Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/14

Aleanca Kosova e Re me pamje e forca të reja

Aleanca Kosova e Re të premten në mbrëmje e ka filluar Kuvendin e tretë zgjedhor të partisë. Të pranishëm në hapje të këtij Kuvendi ishin përfaqësues të partive politike, përfaqësues ndërkombëtarë si dhe politikanë nga mbarë trojet shqiptare. Më këtë rast, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka thënë se themelimi i AKR-së ka pasur për qëllim ofrimin e vizionit për zhvillimin e vendit.

Ai ka deklaruar se AKR-ja gjatë këtij rrugëtimi është rritur, duke e argumentuar këtë me sjelljen e njerëzve të rinj të cilët kanë ndikuar në zhvillimin e partisë. Presidenti i AKR-së ka falënderuar përfaqësuesit e partive politike në vend, si dhe përfaqësuesit nga mbarë trojet shqiptare për praninë e tyre në këtë Kuvend.

“Po ashtu i falënderoj të gjithë ata që e mbështetën AKR-në, i falënderoj të gjithë miqtë e AKR-së të dhe të gjithë ata që po vazhdojnë ta mbështesin idenë tonë për shtetndërtim për mirëqenien e qytetarëve. Ju aktivistët e AKR-së, ju përfaqësuesit e forumeve të AKR-së ju falënderoj që mbajtët fjalën e dhënë dhe për këtë unë përkulem para jush dhe ju falënderoj nga zemra”, ka thënë Pacolli.

2013/09/12

RACIONALIZMI, PANTEIZMI E MISTICIZMI FILOZOFIK I NAIMIT

Prof. Dr. Ali VISHKO




Rrethanat e reja që u krijuan nga procesi i shkatërrimit të marrëdhënieve feudale në viset shqiptare dhe zhvillimi i ngadalshëm i atyre kapitaliste nëpër qendrat, ndikuan që në radhët e borgjezisë së ultë të vendit të paraqiten dhe ideologët e Lëvizjet Kombëtare Shqiptare dhe ilumunistët shqiptarë, ndër të cilët ishte dhe Naim Frashëri.
Naimi lindi në Frashër të Përmetit më 13 maj 1846 në në familjen e bejlerëve të njohur të vendit - Halid Beut, familje me traditë të kulturore. Në vendlindje ai kreu dhe shkllimin fillor, ku u njoh me gjuhët klasike orientale - me arabishten, persishten e osmanishten; sidomos zotërimi mirë i mëtejshëm i persishtes u bë vendimtar në caktimin e tij si poet e mendimtar dhe, ndihmoj atij në studimet nga sfera e filozofisë, letërsisë, shkencës, teologjisë islame e veçanërisht të bektashizmit: ndërkohë ai, veç tjerash, i njohu dhe krijuesit e mëdhenj të kulturës islame e me të dhe ata të krijmtarisë islame shiite të sektit bektashian, siç ishin Haxhi Bektash Veliu, Ballëm Sulltani, Sejid Ali Sulltani, Sersen Ali Baba (Dede) etj. Nga krijuesit e mëdhenj të Lindjes, përveç Pirdusiut, Gazaliut, Mujiddin Arabiut, Shiraziut etj., që ai i njohi, duhet veçuar Fuzuliun, poetin më të madh klasik të letërsinë osmane, i cili pati ndikim të madh në krijimtarinë e Naimit, sidomos në veprën "Qerbelaja", ku Naimi është inspiruar nga kryeveprat e Fuzuliut siç janë "Hadikatus Suada", ejt. Nën ndikimin e letërsisë persiane Naimi shkroi dhe poezi të bukura, siç janë ato në përmbledhjet me titut "Lulet e verës", "Ëndërrime", "Fletorja e Bektashinjët" etj.
Në shkollimin e mesëm që bëri në shkollën e njohur mirë të Zosimesë në Janinë, Naimi e njohi mirë dhe letërsinë klasike greke e frenge, greqishten e frengjishten dhe drejtimet filozofike evropiane të kohës që mësoheshin.
Ndikimet e kulturës së orientit - e letërsisë, filozofisë, fesë, gjuhës etj. te Naimi është i dukshëm qysh në fillimet e të thururit e vargjeve të para të kohës së fëminisë të moshës dhjetëvjeçare, të cilët vargje poetike ai fillon në persishten, me fjalët "Synbyli zade-i ahmak", që dmth. "I plakur njeri-u i molisur", pastaj vepra e parë e krijimtarë së tij e shkruar dhe e botuar, siç ishte "Tehajjulat", gjithashtu ishte në persishte.
Naimi ndonëse i përket periudhës së krijuesve romantikë shqiptarë, në pikëpamjet e veta filizofike anon nga racionalizmi, panteizmi, misticizmi, rusoizmi, materializmi etj., gjë që deri diku na duket si anakronizëm, por është e vërtetë.
Naimi, sikurse dhe filozofi i njohur freng-Rene Dekart, besonte në ekzistimin e Zotit, sipas të cilit e gjen "Arsyenë" e të qenit të botës dhe të çdo gjëje. Por, derisa Rene Dekart mbështetur në arsyen, u çua kundër filozofisë mesjetare me botëkuptime të errët të klerit katolik, Naimi u ngrit kundër klasës feudale në Shqipëri, ku thënë në gjuhën, në frymën e në etikën naimiane, në të njëjtën kohë te ai - Naimi "Arsyeja", "Urtia", dhe "Besa" qenë tri porta, nëpër të cilat ai kolos i dijes, erudit i penës e mistik i shquar kaloi, për të dalur në rrugën e hyjnisë. Ky ishte në esencë dhe bektashizmi i Naimit.
Sipas pikëpamjeve të veta filozofike racionaliste Naimi kërkonte që filozofia t‘i shërbente njeriut, që nëpërmjet të kësaj - të filozofisë njeriut të njihte botën, me qëllim që të bëhet zotëruesi i natyrës e i shoqërisë njerëzore.
Naimi me anë të krijimtarisë së vet idealiste përpiqej që të përhapte një fe islame të dlirë, thellësisht të estiluar, duke përjashtuar prej asaj çdo gjë që pengon përparimin e njeriut si dhe unitetin kombëtar të shqiptarëve; Naimi këtu ndiqte devizën e rilindasve, të cilët në kohën e vet, në këngët, mes tjerash, këndonin: "...Bes' e fenë kemi - Kombin shqipëtar..."; Naimi dhe vetë për besën në një kontekst tjetër, mes tjerash thotë: "Besa 'shtë vetëm një fjalë... E shtuan ata që s'dinë....", gjë që duket në vjershën "Të mirëtë" nga vepra "Fletorja e bektashinjët". Sipas Naimit, Zoti e ka pajisur njeriun me arsye, me mend e me ndërgjegjje dhe ia ka falur njeriut fuqinë e nderin mbi faqe si dhe besën në zemër. Njeriu sipas Naimit është mbret mbi faqen e dheut dhe Zoti mbi gjithë kafshët, ku peshoja e sjelljeve të tij duhet të jetë ndërgjegja.
Jehona e ideve racionaliste të Naimit gjindet në pjesë të madhe në veprën e tij "Mësime", ku ky, duke folur për njeriun, për përparimin e tij, ngritjen etj., paraqitet si racionalist i vërtetë, me cilin rast ai edhe e cakton dhe relacionin ose qëndrimin e vet ndaj shoqërisë njerëzore, ndaj natyrës e ndaj gjithësisë. Sipas etikës së tij aktiviste del se arsyeja e shkenca janë fuqitë më të mëdha të njeriut; edhe botëkuptimi fetar i tij mban vulën e racionalizmit, sepse sipas tij dhe në punë të fesë arsyeja është gjykatësi epror i një instance të Universit të arsyes së përgjithshme dhe të Intelektit të përgjithshëm. Racionalizmi i Naimit gjenë mbështetje:
Së pari në përpjekjet e tij për përhapjen e arsimit në meset e popullit të prapambetur shqiptar, me anë të hapjes së shkollave, botimit të librave në gjuhën shqipe, në luftën kundër errësirës ku ndodheshin shqiptarët në atë kohë, në përpjekjet për çlirimin e femrës shqiptare e barazimin e saj me burrin në familje, në përcaktimin e rolit të nënës në familjen shqiptare e në shoqëri etj.
Së dyti gjithashtu në studimet ndaj Natyrës dhe Njeriut, në interpretimet, në të kuptuarit e fenomeneve në natyrë e në shoqëri, ai i drejtohej arsyes.
-Së treti edhe në studimet, në intepretimet e njohurive fetare, në spjegimin e tyre, siç është thënë dhe diçka edhe më parë, Naimi mbështetej në arsyen, ku arsyeja është gjykatësi epror, ndodhur ndër universet hyjnore, siç janë Universi i arsyes e ai i Intelektit të përgjithshëm, quajtur ndryshe dhe "R u h", ose në gjuhën popullore shqipe "Frymë". Idetë, mendimet e pikëpamjet racionaliste të Naimit, përveç veprës "Mësime", gjejmë dhe në veprat "Lulet e verës", "Ëndërrime", "Fletorja e bektashinjët" e të tjera.
Në misticizmin e Naimit, përpos botëkuptimeve me karakter religjioz, gjinden dhe pikëpamje të karakterit social, politik etj. Por, dersia opinioni fetar i mistikëve romantik evropianë ishte i errët, i paqartë, ku religjioni ishte një vështrim pasiv ndaj gjithësisë, kosmosit, qëndrimi i Naimit në këtë çështje ndryshon. Burimet, qëndrimet e pikëpamjet e Naimit në këtë sferë të njohurive në pjesë të madhe lidhen me ato të Lindjes ose kanë të bëjnë jo me ato të perëndimit; ato pikëpamje janë në lidhje me misticizmin lindor.
I rritur në një rreth me kulturë e botëkuptime orientale, Naimi me kohë e përqafoi besimin Islam të drejtimit Shiit të sektit Bektashian. Me bektashizmin te ai erdhën në shprehje dhe idetë filozofike panteiste të një panteizmi idealistik lindor.
Panteizmi idealistik i Naimit rrënjët i ka në filozofinë e lashtë persiane, elemente e së cilës filozofi janë pranuar deri-diku dhe nga drejtimi islam shiit të sektit bektashian etj. Me këto pikëpamje bektashiane Naimi njihet nëpërmjet përfaqësueve bektashianë mirë të njohur, të përmendur në këtë kumtesë dhe më parë, me anë të krijuesve bektashinj të rrethit të vet siç ishin Dalip e Shahin Frashëri etj.
Botëkuptimet filozofike e realigjioze të Naimit kanë të bëjnë me vështrimin aktiv e jo pasiv të njeriut ndaj GJITHËSISË, ndaj NATYRËS, JETËS etj. Sipas këtyre botëkuptimeve, detyra themelore e njeriut në botë e në jetë është të hulumtuarit, ku aty njeriu më parë duhet të njohë vehten e, me atë - duke e njohur vehten, ai arrin që të njohë edhe botën e natyrën, pjesë e të cilave është edhe vetë. Sipas misticizmit të tij, njeriu duke e njohur vehten si dëshmi e pjesë të ndikimit hyjnor, ai në të njëjtën kohë e zbulon veprimtarinë e fuqisë së Zotit në qenien e vet të brendshme, më çka arrinë që t'i njohë dhe manifestimet e karateristikat e asaj fuqie; me atë rast njeriu njëkohësisht arrinë që të zbulojë edhe kornizën universale shkencore të njohurive njerëzore. Sipas Naimit, Perëndia si imanencë ose qenie universale që do të dëshmonte vehten e Tij, e ka krijuar njeriun si krijesë më të përsposur të natyrës ose të gjithësisë, dëshminë më konkrete për kreatyrën e vet të amshueshme, ku njeriut Zoti ia ka falur diçka nga tiparet e veta më të ndritura perëndie, siç janë intelekti, bukuria etj. Sipas Naimit, njeriu duke i zbuluar sekretet e gjithësisë, e sidomos të planetit tonë, mund të fitojë dhe jetën e amshueshme, respektivisht intelekti ose "ruhu" i tij, thënë arabisht.
Në panteizmin e Naimit NJERIU respektvisht INTELEKTI i tij, NATYRA e ZOTIT gërshetohen në një tërësi të pandashme. Ai si panteist mendonte se ligjet e kësaj bote janë vënë njëherë e përgjithmonë nga një fuqi ekzistuese hyjnore, e cila fuqi i ka caktuar ligjet e lëvizjes, të ndryshimeve, të dukurive, manifestimit të tyre etj. Këto mendime, ide të Naimit kuptohen mirë dhe nga poezitë e tij në veprat "Lulet e Verës" si është poezia "Perëndia", në veprën "Tehajjulat" ose "Ëndërrime" me vjershën "Qielli" etj.; në vjershën e përmendur - "Perëndia" ai mes tjerash thotë:

Më çdo anë e kërkova Paskëtaj, o shokë, kurrë
Thashë: ku është' Perëndija Mos kërkoni Perëndinë
Po më pastaj e mësova Nëpër mur' e nëpër gurë
Qenka ndaj meje s'e dija. Po shihni mirë njerinë.

Sipas misticizmit të Naimit, burimi i çdo gjëje, lëvizjeje, manifestimi krijues etj. është zjarri hyjnor; ai është i mendimit se pasi u bënë kaq yje e diej, pasi nga Zoti u krijua gjithësia, kosmosi me yjet, me trupat qiellore, Perëndia të gjitha këto i mban ndër duar e, me këto dhe dirgjon, mbanë harmoni mes tyre, ekzistnecën e të tjera, gjë që kuptohet dhe prej vjershës së tij "Fyelli" nga vepra "Lulet e Verës", ku mes tjerash, thuhet:

Ai zjarr ra dhe në qiej Nga ky zjarr Zot'i vërtetë
Edhe duke përvëluar Që ka ngrehur gjithësinë
U bënë kaq yj' e diej Hoth një shkëndijë në jetë
Që i mban Zoti ndër duar. Dhe bëri soje njerinë...

Naimi si mistik, synonte nga URTIA, nga e DREJTA e nga VERTETA, ku zbulimi i së vërtetës ishte qëllimi imediat i tij, diçka që hasim dhe në bektashizmin e tij; ty manifestohen sjelljet hmane, të tolernacës, të fisnikërisë, dashurisë njerëzore e hyjnore, me qëllim të krijimit të njeriut si qenie universale, te i cili njeri do të vijnë në shprehje ndjenjat e tij të thella e besimi ndaj Zotot e ndaj interpretuesit të shenjtë të veprës së Perëndisë; synime të tilla mendime e ide të tij gjejmë në veprën e tij "FLETORJA E BEKTASHINJËT" etj.
Sipas misticizmit naimian, bektashizmës filozofike të tij, NJERIU respektivisht INTELEKTI i tij, NATYRA dhe ZOTI identifikohen si qenie e përbashkët dhe ato gërshetohen ndër vedi.
Bektashizma e Naimit ka të bëjë me filozofinë, teologjinë e letërsinë e teqeve bektashiane, mbështetur në krijimtarinë, traditën e interpretimet e Pirit ose Hyut Haxhi Bektash Veli-u, Ballëm Sulltani - sistematizues, interpretues etj. të doktrinës, të traditës bektashiane, Sejjid Ali Sulltani, Sersem Ali Baba e të tjerë, e jo sipas të një doktrine "Alevi-Bektashiane" Bedrinojane që është një përzierje shiite - sunite të kohës së sundimit.
Pjesë nga ritet të shiizmit e sunizmit si përzierje gjinden edhe në sektin islam të alvetive, ku ndjekësit, anëtarët e bashkësive alveti kremtojnë si festat bektashiane, ashtu dhe ato të sekteve sunite, mbajnë agjerime të të dyja llojeve e të tjera.

LIDHJET E NAIM FRASHËRIT ME KOLONINË SHQIPTARE TË SOFJES


Thoma KACORRI


Kolonia shqiptare e Sofjes, e cila themeloi më 1893 shoqërinë "Dëshira" ishte lidhur drejtpërdrejt me "Shoqërinë e Stambollit". Menjëherë pas themelimit të saj, më 1894, ajo dërgoi atje një nga anëtarët e saj më të shquar Spiro Garon për t'i njoftuar për themelimin e Shoqërisë, për programin e saj dhe për t'u lidhur drejtpërdrejt me ta e për të marrë udhëzime.
Spiro Garoja u kthye e entusiazmuar prej andej nga takimet që kishte bërë më Samiun, Naimin, Jani Vreton e të tjerë. Që andej ai solli edhe libra, gazeta e revista, të cilat edhe më tepër u ndezën shpirtrat të gjithëve anëtarëve të Shoqërisë.
Naim Frashëri ka patur lidhje të ngushta me Shoqërinë "Dëshira" dhe me shumë anëtarë të saj, ka patur dhe letërkëmbim personal. Ja se ç'shkruan Kostë Jani Trebicka në kujtimet e tij. "Kam patur letërkëmbim personal me udheheqësit e luftës kombëtare sidomos me Naim Frashërin në Stamboll, me shqiptarët e Bukureshtit, me Faik Konicën në Bruksel, ku ay botonte të përkohëshmen "Albania" në gjuhën shqipe etj. Kostë Jani Trebicka kishte qenë shumë herë kryetar i Shoqërisë "Dëshira", një nga botuesit e parë të Ditërrëfenjësit (Kalendarit) kombiar, bashkë me Kristo Luarasin, i cili u botua më 1897. Nga fjalët e së shoqes së tij, plakës Baba Donka, e cila ishte e gjallë aty nga vitet 1949-1950, një fletore me korrespondencën e kopjuar të xha Kostë Jani Trebickës, ia pat dhënë Dhimo Dhimës, një studenti shqiptar, i cili banonte te plaka. Ky student mbaroi drejtësi dhe për një farë kohe punoi si jurist në kryeministri, por fatkeqësisht vdiq i ri. Duke ditur këtë informacion kam pyetur të shoqen e tij Donika Dhima, e cila qe nënpunëse në Bibliotekën Kombëtare, përmbi këtë çështje, por ajo m'u përgjigj se nuk di gjë. Prandaj besoj se fletorja ekziston gjëkundi ose në Bibliotekën Kombëtare ose në Arkivin e Shtetit. Po të gjindet kjo fletore, do t'i hidhet edhe më tepër dritë Rilindjes sonë Kombëtare.
Stambolli qe në atë kohë si Meka e të gjithë shqiptarëve. Më 1898 vete atje dhe shkrimtari Josif Bageri, për t'u takuar posaçërisht me Naim Frashërin. Siç e dini Josif Bageri, ish nga Nistrova e Dibrës, i cili më 1909, botoi në Sofje gazetën "Shqypeja e Shqypnis" dhe më 1910 po aty përmbledhjen me vjersha "Kopësht Malësori". Takimin tronditës dhe të mallëngjyer që ai pati me Naim Frashërin na e përshkruan te "Shqypeja e Shqypnis" në Nr. 16 të vitit 1910.
Ja si na e kumton vetë Jofi Bageri:
"Në vitin 1898 më 12 të Vjeshtës par, patëm fatin e mir të ndeshemi me shpirt ndriturin e pa harruet kurri, Naim bejë Frashërin, cili at'kohë ishte shumë i sëmun, po na priti si fëmin e vet dhe u muerrm vesh fort shum mir tuj u marr vetëm për çështjen kombëtare d.m.th. kuvendi yn ishte vetëm për çështje kombëtare.
Mbasi si erdhi ora për me marr një lug bar (ilaç), cilën s'desht ta pinte, se ishtë shum i idhun, - po e piu dhe u drodh kur e pi - dhe tha "Ja, kështu o bir kungohemi përdit me idhërimet e me helmet, si për shëndetin ton, ashtu dhe për shpëtimin e vëllezërvet ton, shqyptarët, të cilët s'po mirren vesht ndërvedi prej fanatizmit, për shpëtimin e tyrej.
Shum na ka kënda, tha vjershëtori i degjuet Naim beu, të dalin shkronjës e të shkruen gjuhë shqype, shqyptar, cilët kuvëndojnë kështu si ti, o bir dhe na kthej kujdesën, tuj na ngarkue në detyrën të shkruejm e kurri të mos përtojm për të mirën e kombit shqyptar. Ne kemi shkrue sa kemi mund, tha shpirt ndrituni Naim bejë por kemi shkrue vetëm në atë dialekt, cili nuk asht i njohur gjithkund në Shqypni, përveç se në nahiet Korçës, përande lypen të dalën në fushë botojsvet shqyptar përme e pasurue gjuhën dhe me e shumue literarurën, cilën mjerisht e kemi fort pak. Librat që kemi shtypun numërohen me gishtat, e këta mundën me i lëçit një lëçits, për dy a tri dit, përveç ksaj gjithkush s'i pëlqen, si jan të shkrueta thash në një dialekt, cilën fort pak shqyptar e marrën vesht.
Si fundoj së folmi shpirti ndrituni Naim Bejë, Ju përgjigjem dhe i tham se librat që ka aftorue aji vet, jon ë mira, dhe këta libra na shqyptaruen dhenderuan kombin shqyptar, cili kurri s'ka me i harrue emrin edhe t'mirin e tij. Nxuerm librin "Lulet e Verës" prej xhepit dhe lëçitëm në faqen 43 vjershën "Gjuha jon", për të cilën na pyeti a e marrëm vesh mirë? Ju përgjigjëm se kuptojm çdomethën aftori i vjershës, por me kjon se ne kishim edhe një shok me ne, ky s'i kuptoj mir dhe pyeti për disa fjal cilat ja çkoqitëm. Atëherë u përgjigj shpirt ndrituni Naim bejë dhe tha këto fjal: "A shihni se kemi nevojë për shkronjës, prej cilëvet dalën në shesht fjal, cilat na duhen.Ja un tani mësova dy fjal prej jush, cilat do t'i shkruaj në fjalorin e im dhe dot'i përdori n'qofsha i gjall".
Naim bejë Frashëri nuk ishte egoist, as monopolist, por ishte burrë me vend dhe dëshironte me pa shkronjës, cilët t'i vinin në ndihmë se shum u kishte lodh tuj punue për kombin shqiptar, Naim beu i bindej se vërtetës dhe ipte dorën atij që e mundte, po shkronjësit e sotshëm as "pak s'dom me ma ja dit, kur u u tretgonin udhën e drejt, në të cilën të çojn kombin dhe t'a stërvitin në lëçitje tuj u shkruan drejt gjuhën e bukur".
Këto janë disa nga mendimet e Josif Bagerit nga takimi që ka patur me Naim Frashërin. Nga këto mendime mund të nxjerrim si përfundim se sa shpirtmadh dhe shpirtgjerë ka qenë Naim Frashëri dhe në fjalët e tij ndihet një humanizëm i thellë dhe një dashuri e madhe për gjuhën dhe për shkrimtarët e atëhershëm dhe të ardhshëm. Aty ndihet dhe një, gjë, kujdesi, për gjuhën, në do të thoshim tani pse gjuhën e përbashkët kombëtare, për gjuhën letrare të njësuar.
Në përfundim do t'ju japim dhe një poezi të Josif Bagerit që ai ka shkruar, ndofta kur ka marrë vesh për vdekjen e Naim Frashërit. Vjersha është botuar te "Shqypeja e Shqypnisë", në numrin 4, 1 korrik 1908.
Parë fëtyrës Naim Frashërit
Fëtyr, o fëtyr, hie gjeniu!
Ti s'kei mish, as kie gjak...
As që je mvesh në korp njeriu,
përme hap gojën e me m'fol pak.

Unë të kjemi ma, ah! Nuk gjallon;
Oh! Keq të ndrypi mordja e zezë!
Po Shqypënia kurri s'të harron.
Se me t'vërtet Ti e ki ndezë...

Kush mund me msheh shërbimin Tënd?
Librate vjersha, Ty predykojn:
Ton Shqypënia me kta u trond!...
Dhe Ty gjithnja kënk dot këndojn...

Ka me u hup, doba tradhtor;
Po emni yt, kurri s'harrohet;
Vjershat ç'ke shkru, ti, o vjershtor!
Dhe trathtori sot pendohet...

Në këtë kumtesë duam të përmendim dhe "Kalendarin Kombiar" që filloi të dalë në Sofje që nga viti 1987 dhe që e drejtonte Midhat Frashëri, që mbante dhe pseudonimin Lumo Skendo, një nga vepritmarët më të shquar të gjuhës shqipe. Në numrin e kalendarit të vitit 1901, që i kushtoj kryesisht Naim Frashërit, me rastin e vdekjes së tij një vit më parë, gjejmë analiza të ndryshme të trashëgimisë së tij letrare dhe iluministe. Po këtu hasim dhe një artikull shumë interesant që i ka dërguar kalendarit mësuesi i mësonjëtores së parë shqipe në Korçë, Nuçi Naçi. Në këtë artikull, Nuçi Naçi jep përshtypjet e tij nga një udhëtim që ka bërë në Opar. Dimë që Nuçi Naçi është i pari që ka përshkruar Korçën dhe fshatrat që e rrethojnë në librin "Korça dhe fshatrat përqark". Në këtë artikull që do t'jua lexojmë shkurtimisht, del dhe vepritmaria patriotike e bektashizmit, puna për ruajtjen e gjuhës shqipe, puna mirëbërëse e tij, si dhe përpjekjet për ruajtjen e zakoneve shqiptare. Tek artikulli del dhe toleranca e madhe shqiptare që ka ekzistuar qysh ahere, aq sa një besimtar i një feje tjetër ndeshet shumë shumë rrallë që të lëvdojë fenë e kundërt. Por më mirë le të dëgjojmë se ç'thotë vetë Nuçi Naçi për ta dhe për Naimin.
Në Opar pashë një teqe fort të mirë, të madhe e të bukur, që quhet e Vrepckës; Babaj na priti me të madhe nder, me fjalë fort t'ëmbla; çudi e madhe m'u duk kur e pyeta në dijpak dituri, më tha se nuk di? Po ku e gjet gjith atë urtësi ky njeri? Është çudi që me të vërtetë që Bektashinjtë shqiptarë, janë më të lartë shumë nga ne të krishterëtë. U lutem shumë kllogjerëvet të marrin ca mësim nga këta njerëz, të cilët pa parë shkollë me sy bahen kaq të urtë, e të butë, e të dashur, sa dhe egërsirat xbuten në duart e tyre. nëpër malet e nepër pyjet, e nëpër stanet e Oparit pashë të vërtetë në vjershë të z. N.H.F. (Bagëti e Bujqësinë) të gjallë me sy, pa shkronja, po më sy duke parë e këndonja sikundër është shkruar nga ay Frymë larti Vjershëtor i Shqipërisë. U thashë cave Bagëti e Bujqësinë, dhe tepër barinjtë (çobenjtë) kur e dëgjonin habiteshin për ç'u thosha edhe shumë nga ata muarë zell të madh të mësojnë gjuhën shqipe. Opari qenka një lule e vërtetë e po fishkur pak nga dimëri q'e ka mbuluarë. Mesonjës i shkollës shqipe në Korçë - Nuçi Naçi.
- - - - - -

INTELEKTUALËT SHQIPTARË DHE BEKTASHIZMI

Arian LEKA



Janë të shumtë, të shquar e të ndritur emrat e atyre punëtorëve të mendjes, besimtarë apo laikë, shqiptarë apo të huaj, që në veprën dhe krijimtarinë e tyre shkruan mes të tjerash, apo në mënyrë të veçantë edhe për bektashizmin dhe baktashianët, për besimin dhe cilësitë, për vlerat dhe kontributet e tyre në vite.
Mjafton ta nisim me korifeun - Naim Frashërin e me me Samiun, me Gjysh Ali Gjirokastrën e me Abdyl Frashërin, me Mit’hat Frashërin e me Evlia Çelebiun, me Natali Claire e me Hafëz Ali Korçën, me Syrja Vlorën e me Edëin Jacques e me Faik Konicën e me bijën e Gjirokastrës, Musine Kokalarin.
Gjithë këto mendje të larta panë dhe gjetën tek bektashizmi shprehjen më të çlirët të dëshirës se atdheu është mbi të gjitha, se atdheu është mëmë e atë, është gjuhë dhe vetvete, është besim dhe fe.
Pikërish këto shenja pa “toska i madh”, Abdyl Frashëri, kur përpjekjet për mëvehtësi i mbështeti në “babatë bektashjanë” të teqeve në të cilat u shtrua si mik e si bir përkrah të mirit baba Alush Frashëri; këto gjurmë bektashiane ndoqi edhe Edwin Jacques kur theksoi se ishin krerët bektashianë ata që dolën haptas në përdorimin e gjuhës shqipe. 2. Ishte vetë Baba Ali Tomorri që në kohën kur ndalohej e përndiqej gjuha shqipe dhe ata që e përhapnin atë, pohoi se qe në praktikën bektashiane ta shkruanin letërsinë e tyre fetare, poezitë dhe himnet në gjuhën e popullit. Shumë nga dervishët dhe baballarët e teqeve udhëtuan nga fshati në fshat, nga jugu në veri duke shpërndarë libra për rilindjen e Shqipërisë. 3. Jo më kot poeti i madh, shpirti i kombit, Naimi “iu qas, kesaj feje me gjithë zemrë; shkruajti libra e vjersha, që baballarët i kanë në nder të madh, e meritoi të quhet si një nër themeluesit e kësaj feje në Shqipëri. Me atë mënyrë, gjithë bektashizmin e solli e e mbajti, në qark të kombësisë, të dashur.” 4. dhe shkroi për këtë qëllim edhe disa nga faqet e tij më të shkëlqyera në Fletoren e Bektashinjvet në Qerbelanë dhe Mësimet.
Në frymën dhe nën fytyrën e bektashizmës lindën poetë, e gojëtarë të rrallë, sofra bektashianë, e çlirë, e hapur dhe nderuese ndaj besimeve të tjera të botës fali shpirtëra të ndërtuar mirë, zemra të gatuara me mirësi e mbrothtësi. “Pra në një koncert si Bektashizmi, ku dalin heronj dhe bjenë dëshmorë njërëz me idera të nalta, poeti i ynë gjente lulishten ku do të çfrente më vonë si Bilbili i Majit. Gjithë sa ia ndjente shpirti dhe ia pëlqente syri, Naim Frashëri e gjeti të begatëshme në këtë lulishte. I frymëzuar nga “Hadika”ja shkruajti “Qerbela”-në; i mbushur me dëshirë dhe dashuri nga poemat e Nesimiut, Tyrabi-Aliut dhe Nijaziut me shokë, ndezi ato drita të bukura të librës së tij “Lulet e Verës”; duke marë shembuj nga Kajgusëzi dhe Viraniu me shokë, bëri “Fletore e Bektashinjvet”, Thelbin e Kuranit, ’Fjalët fluturake’ dhe vjershat e ndryshme.” 5, shkruan Gjysh Ali Gjirokastra.
Radha e emrave që janë shprehur kësisoj është tepër e gjatë dhe për të bërë këtë do të duhej një punë që i tejkalon qëllimet e kësaj kumtese. Kësisoj, do të ndalesha e do të veçoja për t’i shtjelluar pak më gjatë disa prej shkrimeve të Faik Konicës dhe të Musine Kokalarit në lidhje me bektashizmin.
Jo vetëm një herë dhe jo shkarazi, mjeshtëri i madh Konica i është kthyer e ka rimarrë në shkrimet e tij temën e bektashizmit si doktrinë dhe të bektashianëve si shfaqje e besimit. Mund të përmendim të paktën tre artikuj mes së cilëve njëri është i drejtpërdrejtë dhe enkas për bektashizmin dhe dy të tjerët e trajtojnë këtë temë të ngërthyer brenda temave të tjera, gjithësesi të pa shkëputura nga objekti i referimit tonë.
Në këtë sërë, shkrimi i parë i takon vitit 1897 dhe titullohet “Shënim mbi metafizikën e bektashinjve”. Ky tekst i trajtuar në formë të lirë eseje është shkruar në frengjisht dhe është botuar për herë të parë në Bruksel, tek Albania, vj 1, nr.8.
Është interesante të vërehet se ky shkrim i Faik Konicës mbi bektashizmin, është shkruar vetëm një vit pasi Naim Frashëri kishte botuar “ndë shtypshkronjë të shqiptarëve në Bukuresht – 1896 “Fletorja e Bektashinjët” me po të njejtën vetëdijë si Buzukut sepse në gjuhën tonë nuk kishte ende diçka të shkruar për bektashizmin.
Nuk ka gjasa që Konica të ketë pasur dijeni për botimin e “Fletores...” së Naimit, pasi në esenë e vet Konica përmend vetëm vëllimin poetik “Lulet e verës” së 1890 mbi të cilin ai bën dhe komentet mbi bektashizmin. Të tërheq vëmendjen dhe të bën të theksosh faktin se si këto dy mendje të larta, thuajse në të njejtën kohë mendojnë gati të njejtën gjë, por me një ndryshim. Ky ndryshim është në kahje dhe në destinacion.
Naimi u përpoq t’u jepte shqiptarëve bektashianë librin e tyre të shenjtë, libër në të cilin atdheu dhe besimi ecin barabar. Ai donte t’u dhuronte bashkëatdhetarëve të vet librin e ritualeve, lutësoren, uratën dhe shërbesat, librin e të lejuarave dhe të të penguarave, duke u përcaktuar atyre një famijle më të madhe ku klerikët janë të afërm, janë, varfë, baballarë e gjyshë.
“Fletorja e bektashinjët” ishte libër si të gjithë librat e shenjtëruar: mistikë e besim, poezi dhe mësime. Këtë u dha Naim Frashëri shqiptarëve më 1896.
Në të njejtën kohë që Naimi punonte “së brendshmi” me shqiptarë, mendja e ndriçuar e Konicës mendonte tjetër gjë: ai u përpoq që këtë besim, tashmë i ngulitur ndër bashkëatdhetarët e tij, këtë vlerë shiprtërore ta njihte edhe bota. Ndaj dhe Konica, ky mjeshtër i pashoq i shqipes e shkroi esenë e tij në frëngjisht dhe është mbase i pari që bëri përpjekjen që këtë besim të shqiptarëve ta paraqisë në dritë për ta bërë të njohur.
Këtu nuk është rasti të analizojmë me hollësi tendencat e Konicës në këtë ese katër-pesë faqëshe, por të vlerësojmë përpjekjen e tij për të lënë në kartë diçka të shkruar edhe për teologjinë e bektashinjve.
“Shënim mbi metafizikën e bektashinjve” është një skicim i shpejtë dhe tipik i disa prej veçantive të besimit bektashian. Në të, ndonëse përciptasi, jepen të dhënë mbi transmigrimin (përbartjen e shpirtrave), tek i cili bektashianët besojnë, mbi panteizmin, ritualin bektashian, festat e shenjta, dëshmorët dhe shenjtorët e këtij besimi.
Por nga një këndvështrim tjetër në “Shënim mbi metafizikën e bektashinjve” ne gjejmë për herë të parë përkthimin në frengjisht të disa prej vargjeve të Naim Frashërit të vëllimit poetik “Lulet e verës”.
Artikulli tjetër ku Faik Konica flet për bektashizmin është një portret që ai i bën Naim Frashërit në rreth dy faqe. Artikulli titullohet “Naim H. Frashëri” dhe është shkruar më 1901, një vit pas vdekjes së poetit.
Në këtë artikull Konica veçon dy bigëzime të figurës së Naimit: nga njëra anë si mësues – vjershëtor që do të kishte mundur e dëshironte të shkruajë gjëra më pak të nevojshme e më shumë të bukura dhe nga ana tjetër njeh se Naim bej Frashëri pati edhe një tjetër nder: kuptoi dobinë që mund të nxjerrë kombsia nga bektashizmi. Në këtë pasazh si dhe ato në vazhdim, Konica ngre lart vlerën dhe rolin e këtij besimi ndër shqiptarë dhe kontributin e Naimit si një nga themelonjësit e bektashizmës në Shqipëri.
Punimi i tretë, më i zgjeruari, më i ploti dhe më i rëndësishmi i Konicës mbi këtë temë është “Parashkresë mbi lëvizjen kombëtare shqiptare”.
Edhe ky punim i Faik Konicës është shkruar në gjuhën frënge dhe është i ndarë në pesë pjesë, sipas fazave historike që ndoqi kjo lëvizje dhe që merr përsipër të shtjellojë autori. Siç dhe e shpall që në titull, Konica bën një paradë të ngjarjeve dhe fytyrave më të shquara të kohës që nga viti 1877 deri më 1899, sidomos në Shqipërinë e Jugut, në ngulimet shqiptare në botë dhe në kërkesat e tyre për t’u organizuar në shoqëri dhe për t’u shprehur në gazeta, revista e libra shqip. Dihet se në këto ngjarje një rol të rëndësishëm kanë luajtur edhe klerikët bektashianë si dhe besimtarë të grigjës së tyre.
Kështu në këtë “Parashkresë...” gjen të bashkuar nën thirrjen e atdheut bektashianë e të krishterë që nga Abdyl Frashëri, Kullorioti, Vretoja, Mit’hat Frashëri, Ismail bej Vlora, Visar Dodani etj. Por pjesa më interesante e kësaj “Parashkrese ...” është pjesa e fundit, e ashtutitulluara “Tabelë alfabetike e patriotëve kryesorë dhe e atyre që quhen të tillë”.
Është një befasi nga ato që jemi mësuar t’i presim dhe i kërkojmë e i gjijmë përherë tek penda e Faik Konicës. Ështa zanafilla, embrioni i një fjalori të parë kategorish njerëzore me persona të vërtetë, realë dhe ku kriter i vetëm matës është atdhedashuria dhe kontributi ndaj vendit tënd. Ndoshta një libër i këtillë është unik dhe patëshoq edhe gjetiu. Është si një Who is Who i ditëve të shkuara.
Në këtë pjesë të fundit të “Parashkresës...” jepen të dhëna dhe skicime edhe për disa figura bektashiane të kohës ku Faik Konica skicon herë me vija të trasha e me karbon e herë me laps të hollë e linja të kujdesshme.
Gjejmë në këtë fragment të dhëna mjaft interesante për Baba Ahmetin e Koshtenit për të cilin Konica thotë se është murg bektashi dhe patriot i shkëlqyer, duke dhënë njëherazi dhe një shënim telegrafik mbi mënyrën e rrallë të veshjes së tij.
Më pas vijohet me skicimin e shehut bektashi të Tepelenës, Dautit, i cili ka ndjenja patriotike, siç thotë Konica. Ca radhë më tej gjen të dhëna mbi karakterin dhe gjendjen e Mit’hat Frashërit dhe përmendjen mes dhuntive të tjera edhe faktin se ky djalosh ka përkthyer në shqip jetën e Vilhem Telit. Po kështu, në këtë tabelë alfabetike ka shënime e të dhëna të shkurtra edhe për pjestarë të tjerë të familjes bektashiane.
Siç e theksuam që në fillim, krahas shumë e shumë figurave të tjera që trajtuan në letra bektashizmin ishte edhe bija e Gjirokastrës, Musine Kokalari.
Në temën e mbrojtjes së diplomës së saj, Romë 1941, temë studimore mbi poetin kombëtar Naim Frashëri, Musineja i kushton një vend të rëndësishëm dy problemeve:
- problemit të doktrinës bektashiane,
- çështjes së ndikimit të kësaj doktrine tek Naimi.
Kapitulli i I, pjesa II, e këtij punimi mban titullin “Storia e dottrina dei bectashi”.
Që në krye autorja thekson faktin se e ndien të nevojshme që për të paraqitur mendimin e Naim Frashërit të bëjë një historik të shkurtër, në rreth 7 faqe të daktilografuara rreth bektashizmit që frymëzoi shumë nga veprat e poetit.
Këtë kapitull, Musine Kokalari e trajton sa në rrafshin e përgjithshëm, - atë të historisë së bektashizmit botëror, - aq edhe në përfaqësimin e tij në Shqipëri.
Padyshim që, për efektin e kohës kur u shkrua ky punim, - që për fat të keq nuk është përkthyer dhe nuk është botuar ende në shqip, - pengesat që rendit autorja për sistemimin e lëndës dhe mospasjes së një historie të plotë, veç disa teksteve të shkurtëra e fragmentare, tashmë janë kapërcyer.
Kështu, po të kapërcejmë pengesën që kjo vepër e shkruar herët, por e lexuar vonë, 60 vjet pas hartimit të saj, do të gjenim në këtë punim mjaft të dhëna të vyera. Musine Kokalari bën një panoramim dhe sistemim të drejtë të njohurive duke na dhënë herë - herë edhe të dhëna interesante mbi figura të shquara të besimit bektashian, që nga Haxhi Bektashi, Baba Ballëmi, Ali Pasha Tepelena, Baba Shemimi, Baba Nasibi, Baba Alushin, etj., si dhe të ndodhive madhore që e kanë shoqëruar këtë besim që kulmon me Qerbelanë.
Autorja na bën të ditur të dhëna bigrafike rreth Haxhi Bektashit dhe pelegrinazheve të tij që nga Qerbelaja ku vizitoi varrin e Huseinit e deri në Jeruzalem, ku vizitoi edhe varrin e Jezu Krishtit. Gjithashtu në këtë punim gjejmë edhe shënime mbi misionin e dishepullit më të zgjedhur të bektashizmit, Sari Salltëkut në Ballkan ku ai përhapi këtë besim të ri dhe ngriti teqetë e para në Budapest, Bosnjë, Shkup, Ohër, Janinë, Edené dhe Krujë, ku, siç shkruan Musineja, “gjer dhe sot besohet se është varrosur ky shenjt.”
Gjithashu në këtë punim gjejmë të dhëna edhe për përkatësinë bektashiane të besimit të Skënderbeut si dhe disa nga vlerat e çmuara të këtij besimi që nga misticizma, toleranca, mirësia e gjer tek të drejtat dhe respekti ndaj gruas. Mes këtyre rreshtave gjejmë edhe një herë rastin të konfirmojmë të dhënën e Konicës rreth mbështejes që bektashianët i bënë Abdyl Frashërit në përpjekjeve të tij për ta bërë Shqipërinë. “Më 1877, pas traktatit të Sh. Stefanit... vëllai i madh i Naimit, Abdyli, thirri në Frashër krerët ë bektashizmit shqiptar për të mbrojtur idenë kombëtre”, shkruan autorja.
Në fund, Musine Kokalari e mbyll këtë historik të shkurtër duke veshur doktrinën bektashiane me vargjet dhe prozën e Naimit rreth dritës, vallazërisë, mirësisë, mbrothtësisë, dashurisë njerëzore, - pika mjaft të rëndësishme këto të themelit të besimit bektashian, i cili dikur, sot, dhe gjithmonë ka qenë dhe do jetë, po në ato pozita siç i pohon Musine Kokalari në fund të punimit: “Për nga këndvështrimi social, bektashizmi mbron barazinë mes burrit dhe gruas, kundër dogmave të vjetra të besimeve të tjera. Nga kënvështrimi politik bektashizmi është shprehur për një nacionalizëm të zjarrtë që vë mbi çdo gjë idenë sublime të atdheut.”

Literatura:
Edwin Jacques, Shqiptarët, Vëll 1, f.326-329
Gjysh Ali Gjirokastra, “Naimit”, Sh. B. ‘Naim Frasheri’, 2000
Faik Konica, “Naim H. Frashëri”, 1901, “Shënim mbi metafizikën e bektashinjve”, 1897, “Parashtresë mbi lëvizjen kombëtare shqiptare”
Mit’hat Frashëri (Mali Kokojka) “Naim Be Frashëri”, Sofje, 1901.
Musine Kokalari, “Naim Frashëri”, Romë, 1941, dorëshkrim
- - - - - -

FIGURA PEDAGOGJIKE E NAIM FRASHËRIT

Nexhip P. ALPAN



Para 100 vjetësh, më 19 tetor të vitit 1900, Naim Frashëri kishte mbyllur sytë dhe na kishte lënë shëndetin. Nuk them dot se “vdiq”, sepse njerëzit e mëdhenj nuk vdesin; shpirti i tyre dhe trutë jetojnë brez pas brezi. Bashkëkohësi i tij, poeti turk Tevfik Fikret (1867¬1915) ka thënë: “Vdekja do të thotë rilindje”. Gjithashtu edhe francezët thonë: “Ne po jetojmë në saje të burrave të mëdhenj që pushojnë në Panteon” (Nous vivons grace a Grandes Hommes qui se reposent dans le Pantheon).
Prandaj, edhe Naim Frashëri (i lindur më 23 maj të vitit 1846), nga pikëpamja shpirtërore nuk ka vdekur, po vazhdon të na riedukojë dhe të na e kalitë vullnetin atdhetar.
Naim Frashëri është poet lirik, ka thurur vjersha epike, por ai ka hartuar edhe vjersha e proza me karakter moral, didaktik, kulturor, shkencor. Naimi nuk ka kënduar vetëm si bilbil për të na e gëzuar zemrën. “Fyelli” bile na jep dijeni!
Pa dëgjoje Fyellin ç’thotë,
Tregon mërgimet e shkretë,
Qahet nga e zeza botë
Me fjalëza të vërtetë!...
Prandaj, s’ka poezi që mos të na japë dituri, edhe poemat, edhe prozat na ndriçojnë trutë. Vjersha dhe proza letrare nuk janë synime, por janë mjete për të realizuar idealet njerëzore.
Naim Frashëri që njihet si poet patriot, përgjithësisht është trajtuar vetëm në letërsi. Mirëpo ai nga pikëpamja mendore është një nga pedagogët e shquar të Rilindjes Shqiptare. Një pjesë të madhe të veprave të tij i takon problemet shkollore, mësimet arsimore dhe temat socio¬morale kombëtare. Por në fakt edhe poemat e tij lirike synojnë edukimin atdhetar.
Naim Frashëri që ka filluar të merret me botime dhe me letërsi në moshën e pjekurisë 25¬30 vjeçare, vjershat dhe shkrimet i ka hartuar me një ideal të lartë.
Siç dihet botërisht shek. XIX kalonte periudhën e nacionalizmit. Po edhe Perandoria kozmopolite Otomane kishte zënë rrugën fatale, ecte tatëpjetë. Popujt e Ballkanit të sunduar prej Portës së Lartë me qendër në stamboll, si grekët, bullgarët, rumunët etj., kishin nisur fushatat e pavërësisë. Ndërsa shqiptarët, megjithëse këtë fushatë e kishin nisur që në Pashallëkun e Shkodrës (1775¬1830) dhe Pashallëkut të Janinës (1787¬1822), vonuan sepse pengoheshin nga osmanllinjtë dhe prej Kishës Ortodokse të Fanarit me qendër në Stamboll. Patrikana Bizantine shqiptarët i përçante duke pretenduar se “shqiptarët ortodoksë qenkëshin grekë; shqiptarët katolikë qenkëshin latinë (italianë); shqiptarët myslimanë qenkëshin turq...”
Prandaj, rreth viteve ‘70 kishte ardhur koha që edhe shqiptarët të thonin: “Ne jemi shqiptarë!”, duke themeluar organizata ose vatra gjuhësore.
Intelektualët shqiptarë si Ismail Qemal Vlora, Ferit Vlora, Hoxhë H. Tahsin Filati, Kostandin Kristoforidhi Elbasanasi qysh nga vitet ‘60 të shekullit XIX qenë mbledhur në Stamboll dhe shqyrtonin çëshjten shqiptare. Për shembull cila rrugë do të jetë më e mira që do ta çonte popullin shqiptar te Pavarësia. U preferua shkolla, shtypi dhe kultura që do ta zgjonte nga gjumi popullin shqiptar.
Shpallja e Kushtetutës parlamentare e shtetit osman në vitin 1876, rilindësve shqiptarë u dha zemër. Vëllai i madh, Abdyl Frashëri që kishte mundur të hynte me disa shokë shqiptarë në Domën e Deputetëve, Asamblesë së Pëgjithshme më 15 janar të vitit 1878, kishte paraqitur një Projekt¬reformë për arsimin, ku thoshte: “... shteti dhe kombi mbahet në këmbë dhe zhvillohet prej arsimit të plotë, nga lidhjet e drejta dhe na nëpunësit që do të zbatojnë kanunet.. Tek ne nuk ekziston asnjë! Jam i bindur se edhe Anadolli gjendet i mjerë sa Rumelia (Viset e Ballkanit). Në Shqipëri s’ka asnjë fshat që të ketë shkollë. Për këtë populli derëzi, nëse do, të kërkohet një shenjë identiteti, vetëm emrat myslimanë kanë. Ju lutem, mëshirë! Me këtë inkorancë, si do të bëhemi populli i qytetëruar?! Kur do të zgjohemi nga gjumi i thellë? Në Stamboll kemi vetëm një shkollë për vajza, por vetëm një nxënëse vazhdon mësimet. Jashtë stambollit nuk ka asnjë shkollë për vajza. Edukimi i meshkujve varet tek edukimi me anë të nënave... Kur nëna është xhahile, ç’kemi të presim nga edukata familjare? Mendoni sesa do prishtet morali dhe karakteri i njeriut?.. (Lidhja e Prizrenit dhe shqiptarët, Prof. Nexhip P. Alpan, Ankara, 1978). Po edhe Naimi e Samiu këto vëzhgime, mbresa dhe pikëpamje kishin.
Naim Frashëri që shërbeu edhe në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, bashkëpunoi edhe me Shoqatën Kulturore “Vatra për të shtypur libra shqip”, të themeluar në Stamboll më 12 tetor 1879 nën kryesi të Sami Frashërit. Shoqëria e të Shtypur Libra Shqip vendos të hartohej edhe alfabetin latin i gjuhës shqipe. Në këtë komision vetash, në radhë të parë punuan Samiu dhe Naimi.
Alfabeti është një mjet për të mësuar shqipen e shkruar në shkolla. Mirëpo ku qenë ato shkolla? Nuk kishte as një! Ndërsa grekët, bullgarët dhe serbosllavët, kishin hapur shkolla edhe në katundet shqiptare... Meqenëse Kushtetuta e vitit 1876 lejonte të hapeshin shkolla për çdo komb të Ballkanit, edhe shqiptarët filluan përçapje për të hapur shkolla shqip, laik. Mirëpo edhe shkolla ka nevojë për gramatika, abetare, fjalorë, libra leximi etj.
Këto mjete shkollore qenë hartuar nga Kostandin Kristoforidhi Elbasanasi, që në vitin 1870 kishte filluar të hartonte “Fjalorin e gjuhës shqipe” dhe “dramatikën shqip të dialektit jugor”, që u botua më 1882 dhe më 1895¬1904. Vaso Pashë Shkodrani, më 1887 botoi frëngjisht në Londër “Gramatikën e gjuhës shqipe për ata që duan ta mësojnë këtë gjuhë”. Sami Frashëri, më 1886 botoi “Shkronjtëoren e gjuhës shqip” dhe “Gjuha shqipe dhe gjeografia” në alfabetin e Stambollit (1880). Në këtë alfabet (Abetare) Vaso Pashë Shkodrani kishte punuar dhe temën “Histori e Shqipërisë”, që nga pellazgët deri te Skënderbeu. Jani M. Postenuni kishte shkruar temën “Disa çështje gjuhësore, pedagogjike dhe morale”.
Krahas këtyre veprimtarive të lartpërmendura, edhe naimi botonte vepra letrare dhe pedagogjike si:
a) “Vjershat për mësonjëtoret e para” (për shkollat fillore) së pari u botua në revistën “Drita”, 1884, pastaj më 1886 ¬ Bukuresht.
b) “Dituritë për mësonjëtoret e para” (në prozë, tekste shkollash, 1886) së pari u botua më 1885 në revistën “Dituria”.
c) “Histori e përgjithshme për mësonjëtoret e para”, Bukuresht ¬ 1886, në prozë.
ç) “Histori e Shqipërisë” në prozë, 1888¬1898
d) “Katër stinat”, prozë, përkthim nga frëngjishtja, 1864.
dh) “Bagëtij dhe Bujqësija”, vjershë lirike, 1886, Bukuresht.
e) “Dëshirë e vërtetë e shqiptarëve”, poemë shkruar greqisht me qëllim patriotik për shqiptarët që jetojnë në Greqi, Bukuresht ¬ 1886... etj.
Vlen të theksohet se gjithë veprat e Naimit kanë cilësi mësimore, didaktike, pedagogjike dhe kanë kryer një shërbim për nxënësit dhe për popullin që s’ka patur shkollim sistemor.
Naim frashëri që u meritua nga populli shqiptar si “Mësues i popullit” është një pedagog demokrat dhe intelektual përparimtar, laik, humanitar dhe atdhetar i shquar, Jo vetëm me botime, por edhe si nëpunës shteti, i ka shërbyer kauzës kombëtare shqiptare.
Siç po dihet, Naimi që kishte mbetur pa punë, duke u përkrahur nga vëllai i tij, Samiu, nga poeti përparimtar me origjinë shqiptare Na Kemali dhe nga Gazi Osman Pasha ¬ hero i Betejës Pilevne (Plovdiv), u emërua kryetar i Këshillit të lartë pranë Ministrisë së Arsimit, dhe kjo detyrë qysh nga viti 1882 vazhdoi derisa ndërroi jetën. Naimi në këtë periudhë kritike, duke ndjekur një taktikë dhe politikë fisnike që drejtonte punimet e botimeve dhe të censurës, luajti një rol të rëndësishëm për veprimtari kulturore, arsimore shqiptare. Mesa kuptohet, po të mos gjendej Naim frashëri në arsimin e shtetit osman, më vështirë do të lejoheshin librat, revistat dhe shkollat shqipe. Naimi është nga të parët që pajisi me libra mësimi edhe shkollën e parë shqipe, të përuruar më 7 maras 1887 në Korçë, dhe për shkollën e parë për vajza, hapur më 1892, po në atë qytet.
Shkurtimisht: Naim frashëri që e donte dhe e mallëngjente aq shumë atdheun dhe bashkatdhetarët e tij, gjysmën e jetës e kaloi në mërgim dhe u tret si qiriu i ndezur. Ja se si këndon:
Në mes tuaj kam qëndruar
E jam duke përvëluar,
Që t’u ap pakëzë dritë,
Natënë t’ua bëj dritë!

Do të tretem, do kullohem
Do digjem, do përvëlohem,
Që t’u ndrinj mirë të shihni
Njëri¬tjatrinë të njihni!

Për ju do të rri të tretem
Asnjë çikë të mos mbetem!
Të digjem të qaj me lot,
Se mallin s’e duroj dot!

Kur më shihni se jam tretur
Mos quani se kam vdekur!
Jam i gjallë, jam në jetë
Jam në dritë të vërtetë!

PANTEIZMI DHE BEKTASHIZMI NAIMIAN NË SHËRBIM TË KOMBIT


Dr. Vehbi BEXHETI



Figura më e shquar dhe më e ndritur e Rilindjes sonë Kombëtare është poeti, mendimtari dhe atdhetari i madh, Naim Frashëri. Ai me tërë qenien dhe fuqinë kreative intelektuale u vu nëshërbim të kombit. Vepra e tij ishte dhe është udhërrëfyese për popullin shqiptar. Kjo fuqi krijuese luajti rol të madh historik e kulturor sepse është kuptimplote, e gjallë dhe e fuqishme. Krijimtaria e tij që u shqua gjatë kohës së Rilindjes, e që mbeti e freskët dhe frytdhënëse edhe sot, është nxitëse dhe burim i pashtershëm për ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Vepra e tij në radhë të parë i kushtohet atdheut dhe popullit të vet, por ajo ndonjëherë i kalon kornizat kombëtare dhe i takon njerëzimit në tërësi. Naimi është para së gjithash humanist, që për të mirën e popullit flijon dhe digjet si qiriri për t’i bërë dritë tjetrit. Edhe bindja fetare e Naimit është në shërbim të njeriut dhe njerëzimit. Si njeri që ka fituar dije bashkëkohore nën ndikimin e shkrimtarëve dhe filozofëve të racionalizmit dhe iluminizmit në njërën anë, dhe atyre të Lindjes me besim islam të sektës bektashiane.Naimi ka qëndrimin e vet edhe ndaj fesë, sidomos kur ajo mund të ndikojë në përçarjen midis njerëzve. Te Naimi qëndron edhe vetëdija për vëllazërinë e njerëzinë pa dallim feje,prandaj edhe thotë:

“Çdo njeri vëlla e kemi,
gjithë nga një balë jemi,
kemi një shpirt një vetijë,
jemi gjithë një fëmijë,
një mëmë e një atë kemi,
me një fytyrë po jemi”.

Pas bejtexhinjve, Naimi qe poeti i parë mysliman që e ngriti zërin aq ashpër ndaj sunduesve osmanë. Një vjershë e Naimit i tronditi dhe i magjepsi zemrat e shumë shkrimtarëve shqiptarë të krishterë që atë kohë gjendeshin në Bukuresht. Për Naimin çështja kombëtare ishte mbi të gjitha. Ndasia fetare për të ishte e papranueshme, prandaj për të më fatlum ishte besimi panteist që do të ndikonte në unitetin e shqiptarëve që ishin me tre besime ( ).
Në shumëllojshmërinë e veprës së Naimit ndikoi ambienti familjar, besimi bektashian, letërsia antike greke e romake dhe idetë e iluminizmit dhe të romantizmit evropian. Kur i kemi parasysh të gjitha këto, e kemi lehtë të konstatojmë pse Naimi u gjend në një udhëkryq midis civilizimeve e kulturave, në atë të Perëndimit dhe të Lindjes. Mendimi iluminist rrezatoi dukshëm te një pjesë e madhe e mendimtarëve shqiptarë, madje u bë sundues edhe në botëkuptimin e tyre. Këto ndikime që vijnë nga Perëndimi depërtuan edhe në botën shpirtërore nëpërmjet veprave të Naim Frashërit. Aspektet filozofike mbi jetën dhe vdekjen, të bazuara gjithashtu në filozofitë pozitiviste evropiane, edhe për Naimin ishin mësime se si njerëzimi duhej të shpëtojë nga kotësitë e filozofive të vjetra. Nga ana tjetër, Naimi nuk mundi e as që deshi të shkëputet nga botëkuptimi fetar islam pa besimin monoteist duke e përkrahur bektashizmin. Këtë e dëshmon me poemën “Qerbelaja” dhe përmbledhjen poetike “Fletore e baktashinjët”, apo ndonjë krijim tjetër.
Deri më tani shumë studiues të veprës së Naimit u angazhuan të vijnë në një përfundim lidhur me atë se a ishte Naimi nën ndikimin e filozofisë materialiste, a kishte pikëpamje ateiste, monoteiste apo panteiste. Pati edhe të atillë që dhanë vlerësime se Naimi në disa vepra të tij prezenton vetëm pikëpamjet fetare islame të bazuara në ajetet kuranore. Lidhur me këto, mendojmë se për Naimin vlen vetëm një e vërtetë kryesore. Të gjitha angazhimet e tij për të prezentuar frymën romantike, që padyshim u ndikua nga ai evropian, dhe pikëpamjet iluministe e racionaliste që nëpërmjet panteizmit të tij të kalojnë te një besim qoftë edhe thjesht islam, ishin në interes të kombit dhe të atdheut të tij. Vetëm duke u nisur nga kjo e vërtetë më lehtë mund t’i kuptojmë edhe pikëpamjet racionaliste, iluministe e panteiste që vijnë nga Perëndimi dhe ato të ngjashme me parimet fetare islame të sektës bektashiane dhe të filozofisë së Lindjes në përgjithësi. Elementi fetar bektashian dhe ai panteist ishin në shërbim të formimit moral e shpirtëror të shqiptarëve. Kjo është me rëndësi për Naimin dhe veprën e tij. Edhe vlerësimet se Naimi ishte një besimtar që u bazua në parimet kuranore, por që qenka infektuar nga pikëpamjet racionaliste e iluministe të Dekartit, të Volterit e të Rusoit, deri te ekstremi tjetër se ai qenka bile edhe ateist. Këto dilema, që edhe sot janë ndonjëherë aktuale, nuk e luhasin të vërtetën për të konstatuar se Naimi ishte dhe mbetet me rëndësi historike për kombin. S’ka dyshim se Naimi është religjioz, është deist, por feja në kuptimin e tij nuk është kurrfarë veçantie e kombit dhe kërkon me ngulm zhdukjen e ndasisë fetare ndër shqiptarët,thotë Rexhep Qosja.
(Naim Frashëri – Vepra l, Prishtinë, 1978, fq.18).
Duke u nisur nga ky konstatim lehtë vijmë në përfundim se panteizmi naimian si mishërim i natyrës me zotin është aq i pranishëm në veprën e këtij poeti. Vetëm një prezentim i këtillë i natyrës do të mjaftonte për të shprehur edhe kultin fetar mysliman, edhe atë të krishterë nga njëra anë, dhe dashurinë e shqiptarit për trojet e veta që për të janë të dashura ashtu siç është edhe vetë zoti, ai zot që gjendet edhe në malet e Shqipërisë:

“Nat’ atje është tjatër natë dhe dita tjatër ditë,
Në pyjet e gjelbëruar, atje rrijnë Perënditë”
(N.F., Vepra 1, 1978, Prishtinë, fq.146).

Naimi edhe kur shpreh besimin në një zot, ai zot për të nuk është allahu që e krijoi njeriun dhe gjithësinë, ai që do t’i gjykojë gjynahçarët në botën e amshueshme. Ai është herë perëndi, e herë zot. Dashuria e tij ndaj asaj perëndie nuk është më e fuqishme se ndaj pyjeve, shkëmbinjve dhe lumenjve të Shqipërisë. Edhe njeriun, edhe bagëtinë ai i do njëlloj sikurse perëndinë.

“Dhe njerinë dhe bagëtinë,
Dhe gjithë ç’është në jetë
I dua si perëndinë
Se nga do që këthejnë sytë
Shoh atje zotin e vërtetë
Ç’është një e s’ka të dytë”
(N.F,. Vepra 1, “Jeta”, Prishtinë 1978, fq.76).

Naimi herë e konsideron zotin si krijues i çdo gjëje, e herë atë e paraqet me fizionominë e çdo gjëje të bukur të natyrës.

“Emrin e atij çdo lule e ka në ballë,
Gjithë gjërat që nuk numërohen dot
Shqipërojnë emrin e Krijuesit Zot”
(N.F. Vepra l, “Zoti”, Prishtinë 1978, fq.179).

“Çdo gjë që shohim është zoti i vërtetë, e çdo gjë që dëgjohet është zëri i tij”, thotë Naimi në poezinë “Perëndia”, ndërsa në poezinë “Besojmë”, poeti këtë e dëshmon me vargjet:

“Besojmë Zotnë ç’ësht i vërtetë,
Se gjith ç’shohim është ay vetë”.

Siç shihet, e vërteta për zotin për Naimin nuk është asnjëherë e dyshimtë, sepse atë poeti e konkretizon me diçka që duket, a ajo është çdo gjë që e rrethon njeriun.
Aspektin fetar naimian duhet shikuar gjithanshëm duke i analizuar të gjitha pikëpamjet e tij që kanë të bëjnë me fenë dhe kombin. Kur t’i kemi parasysh të gjitha këto, edhe çështja e besimit në veprën e tij, si çështje më e ndieshme e më komplekse, do të mund të kuptohet shumë lehtë nga lexuesit, e sidomos nga studiuesit e kësaj vepre. Ky konstatim aspak nuk e përjashton edhe ndikimin e librit të shenjtë – Kuranit në disa vepra të poetit, e sidomos në atë “Mësime”. Edhe në këtë vepër, ku elementi fetar është më islam është më i dukshëm, Naimi nuk paraqitet një fetar aq i disiplinuar. Ai e porosit popullin ta duan dhe t’i luten zotit të madh e të vërtetë, por ai gjithashtu e porosit shqiptarin ta dojë më tepër atdheun dhe gjuhën amtare:
“Duaj zotn’ e madh e të vërtetë dhe falju duke i bërë mirë njerëzisë.
Duaj më shumë nga gjithë Mëmëdhenë, mëmëdhetarët dhe gjuhën tënde”
(N.Frashëri Vepra 5, “Mësime”, Prishtinë, 1978, fq.39).

Pikërisht nga këto qëndrime të Naimit mbi fenë dhe besimin, që nuk paraqiten vetëm bardhezi, e kuptojmë më lehtë edhe praninë e panteizmit që paraqitet aq dendur në disa vepra të tij. Adhurimi i natyrës, por edhe bukuria e hënës, e diellit dhe e yjeve për Naimin janë vetë zoti, sepse pa to nuk ka jetë, që do të thotë se zoti i Naimit është padyshim krijues edhe i gjithësisë por njëkohësisht ajo gjithësi është edhe vetë zoti.

“Është në shesh Perëndia,
I verbëri s’mund ta shoh,
Ajo është gjithësia,
I dituri mund ta njohë” (………

Në panteizmin naimian, qoftë ai i mishërimit të zotit me natyrën apo me gjithësinë, është i pranishëm edhe elementi i krishterë, dukuri kjo që është normale edhe për një poet të përkatësisë fetare myslimane siç ishte Naimi, për të cilin mbi të gjitha ishte atdheu dhe kombi e në atë atdhe jetonin edhe shqiptarët e krishterë. Ky prezentim i një realiteti me gjuhën e një romantiku bie ndesh me konstatimet se panteizmi i Naimit paska shërbyer si paravan për të mos u thelluar në çështjen e besimit të tij, që do të thotë ky panteizëm nuk qenka i pranishëm fare në vargjet:
“Kish’ e vërtetë e Zotit math është hapsir’ e paanë
E shenjtëruar libr’ e tij e Gjithësia e tërë ç’janë
Shkronjët e saj të bukura, lëmshet e qiellit lartë
Ç’do na sheh syri që lëvrin ç’do yll që ndrin i zjarrtë”
(N.Frashëri, Vepra 2 “, Dëshirë e vërtetëe shqiptarëve”, Prishtinë 1978, fq. 161).

Naimi edhe një herë pikëpamjet panteiste i shpreh nëpërmjet elementit të krishterë sepse në këtë rast hapësira e paanë nuk është vetë zoti por është kisha e vërtetë e tij dhe se libri i shenjtë është gjithësia, e shkrimet e atij libri janë yjet dhe trupat tjerë qiellorë.
Nga këto vargje dhe shumë të tjera kësisoj të veprave të Naimit shohim se panteizmi si bindje intime është edhe nevojë e ndjenjës romantike të tij. Me të drejtë akademik Rexhep Qosja, lidhur me pikëpamjet panteiste të Naimit, konstaton: “Mbasi perëndia ishte një trajtë e shfaqjes së bukurisë së ligjeve të natyrës, s’është për t’u çuditur pse Naimi në vend që të thotë se njeriu duke u ngritur e arsimuar njeh botën e natyrën, thotë se njeriu duke u ngritur e arsimuar, i afrohet zotit.
(N.Frashëri, Vepra 1, Prishtinë, 1987, fq. 20).

Ky konstatim bazohet gjithsesi në njësimin e gjithësisë dhe natyrës, e nga kjo del se nuk është me rëndësi se cilit i beson njeriu zotit, natyrës, gjithësisë apo edhe vetë njeriut, por është me rëndësi se për të besuar duhet të jesh i arsimuar, i edukuar sepse i verbëti, siç e quan Naimi të paditurin, nuk është në gjendje ta njohë edhe zotin:

“Është në shesh Perëndija,
Sicili do mund ta njoh
Po se mbuloi padija
Njeri tek do mund ta shoh”
(Naim Frashëri, Vepra 1 “Perëndia”, Prishtinë, 1978, fq.117).

Siç vërehet në shumë vargje të Naimit ku shprehet besimi panteist, krahas ideve racionaliste, ku duhet kërkuar arsyen e të qenit të botës, të njerëzimit e të gjithësisë, paraqiten edhe idetë iluministe që për Naimin ishin më të fuqishme dhe më të pranueshme.
Krahas panteizmit, që është aq i shprehur në veprën e Naimit e që buronte nga romantizmi, racionalizmi evropian dhe iluminizmi, një element tjetër shumë karakteristik i veprës së tij është edhe filozofia bektashiane që ndërlidhet me panteizmin, sepse edhe kjo sektë e besimit islam është e lidhur me zotin, natyrën dhe njeriun. Këtë sekt të drejtimit shiit, si më të përparuar të besimit islam, Naimi e përkrahu nga dy arsye, se i takonte familjarisht e tradicionalisht këtij besimi dhe pse u ndikua nga filozofia e kultura e Lindjes, sidomos nga ajo persiane. Edhe këto ndikime, që me vullnet u përqafuan nga Naimi, veprës së tij i sollën një freski dhe baraspeshë që ajo të jetë në shërbim të kombit dhe atdheut.
Në epin heroik fetar “Qerbelaja”, shkrimtari, përveç dëshirës për të paraqitur një faqe të historisë së islamizmit dhe bektashizmit, deshi të tregojë se si luftohet e keqja e të ngadhënjejë e mira dhe e vërteta. Naimi duke e njohur mirë këtë filozofi bektashiane që karakterizohej me tolerancën ndaj feve dhe sekteve tjera fetare, e që në plan të parë e ka humanizmin, tolerancën dhe dashurinë njerëzore e hyjnore, u përcaktua edhe në krijimtarinë me këtë temë. Ashtu si “Historia e Skënderbeut” edhe “Qerbelaja” por edhe një varg poezishë tjera lirike shprehen me zjarrin e fjalës kundër të keqes, kundër pushtuesit si shkaktar i të gjitha të këqijave, (Naim Frashëri, Vepra 1, Prishtinë, 1978, fq. 25), e kjo gjë gjithsesi ishte në interes të shqiptarëve që luftonin kundër robërisë osmane.
Në këngën e XV dhe të fundit të “Qerbelasë”, Naimi flet për shqiptarin trim me fletë, për dashurinë e tij që ka ndaj Shqipërisë dhe për gatishmërinë që të flijojë jetën ashtu si shumë personazhe tjerë pozitivë të kësaj vepre që ranë dëshmorë në betejën e Qerbelasë:

“Shqipëtari trim me fletë,
Si ka qenë le të jetë,
Të ketë gjithë urtësinë,
E të dojë Shqipërinë,
Të vdes për Mëmëdhenë,
Si myhtarë për hysenë,
Të ngjajë me ibrahimnë,
Dhe me Eba Myslimnë”
(N.Frashëri, Vepra 4, “Qerbelaja”, Prishtinë, 1978, fq. 49).

Në veprën “Fletore e Bektashinjët”, ashtu si te “Qerbeleja”, idetë përparimtare të bektashizmit shprehen nëpërmjet panteizmit. Në shumë poezi të kësaj përmbledhjeje poeti me theks të posaçëm flet për mirësinë, bujarinë, vëllezërinë, miqësinë dhe tolerancën ndërnjerëzore e ndërfetare:

“Pa një gjë nukë mohojmë,
Gjithë besët i nderojmë,
Pse kemi vëllazërinë,
Me të gjithë njerëzinë”
(N.Frashëri, Vepra 2, “Besa”, Prishtinë,1978, fq.26).

Se bektashizmi filozofik është më përparimtare në krahasim me synimin , tregojnë edhe këto vargje të poezisë “Njeriu”:

“Parajsa edhe Skëterra
E gjithë ç’janë të tjera,
Edhe engjëlli edhe djalli,
Janë gjithë tek i gjalli,
Kush njohi vethen e tija
E di ç’është Perëndia”.

Siç shihet, Naimi konceptin mbi mëkatin për mosbesimin nuk e sheh te dënimi i njeriut pas vdekjes, i cili për këtë duhet të vuaj në ferr e kjo vuajtje do të jetë e përhershme në botën tjetër. Këtu edhe qëndron rëndësia e filozofisë bektashiane që nuk do të ishte e pranueshme për ndonjë tjetër sekt të besimit islam. Ky njeri i Naimit dhe i konceptit të tij që bazohet në bektashizëm s’ka pse të brengoset aq shumë për fatin e vet në botën tjetër. Ai e ka me vete parajsën ose ferrin, në brendinë e shpirtit të tij, të shpirtit që ende nuk është shkëputur nga trupi, ai e ka me vete engjëllin ose djallin, që do të thotë ai e njeh vetveten, e nëse atë e njeh mirë, e di ç’është edhe perëndia.
Elementi bektashian shtrihet edhe në vepra tjera të Naimit sepse botëkuptimi i tij mëton gjithmonë më përparimtaren, duke e dënuar çdo gjë që nuk i siguron njeriut, e në këtë rast shqiptarit, perspektivë e lumturi në këtë botë se me tjetrën as që do të merret. Në poezinë “Abaz Aliu”, në variantin shumë më të shkurtër e paraqet gjithashtu fushën e Qerbelasë dhe ngjarjen tragjike që ndodhi aty, këtë ngjarje që të përkujton krahas trimërisë edhe viktimizimin. Vargjet:

“Engjëll që m’u qase pranë
Nga i madhi Ziot,
Pse më rrëfen Qerbelanë?
A do të derdh lotë?”

Janë shumë të ngjashme me ato të fillimit të poemës “Kënga e sprasme e Balës” të Gavril Darës të Riut, ku poeti nëpërmjet personazhit të vet nuk do të kthejë e ta përkujtojë kohën e shkuar, atë kohë të lavdishme të luftëtarëve të Skënderbeut, por në ndonjë moment edhe të kobshëm për luftëtarët që vdesin në fushën e betejës. Të përkujtohemi në këto vargje që janë aq të ngjashme me ato që i shënuam më lart për të konstatuar aforinë e historisë së Qerbelasë dhe të betejës së saj me betejën e Beratit:

“Mori bijë, bijë e Lalës,
Moj e bukur e trishtuar,
Pse më kthen në monë e shkuar?”

Motivi që e nxiti krijimin e poezisë “Abaz Aliu” dhe atë të epit “Qerbelaja” përveç dëshirës për të shënuar këtë faqe të historisë bektashiane vjen edhe nga ndjenja humane liridashëse për t’u kënduar trimave që flijojnë për të mirën e njeriut dhe të njerëzimit:

“Hysejni desh njerëzinë,
Dhe për të u vra,
Për të shpëtuar njerëzinë
Ra ndë Qerbela”
(N.F.Vepra 1, “Abaz-Aliu”, Prishtinë, 1978, fq.94).

Përveç frymëzimit që në vete përmban edhe elemente që vijnë nga fati i kombit dhe atdheut, Naimi ndonjëherë e afron këtë ngjarje heroike dhe heronjtë e saj me malet e Shqipërisë për t’i ndihmuar që të fitojë liri. Kjo ndihmesë Shqipërisë më tepër është e karakterit moral e hyjnor:

“Abaz Aliu zu’Tomorë,
Erdhi afër nesh,
Shqipëria s’mbetet e gjorë,
Se Zoti e desh”
(N.F. Vepra 1, “A.Aliu”, Prishtinë, 1978, fq.94).

Festat e motmotit, si festa pagane që edhe sot e kësaj dite festohen ndër shqiptarët, siç janë Dita e pranverës, Dita e shëngjergjit etj., e që nuk preferohen të festohen bile edhe ndalohet nga besimi islam, në atë bektashian respektohen duke me manifestime fetare ku është i pranishëm edhe elementi panteist. Kështu e fillon poeti poezinë “Edhe dit e re”:

“Sot është një ditë e rezë që përsëritet moti,
Lind vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, vetë Zoti”.

Nga e tërë ajo që u tha mund të konkludojmë se Naimi është një figurë komplekse për të cilin edhe pas 100 vjetësh nga vdekja ka për t’u thënë edhe shumëçka që s’është thënë, ose në ndonjëfarë mënyre të korrigjohet ajo që është thënë duke u bazuar në përpunimin e veprës së tij që dalin si rezultat i seleksionimit të saj varësisht nga pozitat dhe rrethanat kohore historike si rezultat i të cilave viktimizohet ndonjëherë edhe shkenca. Se është kështu mund të citojmë një mendim të njërit nga autorët e Historisë së Letërsisë Shqiptare të botuar në Prishtinë, më 1989 që gjendet në faqen 185.

“Naimi humanist e identifikonte fenë me njerëzinë, ishte kundër obskurantizmit, paragjykimeve, absurditeteve fetare duke dhënë kështu një tjetër ndihmesë me vlerë që më vonë do të çelte udhën e afetarizmit dhe të ateizmit në mendimin përparimtar shqiptar. Një pjesë e këtij mendimi jep vlerësime reale por që rezulton me një konstatim joshkencor kur thuhet se Naimi do të çelte udhën e afetarizmit dhe të ateizmit në mendimin përparimtar shqiptar, që do të thotë se një mendim sado të jetë përparimtar do të vareshka me atë se sa do të jetë antifetar. Naimi nuk e çeli rrugën e përparimit të kombit pse ishte antifetar, sepse i këtillë as që ishte, ashtu si nuk ishte edhe një fetar i shkëlqyeshëm i besimit mysliman.

KONTEKSTI I NAIMOLOGJISË


Ahmet SELMANI



Sa më shumë që kalon koha, disa shëmbëlltyra të mëdha që i përkasin letërsisë dhe kulturës, bëhen aq më të pranishme në jetën e një kombi, ngaqë ndikimin i tyre rritet gjithnjë e më tepër, qoftë duke rrezatuar me idetë e nduarnduarshme, qoftë duke trazuar ndërdijen në situata të veçanta. Pa dyshim kjo do të thotë se ato në secilën kohë luajnë një rol të pazëvendësueshëm, frymëzojnë brezni të shumta për të ecur më tej me një vetëdije të lakmueshme, për të menduar dhe gjykuar lidhur me çështjet thelbësore, për t’i përcaktuar drejt ato në kontekstin kohor dhe hapësinor, për t’i përkufizuar sipas bindjes dhe arsyes së shëndoshë etj. Në këtë aspekt, sidomos po të merren parasysh kthesat e mëdha shoqërore dhe historike, atëherë kur shumë gjëra përmbysen në mënyrë të përdhunshme ose të natyrshme, është shumë e qartë se edhe riaktivizimi i tyre ose rikërkimi i tyre është edhe më i madh, mbase për shkak të sigurisë së ngulitur, jetëgjatësisë së ideve, udhërrëfimit të drejtë, tejpamësisë së plotë. Duke mos gjetur asnjë zhgënjim, por largpamësi të vërtetë, veprat e tyre vazhdojnë t’i hapin shtigjet e mëvetësimit individual të njeriut, për të besuar në të drejtën e tij jetësore e ekzistenciale si një parakusht themelor, që pastaj të ngjitet edhe nëpër shkallët e tjera të ndërtimit të subjektivitetit të tij individual e kolektiv. E gjithë kjo na bën të kuptojmë se emrat e mëdhenj të letërsisë dhe të kulturës shfaqen e rishfaqen me një dinamikë të çuditshme, jo vetëm kur njëmendësia është e ashpër dhe kur të ballafaqon gati si me trysni, por edhe atëherë kur mbretëron një qetësi relative në rrafshin shoqëror e politik, si dhe kur raktivizohen rastësisht.
Prandaj, figurat e këtilla sado që i nënshtrohen një trajtimi e studimi të vazhdueshëm, gjithnjë duke u folur e shkruar për to, njëherësh bëhen gjithnjë e më të pashtershme, sepse shqyrtohen në një rrafsh jashtëzakonisht të gjerë e shumëpërmasor, ku kapen të gjitha veçoritë dhe tiparet ndërtimore, tematike, artistike, kulturore, gjuhësore, filozofike, edukative, iluministe etj., domethënë edhe në rrafshin horizontal, edhe në atë vertikal, me tërë ndërlikueshmërinë e tyre. Kjo është një përpjekje e pafund, madje edhe shumë tërheqëse për studiuesit e ndryshëm, të cilët janë nxitur nga të tjerët për të hyrë aty, ose nga interesimi vetjak për t’i ripërkufizuar estetikisht fenomenet që i ndeshin, duke u futur kështu thellë e më thellë, përmes metodologjive të ndryshme bashkëkohore. Madje, pikërisht në këtë drejtim, ata pothuajse edhe specializohen me studimin e gjithanshëm të ndonjërës nga shëmbëlltyrat e tilla, thjesht duke e bërë atë si ekskluzivitet shkencor, si orientim i vetëm gjatë karrierës hulumtuese e shkencore. Sigurisht që rastet e këtilla nuk janë të panjohura, për arsye se deri tani janë botuar mijëra e mijëra studime të ndryshme lidhur me figurat e veçanta kulturore e letrare, të cilat vazhdojnë ta ndërlidhen me hallka të tjera zinxhirore në fushën e studimeve.
Në qoftë se këtu për një çast e kujtojmë figurën e madhe të Homerit që i përket letërsisë antike, me siguri do të na bien ndër mend ato mijëra studime që janë bërë për të, si në të kaluarën, ashtu edhe sot. Dhe, është shumë e qartë se nëpër periudha të ndryshme kohore interesimi për të është rritur tej mundësive të pritshme. Prandaj, edhe përkundër atyre studimeve të shumta, sot prapëseprapë asnjëri nga ata që janë marrë me këtë nuk mëton se e ka shteruar veprën e tij, por vetëm që ka hedhur pak dritë në gjithnajën e gjerë dhe të thellë të çështjes homerike.
Nisur nga kjo, në bazë të traditës studimore që është krijuar deri më sot për veprën e këtij gjeniu të letërsisë së lashtë, është krijuar një shkencë e tërë, e cila tanimë është quajtur homerologji. Dhe rrjedhimisht sot mund të thuhet se çdo popull i qytetëruar, që ka krijuar një standard shkencor e kulturor, i ka edhe homerologët e vet, të cilët e kanë dhënë ndihmesën e tyre në këtë drejtim, qoftë përmes studimeve historike, letrare, sociologjike, gjuhësore, mitologjike, krahasimtare, qoftë edhe përkthimeve të veprës së tij në gjuhë të ndryshme të botës. Studiuesit që janë marrë me këtë çështje, siç janë: G. M. Bolling, C. R. Gordon, G. S. Kirg, A. B. Lord, J. V. Luce, J. L. Myers, M. P. Nilson, D. L. Page, L. G. Pocock, Ch. Vellay, T. B. L. VVebster, C. H. Vvhitman, R. S. Price etj., sot zënë një vend të rëndësishëm në panteonin e studimeve homerologjike botërore. Natyrisht, këtu nuk mund t'i harrojmë as homerologët shqiptarë të cilët po ashtu dhanë një ndihmesë të rëndësishme, duke filluar që nga Naim Frashëri i cili i pari nisi ta përkthente një pjesë të "Iliadës", si dhe duke shkruar rreth saj, e deri te Engjëll Mashi, Gjon Skiroi, Spiro Çomora, Gjon Shllaku, Engjëll Sedaj, Zef Krispi, Aristidh Kola, Spiro N. Konda, Muzafer Korkuti, Andrea Varfi, Xhavit Aliçkaj etj.
Një rast tjetër, që po ashtu mori përmasa të gjera në botë, pa dyshim është edhe ai që lidhet me figurën e madhe të U. Shekspirit. Edhe për këtë janë shkruar mijëra e mijëra studime nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato të përgjithshmet ku flitet për jetën dhe veprën e tij, e deri te ato të veçantat ku flitet për ndonjë aspekt që ka të bëjë me të. Sipas disa të dhënave, vetëm për kryepersonazhin e tij, Hamletin, janë bërë 25 mijë studime të ndryshme. Në mesin e tyre ndodhen edhe mjaft emra të njohur siç janë. K. L. Barber, J. V. Gëte, A. V. Shlegel, A. C. Bradli, S. T. Kolrixh, F. Niçe, L. N. Tolstoj, B. Shou, Volter etj. Prandaj është krejt afër mendsh që kjo traditë studimore që lidhet me shëmbëlltyrën e U. Shekspirit të quhet shekspirologji, ku janë radhitur qindra e mijëra emra studiuesish nga mbarë bota, gjithsesi edhe nga shqiptarët, siç janë: Faik Konica, Fan Noli, Skënder Luarasi, Alfred Uçi etj.
Kur i marrim parasysh këto gjëra, gjithsesi na shkon mendja edhe te figurat e mëdha të kulturës dhe letërsisë shqiptare, të cilat po ashtu zënë një vend të theksuar në jetën e përgjithshme kombëtare, sepse kurdoherë kanë luajtur rol mbizotërues në vijën e ndikimit shpirtëror, në ringjalljen e vlerave të larmishme, lartësimin e idealeve etj. Pavarësisht nga rrethanat dhe kushtet historike shumë të pavolitshme, figurat e tilla nuk kanë munguar asnjëherë, por janë shfaqur me tërë energjinë e madhe të tyre, duke shkruar deri në vetëflijim shpirtëror dhe fizik njëkohësisht. Bie fjala, emrat e njohur, siç janë: Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Jeronim de Rada, Naim Frashëri, Gjergj Fishta, Faik Konica etj., kurdoherë e kanë tërhequr vëmendjen e studiuesve dhe të historianëve të ndryshëm, kuptohet duke ndriçuar aspekte të shumta nga veprat e tyre, kuptohet si një botë e ndërlikuar dhe e ngjeshur, e cila ngërthen çështje të mëdha që kanë të bëjnë me qenien njerëzore.
Këndej, në qoftë se e veçojmë Naim Frashërin, pa dyshim duhet thënë se ka qenë preokupim i përhershëm i një numri të madh studiuesish, të cilët kanë prekur çështje të larmishme që kanë të bëjnë me jetën, veprën dhe shëmbëlltyrën e tij në përgjithësi. Si i tillë, N. Frashëri sot është bërë një simbol i veçantë kombëtar, që vazhdon të jetojë në kujtesën e shqiptarëve kudo që janë, në vetëdijen e shumë breznive të lexuesve, studiuesve, kritikëve, jetëshkruesve, historianëve, estetëve etj. Edhe një qind vjet pas vdekjes së tij, ai jeton shpirtërisht, ashtu siç thoshte edhe vetë: "Kur më shihni se jam tretur, mos pandehni se kam vdekur". Madje, tani ndikimin e tij shpirtëror e bën më mirë sesa kur ishte i gjallë fizikisht.
Pra, për sa i përket emrit të tij, këndej duhet theksuar faktin se sa më shumë që ecën koha, ai aq më i pashtershëm bëhet; përtërihet në kohë dhe hapësirë, rrezaton me idetë e tij, me fuqinë e madhe artistike, kthjellon bindjen dhe arsyen e shqiptarëve, ushqen ndërgjegjen e tyre. Kështu vepra e tij të lë përshtypjen sikur ringjallet me tërë magjinë e vet të veçantë, e cila është e kapshme për të gjithë shqiptarët, sepse është e urtë dhe e butë, e qartë dhe e fuqishme, shpresëdhënse dhe e paluhatshme.
Studimet e gjertanishme që janë bërë për jetën dhe veprën e tij tashmë dëshmojnë qartë se është krijuar një traditë e lakmueshme, aq më tepër kur të merret parasysh edhe fakti se krahas shumë emrave të studiuesve shqiptarë siç janë: Mali Kokojka, Jup Kastrati, Dhimitër Shuteriqi, Qemal Haxhihasani, Shaban Demiraj, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Nasho Jorgaqi, Sabri Hamiti, Ibrahim Rugova, Sali Bashota etj., aty ndodhen edhe mjaft emra të studiuesve të huaj, siç janë: Norbert Jokli, Nexhip Alpan, Agnia Desnickaja, Robert Elsie etj.
Gjykuar sipas kësaj, këndej mund të marrim guximin e të themi se në këtë mënyrë në kulturën dhe letërsinë shqiptare është krijuar një traditë e veçantë e studimeve për N. Frashërin. Ndaj pak nga pak në këtë mënyrë po hidhet guri themeltar i naimologjisë, ngjashmërisht si me popujt e tjerë, të cilët kanë krijuar tradita të veçanta studimore lidhur me shëmbëlltyrat e mëdha të tyre. Rrjedhimisht, të gjithë ata studiues të jetës dhe të veprës së N. Frashërit, mbase këndej do të kemi të drejtë t'i quajmë naimologë ngaqë, në fund të fundit, disa janë marrë me të në mënyrë të veçantë, kryekëput duke ia kushtuar tërë jetën atij, si një temë a objekt i vazhdueshëm i trajtimit dhe shqyrtimit shkencor.
Në këtë rast qëllimi im nuk është të përuroj një shkencë të re, sepse do të ishte një naivitet i madh dhe një veprim qesharak, kur dihet se ato nuk lindin me akte pagëzuese a emërtuese, siç mund t'i duket ndokujt, por në bazë të traditës që krijohet lidhur me një çështje të caktuar, megjithatë dëshiroj të ritheksoj rëndësinë e jashtëzakonshme që ka figura e Naim Frashërit për letërsinë dhe kulturën shqiptare, ngase tanimë është shndërruar në një simbol të gjithëkohshëm, madje ka arritur të bëhet figura qendrore në rrafshin e preokupimit të studiuesve. Vetë fakti se për të edhe pas njëqind vjetësh flitet e shkruhet në mënyrë të pandërprerë, madje me intensitet edhe më të madh se kurdoherë tjetër, flet qartë se ai është një galeri e pashtershme, në të cilën do të futen edhe shumë emra të tjerë studiuesish të sotëm dhe të ardhshëm.
Disa aspekte që lidhen me veprën e Naim Frashërit, siç janë krijimtaria poetike e tij, veprimtaria pedagogjike, botëkuptimi panteist, filozofik, fetar, kombëtar, ndihmesa në fushën e gjuhës, në fushën e përkthimit, lidhjet ndërkulturore, përmasat humaniste, iluministe, ndikimi i krijimtarisë gojore etj., janë vetëm disa shtylla kyç për të cilat vazhdimisht sillen studiuesit e ndryshëm. Dhe sado që rreth tyre janë shkruar dhjetëra e qindra studime, përsëri nuk janë ndriçuar në tërësi. Pra vepra e Naim Frashërit vazhdon të trajtohet e ritrajtohet edhe më tej, kuptohet nga emrat e studiuesve të rinj, të cilët përdorin edhe metodologji të reja shkencore, duke e kundruar shëmbëlltyrën e N. Frashërit edhe si një fenomen bashkëkohor, që bashkëjeton me kohën dhe njeriun e sotëm. Kështu kjo figurë e kulturës shqiptare gjithnjë e më tepër madhërohet, bëhet gjithëkohore dhe gjithëjetësore.
Në çdo përvjetor që lidhet me Naim Frashërit çështjet e këtilla aq më tepër hapen, madje në mënyrë institucionale dhe të organizuar, për t'u shqyrtuar apo rishqyrtuar, jo për shkaqe formaliste, por për shkaqe shkencore. Dhe, kështu ndihmesat e këtilla krijojnë një traditë edhe më të qëndrueshme, e cila gjithsesi na shpie drejt konceptimit dhe konsolidimit të studimeve naimiane. Thënë thjesht, tani besoj se ka ardhur koha që të gjitha këto t'i shohim në kontestin e naimologjisë, ngaqë vërtet paraqesin një ekskluzivitet të rëndësishëm në letërsinë shqiptare në përgjithësi. Në qoftë se jo diçka më tepër, atëherë të paktën këtë çështje duhet parë si një kontekst të naimologjisë.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...