2013-10-03

Ballkani i pantallonave të shkurtra

ÇMIMET
■ Çmimi i madh “Halima’s Path” i regjisorit kroat, Arsen A. Ostojic.
■ Çmimi i jurisë për filmin e gjatë “Skopje Remix”
■ Çmimi për skenarin origjinal “Happiness Pill”, i regjisores Cecila Felmen
■ Çmimi i dokumentarit më të mirë “Sound Seekers”, i regjisores Susana Dinevski
■ Çmimi i filmit më të mirë të metrazhit të shkurtër “Column” i regjisorit Ujkan Hysaj.
■ Çmimi i dytë i filmit të shkurtër “Wedding Tape” i regjisorit Ariel Shabani
■ Çmimi i tretë po i metrazhit të shkurtër “Springtime Suns” të regjisorit Stefan Ivancic.
■ Çmimi i katërt në këtë kategori “Antena” të regjisorit Gentian Koçi

“Rrugëtimi i Halimes”, filmi që fitoi trofeun e edicionit të tretë të Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë, një rrëfim për dramën që ka lënë lufta në vendet e ish-Jugosllavisë
Alda Bardhyli
“Lufta ka mbaruar, por jo brenda meje”. Slavomir, e thotë këtë fjali teksa duart e Safijes vazhdojnë të qëndrojnë mbi supin e tij, duke iu lutur të ngrihet. Tashmë lufta ka përfunduar dhe Slavomir, një i ri serb nuk mund të heqë nga mendja prindërit e tij, të cilët i la vite më parë për t’u martuar me Safijen, një myslimane boshnjake kundër dëshirës së tyre, të cilët donin një martesë me një të krishterë. Ai vjen çdo ditë pranë varrit të tyre, i dehur dhe qan… Kohë para luftës, dashuria mes Slavomirit dhe Safijes do të bënte të lumtur një tjetër grua, Halimen, e cila pas një martese të gjatë nuk mund të lindte fëmijë. Kur Safija mbetet shtatzënë, ajo përballet me dhunën e familjes së saj boshnjake, të cilët nuk mund ta pranonin kurrsesi një martesë me një të krishterë. Ajo e lind fëmijën dhe ia jep për ta rritur Halimes, e cila tashmë ka një motiv për t’iu gëzuar jetës dhe martesës së saj. Lufta do të shkatërronte gjithë dëshirat e kësaj gruaje. Një mbrëmje ushtarët serbë vijnë dhe i marrin për t’ia pushkatuar burrin dhe djalin. Njëzet vjet pas përfundimit të luftës Halimja nis kërkimet e eshtrave të tyre. Pasi gjen eshtrat e të shoqit, tashmë asaj i duhet të gjejë ato të të birit, Mirzës. Por për këtë i duhet një analizë AND-je të cilën mund ta japë vetëm nëna e tij biologjike. Kështu, Halimja merr autobusin për të takuar pas kaq vitesh Safijen, e cila ishte martuar me Slavomirinj dhe jeton shumë larg familjeve të tyre në një fshat serb… Safija fillimisht ngurron të shkojë të japë gjak, pasi me këtë, do të mund të zbulohej sekreti që ajo i kishte mbajtur prej vitesh të shoqit, duke i thënë se i biri kishte lindur i vdekur…  “Rrugëtimi i Halimes”, filmi i regjisorit kroat, Arsen A. Ostojic, i cili fitoi kupën si filmi më i mirë i Festivalit Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë i cili përgjatë një jave u mbajt në qytetin e Pogradecit, tregoi se “lufta në Ballkan nuk ka mbaruar”. Drama që ajo ka lënë tek ata mijëra njerëz që u përfshinë në të, ndihet ende dhe në kinemanë e këtyre vendeve. Rrugëtimi i Halimes është rrugëtimi i trishtuar i qindra grave boshnjake, të cilat vite më parë, u endën në kërkim të eshtrave të të bijve dhe burrave të tyre. Është një rrugëtim që vazhdon ende në shtëpitë e këtyre grave, ku burrat rrinë varur vetëm në fotografi në mur. Aktorja kroate, Alma Prica, arriti të sillte një imazh të vërtetë të Halimes, një gruaje të vërtetë boshnjake, historia e të cilës e frymëzoi regjisorin Ostojic, të realizonte këtë film, i cili është tashmë fitues i 15 çmimeve ndërkombëtare, përfshirë këtu dhe çmimin e njohur “Grand Prix price” në Festivalin Mediterranean të Filmit në Moroco. Filmi është frymëzuar nga historia e vërtetë e një çifti boshnjak Zahida dhe Muharrem Fazlić nga një fshat në Bosnjën Perëndimore, ku Muharremi bashkë me të birin e adoptuar, Emirin, u ekzekutuan në masakrën në Cliffs Korićani më 1992. Zahidës iu deshën 12 vjet për të gjetur nënën biologjike të djalit, për të gjetur eshtrat e të birit përmes ADN-së. Nëna biologjike e Emirit ishte me banim në Zagreb, ndërsa motra e tij biologjike jetonte në Bosnjë, e cila ndryshe nga nëna u tregua e gatshme për të bërë testin e ADN-së për të gjetur eshtrat e vëllait. Përtej rrëfimeve për luftën, filmi sjell dhe një përplasje të hershme aktuale në këtë pjesë të Ballkanit, atë mes myslimanëve dhe të krishterëve, të cilët nuk i pranojnë ende martesat midis tyre…Regjisori Ostojic, tregoi me këtë film se është një njohës i mirë i Ballkanit dhe se çdo rrëfim që nis nga e vërteta dhemb kur e shikon. Por “Halima” nuk ishte gruaja e vetme që tregoi në ekranin e Festivalit Ballkanik të Filmit, se të jesh grua në Ballkan nuk është ende e lehtë… Kinematografia maqedonase dhe ajo që erdhi nga regjisorët nga Kosova, sollën të njëjtin realitet. Maria në filmin “Agnus Dei” nga regjisori Agim Sopi nuk mund ta jetojë dashurinë e saj me “shkjaun”. Një lloj Edipi i kohëve tona, “Agnus Dedi”, solli historinë e Peterit, i cili është lindur nga lidhja dashurore që nëna e tij serbe ka pasur me një shqiptar.. Gjatë luftës ai vret të atin, Dinin, të cilin nuk e kishte takuar asnjëherë…. Duke mos dashur të bënte krime, Petri dezerton nga lufta. Ai e merr vajzën e Dinit, Marinë dhe ikin në male. Gjatë ikjes së tyre nëpër male ata ndiqen nga shqiptarët dhe nga serbët. Në rrugë ata bien në dashuri. Ata ia dalin të arrijnë në Serbi. Kur e kupton që e kishte vrarë babanë e tij, Petri bën vetëvrasje. “Në Ballkan nuk mund të ketë funde të lumtura, as dashuri”, do të shprehej në ditët e para të festivalit regjisori i ri maqedonas, Zharko Ivanov. Kinemaja ka qenë gjithnjë shprehja më e mirë e historisë së emancipimit apo rrugëtimit që ka pasur një popull. Përgjatë një jave në ekranin e kinemasë së qytetit të Pogradecit, filmat nga vende të ndryshme të Ballkanit, treguan se zemërimi është ende i pranishëm te fqinjët tanë dhe se plagët e së shkuarës ende nuk janë mbyllur… Ballkani vazhdon të jetë vendi i kujtimeve, i mallit për njerëzit e dashur që i kemi pasur dikur, por edhe vendi i ëndrrave për të ardhmen… Për gati një javë, Ballkani “zbriti” në qytetin bregdetar të Pogradecit, i cili u kthye në një arenë të kinemasë. Artistë nga vende të ndryshme të Ballkanit sollën përvojën e tyre, përmes filmave të shfaqur në konkurrim. Por përtej konkurrimit, ky festival ishte dhe një debat mbi atë çfarë reflekton kinemaja sot, në kafet e thjeshta bri kinemasë së vjetër të qytetit, të veshur me pantallona të shkurtra këtë fillim shtatori. Rreth 60 filma garuan për çmimet kryesore të këtij edicioni, të cilat u ndanë të shtunën në një ceremoni ku mori pjesë dhe ministrja e ardhshme e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila dha dhe çmimin e parë. Presidenti i festivalit, aktori Mirush Kabashi e quajti këtë edicion një rritje të festivalit si nga cilësia ashtu edhe nga pjesëmarrja. Juria  e përbërë nga Andrea Görtler, Antoine Avignon, Jaromir Sofr, Pamela Cohn dhe Robert Pichler vlerësoi me çmimin e madh të festivalit filmin kroat “Halima’s Path” të regjisorit Arsen A. Ostojic. Çmimi i jurisë për filmin më metrazh të gjatë iu dha filmit maqedonas “Skopje Remix”, çmimi për skenarin më të mirë iu dha filmit rumun “Happiness Pill”, çmimi i dokumentarit më të mirë iu dha filmit maqedonas “Sound Seekers”. Çmimi i filmit më të mirë të metrazhit të shkurtër iu dha filmit “Column” i regjisorit kosovar, Ujkan Hysaj. Çmimi i dytë i filmit të shkurtër iu dha filmit kosovar “Wedding Tape” të regjisorit Ariel Shaban. Çmimi i tretë po i metrazhit të shkurtër iu dha filmit serb “Springtime Suns” të regjisorit Stefan Ivancic. Ndërsa çmimi i katërt në këtë kategori iu dha filmit shqiptar “Antena” të regjisorit Gentian Koçi. Fituesve iu dhurua kupa e festivalit e ideuar nga artisti Sofokli Koçi.

Zhorzh Sand, gruaja e salloneve letrare


George_Sand_by_Nadar,_1864

Zhorzh Sand është pseudonimi i Amantinë Oror Lysil Dypë, romanciere, autore dramatike dhe kritike letrare franceze. Krijimtaria e saj është shumë e pasur. Romanet e saj të para si “Indiana”, publikuar në vitin 1832, trajtojnë marrëdhëniet shoqërore dhe ngrenë lart revoltën e grave, duke shfaqur edhe ndjenjat e bashkëkohëseve të saj, diçka e pazakontë për atë kohë që ndau opinionin publik nga ai i elitës letrare. Më pas, Sand ngre në romane çështje sociale, duke mbrojtur punëtorët dhe të varfrit dhe duke imagjinuar një shoqëri pa klasa e konflikte, si te veprat “Mopra” (1837) dhe “Mullixhiu i Angibosë” (1845). Më vonë tërhiqet nga mjedisi rural dhe shkruan romane të idealizuar me tema nga fshati si “Pellgu i Djallit” (1846), “Fadeta e Vogël” (1849), “Fransua Shampi” (1850) etj. Përveç romanit, Sand ka lëvruar edhe gjini të tjera si autobiografia, “Historia e jetës sime” (1855) dhe romani historik “Konsuelo” (1843) ku përmes figurës së një këngëtareje italiane ajo shpalos peizazhin artistik europian të shekullit XVIII, ose “Bukuroshët e Bua Doré”, (1858) ku përshkruhen aventurat dhe peripecitë e shumta dashurore në kontekstin e kundërshtive fetare nën sundimin e mbretit Luigji XIII. Pavarësisht se kritikohej mjaft nga figura të njohura letrare te kohës si Sharl Bodëler, apo Zhyl d’Orevili, Sand ishte në qendër të jetës intelektuale të kohës, duke pritur në pronat e saj në Nohant ose në Palezo, personalitete të ndryshme si muzikantët Franz List dhe Frederik Shopen; shkrimtarët Honore dë Balzak, Gustav Flober, piktorin Eugjen Delakrua, duke u dhënë këshilla dhe kurajë. Megjithëse nëpërmjet letërkëmbimit, ajo mbante lidhje të ngushta me shkrimtarin Viktor Hygo. Ajo u shqua edhe për një angazhim politik aktiv duke filluar nga viti 1848, duke nxitur Aleksandër Rolë në fillimin e publikimit të tre gazetave ndër të cilat Kauza e Popullit, Buletini i Republikës etj. Zhorzh Sand lindi në Paris më 1 korrik të vitit 1804. Tre vitet e para të jetës i kalon në një shtëpi të vogël. Familja shpërngulet në Madrid dhe pas ca kohe kthehet përsëri në Nohant te gjyshja e Amantinës. Më 16 shtator 1808, i ati vdes pas një rënie nga kali. Amantina rritet në Nohant, në fillim me të ëmën dhe pastaj me gjyshen. Më vonë gjyshja kujdeset për të dhe merret me arsimimin e saj, ku i gjen edhe një mësues privat, i cili kishte mësuar edhe të atin e saj. Sand mbeti gjatë gjithë jetës shumë e lidhur me Nohant dhe fshatin ku mund të marrë arratinë nga e përditshmja dhe të gjejë frymëzim. Temat nga jeta në fshat i gjejmë në shumë romane të saj. Në vitin 1817, gjyshja e saj e dërgon në një kuvend për t’u arsimuar më tej, ku kalon tre vjet nga dimri i viteve 1817-1818 deri në pranverë të vitit 1820. Pas vdekjes së gjyshes, e ëma e thërret në Paris, por marrëdhëniet e tyre acarohen dhe në fillim të vitit 1822, e ëma ia beson të bijën një familjeje me pesë vajza. Aty ajo njeh Fransua Dydëvo me të cilin martohet në shtator të atij viti dhe shkojnë jetojnë në Nohant. Më 30 qershor 1823, sjell në jetë djalin e saj Moris. Gjatë një udhëtimi në Pirenej, njihet me Oreljë dë Sez me të cilin ka një marrëdhënie platonike. Nga viti 1826 deri në 1831, qëndron kryesisht në Nohant. Gjatë viteve 1827-1828 ka një lidhje me Stefan Azhason. Më 13 shtator 1828, sjell në jetë të bijën Solanzhë. I shoqi fillon të pijë, krijon marrëdhënie me shërbëtoret dhe në dhjetor 1830, çifti grinden. Amantina do të jetojë shumicën e kohës në Paris, ku merr edhe të bijën, ndërkohë që Morisi qëndron në Nohant dhe i shoqi i paguan Amantinës një shumë prej 3 000 frangash sipas kontratës. Më 4 janar 1831, Amantina largohet nga Nohant dhe shkon në Paris ku futet në një shoqëri të vogël të rinjsh të dhënë pas letërsisë romantike. Aty kalon një jetë prej bohemësh duke frekuentuar teatrot, muzetë dhe bibliotekat. Madje, mban veshur edhe një kostum burrash më praktik dhe më pak të kushtueshëm. Krijon lidhje me të riun Zhyl Sando dhe të dy fillojnë karrierën si gazetarë në Figaro. Shkruajnë edhe një roman së bashku që botohet me pseudonimin J. Sand. Veprën e parë të saj “Indiana”, publikuar më 19 maj 1832 dhe të gjitha veprat e saj i boton me pseudonimin Zhorzh Sand. Tre muaj pasi botoi librin “Indiana”, përfundon librin tjetër Valentina gjatë verës së vitit 1832. Të dyja këto vepra e bëjnë të njohur. Më 1833 ndahet nga Zhyl Sando dhe lidhet me Prosper Merime për një kohë të shkurtër. Të dyja këto lidhje e zhgënjejnë. Më 10 gusht 1833, vjen libri “Lelia”, një vepër lirike, alegorike, origjinale dhe shumë e suksesshme. Gjatë vitit 1833 njihet dhe lidhet me poetin francez Alfred dë Myse. Ndahet pas një udhëtimi në Itali dhe rilidhet me të, megjithëse marrëdhënia Sand – Myse vazhdon të mbetet e trazuar derisa ndahen përfundimisht në mars të vitit 1835. Kjo lidhje shërbeu si frymëzim për “Letra të një udhëtari”, kurse për Mysenë,
“Rrëfimi i një fëmijë të këtij shekulli”. Pas vdekjes së Mysesë, Sand boton “Ajo dhe Ai”, ku tregon historinë e tyre. Në vitin 1835, Sand njihet me një avokat të famshëm i cili e mbron në divorcin me të shoqin. Ky avokat e frymëzon për personazhin e Simonit në romanin me të njëjtin titull. Ndahet prej tij në 1837 dhe po atë vit, mësuesi i djalit të saj bëhet një nga të dashurit e saj të shumtë. Më 28 gusht 1836, shkon në Zvicër ku e pret Franz List, të cilin e kishte njohur nëpërmjet Mysesë. Lidhja e tyre mbetet miqësore. Sand takohet me kompozitorin polak, Frederik Shopen në 1836 dhe jeton me të për dhjetë vjet. Lidhja e tyre ishte shumë e ndërlikuar. Në fillim ishin miq, pastaj të dashur dhe pasi Shopeni sëmuret, lidhja e tyre bëhet gati si marrëdhënia nënë – bir. Marrëdhëniet jo të mira të çiftit me fëmijët e saj çuan drejt ndarjes së tyre. Sand lidhet me demokratët dhe në 1848 gëzohet për rënien e mbretit Luigj – Filip dhe për fundin e Monarkisë së Korrikut. Megjithatë, nuk i pëlqen lëvizja e Komunës së Parisit dhe pas dhunës së revoltave kthehet në Nohant. Për shkaqe financiare detyrohet të shkruajë për teatër. Në Nohant, ushtron edhe funksionin e mjekut dhe ndërkaq udhëton shumë nëpër Francë. Mban lidhje miqësore nëpërmjet letrave me shkrimtarin Gustav Flober, dhe njihet edhe me Teofil Gotje, Sënt – Bëv, vëllezërit Gonkur, etj… Nuk ndalet së shkruari derisa vdes më 8 qershor të vitit 1876, në moshën 71 vjeçe.

Artisti nga Kosova, Xhevdet Spahija, sjell në Muzeun Historik Kombëtar ciklin e nudove


Xhevdet Spahija
Xhevdet Spahija,

https://www.facebook.com/pages/Xhevdet-Spahija/131236450280178?ref=stream

Artisti nga Kosova, Xhevdet Spahija, sjell në Muzeun Historik Kombëtar ciklin e nudove/ Piktori që dikur pikturonte luftën sot e ka zëvendësuar atë me imagjinatën e femrës
Nen kufomen e nje gruaje (1)
Ajo ishte një grua e panjohur. Xhevdet Spahija nuk e di në vështrimin e saj e kishte hasur në ndonjë nga rrugicat e ngushta të Gjakovës, teksa shkonte për tek Ura e Drinit për të pikturuar. Ajo mund të ketë qenë shqiptare, por ndoshta dhe serbe. Për vite me radhë, imazhi i saj i fashitej në mendje sa herë ulej përballë një telajoje për të pikturuar. Imazhi i saj, ashtu i ardhur nga e panjohura duke e torturuar me torturën që mund të kishte përjetuar poshtë asaj ure, mbi të cilën ai shkonte çdo ditë. “Nuk kam për ta harruar asnjëherë një ditë në Gjakovë, kur shkova të pikturoja peizazhin që shfaqej përtej Urës së Drinit. Teksa po vijoja të pikturoja, vjen policia dhe e rrethon urën.

Nen kufomen e nje gruaje (2)

 Poshtë urës ndodhej kufoma e një gruaje, e cila mund të kishte mbetur e vrarë gjatë luftës…”, thotë artisti nga Kosova, Xhevdet Spahija. Ky ka qenë një moment i vështirë në jetën e piktorit, një moment që i rikthehej sërish për vite me radhë… “Pas luftës kam pikturuar tmerrin”, thotë ai. Prishja e shtëpive, humbja e njerëzve të njohur, aroma e barutit kanë lënë gjurmë në pikturën e Xhevdet Spahiut. 


Është një gjurmë e cila ndihet në gjithë krijimtarinë e artistëve nga Kosova të asaj periudhe, pasi nuk mund t’i shmangeshe realitetit. Nuk mund të pikturosh diçka të bukur, nëse ajo nuk është brenda teje. Lufta dogji gjithçka të bukur… Por kaq vite pas luftës së Kosovës, brengave dhe kujtimeve të trishta që mbart diku në kujtesë, Xhevdet Spahija duket se ka gjetur forcë për t’iu rikthyer momenteve të bukura. Në ekspozitën personale që ka hapur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar prej dy ditësh, imazhet në mure tregojnë një tjetër botë brenda tij. Xhevdet Baraj i është rikthyer së bukurës, i bindur se arti duhet t’i dorëzohet vetëm asaj.
Nen kufomen e nje gruaje (3)

 Bri tablove që tregojnë peizazhet e pafundme të Pejës, Gjakovës, shfaqen një seri nudosh të realizuara prej tij në vite. “Pse mos të shndërrohet e bukura në art”, thotë ai, teksa të tregon femrat që fshehin fytyrat nën trupin e zhveshur. Trupi i një femre tregon jetën e saj… Xhevdet Spahija është munduar të japë personalitetin e çdonjërës në ravijëzimin e formave… Në fushën e blertë, një vajzë qëndron e zhveshur e kthyer me kurriz, për të fshehur fytyrën. Nga moria e tablove nudo, pjesa më e madhe e të cilave janë të imagjinuara, kjo është një situatë reale. Piktori tregon se fytyra e saj ishte po aq e bukur sa trupi dhe se në atë fushë të mbushur plot bar ajo qëndronte në sinkron me natyrën… Janë të pakta modelet në Kosovë, apo Shqipëri që e bëjnë të ditur identitetin e tyre duke u shfaqur me fytyrë.. Te një nudo e rëndësishme është trupi…


Dhe me trupin e tyre këto vajza flasin më shumë sesa me vështrime…  “Ato janë kthyer me fytyrë në krahun e kundërt, pasi nuk duan të zbulojnë kush janë”, thotë ai. Por dhe pse të fshehura ato reflektojnë paqe. Xhevdet Spahija e sheh nudon si një formë të lartë të pikturës. Në një kohë kur artistët sot janë të tërhequr nga arti abstrakt, ai vazhdon të endet në situata reale, i bindur se ato më shumë se abstraksioni tregojnë të vërtetat njerëzore. “Nuk mund të kalosh në abstraksion pa prekur realen”, thotë ai.


 Por femrat e rrëfyera prej tij nuk janë gjithmonë të lumtura… Përmes trupit të tyre të zhveshur ai do të tregojë gjithë tranzicionin e gjatë moral e shpirtëror të femrës në këto kohë shpesh të vështira, dhe të nxjerrë në pah dëshirat që ka secila prej tyre për t’u ndier e dashuruar. Kjo formë po kaq e vjetër sa dhe vetë njerëzimi i artit është parë si diçka e cila nuk përçon vlera për vetë mënyrën sesi ka qenë ndërtuar sistemi në Kosovë.

Nen kufomen e nje gruaje (4)

 Por Xhevdet Spahija ka guxuar, i bindur se përmes ngjyrave ai mund të shkelë dhe në zona të ndaluara. Në të gjitha këto tablo ai ndihet i lirë. I lirë, pasi përmes imagjinatës, ai ka mundur të takojë ato femra dhe t’i sjellë në telajo. Gjithë nudot e tij janë imagjinatë… 




Kjo është ekspozita e tetë e piktorit nga Gjakova. Në morinë e ekspozitave të hapura këto vite ai kujton më së miri atë të vitit 2007 në Mullirin e Haxhi Zekës në Pejë, ku ekspozoi bashkë me ambasadorin grek të asaj kohe në Prishtinë. Piktura ka lindur herët brenda tij, dhe në vite është rritur në koncept e formë. Në punimet e prezantuara në ekspozitën e Muzeut Historik Kombëtar nuk mungojnë edhe peizazhet shqiptare si derdhja e Bunës, realizuar në pjesëmarrjen e Kolonisë së piktorëve mbarëshqiptar. Piktura e tij është e përqendruar në disa cikle dhe një vend të veçantë zënë legjendat shqiptare si “Kush e solli Doruntinën”.


 Pikturat i përkasin frymës surrealiste, ku dominojnë ngjyrat e ndezura, si e verdha, e kuqja, e kaltra etj. Në 64 punimet mbizotëron teknika e vajit, si dhe tematika shqiptare, krijuar herë në formë reale, por nuk mungon psikanaliza. Në aktivitetin e tij artistik, piktori Spahija ka përfaqësuar artistët shqiptarë në Bienalen e 5 Ndërkombëtare “Aortë Zgjimi Përjetësie”, ku merrnin pjesë përfaqësues nga 131 shtete. “E veçanta e punimeve të krijuesit Spahija është figuracioni dhe hapësira, disi të unifikuara, që janë joshëse në mes tragjikes dhe dramës, frymës dhe lëvizjes, shkërmoqjes në nivelin e lartë të surrealizmit”, shprehet  kritiku i artit, Ilir Muharremi.

2013-10-02

Vjen historia e “Salmës”

Edicioni i Tetë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut u  mbajtë nga datat 23-29 shtator 2013.

salmaposter“Salma”, filmi i njohur i regjisorit Kim Longinoto, fitues i “Sundance Film Festival”, do të hapë siparin e edicionit të tetë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit për të Drejtat e Njeriut, u mbajtë  nga datat 23-29 shtator 2013 në Akademinë e Filmit dhe Multimedias Marubi. Filmi do të prezantohet nga vetë protagonistja e ardhur nga India, aktivistja legjendare, politikania dhe poetesha tashmë e njohur në të gjithë botën me emrin “Salma”. Nga rreth 350 filma të ardhur nga mbarë bota, publikut shqiptar do t’i paraqiten 43 filma të metrazhit të plotë, dokumentarë e filma me metrazh të shkurtër. Rreth 18 autorë të ardhur nga vende të ndryshme do të prezantojnë veprat e tyre dhe do të zhvillojnë debate me spektatorët rreth tematikave që filmat e tyre trajtojnë. “Temë qendrore e këtij edicioni është dhuna në familje, por njëherësh gjatë ditëve të festivalit spektatorë do të shohin filma me tematika të mprehta shoqërore si krimi i organizuar, korrupsioni, kapja e shtetit, skllavëri moderne, si një formë e re shfrytëzimi, revolucionet virtuale dhe pushtetit mediatik, çmemorizimi kulturor dhe efemerizmi i përditësuar, bombardimi i butë i trurit dhe mbajtja e tij nën kontroll, etj.”, tha drejtori i Festivalit, regjisori Kujtim Çashku. Për ambasadorin e Suedisë në Shqipëri, Patrik Svensson, “tema e këtij viti, dhuna në familje, është shumë e gjetur”.
Detlef Palm, përfaqësuesi i UNICEF-kryetar i bordit të IHRFFA është optimist duke thënë se “unë jam i sigurt se filmat do të ofrojnë më shumë njohuri në fushën e të drejtave të njeriut, mbi mënyrën se si vendet dhe kulturat e tjera merren me këtë çështje dhe se vetë ky festivali i rëndësishëm – dhe të gjithë ne – do të kontribuojmë për të bërë një ndryshim edhe në Shqipëri”.
President nderi i IHRFFA-s, prof. Theodor Orlin i Utica College, Nju Jork, SHBA, shprehet “le t’i konsiderojmë tematikat e këtij festivali si mënyra që ne mund të kërkojmë politika, praktika e modalitete në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, në mënyrë që brezat e ardhshëm mund të gëzojnë jetën në respektim më të thellë të të drejtave universale të njeriut”. Festivali është mbështetur çdo vit nga Delegacioni i Komisionit Europian, OSCE, UNICEF, UNDP, Instituti i Mediave, Komiteti Shqiptar i Helsinkit, Koperacioni Austriak, Këshilli Britanik, Fondacioni “Fridrik Ebert”, Instituti Italian i Kulturës, ambasadat e vendeve perëndimore si Franca, Gjermania, Holanda, Izraeli, Suedia, Zvicra etj., dhe këtë vit ka si partnerë kryesorë fondacionin suedez KVNNA TIL KVINNA. IHRFFA është një platformë politike e kulturore që konsiston në përcjelljen e mesazhit për të drejtat e njeriut nëpërmjet imazhit dhe që kontribuon në procesin e integrimit europian të Shqipërisë në përputhje me standardet e kërkuar nga Europa, pjesë e së cilës ne jemi.

Një jetë si në roman

Babai i kritikës letrare gjermane, Marcel Reich-Ranicki  mbylli sytë përgjithmonë më 18 shtator. Një rrëfim mbi jetën e tij, bazuar në librin autobiografik “Jeta ime”

 

3770046836Marcel Reich Ranicky, mendja e letrave gjermane mbylli sytë përgjithmonë mbrëmjen e 18 shtatorit në moshën 93-vjeçare. Kritiku me origjinë hebreje është konsideruar si babai i kritikës letrare në Gjermani. 13 vjet më parë, në përvjetorin e 80-të të lindjes, ai botoi librin autobiografik “Mein Leben” (“Jeta ime”), që shpejt u bë njëri nga librat më të shitur në Gjermani, duke kryesuar listat e “bestsellerëve” në të gjitha gazetat. Marcel Reich Ranicki, është shumë i admiruar dhe shumë i qortuar, është sa i njohur dhe aq popullor, me aq ndikim dhe së fundi edhe aq diskutueshëm si asnjë tjetër kritik gjerman. “Pa dashuri për letërsinë nuk ekziston kritika letrare”, thotë Reich-Ranicki. Pretendimet e mjeshtrit të letërsisë shkojnë më tej se përshkrimi autobiografik. “Tek një gjysmëshekulli më vonë, respektivisht më 1993, kam vendosur të prezantoj jetën time”, shkruan autori në pjesën përmbyllëse dhe falënderuese të librit (fq.555). Ai prezanton sfidën jo vetëm të kuptohet rruga e jetës së tij, por edhe zhvillimet brenda shoqërisë gjermane të shekullit XX. Meqë Reich-Ranicki, një mbijetues i getos së Varshavës dhe tani kritiku më i njohur gjermanofolës i letërsisë, ka paraqitur këtë sfidë, ai ka fituar respekt dhe mirënjohje. Historia të cilën ai i ofron lexuesit, është jo vetëm e shkruar mirë, por ajo është edhe gjallë dhe të fut në përsiatje të thella. Veç tjerash, si e ka ndjekur atë paradoksi i emrit Gjermani.  “Gjermania- në sytë e mi janë Adolf Hitleri dhe Tomas Mann. Si edhe më parë, këta dy emra simbolizojnë dy faqe, dy mundësi të natyrës gjermane. Dhe do të kishte pasoja katastrofale, në rast se Gjermania do të harronte apo zhvendoste vetëm njërën nga këto dy mundësi”, shkruan Reich-Ranicki. Reich-Ranicki ka pësuar si hebre me pasaportën polake gjatë qëndrimit në Berlin. Ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur u deportuan në Poloni dhe tani nuk kishte asgjë, pos gjuhës dhe letërsisë gjermane, të cilën ai qysh si fëmijë e kishte mësuar me pasion. “Atëbotë nuk mund ta parandieja, çfarë roli do të luante në jetën time të ardhshme ky bagazhi i padukshëm, ky bagazh, siç frikësohesha, i kot dhe i padobishëm”. Në dy pjesë të librit, nga pesë sa ka ai, Reich Ranicki rrëfen për rrugën e tij të dhembshme jetësore, respektivisht për jetën në geton e Varshavës. Në sfondin e tmerrit, arbitraritetit dhe llahtarisë së përditshme në Varshavë “zona e ndaluar e epidemisë”, Reich-Ranicki rrëfen një histori dashurie, e cila për shkak të autencitetit dhe origjinalitetit ndoshta është më e bukura e shekullit. Fjala është për një histori mes autorit dhe zonjës Teofila(“Tosia”) Langnas.  “Pa njohur formulimet e Frojdit”, kujton Reich-Ranicki, “njohëm ne polaritetin e dashurisë dhe vdekjes, lidhjen e fatit dhe fatkeqësisë. Dashuria ishte narkotizim, me të cilën ne anestezionim frikën nga gjermanët”. Teofila dhe ai e mbijetojnë holokaustin me rastësi dhe me fat për dallim me shumicën e pjesëtarëve të tjerë të familjes së tyre, ngase për ata shpëtim nga transporti për në Aushvic. Në këtë kuadër, duhet përmendur rrëfimi i autorit lidhur me takimin e tij me njërin nga bashkëpunëtorët e Hitlerit, Albert Shper në vitin 1953, i cili pas mbarimit të Luftës Botërore qe dënuar me 20 vjet nga Gjyqi i Nürbergut.
“ A duhet të shkruaj lidhur me debatin e historianëve? A ia vlen kjo edhe më tej ? Kanë kaluar trembëdhjetë vjet dhe disa pjesëmarrës të debatit nuk jetojnë më…”, (fq.540), shkruan autori në fillim të kapitullit të fundit të librit impresionues. Ai, si para trembëdhjetë vjetëve, edhe kësaj radhe më mirë do të ishte të mos e bënte këtë. Historianët si Nolte, Fest apo Valser, me qëndrimet e tyre të ndryshme mbi historinë tragjike të Gjermanisë, siç thekson  Reich-Ranickit, e vënë në pikëpyetje konsensusin moral të Gjermanisë Federale  “Kurrë më!” Këto dhe tablo të tjera brilante të një jete gati shekullore kanë zënë vend në librin e tij autobiografik “Jeta ime”, i cili me plot kuptimin e fjalës mund të cilësohet si tërheqje e bilancit të jetës së jashtëzakonshme të kritikut të madh, Reich-Ranickit, njeriut që përjetoi dhe mbijetoi errësirën naziste hitleriane.

“Kuarteti letrar” i ZDF-it

Duhet shënuar se kohëve të fundit në Gjermani dhe jashtë janë në trend memoaret dhe librat e atyre që mbijetuan Holokaustin. Përmes librave të kësaj natyre, të tematikës së kujtimeve, dëshmitarët e kohës së kaosit dhe të përndjekjes naziste dëshirojnë t’u ofrojnë brezave të tashëm dhe të ardhshëm jo vetëm dëshmitë më autentike të asaj kohe, por edhe dimensionin tjetër të bukur të jetës, anën e tyre krijuese. Por për dallim nga autorët tjerë që dëshironin të dëshmonin nga koha e tyre, Marcel Reich Ranickit i janë dashur 50 vjet, derisa ai i hodhi në letër përjetimet e tij. Prapa titullit të thjeshtë “Jeta ime” fshihet një histori e jetës së jashtëzakonshme dhe turbulente.
Në vitin 1938, siç rrëfen  në libër, Reich-Ranicki u deportua në geton e Varshavës në Poloni. Si çifut në geton e Varshavës ai mësoi për poshtërimet e tmerrshme, të cilat mund t[‘i përgatiste njeriu njeriut. Së bashku me gruan e tij, Tosia, ai e mbijetoi këtë ferr. Në Poloninë e pasluftës ai do të bëhet komunist dhe dëshmitar i tradhtisë së madhe për idenë e një shoqërie të barabartë. Pra, edhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur vazhdon jetën e tij në shtetin polak, Reich -Ranicki përballet me vështirësi dhe pengesa të papërfytyrueshme. Kështu, gjatë kësaj periudhe lindin telashet e njëpasnjëshme, si me rastin e konkurrimit në shërbimin diplomatik, kur si pengesë i paraqitet mbiemri i tij, Reich, i cili zgjon asociacione me Reichun e Hitlerit dhe për këtë fakt ai do të prezantohet me një mbiemër trilluar, Ranicki. Si duket, këto gjëra e shtyjnë atë që me 1958 të rikthehet në Gjermani dhe gati menjëherë bëhet i njohur si kritik letrar, të cilat filloi t’i botonte në gazetat më të njohura gjermane, si “Die Welt”, “Die Zeit”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, që më pas do ta angazhojnë në rubrikat e tyre të kulturës.
Por edhe në Gjermani Reich-Ranicki do të pësojë afera dhe vështirësi të panumërta. Në vitet gjashtëdhjeta njoftohet me Ulrike Meinhoff, e cila më pas bëri nam të keq si terroriste e majtë, për çka Marcel detyrohet të distancohet prej saj. Duhet shënuar se Marcel në vitet 1968/69 ligjëron në Universitetin amerikan, ndërsa nga viti 1971 e deri më 1975 vazhdon punën si profesor për letërsinë gjermane në Universitetin e Stokholmit, më pas në atë të Tübingenit dhe në vitet 1991/’92 drejtoi profesurën në universitetin “Heinrich Heine” të Düsseldorf-it. Me “Kuartetin letrar”, që filloi të emetohet me 1988 në kanalin e njohur gjerman ZDF, ai u bë yll medial dhe dëshmoi se ndërmjetësimi letrar me kërkesa të larta në televizion mund të jetë shumë zbavitës.
Me pak fjalë kjo është biografia e Marcel Reich Ranickit, kritikut letrar me gjuhë të mprehtë dhe retorikë dhe aksent të veçantë të gjermanishtes, cilësi këto që e bëjnë edhe të adhuruar për publikun lexues gjermanofon.

Fshehtësia e suksesit


Por, çfarë fshihet prapa ngritjes së pakrahasueshme të Reich Ranickit, prapa këtij suksesi mahnitës? Kur ai u shpërngul nga qyteti i tij polak i lindjes Wloclaweck, ende nuk i kishte më shumë se nëntë vjet, në Berlin, mësuesja e tij e përshëndeti me këto fjalë: “Djali im, ti po shkon në vendin e kulturës”. Por, ky vend i kulturës Ranickit të vogël i shfaqet jo edhe pa anën e errët. Kjo përvojë më se kontradiktore do të përshkojë jetën e tij si një fill i kuq: Fati, që ia di për nder letërsisë, muzikës dhe teatrit gjerman, duket në lidhje të pandashme me frikën nga barbarinë gjermane të periudhës së Luftës së Dytë Botërore. Pra, krahas  fascinacionit ai përjetoi edhe frikën e përndjekjes nga nazistët. Kjo ambivalencë e fascinacionit dhe e frikës do ta shoqërojë gjatë kohës autorin e librit autobiografik. Tërheqës është përshkrimi i viteve të paraluftës jo vetëm për shkak të eksperiencës kulturore të të riut Marcel, por edhe për shkak se do të afrohet një tablo e diferencuar e ditëve të shkollës së tij. Toni rrëfyes, i cili shmang akuzat dhe frikën melodramatike, pasqyron njëkohësisht pjesën më të rëndësishme të autobiografisë, përkatësisht të viteve të luftës, vitet e getos së Varshavës, si dhe shumë muaj të frikës dhe shpresës gjatë kohës së fshehjes te një fshatar polak. Reich Ranicki përshkruan përditshmërinë e tmerrit brenda mureve të getos, flet për uri dhe mjerim, shpjegon skenat e tmerrit nazist ndaj çifutëve. Por stili është lakonik. Në këtë situatë të limituar Reich-Ranicki kërkon, ashtu si edhe shumë banorë tjerët të getos, gëzim dhe ngushëllim në botën e kulturës. Në të vërtetë: letërsia e shoqëron atë edhe në ditët më të vështira të jetës, por edhe më pas kur ai u bë kritiku më i njohur dhe më me influencë në Gjermani. Kështu ai dhe gruaja e tij, Tosia, të cilën ai e njoftoi dhe e martoi në geto, u orvatën t’ia ruanin disponimin me letërsi fshatarit polak, i cili atyre u siguroi strehë. “Librat na e shpëtuan jetën”, shkruan Reich-Ranicki.

Ballafaqimet, peripecitë, pandehma…

Edhe pas mbarimit të Luftës Botërore jeta e Ranickit dhe Tosia-s  rrodhi turbulencë, fillimisht në Berlin (“Moshakmarrja më nxiste mua mallëngjim për Berlinin”), pastaj ai me kërkesën e qeverisë polake punoi në Londër si kritikë letrar. Në këtë kohë ai nuk gjeti mbrojtje dhe siguri në vendlindjen e tij. Kështu, me 1958 la Poloninë dhe ndërtoi ekzistencën e re në Gjermaninë Federale.
Pjesa e fundit e memoareve dokumenton ngritjen e tij në skenën e letërsisë gjermane. Karriera e autorit  zhvillohet shpejt. Por, suksesi i pazakonshëm nuk mund të anashkalojë faktin se shpesh dhe gjithandej mbeti anash, qoftë në “Grupin 47”, në rrethet publicistike apo në mesin e miqve të pandehur.Në këtë libër, Reich-Ranicki jep prova si tregimtar plot temperament dhe i qartë. Po kështu, ai rrëfen me gjallëri dhe në mënyrë anekdotiane për stacionet e jetës së tij, të cilat janë sa dramatike aq edhe interesante. Këtu, ai flet edhe për “Grupin 47”, përshkruan jetën e tij si kritikë i përhershëm te gazeta elitiste “Die Zeit” dhe më pas si shef i rubrikës së letërsisë në gazetën me renome “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, kujton takimet Bertolt Brecht, me Anna Seghers, me Ingeborg Bachmann, Elias Canetti dhe Thomas Bernhard, me Heinrich Böll, Günter Gras dhe me shumë emra të tjerë të letërsisë dhe kulturës gjermane. Në këtë kuptim, libri autobiografik “Mein Leben” është jo vetëm një dokument kohe për vitet e luftës dhe të kaosit, por njëkohësisht edhe shënim prekës dhe autentik për fatin e çifutëve në Gjermaninë e pasluftës.
Syle Ukshini

Të hapen dosjet e diktaturës

Vera Bekteshi/ Shkrimtarja vjen në një rrëfim për diktaturën, krizën e gjatë intelektuale të 20 viteve të fundit, letërsinë e shkruar nga femrat dhe librat që kanë ndikuar në jetën e saj
Alda Bardhyli
Vera  BekteshiTeksa buzëmbrëmja vazhdon të ulet ngadalë mbi liqenin e Ohrit, Vera Bekteshi vazhdon të flasë për librat…Duket sikur gjithë ato vite të kaluara në internim, gjithë ajo e shkuar e mbushur me ndarje, humbje, nuk kanë mundur të heqin nga kjo grua, ndjesitë e bukura që ia jep e shkruara… Nëse me vite me radhë do të nguronte si Tatjana e Pushkinit të ulej për të shkruar, tashmë Vera nuk ka më ngurrime… E shkruara është gjithçka për të dhe duket sikur ka qenë gjithnjë diçka e rëndësishme brenda saj, diçka që duhet të dilte në sipërfaqe pas një kalvari të gjatë dhimbjeje. 16 vite të kaluara në internim, që prej vitit 1974, ajo i tregoi në romanin “Vila me dy porta”. Vetëm pak kohë më parë, ajo ka botuar librin “Një det i moçëm”, ku rrëfimeve për diktaturën u janë shtuar dhe ato për tranzicionin e gjatë të këtyre 20 viteve postkomunizëm… Më poshtë, shkrimtarja vjen në një rrëfim për të shkuarën, librat që kanë ndikuar në jetën e saj, tranzicionin e gjatë intelektual dhe letërsinë e shkruar nga femrat…
Si erdhi e shkruara tek ju? Ishte diçka që ka qenë gjithnjë brenda jush dhe u desh momenti të dilte në sipërfaqe, si e kujtoni këtë proces?
Po besoj do ketë fjetur me vite brenda meje. Në rininë e hershme kam mbajtur ditar, të cilin nuk e përdora kurrë sepse e grisa. Nuk doja që mendimet e mia t’i lexonin të tjerët (përfshirë prindërit) sepse kishte aty dëshira të palejueshme për kohën, kështu që gjithçka që më interesonte e depozitova në hardin tim. Besimin se mund të shkruaja ma ka dhënë për herë të parë Gjergj Zheji, mësuesi im i dashur i letërsisë. Gjatë vitit jo se shkruaja ndonjë hartim për të qenë, mbase për shkak të faktit se temat ishin të përcaktuara dhe ato s’më pëlqenin, s’shkruaja dot me porosi. Në provimin e maturës, për fat një nga temat ishte realizmi kritik dhe unë zgjodha “Ringjalljen” e Tolstoit, të preferuarin tim të rinisë, por edhe sot e kësaj dite e kam shumë të çmuar. Nuk fola për Katjan, personazhin kryesor por vura të tillë Rusinë e kohës së Carit, që zvarritej me frymëmarrje të rëndë, e lodhur, e prangosur, pa liri. Tolstoi si shkrimtar profet, në këtë vepër kishte parashikuar përmbysjen e madhe që do ndodhte. Mësuesit tim i kishte pëlqyer kjo mënyrë shikimi e veprës dhe më inkurajoi të shkruaja. U desh të kalojnë shumë e shumë vite që të merrja guximin dhe unë e fillova duke menduar si personazhi i Pushkinit, Tatjana në letrën dërguar Onjeginit: Po marr guximin që t’ju shkruaj ç’do deshit më veç shpirtit tim? Dhe me këtë pyetje ju drejtova me mend lexuesve hipotetikë në fillimin e librit tim të parë. Një shtysë tjetër për të shkuar drejt shkrimit ka qenë dhe miku im, një konsulent francez me të cilin punova disa vite në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ai ishte kurioz të dinte për të shkuarën time, dhe kur unë i tregoja, ai ngulte këmbë që të filloja të shkruaja. Pastaj një ditë më gjeti duke luajtur në kompjuter për t’u çlodhur, kur hyri në zyrën time papritur. “Të kesh turp, po e harxhon kohën kot në vend që të shkruash”, – më tha. Kjo ishte shtysa e fundit. Sapo ai u largua, unë e lashë duhanin e lojën dhe nisa të shkruaja librin.
Atëherë ju nisët të shkruanit për të shkuarën? A nuk ishte kjo një nevojë për çlirim?
Kisha diçka që duhet ta tregoja dhe të mbetej si dëshmi. Unë shkrova një roman dokumentar me ngjarje dhe emra ose shkurtime të vërteta. Çdo gjë është reale, veçse ka strukturën e një romani.
Në libër ju i përshkruani ato vite jo të lehta të rinisë suaj, largimin nga Tirana, ndarjen nga bashkëshorti, internimin… Teksa ktheheshit pas në kohë, si e shihnit Verën e atyre viteve?
Kur u rikthehem atyre viteve, mendoj se kam vepruar drejt. Edhe sot, pas kaq vitesh që situatat kanë ndryshuar, nuk kam asnjë peng nëse bëra ndonjë veprim të gabuar, thjesht ndoqa instinktin dhe arsyetimin tim se rruga e vështirë e qëndresës, e moskapitullimit nga presionet, është ajo më e mira.
Diktatura është pjesë e rrëfimit tuaj? Çfarë ishte komunizmi për ju? Çfarë gjurmësh ka lënë ai ende?
Pas përvojës që provuam, sikurse shumica, mendoj se ishte një doktrinë krejtësisht e gabuar. Sistemet ideale ekzistojnë vetëm në mendjet tona – thotë Platoni. Marksi, me sa duket, e mendoi si një sistem ideal për të liruar proletariatin nga prangat e kapitalizmit. Nuk e merrte me mend se kur të gjente jetë ajo doktrinë, do prangoste në kuptimin e parë të fjalës jo vetëm atë proletariatin e tij, por edhe intelektualët e të gjithë të tjerët pa kursyer asnjë. Edhe çështja e pronës që tjetërsohet është kundër natyrës njerëzore, siç thotë një fjalë e urtë tiranase, është baras me shpirtin, dhe rrëmbimi i saj sigurisht që sjell pasoja. Siç u pa qartë, zbatimi i kësaj doktrine (sigurisht e ndryshuar nga Lenini e të tjerë) në Rusi fillimisht, e pastaj në gjithë vendet e Lindjes komuniste rezultoi si diktaturë e egër. Çdo vendim tek ne merrej “Në emër të popullit”, por popull s’kish gjëkundi në ato vendime, e merrte Njëshi dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. I gjithë ky tranzicion kaq i vështirë, është pasojë e asaj diktature. Sa më në presion të ketë qenë një popull, aq më me tërbim çlirohet ai, prandaj ne nuk po e marrim dot veten, ende s’është shuar tërbimi. Reminishencat e diktaturës kanë qenë dhe janë shpesh prezente.
A ka përfunduar saga e diktaturës në shkrimet tuaja?
Edhe në librin e dytë kam disa tregime të shkruara për diktaturën, ndërsa të tjerat janë të tranzicionit. Mendoj vazhdimisht se ajo periudhë është ngulitur fort tek unë e do të kthehet herë pas here. E mirë është të kthehet, ç’të keqe ka pasi i shërben jo vetëm çlirimit tim, por edhe të gjithë shqiptarëve. Duket sikur njerëzit janë të lodhur nga shkrimet për diktaturën dhe shpesh rrudhin buzët kur flitet për to, por shihni gjermanët. Ata jo vetëm shpallën listat e spiunëve pas rënies së murit për të shëndoshur shoqërinë e tyre me një shuplakë të fortë (se nuk është kollaj të shpallen publikisht kush e si janë denoncuar njerëzit), por ende vazhdimisht bëjnë letërsi apo kinematografi me temën e Luftës së Dytë ku ata ishin protagonistë në vrasje e gjenocid. D.m.th. ende shoqëria e tyre nuk është pastruar përfundimisht nga nazizmi. A nuk është fakt rilindja e tij në forma të tjera në Gjermani apo gjetkë? A nuk mund të kthehet edhe tek ne në forma të reja? Mendoj se dosjet duhet të hapen patjetër. Këtë temë e kam prekur edhe herë të tjera. Nuk jam për linçim, por ama të mos jemi në situatën që ata të dosjeve të bëjnë moralistin apo politikanin. Kjo është tepër!
Mendoni se do të hapen një ditë?
Shpresoj, por durimi duhet të marrë fund një ditë, pasi siç thotë një shkrimtar i madh, durimi është i mirë por kur zgjat, të shkatërron karakterin.
Cilat kanë qenë librat apo letërsia që kanë lënë më shumë gjurmë tek ju?
Përgjithësisht letërsia klasike ka lënë gjurmë tek unë. Kur lexoj esetë apo edhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj, atyre ju referohen gjithnjë. Në një nga romanet e fundit japonezë “Pylli norvegjez”, flitej sesi u lidh një miqësi në universitet me studentë që donin Fitzgeraldin me “Getsbin e madh”, në ndryshim nga të tjerët që preferonin vetëm letërsi moderne. Kjo më pëlqeu, ndërkohë që ai libër japonez, ndoshta i vetmi nga ata që kam lexuar prej tyre, m’u duk pak i stisur, më la shijen e një libri me erotizëm të sofistikuar. Ndaj dhe është bërë bestseller. Librat e vërtetë përgjithësisht nuk bëhen bestseller. Kurse Fitzgeraldi është krejt gjë tjetër. Stili i tij, është muzikë, sidomos në anglisht. Përveç stilit, ai libër “i vogël” vlen aq shumë. Shpesh, më duket sikur të gjithë filmat amerikanë, sa herë duan të pasqyrojnë jo vetëm vanitetin por edhe shkatërrimin që lënë pas me egoizmin e tyre persona nga shtresa e borgjezisë së lartë amerikane, i referohen atij libri. Letërsia ruse, siç e thashë, ka ndikuar tek unë, por edhe ajo franceze, angleze, japoneze, latine etj. Letërsia e narracionit që ata përfaqësojnë është e bukur, edhe sepse ajo duhet të tregojë diçka. Sigurisht që ka eksperimente në letërsinë moderne. Italo Kalvino më pëlqen p.sh. te libri i tij i fundit “Nëse një natë dimri një udhëtar”, por ai lloj të shkruari kërkon një përgatitje dhe një talent të jashtëzakonshëm. Që në rini kam pasur mundësi të njihem me letërsinë e kohës përmes librave të fondit të veçantë, që drejtori i bibliotekës së universitetit, Mihal Hanxhari, më jepte fshehurazi herë pas here.
Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit të takonit një prej këtyre shkrimtarëve që përmendët, cili do të ishte dhe pse?
Nuk e di pse po do doja të takoja Shekspirin dhe të kuptoja a i kishte shkruar vërtet ai ato mrekulli që edhe sot nuk janë zbehur, po ashtu Tolstoin aristokrat, por me veshje fshatari në Jasnaja Poljana, Çehovin delikat, por sigurisht edhe Heminguejin aventurier por të disiplinuar në letërsi, Saramagon e thellë, Markezin thellësisht jetësor, e të tjerë burra dhe gra që me veprat e tyre na e kanë pasuruar jetën aq shumë.
Tërhiqeni nga letërsia e femrave… Le të ndalemi pak këtu, a mund të ketë ndarje mes letërsisë së shkruar nga femrat dhe ajo e burrave? Çfarë e bën ndryshe shkrimin e një gruaje?
Po, sidomos kohët e fundit ka një hov në letërsinë femërore. Më ka pëlqyer shumë dhe e konsideroj si një nga librat më të rrallë “Kujtimet e Hadrianit” të Margaret Jurcenar. Doris Lessing më pëlqen gjithashtu shumë, është aq e ndryshme në një libër që mund ta lexosh për një pasdite si “Fëmija i pestë”, por që ngre aq shumë probleme etike të shoqërisë së sotme, nga tregimet e shkruara me aq intensitet sa të duhet t’u kthehesh. Për Elfride Jelinek, apo Herta Muller, megjithëse janë nobeliste, për aq sa kam lexuar, nuk më mrekullojnë, as më tronditin. Një herë një shkrimtar i yni më ka thënë për Izabel Aljenden se dallohen librat e saja si të shkruara prej një gruaje, në kuptimin jo të mirë të fjalës. S’jam dakord! Gratë mund të shkruajnë njësoj si burrat nëse i dedikohen letërsisë po aq sa ata, por ne për fat të keq s’e kemi atë luks. Shihni Lessing, ajo përveç talentit, ka pasur mundësi t’i dedikohet kësaj mjeshtërie dhe ja ku e keni, apo Jurcenar. Dhe një shembull të një çifti shkrimtarësh si Alberto Moravia dhe Dacia Maraini. Mbase jam e gabuar, por më pëlqen më shumë Dacia me librin “Jeta e gjatë e Mariana Ukrias”.
Përveç një krize sociale, ekonomike apo politike, këto vitet e fundit shpesh është folur edhe për krizë të intelektualëve. Si e shihni zërin kritik të intelektualëve dhe rolin e tyre në zhvillimet e vendit?
Intelektualët janë të shtypur, nuk e vini re? Janë të varfër, sidomos kur dalin në pension, sepse për ta s’duhet të ketë pension, nëse e meritojnë emrin intelektualë. Në të gjashtëdhjetat, nëse gëzon shëndet, je më i mençur e më prodhimtar se kurrë, por nëse të lejojnë. Ndërkohë që të dridhet dora për një kafe. Është për të ardhur keq që s’ka oponencë në letërsi, p.sh. meqë po flasim për të, pavarësisht se njerëzit i janë kthyer librit vitet e fundit. Por ndërkohë po rritet një brez i ri intelektualësh të shkolluar këtu apo jashtë, me të cilët duhet të mendohesh kur të flasësh. Veçse dhe ata duhet t’i ruhen indoktrinimit. Nuk është kaq e lehtë t’i shpëtosh atij, sepse tani kamuflohet në forma të reja.
Nëse në vende të ndryshme ish-komuniste, gratë dolën dhe gjetën shpesh veten dhe rolin e tyre në shoqëri, në Shqipëri duket se gruaja po kalon një krizë, referuar vrasjeve që dëgjojmë shpesh, që kanë si viktima gratë?
Nuk e besoj se në vendet e tjera ish-komuniste gratë e kanë të lehtë, kudo në botë gratë e kanë të vështirë, por sigurisht në shkallë të ndryshme. Në vitin 2002 kam qenë në Paris në kongresin e grave fizikane dhe a e dini se ç’probleme u shtruan aty? Pikësëpari sa përkrahen gratë fizikane në krijimin e kushteve të favorshme për punë, si p.sh. në rastin e lindjes së fëmijëve ose sa zgjidhen ato në poste vendimmarrjeje në këtë fushë? Rezultoi se ka shumë maskilizëm edhe midis shkencëtarëve dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Nga diskutimet dhe të dhënat doli se kushte më të mira në të gjithë botën u krijohen fizikaneve në Francë dhe për këtë amerikanet (ato ishin organizatoret dhe sponsoret e Kongresit) nuk ranë dakord. Te ne gratë e kanë të vështirë si kudo, por më duket se ndër të rejat e shkolluara ka një çlirim, madje nganjëherë edhe arrogancë, për të cilën s’jam dakord. Të dyja palët duhet të konkurrojnë me profesionalizëm dhe përkushtim. Sa u përket vrasjeve, ky fenomen është shumë i përhapur edhe në një vend të zhvilluar si Italia. Ndoshta burrat vrasës nuk e kanë kuptuar ende se gratë s’janë më pronë e tyre dhe mund të vendosin të lira nëse duhet të vazhdojnë jetën me ta apo jo. Por, gjithsesi, mendimi im është se burrat po çedojnë paksa, nuk ndihen më aq të sigurt si më parë (prandaj edhe vrasin), sepse gratë po çlirohen me ngadalë, por po çlirohen kudo në botë, duan apo nuk duan ata. E vini re se sa shumë po “zbukurohen” burrat (d.m.th. sa shumë po i kushtojnë kujdes zbukurimit të tyre), sa janë shtuar homoseksualët meshkuj?
Çfarë po shkruani tani?
Fillova diçka nga koha e Perandorisë Otomane, por e lashë përgjysmë se në mendjen time u krijua një skenar tjetër nga ditët tona. Por kam pak kohë për të shkruar, megjithëse kjo s’më justifikon. Përgjithësisht punët e mira i kam bërë nën trysni. Asnjëherë nuk kam qenë e qetë kur kam bërë diçka. Por siç duket unë kështu jam mësuar të punoj, nën trysni.
Pa dashur po shkruani sërish një autobiografi?
Markezi ka thënë që “unë s’mund të shkruaj asgjë që nuk kalon përmes eksperiencës sime personale” gjë që s’do të thotë aspak se do të shkruash autobiografi, do të thotë se shkruan për ngjarjet e përjetuara. Pastaj më pëlqen të shkruaj për gjërat që i njoh mirë. Nuk na e kanë lënë kot plot shkrimtarë këtë porosi. Tani po më kujtohen së paku Heminguej apo Amos Os. Te libri i dytë kam shkruar tregime për personazhe fare të panjohur si “Tapeti”, për një emigrant në Greqi, por ama atje flitet për fshatin që e njoh mirë.
Si e shihni letërsinë e femrave që shkruajnë në Shqipëri?
Mua më bëhet qejfi që këta zëra po shtohen, por megjithatë janë pak. Ajo që vërej me keqardhje është se burrat që janë patriarkë edhe në këtë fushë, nëse nuk dalin hapur me kritikë na dënojnë me heshtje… që vihet re edhe në ndarjet e çmimeve, në kritikat e pakta e sidomos heshtja është ndoshta më e keqja. Më bëri përshtypje Visar Zhiti në Panairin e Librit në Berlin, që në letërsinë për diktaturën përmendi plot burra dhe asnjë grua, megjithëse ne kemi dhënë goxha kontribut në këtë lloj letërsie.

Gazeta Shqip

Ndërrimi i motmoteve, ripërtëritje e dashurisë vëllazërore

                   Kërko brenda në imazh                 Nga :  FLORI BRUQI  Për të festuar Viti i Ri 2025 , ja disa urime që mund të ndani ...