Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/09/30

Lidhjet Letrare Shqiptare-Arabe



“LIDHJET LETRARE SHQIPTARE-ARABE”, i shkruar nga autori sirian me origjinë shqiptare, Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti).

Ky libër është ndër librat më me vlerë të shkruara nga ky autor. Ky libër, gjithashtu, është teza e tij e doktoraturës, e cila mbeti pa u botuar që nga viti 1981 (siç e përmend edhe vetë autori në parathënien e librit, pra për më shumë se 25 vjet), për të arritur që ta shohë dritën e botimit vetëm në vitin 2009. Një libër i tillë përmban një qasje studimore për herë të parë mbi lidhjet letrare shqiptare-arabe, ku vlen për t’u theksuar vlerësimi për autorin.
Autori jep në detaje dhe me fakte mbi origjinën e kontakteve letrare mes shqiptarëve dhe arabëve, jep të dhëna mbi kontaktet e ndërsjella mes dy popujve e të tjera informacione që lexuesit në përgjithësi dhe në veçanti orientalistëve, gjuhëtarëve, letrarëve, historianëve, etj. do t’u shërbente shumë.

Të dhëna mbi librin:
Titulli i librit: Lidhjet Letrare Shqiptare-Arabe
Autor: Dr. Muhamed MUFAKU (ARNAUTI)
Përgatiti për botim: Ermal BEGA
Redaktor gjuhësor: Dr. Xhevat LLOSHI
Botues: A.C.F.O.S. - Albania
Viti i botimit: 2009
Formati: A5
Faqe: 296
Çmimi në librari: 900 lekë (7 euro)
(Ata që e porosisin me e-mail e marrin me 800 lekë / 6 euro)
E-mail: acfos_albania@yahoo.com
Tiranë-Shqipëri

Ne, shqiptarët në Egjipt, nga Fatos Baxhaku


JO THJESHT HISTORI…

Sikurse do të shihni më poshtë me Egjiptin, sikurse edhe me vende të tjera arabe, na lidh një histori e gjatë, që është ngjizur përgjatë  shekujve të trazuar të Perandorisë Osmane. Shumë herë kemi pasur fate të përbashkëta, ndonëse tashmë të ndara. Ndërhyrja e të huajve në pasuritë e vendeve tona, keqqeverisjet e shpeshta, ndarja e të njëjtit popull në mik dhe armik, gërryerja dhe degjenerimi i pushteteve që vazhdojnë gjatë, të cilët ndonëse të nisur nga ëndrra të mbara përfundojnë në largimin nga populli, të gjitha këta shqiptarë e egjiptianë i kanë kaluar në mënyra njëherazi të ndryshme, por edhe ta ngjashme. Historia nuk është vetëm një kuriozitet. Ajo u shërben popujve të kuptojnë se ku kanë qenë, çfarë kanë bërë mirë dhe çfarë kanë bërë keq në rrugën e tyre të gjatë. Ja përse ky shkrim mbi shqiptarët në Egjipt mund të konsiderohet edhe si jo vetëm historik. (fa.bax.). 

Ne, shqiptarët në Egjipt

“Fushë dhe fushë dhe fushë prapë, fushë e pasosur dhe shumë vapë…”

FATOS BAXHAKU


Profesioni ushtar


Qëkurse sulltan Selimi shpartalloi ushtrinë e mamlukëve të Egjiptit në 1517, në vend u krijua një situatë e çuditshme. Egjipti ishte zyrtarisht pjesë e Perandorisë Osmane porse vendi, për dy shekuj me radhë, do të përfshihej nga një rivalitet i përgjakshëm mes mamlukëve vendas dhe jeniçerëve të sulltanit. Ndonëse administrata osmane ishte formalisht prezente, kjo periudhë do të mbizotërohet kryesisht nga mamlukët deri në mbërritjen e armatave të Napoleon Bonapartit në 1798. Pikërisht në këtë kohë shënohen emrat e parë të sunduesve shqiptarë. Më i pari prej tyre është Sinan Pasha nga Topojani. Ky shërbeu dy herë si vali (1567-1568 dhe 1571-1574). Një historian i njohur egjiptian, i cili për rastësi quhet Mubarak, ka lënë një listë të ndërtimeve që la pas Sinan Pasha i Topojanit: medrese, hamame, xhami, tregje në Kajro dhe Aleksandri.

Në fillim të shekullit XVII si vali i Egjiptit shërbeu një pasha nga Peja, Mere Pasha, fatkeqi Mere sundoi vetëm pak, sepse në kohën e tij vendi u përfshi nga një valë përmbytjesh dhe nga një epidemi shfarosëse murtaje. Gjatë viteve 1637-1640 vali i Egjiptit ishte shqiptari Mehmet Pasha, i cili më vonë u bë Vezir i Madh në Stamboll. Mehmet Pasha është i njohur për luftën e tij të gjatë me Ridvan beun, kreun historik të mamlukëve. Për disa kohë luftën kundër mamlukëve e vazhdoi një tjetër shqiptar, Ahmet Pashë Tarhonxhi. Pjesa më e madhe e ushtarëve që luftonin nën urdhrat e sulltanit ishin shqiptarë, por ndërkohë, shumë ballkanas, mes tyre edhe shqiptarë kishin nisur të regjistroheshin në radhët e mamlukëve. Disa prej tyre arritën të bëhen edhe komandantë të njohur. Njëri prej tyre, ishte Hysen bej Arnauti. Ky e kishte nisur karrierën ushtarake mes mamlukëve duke kaluar me radhë gradat e tyre dhe arriti të bëhej amir dhe kashif (princ i një krahine). Ky sundoi në zona të gjera derisa sa vdiq pas 23 vjetësh në pushtet në Medinë.
Në gjysmën e dytë të shekullit XVIII shumë i njohur ishte edhe Ahmet Arnauti. Ky, të paktën që në 1775, ishte komandanti i pjesës më të frikshme të mamlukëve, kalorësve pushkatarë. Historianët bashkëkohës e cilësojnë si njeri të drejtë e të ndershëm. Ahmet Arnauti u bë i famshëm për pasionin e tij për librat. Shumë prej tyre ua fali më vonë xhamive dhe studentëve të varfër. Ahmet Arnauti vdiq në Kajro. Kishte jetuar afër një shekull.
Në 1787 në Aleksandri ndodhi një ngjarje e çuditshme. Një mijë shqiptarë të armatosur, të komanduar nga prijësi i tyre, Ahmet Pasha, u paraqitën para shefave vendas duke i ofruar shërbim atij që do t’i paguante më shumë. Ismail pasha nuk qëndroi shumë në Egjipt, ai u largua shpejt për të marrë pjesë në luftën ruso-turke, porse njëmijë shqiptarët mbetën përgjithnjë në vend. Pas Ahmet Pashës kreu i ri i shqiptarëve u bë Ismail beu. Ky i stabilizoi shqiptarët në tri lagje të ndryshme të Kajros. Në 1790 një epidemi e rëndë murtaje përfshiu Kajron. Mes dhjetëra mijëra viktimave ishin edhe Ismail beu dhe shumë prej shqiptarëve të tij.
Ushtarët shqiptarë morën pjesë masivisht në luftën kundër armatave të Bonapartit. Beteja vendimtare u zhvillua në korrik të 1798. Bilanci ishte: tre mijë të vrarë egjiptianë e shqiptarë përkundër dhjetë francezëve. Më 27 korrik francezët hynë në Kajro. Ata masakruan pa mëshirë mbrojtësit e qytetit. Mes tyre ishin edhe 500 ushtarë shqiptarë.
Pas largimit të francezëve ishin tre pretendentët për Egjiptin: mamlukët vendas, jeniçerët e sulltanit dhe tashmë si fuqi e frikshme e pavarur, shqiptarët. Këta numëronin afër 5 mijë ushtarë që komandoheshin nga Tahir Pashë Arnauti. Sipas Al-Xhabartit, një kronikani të kohës, ky Tahir Pasha nuk dinte gjuhë tjetër veç shqipes. Ishte i hollë, i zeshkët dhe me mjekër të zezë. Kalonte një pjesë të mirë të kohës në shoqërinë e dervishëve. Në 1801 sulltani dërgoi në Egjipt një vali me dorë të fortë, Mehmet Husruf Pashën. Në ushtrinë e tij kishte shumë shqiptarë. Këta nuk pranuan të luftonin kundër shqiptarëve të Tahir Pashës, kështu që vendi mbeti pa zot derisa paria e Kajros vendosi ta shpallë vali Tahir Pashë Arnautin dhe të priste miratimin e sulltanit. Porse shqiptari Tahir sundoi vetëm 26 ditë si vali, sepse u vra nga jeniçerët në një protestë të improvizuar për punë pagash. Vrasësit e pashait u ndoqën dhe u masakruan prej shqiptarëve.

Mehmet Ali Pasha
Mehmet Aliu

Në vend të të ndjerit Tahir si komandant i shqiptarëve të Egjiptit erdhi Mehmet Aliu. Ky ishte një shqiptar që kishte lindur në Kavallë në 1769. Në Egjipt kishte ardhur në krye të treqind shqiptarëve duke iu përgjigjur thirrjes së sulltanit për luftë kundër Bonapartit. Vendi pa zot u bë shpejt i lakmueshëm. Që në ditën e vrasjes së Tahir Pashës shqiptarët u ndanë në dy kampe: një pjesë kërkonte që Ahmet Pasha kryetar i jeniçerëve të ishte valiu i ri. Në këtë pjesë ishin shumë aktivë shqiptarët Ymer bej Arnauti dhe Sali Koshi. Pjesa tjetër e shqiptarëve mbështesnin Mehmet Aliu. Gjakrat u nxehën keq. Porse beteja u zhvillua krejt e gënjeshtërt. Shqiptarët e të dy krahëve nuk luftuan seriozisht ndaj njëri-tjetrit. “Ishin një racë”, shkruan al-Xhabarti. Pas shumë peripecish, që vijuan, më në fund sulltani u detyrua të lëshonte pe. Më 9 korrik 1805 mbërriti në Kajro fermani sulltanor që e shpallte shqiptarin Mehmet Ali vali të Egjiptit. Pakkush e kuptoi asokohe se fati i këtij vendi të stërlashtë po ndryshonte një herë e mirë falë një shqiptari energjik.
Mehmet Aliu u përball shumë shpejt me armiqësinë e Anglisë. Në mars të 1807 pesë mijë ushtarë anglezë zbarkuan në Aleksandri dhe nisën marshimin drejt Kajros për të përmbysur Mehmet Aliun. Mirëpo Mehmet Aliu në krye të shqiptarëve të tij u shkaktoi anglezëve një humbje spektakolare.
Rreziku i dytë i madh ishin mamlukët, të cilët kishin tentuar disa herë ta vrisnin. Sipas një tradite të vjetër Mehmet Aliu në fillim u shtriu dorën e paqes. Me rastin e nisjes së djalit të tij për në Arabi ai ftoi krerët mamlukë në një ceremoni luksoze në një kështjellë të Kajros. Pastaj… urdhëroi masakrën. Nga 400 të ftuar mamlukë shpëtoi gjallë vetëm një. Mamlukët nuk ishin më një forcë ushtarake.
I qetësuar nga rreziqet brenda dhe jashtë vendit Mehmet Aliu nisi reformat, të cilat do të bënin të famshëm në histori: në bujqësi, në industri, në drejtësi. Ai duket se është ndikuar shumë nga këshilltarët francezë që kishte rreth vetes. Urdhëroi që gjysma e fitimit të ndërmarrjeve të tekstilit t’u ndahej punëtorëve me qëllim që të nxitej konkurrenca dhe efikasiteti në punë. Ndokush prej historianëve të sotëm ka parë në këtë vendim një embrion të socializmit. Me mijëra studentë europianë u dërguan në universitetet më në zë të Perëndimit. Ushtria u kthye në një armatë kolosale moderne të përbërë prej afër 250 mijë ushtarësh të pajisur me armatimin më modern të kohës. Se çfarë bluante në kokë shqiptari nga Kavalla mund ta mësojmë qartë nga një letër që gjenerali Ballard, shefi i misionit ushtarak francez në Kajro i dërgon Parisit. Ja fjalët e Mehmet Aliut: “E di mirë se perandoria po ecën dita-ditës drejt shkatërrimit, e pasi unë s’mund ta shpëtoj prej kësaj gjendjeje, përse të mundohemi kot? Por, në vend të saj mund të ngre një mbretëri të madhe, për ç’ka kam forca dhe mjete që më mundësojnë fitoren. Me një fjalë, prej meje e në sajë të fuqisë e të ushtrisë time, mund të pushtoj Akën, Damaskun e Bagdadin. Djali im, brenda vitit, do nisë të realizojë qëllimet e mia në brigjet e Tigrit dhe Eufratit, sepse ata janë kufijtë e shtetit që po përpiqem të krijoj…”.
Mehmet Aliu e kishte me gjithë mend. Në nëntor 1831 një ushtri e madhe e mirorganizuar, e drejtuar nga komandantë shqiptarë me kryekomandant Ibrahim Pashën, djalin e madh të Mehmet Aliut u nis për në Siri. Brenda shtatë muajve ushtritë e Mehmet Aliut arritën në kufi me Anadollin. Marshimi vazhdoi fitimtar deri 50 kilometra larg Stambollit. Ushtritë e sulltanit ishin gjithnjë në ikje. Ngjarjet alarmuan Fuqitë e Mëdha të kohës. Një shkatërrim i perandorisë osmane atëherë donte të thoshte një rend i ri botëror. Me ndërhyrjen e tyre energjike u arrit paqja mes Sulltanit dhe Mehmet Aliut. Kjo u firmos në Kutahia më 6 maj 1833. Sipas marrëveshjes, Mehmet Aliu ishte sundimtar i Egjiptit, Sudanit, Sirisë, Arabisë, Kilikisë dhe Kretës. Në dorën e sulltanit mbetën Iraku, Anadolli, dhe një pjesë e mirë e Ballkanit. Marrëveshja e ndau Perandorinë Osmane më dysh. Pjesa që i mbeti Mehmet Aliut ishte ku e ku më e madhe dhe më e begatë.
Por paqja s’kishte se si të ishte jetëgjatë. Në 1839 u zhvillua një tjetër betejë kolosale mes osmanëve dhe egjiptianëve. Disfata e osmanëve ishte katastrofike. Ndonëse fitimtar edhe një herë tjetër Mehmet Aliu pa të rreshtoheshin kundër tij të gjitha fuqitë më të mëdha ushtarake të botës, me përjashtim të Francës. Më në fund, pas shumë presionesh dhe nën kërcënimin e armëve, Mehmet Aliu pranoi të tërhiqej brenda Egjiptit. Në 1841 Porta e Lartë lëshoi një ferman, i cili e njihte pavarësinë e brendshme të Egjiptit dhe Mehmet Aliun sundimtar absolut të tij. Mori kështu udhë dinastia mbretërore shqiptare në Egjipt, e cila do të vazhdonte deri në 1952, kur mbreti Faruk do të përmbysej nga ushtria e komanduar nga koloneli Naser.

Rilindja që frynte nga Jugu

Fakti që në Egjipt mbretëronte një familje shqiptare bëri që shumë prej emigrantëve tanë të shekullit XIX ta shihnin këtë vend si një objektiv të sigurt për të ringritur një jetë më të mbarë se ajo që shkonin ndër fshatrat e varfër e pa tokë të Shqipërisë së Jugut të asokohe. Kështu shqiptarëve që kishin mbetur këtu që nga kohë të vjetra nisën t’u shtohen edhe ata të ardhur rishtazi. Shkruan Spiro Dine në “Valët e detit”: “Karakollët e Kajros qenë plot gegë e toskë. Këngët e vallet nuk rreshtnin; buzuku, tamburaja e ballamaja buçisnin në të katër anët. Na dukej sikur gjendeshim në Shqipëri. Tregu i armëve el-Silah nuk kishte tjetër përveç shqiptarëve, më të shumtët ishin gegë myslimanë e të krishterë mirditorë…”.
Andon Zako-Çajupi

Kolonia shqiptare e Egjiptit për shumë kohë ishte në pararojë të Rilindjes Kombëtare. Këtu vepruan figura të tilla si Andon Zako-Çajupi, Filip Shiroka, Jani Vruho, Thimi Mitko, Spiro Dino, Loni Logori… Patriotët shqiptarë të Egjiptit u dalluan për botimet në shqip, për shqiptarizmin e kishës ortodokse, për krijimin e komiteteve patriotike, për peticionet dërguar Fuqive të Mëdha në mbrojtje të të drejtave kombëtare të shqiptarëve. Në 1907 me iniciativën e Milo Duçit ishte hapur edhe një shkollë në shqip.
Me krijimin e shtetit shqiptar shumë familje emigrantësh u kthyen në vendlindje. Të tjerë emigruan kryesisht në SHBA. Të tjerë, për motive të ndryshme pragmatiste, ishin deklaruar tashmë si “grekë”, apo “rusë”.
Mbreti Faruk i Egjiptit
Pas një qëndrimi të shkurtër në Turqi në Aleksandri u vendos edhe Mbreti Zog I. Mbreti Faruk i Egjiptit, gjithnjë i vetëdijshëm për rrënjët e tij shqiptare e pat mirëpritur si “një kushëri të vyer”. Qëndrimi egjiptian i oborrit mbretëror shqiptar vazhdoi deri kur Naseri, koloneli energjik i dha fund mbretërimit të dinastisë së vjetër shqiptare. Me kohë, pushteti i pakufi e kishte gërryer moralisht edhe familjen që kishte marrë udhë nga një ëndërr e mbarë e një shqiptari të thjeshtë me emrin Mehmet Ali.


(Për këtë shkrim u përdorën të dhëna nga: Muhamet Mufaku, Shqiptarët në botën arabe, Rilindja, Prishtinë 1990).

Të parët tanë në Siri

FATOS BAXHAKU

Teksa rrugët e qyteteve siriane vazhdojnë të përzhiten orë e minutë nga flakët e luftës civile, teksa diplomacia ndërkombëtare deri më tash është treguar e paaftë të ndalë gjakderdhjen, teksa çështja siriane vazhdon të jetë një hekur i skuqur mbi trupin e lodhur të popujve arabë, na shkuan ndërmend se diku, dikur kishim lexuar mbi praninë e fortë shqiptare në këto anë. Ka shumë gjasë që shumë prej portreteve të shqetësuara, të përgjakura, të vetmuara që shohim përditë në ekranet tona të vogla të jenë pasardhësit e shqiptarëve të Sirisë. Ja se çfarë thotë historia.
Të parët tanë në Siri
Në vitin 1521, Sulltan Sulejman Ligjvënësi i nënshtroi përfundimisht prijësit mamlukë. Që prej asaj kohe e deri në 1916 shqiptarë e arabë sirianë jetuan nën të njëjtën çadër të madhe, nën Perandorinë Osmane. Shqiptarët e parë që u dukën këtyre anëve ishin sundues ushtarakë. Më i pari prej tyre rezulton të jetë Mehmet Pashë Dukagjini, i cili në 1550 ishte vali i Halepit. Ky ka mbetur i njohur për disa ndërtime të rëndësishme që la pas. Në mes dhe në fund të shekullit XVI, valinj të Damaskut ishin Lala Mustafa Pasha dhe Sinan Pasha, që të dy shqiptarë. Më 1590 të njëjtin vend e zunë me radhë Mustafa Pasha dhe Mehmet Pasha edhe këta nga gjaku ynë.

Rreth 1600 në krye të vilajetit të Halepit ishte shqiptari i rreptë Nasuh Pasha. Ky ka mbetur i njohur në historinë e Sirisë si njeriu që arriti të nënshtrojë jeniçerët që bënin zullume mes popullsisë së thjeshtë. Në 1608 në krye të Damaskut ishte prizrenasi Kuçuk Sinan Pasha. Në 1645 në të njëjtin post erdhi Mehmet Pashë Qypryliu i famshëm, origjina e të cilit ishte nga Roshniku në afërsi të Beratit. Mehmet Qypryliu u bë më pas Vezir i Madh (ekuivalenti i sotëm i Kryeministrit) dhe vendin e tij në Damask e zuri i biri, Ahmet Pasha. Ky e shpëtoi qytetin nga anarkia dhe uria. Edhe ky, njësoj si i ati u bë më pas Vezir i Madh në Stamboll.


Por nuk ishin vetëm valinjtë shqiptarë ata që lanë gjurmë në historinë e Sirisë. Në shekujt XVII-XVIII duket se këtu ishin ngulitur shumë shqiptarë, më së shumti si ushtarë. Në ditarin e një berberi nga Damasku shkruhet se kur Valiu i Damaskut unispër ekspeditë ndëshkimore në Palestinë ai kishte me vete 500 shqiptarë. Në 1757 në disa luftime rreth Damaskut marrin pjesë edhe njëzet bajraktarë shqiptarë. Në fund të shekullit XVIII truprojat e valinjve ishin të gjithë shqiptarë. Një vali boshnjak ua detyron jetën këtyre, sepse ishin pikërisht shqiptarët që e shpëtuan nga një komplot vrasës që ishte organizuar prej vetë ushtarëve të tij boshnjakë.

Pa asnjë dyshim shqiptari më i njohur në Siri është Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Ali Pashës së Egjiptit. Ky vuri nën administrimin e tij gati të pavarur gjithë Sirinë e sotme dhe një pjesë të madhe të Palestinës. I lindur shqiptar, por i rritur si arab, ky ëndërronte një shtet të madh e të pavarur arab. Ishte i pari ndër politikanët e kohës që zgjoi vetëdijen arabe. U njoh për reformat e thella mes të cilave edhe lirinë e fesë. Vetëm nën sundimin e tij të krishterët mund të hipnin në kalë dhe të mos vishnin rrobat detyruese që i diferenconin ata nga shumica myslimane. Një nga të krishterët më të njohur të vendit, Hana Bahkri, ishte i pari ndër ta që jo vetëm u bë ministër i Financave, por edhe mori titullin bej. Gjë e padëgjuar deri më atëherë në Sirinë e kohës. Ibrahim Pasha reformoi shkollat dhe ngriti shtypshkronja në të gjithë Sirinë. Sundimi i tij zgjati në periudhën 1832-1840. Pas kësaj, vetë Fuqitë e Mëdha perëndimore kthyen në vend autoritetin e sulltanit. Në fakt, në hije ishte vetëAngliaajo që nisi të luante telat në Lindjen e Mesme. Pikërisht në këtë kohë nisi tinëzisht një periudhë e gjatë kolonizimi pasojat e së cilës ndihen ende edhe sot e kësaj dite.

Në periudhën e sundimit të Ibrahim Pashës kemi shtimin më të madh të pranisë shqiptare. Në 1832 numërohen rreth 15 mijë shqiptarë në ushtrinë e Ibrahim Pashës. Ironia e fatit deshi që në Siri të luftonin më shumë shqiptarë me shqiptarë sesa osmanë kundër arabëve. Shqiptarët ishin të shumtë edhe në krahun e ushtrive të Sulltanit. Gjatë një beteje që u zhvillua në dhjetor të 1832 afro 12 mijë shqiptarë, që ishin ushtarë të sulltanit dezertuan dhe u bashkuan me bashkëpatriotët e tyre të krahut të Ibrahim Pashës. Shumica e tyre mbeti në Siri, Palestinë, Liban. Pashai ua njohu nderin duke i shpërblyer me toka. Në 1834, banorët e Damaskut panë me kërshëri me qindra fishekzjarrë që ngriheshin drejt qiellit. Pastaj dëgjuan një turmë njerëzish që brohorisnin pareshtur “Krishti u ngjall, Krishti u ngjall!”. Këta ishin afër 7 mijë shqiptarë që nën drejtimin e Mustafa Pashës erdhën nga Kreta në Damask ku u vunë nën mbrojtjen e Ibrahim Pashës. Thjesht po festonin Pashkët. Shumica e tyre mbeti përgjithnjë në Siri.

Ardhja e shqiptarëve në këto anë vazhdoi edhe pas rikthimit të pushtetit osman. Shqiptarët vinin këtu më së shumti si ushtarë. Në 1844 duket se ata ishin aq shumë saqë një kryengritje kundër mobilizimit të përgjithshëm ushtarak që ndodhi në 1844 është quajtur si “kryengritja e shqiptarëve”.

Në gjysmën e dytë të shekullit XIX guvernator i Halepit ishte Pashko Vasa, ndërsa në 1890 vali i Bejrutit dhe Damaskut ishte vetë Ismail Qemali, babai i Pavarësisë sonë. Ismail Qemali ndenji vetëm pak kohë në këtë post, por njësoj si paraardhësi i tij, Ibrahim Pasha, edhe ky e nxiti fort idenë e krijimit të një shteti arab.

Shqiptarët, me kalimin e kohës, u bënë një komunitet shumë i fortë në Damask. Ata madje kishin edhe lagjen e tyre që quhej Suk Saraxha. Zakonisht mbanin mbiemrin Arnauti (emërtimi osman për shqiptarët). Një nga familjet shqiptare, Mardam Bek, në fillim të shekullit XX ishte një ndër më të njohurat e më të pasurat e parisë siriane të kohës. Pjesëtarët e saj e kishin origjinën nga Lala Mustafa Pasha. Shumë valë shqiptarësh mbërritën këtu gjatë luftërave ballkanike 1876-1878 dhe 1912-1914. Nga komuniteti “arnaut” shqiptar kanë dalë shumë njerëz të njohur të arteve dhe politikës, ndonëse më së shumti ata mbetën zanatçinjtë e vegjël të rrugëve të vjetra të Damaskut, pasardhës të kohëve kur shqiptarët ishin më së shumti ushtarë në shërbim të të tjerëve. Kush e di se ç’po ndodh këto ditë me njerëzit e gjakut tonë në vendin e përzhitur nga urrejtja civile.


***




Muhamed Mufaku ligjërues, historian, libanezë me origjinë nga Kosova.
Muhamed Mufaku është profesor i historisë pranë Universitetin "Al-al-Bajt" të Jordanit. Përkrahë ligjerimeve, Mufaku në vitin 2009 ka nxierrur edhe një libër të titlluar "Kosova- rrezaton gërshetimin e kulturave në mes Lindjes dhe Perëndimit".

Dr. Muhamed Mufaku (Arnauti) ka lindur në Damask, në vitin 1952. Ka qenë anëtar i Shoqërisë për Kërkime dhe Studime. Është diplomuar në universitetin e Damaskut në gjuhën dhe letërsinë arabe, ndërsa magjistraturën dhe doktoraturën në letërsi krahasuese dhe histori i ka mbrojtur në universitetin e Prishtinës, në Kosovë, Jugosllavi. Ka punuar si mësues në Departamentin e Universitetit të Prishtinës, në krahinën e Kosovës, në Jugosllavi, e më pas në universitetin e Jermukut në Irbid, Jordani. Tani punon si drejtor i institutit Shtëpia e Urtësisë dhe gjithashtu si pedagog në universitetin Al al-Bejt në qytetin e Mafrakut në Jordani që prej 10 vitesh. Është specializuar në historinë dhe letërsinë e popujve të Ballkanit, ka përkthyer shumë libra të letërsisë së Ballkanit në gjuhën arabe, ashtu sikurse ka transmetuar edhe shumë prej letrarëve dhe shkrimtarëve arabë në gjuhët e këtyre popujve si dhe në gjuhën shqipe të cilën e përvetëson po aq mirë sa dhe gjuhën arabe. Ka marrë pjesë në shumë seminare, konferenca shkencore, letrare dhe kulturore. Gjithashtu, ka marrë pjesë në shumë ekspedita shkencore në shumë vende në kontinentet e Azisë, Afrikës dhe Europës. Njihet si referues për studiuesit arabë dhe europianë në çështjet e historisë dhe letërsisë shqipe. Ka botuar dhe përkthyer shumë libra, të cilat i ka botuar në vende të ndryshme. Nga botimet më të rëndësishme prej veprave të tij në arabisht dhe shqip janë:

1 – Kultura shqiptare me alfabetin arab

2 – Antologjia e poezisë arabe

3 – Tregime siriane

4 – Historia e Beogradit islam

5 – Kosovë – Kosovë

6 – Tipare islame-arabe në letërsinë shqiptare

7 – Studime në historinë kulturore të Islamit në Ballkan

8 – Studime në historinë kulturore të vendeve të Shamit

9 – Islami në Jugosllavi nga Beogradi në Sarajevë

10 – Të dhëna rreth Sirisë dhe vendeve të Shamit jugor në shekullin 16

11 – Palestina shqiptare

12 – Shqiptarët në botën arabe

Nga botimet e tij të përkthyera në arabisht janë:

1 – Historia e shkrimtarëve

2 – Poezi bashkëkohore shqiptare

3 – Një pamje tjetër e Bashkimit dhe Progresit

4 – Era dhe lisi

Gjithashtu ka botuar kërkime e studime në një numër të madh të gazetave dhe revistave arabe, shqipe, dhe në gjuhët e Ballkanit. U emërua anëtar i bordeve të revistave të botuara në universitetet e specializuara të Jermukut dhe Al al-Bejtit në Jordani.

Agjencioni Floripress:Flori Bruqi

Princ Vidi me karakter të dobët, u tradhëtua…

Princ Vidi me karakter të dobët, u tradhëtua…
Më 6 shkurt 1914, anglezi i pasionuar pas gjuhëve, Heaton Armstrong, do të merrte udhëzimet të shkonte në Vjenë. Nga ky qytet do të niste dita e tij e parë e punës pranë princit gjerman Vid, i cili ishte zgjedhur për të drejtuar mbretërinë shqiptare. “Mbërrita në Vjenë pa ndonjë incident dhe menjëherë fillova nga puna duke marrë intervistë kujdestarë të stallave të kuajve, xhambazë dhe pronarë privatë. Pas disa ditësh vëzhgimi dhe pazarllëku, bleva një ekip të mirë kuajsh kuqalashë me një çmim të ulët, kështu që kur erdhi princi, ai mbeti shumë i kënaqur nga puna ime. Ai mbërriti në mëngjes herët nga Roma, ku kishte bërë vizitën e tij të parë, i shoqëruar nga Kapiten Castoldi, i cili qëndroi në Itali, ndërsa me princin ishte Buchbergeri…”, nis Armstrong shënimet e tij të para. I emëruar sekretari i princit shqiptar, Armstrong do të mësonte shumë shpejt gjuhën shqipe, çka do ta bënte atë të ishte jo vetëm një sekretar i mbretit, por dhe një këshilltar dhe një prej njerëzve të tij më të besuar.
Para se të mbërrinte në Durrës, princ Vidi u prit në Europë nga udhëheqës të rëndësishëm shtetesh. Ai darkoi në Schonbrunn me perandorin Franc Jozef. Nga Berlini udhëtoi drejt Londrës, ku në stacion u prit nga Mjeshtri i Ceremonive të Mbretit, i cili e shoqëroi për në hotelin “Ritz” ku një suitë dhomash ishin rezervuar për të. Princi ishte i ftuar në Pallatin Buckingham ku u prit në derë nga Lordi Hamilton. Princi drekoi kokë më kokë me familjen mbretërore. Pas Londrës, mbreti i ardhshëm i shqiptarëve mbërriti në Paris… Më 25 shkurt, princi u nis nga Berlini për në Shën Petërburg. “Ne u pritëm nga Kont Totleben në Shën Petërburg, një nga adjutantët e carit, i cili e shoqëroi princin në Pallatin e Dimrit”, shkruan Armstrong… Më 21 shkurt, një delegacion shqiptar kishte udhëtuar nga Shqipëria për t’i ofruar fronin princit William të Wied-it. Më 4 mars mbreti, mbretëresha, dy zonjat e shoqërimit, dhe Armstrong u larguan nga Ealdenburgu të shoqëruar nga shërbëtorët dhe dy qen. Ja si i përshkruan Armstrong çastet e para të udhëtimit drejt Shqipërisë: “Të gjithë pyesnim veten se çfarë fshihte e ardhmja për ne. Kishim lexuar gjithë ato libra që kishim mundur të gjenim për Shqipërinë, por nuk mund të thuhet se ne kishim ndonjë njohuri të madhe për vendin ku po shkonim dhe dukej se mbreti dhe mbretëresha dinin, më pak se sa ne, megjithëse ata kishin harxhuar muaj të tërë duke përgatitur veten për detyrat e reja. Arritëm në Trieste në orën 9:00. Në stacion u pritëm nga Statthalter, princi Hohenlohe, një numër zyrtarësh të tjerë qeveritarë, dinjitarësh lokalë, nga oficerët që komandonin eskortën tonë detare ndërkombëtare dhe një turmë rezidentësh shqiptarë. Ndërsa mbreti po zbriste nga treni, një bandë ushtarake nisi ekzekutimin e një motivi të gëzuar, i cili, siç na treguan, ishte himni kombëtar shqiptar dhe të shoqëruar nga tingujt ne marshuam solemnisht përgjatë platformës, në fund të së cilës mbreti inspektoi rojën e nderit që ishte veshur bukur, i pajisur nga Regjimenti i 97 i Këmbësorisë”.
“Qyteti ishte në festë, shtëpitë ishin të zbukuruara me flamurë dhe turma ishte në një gjendje entuziazmi të plotë – gati për të gëzuar edhe episodin më të vogël. Ecja jonë drejt molit ishte një procesion triumfues dhe unë kurrë në jetën time nuk dëgjova më tepër brohoritje të përzemërta se atëherë. Një motobarkë na transportoi për te ‘Taurus’, një jaht 1200 tonësh i vënë në dispozicion të mbretit për këtë udhëtim nga Admiraliati Austriak (Ministria e Forcave Detare)… Meqë Pallati i tij ishte në anën tjetër të molit, ne shkuam atje në këmbë dhe një korridor u hap për ne përmes turmës, megjithatë ai mbyllej sapo kalonte mbreti, kështu që mua më duhej të rrija pranë tij për të mos humbur në turmë”, shkruan Armstrong. Por si u ishte dukur Durrësi, njerëzve besnikë të mbretit? “Një gji i mrekullueshëm, me një det jugor të thellë, blu, dhe në jugun e largët, përtej ujit, mali i Tomorrit me majën e tij të mbuluar me borë… Kur shikonim qytetin dhe rrethinat e tij paqësore, as na shkonte kurrë në mendje që nuk do të kalonin as tre muaj kur mbreti do të detyrohej të largohej prej tij. Topat në fortesën e vjetër venedikase gjëmuan përshëndetjen e tyre, siç bënë edhe anijet e luftës që rrinin në port, ndërsa motobarka e vogël qeveritare po sillte njerëzit e rëndësishëm të tokës për t’i uruar mirëseardhjen sovranit të tyre. (Kjo motobarkë thuhet të ketë qenë një nga “punët” e Esat Pashës, ajo i kushtoi qeverisë shqiptare 36000 korona dhe ishte e sigurt që nuk vlente më tepër se 2000). Esadi ishte sigurisht nga të parët që mbërriti në port dhe që i uroi mirëseardhjen mbretit në emër të të gjithë popullit, me ca fjalë të zgjedhura mirë. Midis atyre që ishin me të kishte dhe disa individë me pamje të çuditshme megjithëse ata ishin ndoshta të gjithë burra të vlefshëm dhe të nderuar. Përshëndetjet e tyre orientale dhe qylafi në kokë, që mbanin si shenjë kombëtare, binin ndesh me redengotën dhe këpucët amerikane që ata vishnin. Shqiptarët shquhen për shenjat e jashtme të dukshme dhe për të treguar pavarësinë e tyre, ata hoqën festën e vjetër të kuqe turke dhe shpikën një formë të re pa xhufkë, me ngjyra gri dhe rozë, e cila nuk ishte aq e hijshme sa veshja e vjetër. Esad Pasha madje kishte veshur një kostum për t’i treguar mbretit që të paktën një njeri në vend e dinte se kush ishte gjëja korrekte për t’u bërë”, shkruan Armstrong. Kurioziteti i ditës së parë në qytetin që shtrihej bri detit dhe që nga pallati i mbretit kishte një pamje të mrekullueshme do të vijonte gjatë gjithë muajve të qëndrimit të tij në Shqipëri. Në shënimet e tij, Armstrong ka qenë tepër i kujdesshëm duke përshkruar me hollësi çdo personazh dhe çdo ngjarje që shoqëroi gjashtë muajt e mbretërisë shqiptare. Një nga njerëzit të cilit i ka kushtuar hapësirë në kujtimet e tij është dhe Esad Pasha. Armstrong jo vetëm tregon në këto kujtime, por dhe mban qëndrimin ndaj ngjarjeve. “Mendoj shpesh për kohën interesante që kam kaluar në Shqipëri dhe dëshiroj të kthehem përsëri. Është vërtet për të ardhur keq që eksperimenti me Shqipërinë dështoi, pasi edhe pse vendasit kanë shumë cilësi negative dhe shumë mirësi brenda tyre. Në qoftë se Fuqitë e Mëdha do të kishin dërguar një njeri vërtet të fuqishëm dhe ta kishin mbështetur atë me gjithë zemër, gjërat do të kishin qenë ndryshe dhe kombi shqiptar do të kishte shpëtuar nga uria e fqinjëve të tij. Por mbreti ishte një njeri tolerant dhe zemërgjerë, por i dobët dhe nuk mund të vendoste dot kurrë për ndonjë gjë. Njerëzit e dinin këtë dhe nuk e respektonin. Zemërgjerësinë e tij e merrnin për dobësi dhe kujdesin për frikë. Megjithatë karakteri i tij i mirë i siguroi shumë miq dhe bëri që Fuqitë e Mëdha ta ndihmonin dhe sipas premtimeve të tyre ai mund t’ia kishte dalë mbanë. Megjithatë Komisioni Europian veproi në mënyrë të turpshme dhe nuk përmbushi asnjë nga detyrimet e veta. Fuqitë krijuan mbretërinë, por sapo kuptuan se komisioni ishte një masë e dyshimtë u lodhën me lodrën e tyre të re dhe e lanë mënjanë. Kam frikë se Fuqitë asnjëherë nuk e dëshiruan suksesin e Mbretërisë dhe kam përshtypjen se disa prej tyre ishin armiqësore që në fillim…”, shkruan Armstrong. Këto kujtime ai i shkroi gjatë kthimit në shtëpinë e tij në Londër, ku gjatë gjithë jetës nuk e harroi asnjëherë shërbimin në Shqipëri dhe komunikimin me mbretit. Këto kujtime janë botuar në Londër më 2005 me titullin “Princ Vidi, gjashtë muaj mbretëri”.
Esad Pasha, i arrestuar dhe i liruar
Mbreti kishte dëgjuar rreth komplotit kundër Esadit vetëm kur ai ishte kryer dhe, tani ai nuk dinte se çfarë të bënte me të. Madje, ai nuk e kishte vendosur akoma në mendjen e tij nëse do ta arrestonte atë formalisht apo jo. E ndiente se ministri i Luftës e kishte pasur gabim, por nuk ishte aq i fortë për të imponuar vullnetin e tij. Në qoftë se nuk do të kishte ndonjë influencë jashtë, është shumë e mundur që do ta kishte sjellë Esadin në Pallat si një njeri të lirë, megjithatë i vendosur nën presionin e huaj dhe pas një diskutimi të gjatë, u vendos që Esadi të dërgohej në bordin e anijes “Szigetvar”. Autoritetet austriake kishin premtuar ta dorëzonin atë prapë në qoftë se një gjë e tillë nuk do të kërkohej nga mbreti. Major Sluys akoma nuk ishte larguar nga shtëpia kur mbreti, i shtyrë nga mbretëresha ndryshoi mendjen duke vendosur në vend të saj ta dërgonte Esadin në burg. U dërgova unë për t’i njoftuar Majorit vendimin e ri të mbretit. Kur u ktheva në Pallat kuptova se ndërhyrjet e reja kishin bërë punën e tyre gjatë mungesës sime dhe se së fundi duhej të ndiqej urdhri i parë; kështu që mua m’u desh prapë të njoftoja major Sluys, vërejtjet e të cilit për këtë ndryshim të vazhdueshëm të planeve ishin pak a shumë sarkastike.
Në orën 9:00 një detashment detar austro-italian ishte gati të më shoqëronte mua për te shtëpia e Esad Pashës, ku duhej ta arrestoja dhe ta çoja shëndoshë e mirë tek moli. Kur arritëm tek shtëpia, dy dragomanët dhe unë vajtëm tek dera, duke pritur breshërinë që do të na dërgonte në botën tjetër. Mendoj se dragomani italian e dinte që ne ishim pak a shumë të siguruar dhe si rrjedhim, nuk u habita kur na hapën derën menjëherë. Në sallon qëndronte Esadi dhe gruaja e tij me shërbëtorët përreth dhe doktor Berghausen i Oborrit. Esadi, i cili dukej se e dinte se çfarë e priste, nuk ishte aspak i habitur kur e informova se ai ishte nën arrest dhe duhej të na shoqëronte për tek moli, ku do t’i dorëzohej komandantit të anijes austriake. Gruaja e tij, e cila i ishte kushtuar shumë atij, na u lut ta lejonim të vinte me të, përderisa kjo nuk përbënte ndonjë përplasje me urdhrat që kisha dhe m’u duk një kërkesë e arsyeshme, pa hezitim e lejova atë të vinte. Pasi kisha arsye të fortë të besoja se jeta e Esadit ishte në rrezik, komandanti italian dhe unë e futëm çiftin në mes. Nuk doja ta çoja Esadin te moli nëpër kopshtin e Pallatit dhe kisha bërë ndër mënd të shkonim nëpër qytet, që ishte dhe rruga më e shkurtër. Esadi ishte shumë i shqetësuar dhe nuk donte të kalonte nëpër qytet duke na bërë të ndryshonim planin. Ndoshta Esadi kishte marrë një paralajmërim se nuk do të arrinte tek moli i gjallë në qoftë se do të kalonte nëpër qytet, nuk mund të ketë qenë ndonjë arsye tjetër sepse të pëlqente rrugën indirekte…Tek moli e dorëzova Esadin te kapiten Schimdt i anijes “Szigetvar”. Këtu Esadi më siguroi se i kishte qëndruar besnik fronit gjatë gjithë kohës dhe se ai ishte viktimë e një intrige. Që nga koha e arrestimit të tij dhe deri kur u larguam si kompani shoqërimi, ai ishte sjellë me shumë dinjitet dhe vetëbesim nën presionin e kushteve të vështira. Kështu që, pavarësisht nga bindja se ai ishte një tradhtar, unë duhej ta admiroja për sjelljen e tij dhe ndjeva simpati për të. Një barkë po e priste atë dhe sapo hyri aty, ai u zhduk, të paktën zyrtarisht nga jeta publike e mbretërisë gjashtëmujoire. Ndërsa ai po largohej, vura re dy nga shërbëtorët e tij, të cilët e kishin shoqëruar atë, duke mbajtur valixhet dhe po përpiqeshin t’ia mbathnin pa u vënë re në turmën e njerëzve. I kapa para se të kishin shkuar shumë larg, i arrestova dhe ia dorëzova rojeve të Pallatit, të cilët i transferuan për në burg. Ata ishin një çift me pamje shumë të shëmtuar dhe pasi të gjithë ata që ishin lidhur me Esadin dyshoheshin tani se ishin kriminelë, arrestimi mund t’i ketë shpëtuar nga ndonjë hakmarrje e turmës. Gjatë ditës, çdo gjë ishte me kokë poshtë. Ministrat rrethoheshin në rrugë nga njerëzit, kabineti dha dorëheqjen dhe Pallati ruhej mirë nga marinarët e huaj. Shtëpia e Esadit u kontrollua dhe disa valixhe me dokumente u morën dhe u çuan tek stacioni i policisë, ku mbetën, besoj, pa u hapur fare. Po kështu, u kontrolluan edhe disa shtëpi të tjera që u përkisnin shokëve të Esadit dhe u bënë një numër arrestimesh nga policët e zellshëm. Pasdite u zhvilluan shumë diskutime rreth faktit se çfarë do të bënim me Esadin. Disa propozuan se ai duhej të gjykohej në mënyrë të rregullt, entuziastët donin që ta sillnin përsëri në qytet dhe ta varnin në shesh dhe italianët mendonin se ai duhej të lejohej të tërhiqej nga jeta publike dhe të jetonte në Itali. Për ironinë tonë, ditën tjetër na u tha se italianët kishin dalë fitues dhe se Esadi do të dërgohej në mërgim pa gjyq. U mërzita shumë me këtë vendim, pasi nuk mund ta kuptoja se si mbreti kishte të drejtë të dërgonte një njeri në mërgim, faji i të cilit nuk ishte provuar. Ia tregova mbretit se ishte duke shpejtuar rënien e tij me lejimin e Esadit për të shkuar jashtë vendit, nga ku ishte i sigurt se ai do të merrte hak për mënyrën se si ishte trajtuar. Isha i sigurt se Esadi ishte fajtor dhe doja ta provoja këtë gjë. Në këtë rast, një gjyq do të ishte i justifikueshëm për ta dënuar atë me vdekje dhe në këtë mënyrë e gjithë çështja do të kishte marrë fund. Vendimi i mbretit, i cili as nuk e dënoi e as nuk e nxori të pafajshëm ministrin e tij të fuqishëm, bëri një përshtypje jashtëzakonisht të keqe te njerëzit e tij besnikë. Ata menduan se mbreti u kishte hequr atyre prej duarsh prenë e tyre dhe e kishte lejuar veten t’ia hidhnin diplomatët italianë, të cilët përgjithësisht besonin se ishin aleatët e Esad Pashës. Në mesditë u dërgova për në bordin e “Szigetvar”, për t’i komunikuar viktimës vendimin e mbretit dhe gjithashtu për të kontrolluar bagazhet e tij dhe për të konfiskuar të gjitha dokumentet që kishte në zotërim. (Një masë paraprake e kotë, pasi si një njeri inteligjent që ishte Esadi, nuk do të ishte aq budalla sa të mbante me vete dokumente që e inkriminonin atë). Sipas instruksioneve të mia për t’i marrë të gjitha letrat në zotërim, solla me vete tri arka të mbushura plot, të cilat u vulosën nga ai dhe iu dorëzuan mbretit kur u ktheva në pallat. Esadi gjithashtu duhej të firmoste një premtim se nuk do të përpiqej të kthehej në vend pa lejen e mbretit dhe se ai, në asnjë mënyrë, private ose publike, nuk duhej të përzihej më në politikën shqiptare ose në intrigat kundër fronit. Këtë premtim ai e firmosi pa asnjë hezitim. Më siguroi përsëri për besnikërinë e tij dhe tha se mbreti do të bëhej pishman për veprimin e tij të nxituar dhe do ta thërriste përsëri atë, kur ai do të kthehej me dëshirë për të punuar për të mirën e vendit të tij. Ne u ndamë si shokë dhe Esad Pasha u largua për në Bari me një anije të vogël pasdite. Unë pyeta veten nëse ai e mori kaq lehtë të gjithën sa ngjau, sepse e dinte se mbreti nuk do të ishte në gjendje të qëndronte edhe për shumë kohë dhe se ai vetë do të hipte mbi samar përsëri shpejt?

Delegacioni shqiptar

Një ditë pas kthimit tonë nga Parisi në Neuwied, më 21 shkurt, ishte dita e madhe e shumëpritur, në të cilën froni i Shqipërisë do t’i ofrohej princit William të Wied-it, nga një delegacion i përbërë nga përfaqësues të të gjitha krahinave të vendit. Shqiptarët do të priteshin me pompozitet dhe për ardhjen e tyre ishin bërë përgatitje të mëdha. Çdo njeri ishte rreshtuar me veshje festive, madje dhe unë duhet të përshtatesha me zakonin kontinental barbar të të veshurit me kostum gjatë ditës. Këtë e bëra jo pa protestë dhe m’u desh ta haja mëngjesin me atë lloj petku. Më dërguan në stacion për të pritur delegacionin. Shumë makina dhe karroca ishin gati për t’i çuar shqiptarët në Schoss dhe një turmë kureshtare ishte mbledhur jashtë stacionit për t’i brohoritur kur do të kalonin, kështu që unë nuk kisha çfarë të bëja vetëm të prisja. Në platformë vura re një person tjetër me kostum, i cili më vonë doli që ishte një nga zyrtarët e princ Vidit, ku secili e mendonte tjetrin si një lloj imponuesi. Kur treni po mbërrinte në stacion menjëherë dallova mustaqet e mëdha të Castoldit. Ai vepronte si udhëheqës i delegacionit dhe më prezantoi tek Esad Pasha dhe njerëzit e tjerë të rëndësishëm. Ata ishin veshur me kostume dhe nuk kishte asgjë tjetër që i dallonte nga qytetarët e tjerë kontinentalë, vetëm emrat e tyre tingëllonin si ekzotikë dhe siç e kisha vënë në dukje me vend në një gazetë gjermane, të kujtonin një sapun të mirënjohur. Pamja e tyre duhet të ketë qenë një zhgënjim i madh për turmën, e cila priste një tufë kusarësh si komikë operash. Unë pashë si hipën të gjithë pa problem nëpër karroca dhe vetë hipa tek e fundit, por më vonë zbulova se të gjithë ata që kishin hipur nuk ishin delegatë, por gazetarë që shoqëronin delegacionin. Pasi arritën në Schloss, udhëtarët u çuan në dhomën e pritjes, ku sipas rregullit të duhur, u prezantuan te princi dhe princesha, të cilët i pritën me shumë hijeshi. Pastaj Esad Pasha mbajti një fjalim shumë të mirë, të cilin asnjë prej nesh nuk e kuptoi dhe kur u përkthye nga Eqrem Bej Vlora, princi ktheu një përgjigje të shkurtër, por nuk e mbaj mend në cilën gjuhë, në frëngjisht apo gjermanisht. Kur kjo ceremoni e vogël mbaroi, të gjithë dukeshin se ishin shumë të kënaqur dhe shqiptarët brohoritën sovranin e tyre të ri. Kështu princ William Weid-it një kapiten në ushtrinë gjermane u bë “me lutjen e Fuqive dhe vullnetin e Popullit Mbret i Shqipërisë”.
Banketi, i cili u shtrua më pas, nuk ishte shumë i këndshëm, pasi fqinjët e mi nuk ishin shumë llafazanë dhe një prej tyre tregoi më shumë interes për pjatat e vendosura përpara tij, më tepër se sa është e zakonshme kjo gjë në shoqërinë e sjellshme europiane. Megjithatë vera ishte e shkëlqyer dhe nga fundi i banketit e kishte pranuar edhe myslimani fanatik Esadi. Mbreti, siç do t’i referohem princit William të Wied-it tani e tutje (për shqiptarët ai ishte mbret e jo princ, siç është thënë shpesh gabim), u kthye më pas në Monrepos. Shqiptarët na ndoqën gjysmë orë më vonë dhe atje për ta u shërbye çaj. U dha një shfaqje kinematografike për nder të tyre, por, megjithëse ata pretendonin se po kënaqeshin, unë e di se i bezdisi po aq sa dhe neve. Gjatë shfaqjes mua m’u desh të shkoja në dhomën e pritjes për një gjë tjetër. Për çudinë time, e gjeta të zënë nga dy persona që nuk i kisha parë përpara. Zbulova që ata ishin dy gazetarë dhe njoftova baronin Malchus, një njeri me autoritet në oborrin e princeshës, i cili i nxori jashtë nga shtëpia në mënyrë të turpshme. Mbrëmjen tjetër u nisëm për në Ealdengurg, në Saksoni ku ishte shtëpia e vjetër e mbretëreshës Sofia. Qyteti ishte zbukuruar dhe populli kishte dalë për t’u bërë dëshmitar i nisjes sonë. Ne i nisëm udhëtimet tona keq, pasi zonja Von Pfuel ishte aq sëmurë saqë mua m’u desh ta dendja me konjak në dhomën e pritjes. Mbreti ishte duke inspektuar veteranët vendas dhe skuadrat e zjarrfikësve. Shëndeti i saj nuk u përmirësua gjatë natës dhe kur arritëm në Ealdenburg mëngjesin tjetër, doli se atë e kishte zënë fruthi. Mikpritësit tanë të rinj, familja Schounburg-Ealdenburg dhe ajo e vëllait më të madh të mbretëreshës janë nga familjet e vogla princërore, të cilat lulëzonin në Gjermani dhe mbanin një shtet të caktuar, sipas traditave të një kohe të shkuar, megjithëse ata nuk zotëronin më shumë tokë se një pronar i mesëm tokash skocez. Princi Schonburg, i cili u vra gjatë ditëve të para të luftës së madhe ishte më i dashur dhe pasi kishte parë mikpritjen britanike në kolonitë afrikane, bëri ç’ishte e mundur që unë të ndihesha si në shtëpinë time.
Delegacioni shqiptar u rishfaq këtu për t’i bërë respektin e tij familjes së mbretëreshës së re dhe festimet kishin pothuaj të njëjtat tipare si ato që ishin bërë në Neuwied. Unë gati u bëra shok me Esadin e tmerrshëm, megjithëse ne nuk mund ta kuptonim njëri-tjetrin në ndonjë gjuhë, ndaj bashkëbisedimi ynë kufizohej vetëm duke i rënë krahëve të njëri-tjetrit. Esad Pasha të bënte përshtypje të mirë; ai ishte një burrë shpatullgjerë, me gjatësi mesatare, me ballë të lartë, intelektual dhe me sy të zinj të mprehtë. Pesëdhjetë vitet peshonin lehtë mbi të dhe Esad Pasha kishte brenda pak orësh dy ose tre mijë pasues të armatosur. Është një fakt interesant që shumica e kushërinjve të tij ishin mes armiqve të tij më të këqij dhe nuk kishin të bënin fare me të. Ai ishte një gjeneral në shërbimin turk dhe komandonte trupat në Shkodër, kur kjo ishte e rrethuar nga serbët dhe malazezët gjatë Luftës Ballkanike, kurse paraardhësi i tij Hasan Riza Beu, u vra pas një darke, ndërkohë që po largohej nga shtëpia e Esad Pashës dhe në Shqipëri, përgjithësisht besohet se vrasjen e ka kryer sipas urdhrit të Esadit, një nga ithtarët e tij, njëfarë Osman Bali.

Masakra e Tivarit, Uran Butka: Enveri urdhëroi, “vrisni kosovarët”

Masakra e Tivarit, Uran Butka: Enveri urdhëroi, “vrisni kosovarët”

Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.

Ish ndërtesat e Monopolit të Duhanit në Tivar, në të cilat ushtria jugosllave masakroi në mënyrën më mizore mijëra rekrutë shqiptarë
Masakra e Tivarit, apo më gjerë, tragjedia e Tivarit, është një nga plojat më të mëdha, më të përgjakshme dhe më të pabesa, realizuar ndaj shqiptarëve. Është folur dhe shkruar për atë në mënyrë të njëanshme dhe të paplotë, sepse nuk është marrë në shqyrtim pjesëmarrja e drejtpërdrejtë e pushtetit komunist të Shqipërisë në këtë masakër, për mungesë të dhënash e dokumentesh, por edhe për fshehje të së vërtetës.
Shteti jugosllav, megjithëse ishte projektuesi dhe realizuesi i masakrës, e ka pranuar atë, qoftë edhe si aksidentale e të mpakur, por gjithsesi ka nxjerrë disa konkluzione dhe disa përgjegjësi. Ndërsa shteti shqiptar, i implikuar në këtë kasaphanë, shkaktuar kundrejt popullit të vet, ka heshtur për gjysmë shekulli, duke e mbuluar me harresë dhe papërgjegjshmëri të plotë, aq më tepër që akti i parë i kësaj tragjedie, ku u masakruan dhe u vranë me mijëra shqiptarë të pafajshëm, u luajt brenda territorit të Shqipërisë.
Kjo masakër u projektua dhe u realizua nga shteti komunist jugosllav në marrëveshje dhe bashkëpunim me pushtetin komunist shqiptar.
Platforma politike dhe ushtarake e këtij veprimi antishqiptar, ishte projekti famëkeq i Çubriloviçit i 7 marsit 1937 dhe i 3 nëntorit 1944, që u bënë, për fat të keq, edhe platforma e Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Jugosllavisë: “Dy janë mënyrat për spastrimin etnik të shqiptarëve: t’i zhdukim ose t’i shpërngulim.” Për Çubriloviçin dhe ata që zbatuan masivisht gjenocidin kundër shqiptarëve, kjo ishte vetëm njëra anë e medaljes. Ana tjetër, ishte kolonizimi i trojeve shqiptare të zbrazura, me kolonë serbë, herzegovinas, malazezë e maqedonas nëpërmjet ushtrisë dhe këshillave nacionalçlirimtare.
Këto projekte kriminale antishqiptare dhe antinjerëzore, u bënë program dhe veprim konkret i PKJ dhe i Lëvizjes NÇJ ndaj shqiptarëve. Në fillim të nëntorit 1944, komandave të Ushtrisë NÇJ iu dha, nga ana e organeve më të larta partiake dhe ushtarake të Serbisë, direktiva që të “vrisnin së paku 50% të banorëve shqiptarë” (Arkivi i Kosovës, F. OKKM k.10/29, 335 nr.1)
Ky gjenocid shpërfaqej hapur në formën e vrasjeve masive të shqiptarëve të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare nga forcat e Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë, të OZN-ës dhe nga detashmentet çetniko-drazhiste, si edhe të shpërnguljes masive të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Këtë luftë kundër shqiptarëve, PKJ e propagandonte si luftë kundër “reaksionit shqiptaromadh”, kundër “bashkëpunëtorëve” të nazifashizmit etj. Kosova u konsiderua dhe u trajtua si reaksionare, kundërrevolucionare, irredentiste, që duhej nënshtruar dhe tjetërsuar etnikisht.
Por, në kushtet e Luftës së Dytë dhe menjëherë pas saj, ky nënshtrim e spastrim i plotë etnik, ishte tepër i vështirë për udhëheqjen politike dhe ushtarake të Jugosllavisë, sepse populli i Kosovës dhe i viseve të tjera shqiptare ishte i gjithi më këmbë, i ndërgjegjësuar dhe i armatosur për të mbrojtur qenien shqiptare dhe kufijtë kombëtarë, përkundër politikave e praktikave antishqiptare e kriminale të PKJ dhe të Ushtrisë NÇJ. Titos dhe udhëheqësisë jugosllave nuk u interesonte edhe një luftë tjetër. Këtë gjë mund ta arrinin më lehtë e më tinëzisht, me ndihmën e propagandës dhe të armëve të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë.
Këtë bashkëveprim ndërmjet Ushtrisë NÇ të Jugosllavisë dhe Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për të luftuar së bashku, për të nënshtruar reaksionin antiserb në Kosovë dhe për ta ripushtuar atë me ndihmën e forcave ushtarake të Shqipërisë, e kërkonte qysh në muajin mars 1944, komandanti i Korpusit II Sulmues të Jugosllavisë, gjeneral-lejtnant Peko Dapçeviç.
Titoja, në cilësinë e komandantit të përgjithshëm të Ushtrisë NÇJ, i kërkonte E. Hoxhës kalimin e formacioneve të UNÇ të Shqipërisë në Kosovë e Jugosllavi, për të luftuar kundër “pushtuesve dhe reaksionit”. Kjo kërkesë e Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ Jugosllave u formulua në fund të muajit maj, u përsërit në korrik e gusht të vitit 1944. Misioni Ushtarak Jugosllav në Shqipëri prej shtatë ushtarakësh, me në krye kolonelin V.Stoiniç, i bashkërendonte veprimet e të dyja palëve. Kjo kërkesë u ribë edhe më 26 gusht 1944 nga Shtabi i UNÇJ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit, firmosur nga komandanti i këtij shtabi, Fadil Hoxha dhe komisari Boshko Çakiç. (Arkivi i FA, F.Shtabi i Përgj.)
Pala shqiptare u tregua e gatshme. Pasi vrau me mijëra nacionalistë të Ballit, Legalitetit dhe krerëve të veriut përgjatë luftës civile në Shqipëri (1943-1944), komandanti i përgjithshëm i UNÇSH, E. Hoxha, më 12 shtator 1944, i dha urdhër Korparmatës I të përgatiste dhe të niste menjëherë dy brigada për në Kosovë. (Dokumente, Shtabi Përgj., vol.II)
Po në këtë datë, mentari i E. Hoxhës, Miladin Popoviç, i shkruante Liri Gegës, e plotfuqishme e KQ të PKSH-së për Korpusin I:
“Lajmëro Pavlen ( Pavle Joviçeviç, shën. im UB) se dy brigadat shqiptare së shpejti do të marrin drejtim për Kosovë. Vetëm të mos dekonspirohet!” (AQSH, Fondi 14)
Dërgimi i brigadave partizane të Shqipërisë në Kosovë u mbajt në konspirativitet edhe për britanikët, ndonëse ata ishin aleatë dhe ndihmonin Luftën Nacionalçlirimtare në Shqipëri dhe Jugosllavi. Enver Hoxha porosiste Dali Ndreun, komandantin e Korparmatës I:
“Të mos i tregohet Inglizëve objektivi i brigadave V dhe III, që do të shkojnë në Kosovë”( AQSH, F.14)
Në Kosovë ishin krijuar dhe vepronin organizata të fuqishme politike dhe ushtarake nacionaliste, si Balli Kombëtar, Lëvizja Irredentiste, Lidhja e Dytë e Prizrenit, e më pas “Besa Kombtare” dhe Organizata Nacional-Demokratike Shqiptare (ONDSH), që kishin me vete thuajse gjithë popullin shqiptar të Kosovës e të viseve të tjera shqiptare. Bashkëpunonte me ta edhe Muharrem Bajraktari dhe forcat e tij kombëtare.
Në këto kushte, Titoja thirri brigadat dhe divizionet e Ushtrisë NÇ të Shqipërisë “për të luftuar kundër armikut dhe reaksionit”, por i përdori kryesisht në luftën kundër “reaksionit shqiptar”.
E. Hoxha e dinte mirë pse thirreshin brigadat nacionalçlirimtare të Shqipërisë në Kosovë, ndaj si një vasal i bindur dhe i ndërgjegjshëm për çka bënte, urdhëronte brigadat e Divizionit I: “Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufijve pa treguar as më të voglën tolerancë.” (Arkivi i FA, dosja 45, v.1944)
Në muajin nëntor 1944, u angazhua në këtë luftë edhe Divizioni V, që përfshiu Brigadat III, V dhe XXV, dhe Divizioni VI ( brigadat VI, VII, VIII dhe XXII), pasi u kthyen nga Sanxhaku e Bosnja, ku luftuan kundër gjermanëve. Komisari politik, Ramiz Alia thotë në një intervistë se ka qenë në Bosnjë kur ndodhi masakra. Nuk është e vërtetë. Në 3 mars 1945 ai dhe Divizioni V ndodheshin në Mitrovicë, mandej në gjithë Kosovën. (Dokumenti i datës 3.03.1945 i Shtabit të Përgjithshëm)
Divizionet V dhe VI të Shqipërisë u vunë nën urdhrat e Armatës V të Ushtrisë NÇ Jugosllave. Në urdhërveprimin e Armatës V të Jugosllavisë përfshiheshin edhe divizionet e Shqipërisë:
“Të gjitha forcat reaksionare që do të takoni, të rrethohen dhe të shpartallohen me çdo kusht… Të çarmatosen njerëzit e dyshimtë dhe ata që nuk duan të mobilizohen me dëshirë, të digjen shtëpitë e tradhtarëve që rezistojnë dhe bëjnë fortesë… Të sekuestroni mallin e kriminelëve të arratisur. T’u theksohet katundeve që përshkoni se ai katund që bëhet strehë i gjaktorëve, do të dënohet...” (AQSH, Fondi.181, d.45)
Urdhrat për mësymjen kundër forcave të Adem Vocës dhe të Shaban Polluzhës, që refuzuan të largohen nga Kosova, në kohën që kishin nisur masakrat kundrejt popullsisë shqiptare në Mitrovicë e Drenicë, i dhanë, më 1 shkurt dhe më 5 shkurt 1945, komandanti i Shtabit Operativ të Kosmetit, kolonel Fadil Hoxha dhe komisari politik, nënkolonel Krsto Filipoviç. (Arkivi historik i Jugosllavisë, k.1411)
Masakra e Drenicës dhe zhbërja e Brigadës VII kosovare që u nis për në Srem, ishin prologu i masakrës së Tivarit.
Më 8 shkurt 1945, u shpall me urdhër të komandantit suprem të UNÇ të Jugosllavisë, J.B.Tito, pushteti ushtarak.
Divizionet e UNÇ të Shqipërisë u bënë pjesë e vendosjes së regjimit ushtarak në Kosovë për shtypjen e rezistencës kosovare, për ripushtimin jugosllav të Kosovës dhe forcimin e pushtetit jugosllav. Ato qëndruan në Kosovë dhe trevat e tjera shqiptare edhe pasi ishin larguar gjermanët nga Kosova dhe Jugosllavia, qysh nga shkurti i vitit 1945 e deri në dhjetor 1945, pra për 10 muaj, derisa Kosova e viset e tjera shqiptare u bënë pjesë e Jugosllavisë dhe derisa u bënë zgjedhjet, ku fitoi Fronti NÇ i Jugosllavisë. E konfirmojmë këtë edhe me Radiogramin e Reiz Maliles, zv.komisarit të Divizionit V: “Me rastin e zgjedhjeve që do të zhvillohen më 11 nanduer 1945 këtu në Kosovë, bëni konferenca speciale me kosovarët. Ditën e zgjedhjeve nxirrni forca të armatosura jo afër qendrave të votimeve, por gati para çdo gjëje të papritur. Reaksioni mund të tentojë për të sabotuar zgjedhjet. Prandaj të kihet kujdes. Pikë.”
Ndihmesën më të madhe për rekrutimin e shqiptarëve, por edhe për dorëzimin e qindra dezertorëve, që iknin nga ushtria jugosllave dhe dorëzoheshin në mirëbesim tek brigadat e batalionet e Divizioneve V dhe VI të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, e dhanë komandat e divizioneve e brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë, që u vunë nën urdhrat e Komandës së Përgjithshme Jugosllave. Siç është zbuluar tanimë nga dokumentet arkivore, Divizionet V dhe VI të Shqipërisë ndodheshin në Kosovë përgjatë muajve mars dhe prill të vitit 1945, kur u bë mobilizimi i dhunshëm i popullsisë shqiptare në Kosovë e trevat e tjera shqiptare dhe kur u nisën tri kolonat (eshalonët) me rekrutët shqiptarë për në Tivar më 24-27 mars 1945 dhe tri kolonat e tjera më 19-24 prill 1945. Bashkëpunimi i ngushtë dhe implikimi i divizioneve dhe brigadave të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë për mobilizimin e rekrutëve shqiptarë dhe dorëzimin e tyre tek ushtria jugosllave, është evident dhe i dokumentuar.
Kemi në dorë radiogramet e shtabit të Divizionit V dhe VI, nënshkruar nga Komisari Politik Ramiz Alia dhe komandantët Gjin Marku, Rahman Parllaku etj., dërguar Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë NÇ të Shqipërisë gjatë muajve mars-prill 1945 e në vazhdim, si edhe listat emërore të të arratisurve dhe vullnetarëve shqiptarë të Kosovës, që dorëzoheshin nga shtabet e Divizioneve V dhe VI te ushtria jugosllave.
Lista e parë përmban 190 vetë, kryesisht vullnetarë shqiptarë të dorëzuar nga prefekturat e Mitrovicës dhe të Pejës.
Lista e dytë përmban 104 emra ushtarësh shqiptarë të ikur nga ushtria jugosllave, por dhe vullnetarësh shqiptarë të bashkuar me Divizionin V të Shqipërisë.
Lista e tretë, e bashkëngjitur, ngërthen 131 shqiptarë vullnetarë, të dorëzuar. (AQSH, F.14, d.206, v.1945)
Po kështu edhe lista të Divizionit VI dhe brigadave partizane të Shqipërisë, që u bënin thirrje shqiptarëve të Kosovës që të bashkoheshin me ta, por që pabesisht i dorëzonin te ushtria jugosllave.
Ja edhe përgjigjja e Enver Hoxhës:
“T’arratisurit e dorëzuar në Divizionin tuaj, dërgojani Divizionit 52 të Serbisë”.(AQSH, F.206, v.1945)
Si rezultat i këtij bashkëveprimi të ndërvarur ushtarak, vullnetarët dhe të mobilizuarit shqiptarë të Kosovës, që besonin tek thirrjet e Komandës së Divizioneve V dhe VI të Shqipërisë, u dorëzoheshin pabesisht Oznës dhe komandës Ushtarake Jugosllave dhe përfundonin si mish për top në kolonat e vdekjes, që ushtria jugosllave i largonte nga Kosova dhe i dërgonte për t’i asgjësuar në Tivar apo më tutje..
Për shoqërimin e tyre ishin caktuar disa batalione të Divizionit të 46-të dhe një batalion i Brigadës 27-të të Serbisë, si edhe një grup prej 50 ushtarakësh nga Armata IV, mandej nga Brigada X malazeze, tregonte se sa rëndësi i kishin kushtuar autoritetet jugosllave këtij marshimi, që duhej të përfundonte në një kasaphanë, ku do të merrnin pjesë pritësit dhe vetë shoqëruesit.
Të dhënat burimore ushtarake jugosllave, tregojnë se u mobilizuan dhe u dërguan për në frontin e Adriatikut 13.323 rekrutë shqiptarë. Nuk kishte asnjë rekrut serb, malazez apo maqedonas. Përse? Dihet, për të asgjësuar vetëm shqiptarë. Përse i kaluan nëpër territorin e Shqipërisë, kur kishin edhe rrugë të tjera për në Istria? Për t’i asgjësuar bashkërisht me ushtrinë shqiptare. Qeveria shqiptare, së pari, lejoi që kolonat e ushtrisë jugosllave të hynin e të kalonin nëpër territorin e Shqipërisë, jashtë çdo kontrolli dhe të vepronin si t’ua donte interesi. “Shkaktare e masakrës së parapërgatitur të Tivarit, është edhe udhëheqja partiake dhe shtetërore e Shqipërisë, me në krye Enver Hoxhën. Ajo lejoi që shqiptarët e mobilizuar, pa asnjë armë në dorë, të kalojnë nëpër territorin shqiptar, nëpër rrugën e vdekjes, të quajtur ‘Golgota e madhe Shqiptare’”- konstatonte Zekeria Cana.
Nga raporti i shtabit të Kolonës IV të Armatës së Jugosllavisë, datë 8 prill 1945:
“Eshaloni shkoi mirë deri në Kukës. Në afërsi të Kukësit ndodhi një incident, kur njëri nga grupi i kolonës gjuajti një bombë mbi rojën tonë. Me ç’rast u shkaktua rrëmujë dhe, në këtë rrëmujë, arriti të arratisej një grup prej 10 vetësh. Kështu, duke ikur, hasi në patrullën e ushtrisë shqiptare, e cila i ndaloi dhe iu bëri thirrje që të dorëzohen. Ndaj kësaj thirrjeje, ata nuk u përgjigjën, por vazhduan të iknin. Ushtarët shqiptarë hapën zjarr mbi ta dhe vranë në vend dy persona, dy të tjerë i plagosën, të cilët më vonë edhe ata vdiqën.( Arkivi i Luftës i Jugosllavisë, k.1411)
Siç shihet qartësisht nga ky dokument, asgjësimi i rekrutëve shqiptarë të Kosovës, u krye në bashkëveprim të forcave ushtarake të Jugosllavisë dhe të Shqipërisë, në këtë rast brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Në një dokument të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë lexojmë:
“Me mijëra kosovarë të pafajshëm janë pushkatuar në masë, ilegalisht dhe pa gjyq, nga organet e UDB-së. Në këto masakra të pashembullta ndaj popullsisë së Kosovës, ka marrë pjesë Koci Xoxe, në fillim të vitit 1945, kur në cilësinë si ministër i Brendshëm i Shqipërisë, ai autorizoi oficerët e UDB-së që të pushkatonin ilegalisht dhe pa gjyq, në tokën shqiptare, më tepër se 1000 kosovarë të pafajshëm” (Ark.Min.Jashtme, v.1949, D.191)
Këtë masakër brenda kufijve të Shqipërisë, e konfirmon edhe prokurori i përgjithshëm ushtarak, Bedri Spahiu:
“Xhelatët e Rankoviçit-it, që janë shquar për krimet e tyre alla-fashiste kundër popullit të thjeshtë të Kosovës, i kanë vazhduar këto masakra kundra tyre nëpërmjet rrugës prej kufirit tonë në Kukës e deri në Ulqin, duke vrarë me qindra prej tyre. Ishte kjo, një rrugë e përgjakshme e fshatarëve të thjeshtë kosovarë brenda dhe jashtë tokës sonë deri në Ulqin” ( B. Spahiu, Pretenca në gjyqin e K.Xoxes, 1949)
Autorizimin (lejen) për futjen e kolonave me rekrutët e Kosovës dhe asgjësimin e mëse 1000 kosovarëve të pafajshëm, siç e cilësojnë dokumentet e mësipërme, e ka sigluar ministri i Brendshëm i Shqipërisë, Haxhi Lleshi, por autoritetet e Shqipërisë ia faturuan Koci Xoxes, si një kokë turku, për t’ia ngarkuar atij gjithë përgjegjësitë e kësaj masakre.
Natyrisht, ky është akti më antikombëtar dhe më i turpshëm i qeverisë komuniste shqiptare, jo vetëm në atë kohë kur u krye kjo masakër, por edhe për gjysmë shekulli, kur u hesht plotësisht për shkak të bashkëfajësisë.
Këtë na e dëshmon edhe deklarata e Zoi Themelit, shef i Mbrojtjes së Popullit të krahinës III (Shkodër), i cili pranon se rekrutët e mobilizuar kosovarë, jugosllavët “i vrisnin në masë rrugës, në Shqipëri, pa pasur faj”, se rekrutët shqiptarë që iknin nga kolonat për të shpëtuar kokën dhe u dorëzoheshin organeve të shtetit shqiptar, u ktheheshin, nga organet shtetit shqiptar, komandove jugosllave, prej të cilëve ata gjenin vdekjen. Zoi Themeli, gjithashtu, pohon se dorëzimi i rekrutëve kosovarë tek autoritetet jugosllave, bëhej me urdhër të krerëve më të lartë të shtetit shqiptar, pa marrë parasysh faktin se rekrutët ishin shqiptarë dhe nuk kishin bërë asnjë faj. Qeveritarët e Shqipërisë, jo vetëm që nuk bënë asgjë për të mbrojtur dhe siguruar jetën e tyre, jo vetëm që nuk protestuan për keqtrajtimin dhe vrasjet masive të shqiptarëve brenda kufijve të shtetit shqiptar, por i dorëzuan te jugosllavët edhe ata bashkëkombës që përpiqeshin të iknin nga kolonat e vdekjes. (Arkivi MB, D.1623)
Po tragjedia më e madhe ndodhi me kolonën e dytë, pjesë e së cilës ishte edhe rekruti Azem Hajdini - Xani, i cili përjetoi tmerret e Masakrës së Tivarit, por rastësisht shpëtoi nga vdekja dhe dëshmoi për këtë tragjedi kombëtare.
“Kur hymë në territorin e Shqipërisë, u gëzuam pa masë, - parashtron Azem Hajdini, - duke menduar se tash e tutje do të jemi nën përcjelljen e ushtarëve të shtetit tonë, Shqipërisë, dhe se nuk do të përjetonim mizoritë, siç i kishim përjetuar vazhdimisht në Kosovë nga serbët, malazezët dhe maqedonasit. Shumë shpejt, pra, u bindëm se as këtu nuk kishte vend për gëzim, sepse skenari i parapërgatitur vazhdonte të realizohej me përpikmëri dhe ngase gjatë rrugës nëpër territorin e Shqipërisë, përcjellësit i shtonin torturat e vrasjet ndaj nesh. Ata nuk na konsideronin më si bashkëluftëtarë të tyre, madje as si robër të luftës… Neve nuk na konsideronin as si kope bagëtish.”( A.Hajdini, Letër e hapur)
Sipas të dhënave të arkivave jugosllave, në Fushë-Arrëz u vranë 126 rekrutë shqiptarë në gjendje agonie, kur ishin në gjumë. Masakër dinake, jonjerëzore, në kundërshtim me çdo moral, fe dhe ligj.
“Kur kaluam Pukën, i nxorën nga kolona tre të rinj shqiptarë, të veshur me rroba kombëtare, dhe i pushkatuan para syve të kolonës si edhe para një skuadre ushtarësh të Shqipërisë. Dhe, për çudi, derisa ne qanim me dënesje, ushtarët e skuadrës së Shqipërisë e përcollën pushkatimin e tyre me duartrokitje!” (A.Hajdini, Masakra e Tivarit)
Në Gomsiqe ranë në kanionin e thellë dhe gjetën vdekjen 36 rekrutë dhe 14 u plagosën.
E njëjta gjë ndodhi edhe në Vaun e Dejës, në lumin Drin dhe në lumin Buna dhe në Shkodër; gjetën vdekjen qindra rekrutë shqiptarë dhe u lënduan një numër i madh të plagosurish.
Në kazermat e Shkodrës u pushkatuan 11 shqiptarë, ndërsa në kalimin e Bunës, 18 të tjerë.
Në mesditën e datës 31 mars 1945, në qytetin e vogël të Tivarit ishte ngritur kurthi, sipas një plani të parapërgatitur, për asgjësimin e gjithë rekrutëve shqiptarë.
Masakrën ishte ngarkuar ta kryente Brigada X malazeze, pikërisht në Tivar, qytet shqiptar, që përfshihej në Malin e Zi.
Kasaphana nisi në hyrje të Tivarit të Ri, mandej arriti pikun e saj në oborrin dhe në mjediset e ndërtesës së Monopolit të Duhanit. Sipas përllogaritjeve, rezulton se vetëm në Tivar u vranë 1560 shqiptarë të kolonës së dytë prej Brigadës X malazeze, të komanduar nga krimineli Markoviç.
Edhe nga kolonat e tjera, me rekrutë shqiptarë të mobilizuar kryesisht në viset shqiptare të Gostivarit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovës dhe Shkupit, gjatë marshimit nëpër Shqipëri, të njëjtin fat patën.
Sipas burimeve jugosllave dhe shqiptare, rezulton se janë vrarë dhe zhdukur në këtë masakër 2.947 - 3.447 shqiptarë të pafajshëm. Por sipas dëshmive të të mbijetuarve, ky numër i kalon të 4.000-jët. Nga këta, sipas dokumenteve të Arkivave të Shqipërisë, mbi 1000 shqiptarë të Kosovës u vranë përgjatë rrugës nga Kukësi në Shkodër. Sipas Azem Hajdinit dhe dëshmitarëve të tjerë, nëpër territorin e Shqipërisë u vranë dhe u zhdukën 1500 shqiptarë të Kosovës. Heshtja 50-vjeçare e shtetit komunist shqiptar dhe e udhëheqjes kriminale hoxhiste, por edhe e udhëheqësve të Kosovës, si Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha etj., ishte një përpjekje tjetër për të fshehur të vërtetën dhe bashkëfajësinë në këtë masakër ndaj bashkëkombësve të tyre.
Për shkaktarët e kësaj masakre me përmasa ballkanike, deri më tani nuk është marrë ndonjë përgjegjësi, nuk janë nxjerrë mësime, përkundrazi, janë vlerësuar e nderuar ekzekutorët e saj dhe krimi është fshehur.
Ndaj edhe është përsëritur në përmasa edhe më të mëdha, deri në ditët tona.
Krimi, në çdo kohë, duhet evidentuar e ndëshkuar, përndryshe të ndëshkon sërish.
Një komb nuk mund të jetë plotësisht i lirë nëse nuk e njeh historinë e tij, nuk mund të jetë i kulturuar nëse nuk distancohet nga çdo lloj krimi e dhune, nuk mund të jetë i qetë e të përparojë nëse nuk është në paqe me veten dhe me të tjerët.
Krimet, me përmasa, implikime dhe pasoja tragjike kombëtare e ndërkombëtare, si Masakra e Tivarit, duhen ndriçuar, drejtpeshuar e gjykuar drejtësisht, jo vetëm që të zbulohet e vërteta historike, por edhe që të dalin përgjegjësitë dhe të ndëshkohet krimi, në mënyrë që ai të mos mbetet si një kërcënim, si një njollë e pashlyer, si një plagë e hapur dhe si një urrejtje vepruese midis njerëzve dhe ndërmjet popujve, por të kthehet në një mësim, në një çlirim dhe në një mirëkuptim në rrugën drejt paqes dhe integrimit europian.

UNMIK-u ka lejuar nderjen e Kosovës

UNMIK-u ka bërë shumë pak për të sfiduar influencën e vazhdueshme të Beogradit në veriun e dominuar nga serbët.

Pavarësisht rezolutës 1244, sipas së cilës Misioni i Kombeve të Bashkuara duhet të ketë kontroll mbi gjithë territorin e Kosovës, Serbia ende kontrollon shërbimin shëndetësor, arsimin dhe drejtësinë në enklavat serbe në veri.

 Beogradi  tash e 14 vjet  ka financuar grupe që kanë përdorur dhunën ndaj policisë së Kombeve të Bashkuara,Eulex-it dhe Policisë së Kosovës , veçanërisht në qytetin e Mitrovicës,Leposaviqit,Zubin Potokut,Zveqanit etj. Situata e tashme rrezikon të kërcënojë zgjedhjet si dhe  bisedimet për të ardhmen e Kosovës Veriore.

Flori Bruqi

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...