Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/06/21

Shitësi i vogël i bajameve

Edison Xhakoni


E quajnë Geni, është tetë vjeç dhe banon në Kombinat. Ka një vëlla e një motër, më të vegjël se veten, nënën që punon si pastruese e babain, me të cilin mërzitet shpesh, se ai i bërtet për bajamet që mbeten pa u shitur. Rregulli është që puna, siç i pëlqen ta quajë atë që bën, mbaron në orën dhjetë të mbrëmjes në verë e një orë më herët në dimër dhe kthehet në shtëpi me autobuzin e fundit, por kur nuk i mbaron dot i duhet të rrijë edhe më vonë, e të kthehet në këmbë, me të atin. Geni shkon në shkollë, në klasë të tretë këtë vit dhe i pëlqen. Anglishten ka lëndë të preferuar, thotë që di të numërojë deri në një milionë, por edhe leximin, kurse matematikën nuk e do dhe aq. I pëlqen të lexojë dhe ndonjëherë zihet me shokët e klasës, se ata duan t’ia ndërpresin e të bëjnë “sherr”. Mëson shumë dhe është një nga më të mirët e klasës. Kur të rritet ka dëshirë të bëhet astronaut. “Më pëlqen të rri pasdite tek lagjja e të loz me shokët, thotë, por ç’ti bëj! Babi nuk ma jep një ditë pushim, se duhen lekët, për shtëpinë”. Pushim ka vetëm ditët e shiut. Pas shkolle del në Tiranë, e përpiqet të shesë ndonjë bajame, nëpër lokalet e rrugës së bukur “Mustafa Matohiti”, ku shpesh shikon kryeministrin që kthehet në shtëpi e që përshëndet me dorë të rinjtë, që përtej xhamave të blinduar, apo tek Taiwan-i i njerëzve të ngeshëm që duan vetëm të çlodhen, apo ndoshta edhe në bllok, ku popull ka plot. Kudo ku ka njerëz mund të ketë njerëz të interesuar për bajamet e tij, dyqind lekë të vjetra kaushi. Të afrohet në tavolinë dhe gati sa s’të lutet t’i blesh ca bajame. Me sy të lutet dhe me trupin që imiton lëvizjet e ngathëta, se për të pyetur nuk të pyet, vetëm rrallë, ngaqë e ka shumë inat kur merr përgjigjen “jo!”. Nëse i blen të thotë “Faleminderit!” dhe e fut monedhën në xhep, e nëse jo shkon më tej, nëpër tavolinat e tjera. Gjithsesi do të kthehet edhe një apo dy herë, në rast se dikush ndërron mendje. “Një herë, tregon Geni, një burrë më dha dhjetë mijë lekë dhe më tha: -Bli një çokollatë! E pashë dhe mendova sa shumë gjëra unë mund të blej me këtë. Pastaj shkova në shtëpi dhe ia dhashë babit. Atij iu bë shumë qejfi!” Kaq është ky tregim i tij, se po të vazhdojë do t’i duhet ndoshta të thotë edhe gjëra që nuk i pëlqejnë, si kur i ati i bërtet për bajamet e mbetura, që do të thonë para të munguara. Apo kushedi se çfarë tjetër. Nuk flet shumë për të atin, e as për familjen, madje as mbiemrin nuk e tregon. Në vend të kësaj i pëlqen të luajë me gjëegjëza. Di shumë të tilla dhe t’i thotë të gjitha sapo t’i japësh pak afrimitet. Është xheloz për fëmijët e tjerë, “kolegë” të tij, se i duket sikur ata shesin më shumë. Sidomos vajzat e vogla të veshura me fustane të pastra si të princeshave, e me flokë të kapura me kujdes e me rregull, saqë mund të betohesh që s’ke parë kurrë gjë më të bukur, ashtu siç mund të betohesh që shitësja e vogël e shkrepseve të Andersenit tashmë shet bajame në Tiranë. Por jam i sigurt që edhe fëmijët e tjerë njëlloj mendojnë për të.

Geni ka edhe një shoqe, më të madhe se veten, të cilën e ka njohur në një nga lokalet e Tiranës. Që atë natë ajo shkonte enkas për të, në të njëjtin lokal e në të njëjtën orë, thuajse çdo natë. Bisedojnë për minuta të tëra, e ndoshta gjatë atyre minutave shitësi i vogël i bajameve ndjehet edhe pak fëmijë si gjithë fëmijët, duke harruar ose të paktën lënë mënjanë bajamet me kripë, me kausha të vegjël. Ajo i ka dhuruar një libër, “Aventurat e Tom Sojerit”, i cili i pëlqen shumë. Natën që ia dhuroi, rrugës për në shtëpi lexoi nëntë faqe, kurse mbrëmjen tjetër e kishte kaluar të njëzetën. Vetëm librat ka, edhe ata me pakicë, se filma vizatimorë nuk ka parë pothuajse fare. Nuk e ka parë filmin “E bukura dhe bisha”, madje as “Shrek”-un. Nuk e di a e ka një televizor në shtëpi, por kjo është një pyetje shumë e pavend për t’iu bërë një fëmije. Nëse ulesh në ndonjë nga baret e bukura në Tiranë, të rrish pak me dikë që e ke përzemër e të flasësh për jetën në përgjithsi, duke dashur të mos ndjehesh i varfër për rreth një orë, ashtu siç ndjehesh gjithë ditën, kur sheh gjëra që s’mund t’i blesh e kur dëgjon për vende ku nuk mund të shkosh, prapë nuk është e mundur. Se vijnë shitësit e vegjël të bajameve, të leukoplastëve, stilolapsave, cigareve ose thjesht të mëshirës dhe të kujtojnë edhe një gjë tjetër: nuk i ndihmon dot ata! Madje as dyqind lekë të vjetra bajame nuk ia lejon dot vetes të harxhosh, se i ke llogaritur; Një kafe ti, një makiato e fejuara, dyqind lekë bakshish e dymijëlekëshin e ke futur në xhepin tjetër dhe e ke ndarë mendjen që nuk e ke. Ulesh aty e vetëm do të harrosh ditën e punës, vaktet që do t’i kishe dashur ndryshe e vitrinat plot e përplot me zbrazëti materialiste, që të kujtojnë se xhepi s’ti mban, por që prapëseprapë nuk e bën dot dhelprën e uritur që s’e arrin dot rrushin. Por nuk është ky problemi! Ka me dhjetëra shoqata që mbrojnë të drejtat e fëmijëve, kushedi se sa konventa ndërkombëtare e ligje që ndalojnë punën e tyre, por në Tiranë, ndoshta nuk konsiderohet punë të shesësh ç’të mundesh që pesë vjeç, ndoshta ngaqë nuk paguan sigurime. Dhe nuk bëhet fjalë për fëmijë romë të parregjistruar e që është relativisht e vështirë të kontrollohen, por për fëmijë që shkojnë në shkollë çdo ditë, e as shkolla e as drejtoritë arsimore, ministria apo kush e ka detyrën të kujdeset për ta, nuk vënë alarmin, nuk pyesin se ku mund të përfundojnë këta fëmijë, nëse një ditë të bukur një tjetër Brown vë këmbë në këto anë e i mbledh në ndonjë qendër për t’i ndihmuar. E ndoshta ndihmon edhe familjet e tyre me ndonjë vend pune, ndonjë dhuratë shtesë e në fund, ata që vuajnë janë fëmijët. “Ne” flasim, “ata” heshtin, e fëmijët shesin në çdo rrugë, ku kalojnë makina, njerëz të çdo lloji, me qëllime të çdo lloji. E fëmijët janë të pandërgjegjshëm, por të pambrojtur. Të pambrojtur siç është e pambrojtur e drejta e tyre për të mos punuar deri sa të jenë të aftë për këtë.

Rrezik publik!

 Edison Xhakoni


Thonë se duhani dëmton rëndë shëndetin. Gjithashtu thonë se kompanitë që prodhojnë cigare nuk lejohen të reklamojnë produktin e tyre, paguajnë taksa më të larta e detyrohen të shkruajnë me gërma të mëdha paralajmërime të frikshme mbi paketimet e cigareve. Madje, në Australi nuk vendoset as marka e cigareve mbi paketë, e në Shtetet e Bashkuara të Amerikës po diskutohet edhe mundësia e ngjitjes mbi to e fotografive të njerëzve që kanë vuajtur e kanë vdekur nga kanceri. Por nuk ka asnjë paralajmërim, nëpër shishet e alkoolit, apo në qeset e patatinave, si ç’do të duhej të kishte edhe nëpër hyrjet e klubeve të bixhozit e nëpër disqet me qera të filmave për të rritur. Vendet ku shitet ushqim i shpejtë frekuentohet lirshëm nga të gjithë, përveç diabetikëve dhe atyre që ndjekin dietat e nuk bën dhe aq përshtypje kur i njëjti person që përgatit hamburgerin kthen edhe kusurin, para që kanë kaluar nëpër dhjetëra duar, e që me siguri askush nuk është kujdesur për higjenën para se t’i kapë. Nuk është gjithashtu e frikshme kur kalon në një rrugë me kazanë plehrash që kutërbojnë aq sa të duhet të mbulosh organet e frymëmarrjes e as kur qëndron në një park ku urinojnë të gjithë provincialët që nuk e dinë se qendrat tregtare i kanë tualetet pa pagesë, e askush nuk e vë re nëse futesh aty edhe pa kaluar më parë nga dyqanet.

Mjafton të duash, pasi vende e gjëra të dëmshme e deri edhe të rrezikshme gjen kudo, madje edhe pa dalë fare nga shtëpia, që nga kolesteroli në vajin me të cilin skuq vezën në mëngjes e deri tek mundësia e shembjes së pallatit, mundësi e shumëfishuar nga rëndimi i tij me shtesa nga të gjitha anët e me depozita uji mbi tarracë. Por paralajmërimet më të frikshme bëhen për gjërat më të rrokshme prej mendjes, siç është rreziku i infektimit nga ndonjë sëmundje veneriane nëse nuk merr masat e duhura, a thua se shumica prej nesh nuk e dinë me kë kanë të bëjnë, apo probabiliteti i lartë që të të bjerë ndonjë gjë në kokë nëse kalon poshtë skelës në një kantier ndërtimi. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë paralajmërim mbi librat e Daniel Steal, për dëmin serioz që i shkaktojnë përfytyrimit të dashurisë nga të rinjtë e moshës shkollore, apo në ekranet e televizioneve politikisht të njëanshëm, për ç’informimin dhe keqinformimin e masave, duke u shkaktuar ndjenja (false) të thella euforie apo pesimizmi, sipas krahut politik që mbajnë. Këto janë çështje serioze, edhe pse mund të duken të thëna me shaka. Çurçilli i famshëm thoshte: “Shakaja është diçka shumë serioze”. Dhe nuk e thoshte dhe aq me shaka, duke patur parasysh atë thënien e vjetër në operën italiane, sjellë shumë bukur në shqip nga Migjeni: “Qeshu palaço, se zemra të pëllcet!”.

Njerëzit nuk janë të painformuar e as të pandërgjegjshëm për rreziqet që fut në mushkëri thithja e cigares, e ndjejnë frymëmarrjen që t’u rëndohet, kollën që nuk i ndahet e deri ndoshta edhe shijen e keqe në gojë e prishjen e dhëmbëve. Nuk e ndjejnë edhe aq monoksidin e karbonit që korrupton hemoglobinën e gjakut, duke ushqyer me helm në vend të oksigjenit qelizat, por gjithsesi zgjedhin t’i marrin parasysh të gjitha këto. Nga ana tjetër, nuk ka ndonjë gjë të keqe për shumicën që të kthejë një gotë, apo të vërë një lloto kur luan ekipi i zemrës, sa për tifozllëk. Në fakt këto gjëra shkaktojnë adiktivitet, domethënë se nëse sot nuk ka gjë të keqe të pish njëqind mililitra alkool, nesër nuk ka asgjë të pish njëqind e pesë, e javën e dytë është absolutisht normale t’i rrëkëllesh dy gota më shumë. Njëlloj për bixhozin, por ndërgjegjësimi këtu është shumë më pak agresiv, se për duhanin. Nuk po flasim për drogën, pasi ajo është e jashtëligjshme.

Krimi në familje prek më së shumti familjet që kanë përdorues të alkoolit apo të varur ndaj bixhozit. Deri më sot askush nuk ka marrë sëpatën, sepse duhani e ka bërë të pandërgjegjshëm, e gjithsesi mbi paketat e cigareve qeveritë kërkojnë t’i shtojnë paralajmërimet, duke kërkuar deri edhe absurdin e stampimit të fotografive të të vdekurve, ndërsa në shishet e alkoolit gjen vetëm shënimin e vakët me shkronja të vogëla, të mbetur gjithsesi në ndërgjegjen e prodhuesit: “Pini me përgjegjësi.”, përkrah reklamës pompoze se sa “cool” dukesh po të pish disarono apo sa “hot” dukesh me një “kuqalashe pa turp” në dorë. Kurse në hyrje të kazinosë gjëndja është edhe më e rëndë; Aty publikohet shifra e jackpot-it që mund të fitosh po të luash. E kush nuk i do paratë e thjeshta?

Për një shoqëri të shëndetshme, me sa më pak halle që të jetë e mundur, duhet rritur sensibilizimi për rreziqet e alkoolit e bixhozit, deri sa njerëzit të fillojnë t’i besojnë paralajmërimet. Nuk po them të vendoset fotografia e një mëlçie të gërryer në shishen e birrës, por të paktën një paralajmërim me shkronja të qarta.

Zhvendosja e kazinove dhe pikave të basteve në periferi të Tiranës është një fillim i mirë, për t’u lavdëruar do të thoja edhe pse i vonë, por nuk duhet të kënaqemi me kaq. Aspak nuk duhet të kënaqemi, por të kërkojmë të bëhet edhe në qytetet e tjera e njëjta gjë, e projekti i largimit të rreziqeve publike nga prania e publikut të zgjerohet edhe me rreziqet e tjera, që nga higjena në dyqanet e ushqimeve, deri tek çensurimi i lajmeve të pavërteta.

Entila Cuka-Ambalazhimi i bukës rrezik për konsumatorët



Në Tiranë vazhdon të shitet bukë e prerë dhe e ambalazhuar në qese. Me datë 1 shtator Këshilli i Ministrave vendosi që produkti i sipërpërmendur të tregëtohet në ambalazhe joplastike. Edhe pas këtij vendimi në subjektet që tregëtojnë bukë në Tiranë, këtë produkt e gjen të ambalazhur në qese dhe të prerë.

“Buka e sapoprerë dhe e ngrohtë kur bie në kontakt me qesen që e ambalazhon, rrezikon jetën e konsumatorëve”- thotë një specialist i kontrollit të ushqimit. ”Buka e prerë në mënyrë masive kontaminohet nga bakterie të ndryshme dhe humbet vlerat e saj ushqyese”. “Nga ana tjetër dhe makineritë që e kryejnë këtë proces janë jashtë kushteve higjenike duke shtuar rrezikun për sëmundje në cdo prerje që i behet produktit në fjalë” – shton ai. “Pjesa më e madhe e bukës që tregëtohet në Tiranë është një nga faktorët kryesor të diabetit, sepse përmban shumë sheqerna dhe gjithashtu ajo mban tepër lageshtirë, e cila ia vështirëson tretjen metabolizmit të konsumatorëve”- thotë një dietologe.

Buka sot është produkti bazë dhe përbërësi kryesor i vakteve të shqiptarëve. Për shkak të nivelit të ulët ekonomik dhe rritjes gjithnjë e më shumë të cmimeve të produkteve të tjera jetike, konsumatorët përpiqen të kursejnë duke blerë një bukë me cmim të ulet. Kjo bukë bëhet shkak për sëmundje të fshehura, për rënie apo shtim të menjëhershëm të peshës, infeksione etj. Buka me cmim të lirë dhe me qese përvec rrezikut të jetës së konsumatorëve ndikon dhe në ndotjen e ambjentit. Qesja është material i padegradushëm dhe hedhja e saj sjell ndotje të mjedisit.

Pas vendimit të Këshillit të Ministrave, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) urdhëroi për kontrolle të vazhdueshme në subjektet që tregëtojnë bukë. Subjektet që nuk zbatojnë vendimin për mosambalazhim plastik të bukës do të gjobiten me një shumë që vijon nga 500 mijë lekë të reja deri në 5 milion lekë të reja. Urdhëri i AKU edhe pse ka pakësuar numrin e bukës të tregëtuar në qese ka sjellë dhe rrezikun që shumë furra buke të shkojnë drejt falimentimit. Pronarët e furrava që zbatojnë rregullat e vendusura nga AKU për bukë të ambalazhuar në materiale letre dhe gjithashtu me etiketë të peshës dhe përbërësve, po përballen me rritjen e cmimit të miellit dhe konkurencën e pandershme nga subjekte të tjera. Cmimi i miellit është rritur nga 580 në 720 lekë për kuintal. Në Tiranë ka rreth 1200 furra buke dhe pjesa më e madhe e tyre po rrezikojnë si pasojë e rritjes së cmimit të miellit. Nga ana tjetër edhe pse cmimi kombëtar i bukës është 80 lek, nga disa subjekte shitet dhe me 70 apo 60 lekë. Kjo ndodh për shkak se shume furra buke, kryesisht në periferi, manipulojne me përbërësit e bukës dhe peshën e saj. Manipulimi që bëjnë këto subjekte rrezikojnë jeten e konsumatorëve dhe jetëgjatësinë e furrave që kontrollohen dhe kanë leje nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit

Edison Xhakoni-Bunker!


“Vendi të ç’bunkerizohet!”, tha jo tekstualisht kryeministri në një prej mbledhjeve të qeverisë. “Vetëm se kjo ka një kosto të lartë, ndaj edhe do të shtyhet në një moment më të mirë për financat e shtetit”,- tha nga ana tjetër zëvendësministri i mbrojtjes, “pasi nuk paraqesin rrezikshmëri”.

Gjatë viteve ’70 – ’80 u ndërtuan rreth 700 mijë bunkerë dhe fortifikime të ndryshme ushtarake, për të mbrojtur vendin nga armiqtë. Pas ndërrimit të sistemit, kur armiqtë dolën që paskën qenë miqtë tanë më të mirë, bunkerët u braktisën, të paktën nga vëmendja e shtetit. Heshturazi ata janë dënuar me vdekje, që kur hekuri filloi të kërkohet për skrap. Me vendimin e fundit të qeverisë dënimi u bë zyrtar, duke përligjur edhe shkatërrimet e mëparshme të bunkerëve, për hekurin që kanë në brendësi.

Bunkerët janë fortifikata betoni dhe hekuri, ideuar për t’u bërë ballë sulmeve me armët më të rënda të kohës, por edhe sulmeve kimike e bërthamore me një fuqi deri në njëzet kiloton, si dhe për të siguruar mbijetesën e njerëzve në të. Para zbatimit të projektit, bunkerët kanë kaluar provat e vështira të rezistencës, që përfshinin bombardimin me artileri e me avionë, me armët më të rënda që ushtria kishte në zotërim. Brenda tyre janë vendosur edhe kafshë të gjalla, lepuj, dhi dele si dhe qen kufiri. Këta të fundit u futën për afërsinë e shqisës së tyre të të nuhaturit me atë të njeriut. Si përfundim bunkerët nuk u dëmtuan dhe kafshët mbijetuan. Pas kontrollit të kafshëve, mjekët dhanë sigurinë se njerëzit mund t’i mbijetojnë luftës aty brenda. Duke parë suksesin qeveria e atëhershme angazhoi me dhjetëra specialistë, nga më të aftët që kishte, të cilët arritën të siguronin në Europë makineritë e nevojshme për prodhimin e betonit dhe çelikut special, si dhe hartuan projektet. Materialet e përdorura për ndërtimin e bunkerëve janë të paktën dy herë më të forta se materialet më rezistente që përdoren sot. Ideja ishte që çdo ushtar të kishte qendrën e tij të zjarrit. Por ka edhe bunkerë për topa, tanke e deri edhe fortifikime gjigande të futura thellë në shpatet e maleve, për strehimin e udhëheqjes në rast pushitmi, fortifikime këto të pajisura me të gjitha kushtet e jetesës, e edhe me salla mbledhjeje e mjete të nevojshme për drejtimin e operacioneve ushtarake në kushtet më të vështira.

Por tani që armiq nuk ka më, të paktën jo nga ata që të hedhin bomba, bunkerët duket se do të përfundojnë fatalisht. Por, a mund të shuhet kaq thjeshtë vepra e një regjimi që mbajti të sunduar për gati gjysëm shekulli vendin? Do të ishte mjaft e çuditshme që largpamësia e një drejtuesi të fortë, pa i hyrë çështjes se sa i drejtë ishte, të kufizohej me gjatësinë e jetës së tij. Njihen raste mjaft domethënëse kur bunkerët u kanë shërbyer njerëzve. Gjejnë përdorim të gjerë, që nga shndërrimi në vendstrehim bagëtish, në magazina e deri në biznese të sukseshme, siç është rasti i bunkerit blu në plazhin e Durrësit, i kthyer në restorant peshku. Një çift ish-emigrantësh, të cilët kanë punuar në Greqi në një restorant peshku buzë detit, kthehen në vendlindje, e lyejnë me blu bunkerin dhe e mobilojnë për kuzhinë. Ca tavolina në rërë, një tendë e thjeshtë dhe sot numërohen si histori suksesi në biznes. Pas tyre shumë të tjerë kanë bërë të njëjtën gjë, por akoma shumë bunkerë presin të shfrytëzohen.

Dy arkitektë shqiptarë janë prezantuar në bienalen e Venecias me një projekt për shndërrimin e bunkerëve në objekte turistike. Ata propozojnë kthimin e tyre në hotele me një dhomë e me kosto të ulët, si dhe në kioska informacioni. Gjithashtu, paralelisht me ta në Tale të Lezhës ka filluar zbatimi i një tjetër projekti, i universitetit Mainz në Gjermani, në bashkëpunim me Universitetin Polis në Tiranë. Ideja ishte e një studenteje shqiptare, e cila mbrojti diplomën me këtë temë. Ajo i pëlqeu aq shumë profesorit të saj, sa ai i dha detyrën e hartimit të një cikli seminaresh, i cili u realizua. U lidhën kontaktet në Shqipëri dhe projekti nisi nga zbatimi. Njëzet studentë, shqiptarë dhe gjermanë po merren më këtë. Parashikohet që kostoja e një nate në një hotel të tillë të mos i kalojë tetë euro.

Por bunkerët mund të kthehen edhe në muze, dëshmi e një kohe të jetuar, që domosdoshmërisht nuk duhet harruar e nuk i duhen fshirë gjurmët. Dhe kështu po ndodh në Gjirokastër, me bunkerin e ndërtuar nën shkëmbin mbi të cilin ngrihet kalaja. Organizata për Ruajtjen dhe Zhvillimin e Gjirokastrës ka një projekt konkret, i cili ka filluar edhe të zbatohet, me pastrimin dhe riparimin e rrjetit elektrik të këtij bunkeri, mbi tetëqind metra të gjatë. Hyrja e tij është afër komitetit të partisë, ku sot ndodhet bashkia, pra fare afër me vendin ku ndalojnë autobuzët me turistë të huaj. Dhe në fakt turistët nuk ngurojnë ta vizitojnë. Bunkerët mund të kthehen edhe në vepra arti, siç e ka menduar një artist që jeton në Zvicër. Ai ka marrë tre bunkerë të vegjël, i ka kthyer përmbys, i ka lidhur me beton dhe tani vepra e tij shërben si skenë muzike tek Tirana Ekspres, pranë stacionit të trenit në Tiranë.

Në kohën e krizërave ekonomike nuk ka asgjë më të dobishme se një objekt që gjeneron para. Dhe bunkerët janë të aftë ta bëjnë këtë, nëse i kushtohet sado pak vëmendje. Shkatërrimi i bunkerëve për t’iu marrë hekurin që i përbën, ngjan me vrasjen e elefantëve për fildishin e dhëmbëve të tyre. Është dëm i madh, për një përfitim krahasimisht të vogël. Nga ana tjetër, shfrytëzimi i tyre ka kosto relativisht të ulët, ruan një pjesë të historisë dhe mund të gjenerojë mjaft të ardhura, me pak kreativitet. Ndoshta Enveri nuk e ka menduar kështu, por bunkerët e tij munden akoma ta mbrojnë vendin nga armiku i jashtëm. Vetëm se jo si gryka zjarri ksenofobike, por si shtëpi mikpritjeje, që është kaq karakteristike.

Dijet e fituara me ca kartëmonedha

Brikena Sallo

Sikur të mos mjaftonin buxhetet që akordohen për universitetet apo taksat që paguajnë për fakultetin, studentëve u duhet të paguajnë edhe “kesh”. Proçedura “kesh” tingëllon pak arkaike në kohët e sotme të teknologjisë, por fenomeni i ryshfetit është aktual saqë nuk na bën më përshtypje kur e dëgjojmë. Jemi bërë palë me problemin dhe nuk reagojmë. Ky fenomen ndodhet sa larg aq edhe afër nesh dhe në një formë apo në një tjetër na prek të gjithëve. Qëllimi i këtij reagimi është edhe theksimi i kësaj problematike në sistemin arsimor shqiptar.
Që në semestrin e parë të fakultetit, studentët kategorizohen; në studentë të shkëlqyer që nuk lënë as një orë leksioni dhe për fat të keq këta janë të paktë në numër, studentë mesatarë që ndjekin lëndët sipas dëshirës dhe studentë që i varin shpresat te kalimi “qyl” i provimeve. Korridoreve të fakulteteve tona qarkullojnë fjalët për pedagogët e rreptë, por që të vlerësojnë për atë që jep, pedagogë të komunikueshëm me të cilët mund të bisedosh për vështirësitë që mund të kesh hasur me lëndën dhe ata pedagogë që marrin para ekstra për një notë 5 për të kaluar lëndën.
Tre kategoritë e studentëve të sipërpërmendur zgjedhin vetë se si ta përmbyllin ciklin e studimit ose në rastin më të keq, në fund zgjedhin të vetmen alternativë që është ryshfeti. Arsimi është futur në një qorrsokak, ku vlerat morale dhe arsimore nuk janë më prioritet i stafit pedagogjik dhe rrjedhimisht, me këtë kulturë edukohet dhe brezi i ri. Studentët në fund të të gjitha përpjekjeve, me disa pedagogë që i barazojnë dijet me ca kartëmonedha, duhet të bëjnë gati një “zarf” që t’i shpëtojnë detyrimit të një lënde. Pagesë që mund të mbajë pezull përfundimin e studimeve të tyre me vite të tëra, në qoftë se nuk pranojnë këtë “kusht”.
Rasti më flagrant i këtij fenomeni, është pedagogu i Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Pëllumb Kllogjeri, 61 vjeç. Mësohet nga forcat e policisë Elbasan se, pedagogu ka shpërdoruar detyrën, duke marrë ryshfete në këmbim të dhënies së notës kaluese në provime. Zhurmënaja nëpër korridoret e fakulteteve, kafeneve, ambienteve rinore për korrupsionin në arsim vërtetohet më së miri me këtë rast. Në rastin konkret drejtësia u vu deri diku në vend. Po në rastet e tjera të pa publikuara dhe të pa denoncuara?
Duhet të jemi ne të parët që, në momentin që konstatojmë këto fenomene, të mos bëhemi palë me problemin, të ndahemi në kategori studentësh të ndryshëm, dhe mbi të gjitha të jemi vigjilentë ndaj problemeve të tilla. Për çdo dije që marrim, të jemi të ndërgjegjshëm për atë që dimë. Dija dhe informacioni që marrim është pasuri vetëm e jona ndaj nuk duhet ta njollosim për të marrë një notë kaluese, për t’i shpëtuar proçedurave të një pedagogu. Të vetmet rregulla që studentët duhet të zbatojnë janë ato të fakulteteve, ku në asnjë rregullore nuk shkruhet pagesë ekstra, “kesh” për pedagogët. Ndryshimi duhet të fillojë nga ne, me ndihmën e instancave përkatëse, për të bërë diplomat shqiptare më të pranueshme në tregun e punës. Vetëm në këtë formë mund të ecim përpara.

Vidh dijen, jo dëshminë!

 Edison Xhakoni



Të shkosh në universitet do të thotë të bësh një investim afatgjatë. Sigurisht që investime të tilla është më mirë t’i bësh në një institucion të besueshëm e me përvojë dhe në Shqipëri, ata që shihen si të tillë janë universitetet publike në përgjithësi dhe ai i Tiranës në veçanti, që është edhe më i kërkuari. Por të regjistrohesh në një universitet publik, flasim gjithmonë për Shqipërinë, mbart me vete pasoja që maturantët nuk janë të pjekur sa duhet, por mbi të gjitha as të informuar sa duhet për t’i kuptuar.
Universitetet publike, nga institucione edukimi dhe gjeneratorë elitash drejtuese të vendit, që si rregull duhet të ishin, janë kthyer në institucione abuzimi dhe gjeneratorë profesionistësh të paformuar e aspak të gatshëm për t’u përballur me problemet praktike që kërkon vendi i punës. Sepse formimi i studentëve është i pamjaftueshëm. Për ta vërtetuar këtë mund të gjenden shumë shembuj (ashtu si edhe kundërshembuj, sigurisht!), më së shumti shembuj mungese të të diplomuarve të viteve të fundit në Shqipëri në struktura drejtuese të shoqërisë shqiptare. Pothuajse të gjithë politikanët e brezit të ri të paktën një pjesë të studimeve të tyre i kanë kryer në perëndim. Vetë politika e qeverisë shqiptare për rekrutimin e administratës, në mënurë paradoksale, u jep përparësi atyre studentëve që janë shkolluar jashtë vendit, veçanërisht në perëndim, kundrejt të rinjve që shkollohen në atdhe. E paqartë në këtë sjellje është nëse kjo bëhet, sepse hartuesit e politikave të shtetit janë të ndërgjegjshëm për nivelin e universiteteve të vendit, apo për t’i nxitur studentët të arratisen në ndonjë universitet jashtë vendit, në mënyrë që të mund të sigurojnë një vend pune të denjë. Dhe kjo për kushedi ç’qëllime. Dyshimi tjetër është nëse universitetet, veçanërisht ato publike, lihen qëllimisht në këtë gjendje apo ka një paaftësi në sistemin e kontrollit të tyre, por fakti është se gjendja nuk është aspak inkurajuese. Niveli i përgjithshëm i studentëve, duke mbajtur parasysh të gjitha përjashtimet e rastit, që kryesisht janë talente natyrale, është i dobët. Banka e Shqipërisë është një institucion që rregullisht rekruton për nevojat e saj një numër studentësh të matematikës, që përfundojnë masterin shkencor pranë Universitetit të Tiranës. Ata merren për një periudhë prove rreth gjashtë mujore dhe në përfundim të saj pjesa dërrmuese e tyre nuk mbahen në punë. Gjithashtu edhe fakulteti që i nxjerr këta studentë mban disa prej tyre, ata me rezultatet më të mira si asistentë ose pedagogë të jashtëm. Edhe këtu pas përfundimit të vitit akademik kontratat rinovohen vetëm për një numër shumë të vogël prej tyre. Të tjerët lihen jashtë. Në të dyja rastet arsyeja është e njëjtë: mungesa e aftësive të nevojshme që kërkon pozicioni i punës. Pra edhe njëherë kthehemi tek formimi i pamjaftueshëm i studentëve.
Përballë një situate ku një investim prej të paktën pesë vjetësh jete, përkushtim e lodhje rrezikon të kthehet në një copë letër të pavlefshme në tregun e punës dhe që nuk të siguron dot as minimalen e jetesës pa njohjet “e duhura”, lind nevoja për gjetjen dhe korrigjimin e shkaqeve. Duke e kthyer shikimin nga auditoret e shkollës, mendoj se gjithkush mund të arrijë në përfundimet e tij.

Ka një nocion që quhet “korrupsion” dhe kufizohet gabimisht në dhënien e parave nën dorë ndonjë zyrtari, mjeku apo profesori kur këta i kërkojnë në shkëmbim të shërbimeve të tyre. Ka edhe një tjetër lloj korrupsioni që është ndoshta edhe më i keq se i pari. Dhe ky është ofrimi i këtyre parave, pa i kërkuar njeri. Nëse një pedagog i vë studentin një notë jokaluese, ky studenti nuk duhet të trokasë në zyrën e pedagogut dhe t’i kërkojë një tjetër vlerësim, duek i ofruar ç’të mundet. Kjo mënyrë të vepruari shkakton rënien e nivelit të shkollës, marrjen e notave të pamerituara që kurorëzohen me një diplomë sa për ta varur me kornizë, por që realisht nuk vlen asgjë, sepse nuk vërteton asgjë. Është praktikisht e barazvlefshme me një diplomë të falsifikuar. Dhe ndaj kësaj mënyre të vepruari duhet të reagojnë vetë studentët, sepse janë ata të parët të interesuar për një shkollim cilësor, që nesër të konkurrojnë me shanse të njëjta me një student që kthehet nga Europa për një vend të denjë pune. Fundja profesorët e kanë mbarur shkollën e tyre, e kanë edhe vendin e mirë të punës dhe s’kanë pse të mos mbledhin edhe ca para shtesë për pensionin. Pasojat i vuajnë studentët, që mendojnë se po u bëhet nder kur u jepet apo shitet një notë e pamerituar. Dhe është fatkeqësi që kjo mënyrë të menduari nuk konsiderohet e turpshme prej të rinjve, përkundrazi. Ai që blen notën dhe ai që kopjon nëpër provime konsiderohen si të aftë, kurse ai që i refuzon këto duke preferuar të përsërisë vitin (ndonjë rrallë) etiketohet me terma fyes. E në fakt duhet të ishte e kundërta dhe sa më parë të kuptohet kjo aq më shpejt gjërat do të rregullohen.

Dashuria për dijen!

 Edison Xhakoni



Dashuria për dijen është gjë e madhe. Është nxitje për t’u bërë anëtar i bibliotekës së shkollës, për t’i studjuar lëndët me entuziazmin se po mëson gjëra të reja e jo me mendjen tek nota, për t’u rregjistruar në universitet dhe për të vazhduar kërkimin e dijeve të reja gjatë gjithë jetës. Por edhe dashuria për punën është një shtysë e madhe drejt dijes, duke tentuar kah përmirësimi i vazhdueshëm i aftësive për të kryer detyrat. Dashuria për dijen dhe për punën është motori që e çon përpara drejt suksesit njeriun dhe njerëzit e aftë e të suksesshëm janë ata që e çojnë vendin përpara. Universitetet janë vendet ku individët që pretendojnë suksesin mblidhen për të kërkuar e mbledhur mjetet që i shërbejnë qëllimit të tyre. Të rinjtë e të rejat, para se të zgjedhin të studiojnë një degë të caktuar duhet të gjejnë në vetvete atë tharmin, bërthamën e nevojshme të njohurive, por edhe ndjenjave që e bëjnë atë degë në atë fakultet të jetë e preferuara e tyre e parë. Duhet zgjedhur një drejtim në të cilin e sheh vehten të suksesshëm, ose të paktën të kënaqur. Dhe kjo është ndër ato gjëra që Euklidi i cilësonte si “të vetëkuptueshme”, pra që është e tepërt të argumentohen.
Por në universitet, gjithkujt mund t’i ketë rastisur të takojë studentë, të cilët me degën që studiojnë s’i lidh asgjë. Në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, për shembull, është bërë problem rregjistrimi i studentëve në gjuhë të cilave s’u njohin as alfabetin. Po përmend këtë shembull sepse aty problemi është më i dukshëm se në fakultetet e tjera, por ai është shumë më i madh. Kështu, kemi studentë matematike të cilët luteshin që “të mos u binte” ndonjë degë me matematikë, por as që e dinin se në formularin e tyre të aplikimit ishte shënuar në listë edhe ajo; Kemi studentë letërsie që nuk kanë as durimin të ndjekin deri në fund një konferencë të profesorëve të tyre për Migjenin; Kemi studentë biologjie që as e çajnë kokën ku është e ç’po ndodh me Muzeun e Shkencave të Natyrës; Kemi edhe paturpësinë të predikojmë se ajo që ka rëndësi është diploma, jo rruga për ta marrë!
Problemi me një student që e zgjedh fakultetin rastësisht, si të ishte ajo loja me rrotën e fatit, është se nëse nesër do ta gjejë një mënyrë, prej të shumtave që ekzistojnë në Shqipëri, për ta marrë atë copë karton, që do të duhej të vlerësonte dhe çertifikonte dijen e mbledhur pas aq vitesh studim në atë fushë, nuk do të jetë në gjendje t’i sigurojë vehtes një vend të denjë në shoqëri. Nëse do të kërkojë të punësohet në sektorin privat, përveç kartonit do t’i duhet edhe t’i demonstrojë aftësitë e veta, gjë që nuk do të jetë i aftë ta bëjë. Nëse do të punësohet në administratën shtetërore, falë ndonjë miku në parti, prapësëprapi kolegët do ta dinë gjithmonë se pse është aty ku është. Pra në çdo rast, nëse ka një ndërgjegje, do të jetë ai që nuk e gjen dot një punë vetë, që nuk është i aftë që bëjë asgjë, përveç servilosjes, do të jetë i përbuzur nga shoqëria e i përdhunuar në dinjitet nga shefat e radhës. Një individ i tillë është i padobishëm dhe i pavlerë, por në kontekstin e Shqipërisë së sotme, ku një vend pune është si një mrekulli, një individ i tillë mund të bëhet shembull. Dhe për fat të keq njerëzit e varfër e të pashpresë nuk do të ngurrojnë ta ndjekin, sepse mes daljes prej varfërisë dhe dinjitetit, është më e thjeshtë që zgjedhje të jetë e para.

Dashuria për dijen është mbytur nga nevoja për një punë dhe kështu, të rinjtë nuk studiojnë më në degët që do të dëshironin, ku do të mund të shkëlqenin, por nëpër degë që kërkohen nga tregu i punës, duke u përpjekur të tejkalojnë ose anashkalojnë limitet e veta, për t’u bërë në fund një vartës i papëlqyer i dikujt tjetër. Dhe është kështu që kemi studentë pa pikën e dashurisë ndaj shkollës së tyre, e punëtorë pa pikën e dashurisë ndaj punës që bëjnë. Dhe është kështu që kemi një shoqëri të stresuar dhe të pakënaqur ndaj pothuaj gjithçkaje që e përbën.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...