar poashtu gamën e preokupimeve të mija krijuese.Qenësorja është që të gjitha këto zhanre të krijimtarisë sime kanë ecur sukseshëm.

-Cila është sfida për të shkruar një tregim apo roman? Zhanrin e tregimit dhe romanit e “bëtë ju të vinte te ju”, apo është preferenca tuaj?

Dihet se krijimi i romanit nuk është sikur p.sh është krijimi i poezisë dhe në të kundërtën.Romani merr më shumë kohë dhe ka ligjësitë e veta të krijimit,por unë them se në të shumtën unë preferoj romanin si zhanër dhe e kam shkruar.Puna ka dalur e suksesshme ngase kanë shkruar pozitivisht për këto romane.
-Ju i paraqesni personazhet tuaj nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën, apo anasjelltas?
Personazhet e romaneve të mija janë nga jeta reale, ngase ata janë njerëz, por që në krijimtarinë artistike ata marrin emra artistikë apo të imagjinuar,duke dashur që të mos “zbulohen”, sepse tashmë janë emra fiktivë letrar dhe jo realë, por të bëmat e tyre janë reale dhe kanë ndodhur në realitetin tonë në një kohë dhe në një hapësirë. Kjo mendoj se e ka pasuruar lëndën e romaneve të mija dhe mbase ato mbajën vulën e disa ngjarjeve me domethënie për një kohë të jetuar. Besoj se lexuesi do ta gjykojë këtë kur t’i ketë lexuar.


-Një nga gjërat që kam vënë re në librat dhe shkrimet tuaja reportazh është përshkrimi i vendeve, natyrës dhe pozicionit gjeografik të tyre. Pra, sa e rëndësishme është kjo në krijimtarinë tuaj?

Kuptohet se përshkrimet që juve keni gjetur në veprat që potenconi,përbëjnë si të thuash një bazament të ngjarjeve të shtjelluara në ato shkrime.Përshkrimet e kësaj natyre pasurojnë rrëfimin dhe krijojnë një imazh më të saktësuar për lexuesin.Ato,pra përshkrime e natyrës,vendeve, etj, i japin jetë dhe e dinamizojnë rrëfimin apo shkrimin e një vepre.

-Sa kohë keni që shkruani ? Çfarë iu ka tërhequr në artin e të shkruarit? Cila është eksperienca më e mirë që keni përjetuar kur shkruani? Po më zhgënjyesja? Cilat janë emocionet tuaj, kur shkruani?

Mund të them se secila vepër shkruhet me emocion,pavarësisht se krijuesi që në fillimet e shkrimit të një vepre letrare,të një tregimi,të një poezie etj, i vë si të themi ato spirancat e krijimit të ngjarjes,apo të pikave ideore kah do të ecën ngjarja. Është e vërtetë se kam ndjerë në të shumtën emocionin e një magjie që të jep shkrimi kur krijon.Ndjenjën e zhgënjimit nuk e kam përjetuar, jo për tjetër, por mbase kur krijuesi krijon veprën ai ka një qëllim parësor që e shtynë atë ta krijojë atë vepër.Unë ndjehem mirë me atë që kam arritur ta krijojë dhe tua transmetojë lexuesve.

- Ju keni një karrierë gjithashtu në publicistikë. Me këtë dëshiroj të di, se si ju harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj në librat, essetë dhe artikujt publicistikë?

Nuk do të ndalesha tek momentet,por në tërësinë e veprës së krijuar janë mbarsur temat e shtjelluara,ato në publicistikë janë të kohës sonë, të hapësirës sonë, të mendësisë sonë, dhe të psikologjisë sonë jetësore.Ka dhe tema nga historia,mbase për t’i ndriquar disa aspekte ngjarjesh apo personalitetesh etj,që janë e gjurmës sonë si komb në kohë, në data, në ngjarje të mëdha apo të vogla qofshin ato.Ato sikur më grishin kujtesën për t’i shtjelluar ngarendas në shkrimet e këtij zhanri të shkrimtarisë.

-Si ka ardhur ndryshimi juaj më herët, nga poet, prozator në suksesin tuaj si publicist?

Thënë të drejtën veten e shoh më të sendërtuar në zhanrin e romanit. Sikur më ka dhënë më shumë mundësi të të shprehurit,të të rrëfyerit,por gjithmonë me nivelin e gjuhës artistike të rrëfimit. Ndoshta, them sipas përshtypjes sime, jo larg këtij suksesi qëndron edhe poezia dhe publicistika.

-Si ndjeheni kur jepni intervista?

Them sinqerisht fare mirë sepse intervista është dhe një rast tjëtër i komunikimit më lexuesin,mbase nxjerrë për lexuesin në të shumtën dhe aspekte tjera, të panjohura ato që i interesojnë lexuesit për akëcilin person krijues.

-Mesazhi juaj për inteligjencën shqiptare,kosovare dhe talentet e reja.

Më e rëndësishmja është vlerësimi i drejtë i vlerave krijuese të kudoqoftë dhe vlerësimi i sinqertë i punës së njëri tjetrit kudo në hapësirën shqiptare dhe pastaj njohja e këtyre vlerave edhe nga jashtë.Ne kemi çka t’i prezentojmë edhe botës nga vlerat tona krijuese por duhet që ta kundrojmë drejtë vlerësn e secilit dhe pa grupe dhe paragjykime klanesh e interesash të ngushta.

-Çfarë dëshironi të shtoni….

Asgjë më shumë vetëm të ju falenderoj për misionin tuaj në prezentimin e vlerave artistike për lexuesin,suksese në punën tuaj..

Bisedoi: Raimonda MOISIU

http://www.slideshare.net/madopol/nese-kam-ditur-te-guxoj-liber-nga-flori-bruqi

http://www.slideshare.net/madopol/olimpi-shqiptar-liber-nga-flori-bruqi

http://www.slideshare.net/madopol/triumfi-shqiptar-liber-nga-flori-bruqi

http://www.slideshare.net/madopol/guximi-shqiptar-liber-nga-flori-bruqi

http://www.slideshare.net/madopol/polemika-shqip-liber-nga-flori-bruqi

Jo Shqipëria e Madhe, por Shqipëria Etnike do të rikrijohet dhe Rusia do të mbetet me gisht në gojë


Nga Prof Dr Eshref Ymeri

Ta marrë vesh mirë përfaqësuesi i shovinizmit rusomadh në Beograd, ambasadori Aleksandër Konuzin, se rrjedhën e zhvillimeve historike në jetën e kombit shqiptar, nuk e ndalon dot kush. Rusocarizmi i dikurshëm ka qenë arkitekti kryesor i copëtimit të trojeve etnike shqiptare, duke filluar që nga Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës dhe Traktati i fshehtë i Londrës për zhdukjen e Shqipërisë nga harta e Evropës. Trashëgimtarët e rusocarizmit, neocaristët e ditëve tona në Moskë, kërkojnë ta mbajnë më këmbë veprën kriminale që kryen kundër kombit shqiptar, kombit më të lashtë në kontinentin tonë. Ata u ranë kambanave të alarmit në të gjitha udhëkryqet e Evropës dhe të mbarë rruzullit tokësor se pavarësimi i Kosovës do të nxiste një reaksion zinxhir në mbarë botën. Kanë kaluar më shumë se katër vjet që kur Kosova u pavarësua, por deri tani nuk kemi vënë re kund nisjen e ndonjë reaksioni zinxhir, siç përrallisnin mendjellinjtë e Moskës. Ç’ka ky ambasadori Aleksandër Konuzin që Projektin e Shqipërisë së Madhe (në të vërtetë, Etnike) e vlerësuaka si “të rrezikshëm” për Evropën Juglindore? Sepse ai, si përfaqësues i thekur i shovinizmit rusomadh, kërkon të mbrojë me çdo kusht interesat sllavogreke, në dëm të interesave kombëtare të popullit shqiptar. Sllavogrekët kanë një shekull që janë majmur me pronat e kombit shqiptar, duke mbajtur të pushtuara trojet tona etnike, me përkrahjen e turpshme të shovinizmit rusomadh. Por Shqipëria Etnike do të rikrijohet dhe politika ruse, ashtu si deri tani, do të përjetojë dështimin e radhës në Evropën Juglindore. Dështimi i saj i turpshëm ndodhi me pavarësimin e Kosovës, kundër së cilës ajo nuk ka lënë dhe nuk po lë gur pa lëvizur.
Veprat e liga të shteteve të mëdha gjithmonë dështojnë me turp.
Po diplomacia shqiptare në Tiranë dhe në Prishtinë pse hesht për deklaratën e ambasadorit shovinist rus në Beograd? Nga kush ka frikë? Tani nuk jemi më në kohën e kriminelit Enver Hoxha, i cili, para opinionit ndërkombëtar, nuk pati kurrë guximin ta përmendte, të paktën një herë të vetme, çështjen e ribashkimit të trojeve tona etnike. Pse hesht Ali Ahmeti, ky servil i regjur i sllavizmit, për deklaratën arrogante të ambasadorit Konuzin?
Po pse heshtin për këtë deklaratë mjetet e informimit masiv në hapësirën mbarëshqiptare? Heshtin për faktin se ato janë mercenare të klasës politike shqiptare, e cila për çështjen kombëtare shqiptare, nuk ka lëvizur as edhe një grime nga mendësia enverhoxhiane.

Të arrestuarit janë ish komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë, ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt dhe pesë ish pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, Sahit Jashari, Jahir e Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli.


OVL e UÇK-së: EULEX po njollos vlerat e UÇK-së
Organizata e Veteraneve të Luftës së UÇK-së ka reaguar pas arrestimimeve të mbrëmshme të kryera nga misioni i EULEX-it. Këtë veprim ata e kanë quajtur të njëanshëm dhe aspak ligjor nga ana e EULEX-it, qëllimi i të cilit është njollosja e vlerave të UÇK-së.

“Arrestimi i mbrëmshëm i Sylejman Selimit, Sami Lushtakut, Sahit Jasharit, Jahir Demakut, Zeqir Demakut, Hysni Thaçit dhe Avni Zabelit, është edhe një hapë para në drejtim të njollosjes së vlerave të UÇK-së te luftës për liri dhe pavarësi të bërë në shekullin e kaluar”, thuhet në komunikatë.

OVL e UÇK-së u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës që të ngritin zërin dhe prokurorin Salustro ta shpallin person nongrata.
“Ka ardhur koha qe ata qe dëshirojnë te baltosin luftën tone te pastër, te ndalen me te gjitha mënyrat e mundshme, dhe institucionet e Kosovës te ngritin zërin dhe të kërkojë që këtij misioni ti ndërpritet mandati dhe prokurori Salustro të shpallet person nongrata”, thuhet më tej në komunikatë.

Sipas kësaj organizate EULEX është në Kosovë për të ruajtur paqen e jo për të ndihmuar shovinizmin serb të udhëhequr nga qeveria e Beogradit.
Derisa ka kaluar dita e dytë prej që paneli i gjyqtarëve të EULEX-it dhe atyre vendorë të vendosin që shtatë të arrestuarit e ish UÇK-së të njohur si “Grupi i Drenicës”, t’u ndryshohet masa e arrestit, nga ai shtëpiak në paraburgim për 30 ditë, misioni BE-së në Kosovë për sundim të ligjit, sqaron arsyet përse u ndryshua kjo masë.

Në një përgjigje zyrtare  EULEX-i konfirmon se; “arsyeja kryesore e ndryshimit të kësaj mase ka qenë rreziku i ndikimit të tyre (të të arrestuarve) mbi dëshmitarët”.

EULEX-i sqaron se një panel gjyqtarësh i përbërë nga vendorë e ndërkombëtarë të Gjykatës së Apelit në Prishtinë, ka ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë ndaj shtatë të arrestuarve, të dyshuar për krime të luftës kundër popullatës civile.

“Paneli ka pranuar ankesën e prokurorit special dhe ka refuzuar ankesën e mbrojtjes, duke vendosur masën e paraburgimit për shtatë të arrestuarit”, sqaron EULEX-i në përgjigjen zyrtare për agjencinë “Zhurnal”.

“Arsyeja kryesore e ndryshimit të kësaj mase ka qenë rreziku i ndikimit të tyre mbi dëshmitarët. Gjykata e Apelit konkludoi se duke marrë parasysh rrethanat specifike, vetëm paraburgimi mund të mjaftojë si mbrojtje kundër rreziqeve të manipulimit me prova”.
Jashtë EULEX-i nga Shqipëria e Veriut


Rasti është duke u hetuar nga prokurori special i EULEX-it nga zyra e Prokurorit Special të Kosovës.

Policia e Kosovës dhe ajo e EULEX-it kanë arrestuar të premten në mbrëmje shtatë ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të dyshuar për krime lufte.

Që nga 25 maji  2013 ata ndodheshin në arrest shtëpiak, ndërsa pas ankesës së prokurorit special të EULEX-it, Mauricio Salustro Gjykata e Apelit vendosi ta ndryshoi masën e arrestit shtëpiak me paraburgim.

Të arrestuarit janë ish komandanti i shtabit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimi, aktualisht ambasador i Kosovës në Tiranë, ish komandanti i Zonës Operative të Drenicës, Sami Lushtaku, kryetar i Skenderajt dhe pesë ish pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, Sahit Jashari, Jahir e Zeqir Demaku, Hysni Thaçi dhe Avni Zabeli.



Një Vidovdan pervers


  Alma Lama-Sejdiu



Dikur mund të ketë qenë një festë fetare, e përkujtuar me përvuajtje e krenari, e cila iu ka shërbyer si burim frymëzimi patriotik, edhe pse popujve të Ballkanit dhe veçanërisht shqiptarëve të Kosovës i ka sjellë vetëm tragjedi. Por sot, kur këtyre tragjedive iu është vënë kapaku, festimi i Vidovdanit i ngjan më shumë një proteste njerëzish të frustruar që nuk dinë çfarë të bëjnë me veten e tyre.
E kur nuk dinë çfarë të bëjnë, ia mësyjnë Kosovës, me qëllimin e vetëm për të provokuar ndjenjat e shqiptarëve, e madje edhe nervat dhe durimin e tyre. Pamjet e kësaj feste, ku u bë thirrje për vrasjen e shqiptarëve, ku u dogj flamuri në shtëpinë e tyre, e madje gazetarëve iu nxorën prapanicën, nuk është tjetër veçse një frustrim që tashmë ka kaluar në perversitet. Ky lloj frustrimi nacionalisto-politik po vjen duke u rritur nga një 28 qershor në tjetrin dhe shqiptarëve në Kosovë nuk iu mbetet tjetër veçse në këtë trend të ruajnë gjakftohtësinë e të mprehin mendjen që të shmangin ndonjë Franc Ferdinand në tokën e tyre. Banorët e Kosovës, përfshirë edhe serbët autoktonë që kanë vendosur ta kalojnë jetën e tyre këtu, nuk kanë pse të ndihen keq nga veprime të tilla. Keq duhet të ndihen ata që këtyre të rinjve ua kanë mbushur mendjen me përralla dhe i kanë dërguar me misionin për të dhunuar kulturën e mikpritjes, respektin për fenë e tyre dhe monumentin që adhurojnë. Kaq sa i përket një manifestimi pervers për të cilin Shën Vidovdani me siguri nuk do të ndihej krenar.
Ngjarja bëhet serioze kur vijmë tek çështja e sigurisë.
Në Kosovë ka së paku dhjetë vjet që fjala stabilitet është kryefjala e çdo veprimi. Në emër të tij që në fillim janë lënë të lirë kriminelët serbë të luftës, në emër të tij nuk është ndërtuar sistemi gjyqësor, në emër të tij janë futur në një thes pozita dhe opozita, në emër të tij nuk është bërë regjistrimi i popullatës që të merret vesh një herë e mirë se kush është banor i Kosovës e kush jo, në emër të tij janë lënë të zhvillohen zgjedhjet serbe në territorin e Kosovës, janë lënë të lirë peshqit e mëdhenj të krimit dhe korrupsionit, në emër të tij janë mbyllur sytë për fenomenet më të këqija të pasluftës dhe tranzicionit, në emër të tij është lënë të rritet e të lulëzojë mbretëria e krimit në veriun e Kosovës.
E kur jemi te mbretëria e krimit, duhet të përmendin grupet e armatosura që herë pas here destabilizojnë këtë pjesë, shërbimet sekrete, institucionet paralele që në të shumtën e rasteve shërbejnë si mbulesë për veprime të tjera të jashtëligjshme, makinat e paregjistruara, kontrabandën, dokumentet false, pastrimin e parave… e lista do të zgjatej e zgjatej. Pra sakrifica të pafundme gjatë rrugës së ndërtimit të një shteti ku do të duhej të sundonte ligji, vetëm e vetëm për të blerë një lloj paqeje e cila në fund të ditës, nuk ka si të dalë ndryshe veçse e rreme.
Në emër të stabilitetit Policia e Kosovës nuk ndërhyri kur serbët klithnin në mënyrën më provokuese të mundshme, se do t'i vrasin shqiptarët, apo kur dhunuan simbolin e shtetit të Kosovës, flamurin. Sepse turma e tërbuar priste një shkëndijë, për të ndezur më pas një zjarr që do të dëmtonte imazhin e Kosovës.
E gjithë kjo skenë sepse dikush tjetër kish vlerësuar se këta persona, mes tyre edhe një kryetar i veteranëve serbë të luftës së Kosovës, i cili nuk është një nga kriminelët e mundshëm të luftës kësaj lufte, kanë të drejtën e lirisë së lëvizjes nëpër territorin e Kosovës dhe atë të vizitës nëpër monumentet historike apo kultet fetare. Në kundërshtim të plotë me "logjikën e stabilitetit," për vite më radhë, UNMIK-u dhe tashmë edhe EULEX-i predikon lirinë e lëvizjes për serbët e Serbisë, si një e drejtë që ka supremaci mbi të gjitha të tjerat. Për shkak të kësaj supremacie, zyrtarë të lartë serbë hyjnë në Kosovë e bëjnë politikë si në shtëpi të tyre, zhvillojnë zgjedhje, bëjnë biznese të paligjshme, shpërlajnë para, provokojnë. Për shkak të kësaj supremacie qytetarët serbë nga Serbia lejohen të hyjnë në territorin e Kosovës, edhe nëse ata janë grupe tepër provokuese për sigurinë si ai i Car Llazarit, lëvizja ultranacionaliste "1389," apo qindra motoristët të cilët erdhën me të njëjtin mision, provokimin dhe vetëm provokimin e shqiptarëve. Nuk dihet në çfarë peshoreje i kanë vënë këto dy gjëra EULEX-i dhe Ministria e Brendshme e Kosovës, por një gjë është e sigurt, se situata i është lënë në dorë vetëm rastësisë. Analizat e këtyre dy institucioneve në lidhje me çështje të sigurisë kanë injoruar një version krejtësisht të mundshëm të "festimit të Vidovdanit". Ta zëmë në vend të gurëve që u hodhën mbi motoristët, dikujt do t'i ishte mbushur mendja të shkrepte një AK-47, të cilët janë ende me shumicë në duart e banorëve. Ose ndërsa serbët e frustruar me tre gishtat përpjetë çirreshin se do t'i presin në fyt shqiptarët, ndonjë nga këta të fundit, gjaknxehtë ose disa nga këta të fundit, gjaknxehtë, të binin pre e provokimit dhe me një teknologji shumë më të avancuar se thika të bënte ndonjë akt të nxituar...
Kush do ta mbante përgjegjësinë në këto raste, policia e EULEX-it apo Policia e Kosovës? Me siguri faji do të mbetej jetim, për të garantuar kështu vazhdimësinë e traditës dhjetëvjeçare të ikjes nga përgjegjësia. EULEX-i, i cili i mban në duart e tij përgjegjësitë për pikat kufitare 1 dhe 31, jo vetëm që po tregohet apatik, por edhe shumë hileqar. Pikërisht si administratë e mëparshme e OKB-së e cila gjatë 8 vjetëve të saj në Kosovë nuk u mor asnjëherë seriozisht me çështjen e veriut. Është e vështirë të besohet se një grusht kriminelësh ordinerë, edhe pse kanë mbështetjen e disa subjekteve politike të Beogradit apo dhe vetë Qeverisë, që mbajnë peng veriun janë të pamposhtur. Është vështirë të besohet se deri më tani nuk paska pasur asnjë mënyrë për të kontrolluar kufirin në veri, hyrjen dhe daljen e njerëzve të dyshimtë. Ashtu sikurse është e vështirë të besohet se nuk paska asnjë rrugëdalje për të futur në sistem një popullatë prej 80 mijë banorësh, shumica e të cilëve ndihen të shantazhuar nga lordët e kontrabandës. Kufizimi i lirisë së lëvizjes, në emër të sigurisë mund të kishte qenë dhe të jetë një nga mënyrat. Këtë e praktikojnë edhe shtetet më demokratike në botë, kur ndihen të kërcënuar. Edhe kësaj here, e gjithë merita që situata nuk doli jashtë kontrollit u takon qytetarëve të mataruar të Kosovës.

Alma Lama-Sejdiu ka lindur në Krujë. Ajo është diplomuar në vitin 1999, në Fakultetin e Gjuhës dhe Letërsisë, Universiteti i Tiranës.Është e martuar me biokimistin e mirënjohur shqiptar Dr.Dritan Sejdiu.Ka dy fëmije(djalë dhe vajzë).

Me profesion është gazetare dhe reportere ne një numër të madh mediash vendore dhe ndërkombëtare.

Në vitin 2000 u angazhua në Gazetën Shqiptare në Tiranë, si reportere që mbulonte sistemin gjyqësor. Në tetor të vitit 2002 vjen në Prishtinë, ku kontribuon ne disa media te huaja si, IWPR, Osservatorio Sui Balcani, si korrespondente nga Kosova per 5 vite, United Press International, Washington Times, Transition Online etj. Gjatë kësaj periudhe ka publikuar artikuj në mediat më të rëndësishme vendore në Kosovë dhe Shqipëri. Znj. Lama u angazhua në televizionin Publik të Kosovës RTK në vitin 2003, si gazetare në departamentin e lajmeve, si dhe të Informacionit.

Gjatë kësaj periudhe zhvilloi disa debate televizive të cilat u shquan për guxim dhe profesionalizëm. Në shkurt të vitit 2006 u angazhua në tv Shqiptar TOP CHANNEL, si korespondente nga Kosova.

Ajo themeloi zyrën e këtij televizioni në Prishtinë dhe për më shumë se tre vite me radhë mbuloi gjithë proceset politike dhe shoqërore nëpër të cilat kaloi Kosova, duke dëshmuar integritet të lartë profesional në përgatitjen e lajmeve si dhe dokumentarëve nga Kosova dhe rajoni. Në shtator të vitit 2010, në bashkëpunim me gazetën Kosova Sot implementoi projektin e gazetarisë investigative INVESTIGIM.

Në këtë gazetë gjithashtu u angazhua si analiste për ceshtje politike që prej vitit 2009. Gjatë kësaj periudhe ka bashkëpunuar herë pas here edhe me televizionin britanik BBC për përgatitjen e dokumentarëve me tema nga Shqipëria.

Zonja Lama ka zhvilluar një numër të madh trajnimesh profesionale në lidhje me gazetarinë dhe rolin e medias në shoqëri. Në vitin 2005 u trajnua për Gazetari Ndërkombëtare, Media dhe Komunikim në Greqi nga The Dewitt Wallace Centre for Communications and Journalism, Duke University.

Në vitin 2009 përfundoi me sukses Trajnimin në shkollën e integrimeve Evropiane, në Prishtinë, ndërsa në vitin 2010 u trajnua për lidership, në Prishtinë dhe Washington, si pjesëmarrëse në programin Hope Fellowship. Përvec fushës së medias, Zonja Lama ka treguar interes edhe në sferën e shoqërisë civile, vecanërisht në cështjet që kanë të bëjnë me transparencën dhe rritjen e rolit të femrës në institucione.

Është aktiviste e Lëvizjes vetëvendosje.

Përgatiti Flori Bruqi

Dështimi i një samiti të FYROM-it të Ohrit


Kosova po bën përpjekje të vazhdueshme t’i forcojë marrëdhëniet fqinjësore e më gjerë, duke demonstruar vullnetin për stabilitet rajonal. Si një Republikë e re, në këtë proces bashkëpunimi, në vend që Prishtina zyrtare të gjejë mbështetjen e duhur, jo rrallë po has në një politikë refuzuese. E tillë duket të jetë vija politike maqedonase. Presidenca e Maqedonisë ka informuar se Kosova nuk merr pjesë në Samitin e Ohrit për Bashkëpunim Rajonal, që do të mbahet më 1 qershor. Arsyetimi i tyre nuk ka kurrfarë baze. Në një njoftim nga kabineti i presidentit Gjorgje Ivanov, theksohet se Kosova nuk e ka marrë ftesën, për shkak se me ardhjen e Jahjagës, shumë shtete do ta bojkotonin këtë samit. Kjo është një e pavërtetë e madhe. Dihet se janë serbët ata që kanë bojkotuar vazhdimisht takimet ndërkombëtare, ku është ftuar të marrë pjesë edhe shteti ynë. Sipas njoftimit zyrtar, Republika e Maqedonisë nuk mund të bëjë ftesa, për shkak se do të rrezikojë që disa nga vendet anëtare të SEECP (Procesi për Bashkëpunim në Evropën Juglindore) të refuzonin pjesëmarrjen. Në fakt rreziku nuk është se disa shtete mund ta bojkotojnë këtë ngjarje, por vihen në pikëpyetje marrëdhëniet Beograd-Shkup. Është e qartë se politika maqedonase, ndonëse përpiqet të tregohet dashamirëse, në thelb është e ngjashme me atë serbe. Ky refuzim për ta ftuar përfaqësuesen e Republikës së Kosovës, në këtë rast presidenten Atifete Jahjaga, e ilustron edhe një herë realitetin hipokrit ballkanas, ku gjurmët e shovinizmit nuk janë shlyer ende. Fqinjësia e mirë dhe partneriteti rajonal nuk ndërtohen në këtë mënyrë përjashtuese. Si duket, as ajo fusnota e famshme nuk ka bërë punë që t’ua hapë derën zyrtarëve kosovarë të marrin pjesë në forumet e tilla. Kjo është dëshpëruese dhe BE-ja duhet t’ia tërheqë vërejtjen Maqedonisë për këtë.



Ende pa u ratifikuar marrëveshja në kuvendet respektive, të Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, Beogradi po shfaqet pengues për vendin tonë në proceset integruese. Një nga pikat e marrëveshjes së 19 prillit, parasheh që pala serbe nuk do ta pengojë integrimin e Kosovës në BE. Samiti i Procesit të Bashkëpunimit në Evropën Juglindore, i paraparë të mbahej në Ohër këtë fundjavë, është pjesë e këtij procesi të gjatë. Nëse pikërisht edhe këtu hasim në bllokadën serbe, mund të merret me mend se çfarë obstruksionesh do të bëjë Qeveria serbe në rrugën tonë drejt Bashkimit Evropian. Përveç marrëveshjes 15-pikëshe të arritur muajin e kaluar në Bruksel, është edhe një marrëveshje tjetër, e vitit të kaluar, për përfaqësimin e Republikës së Kosovës me fusnotë, në forumet rajonale, siç është edhe ky i Ohrit. Por, presioni i Beogradit ndaj Shkupit zyrtar për ta injoruar prezencën e zyrtarëve të lartë kosovarë, e ka anashkaluar edhe këtë marrëveshje. Pala serbe ka bërë kështu dy shkelje të njëpasnjëshme, ndërsa është dekurajuese që zyrtarët evropianë nuk kanë bërë ndonjë reagim ndaj këtyre veprimeve. Mbajtja e Samitit të Ohrit pa Kosovën, do ta margjinalizonte pozicionin e shtetit tonë në rajon, por refuzimet e njëpasnjëshme të disa presidentëve për të marrë pjesë, e kanë kthyer situatën në favorin e Prishtinës zyrtare. Nuk është mirë që ngjarje të tilla të dështojnë, por në të njëjtën kohë është dërguar një mesazh i fortë për minorancën refuzuese të pavarësisë së Kosovës. Ne duhet t’u falënderohemi sigurisht presidentit shqiptar Bujar Nishani dhe presidentit kroat Josipoviç, të cilët e anuluan pjesëmarrjen në këtë Samit, për shkak të mosftesës për lidershipin kosovar. Bashkëpunimi rajonal duket se është përballë sfidave serioze, ndërsa askush nuk mund t’i mbyllë sytë përballë realitetit të ri gjeopolitik. Ballkani nuk mund të shkojë drejt BE-së me armiqësi mes popujve, mëri mes shteteve, refuzime statusi.

Cilët po e blejnë Telekomin e Kosovës?‏



Aktivistët e Lëvizjes "Vetëvendosjes" organizuan sot një aksion simbolik në hyrje të ndërtesës kryesore të Postë Telekomit të Kosovës. Me këtë rast aktivistët vendosën një baner ku paraqiteshin të dhënat krahasuese të PTK-së dhe kompanisë "ACP AXOS Capital”, për të cilën thonë të jetë një firmë fantome, e regjistruar së fundi, qëllimi i së cilës shërben si mbulesë për paratë e pista të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

description

Drejtuesi i Sekretariatit për ngritje ideo-politike, Zgjim Hyseni tha se duhet të dihet se kujt po i falet aseti kryesor strategjik i Kosovës, pasi konsorciumit "ACP AXOS Capital” nuk i dihet as burimi i të ardhurave e as investimet në fushën e telekomunikacionit. "AXOS i ka 2 punëtorë ndërsa PTK i ka 3349 punëtorë. AXOS ka asete në vlerë prej 155 mijë eurosh, ndërkaq shuma e aseteve të PTK-së arrin shifrën e 200 milionë eurosh. AXOS nuk dihet të ketë ndonjë klient në fushën e telekomunikimit, por PTK i ka 1 milion e 200 mijë klientë. AXOS nuk ka shpërndarë fare dividendë, PTK i ka dhënë shtetit të Kosovës dividendë në vlerë prej 55 milionë euro. AXOS-it nuk i dihen të ardhurat vjetore, PTK i ka ato në shumën prej 165 milionëve. AXOS është themeluar më 25 korrik 2012, PTK është themeluar më 21 dhjetor 1959". Të gjitha këto të dhëna tha Hyseni, flasin për një dallim shumë të madh midis PTK-së dhe AXOS, duke thënë se PTK është larg përpara kësaj kompanie qoftë në performancë biznesi, qoftë në vlerë asetesh, po ashtu edhe në shkallë profesionalizimi në fushën përkatëse. "Por, krejt kjo logjikë përmbyset kur kuptojmë së është AXOS që e ka blerë PTK-në. Ndodh zakonisht përgjatë procesit që njihet si centralizim i kapitalit që kompania më e madhe, përmes mundësive më të mëdha konkurruese, ta fusë nën sqetull të voglën. Asnjë racionalitet, asnjë logjikë ekonomike nuk e shpjegon këtë transaksion absurd", theksoi Hyseni. Megjithatë, sipas tij shpjegimi qëndron diku tjetër. Hyseni tha se AXOS është një kompani fantome që po paraqitet si mbulesë për paratë e pista të korrupsionit e krimit të organizuar të bandave që udhëhiqen nga kryeministri Thaçi. "Jo rastësisht as ish ministri Beqaj dhe as kryeministri Thaçi nuk u përgjigjen kurrë se të kujt janë realisht paratë e fondit investiv AXOS. Si për ta vërtetuar gjithë këtë proces të shpronësimit grabitqar, kuptojmë se paratë për shitjen e PTK-së vijnë prej ishujve Cayman. Ky vend njihet si parajsë fiskale, ku nuk paguhet kurrfarë tatimi për paratë e investuara, por çfarë është më e rëndësishme, nuk kërkohet kurrfarë llogarie për prejardhjen e parasë, pikërisht siç i nevojitet pushtetit kriminal të PDK-së", tha ai. Hyseni shtoi se ekzistojnë të gjitha mundësitë argumentuese, nga ato ekonomike si dëmtim i interesit publik, deri tek shkeljet ligjore që ky proces të kthehet mbrapsht, gjë të cilën tha se "Vetëvendosje" është e vendosur për ta bërë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...