Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/07/24

Libri i Syrja Vlorës: “Ismail Qemalit i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare”

Botohen kujtimet e Syrja Vlorës, nga viti 1912 në 1920.

“Ismail Qemalit i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare”

“Asnjëherë s’ndoqi një qëllim serioz në politikë. Profesionin, mikun dhe familjen e tij nuk i mendoi më tepër se veten”

Marenglen Verli: Syrja Vlora, rival politik i Ismail Qemalit
Ndërsa kanë pritur 60 apo 70 vjet që të botoheshin, më në fund i vijnë lexuesit kujtimet e një prej njerëzve më të fuqishëm gjatë viteve të fundit të Perandorisë Osmane në Shqipëri. Bëhet fjalë për librin e Syrja Vlorës, “Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës”, i cili dëshmon për ngjarje të rëndësishme në historinë e Shqipërisë, që nga shpallja e pavarësisë, ardhja e princ Vidit, kryengritjet, marrëdhëniet me Italinë, deri në “hedhjen në det” të këtyre të fundit në vitin 1920. Syrja Vlora ka mbajtur poste të rëndësishme, si drejtor doganash, ambasador në Vjenë, deputet, ndërkohë që rridhte nga një familje e njohur, prej ku kishin dalë pashallarë e vezirë. Promovimi i këtij libri të botuar nga shtëpia botuese “Iceberg” u zhvillua dje nga Instituti i Historisë, në ambientet e Akademisë së Shkencave. Që nga drejtori i këtij instituti, historiani Beqir Meta dhe dy redaktorët e librit, Marenglen Verli e Ledia Dushku, treguan për rëndësinë që ka ky libër, jo vetëm si referencë për historianët, por edhe si një mundësi qasjeje ndaj së vërtetës nga ana e lexuesve. Si një libër kujtimesh, ai është i pashkëputur nga dozat e subjektivitetit. Përmes këndvështrimit të Syrja bej Vlorës vijnë figura, si Ismail Qemali, Esat Pashë Toptani, Haxhi Qamili etj. Mësohet se ai ka qenë kushëri dhe rival politik i Ismail Qemalit dhe është i kuptueshëm qëndrimi që ai mban kundrejt tij në librin me kujtime. al.mi

Syrja Vlora
Në personalitetin e Ismail Qemal Beut, në sjelljen e tij kishte seriozitet dhe fisnikëri. Për kërkesat ndaj vetes së tij të detyronte ta nderoje. Tregonte shumë kujdes të kishte nën kontroll dhe të kujtonte secilin. Në çdo situatë shihej si kryetar dhe mund ta ruante vazhdimisht ekuilibrin. Rrugën e jetës së tij e kaloi me shumë probleme, por nuk tregoi dobësi. Nuk ishte i lumtur, por nuk e tregonte veten të pashpresë dhe të mërzitur. Të ardhurat i shpenzonte në vende të panevojshme. Në këtë periudhë gjithmonë gjendej në vështirësi të tmerrshme. Por i pëlqente vetja dhe dashuritë kalimtare. Fuqinë e mendjes e kishte të përkryer, por kishte të metë se kishte aftësi të mashtronte me fjalë. Kur kërkonte të zotëronte situatën, vendoste autoritetin, bëhej tahmaqar dhe i shkonte fjala; kundërshtonte, thërriste, por qëndronte larg nga zëniet dhe konfliktet (Në kohën që caktohej kufiri i Shqipërisë, me qëllim që të sigurohej përkrahja e Francës, u pa e nevojshme t’i dërgohej një telegram zotit Raymond Poincare. Kur po bisedohej për mënyrën e shkrimit të këtij telegrami me Këshillin Ministror, nisën të marrin pjesë në bisedime dhe një turmë xhahilësh, të cilët nuk druanin dhe hynin përherë pranë Ismail Qemalit. Ismail Beu, pa treguar asnjë shenjë mërzie ose zemërimi, vazhdoi të shkruante telegramin në fjalë duke i dëgjuar e duruar gjithë budallallëqet e tyre). Nuk e prishte qetësinë nëse nuk ishte i detyruar; nuk kërkonte të ngatërrohej me fjalë; ishte i pasur në ndjenjat e tij; ishte i ditur dhe nuk i shikonte gjërat në mënyrë sipërfaqësore. Rrallë kalonte në situata të padëshirueshme. Me asnjë nuk zuri marrëdhënie miqësore. Në marrëdhëniet përballë dy personave gjatë bisedës donte të tregonte epërsinë e tij. Dukej se e donte atdheun dhe patriotët. Pas fitores së serbëve dhe bullgarëve u largua nga Stambolli për në Vjenë. Duke qenë i sigurt në ndihmën e Austrisë prej andej u drejtua për në
ISMAIL QEMALI
Vlorë. Nga Shqipëria iku i vogël dhe u kthye në moshë të pjekur. Prej fëmijërisë në mendjen e tij kishte krijuar një imazh tjetër për Shqipërinë. Ndryshimet e mëdha që vuri re me kthimin në Shqipëri, e bënë atë të vendoste të prishte imazhin e krijuar në mendje, të merrej me politikë e të punonte sa kishte fuqi. Mund të themi se rrethi shoqëror që gjeti, ishte më i përparuar. Në ballafaqim me secilin shpjegonte elementin (e administrimit publik) “kanton” dhe të mirat e tij (Ismail Beu, në Vlorë një kohë ndenji në shtëpi të Hasan Aga Sharrës, më pas në shtëpinë e Xhemil Bej Vlorës dhe, më së fundi caktoi si banesë ndërtesën e karantinës, që ndodhet në skelë. Kurdoherë rrinte mbi një minder, aty flinte, aty hante bukën dhe aty i priste ata që vinin, për të treguar se vlerësonte jetën popullore. Mundonte veten, por kjo gjendje mjeruese shkaktonte te të huajt një përshtypje të keqe). Mirëpo, bashkimi i pronës nuk siguronte mbështetjen në formë të prerë. I kishin tërhequr vëmendjen se forma e ndarjes së shtetit në kantone do të kërkonte ndarje administrative. Ai e dinte sa e rrezikshme dhe sa shumë e nevojshme ishte të merrej ende në vëmendje pjesa e punës së policit, pasi ende brenda nesh administrimi i shoqërive (komuniteteve që i bashkojnë zakonet dhe traditat) nuk kishte arritur nivelin e duhur. Prandaj kërkimet dhe vëzhgimet ishin tepër të nevojshme. Qeveria në vite ishte civilizuar. Përparimi, civilizimi dhe bashkimi në një vend konsiderohej dhe pranohej si i shenjtë. Por gjuha dhe civilizimi nuk ishin pranuar në popull. Kjo nuk do të ishte e mundur të përvetësohej nga secili menjëherë. Mund të themi se Ismail Beu me këtë zhvillim të inteligjencës i parapriu Esat Pashës. Në emër të “Shqipëria me dy qeveri”, Esat Pasha mori guximin të kalonte situatën dhe të formonte qeverinë e dytë, duke hapur kështu një derë të shkatërruar. Sidoqoftë, Ismail Qemal Beu nuk pati frikë dhe e kuptoi nevojën e vendit tonë që programet politike të lëvizjes duhet të bashkoheshin dhe të merreshin masa, të cilat do t’i shërbenin shoqërisë sonë. Por ligjet e vëna nuk e garantonin këtë. Ismail Qemal beu ishte një nga ata që e njihte më mirë Kushtetutën Osmane. Që prej kohës së Mit’hat Pashës, ai e kishte treguar këtë me zgjuarsinë e të kuptuarit të situatave. Vendi ushqente shpresa të mëdha. Rreth 14-15 muaj që ishte në drejtim, kaloi gjithë kohën në udhëtim, ai ishte një udhëheqës që nuk pati nj vdekje të lumtur. Si kryetar asnjëherë nuk përfitoi nga posti që kishte. Në një situatë ku ai lehtësoi realizimin e qëllimit të udhëtarëve, që lëviznin nga Stambolli me vaporin “Meran”, me dhënien e njoftimit se rrezikonin të shkaktonin gjendje kaotike në Shqipëri, u bë objekt i marrjes së fajit. Nëse duhet të analizojmë personalitetin e tij, mund të them se Ismail Qemal Beu asnjëherë nuk ndoqi një qëllim serioz në politikë. Profesionin e tij, politikën, mikun dhe familjen e tij nuk i mendoi më tepër se veten. Mendoi vetëm për veten e tij. Vazhdimisht jetoi me luftë dhe kënaqësinë më të madhe të jetës e gjeti në sigurimin e dëshirave vetjake. Më së fundi, them se shpallja e pavarësisë nga Ismail Qemal Beu është shërbimi për të çuar në vend detyrën. Fitorja e saj ishte e drejtë për historinë e kombit tonë dhe e rregullt. Mëshira e Zotit qoftë mbi të!


Marenglen Verli: Syrja Vlora, rival politik i Ismail Qemalit
Një libër i rëndësishëm mbi historinë e viteve 1912-1920
Përkthimi nga osmanishtja mendohet të jetë i Ali Asllanit 
Një nga redaktorët e librit me kujtime të Syrja Vlorës, historiani Marenglen Verli shprehet se bëhet fjalë për një figurë shumë të spikatur të fillimshekullit XX, pavarësisht se mbi të nuk dihet shumë. Fatkeqësisht kujtimet e tij kanë pritur shumë dekada në arkivat e Institutit të Historisë, derisa panë dritën e botimit. Ato janë përkthyer rreth viteve ’40. Ndonëse nuk është e sigurt, sipas Verlit, shenjat të çojnë te poeti Ali Asllani.

Prof. Verli, çfarë përfaqëson figura e Syrja bej Vlorës në historinë shqiptare?
Syrja bej Vlora është një figurë e njohur, personalitet i fillimshekullit, kushëri dhe rival i Ismail Qemalit, vëlla i kryeministrit të fundit osman deri në vitin 1908, drejtor i Doganave Osmane, një nga ata pronarë të mëdhenj që deshën të fusnin metodat kapitaliste në vitet ’20-’30 në Shqipëri etj. Pra, një figurë e spikatur e dekadave të para të shekullit të shkuar.
Çfarë periudhe përfshijnë kujtimet e tij?
Kujtimet përfshijnë kryesisht periudhën mes viteve 1912-1920. Ai e trajton me ngjyra shumë të ndezura këtë periudhë. Ngjarje, personalitete parë sipas këndvështrimit të tij, dihet që kujtimet e kanë subjektivizmin brenda vetes. Mendohet të jenë shkruar rreth viteve ’20-’24. Janë në osmanishte dhe mendohet të jenë përkthyer në gjysmën e dytë të viteve ’40, menjëherë pas lufte.
Kush i ka sjellë në shqip ato?
Nuk kemi mundur ta identifikojmë plotësisht, por të dhënat na çojnë te vlonjati i njohur, njeriu i letrave, Ali Asllani. Nisur nga një shënim i vendosur në faqet e zverdhura të përkthimit, ku dallohen inicialet A.A, nga stili i përdorur, nga dialekti jugor dhe fakti që ai ka qenë një njohës shumë i mirë i osmanishtes, mendojmë se përkthyesi është pikërisht Ali Asllani.
Ç’kanë të veçantë këto kujtime, diçka që nuk e kemi ditur më parë?
Si në çdo botim të memuareve, lexuesit do të gjejnë gjëra shumë interesante. Do të lexojnë mbi figura, si Ismail Qemali, Esat Toptani, Ahmet Zogu, Pren Bib Doda etj. Nuk do të ketë gjëra që do të çudisin dynjanë, por ka detaje, imtësi, trajtime në thellësi të personaliteteve, që ai i ka njohur nga afër. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për personalitete shqiptare, por diplomatë austro-hungarezë, osmanë, të vendeve fqinje etj.
Ju thatë se ato janë përkthyer qysh në vitet ’40, përse u botuan kaq vonë?
Nëse do të gërmosh në arkiva, do të gjesh diçka patjetër. Këto kanë qenë në Arkivin e Institutit të Historisë me vite, janë shfrytëzuar edhe nga studiues të historisë. Gjatë periudhës së fundit, një nga zërat e Institutit të Historisë ka qenë sjellja për lexuesin jo vetëm e punimeve të studiuesve si monografi, artikuj, përmbledhje artikujsh etj., por është shtuar shumë edhe numri i dokumenteve të botuara, i kujtimeve dhe ribotimi në gjuhën shqipe i albanologëve. Pra, lexuesit kanë mundësi t’i qasen historisë nga shumë dimensione, kanë mundësi të zgjedhin dhe t’i qasen më afër të vërtetës.
Syrja bej Vlora njihet si rival politik i Ismail Qemalit, si e portretizon ai figurën e këtij të fundit?
Përmes këndvështrimit të Syrja bej Vlorës, Ismail Qemali vjen me të mirat dhe të këqijat e tij. Por e rëndësishme është që edhe ai bie dakord se ai ishte figura brilante që mundi të bënte atë që bëri, pra të unifikonte politikanët shqiptarë dhe me një pragmatizëm të spikatur dhe përvojë shumë të madhe, të realizonte pavarësinë.


Syrja Vlora, politikani nga një derë vezirësh
Syrja Bej Vlora lindi në Vlorë në vitin 1860 dhe vdiq më 1940-n. Pinjolli i familjes së njohur të Vlorajve, që i kishte dhënë Perandorisë Osmane pashallarë e vezirë. Ishte i biri i Mustafa Pashë Vlorës dhe i vëllai i Vezirit të madh, Ferit Pashë Vlorës (1903-1908), kushëri i Ismail Qemalit, por njëherësh rival i tij politik, babai i Eqrem bej Vlorës, kunat i Esat Pashë Toptanit (i kishte marrë motrën për grua), drejtor i përgjithshëm i Doganave osmane, deputet në Parlamentin osman pas vitit 1908, ambasador i Shqipërisë në Vjenë më 1914 etj. Syrja Vlora është i ati i Eqrem Bej Vlorës.

“Haxhi Qamili, një kriminel i çmendur”

Haxhi Qamili
Në Shqipëri ishin të pakta ato zemra të pastra, që e ndienin pavarësinë dhe ruanin shpresën për të ardhmen kombëtare. Turma nuk i çmonte dobitë e lirisë ose vargonjtë e skllavërisë. Ajo vetëm dëshironte një ndryshim administrate dhe priste ndonjë ngjarje të re, pa qenë në gjendje ta kuptonte si duhej bërë ky ndryshim. Fanatikët, që atdhedashurinë e quanin si një mëkat dhe kundër fesë, duke përfituar nga verbëria e popullit dhe duke marrë si pretekst gënjeshtrën, se feja e sovranit do të zhdukë traditat myslimane, shtuan shpresën për krijimin e një qeverie myslimane, ose vazhdimin e lidhjeve me Portën e Lartë. Dihej se realizimi i këtij qëllimi nuk ishte i mundur. Shqipëria nuk mund të rronte pa u ngritur një administratë kombëtare, që ta bashkonte popullin e të tri feve. Katolikët dhe ortodoksët e vendosur në viset kufitare nuk ishin bashkuar ende. Ata ishin të shqetësuar nga trazirat e administratës dhe shumica nuk e kishte treguar ende prirjen kombëtare. Në sy të botës, Shqipëria shfaqej jo unike, e përbërë prej fisesh të ndryshme. Në terren nuk shihej gjë tjetër, veçse mbeturina e shkatërrime. Por, krerët e rebelëve, që me pasionin e reaksionit nuk lanë dy gurë bashkë, nuk deshën t’i shihnin këto rreziqe, madje do të ishte më e drejtë të themi se nuk deshën t’i pranonin ato… Haxhi Qamili, shërbëtori i Refik Beut (Toptanit) nga Tirana, me gjithë kuptimin e fjalës ishte njeriu që në vetvete personifikonte egërsinë, ishte armik i edukatës shoqërore dhe i zhveshur nga ndjenjat kombëtare. Ai ishte si një i çmendur, i arratisur prej çmendine. Çmenduria dhe kriminaliteti i tij dihej nga çdo njeri. Pikërisht atë e pranuan si udhëheqës dhe iu vunë pas. Në minutën që Prind Vidi iku, karvani i rebelëve që ishin grumbulluar në qarkun e Durrësit, hyri në qytet dhe vuri dorë mbi Pallatin Mbretëror dhe mbi zyrat qeveritare. Rebelët nuk e panë të nevojshme të formonin një qeveri qendrore. Çdo kryetar me mbështetësit e tij u shpërnda, duke djegur e shkatërruar tërë vendet që hasnin në rrugën e pushtimit. Haxhi Qamili kishte veshur një uniformë gjenerali brigade, të cilën e kishte grabitur në shtëpinë e Fadil Toptanit. Me këtë uniformë ai ishte bërë qesharak dhe njëkohësisht maskara. Kësisoj, doli në mejdan atë ditë që populli i Tiranës, i Shijakut dhe i Kavajës, me apo pa dashje, iu nënshtrua.

Syrja Vlora: Si ua shiti Shkodrën malazezëve Esat Pashë Toptani

Botohen kujtimet e politikanit nga Pavarësia në Luftën e Vlorës.

“Ishte inteligjent nga natyra, por analfabet. Në vëmendjen e tij, atdheu përbëhej nga vetvetja, dëshira dhe fama”



Syrja Vlora, kunati i Esat Pashë Toptanit, tregon prapaskenat politike.

Esat Pasha, 1 mln franga për mbështetjen e Vidit.

I mbetur në hije për dekada të tëra, një nga njerëzit më të fuqishëm të Perandorisë Osmane, në vitet e fundit të jetës së saj, na vjen në Shqipëri, përmes një libri kujtimesh, me vlera të veçanta për historiografinë shqiptare. Syrja Bej Vlora, pinjoll i familjes së fuqishme Vlora, e cila i ka dhënë Perandorisë Osmane e më pas historisë shqiptare shumë personalitete, që nga vezirët e pashallarët, ishte kushëri i Ismail Qemalit. Sipas studiuesve, ai ishte i preferuari i Vjenës për të udhëhequr Shqipërinë drejt pavarësimit dhe në një farë mënyre një lloj rivali politik i Ismail Qemalit. Kjo është lehtë e kuptueshme në faqet e librit të tij me kujtime “Kujtime-Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës”, i përgatitur për botim nga Instituti i Historisë dhe botuar nga shtëpia botuese “Iceberg”. Kujtimet e Syrja beut kanë qenë të shkruara në gjuhën osmane, rreth viteve ’20 të shekullit të kaluar dhe mendohet të jenë përkthyer në gjuhën shqipe mes viteve ’40, me shumë gjasë nga poeti dhe përkthyesi Ali Asllani. Edhe pse këto kujtime ruheshin prej shumë vitesh në Arkivin e Institutit të Historisë, vetëm tani u mundësua botimi i tij. Si rival i Ismail Qemalit, kunat i Esat Pashë Toptanit dhe i ati i politikanit, diplomatit, ministrit të Jashtëm në vitin 1944, Eqrem bej Vlorës, është e kuptueshme pse ato nuk janë botuar gjatë viteve të diktaturës, në një kohë që nuk merr një shpjegim të plotë pse u botua kaq vonë në periudhën e demokracisë. Në Turqi, kujtimet e Syrja Vlorës janë botuar vite më parë. Megjithatë, ai tashmë i është dhënë lexuesit, i cili mund të shohë përmes optikës së ish-drejtorit të Doganave Osmane, deputetit të Parlamentit Osman, ambasadorit në Vjenë… disa prej ngjarjeve më të rëndësishme që kanë shënjuar historinë shqiptare. Gjithashtu në faqet e këtij libri na vijnë edhe portretet e disa personazheve, të cilat ai i ka njohur personalisht. Pas Ismail Qemalit vjen portreti i Esat Pashë Toptanit, të cilin ai e kishte kunat (i kishte marrë motrën për grua). Nuk e bën për burrë të mirë, madje e quan analfabet dhe egoist, por nuk ia mohon trimërinë dhe burrërinë në situata të caktuara.                                       

Kopertina e librit me kujtimet e Syrja Vlorës
Esat Pashë Toptani që përpara luftës së vitit 1898 mori postin e komandantit të Xhandarmërisë së Janinës me mbështetjen e Halil Beut nga Kranja, një nga të parët e qytetit dhe armëtar i Pallatit të Jëlldëzit. Në luftën që u zhvillua në Kumcazas, ai u shqua për shërbim të mirë. Esat Pasha eci përpara sërish me ndihmën e komandantit të sipërpërmendur dhe me vlerësimin nga ana e të madhërishmit hyri me profesionin e ushtarakut në prefekturë dhe pastaj u rrit me gradën komandant. Për arsye se nga valiu i Janinës, tatari Osman Pasha, u gjet në një situatë të papërshtatshme në shtëpinë e një prostitute, atë e dërguan në Komandën e Xhandarmërisë të Shkodrës. Kur ai ishte në detyrë, me shpalljen e konstitucionit osman, vuri kandidaturën si deputet i Durrësit. 
Në ngjarjen e 31 marsit dhe në ato që pasuan nga vendimi i sulltan Abdylhamit Hanit, së bashku me bashkudhëtarët e tij, nëpunësin referues, fisnikun Arif Hiqmet Pasha dhe selanikasin Karasu Efendiu shkoi në Pallatin e Jëlldëzit dhe u dha qeveritarëve lajmin e fitores me trimëri dhe pa frikë. Pas kësaj zuri një vend të veçantë nën kujdesin e Ittihaçinjve. Atë e uruan për mbajtjen me nder të gradave në ushtri dhe e gjeti veten në mbrojtjen e Vilajetit të Shkodrës. Në legjislaturën e dytë të Kuvendit të Deputetëve u bë përsëri deputet i Durrësit, por me forcë. Qeveria, në kuadrin e përgatitjes për luftë në të katër anët e Ballkanit, karshi palës nxitëse të kësaj lufte, duke besuar në përsosmërinë ushtarake të Esat Pashës, pjesë e ushtarakëve të Gazi Myhtar Pashës, e dërgoi atë në Shkodër si komandant të “Organizatës me ndihmë të Ushtarëve”.
Malazezët, me ndihmën dhe mbrojtjen e serbëve dhe të malësorëve më 14 tetor 1912, zaptuan Tuzin, me 24 fortifikimet e Taraboshit dhe Shirokës që ishin në rrethim. Më 27 në kasabanë e Shkodrës hodhën gjylen e parë. 
Esat Pasha ftoi për vizitë në shtëpinë e tij Valiun dhe komandantin Hasan Riza Pashën, i cili u ballafaqua me një tradhti që i kushtoi. Esat Pasha u bë dëshmitar i kësaj ngjarjeje dhe për shkak të gradës mori komandën e përgjithshme. Populli nuk mbeti pa reaguar në këtë drejtim. Esat Pasha mori nga qeveria e Malit të Zi 6-7 mijë lira me dorën e çifutit vjenez të “Betlehemit”. Në përgjigje të kësaj kryerjeje krimi vazhdoi të tregohej në rrethet e ndryshme shoqërore. Esat Pasha nuk kishte si qëllim vetëm të shtinte në dorë komandën. Me qëndresën e tij të fortë rriti famën e emrit të vet. Por ai la gjurmë të këqija në ngjarjet e luftës së përgjithshme të Shqipërisë, që ndodhej në gjendje të mjerueshme amullie. 
Esat Pasha ishte nga ata njerëz, personalitetin e të cilëve historia nuk mund të mos e kujtojë. Rezultati i gjykimit të punëve të tij ishte pozitiv. Megjithëkëtë shpresa dhe aktiviteti i tij ishin pa kufi. Me përpjekjet, guximin dhe vendosmërinë si ushtarak, u tregua i denjë përballë situatës. Ai në vite tërhoqi rreth vetes një rreth njerëzish, pak a shumë sa një skuadër. Esat Pasha, i mbetur në Shkodër, kur ndjeu se po priteshin marrëdhëniet me ushtrinë osmane, me guximin që kishte për natyrë, u përball burrërisht. Me mbështetjen e forcave ushtarake të mbetura në Shkodër luftoi me gjithë forcën e shpirtit, aq sa harroi shërbimin ushtarak, madje edhe Riza Pashën. 
Esat Pashe Toptani duke dorezuar celesat e forteses se Shkodres princit te Malit te Zi
Esat Pasha ishte inteligjent nga natyra, por analfabet. Për të dashuria për atdheun, ndjenja kombëtare, ishte më e dobët nga ajo për rrethin e tij. Ai nuk iu dha me zemër asnjë të huaji. Vlerën e personalitetit të tij në çdo fushë, të drejtën ose të padrejtën e vëmë re nga analiza që i bëhet atij. Ai nuk tërhiqej përpara sakrificës për miqtë dhe vendin e tij, kërkonte vetëm të shërbente për të parë një Shqipëri të lirë. Nuk shfaqte emocionin e luftës. Punët e vështira, madje dhe në kohë të rrezikshme, nuk i linte në mes. Kishte autoritet të padiskutueshëm në qeveri për zbatimin e urdhrave.
Nuk ushqente besim të tepruar tek asnjë. Në vëmendjen e tij, atdheu përbëhej nga vetvetja, dëshira dhe fama e tij. Urdhrat e rëndësishme dhe punët e vështira i bënte duke menduar për të bërë përpara. Sikur fama dhe mënyra e punës së tij të ishte drejtuar në çështjen e përfitimit vetëm për atdheun dhe jo për përfitime personale, vendi do të kishte dobi të madhe. Nuk la situatë pa ndjekur për të arritur qëllimin e dëshiruar; punoi vazhdimisht për të treguar veten më tepër nga ai që ishte; nuk tërhiqej para çdo sakrifice dhe vështirësie; për të nuk mund të kishte shpresa të shuara. Shpirtin e kishte të ngopur deri në fyt me hakmarrje dhe nga mendimi për të bërë hile. 
Gazeta “Kölnische Zeitung”, në një artikull që botoi për të, shkruante se “Esat Pasha ishte tahmaqar, punëtor, krijues dhe i zoti. Për arritjen e qëllimit të tij nuk tërhiqej edhe nga gjërat, që mund ta dëmtonin atë”. 
Gjenerali gjerman, Immhof, në një ditar që botoi mbi Luftën Ballkanike dhe në tregimin për kohën e ngjarjes së 4 marsit, thotë se: “Esat Pasha kishte shumë rreth në Shqipërinë e Veriut. Nuk pati shqetësim nga malazeztë dhe të krishterët, përkundrazi, ata mundën vetë atë. Në Shqipërinë e Jugut nuk kishte përkrahës. Me Ismail Qemal beun kishte bërë shkollën. Shqiptarët nuk e ulin kokën, por, në situata lufte, forca ishte në dorë të Esat Pashës. Sikur ai të vazhdonte në qeveri, secili do të ishte i detyruar të largohej, të linte atdheun”. 
Përsëri gjenerali Immhof Pasha thotë se:
“Është e nevojshme të themi të vërtetën se në mbrojtjen e nderit të sanxhakut osman (të Shkodrës) ai qëndroi më tepër nga sa mundej. Ky gjeneral nuk u dorëzua dhe, në mënyrën se si rezistoi, emri i tij do të zinte një vend të rëndësishëm në historinë osmane”. 
Popullsia vendase po ta ndiqte më nga afër detyrën e ushtarakut të Shkodrës, do të kuptonte më pas se mbrojtja ishte e dobishme dhe e nevojshme. 
Esat Pashë Toptani ditën e mbërritjes së Princ Vidit në Durrës
Me këmbënguljen e veçantë të Austrisë si shtet i madh, për një javë malazezët dhe serbët mbetën të detyruar të tërhiqeshin nga rrethimi i Shkodrës. Malazezët, ndonëse e mësuan këtë, me mendimin të bëhet ç’të bëhet me pushtimin e Shkodrës, kërkuan të përballeshin me urdhrin e Europës. Rruga ishte gjetur. Me gjithë përvojën e luftërave, në sulmet që do të pasonin, patën humbje të konsiderueshme. Mbetën me shpresa të kota të fitimtarit. Ndërkohë, përballë popullit të pashpresë dhe të mërzitur, Esat Pasha u detyrua të përdorte mjete të tjera. Zoti Plambaç (Petar Plamenac) kishte pasur miqësi me Esat Pashën kur kishte qenë ambasador në Stamboll. Ai i dërgoi fshehurazi pashait lajmin se merrte përsipër të siguronte pagesën e dëmeve që kishin kryer serbët në shtëpinë dhe çifligjet e tij. Esat Pasha e pranoi propozimin e zotit Plambaç dhe vendosi rritjen e kushtit në pagesën e dëmeve të tij. Në këtë mënyrë, më 21 prill të vitit 1913, ditën e hënë në mbrëmje, filluan diskutimet midis Esat Pashës, gjeneralit Vukoviç dhe zotit Plambaç. Me këtë rast u lidh një marrëveshje dhe u bë dorëzimi i drejtpërdrejtë i fortifikimit të Shkodrës. 
Princi trashëgimtar i Malit të Zi, Danilo, vendosi të dorëzohej dhe të tërhiqej. Ky veprim u bë si rezultat i gjendjes së paparashikuar të krijuar në Shkodër. Ishte e pamundur të qëndroje më gjatë. Me heqjen dorë nga qeverisja e Shkodrës nga të huajt, sipas thashethemeve dhe sipas të vërtetës së situatës, Esat Pasha bëri të mundur të qëndrojë dhe disa ditë më pas. Lidhur me mënyrën e dorëzimit të Shkodrës, Esat Pasha u detyrua të japë llogari për bisedimet e kryera, për dhënien e urdhrave ushtarakë dhe premtimin për dorëzimin e sasisë së materialeve të rëndësishme. Mirëpo, asnjë nuk i doli në mbrojtje. Ata që kërkojnë të zhdukin punën e ndritshme dhe të dobishme të Pashait në të gjithë situatat e përmendura më lart, nga dita kur doli nga Shkodra, përfshi urimin zyrtar që iu bë në kohën kur qe në Tiranë, sikurse i takon një qeveritari, e konsiderojnë atë të dyshimtë për arsye se ai ishte vazhdimisht në luftë me Princin trashëgimtar të Malit të Zi. Esat Pasha me 15.000 ushtarë doli nga Shkodra dhe, me të vajtur në Lesh, veproi me guxim në shpalljen e vetes qeveritar. Malazezët, pas kësaj, për inat të titullit që mori si qeveritar, publikuan gjithandej letrën e shkruar prej Pashës dhe punuan deri në fund për t’i shkaktuar dëme…

Fillimi i kryengritjes


Esat Pasha, pasi doli nga Shkodra, duke u marrë vesh me malazezët; pasi forcoi autoritetin e tij në prefekturën e Durrësit, duke u mbështetur në ushtrinë osmane, që kishte nën urdhër të tij; pasi tronditi, me rivalitetin e tij, Qeverinë e Vlorës nën kryesinë e Ismail Qemal Beut, e kuptoi se edhe përtej zonës së tij të influencës, domethënë në Gegëri, pranimi i një sovrani të krishterë nuk gjente mbështetje. Kësisoj, ai i zgjeroi ambiciet e tij. Fuqinë, pasurinë dhe pozitën që shtiu në dorë, nuk i konsideroi të mjaftueshme, por kërkoi të merrte dhe më shumë. Mendonte të zotëronte fronin e Shqipërisë. Kur Esat Pasha ishte duke u përpjekur për realizimin e këtij qëllimi, Xhemijeti Ittihat ve Terakki kishte filluar të propagandonte idenë e një sovrani mysliman në Shqipëri. Fuat bej Prishtina, ish-llogaritar, Shefqet beu dhe Zenel Bej Peja, të dërguar nga Stambolli në Shkodër, ishin veglat për realizimin e këtij qëllimi. Kandidati i treguar prej tyre ishte Burhaneddin Efendiu, një nga djemtë e sulltan Abdyl Hamitit, për të cilin kishin gjetur mbështetës. Por, përpara kësaj iniciative, Kol Kolea nga Berati me disa njerëz të tjerë kishin hedhur në qarkullim emrin e Princit Fuat nga Egjipti. Aty-këtu edhe me ndihmën e shtypit, ata kishin punuar për realizimin e kësaj dëshire…
…Në zona ku shumica e popullsisë ishte myslimane, sidomos në Shkodër dhe në Shqipëri të Mesme, mendimi për të sjellë një mbret mysliman kishte zënë rrënjë mirë. Por, Esat Pasha hoqi dorë nga qëllimi që ndiqte, meqenëse në Shqipëri u dërgua Komisioni (Ndërkombëtar) i Kontrollit, kur u mor vesh se Austria nuk do ta pranonte (kandidaturën e tij) dhe kur ai vetë e kuptoi se Toskëria nuk do ta ulte kokën. Ai pranoi të përgatiste terrenin për mbretërimin e Princit Vilhelm Vid, duke u mjaftuar me marrjen e një milion frangave si shpërblim për përkrahjen që dha rreth çështjes.

ALMA MILE-Artistja amerikane Elizabeth M. Claffey : : Bëj fotografi për të treguar histori



Fotografja amerikane Elizabeth M. Claffey

“Ju lumshin duart”, ekspozita e hapur në galerinë “Zeta”

Kudo që shkonte dhe bënte fotografi, i kërkonin një kopje. Kur e shihnin dhe u pëlqente, i thoshin “Ju lumshin duart!”. Përgjatë një viti qëndrimi në Shqipëri, fotografja amerikane Elizabeth M. Claffey ka marrë kaq shumë urime e falënderime të tilla, saqë vendosi ta quante ekspozitën e radhës, pikërisht “Të lumshin duart”. Meqë në anglisht një shprehje e tillë nuk ekziston, ajo e ka përkthyer atë “Blessed are Your Hands” (Bekuar qofshin duart tuaja!). Kjo është ekspozita e dytë brenda një kohe shumë të shkurtër, që Claffey hap në Tiranë. Pas një performance të veçantë në galerinë “Miza”, ku fokusi i saj ishte drejtuar te spitalet, e nxitur nga një eksperiencë personale, fotografja amerikane hap një tjetër ekspozitë në ambientet e galerisë “Zeta”. Nuk është e rastit që Claffey, ashtu si edhe shumë kolegë të saj, të huaj, të vendosen kryesisht në kontekstin social. Jo se në vendet nga vijnë ata nuk ka probleme, por në një vend të vogël si Shqipëria, dendësia e tyre është aq e madhe, saqë nuk mund t’i shmangen, aq më tepër që ende vazhdon të gjallojë te të huaj mendimi mbi “ekzotizmin shqiptar”. E megjithatë, nuk mungon edhe një dozë poetike në fotografitë e saj.
Përmes fotografive të Elizabeth M. Claffey ke mundësi të udhëtosh nëpër Shqipëri, të takosh njerëz, të zbulosh peizazhe, të kërkosh të bukurën edhe tek e shëmtuara apo edhe në vendet më prozaike, përmes raporte ngjyrash. Për të i rëndësishëm është komunikimi dhe këtë e sheh te kalimi dorë më dorë i një sapuni, te një gjest dashamirësie, te radhët e gjata për të parë shpatën e Skënderbeut, një pjatë me pilaf, një peshkatar që hedh një rrjetë në breg… Fotografitë e kësaj ekspozite janë shkëputur nga cikle të ndryshme fotografike realizuar përgjatë një viti. Përpos projektit të saj mbi spitalet dhe pacientët, të realizuar në Amerikë, ajo një gjë të tillë e ka bërë edhe në Shqipëri, por është fokusuar në veçanti në Spitalin Obstetriko-Gjinekologjik, në repartin e fëmijëve të braktisur

E keni quajtur ekspozitën tuaj “Ju lumshin duart!”, ç’do të thotë kjo për ju?
Kur e kam dëgjuar për herë të parë më ka pëlqyer shumë, pasi ne nuk e kemi një shprehje të tillë në anglisht. Dhe, në këtë rast, është si një lloj “shlyerjeje”. Është një lloj falënderimi për të gjithë ata njerëz me të cilët kam punuar dhe më kanë hapur dyert. Një lloj bekimi…
Fotografitë tuaja vendosen në një kontekst të fortë social, pse keni zgjedhur këtë aspekt, ndërkohë që Shqipëria ka edhe shumë gjëra të bukura për të fotografuar?
Disa nga fotografitë e ekspozitës “Ju lumshin duart”
Unë nuk jam një fotografe peizazhi. Njoh shumë fotografë të mirë në këtë fushë, kam parë punë të realizuara në Shqipëri, të cilat kapin bukurinë e natyrës. Ndërsa qëllimi i punës sime është lidhja me njerëzit. Interesi im më i madh kur erdha këtu, ishte pikërisht të takoja njerëz, të dëgjoja historitë e tyre, të krijoja historinë time. Komunikimin e shoh si një pjesë shumë të rëndësishme të jetës. Është një lloj shkëmbimi energjish. Ndaj dhe unë bëj fotografi dhe kjo vjen natyrshëm tek unë.
Te fushat tuaja të interesit futen edhe spitalet, ç’ju lidh me to, ndonjë histori personale?
Katër vjet më parë, ime më u diagnostikua me kancer në pankreas, kështu që m’u dha mundësia t’i njoh këto ambiente. Përgjatë këtyre viteve kam dokumentuar historitë e grave që ishin të sëmura me kancer në gjoks. Kam takuar dy gra, të cilat më kanë ndryshuar jetën dhe këndvështrimin tim për të ardhmen. Jam e interesuar për ambientet spitalore e në veçanti për njerëzit që punojnë atje, që ndihmojnë njëri-tjetrin. Mendoj se spitalet janë vende të komplikuara, vulnerabël, por në të njëjtën kohë janë edhe vende mbështetjeje dhe shprese…
Eksperienca juaj nuk mbetet vetëm në Amerikë, ju keni vizituar edhe spitalet shqiptare gjithashtu…
Kur kam ardhur për herë të parë në Shqipëri isha vullnetare pranë OSAB (Organizata për mbështetjen e fëmijëve të braktisur) dhe kam punuar në maternitet. Gratë që punonin atje, më kanë mirëpritur. Jam frymëzuar prej tyre, kam realizuar edhe fotografi.
Ato kujdeseshin për fëmijët me shumë dashuri dhe marrëdhënia që ato krijonin ishte shumë e ngushtë, dinamike. Ku ka shpresë, ka edhe trishtim. Por ato gra ishin të forta dhe përballeshin çdo ditë me sfida. Kjo nuk është e thjeshtë. Dhe unë këtë dua të pasqyroj. Unë mund të realizoj miliona fotografi, por ajo çka unë shpresoj është të krijoj një lidhje, komunikim, për të kapur fuqinë e shpirtit njerëzor.
Ka një histori që ju ka prekur më së shumti?
O Zot, kam kaq shumë histori prekëse, por mendoj se eksperienca pranë OSAB, duke qenë edhe me shtrirje më të gjatë, ka qenë më e rëndësishmja për mua. Ishte shumë frymëzuese të punoje mes atyre grave dhe atyre fëmijëve të brishtë… 
Ç’keni zbuluar diçka të veçantë gjatë qëndrimit në vendin tonë?
Disa nga fotografitë e ekspozitës “Ju lumshin duart”
Interesi im më i madh është të gjej të përbashkëtat mes njerëzve. Sigurisht që popuj të ndryshëm kanë kultura të ndryshme, tradita, rite, gjuhë të ndryshme, njerëzit nuk janë njëlloj dhe kjo është e sigurt, por ajo që unë përpiqem të them, është sa shumë gjëra na bashkojnë. Nuk kam qenë më përpara këtu dhe, kur erdha, pashë shumë ndryshime nga vendi ku jam rritur dhe kam jetuar për shumë vite, por jam mahnitur se sa shumë gjëra të përbashkëta kanë me njëri-tjetrin qeniet njerëzore. Të gjithë duan një jetë të mirë, të ndihmojnë familjen, të bëjnë përpara…

Bahri Beci: Ju rrëfej gjyqin ndaj Eqrem Çabejt



                                                              Bahri Beci me profesor Rene Gzelin



Gjuhëtari tregon jetën nga Instituti i Gjuhësisë në Shkodër.

“Profesorin e akuzonin se përulej para autoriteteve të huaja, në mbledhje e mbrojti Manush Myftiu”

Këtë libër, akademiku Bahri Beci nuk e ka pasur ndërmend ta shkruajë, ndaj edhe e ka sqaruar lexuesin që në fillim duke e titulluar “Një libër që nuk do të doja ta shkruaja”. Ka përfshirë copa kujtimesh të largëta, qysh kur u bë pjesë e si punonjës shkencor në Institutin e Historisë e të Gjuhësisë, në vitin 1958, menjëherë pasi përfundoi studimet universitare në degën e Gjuhës dhe të Letërsisë në Universitetin e Tiranës. Deri këtu, duket se gjithçka shkon mirë, por ngjarjet që vijuan më vonë, nuk ishin kaq të thjeshta… pengesa e mohim të drejtash që do ta bënin, njëfarësoj, të ngrinte krye. Pastaj, të pranonte për vete atë që do të vendoste “partia”, që do të thoshte, qarkullimin në Shkodër e pengim të punës akademike… Profesor Beci i rikujton fragmentet e historisë, ato më të rëndësishmet, një e nga një, duke shpalosur kështu një anë tjetër të padukshme të historisë së letrave e gjuhës shqipe, bashkë me dëshmitarët dhe “ndërtuesit” e saj.

Një gjyq i tipit kinez

Kopertina e librit










































Përjetimi i fundit i hidhur për mua gjatë kohës në “qarkullim” ka qenë pjesëmarrja në një mbledhje ose, më mirë, në një gjyq të tipit kinez, të organizuar nga Instituti, që kishte si temë “Luftën kundër përuljes përpara autoriteteve të huaja”. 
Nuk di se pse, po isha ftuar nga Shkodra të merrja pjesë dhe unë në këtë mbledhje. Me sa duket, organizatorët, të bindur për suksesin e tyre, mendonin se kështu mund të na imponoheshin dhe ne që, edhe pse jashtë loje, nuk përbënim në atë moment ndonjë rrezik real për aktorët bizantinë të saj. Po për këtë do të ishte mirë të tregonin ata vetë, në qoftë se pas kaq kohe u ka mbetur diçka nga trashëgimia e tokës që i lindi dhe i rriti, nga trashëgimia e ndërgjegjes njerëzore, e cila edhe pse shumë e re në krahasim me historinë e njerëzimit, ka dhënë shembuj të jashtëzakonshëm vitaliteti. Po, nejse, këto pak rëndësi kanë tani kur pasojat e këtyre qëndrimeve kanë bërë punën e tyre shkatërruese si një ortek në çmendurinë e tij. 
Në bankën e të akuzuarve, kësaj radhe pra, ishte ulur profesor Eqrem Çabej. Mbaj mend që në atë mbledhje që bëhej në një sallë të madhe të mbushur përplot, spikati vendosmëria dhe zëri i fuqishëm i Menellës, i cili kërkonte ta vinte me shpatulla për muri profesor Çabejn. Edhe mua m’u kujtua viti 1952, kur Dhimitër Shuteriqi e kishte quajtur “antipatriotike” veprimtarinë shkencore të Eqrem Çabejt. Po kështu, edhe S. Pollo, duke bërë aluzion se studiues si Çabej i kishte vlerësuar si njerëz “tek të cilët nuk ekziston asnjë thërrime patriotizmi” si njerëz që “vazhdojnë të mohojnë origjinalitetin e gjuhës sonë”, si njerëz që “përulen verbërisht përpara të ashtuquajturave autoritete të gjuhësisë borgjeze të Perëndimit…”. “Këta,- pohonte në atë kohë S.Pollo, – janë kozmopolitë dhe, si të tillë, ne duhet t’i luftojmë”. 
Pra, po përsëritej historia. Kritikohej profesor Çabej për përulje përpara autoriteteve të huaja. Po ai, me zgjuarsinë dhe pjekurinë që e karakterizonte, kur e mori fjalën, nuk iu përgjigj provokimeve, po dha një pasqyrë të argumentuar të kontributit të tij dhe të qëndrimeve, siç thoshte ai, “objektive po jo indiferente” ndaj kontributit të shkencëtarëve të huaj në studimet me shqipen.
Mbaj mend që në pushimin e asaj mbledhjeje, drejtori ose profesori ynë i historisë së gjuhësisë ishte shumë i shqetësuar, pa qenë në gjendje të rrinte në një vend. Përse do të thoni ju? 
Kur njëri nga folësit (pjesëtar i orkestrës që drejtonte profesori ynë i historisë së gjuhësisë) e akuzoi ndër të tjera profesor Çabejn se në nekrologjinë për Maksimilian Lambercin ai kishte folur fjalë të mira për të, ndërhyri Manush Myftiu (i dërguar i partisë dhe qeverisë në mbledhje, atëherë anëtar i Byrosë politike dhe ndoshta zëvendëskryeministër, pra dorë shumë e fortë) dhe u tha:
-Çfarë kërkoni ju, që në nekrologji të ketë sharje? 
– Është më mirë të mos bësh, sesa të përdorësh sharje në nekrologji.
Ky qe dhe fundi i palavdishëm i asaj mbledhjeje dhe shkaku i vërtetë i ecejakeve të drejtorit ose profesorit tonë të historisë së gjuhësisë në pushimin e asaj mbledhjeje. 
Ishte hera e parë që ndodhte kështu. Kësaj radhe Çabej kishte fituar, ndonëse një gjë e tillë edhe sot, po t’i pyesësh ata të orkestrës, nuk besoj se do ta pranojnë. Them kishte fituar jo se kjo u pranua ndonjëherë shprehimisht, po sepse pas mbledhjes nuk u mor ndonjë masë dhe as u tha ndonjë fjalë e keqe për profesor Çabejn.
Ndoshta sekreti i kësaj fitoreje të Çabejt kësaj radhe e kishte një shpjegim. Në të vërtetë, Enver Hoxha, para disa vitesh, menjëherë pas prishjes me Bashkimin Sovjetik, duke qenë pa asnjë mbështetje nga jashtë, ishte i detyruar t’i kthente sytë brenda vendit, pra t’u drejtohej intelektualëve shqiptarë. I ndodhur në një situatë pa rrugëdalje, ai kësaj radhe kishte nevojë për të gjithë intelektualët pa përjashtim, edhe për ata që kishin mbaruar shkollat në vendet perëndimore, pra edhe për Çabejn. Kështu që gjeti rastin dhe në një mbledhje në Universitet tha se kishte tridhjetë vjet që nuk e kishte takuar Eqrem Çabejn. Ai nuk ka qenë dakord me ne, po megjithatë partia e ka lënë atë të punojë dhe ai i ka dhënë e po i jep kulturës shqiptare etj. etj… dhe nxirrte konkluzionin që kjo tregon për punën e madhe të partisë me njerëzit (për saktësi mund të shikohet vëllimi përkatës i veprave të botuara të E.H).
Pra, Enver Hoxha ishte kujtuar pas tridhjetë vitesh se ekzistonte Eqrem Çabej që të fliste me “konsideratë” për kolosin e kulturës shqiptare që, pa u ndier, i rrethuar e i survejuar nga pseudointelektualë shqiptarë, në kushte pune e jete gati qesharake, thurte si Penelopa veprën e tij, gjerdanin e artë të kulturës sonë kombëtare, me të cilin shqiptarët do të mund të ulen krenarë në sofrën e madhe të popujve. Besoj se këtu qëndronte edhe sekreti i asaj “fitoreje” të Eqrem Çabejt, e cila gjithsesi nuk mund të vlerësohet si humbje as për profesorin tonë të historisë së gjuhësisë dhe orkestrën e tij. 
Këto ishin pak a shumë rrethanat kur unë rifillova punën në Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë, në gusht të vitit 1969.  

Në zyrën e kuadrit

Nuk kisha veçse pak orë që kisha shkuar në Institut, kur më lajmëruan se më kërkonin në zyrën e kuadrit në Universitet. 
E kam si sot parasysh takimin me shefin e kuadrit, Feraudinin, të cilin asokohe as që e njihja. Pasi bëri një hyrje “sqaruese” për politikën e partisë, më njoftoi se isha caktuar të qarkulloja. Mbaj mend që fjalët e tij nuk më bënë shumë përshtypje, ndoshta sepse isha përgatitur shpirtërisht më parë. E vetmja gjë që më interesonte në ato momente, ishte të merrja vesh se ku do të shkoja. Kur më tha se do të shkoja në Shkodër, u lehtësova, ndoshta për një çast u gëzova, nuk duroja dot pas asaj lodhjeje dhe atyre peripecive të shkoja në një vend të panjohur. 

Përsëri në Institut

Kur rifillova punën në Institut, unë isha i vetmi që kisha bërë qarkullimin. Sipas “teoricienëve” të qarkullimit, unë duhet të kisha përfituar shumë. Dhe me të vërtetë “kisha përfituar”, isha bërë më i vetëdijshëm për situatat, për njerëzit dhe ambiciet e tyre, për grupazhet dhe ambiciet e tyre; Kisha mbaruar, si i thonë fjalës, shkollën e jetës. Gjithsesi, kisha mësuar diçka, po jo ato për të cilat përrallisnin demagogët e teorisë së qarkullimit. Po kryesorja për mua ishte se nuk ndieja të kisha ndërruar mendje ose të kisha humbur besimin në forcat e mia dhe aq më pak në vendosmërinë për të luftuar që të fitonte e drejta, e ndershmja, perspektiva, e ardhmja e vendit tim, i cili, edhe pa këto, kishte shumë halle për të zgjidhur. 
Nuk e mbaj mend ditën që erdha në Institut, po di që ardhja ime qe krejt e natyrshme, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. Dhe, me të vërtetë, asgjë nuk kishte ndodhur, ishin pothuajse po ata njerëz, po ato ambiente që kisha lënë dhe po ato probleme. 

Fletërrufe drejtorit…

Nuk e mbaj mend se në ç’rrethana, po më duket se pak ditë para se të shkoja në Shkodër me qarkullim, profesori i nderuar Selman Riza (me origjinë nga Kosova), i cili kishte mbaruar studimet në shkollat perëndimore, i vuri fletërrufe drejtorit të Institutit të Historisë dhe të Gjuhësisë ose profesorit tonë. Ndër të tjera, në fletërrufe shkruhej:
“Prej vitesh kam prurë bindje se shoku Androkli ka arritur një formim profesional nga më të ngriturit dhe një kalitje ideologjike për t’ia pasur lakmi. 
Por gjithashtu prej vitesh kam konstatuar se shoku Androkli ka mbajtur qëndrime parimore dhe ka ndjekur kurse objektive vetëm atëherë kur këta qëndrime dhe këta kurse vetë atij personalisht ose i kanë ardhur për mbarë, ose i kanë qenë indiferentë, ose i kanë prishur punë pak, ose i janë imponuar nga forca e rrethanavet; në rastet e tjera ka mbajtur qëndrim joparimor dhe ka ndjekur kurse subjektivë. 
Po kjo kontraditë e dyfishtë e parimorisë joparimore, të qëndrimeve që ka mbajtur, dhe e objektivitetit subjektiv të kurseve që ka ndjekur shoku Androkli, vallë si mund të shpjegohet përkatësisht si duhet shpjeguar?
Këtë kontradiktë të dyfishtë të shokut Androkli njeriu dhe duhet ta shpjegojë vetëm me metodën e pagabueshme të materializmit dialektik, e për pasojë vetëm me praninë e moslikuidimit të mbeturinave të huaja në ndërgjegjen e tij përndryshe socialiste, siç janë: individualizmi, deklarativizmi, vetëgjyqësia, kompleksi i superioritetit, mostolerimi i kritikave, mosqenia autokritik etj. 
Ky moslikuidim i këtyre mbeturinave shokun Androkli e ka shpënë të marrë vendime arbitrare dhe të ndjekë kurse të dëmshme në çështje me rëndësi madhore siç janë…
Moslikuidimin e mbeturinave të huaja në ndërgjegjen përndryshe socialiste të shokut Androkli- kryesisht e kanë shkaktuar në një anë grumbullimi i sa e sa kompetencave të udhëheqjes shkencore të funksioneve të drejtimit administrativ, e n’anë tjetër mosushtrimi i kontrollit të rreptë mbi atë dhe mospraktikimi i kritikës së hapët ndaj tij nga lart, horizontalisht dhe nga poshtë. Prandaj, kolektivi i Institutit dhe organizata-bazë e partisë duhet të bëjnë kthesë në ndihmimin e shokut Androkli për likuidimin e mbeturinave të mësipërme.
Pa këtë kthesë në këtë ndihmim shoku Androkli nuk do të mund të çlirohej nga këto mbeturina që i janë si të thuash kurulldisur në mendje e në shpirt, që ia shtrembërojnë tërë optikën e sendeve dhe të njerëzvet, dhe që ia komprometojnë keqas tërë punën drejtuese si përgjegjës i sektorit të fjalorit dhe drejtor i Institutit”.
Me profesor Selmanin, siç kam shkruar, ishim në të njëjtin sektor. Kisha kohë që i ndieja shqetësimet e tij. Ai nuk ishte dakord me pikëpamjet dhe qëndrimet e profesorit tonë të historisë dhe gjuhësisë ose drejtorit të Institutit. Madje, ai ishte i vetmi që kishte guxuar deri atëherë t’u kundërvihej pikëpamjeve të tij, ndonjëherë ai kishte guxuar madje “të shpërthente” në mbledhjet e sektorit/ po kësaj radhe shqetësimet e tij kishin marrë një formë tjetër, ishin bërë publike, duke u shpallur zyrtarisht në formë akuze. 

Ballafaqimi i parë publik “me rregulloren”
Ballafaqimi i parë publik “me rregulloren”

E vlen të kujtoj këtu që me Jorgjin pata një ballafaqim: nuk isha dakord që në tekstin e Ddialektologjisë (dispensë) të përgatitur prej tij nuk përmendej asnjë prej punimeve tona, të cilat kishin shërbyer si bazë për hartimin e tekstit. Kjo mbase shënoi edhe fillimin e mosmarrëveshjeve tona, të cilat tani e tutje do të vinin gjithmonë duke u thelluar. Çdo përpjekje e imja për të mos u dhënë këtyre mospajtimeve karakter personal qe e kotë dhe s’kishte se si të ishte ndryshe. 
Jorgji tani e ndiente veten shumë të fuqishëm, ishte më i vjetër se ne në Institut, ishte anëtar i partisë, ishte nënkryetar i organizatës profesionale të Institutit dhe, ajo që ishte më kryesorja, tani ai kishte tërë përkrahjen dhe mbështetjen e drejtorit të Institutit ose të profesorit tonë të historisë së gjuhësisë.

ALMA MILE-Maria dhe Lejla, dy vajza gjermane, kanë pozuar për disa ditë para të rinjve shqiptarë.


Posteri i ekspozitës “Tirana Akt” me vizatime dhe skica të realizuara gjatë kursit të vizatimit në Tirana Ekspres


Ato kanë ardhur që nga Gjermania për të pozuar nudo në Shqipëri. Nuk bëhet fjalë për ndonjë set fotografik “të nxehtë” (si përdoret rëndom kohëve të fundit për fotografitë e VIP-ave në plazh), por për një pozim përpara të rinjve të pasionuar pas pikturës. Maria dhe Lejla, dy vajza nga Berlini, janë vetofruar në këtë projekt të titulluar “Tirana Akt”, jo vetëm për t’u dhënë të rinjve mundësinë të hidhnin mbi letër format trupore femërore, por edhe për të hapur diskutimin mbi seksualitetin dhe mbi të qenët “komod” me trupin tonë. Projekti është zhvilluar për disa ditë me radhë në ambientet e qendrës alternative kulturore “Tirana Ekspres”, e cila prej kohësh është kthyer në qendër, ku gjejnë veten të gjithë trendet dhe lëvizjet e reja kulturore në Shqipëri. Punët e realizuara gjatë këtyre ditëve do të ekspozohen në ekspozitën “Tirana Akt”, në ambientet e Tirana Ekspres, më datë 25 korrik2013

Mbi seksualitetin


Një nga vajzat gjermane duke pozuar nudo për të rinjtë shqiptarë në Tirana Ekspres

Një nga streset më të mëdha të kohës sonë është të mos ndjerit rehat me trupin tonë. Dikush ka ca kile më shumë, dikush nuk ka forma të bukura, nuk ka “abdominalet” si kurriz breshke, nuk ka këmbët e gjata e pa celulit… të gjitha këto shkaktojnë pakënaqësi, stres, inferioritet, orë të tëra palestër, para të hedhura për dieta… Aq më dramatike bëhet situata kur dikush ndien se ka lindur brenda trupit të “gabuar”, se do të donte të kishte lindur me seksin e kundërt… Maria dhe Lejla, dy berlinezet e ardhura në Tiranë, na tregojnë se nuk ka asgjë që nuk shkon me trupin tonë dhe se sa e rëndësishme është ta duam atë ashtu siç është. Këtë e kanë bërë përmes pozimit nudo. Një pozimi të çlirët, pavarësisht formave të ngjallura apo preferencave seksuale. Sipas tyre, arti është një formë për t’u shprehur lirshëm për trupin dhe seksualitetin. Përmes trupit mund të thyhesh tabutë dhe të mund të flasësh për ato tema, që deri më tani janë quajtur “të turpshme” apo “të sikletshme”. Gjithashtu ato kanë dashur të prekin edhe tema më delikate të konceptit të qenies seksuale, si minoritetet seksuale, pra personat e komunitetit LGBT. Prandaj grupi i pjesëmarrësve ka qenë miks, duke u treguar të hapur për të pasqyruar të gjithë diapazonin e seksualitetit njerëzor. U përkisnin kryesisht moshave të reja. Mbi dhjetëra vizatime e skica janë hedhur mbi letër, duke u nisur nga trupat e Marias dhe Lejlës, por edhe modelëve meshkuj, që kanë pranuar të pozojnë gjithashtu, gjatë këtyre ditëve. Në çdo orë vizatimi merrnin pjesë rreth 5-8 veta, gjatë ditëve e hënë, e mërkurë, e diel, kryesisht gjatë orëve të mbrëmjes nga Lejla dhe Maria. Kohëzgjatja e kursit ishte nga 2 në 4 orë. Pjesëmarrësit jo detyrimisht duhet të ndiqnin një shkollë arti apo të kishin një formim artistik të thelluar.

Gjatë kursit të vizatimit të organizuar nga Maria dhe Lejla, dy vajzat e ardhura nga Berlini, për projektin “Tirana Akt”





Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...