2013-10-03

SHKENCËTARI I VËRTETË NUK I MOHON VLERAT E KOLEGËVE

Në gazetën “Shqip”, të 13 gushtit 2013, rubrika Kultura, prof. Bahri Beci botoi disa fragmente nga vepra e tij me kujtime Një libër që nuk do të doja ta shkruaja.
Na bënë përshtypje në këto fragmente nënvlerësimet e hapura, për të mos thënë hedhje balte, mbi dy personalitete shkencore të Institutit të Gjuhësisë dhe të Historisë (mbas vitit 1972 u quajt Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë). E kemi fjalën për prof. Androkli Kostallarin, ish-drejtorin e këtij instituti, një nga albanologët më të vlerësuar si brenda dhe jashtë shtetit dhe për prof. Jorgo Bulon, ish-shefin e njërit nga dy sektorët e Letërsisë Shqiptare, që më vonë u zgjodh drejtor i atij instituti.
Për nënvlerësimin e prof. Kostallarit nuk na përket ne të reagojmë. Nxënësit e tij janë më të shumtë se ne, nxënësit e prof. Bulos, prandaj, besojmë se, pavarësisht nga disa dobësi të karakterit të prof. Kostallarit, nxënësit e tij do të dinë t’i mbrojnë vlerat shkencore të këtij studiuesi dhe drejtuesi të Institutit. Prof. Kostallari e drejtoi punën shkencore me shumë aftësi, e përkrahu vijimisht kuadrin e aftë shkencor, madje zotin Beci e ndihmoi të shkonte dy vjet në Francë për kualifikim pasuniversitar etj.; kurse ky e quan me shpërfillje “profesori ynë i historisë së gjuhësisë”, pa i përmendur asnjë nga vlerat e tij shkencore dhe organizative.
Prof. Jorgo Bulo, ish-shefi i sektorit ku punonim ne, është personi që ka ndikuar drejtpërdrejt në udhëheqjen dhe në formimin tonë shkencor përmes seminareve teorike, korrigjimeve të artikujve dhe të veprave tona, prandaj nuk mund të lejojmë që të karakterizohet me fjalët nënvlerësuese të z. Beci:
“Gjithçka është enigmatike për këtë njeri. Si erdhi, pse erdhi, kush e pruri në Institut, vërtet profesori ynë i historisë së gjuhësisë, apo dikush tjetër, është një enigmë. Kur kam qenë në shtëpinë e tij, vetëm studion e kishte sa shtëpia ime. Pra si e mori atë shtëpi aq të madhe, në atë vend, në atë kohë të vështirë për strehim, është prapë një enigmë.
Është ndoshta i vetmi njeri që me një punim kushtuar një vepre të realizmit socialist, të pavlerë, mori menjëherë dy grada shkencore. Kam marrë pjesë në atë mbledhje, me cilësinë e anëtarit të Këshillit Shkencor të Institutit, jam pra, dëshmitar i gjallë i një vendimi sa të papritur, aq edhe të çuditshëm, plotësisht të pambështetur.
Është pra, edhe kjo një enigmë.
Çudia tjetër, si u bë drejtor aq shpejt, kur në atë kohë Instituti kishte plot të tjerë që e meritonin atë vend, përse kishte mbështetjen e përhershme dhe pa kushte të numrit një të Akademisë, prof. Luan Omarit, në të gjitha momentet dhe për çdo gjë, si u ribë drejtor i Institutit pas ngjarjeve të dhunshme të vitit 1997, kur nuk e kishte titullin profesor… E vërteta është se Jorgoja ishte një njeri enigmatik, me një vlerësim e me një mbështetje të vazhdueshme, pra gjithmonë i mbrojtur nga dikush, nga një si hije e padukshme, por që merrte formën e Androklirëve, Koçove, Jorgjërve, Janërve, Luanërave, Yllërave etj.”
Ky fragment dëshmon për zilinë e z. Beci ndaj arritjeve të z. Bulo dhe jo për ekzistencën e ndonjë enigme ose çudie lidhur me ardhjen e z. Bulo në Institut, strehimin e tij, marrjen e gradës Doktor i Shkencave, zgjedhjen e tij drejtor të Institutit më 1989 etj.
Po i sqarojmë me radhë hapat e z. Bulo:
Në vitin 1965, z. Bulo, ish-mësues në Gjirokastër, shkroi e botoi artikullin shkencor Ndikimi i krijimtarisë popullore në veprën e A. Z. Çajupit. Ky artikull e disa të tjerë që e ndoqën bënë bujë për nivelin shkencor. Në vitin 1966, kur Instituti kërkoi të zgjeronte numrin e punonjësve shkencorë me kuadro të reja, ky artikull u paraqit si argument bindës për ta sjellë Jorgo Bulon në Institut si punonjës të ri tekniko shkencor.
Si i riardhur në Tiranë, ai bëri kërkesë për strehimin e familjes së tij në një lagje të Tiranës, ku mbas dy vjetësh iu dha një apartament në një pallat që u ndërtua mbi themele të mbetura që nga koha e pushtimit italian me një projekt të vjetër. Apartamenti në fjalë kishte një dhomë normale dhe një dhomë më të madhe, e cila në fakt ishte më e vogël se kuzhina me aneks dhe ballkon të madh e apartamentit të z. Beci. Pra apartamentet e tyre me dy dhoma e një kuzhinë ishin gati të barabarta nga sipërfaqja e përgjithshme…
Me punën e tij këmbëngulëse Jorgo Bulo vijoi formimin e tij shkencor, i ngjiti shkallët e titujve shkencorë një nga një me maturi, derisa arriti në vitin 1972 të emërohej shef i sektorit të Letërsisë Shqiptare të Paraçlirimit. Këtë detyrë ai e kreu me shumë përkushtim dhe profesionalizëm, natyrisht duke humbur kohë dhe energji për rritjen shkencore të punonjësve të sektorit të tij. Kështu, ish-punonjësit e atij sektori arritën të hartonin e botonin përveç artikujve edhe vepra të veçanta shkencore.
Klara Kodra në vitin 1978 përfundoi dhe botoi veprën Zef Serembe jeta dhe vepra, kurse Floresha Dado (Haxhiraj) dhe Thanas Gjika në vitin 1979 paraqitën në Këshillin Shkencor të Institutit, në një kohë me shefin e sektorit, disertacionet e tyre për mbrojtjen e gradës Kandidat i Shkencave, gradë të cilën Këshilli Shkencor i Institutit, ku bënit pjesë dhe ju, ua miratoi këtyre punonjësve.
Disertacioni i z. Jorgo Bulo Romani shqiptar me temë nga Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, analizonte me nivel të lartë shkencor jo një vepër të pavlerë, si shkruani ju, por të gjithë romanët me subjekt nga Lufta Antifashiste, ku përfshiheshin dhe vepra shumë të realizuara si Gjenerali i Ushtrisë së VdekurKronikë në gur, të I. Kadaresë dhe Komisari Memo e Njeriu me top të D. Agollit etj. Ky disertacion u vlerësua prej recensentëve prof. Mahir Domi e doc. Dalan Shapllo si i vlefshëm për të mbrojtur dy grada njëherësh, Kandidat i Shkencave dhe Doktor i Shkencave, sipas rregullores së atestimit, që e lejonte këtë kapërcim.
Këshilli Shkencor, ku bënit pjesë edhe ju, e votoi pa asnjë votë kundër këtë disertacion, pa formuluar asnjë vërejtje dhe as ndonjë çudi, si po shprehni ju sot. Në rast se ju do të kishit votuar kundër atëherë mund të deklaroheshit sot me mospërfillje edhe pse disertacioni i z. Bulo në fakt i kapërcente vlerat e një disertacioni për gradën Kandidat i Shkencave.
Lidhur me emërimin e z. Jorgo Bulo drejtor i Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë në vitin 1989, shpjegimi është i thjeshtë: PPSH-ja në atë kohë synonte të paraqiste se po demokratizohej jeta në vend e se drejtohej jo vetëm me komunistë, por dhe me njerëz të aftë që nuk ishin anëtarë partie. Doktor Jorgo Bulo i plotësonte kërkesat e asaj kohe, kështu që pikërisht se ishte më i afti midis punonjësve shkencorë jokomunistë, u përzgjodh, por nuk u emërua. Ai u zgjodh përmes një procesi votimi, duke kandiduar krahas një gjuhëtari po ashtu të njohur, i cili madje atë kohë ishte dhe kandidat i KQ të PPSH. Z. Bulo mori një mbështetje të fortë nga kolektivi shkencor, duke u votuar masivisht. Po të ishte për mbështetje politike atë duhet ta kishte kandidati tjetër. Edhe pas vitit 1997, z. Bulo asnjëherë nuk është emëruar, por zgjedhur me votim demokratik drejtor i Institutit. Kurse ju z. Beci në vitin 1993 u emëruat drejtor dhe nuk konkurruat asnjëherë në një proces zgjedhjeje. Edhe një herë që konkurruat më 2011 për t’u pranuar Anëtar i përkohshëm i Akademisë së Shkencave morët zero vota. Për këtë besojmë se nuk jua ka fajin “enigmatiku”.
Më 1993, doktor Jorgo Bulo u propozua dhe u votua në sektorin tonë për të marrë titullin shkencor Profesor, por Këshilli Shkencor që drejtohej në atë kohë prej jush, që ishit i plotfuqishëm si drejtor, shef sektori dhe kryetar i Partisë Demokratike, e rrëzoi propozimin e sektorit.
Më 1997, z. Bulo u zgjodh drejtor dhe iu dha titulli i mohuar Profesor.
Këto janë të vërtetat e “enigmave” që sajoni ju z. Beci.
Prof.asoc. dr. Thanas L. GJIKA

KUSH ESHTE GAZETARI?

ETYDE SHQIPTARENga KOLEC TRABOINI

Po shihet një tendencë e frikshme për të manipuluar median e futjen e saj nën kupola partish, duke i mikluar gazetarët e lirë e të pavarur edhe me mandatin e deputetit në parlament. Nuk është se shohim ndonjë gjë të keqe në ardhjen e mendimit të lirë të shtypit edhe në organin ligjvënës, por diç tjetër përbën shqetësimin tonë profesional si gazetarë të pavarur. Dihet që tendenca e çdo ekzekutivi (të paktën tek ne kjo bëhet e hapur kjo) është pra futja në dorë e atyre pushteteve që konsiderohen të tretë dhe të katërt, rrjedhimisht të drejtësisë dhe atë të medias dhe këto bëhen për të siguruar një dorë të fortë në qeverisje, për të mos pas kundërshtim çfarë në të vërtetë përbën rrezik për lirinë e fjalës e të mendimit dhe mundësi reale për keqpërdorim të pushtetit.
Nga ana tjetër nëse do ta konsiderojmë të pranueshëm kthimin e parlamentit krejt ngjashëm me një panel bisedash televizive me ato çka shohim përnatë plot mediokritete, që nuk kanë të bëjnë në asgjë me gazetarinë profesionale, atëherë do të thosha mjerë ne se nuk na ka mbetur asnjë shpresë.
Kam qënë e mbetem kundër mercenarëve partiakë të pashkolluar në parlament (ku duhet të shkonte mendja e kombit), por dhe gazetarët militantë (shumica të ngjajnë si kapterra ushtrie) që i lëpijnë këpucën shefit të madh të partisë, nuk mund të konceptohen kurrqysh si parlamentar.
Gazetari do të thotë dinjitet, personalitet, integritet, të jesh vetvetja edhe kur je pro apo edhe kur je kundër në një çeshtje, të dish të bësh opozitë ndaj kundërshtarëve por edhe ndaj të tuve. Ky është gazetari. Të kesh kurajo pra edhe kur e di se do të luftojnë e mund të mbetësh i vetëm. Gazetar do të thotë të mos kesh frikë. Ata llapgjatët e partive nuk janë kësisoj gazetarë. Gazetar është ai që mbron një çështje kombëtare apo sociale në publik dhe më tej gazetari është siç e vlerësonte në kohën e tij shkrimtari i madh francez Emil Zolai, si kamina që djeg dru përditë, pra në ideal të mendimit të lirë e për të vërtetën djeg shpirtin e vet.
Tani më thoni a janë kështu llapgjatët e televizioneve që mbllaçisin steriotipe paneleve groteske, o për llogari të njërës ose tjetrës parti, e nuk e çajnë me nderën për popullin e kombin e vet.
Jo për atë Zot nuk mund të jenë gazetarët kështu. Janë thjesht papagaj mercenarë të demagogjisë, të sofizmit, të interesit, të mashtrimit e pse jo dhe të hajdutërisë politike.
I madhi Thomas Jefferson thoshte: “Po të më lihej mua të vendos nëse ne duhet të kemi një qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, unë nuk do të hezitoja për asnjë çast për të zgjedhur këtë të fun¬dit.”.
Në fund të fjalës gazetaria nuk mund të jetë shërbestare servile e politikës, por udhërrefyese e saj, ndaj nuk duhet ta nëpërkëmbë këtë mision që i ka ngarkuar historia. Deri në këtë dinjitet duhet të ndjehet gazetari.

Një shekull më parë, një lagje e Vjenës ishte vendbanimi i Adolf Hitlerit, Leon Trockit, Jozef Titos, Sigmund Frojdit dhe Jozef Stalinit


stalini-tito

Vjena, një vit para shpërthimit të Luftës së Madhe, ishte një metropol i zhvilluar, ku përplaseshin të gjitha llojet e personazheve. Dhe në një periudhë të shkurtër, në të njëjtin vend qëndruan ata që u bënë armiqtë e betuar të njëri-tjetrit.

Vjenë, 1913

Andy Walker, BBC

Një shekull më parë, një lagje e Vjenës ishte vendbanimi i Adolf Hitlerit, Leon Trockit, Jozef Titos, Sigmund Frojdit dhe Jozef Stalinit. Në janar 1913, një njeri që në pasaportë kishte emrin Stavros Papadopoulos zbriti nga treni i Krakovit në stacionin verior të Vjenës. Me pamje të errët, ai mbante mustaqe fshatari dhe kishte me vete një valixhe të vogël druri.

“Unë isha ulur në tavolinë, – shkroi burri që u takua me të, shumë vite më vonë, – kur dera u hap me një krikëllimë dhe një njeri i panjohur hyri brenda. Ai ishte i shkurtër, i dobët, me lëkurë zeshkane. Nuk pashë asgjë në sytë e tij që të interpretohej si miqësore”.

Ai që shkroi këto rreshta ishte një intelektual disident rus, redaktori i gazetës radikale “Pravda” (E vërteta). Emri i tij qe Leon Trocki.

Njeriu për të cilin ai shkroi në fakt nuk ishte Papadopoulos. Ai pati lindur si Josif Visarionoviç Dzhugashvili dhe njihej nga shokët e tij si Koba ndërsa mbahet mend nga bota si Jozef Stalin.

Trocki dhe Stalini qenë vetëm dy nga një numër i madh njerëzish që jetonin në qendër të Vjenës më 1913, jetët e të cilëve do të bëheshin më pas përcaktuese dhe tronditëse për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë.

Ishte një grup i përbërë nga njerëz shumë të ndryshëm. Dy revolucionarët, Stalini dhe Trocki, qenë në arrati. Sigmund Frojd ishte sakaq i mirënjohur. Psikanalisti kishte ndjekës të shumtë si një njeri që hapi sekretet e mendjes. Ai jetonte dhe punonte në Bergase.

I riu Jozef Broz, më vonë gjeti famë si udhëheqësi i Jugosllavisë. Ai punonte në fabrikën e makinave “Daimler”, në Viener Neustadt, një qytezë në jug të Vjenës, dhe ëndërronte punësim. para dhe kohë të mira.

Pastaj qe 24-vjeçari nga Austria Veriperëndimore, ëndrrat e të cilit për të studiuar pikturë në Akademinë e Arteve të Bukura të Vjenës ishin rrëzuar dy herë dhe që tashmë banonte në një shtëpi të varfër pranë Meldermanstrase, krahas Danubit. Qe Adolf Hitleri.

Në përshkrimin madhështor të qytetit në këtë kohë, shkrimtari Frederic Morton imagjinon se si Hitleri mund të ketë debatuar me banorët e tjerë të shtëpisë së tij mbi “moralitetin, pastërtinë e racës, misionin gjerman, tradhtinë sllave, hebrenjtë, jezuitët dhe masonët e lirë”.

Këta personazhe duhet të kenë kaluar shumë kohë në të njëjtën zonë në qendër të Vjenës.

Në qeverisje të Austro-Hungarisë, me rezidencën në pallatin monumental Hofburg në qendër të Vjenës, ishte perandori i moshuar Fraz Jozef, i cili pati qenë në pushtet që nga viti i revolucioneve të mëdha 1848. Arkiduka Franz Ferdinand dhe njeriu i përcaktuar si pasardhës i tij, banonte në pallatin Belvedere aty pranë, duke pritur të merrte fronin sa më parë. Vrasja e tij një vit më vonë solli edhe shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.

Vjena më 1913 ishte kryeqyteti i Perandorisë Austro-Hungareze, e cila përbëhej nga 15 popuj dhe mbi 50 milionë banorë.

“Megjithëse nuk ishte ekzaktësisht një vend kozmopolitan, Vjena kishte larmishmërinë e vet kulturore, duke tërhequr njerëz ambiciozë nga e gjithë perandoria”, thotë Dardis McNamee, kryeredaktorja e “Vienna Review”, e përmuajshmja e vetme në gjuhën angleze në Austri, i cili ka jetuar në këtë qytet për 17 vjet.

“Më pak se gjysma e 2 milionë banorëve të qytetit qenë të lindur në këtë qytet dhe rreth një e katërta vinte nga Bohemia (sot në perëndim të Republikës së Çekisë), dhe Moravia (tashmë në lindje të Çekisë), pra çekishtja ishte një gjuhë shumë e folur krahas gjermanishtes”.

Popujt e perandorisë flisnin një duzinë me gjuhë”, shpjegon ajo.

“Oficerët në ushtrinë austro-hungareze duhej të ishin të aftë të jepnin urdhra në 11 gjuhë përveç gjermanishtes dhe secila prej gjuhëve kishte një përkthim zyrtar të himnit kombëtar”.

Kjo përzierje unike krijoi fenomenin e vet kulturor, kafenetë e Vjenës. Legjenda thotë se kafeja në Europë u zbulua në thasët e kapura si plaçkë lufte kur ushtria osmane u largua pas dështimit në rrethimin e qytetit më 1683.

“Kultura e kafesë dhe nocioni i debatit dhe diskutimit në kafene është pjesë e jetës vjeneze sot, njësoj siç ka qenë atëherë”, shpjegon Charles Emmerson, autor i librit “1913: Në kërkim të botës Para Luftës së Madhe” dhe studiues në “Chatham House”, një qendër kërkimore për politikën e jashtme.

“Bashkësia intelektuale vjeneze ishte në fakt shumë e vogël dhe çdokush njihte çdokënd… kjo siguroi shkëmbime mendimesh përtej kufijve kulturorë”.

Kjo, sipas tij, favorizon disidentët politikë dhe ata që janë duke jetuar në arrati.

“Ti nuk kishe një shtet qendror shumë shumë të fuqishëm. Shteti ishte në fakt disi i ngadaltë. Nëse dëshiroje të gjeje një vend për t’u fshehur në Europë, ku ti mund të takoje njëkohësisht shumë njerëz interesantë, atëherë Vjena qe vendi më i përshtatshëm për këtë.”

Vendi i parapëlqyer i Frojdit për të kaluar kohën e lirë, kafeneja “Landtmann”, gjendet ende te “Ringu”, bulevardi i njohur që rrethon qendrën historike të qytetit, “Innere Stadt”.

Trocki dhe Hitleri kalonin kohë te “Cafe Central”, vetëm pak minuta ecje pak më tutje, ku kekët, gazetat, shahu dhe, mbi të gjitha, bisedat, qenë pasionet më të mëdha të klientëve të rregullt.

“Një arsye se pse kafetë u bënë kaq të rëndësishme ishte fakti që ‘çdokush’ shkonte atje”, thotë MacNamee.

“Pra kishte një shkëmbim idesh mes disiplinave dhe interesave të ndryshme, që në fakt qenë kufij të cilët u bënë aq të ngurtë dhe të pakapërcyeshëm në Perëndim. Në atë kohë, kufijtë, ideologjikë dhe fizikë, qenë shumë fluid”.

Përtej kësaj, shton ajo, “pati një vrull energjik nga inteligjenca hebraike si dhe nga klasa e re industrialiste, që u bë e mundur pasi ata fituan nënshtetësi të plota dhe të drejta të barabarta nga Franz Jozef në vitin 1867, si dhe akses të plotë në shkolla dhe universitete”.

Megjithëse kjo ishte ende një shoqëri e dominuar në masë të madhe nga meshkujt, kishte edhe një numër të konsiderueshëm grash me ndikim.

Alma Mahler, bashkëshorti kompozitor i së cilës vdiq më 1911, ishte gjithashtu një kompozitore dhe u bë muzë dhe e dashur e artistit Oskar Kokoschka dhe e arkitektit Walter Gropius.

Megjithëse qyteti ishte dhe vijon të mbetet sinonim i muzikës, ballo të ekzagjeruara dhe valset, pjesa e saj e errët qe me të vërtetë e zezë. Një numër i madh i banorëve të Vjenës jetonte në lagje barakash më 1913 dhe në këtë vit, më shumë se 1500 vjenezë humbën jetën.

Askush nuk e di nëse Hitleri u përball me Trockin apo Tito me Stalinin. Por një pjesë dramaturgjike radiofonike e vitit 2007, – e shkruar nga Laurence Marks dhe Maurice, me titull, Doktor Frojdi do t’ju vizitojë ju tani z. Hitler – përshkruan përplasje të tilla imagjinare.

Lufta që shpërtheu një vit më vonë shkatërroi pjesën më të madhe të jetës intelektuale të Vjenës. Perandoria u shpërbë më 1918, gjë që ndihmoi në ngritjen e Hitlerit, Stalinit, Trockit dhe Titos në karriera që lanë shenjë përgjithmonë në historinë botërore.

Vjena e vitit 1913

Diktatori sovjetik Jozef Stalin kaloi një muaj në qytet duke u takuar me Trockin dhe duke shkruar “Marksizmi dhe Pyetja Kombëtare”, në bashkëpunim me Nikolai Bukharin.

Neurologu Sigmund Frojd lëvizi në Vjenë më 1860 si fëmijë dhe u largua nga qyteti më 1938 pasi nazistët e aneksuan Austrinë.

Udhëheqësi nazist Adolf Hitler besohet se jetoi këtu mes viteve 1908 dhe 1913, ku ai mezi nxirrte jetesën duke punuar si piktor.

Josif Broz, i cili më vonë u bë udhëheqësi jugosllav Marshalli Tito, ishte një metalpunues para se të rekrutohej në ushtrinë e Austro-Hungarisë.

Revolucionari rus Leon Trocki jetoi në Vjenë nga viti 1907 deri më 1914, ku nisi publikimin e gazetës “Pravda” (E vërteta).

Art, psikologji dhe statizëm

Vjena e fillimshekullit të njëzetë i dha botës një pjesë të konsiderueshme të identitetit të sotëm artistik, shkencor dhe ideologjik. Qeverisja e një perandorie të madhe, shumëkombëshe dhe të larmishme i dha rrugë krijimit të një sistemi administrativ që u bë simbol i burokracisë dhe shtetformimit. Produkt i kësaj burokracie, ishte “Procesi”, romani i shumënjohur i shkruar më 1914 nga Franz Kafka. Ndonëse Kafka jetoi dhe shkroi në Pragë, vepra e tij duket se reflekton pikërisht burokracinë e hartuar nga shtetarët vjenezë.

Vjena në këtë kohë kishte Frojdin, anën shkencore të analizimit të shpirtit të njeriut, por edhe Arthur Schnitzler, shkrimtarin që eksploroi fantazinë seksuale të njerëzve në një vepër të quajtur “Traumnovelle”, e cila u bë në fakt më e njohur përmes filmit të Stanley Cubrick, “Eyes Wide Shut”. Vjena kishte në këtë kohë Gustav Klimt, piktorin simbolist me vepra shumë seksuale dhe skandaloze për kohën, por kishte edhe Egon Schiele, i cili u fut në burg në një rast për akte të turpshme në publik. Veprat e tij në atë kohë konsideroheshin thjesht pornografike.

Trocki dhe Stalini ishin vetëm dy nga një numër i madh njerëzish që jetonin në qendër të Vjenës më 1913, jetët e të cilëve do të bëheshin më pas përcaktuese dhe tronditëse për pjesën më të madhe të shekullit të njëzetë

Megjithëse qyteti ishte dhe vijon të mbetet sinonim i muzikës, ballo të ekzagjeruara dhe valset, pjesa e saj e errët qe me të vërtetë e zezë. Një numër i madh i banorëve të Vjenës jetonte në lagje barakash më 1913 dhe në këtë vit, më shumë se 1500 vjenezë humbën jetën.

Më pak se gjysma e 2 milionë banorëve të qytetit qenë të lindur në këtë qytet dhe rreth një e katërta vinte nga Bohemia (sot në perëndim të Republikës së Çekisë), dhe Moravia (tashmë në lindje të Çekisë), pra çekishtja ishte një gjuhë shumë e folur krahas gjermanishtes.

Shkëlzen Maliqi: Ja pse u prisha me “Klanin”, te Edi Rama me çoi Batoni

shkelzenShkruar nga Rexhep Polisi 
I emëruar këshilltar i kryeministrit të zgjedhur Edi Rama për rajonin, Shkëlzen Maliqi vjen në një intervistë në “Gazeta Shqiptare” për punën e re.
Ai rrëfen se si duhet të jenë marrëdhëniet me Serbinë, Greqinë dhe Maqedoninë dhe si duhet t’iu përgjigjemi sjelljeve e pretendimeve të tyre. Maliqi, pranon të hedhë dritë mbi akuzat e bëra ndaj tij për luftën në Kosovë apo lidhjet me Serbinë, por tregon përpos njohjes me Ramën në vitet ’90, edhe polemikat e përplasjet me Fatos Lubonjën, Aurel Plasarin, Mero Bazen e televizionin “Klan”.
Zoti Maliqi, që prej ‘emërimit’ tuaj si këshilltar i kryeministrit Rama, janë ngjallur debate pa fund. Kush janë për ju: Prof.Aurel Plasari dhe Mero Baze?
Me Aurelin kam zhvilluar një polemikë para 18 vitesh. E pata kritikuar pikëpamjen e tij mbi “rishfaqjen e Vijës së Theodosit” (imperatori që e ndau Perandorinë romake në dy pjesë), që ai e shihte si fatalitet që edhe sot i ndanë tokat dhe kokat shqiptare. Polemika ishte akademike, por edhe rreth rrënjëve evropiane të shqiptarëve. Koncepti i Aurelit ishte përjashtues, mendonte se vetëm katolikët dhe protestantët janë evropianë me rrënjë. Unë isha për qasje përfshirëse, se ideja e Evropës nuk i përjashton ortodoksët dhe myslimanët. Aurelit si duket edhe sot i ka mbetur hatri pse ideja e tij mbi Kosovën “matanë vijës së Theodosit”, ose jashtë Evropës dhe Perëndimit, nuk doli e saktë dhe vazhdon të më konsiderojë anti-evropian. Sa i përket Meros nuk kemi pasur ndonjë sherr, por as afërsi. Në vitet ’90 ai ka punuar për mediat kosovare që kanë shpifur ose ekzagjeruar argumentet kundër meje, ato që përmenden edhe sot (babai komunist i nomenklaturës titiste, pro-serb sepse kam studiuar në Beograd etj. Mero më së shumti reagoi pse Rama angazhoi dike që për televizionin “Klan” dhe Sali Berishën realizoi sondazhet, që në vitin 2005 dolën të sakta, e më 2009 e 2011 tejkaluan marzhën e gabimit në parashikim.
Ju e keni sqaruar tashmë etiketimin tuaj si “dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë”, megjithatë, do të ishte mirë të na thoshit pse nuk jeni i tillë. A mund të na thoni disa veprime/vendime tuajat që tregojnë të kundërtën? 
Nuk kam unë si të sqarohem për këtë, ai që akuzon duhet t’i ketë provat. Mund të kërkoni emrin tim ose të shihni blogun tim (http://shkelzenmaliqi.wordpress.com) ku kam postuar një pjesë të artikujve dhe intervistave, prej disa mijëra sosh, si dhe librat e mi në shqip dhe anglisht. Një libër, intervistë e gjatë e Baton Haxhiut me mua është botuar në Tiranë më 2011 nga UET, me titull “Shkëlzen Maliqi: Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera” dhe mund të shkarkohet edhe nga interneti. Aty janë të gjitha sqarimet.
Kur jeni ‘pajtuar’ me Ramën pas sondazheve të “Gani Bobit”? Ka të bëjë vetëm me sondazhet pas të cilave ai u bind që duhej të bashkohej me LSI, apo ka diçka më shumë se kjo? 
Shikoni, ne që bëjmë sondazhe i analizojmë hollësisht edhe dështimet dhe dobësitë e tyre. Kanë hequr edhe më keq agjencitë me famë botërore, dhe kanë marrë mësime, kanë kërkuar ku ka qenë lëshimi. Duke bërë një seri sondazhesh në Shqipëri, mbi 15 në kohëra të ndryshme, e kemi vërejtur se në sondazhet ku kampioni është tërë Shqipëria marzhi i gabimit ka qenë gjithnjë më i vogël se kur kemi bërë sondazhe vetëm me kampionet e Tiranës dhe Shqipërisë së mesme. Dhe kemi konkluduar se në Shqipërinë e mesme problem është sinqeriteti i respondentëve nga viti 2008. Një shtresë e tyre e kishte frikë deklarimin e preferencës politike. Identifikuam se këta janë punonjësit në administratë dhe institucionet publike që votojnë PS-në dhe kanë frikë se pushteti po i kontrollon me sondazhe dhe se kjo ua rrezikon vendet e punës. Me televizionin “Klan” u ndava keq në vitin 2011, sepse nuk pranoi publikimin e parashikimit të korrigjuar, ku gara mes Ramës dhe Bashës tregohej e nivelizuar, por u insistua që me grafika ta nxjerrim si fitues Bashën me përparësi bindëse. Unë kam menduar se do të jetë e mjaftueshme nëse e them gojarisht korrigjimin, se kampioni është i devijuar dhe duhet pritur garë shumë e ngushtë, ose edhe e përmbysur në favor të Ramës, çka edhe doli pas numërimit të parë. Kjo është e regjistruar në emisionin e Blendi Fevziut, mund të verifikohet lehtë. Por, të gjithë u kapën për grafikët e parashikimit të devijuar.
Një tjetër konkludim që kemi nxjerrë nga sondazhet ka qenë se e majta e ribashkuar ka potencialisht më shumë votues se sa e djathta e bashkuar. Këtë storie e kishte dëgjuar Edi Rama dhe e porositi një sondazh të freskët në vjeshtë të vitit 2011, jo nga Instituti ‘Gani Bobi’, por me angazhimin e stafit të këtij instituti dhe nën drejtimin tim, ku e testuam edhe idenë se si do të pritej nga elektorati ribërja e koalicionit të PS-së me LSI-në. Mësimi ishte se kjo mund dhe duhet të ndodhë. Tjetri mësim ishte se Shqipëria tregohej e lodhur nga konfliktualiteti dhe se edhe një pjese të votuesve të djathtë po u dilte qejfit Berisha. Kjo është historia e rastit, e mësimeve nga gabimet, dhe s’ka asnjë të fshehur tjetër.
Keni deklaruar se me Ramën keni miqësi të hershme. Cilët janë miqtë tuaj të përbashkët? 
Në vitet ’90 kam qenë më i afërt me një grup intelektualësh rreth fondacionit “Soros” në Shqipëri, një kohë ata na u bashkuan në nxjerrjen e shtatë numrave të revistës MM që e botonim në Prishtinë. Është projekt i parë i tillë i përbashkët, në kushtet e vështira, kur i patëm kontrabanduar 500 ekzemplarë të revistës me varka nga ana e Liqenit të Shkodrës, ose i bartnim në sasi më të vogla përmes Maqedonisë me valixhe personale, për ta distribuuar në Shqipëri. Kurse miqësi më të ngushtë kisha me Ramën dhe Fatos Lubonjën, kur edhe ata të dy ishin të afërt. Vetëm se kur Rama filloi karrierën politike Lubonja nuk e priti mirë “ndryshimin” dhe “përshtatjen” e Ramës me ambicien politike, që atij i dukeshin si “tradhti” e idealeve të aktivistit të shoqërisë civile. Me Lubonjën në atë kohë pata zhvilluar polemikë private përmes postës elektronike, ku unë e arsyetoja Ramën, kurse ai e kritikonte gjithnjë e më ashpër. Rama atëherë perceptohej si “parashutist” në politikë, një si kalorës i vetmuar që nuk mund të bëhet lider me përkrahje të gjerë. Ishte atipik, individualist, me shije të veçantë, cinik, por me një karizëm të një njeriu që ka vizion dhe sheh më larg dhe e bën ndryshimin. Ai kishte ide largpamëse edhe si ministër i Kulturës, por shkëlqeu si kryebashkiak, duke e transformuar Tiranën në mënyrën që nuk ia gjen krahasimin. Nuk ka qenë vetëm pastrim dhe pikturim fasadash i një çorodie dhe shëmtie të anarkisë që kërcënonte me urbanicid, por injektim i frymës së re që Ramën e bëri të pëlqyer dhe popullarizuar, shpresë e të gjithë atyre që ishin të lodhur nga konfliktualiteti i binomit Sali Berisha – Fatos Nano… Rama i dha tranzicionit shqiptar një dimension të kreativitetit në politikë që hapte rrugët përtej karakterologjisë së politikanëve të tranzicionit që edhe ish-enveristët edhe anti-enveristët i shndërroi në kreatura pragmatiste dhe llomotiste, në neo-bizantinë që ushqehen vetëm me teori komploti dhe intriga, dhe mbahen në pushtet dhe opozitë jo me programe konkrete, por duke akuzuar dhe sulmuar tjetrin. Ky ishte binomi Berisha-Nano. Rama, edhe me mjete të politikës bizantine, sepse ndryshe s’do të realizohej, e mundi Nanon dhe tani edhe Berishën. Sot Rama promovon një program dhe ekip krejtësisht të ri. Kjo e ka rrezikun e vet, kafshët politike bizantine nuk e kuptojnë, por është përpjekje legjitime dhe me sharmin e ribërjes së skenës politike, gjë që duhet të reflektohet edhe nga demokratët e Bashës, nëse marrin mësime nga humbja e thellë e 23 qershorit.
Si janë raportet tuaja me të djathtën tani që ju u pozicionuat majtas? Keni pasur kontakte me emra të së djathtës dhe me shefin e ri të opozitës? 
Me orientim politik unë jam më afër demokracisë sociale, kam qenë edhe themelues i një partie të këtij orientimi në Kosovë në vitet ’90, edhe anëtar i Kuvendit të Kosovës që nuk u themelua kurrë, derisa nuk ua delegova të tjerëve vullnetarisht postin e kryetarit. Pas luftës kam qenë një herë në listën e Partisë Reformiste Ora, me Veton Surrojin, që ishte si një aleancë qytetare e parapaguar për dështim sepse injoroi elektoratin…..

Etnogjeneza e shqiptarëve vështrim historik

kristoKur në shek. XI u shfaq emri albanë dhe arvanitë nuk kishte vështrim etnik, por ishte, sikurse u tha, emri i krahinës Arbëni/Arbëri (Arbanon), që shtrihej në Shqipërinë e Mesme me qendër Krujën. Pas shek. XI filloi përhapja e apelativit Arbëni, Arbëri, Albani edhe në viset e tjera ku banonin shqiptarët. Faktori që përcaktoi shtrirjen e emrit ishte po ai që përcaktoi shfaqjen e tij në shek. XI – në fillim bashkësia politike dhe fetare dhe më vonë bashkësia politike dhe gjuhësore.
Sikurse u tha, emërtimi Arbanon ishte në origjinë emri i trevës rreth e rrotull Krujës, e cila deri kohët e vona e ruajti të paktën në Kurbin, emrin historik Arbëni. Ishte pra, njësoj si emrat e krahinave të tjera të vendit Polati (Pulti), Kunavia (Martaneshi), Crnika (Çermenika), Trafandena (Mirdita), Matia, Dibra, Skuria, Tamadea, Benda, Mokra, Skrapari, Malakas, Mazarek etj.
Peshkopata e Krujës e krijuar sipas traditës në fillim të shek. VII194, ishte në shek. XII fqinje me peshkopatën e Lisit, që shtrihej në Mat e Mirditë, dhe me peshkopatën e Stefaniakës, që përfshinte krahinat e Tamadhesë e të Bendës. Pra, ishte krijuar bashkësia fetare në shkallë krahinore. Më 1166 Arbanoni kishte një prior (Andreas prior Arbanensis) dhe një peshkop katolik (Lazarus episcopus Arbanensis).
Titulli “prior” i qeveritarit tregon autonominë e krahinës; mbiemri i primarit të dioqezës sqaron kufijtë e saj. Të dyja së bashku tregojnë se konsolidimi dhe shtrirja e emrit Arbanon për territorin dhe arbanit për banorin, erdhi si pasojë e konsolidimit dhe e shtrirjes së komunitetit politik e fetar arbanit që ishte formuar në shekullin e mëparshëm.
Dinamika e përhapjes në shekujt e mëvonshëm e emrit Arbanon, Arbanum, Albania është me interes. Kjo duket sidomos gjatë ekzistencës së Principatës së Arbërisë që shfaqet në burimet historike të fundit të shek. XII. Gjatë sundimit të arkondit Progon, emërtimi Arbanon u shtri në veri përtej Matit dhe Trafandenës deri në krahinën e Pultit.
Po ashtu gjatë sundimit të arkondit të madh Dhimitër Progonatit u shtri nga ana jugore në viset e Kunavisë e të Cernikut deri në luginën e Shkumbinit. Shtrirja e këtij emërtimi përtej kufijve të Arbanonit historik mund të shpjegohet fare mirë me përfshirjen e këtyre krahinave në komunitetin politik e fetar të shtetit të arbanitëve, i cili u formua nga shkrirja në të e katërmbëdhjetë bashkësive krahinore.
Ky fenomen vihet re edhe gjatë gjysmës së dytë të shek. XIII, kur Karli I Anzhu i grumbulloi në vitin 1271 territoret e pushtuara në Shqipëri në një formacion të vetëm politik – në “Mbretërinë e Albanisë” (Regnum Albaniae) me kufij më të gjerë nga ç’kishte principata arbanite në kohën e arkondit të madh Dhimitër Progonatit.
Po në këtë kohë sovrani anzhuin i detyroi dioqezat kishtare të territoreve të pushtuara të kalonin në katolicizëm. Pavarësisht se “Mbretëria e Albanisë” ishte një pjellë e dhunës së armatosur të feudalëve anzhuinë, për shkrimtarët dhe kancelarët e shek. XIII ajo formonte një komunitet politik e fetar më vete. Sipas mendësisë mesjetare, banorët katolikë të këtij komuniteti politik u konsideruan anëtarë të kombësisë arbanite/ albanite.
Si pasojë, emërtimi Albanum, Albania u shtri në shek. XIII që nga lumi Drin i bashkuar në veri deri në Kaninë në jug, që nga brigjet e Adriatikut në perëndim deri në Drinin e Zi në lindje. Banorët jokatolikë të kësaj mbretërie nuk u përfshinë në gjirin e kombësisë arbanite, albanite. Pavarësisht nga gjuha amtare, shqiptari ortodoks ishte, për shkak të traditës shumëshekullore, “romaios” për bizantinët, “graecus” për anzhuinët.
Kur Karli I D’Anzhu shkruante: “armiqtë tanë grekë”, e kishte fjalën për bizantinët. Por kur në 1274 shkruante se Durrësin e kishin rrethuar kryengritësit “albanitë dhe grekë” (albanenses et greci), ai nënkuptonte me këta dy apelativa shqiptarët katolikë e ortodoksë, mbasi ekzistenca e fshatarëve të gjuhës greke në zonën e Durrësit nuk vërtetohet dokumentarisht. Në fillim të shek. XIV me arbanit/albanit, kuptohej gjithnjë shqiptari katolik.
Që në shek. XIII në qarqet e njerëzve të ditur bizantinë të Perandorisë së Nikesë u shfaqën shenjat e para të një koncepti të ri mbi kombësinë, i përcaktuar jo si më parë nga komuniteti politik e fetar, por nga ai gjuhësor e fetar. Si pasojë e këtij koncepti të ri, nga gjiri i kombësisë “romaios” filloi të shquhej “heleni”, shtetasi bizantin ortodoks greqishtfolës.
Me zhvillimin e mëtejshëm të këtij botëkuptimi të ri, shqiptari ortodoks filloi të dallohej nga heleni ortodoks, sepse u takonin dy komuniteteve gjuhësore të ndryshme. Por, nga ana tjetër, shqiptari ortodoks mbeti përsëri i dalluar nga shqiptari katolik, sepse bënin pjesë në dy komunitete fetare të veçanta. U krijua kështu terreni për daljen e një emri të përbashkët për gjithë shqiptarët ortodoksë.
Prodhimin e parë të konceptit të ri duket se e ndeshim te shkrimtari bizantin i shek. XIV. G. Paclymeres, i cili duke folur për banorët e Eprit të Ri përdor në një rast emrin albanitë (????vo?), në një rast tjetër emrin ilir ????????. Më vonë krahas apelativit albanit doli në shesh emri epirot.
Në disa raste, kundrejt epirotit që kishte tingull të lashtë historik, emri i albanitit u zëvendësua me atë të makedonit, gjithashtu me tingull të lashtë historik: për analogji Makedonia u bë emër i dytë i Albanisë (Macedonia sive Albania). Ndikoi në këtë mes fakti se në shekujt e parë të erës sonë provinca e Epirit të Ri me qendër Durrësin, ku bënte pjesë edhe krahina e Arbanonit, u quajt për disa shekuj Provinca e Maqedonisë së Dytë. Në këtë mënyrë, banorët e hapësirës gjuhësore shqipe u quajtën nga të huajt epirotë dhe albanitë (Epirotes et Albanenses) ose epirotë dhe makedonë (Epirote et Macedones).
Por konsakrimi i dy emërtimeve të veçanta etnike për shqiptarët e dy riteve fetare të ndryshme, nuk mori formë të prerë, siç ndodhi te sllavët e jugut, midis kroatit katolik dhe serbit ortodoks. Pa dyshim ka luajtur rol, në masën e vet, fakti se në viset e banuara nga shqiptarët ortodoksë nuk u krijua ndonjë komunitet politiko-fetar i veçantë që t’i kundërvihej komunitetit politik-fetar katolik të Arbanonit.
Arsyeja kryesore duhet kërkuar te toleranca fetare, karakteristikë e shqiptarëve të të gjitha kohëve. Këtë e ka konstatuar M. Šufflay kur thotë: “në Kohën e Mesme fanatizmit fetar të shqiptarëve mezi i gjenden gjurmët”. Shkurt, folësit e gjuhës shqipe të krahinave të ndryshme nuk bënin nga pikëpamja etnike dallim midis bashkatdhetarëve të feve të ndryshme. Kjo veçori ndikoi në lindjen e një emërtimi të përbashkët për mbarë shqiptarët, pavarësisht nga ritet e tyre fetare.
Shprehësit e parë të këtij emërtimi të përbashkët janë përsëri shkrimtarët bizantinë. Megjithatë, zgjedhja e emrit të përbashkët nuk ishte që në fillim e njëjtë. Te shkrimtari i shek. XIV N. Gregoras, duket se ndikoi tendenca savante arkaizuese mbasi ai shqiptarët pa dallim feje i quajti ilirë. Bashkëkohësi i tij, J. Kantakuzeni, i quajti albanë, sepse, sipas tij, pasardhësit e ilirëve qenë tribalët (serbët). Në shek. XV u quajtën albanë nga Halkokondili, nga Duka, nga Sfrantzes, kurse ilirë, siç është thënë, nga Kritobuli.
Megjithatë, koncepti i ri i kombësisë nuk triumfoi plotësisht as gjatë shek. XV. Duken ende shkrimtarë apo kancelarë, kryesisht nga bota perëndimore, të cilët shkuan pas konceptit gjuhësor-fetar. Duke mos u shkëputur dot nga mendësia tradicionale mesjetare, ata e kishin vështirë t’i konsideronin si gjymtyrë të një kombësie të vetme të gjithë banorët që flisnin në të njëjtën gjuhë, që jetonin në të njëjtin territor, por që u takonin dy riteve të ndryshme fetare. Kështu shpjegohet përse në disa akte të huaja të shek. XV flitet ende për albanitë dhe epirotë ose për makedonë dhe epirotë, si për dy etni të ndryshme.
Për shqiptarët, të dyja këto emërtime u veshën me të njëjtin kuptim etnik. Ata e identifikonin veten edhe me arbanitë, edhe me epirotë. Dëshmitar i parë është vetë Skënderbeu. Në korrespondencën e vet me kancelaritë e huaja, ai nënshkruante “Zot i Arbërisë” (Dominus Albaniae), bashkatdhetarët e tij i quan “albanë/arbër” (albanenses, albanesi). Përkundrazi, në letrën e përmendur që i drejtoi më 31 dhjetor 1460 princit të Tarentit, J. A. De Orsinis, ai shkruante: “Në qoftë se kronikat tona nuk gënjejnë, ne quhemi epirotë” (se le nostre croniche non mentino, noy in chiamamo Epiroti).
Dëshmitar i dytë është Marin Barleti. Humanisti shkodran i përdor të dy emërtimet etnike, pa bërë dallim midis tyre. Ai i quan arbër (albanenses) si shqiptarët që banonin në Arbëri apo Epir, ashtu dhe ata që kishin zënë vend në Peloponez. Njëkohësisht i cilëson epirotë (epirotes) jo vetëm krutanët e dibranët, por edhe zotërit feudalë të malësive veriore si Lekë Dushmanin e Pjetër Spanin. Vetë Skënderbeun e quan zakonisht epirot, në disa raste e cilëson arbër, por preferon t’i japë titullin “Princ i Epirotëve” (Epirotarum Princeps).
Nganjëherë M. Barleti flet për arbër dhe epirotë si për dy grupe të ndryshme etnike, por këto raste të rralla duhen parë si gjurmë pa jetë të koncepteve të vjetra që jetojnë në mënyrë të pandërgjegjshme edhe për disa kohë nga forca e traditës. Dëshmitar i tretë është Gjon Muzaka, i cili gjithashtu i përfshin të gjithë shqiptarët pa dallim feje, në një emër të përbashkët: i quan albanesi, gjuhën e tyre lingua albanese, kurse emrin epirot nuk e përdor asnjëherë.
Mund të thuhet se në shek. XV me albanë dhe epirotë nënkuptoheshin banorët e hapësirës gjuhësore shqipe; se përmbajtja e tyre gjuhësore-fetare e kishte humbur fuqinë e saj; se për vetë shqiptarët ato ishin veshur me të njëjtin kuptim etnik; se në shumicën e rasteve shqiptarët njiheshin edhe jashtë Shqipërisë me një emër të vetëm etnik, pavarësisht se ekzistonin ende qarqe të huaja, të cilat e ruanin ende konceptin gjuhësor-fetar mbi kombësinë, emërtimi albanitë po fitonte vazhdimisht terren.
Në shek. XV emërtimi Arbëri (Albanum, Albania) ishte shtrirë në një hapësirë gjeografike më të gjerë se ajo që pati arritur gjatë “Mbretërisë Anzhuine”. Nga ana veriore më 1429 Tivari në bregdet, më 1430 Lushtica pranë Kotorrit, më 1442 Podgorica, quhen qytete të Arbërisë, de Albania. Nga ana jugore Vlora cilësohet si dhe në kohën anzhuine qytet në Arbëri (Valona in Albania). Nga juglindja, sipas një akti raguzan të vitit 1390, Kosturi quhej pjesë e Arbërisë, Castoria de partibus Albaniae.
Shtrirja e emërtimit Albanum, Albania në këtë hapësirë gjeografike mund të shpjegohet me po ata faktorë që përcaktuan shtrirjen e dikurshme të këtij emërtimi nga kufijtë e ngushtë të mesit të shek. XI në kufijtë e gjerë të fillimit të shek. XIV. Konkretisht, mund të shpjegohet me shtetin e Balshave që u formua gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV. Në fillim, brenda kufijve të këtij shteti u përfshinë territore shqiptare e sllave. Pra, Balshat mbështetjen kryesore politike e gjetën te popullsia shqiptare. Më 1369, me kalimin e tyre në anën e Kishës Perëndimore, lidhjet me sllavët ortodoksë u dobësuan edhe më tepër, kurse komuniteti politik e fetar me shqiptarët katolikë u forcua edhe më tej.
Si rrjedhim i këtyre lidhjeve, në vitet ’70 Balshat filluan të shtriheshin në jug, drejt krahinave shqiptare, duke arritur më 1372 në vijën Vlorë–Berat–Kostur. Në veri humbën krahinat sllave, duke u tërhequr afërsisht në vijën Tivar–Podgoricë–Prizren. Në këtë mënyrë ky komunitet politik fetar mori dalëngadalë karakterin e një komuniteti shqiptar e katolik.
Rrjedhimisht, edhe titulli i sundimtarëve Balsha u ndryshua nga sovranë të Zetës (Dei Gratia dominus Zetae), në sovranë të Arbërisë – Gjergj II Balsha “Zot i Arbërisë” (Arbanaskim Gospodinum), “Princ i Arbërisë” (Princeps Albaniae). Pra, Albanum, Albania u shtri në veri vetëm në viset shqiptare dhe katolike që hynë në shtetin e tyre.
Si përfundim, emërtimi Albanum, Albania, duke filluar nga shek. XI u zgjerua vazhdimisht duke shtyrë më në jug emrat Epir dhe Romania dhe më në veri emrat Dioklea dhe Sklavonia dhe arriti në shek. XV atje ku e çoi përçuesi i vet historik – faktori politik shtetëror shqiptar dhe jo ekspansioni i supozuar i shqiptarëve, siç mendojnë pa të drejtë disa historianë, ndër të cilët J. G. von Hahni dhe G.Stadtmülleri.
Në lidhje me territoret që shtriheshin në jug, pika më delikate qëndron te çështja nëse emërtimi Epir kishte ose jo një përmbajtje etniko-gjeografike. Sipas mendimit tonë, çështja zgjidhet sapo të sqarohet përkatësia etnike e epirotit dhe në vështrim më të gjerë karakteri etnik i Epirit të Vjetër. Me epirot mund të nënkuptohej, të paktën në shek. XV, shqiptari që banonte në Epir.
Për të sqaruar përkatësinë etnike të banorit të Epirit të Vjetër, mund t’u referohemi drejtpërdrejt shkrimtarëve dhe kronistëve greko-bizantinë që nuk e përdorin fare termin epirot. J. Kantakuzeni gjatë përshkrimit të ngjarjeve që ndodhën në territorin e Epirit gjatë gjysmës së parë të shek.
XIV quan albanë banorët që jetonin në afërsitë e Beratit e të Kaninës, në krahinat e Devollit e të Kolonave, në rrethet e Pogonianit e të Libisdës, në afërsi të Ohrit dhe gjetkë, të cilët dihet se praktikonin ritin bizantin. Nga “Kronika e Janinës” mësojmë se banorët e trevës së Përmetit ishin mazarakët; të Dropullit e të Delvinës: zenevistët; në rrethin e Janinës: malakasët, të cilët sipas mendimit të përgjithshëm të historianëve, qenë shqiptarë.
Që viset bregdetare të Jonit banoheshin nga shqiptarë, na e thotë shkoqur Kritobuli dhe na la të nënkuptojmë Halkokondili. Prania e shqiptarëve në krahinat lindore të Epirit të Vjetër provohet nga fakti se në vitin 1330 ata thyen një çetë të kompanisë së madhe katalane në Gardhiq të Janinës që kishte kaluar Pindin dhe po plaçkiste Epirin. Nga njoftimet që jep Kantakuzeni dhe nga ato që ndeshen në “Kronikën e Janinës”, mund të nxirret lehtë konkluzioni se banorët e Epirit në shumicën dërrmuese qenë shqiptarë, përderisa siç vinte re me të drejtë J. G. Hahni, fituan në luftë kundër grekëve dhe serbëve.
Ne do të shtojmë me këtë rast se formacionet shtetërore shqiptare që u krijuan në territoret e Epirit gjatë gjysmës së dytë të shek. XIV dhe në mënyrë të veçantë ekzistenca për një kohë të gjatë e despotatit shqiptar të Gjin Bua Shpatës, i cili u përmbys vetëm nën goditjen e vërshimit osman, na japin në dorë dy elemente të rëndësishme në favor të problemit që kemi në diskutim.
Nga njëra anë, provojnë se shqiptarët, të cilët u bënë bartësit etnikë të këtyre formacioneve shtetërore në luftë kundër pushtetit bizantin dhe serb, përbënin masën kryesore të popullsisë së Epirit. Nga ana tjetër, komuniteti politik-gjuhësor, që u formua nga këto formacione shtetërore shpjegon arsyen përse shqiptarët dalin në Epir me emrin e tyre etnik pikërisht në burimet historike të kësaj periudhe dhe jo më parë. Me këtë përbërje etnike, emërtimi gjeografik Epir u vesh për shumicën e shkrimtarëve dhe kancelarëve të Mesjetës së mëvonshme, me një vështrim etnik shqiptar.
Për shqiptarët u sanksionuan kështu në shek. XIV–XV dy emërtime etnike: arbër dhe epirotë. Në këto dy emërtime nuk u përfshinë viset e banuara nga shqiptarët që ndodheshin jashtë kufijve të emërtimeve Arbëri dhe Epir. Është fjala kryesisht për territoret e Kosovës, Rrafshit të Dukagjinit (Metohisë) dhe të Maqedonisë Perëndimore, vendbanimet e dikurshme të dardanëve, paionëve dhe lunkestëve ilirë.
Fakti që shqiptarët nuk përmenden me emrin e tyre etnik si banorë të këtyre viseve ose përmenden rastësisht në burimet historike mesjetare jo më parë se në shek. XIV, mund të shpjegohet, si dhe për pjesët e tjera të Shqipërisë, jo me mosqenien e tyre në ato vise, por me konceptin mbi kombësinë që kishin shkrimtarët dhe kancelarët mesjetarë.
Meqenëse këto vise qëndruan në mënyrë të pandërprerë nën sundimin bizantin, dukljan, serb apo bullgar dhe nuk arritën të grumbullohen në ndonjë formacion shtetëror shqiptar, është e tepërt të pretendohet që ata të shfaqeshin në burimet historike me emrin e tyre etnik.
Përpjekjet që janë bërë për t’i zbuluar shqiptarët e këtyre viseve me anën e toponomastikës dhe onomastikës, as kanë dhënë, as mund të japin rezultat për shkak të tendencës së theksuar që kanë pasur sllavo-jugorët mesjetarë për t’i sllavizuar në masë jo vetëm emrat e vendeve që pushtonin, por edhe emrat e vendeve që pretendonin.
Emrin etnik të shqiptarit në trajtën “arbanas” ne do ta ndeshim si banorë të këtyre viseve vetëm atëherë kur ai nuk kishte njërin nga të dy komponentet e konceptit mesjetar mbi kombësinë – ose bashkësinë politike ose bashkësinë fetare, me serbët ose bullgarët, praktikisht vetëm po të mos ishte më ortodoks.
Nuk është pra e rastit që “arbanasët” përmenden për të parën herë në burimet mesjetare të shek. XIV pikërisht në ato zona (në rrethet e Shkupit e të Prizrenit), ku dihet se u përhap në një masë të kufizuar katolicizmi – si frekuentues në Pazarin e Manastirit të Shën Gjergjit pranë Shkupit, si barinj, bujq e ushtarë në krahinën e Tetovës, si fshatarë në feudet e manastirit të Kryeëngjëjve të Prizrenit, si bujq në analet e manastirit të madh të Deçanit, kurse gjurmët e tyre i gjejmë gjithnjë në shek. XIV dhe jo më parë, në Dalmaci, në Bosnjë, Hercegovinë.
Fakti që shënojnë L. Thalloczy, K. Jire?eku dhe M. Šufflay se deri në kohët e vona, në sllavët e Dalmacisë e të Malit të Zi, me “arbanas” kuptohej vetëm shqiptari katolik, ndihmon në konkluzionin tonë se shqiptari ortodoks, i cili banonte në territoret e përfshira për një kohë relativisht të gjatë brenda kufijve të shteteve serbe ose bullgare, konsiderohej thjesht “serb” ose “bullgar”. Në këto rrethana, problemi i përkatësisë etnike të banorëve mund të sqarohet vetëm me defterët osmanë të shek. XV–XVI që u përkasin sanxhakëve të Kosovës, Metohisë e Maqedonisë, materiali i të cilëve do të na ndihmojë për të hedhur një vështrim retrospektiv.
Me islamizimin në masë të shqiptarëve në shek. XVII, folësit e gjuhës shqipe u ndanë në tre besime fetare – në katolikë, ortodoksë dhe myslimanë. Për konceptin mesjetar, ishte e vështirë që shqiptarët myslimanë të quheshin arbër apo epirotë, përderisa ata nuk qenë as katolikë, as ortodoksë. Qenë vetë qarqet qeveritare osmane, të cilët u dhanë atyre emrin “arnautë”.
Por prirja e shqiptarëve për të mos i dhënë rëndësi përkatësisë fetare, e cila sillte diferencimin në radhët e tyre, solli si pasojë nevojën për një emërtim të përbashkët etnik për mbarë folësit e gjuhës shqipe. Apelativi i ri lindi nga fjala shqip, të cilën e ndeshim që te Buzuku, nënkuptimin e gjuhës që e kuptonin të gjithë banorët shqipfolës. Që këtej lindi apelativi “shqiptar”, ai që flet shqip, ai që e kupton gjuhën shqipe.
Me sa dimë, apelativi shqiptar zëvendësoi për të parën herë në burimet e shkruara historike emrat arbër dhe epirotë në shek. XVIII, kurse emri i vendit Shqipëri në vend të Arbërisë dhe të Epirit u sanksionua në fushën e shkrimit në shek. XIX. Si apelativi për banorin shqiptar, ashtu dhe ai për atdheun Shqipëri, u përhapën në mënyrë të rrufeshme gjatë Rilindjes Kombëtare vetëm në radhët e shqiptarëve që nga Mitrovica deri në Prevezë. Për qarqet e huaja u përhap apelativi Albanese për banorin dhe Albania për vendin, i cili zëvendësoi gjithashtu në mënyrë të rrufeshme apelativat historikë arbanitë, epirotë dhe arnautë.
Etnogjeneza e shqiptarëve vështrim historik
Një vepër e re studimore e akademikut kristo Frashëri sapo është botuar nën logon e botimeve M&B. Mografia “Etnogjeneza e shqiptarëve” është një vështrim historik, që trajton që në hyrje problemin e metodikës dhe metodologjisë që kanë ndjekur deri sot dijetarët e ndryshëm dhe, pasi vihen në dukje dobësitë e disave prej tyre, sugjerohen kritere më shkencore në trajtimin e albanologjisë dhe të ilirologjisë. Pastaj kalohet në trajtimin e mirëfilltë të të dy problemeve.
Bëhen përpjekje për të hedhur ndopak dritë mbi popullatat e stërlashta që kanë banuar në kohët parahistorike, në trojet e sotme shqiptare dhe të gjurmëve që ato kanë lënë në formimin e etnosit shqiptar dhe të gjuhës shqipe. Flitet për popullatat paraindoeuropiane që banonin në këto vise. Trajtohet e ashtuquajtura çështje pellazgjike. Më tej trajtohet problemi i gjenezës së ilirëve dhe përfundohet me etnogjenezën e shqiptarëve. Monografia mbyllet me shfaqjen në vitin 1043 në fushën e dokumentacionit historik të emrave Arbër dhe Albani si apelativa krahinorë dhe shndërrimin e tyre më vonë në emërtime kombëtare.
Me rastin e këtij botimi historiani Frashëri ka deklaruar se për këtë trajtesë është mbështetur në kronologjinë historike që disa dijetarë mendojnë se i përshtatet parahistorisë së Europës Juglindore: grupet njerëzore që banonin në Europën Juglindore në Paleolitin e vonë quhen në mënyrë konvencionale popullata të Cro- Magnon-it. Popullatat që këtu banonin gjatë Neolitit të hershëm dhe të mesëm (7000–4000 p.e.r.) quhen popullata paleoballkanike.
Ato të Neolitit të vonë, që nga fillimi i mijëvjeçarit të katërt deri në mesin e mijëvjeçarit të tretë p.e.r. (4000–2500 p.e.s), popullata të grupit etnikogjuhësor alarodik ose mesdhetare. Ato të epokës eneolitike (2500–2000 p.e.r.), popullata protoindoevropiane, ku bënin pjesë edhe pellazgët. Për banorët e epokës së bronzit (e cila mbulon mijëvjeçarin e dytë p.e.r.), nënkuptohet se është fjala për popullatat indoeuropiane – grekët, trakët, protoilirët, dorët, ilirët… Nga ky libër me mjaft interes ne zgjodhëm për lexuesit tanë me lejen e botuesit kapitullin ku trajtohet emri etnik i shqiptarëve.

Rreziku i kultit të ri

liljana_hoxha2Nga Liliana Hoxha
Cili shqiptar është dakord që sot fillon viti 1992 referuar reformave demokratike ?. Absolutisht asnjë !. Le të pyetet qeveria amerikane dhe cilido amerikan i thjeshtë, a është në përmbajtje viti që po kalojmë njëlloj si viti 1992 për ne, meqenëse Rama ju referua përulësisht bashkëpunimit (dhe është e domosdoshme) me amerikanët?. E shtroj problemin kështu për shumë arsye evidente, por më së pari pse “duhet” të pranojmë prej kryeministrit që s’ka asnjë javë jetë institucionale, që deri më tani paskemi jetuar në epokën e akullnajave. Me hidhërim e dëgjova në mbledhjen e parë të Parlamentit , ku s’doli dot nga vetja me deklarata egoizmi (shprehi e të folurit tepër për veten), për të realizuar reformat e munguara. Askush nuk ka menduar që zhvillimi i Shqipërisë ka qenë perfekt, përkundrazi. Një tranzicion i çalë na ka përfshirë dhe kjo jo vetëm prej qeverive, por prej popullit (të militantizuar apo që ka rendur pas interesave të vogla personale) të cilit i kanë përkitur këto qeveri. Askush nuk mohon që gëlon mafia e korrupsioni, pjesë e së cilës janë (madje thellësisht) dhe eksponentë të opozitës së deridjeshme, domethënë pushtetarë e deputetë të PS. Por nuk mund të mohohet që është punuar.
Nuk duhej polarizimi e korrupsioni, por shpëtimtar nuk mund të bëhet me një llaf goje kryeministri i ri, aspak i imunizuar prej tij. Do të dëshironim shumë që Rama të realizojë çka ka marrë përsipër, gjë që kërkon kohën e vet për tu kryer e vërtetuar, pa pasur vend për eufori e delir kryeministror. Është e tepërt për popullin shqiptar që të përjetojë domethënie të tilla krejtësisht antagoniste me këdo, përveç vetes së tij si kryeministër, që në mbledhjen e parë të Parlamentit. Siç është dhe e pabesueshme që ai ta shohë të tashmen në mënyrë haluçinative, në qoftë se për të ky vit është 92-shi, pra rënia epokale e komunizmit, për të kaluar në post komunizëm. Për më tepër nuk është Rama ai që rrëzoi komunizmin. Ndërkaq, i shket padashur një e vërtetë konspirative, se bashkë me kastën komuniste siç ishte projektuar, ai do të kishte punuar ndryshe, por asnjëherë për popullin. Nëse pushteti ju iku nga duart (sado underground ti lëvizin ende fijet e tij), Rama injoron edhe 8 vjetët e Nanos në pushtet, pra të PS, të partisë së tij në sajë të së cilës është kryeministër sot. Të injorosh këtë domethënie, është të mos përfillësh partinë tënde sot në pushtet, përveç qeverisë hibride. Vërtet ministra të rinj këta të Ramës, siç ishte e udhës që në ‘92 , por nuk mjafton kriteri i CV që Rama e mban si karta biancha për ta. Duhet njohja nga i gjithë populli e veprave, vizionit e historikut të secilit prej anëtarëve të qeverisë Rama. Ndryshe këta janë vetëm qengja të kryeministrit. Ndaj kjo mospërfillje prej “92”-shi, ky injorim prej “92”-shi që i bëhet tërë popullit shqiptar, i kënaqur apo i pakënaqur qoftë, është shumë e rrezikshme. Rama njihet autokrat anarkist, por nuk arriti të përmbahet që në mbledhjen e parë të Parlamentit, kur vetëvendosi (për aq sa mundi), kultin e tij. Pas “epokës së akullnajave” për demokracinë tonë sado të çalë, vjen epoka e 92-shit e Ramës, duke zbythur historinë e gjithë popullin për 20 vjet. Kohë kur Nano e tërheq atë nga endacak i Parisit, për ta bërë ministër të Kulturës e pastaj kryebashkiak. As kur ka pasur pushtetin madje me të tepërt, nuk ka mundur të punojë Rama ?. Apo ka qenë i ngrirë sipas epokës akullnajore. Ndaj të gjithëve na vjen keq që ky mosmirënjohës i çfarëdo lloj vlere, në mbledhjen e parë të Parlamentit i hoqi 20 vjet histori popullit shqiptar, që simbolikisht duhet të ishte e lavdishme si post komuniste. Ashtu siç edhe nuk i la vend Nanos në historikun e PS. Nga ana tjetër opozita e re e vendosur të mos binte në pozitat e asaj të vjetrës, nuk e duroi dot fshirjen me gomë të 20 vjetëve të historisë së Shqipërisë. Ajo la sallën e Parlamentit që në mbledhjen e parë të saj, kur kjo mbledhje duhej të ishte vetëm protokollare, krejtësisht etike për politikëbërjen e ardhshme, e absolutisht jo instiktivisht agresive me mungesë totale logjike dhe krahasime shpërbërëse për gjithë kombin. Rama nuk ka qenë i paditur, edhe kur ka bërë obstruksion. Çdo qeveri vendos, por këshilltari më konstruktiv në atmosferë politike reale, është gjithmonë opozita. Sepse duhet t’i bashkojë misioni i tyre i përbashkët, ecja përpara. Kështu funksionon një demokraci e shëndetshme. Personalisht si qytetare, do t’i lutesha opozitës të rezistojë me argumente të shtruara qetësisht. Forca e argumentit, prania vizionare e domosdoshme e saj në çdo seancë, është fuqia e vitaliteti si dhe “arma” që presupozon zgjidhjet alternative të opozitës për problemin konkret. Thënë ndryshe presupozon kundërshtimin alternativ. Është ky bashkëpunim në kundërshtim e sipër, që çon në civilizimin e demokracisë sonë të brishtë, por në çfaktorizimin e kultit Rama. Vetëm opozita e shëndetshme mund të realizojë reformat e deklamuara nga Rama, krahas vendimmarrjes qeveritare. Opozita ka prestigjin e saj shumë të nderuar. Personalisht vetëm si qytetare, kam natyrë opozitare e s’do të largohesha kurrë në emër të interesit publik nga çdo poshtërim, pa e bindur parimisht pushtetarin, që doemos nuk i intereson të më japë moralisht të drejtë, çka nuk më intereson si çështje jo personale, por mjafton që të ndjehet i paralizuar kundrejt ligjeve e rregullave konkrete të shkelura prej tij. Të gjithë hamendësonim sinqerisht, që kjo opozitë (pozita e djeshme) nuk do të jetë obstruksioniste, pasi ka pësuar mbi vete bojkotin permanent të Ramës. Shumë gjëra mund të thuhen, shumë fakte mund të lakohen në pro dhe kundër PD e PS. Për mua personalisht njëri është vendimtari, para të cilit Rama është krejtësisht e përfundimisht i demaskuar sado “heroizma” të bëjë. Është Gërdeci. Ishte rast historik që Berisha të jepte automatikisht dorëheqjen me hir apo pahir, siç do të ndodhte në çdo vend demokratik. Fajësisht, nuk e dha. Pa ju futur rolit të çuditshëm të Metës këto vitet e fundit, në kohën e Gërdecit, LSI doli në shesh me popullin në krah, për largimin e domosdoshëm të Berishës. Meta i bëri thirrje gjithë spektrit politik filluar me PS. A e mbajnë mend qytetarët çfarë përgjigje dha Rama, “kundërshtari” më i madh i Berishës, duke e quajtur atë vazhdimisht si fatkeqësi të kombit ?. Përgjigja e Ramës ishte: Përse të dalim në shesh sot, kur në zgjedhjet e afërme do të fitojmë ?!. Kjo përgjigje është e jashtëzakonshme si politikisht ashtu dhe diplomatikisht dhe mbi të gjitha kundër interesit kombëtar. Sa për mua s’ka pasur më nevojë të studioj lëvizjet e Ramës. Sepse Berisha duhet të ikte për tragjedinë që ndodhi në Gërdec, kur ai ishte kryeministër ( i implikuar ose jo), pra duhej të jepte dorëheqje morale duke qenë kjo humbja më e madhe e tij. Moslëvizja e Ramës kishte natyrë konspirative, aq sa Berisha fitoi sërish. Ndaj sido të lakojë Rama Gërdecin, do të jetë vetëm manierë fiktive dhe mburojë personale. Atëherë bojkoti i deriatëhershëm i Ramës kujt i ka shërbyer?. Domethënë për momentin rihte ujë në havan dhe i shërbente pikërisht periudhës së akullnajave ?!. Pas fitores së Berishës, Rama nuk nguroi të sulmojë me huliganizëm të kontrolluar prej tij Kryeministrinë, ku fatkeqësisht pati dhe viktima. Nuk nguroi të detyrojë “grevë urie” kolektive me burra e gra, deputetë të nderuar të PS, të shtrihen pa teklif para Kryeministrisë përmbi 1 muaj duke deklaruar ai në emër “të uriturve” që nuk do ta pushojë grevën, pa arritur kërkesat e tyre. Befas pas një takimi të përbashkët me Berishën, me europianët tek “Crocodili”, Rama urdhërohet të çlirojë situatën, pra “të uriturit” të shkojnë të ngopur në shtëpitë e tyre. Përjetimi i historisë kryhet vetiu përtej caqeve të jetëve tona personale. Përjetimi i saj bëhet duke u fokusuar të gjithë tek e përgjithshmja, për të kontribuar shoqërisht. Ndaj roli i opinionit publik është vendimtar. Po kjo nuk vjen vetiu, përkundrazi kërkon sakrifica vetjake dhe nën emëruesin “interesi i përgjithshëm”, bëhet faktori më i fuqishëm, të cilit qeveria e opozita duhet t’i falet. Edhe pse bën politikë, rrethanat e opozitës duhet të përafrohen me shpirtin opozitar popullor, i cili nuk bën politikë, por synon prosperitet. Po të dihet, sidomos po të duan të punojnë, vetëm kështu evitohet kulti personal i individëve që kanë këtë qëllim, nëpërmjet superioritetit të principit më të lartë: Kultit të demokracisë. Ndaj suksesi i vërtetë pushtetar nuk është kurrë i përhershëm, kundrejt suksesit madhor të qëndrimit konstant moral e principal. Kështu mund t’i vihet fre pirjeve të errëta të nënvetëdijes së individit, që ka kapur pushtetin, instinkteve të kafshës brenda tij, që mençuria Frojdiane e quan “përçmimi i kulturës”, pavarësisht nga elokuencat e retorikat boshe të tij, për të qorrollepsur më të paditurit, madje për t’i mbajtur detyrimisht në injorancë ata.

Një letër e vjetër për Azem Hajdarin

Bislim-AhmetajNga: Bislim Ahmetaj
Për nisje… Në dhjetëvjetorin e ndarjes tënde fizike prej nesh të pata dërguar një letër publike nga Japonia e largët, e cila u botua në shumë të përditshme më 12 shtator të 2007-s. Sot, pas pesë vitesh, kur e rilexova atë tekst në një web, më mbërthyen emocionet. Ndoshta largësia, nostalgjia e moshës, ndoshta edhe ndryshimet, skutat dhe dredhat e kohës në të cilën kemi kaluar përgjatë këtyre viteve ma shndërruan rileximin e kësaj letre në një ndjenjë malli, por edhe analize të përpjekjeve dhe angazhimeve për vlerësimin e figurës dhe veprimtarisë tënde në ato pak vite jetë aktive në politikë sa ç’të lanë t’i jetoje kundërshtarët e tu politikë, më nxiti ta ridërgoj për botim.
LETRA
Hej mik, vëlla, shok, lider a kryetar, si të duash po të thërras, ti të gjitha i ke, jo vetëm për mua, për shumëkënd në Shqipëri e ngado që flitet shqipja. Ti e meritove këtë emër qysh në ditët e para të dhjetorit ‘90, kur të ndoqëm pa pikën e hezitimit se vetë na the “që për demokracinë kishe vënë në hipotekë dy fëmijët e tu”, e vërteta doli se për demokracinë, Shqipërinë, çështjen tonë kombëtare ti kishe vënë në hipotekë jetën tënde. Por lëre ta harrojmë dhimbjen, bile edhe lavdinë për një çast. S’është ky shkaku që po të shkruaj. Tjetërçka më ka shtyrë të germëzoj. Dua të të kërkoj falje. Jam larg, larg, shumë larg, jam në Lindje, jo në të Afërmen, jo, jo, as në të Mesmen, jam në Lindjen e Largët. Nuk ka më larg se jam, jam në Japoni, në fund të saj, në Obihiro. Desha të të kërkoja falje që nuk t’u gjenda pranë në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike.
Para se të nisesha për në Japoni, i bëra një kërkesë Presidentit të Republikës, zotit Topi, ku i kërkoja që të nderonte liderin e Lëvizjes Studentore (pra, ty) me Urdhrin e Lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ai u përgjigj me gojë dhe me dekret: “Po”. Rruga për në Japoni kaloi nëpër Romë, ku vizitova edhe një herë pothuaj të gjithë krenarinë e Romës. Ngjitur me Fontana di Trevi është Vicola Skanderbeg, në fund të rrugicës sheshi “Skënderbeg” dhe shtëpia e Skënderbeut, e shndërruar në Muze Nacional të Italisë. Shkova edhe te sheshi “Albania”, ku ngrihej madhështor monumenti i Skënderbeut. U ndjeva krenar miku im, prijësi ynë i lirisë, por edhe u trishtova, u ligështova, u ndjeva ngushtë. Ti e çlirove vendin tënd nga prangat e Lindjes ku e kishte mbyll diktatura, ti i prin lëvizjes që u ktheu shqiptarëve Perëndimin. Pse vallë nuk duhet ta kesh një përmendore në më të madhin shesh që ka Shqipëria, pse jo ballë për ballë me Skënderbeun? Ai flijoi vendin e tij për të mbrojtur Perëndimin, krishterimin, ti e ktheve atë te shqiptarët, ti i çele portat e ndryshkura të Shqipërisë drejt Perëndimit.
Shqipëria, vendi yt, i imi, është i mbushur edhe sot e kësaj dite me monumente monstrash që kanë vrarë njerëz. A thua kaq e vështirë është të gjendet një vend dinjitoz siç ti e meriton ku të vendoset përmendorja jote, përmendorja e liderit të Lëvizjes Studentore? Ti tashmë je një monument-kujtim i vlershëm guximi, kuraje, qytetarie. Je një medalje në gjoksin e çdo shqiptari që e do vendin e tij, që e do dhe çmon lirinë dhe demokracinë për veten dhe për të tjerët. Miku im, lideri dhe kryetari im i parë, të betohemi unë dhe gjithë ata që të ndoqën në rrugën tënde të lirisë, se nuk do të lëmë gur pa luajtur që ty të të kthehen të gjitha vlerat dhe vlerësimet që meriton. Miqtë e mi të grupimit “Dhjetor ‘90″ do të t’i bëjnë të gjitha nderet në këtë dhjetëvjetor të mungesës tënde fizike, por edhe unë këtu në Obihiro do të kujtoj me mall dhe dhimbje, miku im, lideri ynë… Azem Hajdari!…
PËR MBYLLJE…
 të mallit e nostalgjisë që më ngjalli rileximi i kësaj letre, të cilën pata dëshirë ta rindaja me lexuesit, mund të konstatoj pa kurrfarë mëdyshjeje se Azem Hajdarit, mikut, vëllait, shokut, liderit, kryetarit e shqiptarit të mirë, në këto 15 vite, si asnjë personaliteti tjetër të jetës politike në historinë moderne të Shqipërisë, i janë bërë të gjitha nderet dhe vlerësimet që mund t’i bëhen një politikani, burri shteti, atdhetari. Ai i ka merituar të gjitha këto nderime dhe sot në këtë 15-vjetor të mungesës së tij fizike eshtrat e tij i mëkoi Nëna Shqipëri. Shpirti i tij i lirë triumfoi mbi çdo lloj gracke e skute ku u munduan ta kurthojnë, mbi çdo lloj intrige, skenarësh dhe izolimi që kanë tentuar ta ngujojnë, sot shpirti i tij i lirë flatron i qetë, krenar e ngadhënjimtar mbi të gjitha hapësirat ku flitet shqipja. Yll ndër yje, atje ku është në qiell sot Azem Hajdari shndrit më shumë se kurrë…

Vdiç shkrimtari dhe avokati i njohur dardan Zeqir Berdynaj (1934-2025)

Zeqir A. Berdynaj, u lind më 6 qershor 1934, në Firzë, ish katundi i Ri i komunës së Pejës.  Shkollën fillore dhe të mesmen e kreu në vendli...