2013-10-03

Gi Dë Mopasan, “Një fund i vështirë”

mopasan“Ka vetëm një gjë të mirë në jetë dhe ajo është dashuria”. Gi De Mopasan, shkrimtari i njohur francez, mjeshtri i tregimeve, shkruan kështu në një nga tregimet e tij. Burri që besoi vetëm tek e shkruara dhe i kushtoi jetën këtij pasioni që e zbuloi në adoleshencë, është sot padyshim një nga personazhet më të rëndësishme të letërsisë së shekullit të XX. Autor tregimesh, novelash dhe romanesh, stili i tij përfshihet në rrymat letrare të realizmit dhe natyralizmit. Shquhet edhe për  mënyrën se si ka ndërthurur në një dimension të jashtëzakonshëm shumë prej tregimeve të tij. Gi dë Mopasan, u lind më 5 gusht të vitit 1850, në Fekamp. Kalon një fëmijëri të lumtur në Etrëta, në bregdetin e Normandisë në Francë. Në këtë ambient rural, ai arsimohet nga një abat dhe nga e ëma e tij, një grua me kulturë letrare të gjerë. Fëmijëria e tij kalon në një vatër familjare të përçarë, me një nënë që vuante nga neuroza, por që e adhuronte dhe nga një baba i dobët të cilin e përbuz, aq sa dyshon edhe në atësinë e tij. Kohën tjetër e kalon herë në port, e herë në fshat, ku njihet me peshkatarë dhe fshatarët e zonave përreth nga ku më vonë gjen frymëzim për shumë nga personazhet e tij. Në moshën dymbëdhjetëvjeçare e dërgojnë në një institut fetar në Ivëto, që bëhet shkas i përbuzjes së tij ndaj fesë. Aty qëndron deri në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare. Mësuesit e tij e cilësonin si individ i cili nuk i duronte kufizimet e institutit ku ndodhej mes dishepujsh të prirur për t’u bërë vetëm priftërinj. Në këtë periudhë fillon edhe esetë poezike me frymëzim simbolist. Kalon një pjesë të mirë të kohës në bregdet në Etrëta, ku lexon dhe noton më nge. Për shkak të mungesave të bëra si pasojë e ‘sëmundjeve’ të kuruara në ajrin e qytetit Etrëta, largohet nga institucioni fetar dhe shkon në liceun Corneille në Ruen, që shënon një kthesë në jetën e tij. Përfundon liceun dhe regjistrohet në Fakultetin e Drejtësisë në Paris.
Mbas përfundimit të kolegjit, Mopasani mobilizohet në korrik të vitit 1870 në luftën kundër Prusisë. Një pjesë e mirë e tregimeve tij janë të lidhura drejtpërdrejt me këtë periudhë, ku shfaqet urrejtja për pushtuesin dhe heroizmi i njerëzve të përulur. Këtu mund të përmendim “Bufalaqja”, “Zonjusha Fifi”, “Nëna Sovazh”, ”Dy miqtë” etj. Çmobilizohet në nëntor të vitit 1872 dhe pastaj punon në Paris si funksionar në Ministrinë e Marinës për dhjetë vjet dhe më pas në Ministrinë e Arsimit Publik. Këto funksione nuk i ngjallin asnjëfarë interesi dhe në vitin 1880 i jep fund karrierës në administratë për t’iu përkushtuar tërësisht veprimtarisë letrare i nxitur edhe nga shkrimtari Gustav Flober. Në vitin 1875 boton disa tregime fantastike me pseudonimin Zhozef  Prynje, ndër të cilat Dora dhe Doktori Heraklius Glos. Funksionet në ministri krijojnë një tjetër mjedis që ai e shfrytëzon për të krijuar të tjera tregime si: “Të dielat e një borgjezi nga Parisi”, botuar në vitin 1880 dhe “Vrasësi” në vitin (1887).
Ndërkohë që vargjet e para i shkroi në seminar, në moshën trembëdhjetëvjeçare dhe në bankat e liceut në Ruen, dhuntinë e vërtetë letrare e zhvillon vetëm pas vitit 1880. Në këtë kohë,  Flober, një mik i vjetër i së ëmës e prezanton në rrethet letrare natyraliste dhe realiste. Në sallonet letrare njihet me shkrimtarët e njohur, Turgenjev, Zola dhe vëllezërit Gonkur. Ai pati vazhdimisht mbështetjen e autorit të librit “Zonja Bovari”, i cili e konsideronte si birin e tij shpirtëror. Fillimisht publikoi disa vargje, tregime dhe pjesë për teatër që nuk patën ndonjë sukses kush e di çfarë. Më pas kur publikon përmbledhjen me tregime nga lufta “Bufalaqja” në vitin 1880, arrin të fitojë vlerësimin e Floberit i cili vdes po atë vit dhe për novelën shprehet se është një ‘kryevepër që do të mbetet’.
Për shkak të shqetësimeve të shëndetit, të shikimit dhe një ndjeshmëri e lartë ndaj të ftohtit, kalon shumë kohë në Antibe, në Kanë, Etrëta etj.  Më në fund, në vitin 1880 Mopasani bëhet i famshëm. Publikimi i novelës “Bufalaqja” është aq i suksesshëm sa i hap dyert e profesionit të gazetarit. Fillon të shkruajë artikuj, tregime, fejtone dhe reportazhe të shumta në gazeta si Le Figaro, Gil Blas, Le Gaulois dhe Écho. Tregimet e tij i boton në përmbledhjet me titull: “Shtëpia Telje” (1881), “Tregime të ditës dhe të natës” (1885). Si reporter i madh i gazetave të përditshme Le Gaulois dhe më pas Gil Blas, nga 1883 deri më 1890 bën katër udhëtime në Afrikën e Veriut, gjatë së cilave mban shënime të shumta dhe ndërkohë boton tregime të shumta nëpër gazetat kryesore. Në vitin 1881 botohet “Shtëpia Telje”. Me rritjen e suksesit, shtohen edhe veprat. Ndërmjet viteve 1882 dhe 1884 boton pesëdhjetë tregime ndër të cilat disa shumë të ngjashme nga tema me librin “Kujtime të një Gjahtari” të Turgenjevit. Publikon edhe romane realiste, ndër të cilat përmendim “Një Jetë” (1883). Libri njeh një sukses të jashtëzakonshëm. Vazhdon të botojë më shumë romane si Bel Ami në vitin 1885, një vepër kyçe, që ngjason shumë me autorin e saj, një gazetar elegant, i shoqërueshëm, joshës dhe bukurosh, por i tmerruar nga ideja e vdekjes. Në vitin 1887, “Mont-Oriol”, një tjetër roman ku kundërvihen përmes personazhesh tipikë, kapitalizmi parisian me pronarët e vegjël të fshatit. Vazhdon me idetë mbi dualizmin, si te vepra “Horla” e vitit 1887. Rri për një kohë të gjatë në Etrëta dhe gjatë verës së vitit 1887, brenda tetë javëve shkruan Romanín “PCER dhe Zhan”, me temë tradhtinë bashkëshortore të një familjeje borgjeze, e cila del sheshit në sajë të një trashëgimtari të jashtëm të familjes. Në të autori shpreh konceptet e tij mbi romanin, vizionin vetjak mbi botën. Në dy romanet e tij të fundit, “I fortë si vdekja “(1888) dhe “Zemra jonë” (1890) pason një kthesë rrënjësore në stil, me personazh një punëtor dhe një muzikant. Romanet priten mirë nga kritika dhe publiku. Në sajë të suksesit, Mopasani bëhet i pasur. Blen një jaht në vitin 1885 dhe udhëton në Afrikën e Veriut, në Itali, në Angli, në Bretanjë, në jug të Francës dhe në Sicili. Frekuenton shpesh mbrëmjet pariziane, por e ka të vështirë të bëhet pjesë e gjallë e kësaj farse sociale. Për Mopasanin ato mishërojnë dukuritë që në romanet e tij ai i përshkruan me cinizëm: mizoria e qenies njerëzore e shprehur përmes veseve më të këqija: egoizmit, babëzisë, marrëzisë etj… Në vitet e fundit të jetës Mopasani ishte prekur nga shqetësime nervore për shkak të sifilizit. Urrejtja e tij për shoqërinë, që shtohet me rritjen e paranojës së tij, e detyrojnë të izolohet. Ndërkohë, sëmundja e sifilizit gati e paralizon të tërin dhe i dërrmuar edhe nga vdekja e vëllait të tij në nëntor të vitit 1889, në muajt në vijim gjendja e tij rëndohet dhe më 6 janar të vitit 1892, pas një tentative vetëvrasjeje, shtrohet në një klinikë. Aty kalon tetëmbëdhjetë muaj vuajtjeje, ku herë – herë binte në gjendje dalldie gjatë së cilave thoshte se komunikonte me botën e përtejme. Vdiq më 6 korrik të vitit 1893, duke lënë dy romane të papërfunduara: “Angelus” dhe “Shpirti i huaj”.

Myzafer Korkuti, kryetari i ri i Akademisë së Shkencave

Muzafer KorkutiMyzafer Korkuti është kryetari i ri i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Asambleja e Akademisë është mbledhur dje për të zgjedhur krerët e rinj të saj. Në një njoftim për shtyp, ky institucion njofton se “Asambleja e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë zgjodhi me votim të fshehtë dhe në përputhje me ligjin e Akademisë së Shkencave: Kryetar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademik Muzafer Korkuti, zëvendëskryetar të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Akademik Gudar Beqiraj, drejtues të Seksionit të Shkencave Shoqërore e Albanologjike. Akademik Ethem Likaj”. Prof. dr. Muzafer Korkuti, ka lindur në Fterrë të Kurveleshit. Ka kryer studimet e larta më 1962 në Universitetin e Tiranës.  Është specializuar si arkeolog në fushën e prehistorisë. Gjatë veprimtarisë së tij, 43-vjeçare ka drejtuar gërmime në mbi 15 qendra pre dhe protohistorike. Ai ka botuar mbi 79 artikuj shkencorë në revista shkencore brenda e jashtë vendit. Është bashkautor i teksteve universitare “Arkeologjia” 1972,  1985 dhe “Historia e Shqipërisë”, “Les Illyriens”, 1985 dhe “Historia e Popullit Shqiptar” 2003. Është autor i monografive:  ”Neolithichum und Chalkolithichum in Albanien”, 1985 (Gjermani) dhe “Parailirët,  ilirët,  arbrit” (Histori e shkurtër), 2003.  Është lektor i arkeologjisë, që nga 1968 në Universitetin e Tiranës dhe në vitet 1972-1975 në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu, ka dhënë leksione në Paris (Francë),  Heidelberg e Munster (Gjermani), Romë,  Pizë,  Bari e Bolonjë (Itali),  Sinsinati (SHBA) etj.  Ka marrë pjesë me kumtesa e referate shkencore në disa dhjetëra simpoziume e kongrese ndërkombëtare. Është drejtor i Institutit të Arkeologjisë që nga 1998, kryeredaktor i revistës “Iliria”, që nga viti 1971, dhe anëtar korrespondent i Institutit Arkeologjik Gjerman, që nga 1986. Para se të zgjidhej në këtë detyrë ai mbante postin e zëvendëskryetarit të  Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Vedat Kokona ja kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të punës rrezatimit të gjuhës frënge.

Nga Flori Bruqi

Vedat Kokona (8 gusht 1913 - 14 tetor 1998) ishte një shkrimtar, përkthyes dhe leksikolog shqiptar, i shekullit të 20-të, i njohur edhe për fjalorët e tij të dyfishtë anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip dhe për kontributin e tij në leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare .

Vedat Kokona lindi më 8 gusht 1913, në Izmir, të Turqisë, nga një familje intelektuale shqiptare. I ati, Elmazi, ishte avokat. Më 1920 kthehet në Tiranë, ku kreu shkollën fillore. Më 1935 përfundoi Liceun e Korçës, pastaj ndoqi studimet e larta në Paris, Francë për drejtësi. Që kur ishte nxënës, ra në sy prirja e tij për mësimin e gjuhëve të huaja. Gjuhën frënge e përvetësoi mjaft mirë. Pas përfundimit të shkollës, u emërua në gjykatën e Krujës, ku nuk shkoi të merrte detyrën. Më vonë, emërohet mësues i Gjuhës Shqipe në Liceun e Korçës. Aty, Kokona, u dallua si një mësues i zoti dhe intelektual neutral. Në fillim të viteve '40 e emëruan në gjimnazin e Tiranës. Me pushtimin fashist, kur Kokona punonte si mësues, do t´i kërkohej që të spiunonte nxënësit dhe të merrej me punë, që nuk mund t´i pranonte karakteri i tij. Kështu, kjo ishte dhe arsyeja që dha dorëheqjen nga profesioni i mësuesit. Pas luftës shërbeu si mësues në gjimnazin “Qemal Stafa”. Më 1949 emërohet redaktor dhe përkthyes në Shtëpinë Botuese “Naim Frasheri”. Për një kohë të gjatë punoi si pedagog në Universitetin e Tiranës. Ai shërbeu si mësimdhënës në katedrën e gjuhës frënge, gjersa doli në pension. Vedat Kokona mban tituj, urdhra dhe dekorata të shumta. Ai është doktor "Honoris Causa" i Universitetit të Tiranës, “Kalorës i Urdhrit të Arteve dhe të Letërsisë”, “Oficeri i Palmave Akademike Franceze”.

Vedat Kokona ja kushtoi pjesën më të madhe të jetës dhe të punës rrezatimit të gjuhës frënge. Ai ishte një nga leksikologët më të mirë të kësaj gjuhe. Nga mendja dhe dora e tij dolën mjaft fjalorë shqip-frëngjisht dhe anasjelltas. Fjalorin e parë e botoi në vitin 1932. Fjalori i fundit është me 40-mijë fjalë. Ai është autori më i rëndësishëm në fushën e leksikologjisë dhe leksikografisë. Kokona është një nga përkthyesit më të njohur të vendit tonë. Qysh në moshë të re dha kontribut të ndjeshëm në lëmin e përkthimeve në poezi dhe në prozë. Nga ai janë përkthyer në shqip vepra të tilla si “Ana Karenina” e Leon Tolstoit, “Fundërrinat” e Maksim Gorkit, “Saga e Forsajtëve” e Xhon Gollsuarthit, “David Koperfild” të Dikensit, “Udha e Volokolamskut” e Aleksandër Bekut, “Stuhi në Gang” e Rabindranat Tagores etj. Kokona ka sjellë në shqip rreth 15 mijë vargje nga poezia botërore. Ai ishte një nga përkthyesit kryesorë nga frëngjishtja, italishtja, anglishtja dhe rusishtja. Me urdhër të nomenklaturave partiake përktheu shumë raporte të kongreseve të partisë, rinisë, të Bashkimeve Profesionale e të gruas që nga Kongresi i Parë e deri tek i shtati. Gjithashtu, ka botuar 30-40 vëllime të përkthyera me urdhër nga lart, nga nomenklatura komuniste.






Në 100-vjetorin e Vedat Kokonës, Biblioteka Kombëtare nxjerr nga arkivat dorëshkrime dhe libra të hershëm të botuar prej tij… Një rrugëtim në jetën e njeriut që i dha jetë në shqip Gorkit, Pushkinit, Shekspirit, Bunn, Vinogradov, Dikensit, Heminguejit, Maria Pujmanovës, Gi De Mopasanit, Zvajgut, madje dhe poezive të Mao Ce Dunit më 1957-n

Vedat Kokona (3)
Në Tiranën e sapodalë nga lufta, disa djem të rinj të veshur me xhaketa elegante, flisnin në shëtitjet e pasdites për shkrimtarë e libra të njohur, që i kishin blerë në libraritë e Parisit, apo Romës ku kishin studiuar… Duhet të kthehesh në kohë gati 80 vjet më parë për të përfytyruar ndoshta zyrën e vogël të një reviste letrare që këta të rinj realizonin të udhëhequr thjesht nga pasioni.


 Në 100 vjetorin e njërit prej këtyre djemve të rinj, Vedat Kokonës, një personalitet në letrat dhe mendimin shqip, Bibloteka Kombëtare ka hapur një ekspozitë me dorëshkrime, librat e hershme të botuar prej tij, gazeta me shkrime të Kokonës që në fillesat e tij të hershme.




 Aty gjejmë dhe dorëshkrimin e zverdhur disi nga koha të “Revistës Letrare”, kopje e 15 shkurtit 1944, botuar nga “grupi themelonjës: Mitrush Kuteli, Vedat Kokona, Nexhat Hakiu, Sterjo Spase”. Eshtë interesante të shohësh përkushtimin e këtyre të rinjve ndaj letrave. Në editorialin me titull “Vija të vitit letrar 1943”, shkruhet se “Viti 1942 u mbyll me një zi të rëndë jo vetëm për botën e letrave por edhe për gjithë shqiptarët. Vdiq Faik Konica, babai I prozës dhe kritikës shqiptare”. Një mendim I thënë haptas për Konicën , për të cilin vite më vonë duhet të kishte kujdes kur shpreheshe. “Librashitasit u shtuan në Tiranë”, thuhet në një fjali të kësaj gazete, e cila duket se ka qënë një tribu për zhvillimet letrare të kohës. Bri dorëshkrimeve të gazetave të vjetra, qëndron dhe
Vedat Kokona (1)
makina e shkrimit ku Kokona e ri, e më pas në moshë kalonte orë të tëra për të sjellë në gjuhën shqipe kryevepra të letërsisë botërore. Shumë pranë makinës së shkrimit, ndodhen disa fletë të shkruara në frëngjisht me shënimet e autorit, të pazverdhura nga koha. Duket sikur gjithçka ka ngelur aty si vite më parë, dhe tastierën e makinës së shkrimit mjeshtri do ta prekë sërish me gishtat e tij… Kjo ekspozitë është një homazh për Kokonën, këtë mëndje të zgjuar të letrave shqipe, I cili e solli Europën dhe Perëndimin shumë lehtë në Shqipërinë komuniste me librat e tij….

Gorki, Pushkini, Shekspiri, Bunn, Vinogradov, Dikensi, Hemingëay, Maria Pujmanova, Gi De Mopasan, Zvajgu, madje dhe poezitë e Mao Ce Dunit më 1957-tën. Gjithë ketë jetë e liri që vjen prej këtyre botimeve që datojnë që në vitet 40-të, ia dedikojmë Kokonës, këtij burri që na shfaqet në foto I qetë, por mbarte brënda tij një dashuri të pafundme për dijen. Kjo ekspozitë është dhe një udhëtim në rrugën e tij drejt letrave…
Vedat Kokona (2)
Në gazetën “Demokratia “ më 21 tetor 1933, kur Kokona duhet të ketë qënë vetëm 20 vjeç, është botuar novela e tij “Lutja e fundit” e cila shoqërohet bashkë me një shënim të redaksisë :”Nga novelat e paraqitura në konkursin “Letrat të Valles së Shtypit”, çmimin e parë e fitoi novela “Lutja e fundit” e z. Vedat Kokona, student nga Gjirokastra, çmimin e dytë e fitoi novela “Kështu vdesin burrat” e Z. Mazreku, student nga Shkodra, çmimin e tretë novella “Ndër zana” e z. Asim Sokoli”.


Mendimi kritik I Kokonës shfaqet që në shkrimet e tij të hershmem, teksa shkruan për Naim Frashërin…Me librave të hershëm të tij, gjejmë dhe botimin e parë të “Nga Tirana në Stokholm” i shtypur nga shtypshkronja “Nikaj” më 1935-sën.


Një libër i dashur ky për Kokonën, ky i shkruar atëherë kur në vitet e hershme të rinisë, vetëm 22 vjeçar, student dhe plot ëndrra, i dashuruar me jetën, realizoi një nga dëshirat e tij më të zjarrta: një udhëtim në vendet skandinave. “Në zemrën time, një dëshirë vlonte: të dilja njëherë nga Shqipëria e të shikoja dhe unë botë me sy”, do shkruante Kokona.


 Ky libër është dhe një paralajmërim për ardhjen e një shkrimtari dhe intelektuali në botën letrare shqiptare. Në çdo vend që shikonte Kokona kërkonte ta krahasonte me mundësitë e Shqipërisë për të qënë i tillë.



“Shqipëria jonë është e bukur… mund të ndërtojmë godina ku do mblidhen nesër djemtë e katundeve e të qyteteve, që do përhapin dritën e qytetërimit. Natyra na ka dhënë më tepër nga ç’na duhet. Megjithatë kjo nuk është mjaftë. Duhet të punojmë më tepër. Vendi unë duhet të bëhet një vend ideal turizmi. Vendin tonë të huajt nuk e njohin fare si vend turizmi. Po ta njihnin jam i sigurt se do të vinin nga ana e anës për ta vizituar”, shkruan ai.
Vedat Kokona (4)
“Nga Tirana në Stokholm” nuk është vetëm një përshkrim i ndjerë e plot emocion,që na sjell peizazhe dhe histori vendesh mes këtyre dy stacioneve, por është edhe një dëshmi e stilit dhe talentit të Kokonës si shkrimtar i sukseshëm i viteve 30-40-të, i cili mund të kishte vazhduar të shkruante letërsi nëse Shqipëria e tij e dashur, nuk do të ndryshonte kahet politike pas luftës.


Kokona zgjodhi të fliste përmes shkrimtarëve që zgjidhte për të përkthyer, e që shpesh i imponoheshin, por pavarësisht kësaj ai nuk e tradhtoi asnjëherë gjuhën. Ai dinte të hynte thellë brenda një shkrimtari, pasi e ndjente shpejt gjuhën e tij… Bri dorëshkrimeve pafund dhe librave që janë në një farë mënyre dhe historia më e suksesshme e botimeve shqiptare në këto vite, qëndrojnë dhe fjalorët e tij, duke filluar nga i pari i botuar më 1932 dhe i fundit më vitin 1940-të. Ky 100 vjetor është dhe një ftesë për të zbuluar Kokonën, në gjithë dimensionin e tij, një pjesë e të cilit ka mbetur në arkivën e kohës…

Skenarët shqiptarë e serbë, vuajnë nga gjuha e urrejtjes

Çun Lajçi/ Aktori i njohur nga Kosova vjen në një rrëfim për teatrin e ish-Jugosllavisë… Biseda me Mihal Luarasin për komunizmin, shumë pranë vilës së Enverit dhe si e kujton takimin me Sandër Prosin dhe Naim Frashërin në Prishtinën e pas viteve ‘70
cun lajciÇun Lajçi mund të flasë gjatë për filmin ballkanik. Me një karrierë të nisur në Teatrin Krahinor të Prishtinës, një nga teatrot më të mirë të ish-Jugosllavisë, Lajçi do të largohej nga teatri për t’iu përkushtuar kinematografisë, pikërisht nga një rol në filmin e Peter Brook. Karakteret e interpretuara janë në thelb historia e Kosovës apo Shqipërisë. Portreti i tij, të cilin Sandër Prosi dikur në kafenenë e Teatrit të Prishtinës e krahasonte me Aleksandër Moisiun, e ka bërë Lajçin të jetë i preferuari i regjisorëve sa herë duhet një karakter i vërtetë shqiptar. Në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë që po mbahet në qytetin e Pogradecit, ai ka ardhur bashkë me të shoqen, aktoren Fatime Sefaj. Historia e dashurisë së tyre, që prej vitit 1972 kur janë takuar për herë të parë, është në njëfarë mënyre dhe historia e teatrit dhe filmit në Kosovë. Bashkë kanë kaluar jo vetëm sfidat familjare, por sfidat e një teatri para dhe pas luftës… Më poshtë, Lajçi vjen në një rrëfim për karrierën e tij, por dhe për kinematografinë që bëhet sot në Ballkan…

Vitet ‘70 kanë qenë kohë të arta për teatrin e ish-Jugosllavisë, të cilat përkojnë dhe me fillesat tuaja në teatër. E kujtoni atë kohë?
Fillesat e mia në teatër janë në vitin 1968, kohë kur isha nxënës në Normalen e Prizrenit. Festohej një përvjetor i Skënderbeut dhe studentët e Shkollës së Lartë Pedagogjike po përgatisnin shfaqjen “Trimi i mirë me shokë shumë”, ndërsa ne të Normales po përgatisnim shfaqjen “Plaku i maleve”. Në atë kohë, UDB-ja bëri një fushatë arrestimesh, duke arrestuar të gjithë grupin e aktorëve amatorë. Më pas, unë u ftova të merrja pjesë në këto aktivitete, duke interpretuar rolin e Bajram Currit. Shfaqja u prit mirë në Prizren dhe u ftuam të merrnim pjesë në Teatrin Krahinor të Prishtinës. Drejtor i teatrit në atë periudhë ishte Azem Shkreli, me të cilin kam edhe lidhje farefisnore.



Ai më sheh teksa interpretoja atë rol dhe në mbrëmje, pas shfaqjes, më thotë se duhet të vija në Prishtinë për të studiuar për aktrim, pasi kisha të dhëna. Në atë vit, Shkolla e Lartë e Aktrimit në Prishtinë ishte në vitin e dytë të krijimit. Unë i përkas gjeneratës së dytë të kësaj shkolle, në gjeneratën e parë janë emra si Isa Qosja. Kështu fus dokumentet dhe pranohem në Shkollën e Lartë të Aktrimit dhe bëj hapin e parë drejt teatrit ku kam qëndruar deri në vitin 1998, atëherë kur masat e dhunshme serbe dhe vala e përndjekjeve të kohës së Millosheviçit vuri në çdo institucion drejtues serbë. Kështu, unë dhe gruaja ime aktore, dhe një sërë artistësh të tjerë të njohur shqiptarë u larguan nga teatri deri në vitet 2000, pas përfundimit të luftës, ku u ktheva sërish. Por Teatri Krahinor i Prishtinës ka qenë ndoshta një nga teatrot më të mirë të ish-Jugosllavinë. Ky ka qenë një fakt, pasi të gjithë jugosllavët, kudo që shkonin nëpër festivale, e lavdëronin. Aq e artë ka qenë ajo kohë e viteve ‘70-‘98, që edhe pse pjesa më e madhe e aktorëve ishin pa shkollë dhe me kurse, arrinin të impresiononin publikun me lojën e tyre.

Një impresionim të tillë, ky teatër ka lënë dhe në Shqipërinë komuniste, kur pas viteve ‘70, ngjitet në skenën e Teatrit Kombëtar të Tiranës shfaqja “Erveheja”. Si ishte Tirana e atyre viteve?
Për herë të parë, “Erveheja” është shfaqur në Teatrin Krahinor më 1967 nën regjinë e Muharrem Qenës, më pas u rivu në skenë, mes të cilave është dhe ajo në Teatrin e Tiranës. Ka qenë një emocion i dyfishtë ardhja në Shqipëri. Publiku u emocionua me shfaqjen tonë, ndërsa ne u tmerruam me ato çfarë pamë në Tiranë. Për herë të parë ne u ballafaquam me ëndrrat tona, për Shqipërinë, që e dinim të lulëzuar. Të gjitha ëndrrat që kishim pasur deri në ato momente për Shqipërinë na u fundosën kur pamë që këtu ishte një mjerim i jashtëzakonshëm e askush nuk guxonte të na e thoshte, përveç një Mihal Luarasit. Më kujtohet si sot takimi me këtë artist të ri atëherë, i cili m’u duk rebel, që një natë më rrëfeu gjithçka. Ndodheshim në zonën e Bllokut, shumë pranë shtëpisë së ish-diktatorit Enver Hoxha kur ai më tregoi të gjitha të zezat e socializmit në Shqipëri. Unë i thosha vetes se si është e mundur që ky njeri jeton këtu në këtë sistem dhe arrin të më rrëfehet mua që isha një aktor i ri. Më vonë mora vesh që ai njeri nuk e ka dashur asnjëherë komunizmin, pastaj ishte arrestuar e kishte vuajtur dënimin në burg. Ardhja në Shqipëri ishte një ballafaqim me ëndrrat, për ne shqiptarët nga Kosova që e kishim ëndërruar atë si Amerikën. Ne u ballafaquam me tmerrin që jetohej në Shqipëri, ndërsa publiku dhe artistët shqiptarë me një teatër avangardë që bëhej në Kosovë.


Si e kujtoni vizitën e Teatrit Popullor të Tiranës në Teatrin Krahinor të Prishtinës…
Ishte viti 1972. Unë po luaja në shfaqjen “Hamleti”, të cilën, delegacioni shqiptar, i përbërë nga Naim Frashëri, Mario Ashiku, Sandër Prosi e ndoqën si spektatorë gjatë vizitës që po bënin në Teatrin Krahinor të Prishtinës. E ruaj edhe sot një letër nga Naim Frashëri, ku më shkruan “mendimin tim për shfaqjen nuk e ndryshoj. Ishe një Hamlet dekadent”. Të mësuar me teatrin socialist, ata nuk mund të pranonin një teatër ndryshe ku aktorët shfaqeshin gjysmë lakuriq dhe Ofelia ashtu, kishte puthje, ledhatime, gjë që nuk mund të mendohej në Teatrin e Tiranës. Të vetmen fjalë që thoshin ishte “dekadent”. Ky ishte roli im i katërt në atë kohë në teatër. Vizita e delegacionit shqiptar ishte në kuadër të bashkëpunimeve kulturore mes Tiranës zyrtare dhe ish-Jugosllavisë. Aktorët e Tiranës m’u dukën kolosë dhe kolosë ishin. Ne nuk kishim parë asgjë nga filmi e teatri shqiptar në atë periudhë. I kemi pritur në mënyrën më të mirë që ekzistonte, pasi dashuria ishte e jashtëzakonshme për çdo gjë shqiptare. Më kujtohet kur, pas shfaqjes, zbritëm në kafenë e teatrit, dhe teksa po pinim një gotë, më thotë Sandër Prosi: “Portret të jashtëzakonshëm paske. Sytë i paske larg njëri-tjetrit. Kështu i ka pasur dhe Aleksandër Moisiu”. Po për shfaqjen nuk më fliste. Asnjë prej tyre nuk guxonte të thoshte se shfaqja ishte e mirë, pasi nuk e pëlqenin teatrin modern. Në atë kohë, ne kishim ecur drejt avangardës, ndërsa ata ishin korrektë me teatrin e soc-realizmit. Dhe shkrimtari i madh Ismail Kadare, kur ka parë veprën e tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në teatrin tonë ka mbetur i befasuar, edhe pse regjisori Pirro Mani e kishte vënë më parë në Teatrin e Tiranës. Në Prishtinë regjia ishte më e lirë….


Çfarë e bënte avangardë këtë teatër?
Teatri Krahinor frekuentohej nga regjisorët më të mëdhenj të ish-Jugosllavisë. Nga Lubjana e deri në Shkup vinin për të dhënë shfaqje në këtë teatër. Ardhja e shkollave të ndryshme i rriti aktorët dhe i bëri ata të sigurt për skenën dhe tepër të përkushtuar…
Pavarësisht dashurisë së madhe për teatrin, keni kohë që jeni larguar prej tij. Si ndodhi ky kalim në kinema?
Dashurinë për filmin ma dha Peter Brook. Në Prishtinë po xhirohej filmi “Si të vdiset”, nën regjinë e Miki Stamentoviq, ku unë interpretova një episod të vogël. Brook, në atë kohë, po bënte një përzgjedhje aktorësh në Europën Juglindore. Unë dërgova një foto, hyra disa herë në kast dhe në fund pata fatin të përzgjidhesha mes aktorëve që kishin konkurruar në ish-Jugosllavi. Kështu shkova në Paris më 1976-n dhe nga ai, edhe pse mbahet si babai i teatrit, nisa të mendoj se bota e filmit qenka më e rëndësishme, paska më shumë bujë e sukses se teatri. Kështu rol pas roli, ika nga teatri duke u përqendruar te kinematografia… Filmi të mban më gjatë në kujtesën e publikut dhe kjo është ajo çfarë aktori dëshiron të jetë, sa më shumë prezent te publiku…

Çfarë ndryshoi lufta te Çun Lajçi?
Lufta ishte një ndryshim i madh jo vetëm për mua, por për gjithë Kosovën. Unë nuk qëndrova indiferent, por u angazhova të isha prezent me punën time, për të ndihmuar Kosovën. Pas masakrimit të familjes Jashari, shkrova një monolog, dhe me një trup të vogël aktorësh udhëtoja në vende të ndryshme të Europës, ku jepja shfaqje dhe paratë ia çoja ushtarëve të UÇK-së. Fëmijët dhe gruan i strehova në Tiranë. Më kujtohet një takim i një pasditeje vonë në Tiranë me Kujtim Çashkun, i cili më thotë se “ishalla e fiton Kosova luftën, pasi kanë për të mallkuar nënat kosovare, me monologun që ke bërë”. Kjo, pasi në këtë monolog u bëhej thirrje djemve të luftonin për të mbrojtur dheun e tyre. “Ky dhe as nuk shitet, as nuk falet, vetëm bekohet”, thuhej në një fjali të monologut.
Kanë kaluar vite që atëherë, sot ju luani në filma serbë… ka përpjekje këto vite pas luftës për të bashkëpunuar mes kinemasë në Kosovë dhe Serbi… A ka mundur kinemaja të harrojë të shkuarën?
Për fat të keq, jo. Unë sapo kam përfunduar xhirimet në një prodhim serb dhe e ndiej që prania ime si shqiptar nuk është pritur mirë nga ekipi serb. Skenarët e tyre, ashtu si dhe skenarët tanë në filma vazhdojnë të kenë probleme me gjuhën e urrejtjes, pavarësisht përpjekjeve për ta shuar këtë gjuhë. Inatet e vjetra ballkanike zgjohen në filmat e regjisorëve serbë dhe shqiptarë. Ndoshta do të duhet kohë për të kaluar këtë gjendje.

A ka përparuar kinemaja shqiptare këto vite?
Si aktor, unë ndihem mirë që një pjesë të madhe të roleve i kam realizuar me aktorë të huaj. Nuk besoj se ne s’kemi regjisorë të mirë, por puna me regjisorët e huaj është më frytdhënëse. Ata më kanë orientuar më mirë se regjisorët shqiptarë. Ne ende vuajmë nga teatralizma në filmat tanë. Ne ende nuk e kemi ndarë lojën e teatrit nga ajo e kinematografisë. Edhe tashmë kur shoh filma në këtë festival, shoh që aktorë që ne i mbajmë për të suksesshëm nuk durohen në filma, pasi e bëjnë lojën aktoriale më të theksuar se sa duhet.

Pak më lart folët për lidhje farefisnore me Azem Shkrelin. Si do ta kujtoni kaq vite më pas lidhjen me të?

Ne kemi lidhje farefisnore me Azemin. Fshatrat tanë kanë qenë afër me njëri-tjetrin, dhe Azemin e njoh që në botimin e librit të tij të parë poetik, “Bulëzat”. I lidhur shumë me truallin e tij dhe babain, Azemi ishte i dashuruar përjetësisht me Rugovën. Ai do të mbetet një nga intelektualët më të guximshëm të kohës së vetë. Aq sa e ka dashur Tirana zyrtare, aq e ka çmuar dhe ish-Jugosllavia. Dhjetë vitet kur ai ka qenë drejtor i Teatrit Krahinor, kujtohen ende në qarqet teatrore sot. Sot e kësaj dite shihen ende filmat e prodhuar gjatë kohës së tij. Teatri që ai krijoi ishte një “tërmet” i vogël që lëvizte të gjitha trupat e tjera të ish-Jugosllavisë, kudo ku shkonte. Por Azemi ka qenë dhe një poet lirik i jashtëzakonshëm, një njeri që të jepte besim teksa bisedoje me të.
a.b


Kohët me Bekim Fehmiun në Beograd 

“Femrat në Beograd çmendeshin pas tij”

Kur ishte student në Shkollën e Aktrimit në Prishtinë, Çun Lajçi ëndërronte të takonte qoftë edhe një herë Bekim Fehmiun. “Kontakti im i parë me Bekimin ka qenë nëna e tij. Ajo jetonte në një banesë të vogël përballë teatrit. Isha djalë i ri dhe e kisha parë Bekimin në rolin e ‘Uliksit’. Të takoja nënën e tij ishte si të takoja madhështinë e tij. Unë e kisha idhull Bekim Fehmiun. Takimi me të ka qenë një ngjarje e lumtur e papritur për mua.

 Ndodhesha për vizitë te nëna e tij e sëmurë. Bekimi ndodhej me xhirimet e filmit ‘Black sundy’, dhe kishte mësuar se nëna ishte sëmurë dhe niset me avion drejt Prishtinës. Isha në banesë kur hapet dera e hyn ai. Ky moment ishte shumë domethënës për miqësinë tonë të mëvonshme. Bekimi nuk e harroi asnjëherë kujdesin që tregova ndaj nënës së tij, pasi ishte shumë i lidhur me nënën”, tregon Lajçi. Ky do të ishte takimi i parë me idhullin e tij, i cili do të shënonte dhe fillimin e një miqësie të gjatë. I pasionuar pas teatrit, Lajçi do të gjente çdo mundësi për të parë një interpretim të Bekimit në teatër. I kujtohet se një herë, mori trenin e natës në Prishtinë për të udhëtuar drejt Beogradit, pasi të nesërmen do të jepeshin provat gjenerale të shfaqjes “Edipi mbret”, ku Fehmiu luante rolin e Edipit.

 “U futa në kafenenë e Teatrit dhe takova Brankën, të shoqen. Kur vjen Bekimi, i veshur me rrobat e Edipit, duke bërtitur ‘nuk ka premierë. E ndaluan shfaqjen. E hoqën fare prej kalendarit. Ata nuk më duan Branka’”. Branka i kthehet dhe i thotë se ‘e rëndësishme është që ti u tregove se kush je’. Në atë kohë në vendet komuniste, para se shfaqja të jepej premierë për publikun, dilte para një komisioni i cili vendoste në duhet të jepej apo jo. 

Dhe ajo shfaqje nuk u dha. “Bekimi kishte një veturë të mirë për kohën. E më kujtohet që hipa në të duke bërë një xhiro rrugëve të Beogradit. Nuk kam për ta harruar sesi femrat serbe hapnin dritaret e veturave dhe i thërrisnin Bekim, Bekim… Por ai nuk i shihte. Ai donte të shkonte te Branka e cila kishte shkuar të bënte pedikyr… kam shumë kujtime nga takimet me të në Beograd. Një prej të cilëve është dhe ai i vitit 1993, kur shkova për të marrë vizën për në Australi. Kaloj nga teatri jugosllav dhe ulem në një stol. Kur kalon Bekimi dhe më sheh. Shkojmë e ulemi në kafenë e teatrit, pasi ai priste Brankën, e cila ishte e angazhuar në një rol, pasi ai kishte dalë në pension. Aty kam parë nga afër atdhetarizmin e Bekimit, i cili diskutoi me një aktor serb, i njohur si mbështetës i madh i Millosheviçit, Aleksandër Berçek, duke mbrojtur serbët. Bekim Fehmiu ka qenë më patriot se politikanët shqiptarë dhe më vjen keq që në vdekjen e tij, Parlamenti i Kosovës nuk mbajti as një minutë heshtje…

Administrata e Trump-it ofroi një mundësi, por jo një zgjidhje për problemet që ekzistojnë mes Kosovës dhe Serbisë

  Search inside image Akademik  Mehdi Hyseni,PHD Profesor Dr. Mehdi Hyseni  , është Doktor i Marrëdhënieve Politike Ndërkombëtare dhe Bashkë...