Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/18

“Sahara” në perspektivën e Ismail Kadaresë dhe Vilson Blloshmit.

Nga : Çelo  HOXHA

Një poezi me temë të përbashkët, me të njëjtin titull, shkruar thuajse në të njëjtën kohë, nga dy poetë me fate skajshmërisht të kundërt: njëri vazhdoi të mbetej shkrimtar i nderuar e politikan i niveleve të larta (anëtar i Kuvendit Popullor), kurse tjetri u përzu krejt nga bota me këtë imazh të fundit prej saj: dritën verbuese që prodhuan tytat e pushkëve të togës së pushkatimit.
Poezia “Saharaja” e Vilson Blloshmit, e shkruar në vitet 1973-1974, u lexua vetëm nga autori, ndonjë mik i tij (kjo nuk është e sigurt), hetuesit dhe një mësues letërsie në gjimnazin e Librazhdit, i ngarkuar nga hetuesit, për të shpjeguar përmbajtjen [armiqësore] të saj. Shkretëtira, në këtë poezi, është alegori për një krijesë të vetmuar, “që ka shok veç emrin e saja”, që s’sheh ëndrra, që s’di të ëndërrojë, që bluan vetëm gurë në mendjen e vet, që s’ka këngë për të kënduar, që s’ka miq e shokë dhe trashëgimtarë biologjikë. Shkretëtira e tij është një plagë në shpinë të rruzullit, të cilën s’e vë re askush, dhe që, sipas gojëdhënave, është shpikur “kur i duhej njerëzisë mallkimi”. Ajo nuk shqetësohet për namin e keq të saj, ajo qesh kur e shajnë, gëzohet kur njerëzit grinden me njëri-tjetrin, dhe, kur dikush “mallkon e shfryn e shan”, menjëherë nga skutat e kujtesës së njeriut del në skenë Saharaja, simboli i të keqes, që e kthen në identitet (“shkretëtirë e mbetur shkretë”) vetëm drita e diellit.
Në kushtet që është krijuar poezia dhe duke njohur fatin e autorit, ndonjë mangësi kuptimore, ose sforcim i rimës e ndopak mungesë redaktimi i vargjeve është i kuptueshëm. Vjersha aludon qartë për Shqipërinë e kohës së poetit, i cili ka rrokull thelbin e saj, me metaforën: “plagë mbi shpinë të rruzullimit.” Këtë, pak vite më vonë, “eksperti” Koçi Petriti, do ta kishte interpretuar si një antitezë të sloganit të parapëlqyer të diktatorit: “Shqipëria fanar ndriçues në botë”, por në janar 1977, kur ai bëri “ekspertizën”, Shqipëria nuk ishte prishur ende me aleatin e saj të fundit në botën komuniste e jo komuniste, Kinën.
Poezia e Kadaresë, “Sahara”, 1976, është alegori për një botë që i përket të shkuarës dhe jo tërësisht e përcaktuar me identitet e kufij shqiptarë. Në origjinë, kjo botë ka qenë një perandori pjellore, plot blerim, e cila u braktis nga shirat, flokët e borës (“dhe iknin retë me karvanë”) dhe, rrjedhimisht, nga gjithçka jetësore. Zhdukja e jetës në këtë perandori, e krahasuar me menopauzën femërore, trajtohet si një zhvillim organik, si një proces natyror jashtë kontrollit të njeriut, dhe është në përputhje me dialektikën marksiste të progresit historik. Kjo është pjesa e parë e poezisë. Në pjesën e dytë (çdo pjesë ka tre strofa 4-vargëshe), poezia shpalos botën ku jeton poeti, në qiell, në fluturim, në avion. Duke kaluar sipër shkretëtirës, ai kërkon diçka të gjallë me sytë poshtë, dhe e vetmja gjë që shquan është një këngë e dhimbshme kurbeti: “Mbeçë more shokë, mbeçë”. Perandoria, Ura e Qabesë, shkretëtira, janë koncepte me rezonancë në kujtesën e lexuesit shqiptar: periudha otomane e shqiptarëve. Në pjesën e tretë, flitet për agresione kulturore që “përshkojnë botën skaj më skaj”. Kultura që përfaqëson poeti (normalisht, kultura socialiste), është në betejë me kulturën e një bote që, ashtu si perandoria osmane, ka një urë të famshme: ura e hekurt e Bruklinit (Nju Jork). Dhe, për t’u mbrojtur nga agresioni, përdoren këngët popullore, njëra prej të cilave është ajo për Urën e Qabesë. Poezia mbyllet me një lloj toni militarist, me këngët popullore që rrinë “si karakoll në post të parë”.
Poezitë janë të dyja qartësisht politike, por, të shkruara me qasje të kundërta, në kohën e një regjimi politik që nuk e lejonte diversitetin, është e kuptueshme që poezia Blloshmit ta ketë mesazhin më të fshehur. Por, ama, një gjë është e sigurt, “Saharaja” nuk është një poezi hermetike – me figuracion të vështirë për t’u zbërthyer, siç e ka vlerësuar “eksperti”, një mësues letërsie në një shkollë të mesme në periferi të Saharës. Duke e lexuar poezinë, mjaftojnë pak elementë për të rrokur kuptimin e saj: Saharaja, mallkimi i njerëzimit, vetmia, urrejtja që prodhon, mjaftojnë për të ndërtuar një analogji me diktaturën komuniste e cila e kishte zbritur nivelin e jetës në kufirin minimal të ekzistencës (Sahara), e urryer nga të gjithë jashtë e brenda vendit (mallkimi i njerëzimit), e izoluar nga bota (vetmia) dhe në luftë klasash të përhershme (urrejtja). Edhe figuracionin në vjershën e Kadaresë, megjithëse është në përputhje me frymën politike të regjimit, nëse dikush do të kishte qenë tendencioz, mund ta klasifikonte si hermetik, sepse ai nuk i thur lavde të drejtpërdrejta diktatorit dhe partisë, që për anëtarët e Lidhjes së Shkrimtarëve ishte thuajse normë, por krenohet, në mënyrë alegorike, me botën që ata i kanë krijuar dhe ai po e shijon.

Një poet që e çmon dashurinë si vlerë të ulët

driteroII

Shkruan : Çelo HOXHA

Në 1971, Dritëro Agolli pikasi një të çarë në krijimtarinë e vet dhe kolegëve të tij, diçka mungonte. Sipas tij, nuk mungonte ndonjë gjë e madhe, por vlera e saj ishte mjaftueshëm e rëndësishme për ta detyruar poetin të shpjegohej, për brezat e ardhshëm, e shkrim. Me një vetëdije historike për t’u çmuar, ai e ndjen që vepra e tij dhe e bashkëkohësve do të gjykohet nga pasardhësit dhe për këtë arsye shkroi vjershën “Dy fjalë poetëve që vijnë”.
Ajo që Dritëroi mendon se mungon në veprën e tij (dhe kolegëve) janë vargjet për dashurinë. Poezia për mungesën e dashurisë është një justifikim i një njeriu krenar për atë që ka bërë, por fakti që ajo mungesë i tërheq vëmendjen dhe ulet të shkruaj tregon se sytë e tij kanë ndeshur në boshllëk ngacmues. Periudha pa vargje për dashurinë përfshinë një periudhë dy dekada e gjysmë në historinë e Shqipërisë, me nisje në mbarim të Luftës së Dytë Botërore. Vjersha “Dy fjalë…” është një shpjegim me gjatësi mesatare, e mbushur me fakte pse poetët e kanë lënë dashurinë pas dore, megjithëse, siç mburret autori, ata kishin qenë “dashnorë të marrë”. Shpjegimi duket i sinqertë, pa ndonjë figuracion të ndërlikuar, me qartësinë e një letre të shkurtër ndjese për nipërit. Me sa kuptohet, poetët nuk kanë shkruar për dashurinë, sepse ata nuk kishin të drejtën e zgjedhjes për atë që shkruanin, poezia nuk ishte një shtysë e brendshme, por një punë me osori. Agolli përdor një enumeracion për t’u shpjeguar: “Vendi kërkonte këngë për lirinë”, “vendi kërkonte këngë për bukën”, vendi kërkonte nga ne poetët e shkretë…”
Liria që përmendet në vjershë nuk duhet ngatërruar, sidomos nga ata që nuk e kanë jetuar diktaturën komuniste, me konceptin e lirisë bazuar në të drejtat natyrore të individit. Në kontekstin historik të poezisë, fjala liri ka kuptim e çlirimit të vendit nga një fuqi ushtarake pushtuese. Në krijime të tjera ky koncept gjendet si “këngë për luftën” ose “këngë për çlirimin e vendit”. “Vendi”, në poezi, është metaforë. Ajo që u kërkonte shkrimtarëve çfarë të bënin ishte PPSH, arkitektja e diktaturës. Në një tekst të historisë së letërsisë të njëjtën gjë e gjejmë të shprehur në këto mënyra: “Partia i ka porositur vazhdimisht shkrimtarët që… duke punuar me durim dhe ngulm Partia ka arritur që njerëzit e letërsisë dhe të arteve t’i edukojë… Partia u ka ndihmuar shkrimtarëve që të njohin thellë detyrat që ka zgjidhur dhe po zgjidh shoqëria shqiptare… Partia ka përgjithësuar përvojë artistike dhe ka formuluar përfundime të rëndësishme e me vlerë të madhe për zhvillimin e mëtejshëm të realizmit socialist.” Nuk ka asnjë dyshim se ajo që kërkonte diçka nga poetët ishte Partia, e cila në “Dy fjalë…” identifikohet me vendin, Shqipërinë. Dritëroi shfaqet i sigurt që poetët e ardhshëm do ta pikasin mungesën e dashurisë në poezinë e paraardhësve. Ai nuk thotë “nëse vëreni”, “kur të shikoni”, etj. Ai jep direkt porosinë “mos u çudisni”. Ai është i sigurt, pasardhësit do të ndeshen me boshllëkun. Shqetësimi i tij, në fillim duket sikur përcjell një farë brenge, por vazhdimi i poezisë e rrëzon këtë dyshim. Poeti është shumë krenar. Ai i peshon gjërat dhe e ka bindje se ajo që ka bërë ka qenë më vlefshme se ajo që nuk ka bërë.
Mesazhi që Agolli kërkon të përcjellë është: tema e poemave të tyre ka qenë çështje prioriteti. Shpjegimi i tij është i qartë: “Ne që kemi bërë kaq gjëra të bukura,/ Vallë dy vargje për dashurinë s’mund të kishim grirë… ë?” Dhe vazhdon të thotë se ata kanë dashuruar, u kanë vajzave dhe fjalë të bukura, por nuk kishin kohë që t’i botonin fjalët e bukura. E përveç kësaj, sipas poetit, ata i kishin shtypshkronjat “për gjëra më të larta”. Dashuria, kështu, rezulton të ketë qenë vlerë e nivelit të ulët.Zhvleftësimi i dashurisë njeh nivele më të ulëta kur lexon poezi të tjera. Poezia, ku poeti shpjegon s’ka pasur kohë të shkruajë poezi për dashurinë (që kuptohet për gruan), ka 21 vargje. Në të njëjtën përmbledhje poetike, shtatë faqe më para, gjendet një poezi me 18 vargje, kushtuar dashurisë për një kafshë, me titull: “Lopa”. Aty Agolli është i magjepsur nga lopa, e këqyr si “përtypet në grazhdin e mbushur me bar”, e prek, e përkëdhel, i thur vargje. Kjo poezi ka figuracion që në një kontekst tjetër mund të konsiderohej erotike: “mbështes faqen në shpatullën e saj”, “ndjej nga thellësi e qenies së saj një zjarr”. Objekti ku ai mbështet faqen, qenia që përcjell nxehtësi, është lopa.
Pranë lopës është dhe një mjelëse, por ajo nuk i intereson poetit. Mjelësja (sykaltër, e paqtë) ndodhet aty (në vjershë) thjesht si dëshmitare. Ajo shfaqet vetëm për të konfirmuar dashurinë e poetit për lopën. Ose, siç thotë Agolli, ajo bindet që “unë pa lopë nuk shkruaj dot vargje.” Dashuria e Agollit ka nevojë dhe për një sqarim. Në gjithë poezinë vihet re që autori përmend dashurinë, por, në fakt, ai nënkupton seksin. Termi “dashnor” (“kemi qenë dashnorë të marrë”) është më shumë seksual se sa romantik, ose, më saktë, nuk është hiç romantik. Edhe më tej, qasja e tij ndaj dashurisë është materialiste, seksuale, dëshirë për trupin e asaj, “belkëputurës”. Edhe djegia (“të na kishit parë si digjeshim pranë vajzave që donim”) nënkupton një situatë seksuale. Edhe kur përmend “fjalët e bukura” që (poeti dhe kolegët) u thoshin vajzave, ai ka në mendje një kontekst seksual: “në mbrëmjet e arta”.Dhe, vetëm Dritëro Agollin kam lexuar të thotë që “grij” vargje për poezinë, sikur grin duhan, domate ose sallatë në kuzhinë. Nëse dikujt një sjellje e tij i tingëllon prej zanatçiu, nuk duhet të habitet, shkrimtarët gjatë diktaturës quheshin punëtorë të letërsisë dhe arteve, njerëz që punonin me mëditje. Dashuria, sidomos në poezi, është romantike. Në qendër është njeriu, jo seksi i tij. Kur shikon qasjen që Dritëro Agolli ka pasur për dashurinë, fakti që ai dhe kolegët e tij nuk kanë patur kohë të shkruanin për “dashurinë”, e ka shpëtuar historinë e letërsisë shqipe nga një tufë vjershash pornografike.

Emigracion poetik


astrit_lulushi

Nga : Astrit  LULUSHI
 
Humbja duhet. Pa ‘të njeriu mbetet i njëjtë. Eshtë humbja, si të ishte ndjenjë – megjithëse krijon boshllëk – që e shtyn njeriun të kërkojë të gjejë tjetrën e vetes, qoftë kur humbet vend, send, apo të dashur. “Prapseprapë, jeta vazhdon”, do të thoshte Galileo, po t’a kishin pyetur edhe për humbjen. Jeta është cikël, vjen rrotull, çka e bën të natyrëshme edhe dëshirën për të jetuar sa më gjatë. Kjo përshtypje krijohet kur lexon ‘Balonat e humbura’ – vëllim poetik në anglisht – ‘The lost kites’, nga poeti Betim Muço (Shtëpia Botuese Equinoxes, 2012). “E dua këtë qytet/sa do që përpiqem ta braktis, dështoj” – Tirana (BM). Libri përmbledh krijmtarinë e poetit në mërgim; aty gjen mall, dhimbje, meditim, herë-herë zemërim poeti: “Liria është si bumerang/nëse nuk e hedh si duhet/ kthehet e të godet ty.” – Boomerang (BM) Vërtet, jeta vazhdon, megjithëse jo në vijë të drejtë, sepse kështu do të ishtë tepër e shkurtër, sado e mirë: “Ndonjëherë edhe rruga e drejtë/është e mërzitshme/kur nuk ka alternativë.” – Crossroads (BM) “The lost kites” ndahet në 5 kapituj me tituj mjaft domethënës; të mara së bashku shprehin urtësi; dhe lexuesi fillon rrugën ku guri kilometrik sugjeron tjetrin dhe njeriu cdo ditë mat me ëndrra këtë botë të vogël aspak të përsosur – “Udhë të mbarë!”, uron lexuesit, Marta Muço – bashkëshortja e poetit – bashkëredaktore dhe përkthyesja në anglisht e vëllimit ‘The lost kites’. Libri përmban më shumë se 100 poezi; plot metafora – shumica me burim nga përvoja personale e poetit, por si të tilla – unike – ato pritet t’a fusin lexuesin anglisht-folës në udhë të pashkelur nëpër Ballkan: “djep i lashtë i Botës/që ia ka ënda të përkundet përjetësisht/si fëmijë.” Balkans 

MINISTRAT E KABINETIT TE ISMAIL QEMALIT










Nga: Gezim  LLOJDIA
Qeveria e Vlorës.Numëri i ministrave ishte 10.Raporti midis feve ishte: 5 me 5.Kryeministër I.Qemali musliman,zvkryeministër Dom N.Kacorri katolik. Ky i fundit ishte zv i peshkopatit katolik në Durrës. Asambleja kombëtare e cila shpalli pavarësinë në 28 nëntor ’12 u shpërnda në 7.12.1912.Zgjodhi senatin me 18 anëtarë.Tajar Zavalani e përshkruan kështu në librin e tij: Kongresi zgjodhi nji Senat prej 18 vetësh si hap i parë drejt krijimit të një regjimi demokratik.Por sa ma së pari duhej siguruar njohja e shtetit të ri nga ana e fuqive europiane dhe përkrahja e tyre në nji kohë kur tokat e shqiptarëve po invadoheshin pëllëmbë për pëllëmbë nga ushtritë e huaja. Qeveria kombëtare,njoftoi me telegram fuqive të mëdha se kombi shqiptar kishte marrë ma në fund fatin e tij në dorë dhe kërkonte me u njohtë si shtet i pamvarur dhe neutral.. Ndërkaq, rreziku i invazionit ishte tek dera dhe duheshin mobilizue të gjitha fuqit për të ndalë hovin i ushtrive qi po përparonin nga tre drejtime…
1-Kryeministër ,ministër i punëve të jashtme- Ismai Qemali lindi në Vlorë më 24 janar të vitit 1844, vdiq në Itali më 24 janar të vitit 1919. Ishte udhëheqës i shquar i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe kryetar i parë i Shqipërisë së pavarur. Pasi kreu shkollën fillore në qytetin e lindjes dhe gjimnazin “Zosimea” në Janinë, më 1859 u vendos me familjen e tij në Stamboll, ku u aktivizua në lëvizjen patriotike shqiptare: mori pjesë në përpjekjet për caktimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe për formimin e një shoqërie kulturore shqiptare. Në Perandorinë Osmane pati funksione të rëndësishme administrative dhe u shqua shumë shpejt si personalitet me pikëpamje liberale. Postet e tij i përdori jo vetëm për të ndihmuar lëvizjen çlirimtare të bashkatdhetarëve, par edhe për të lehtësuar sado pak gjendjen e vështirë të popujve të shtypur të perandorisë duke luftuar kundër obskurantizmit e dallimit racor dhe duke përkrahur përhapjen e kulturës e të dijeve shkencore.Kërkesat e Ismail Qemalit për zbatimin e reformave demokratike e çuan në konflikt me rrethet konservatore të Stambollit. U dënua nga Porta e Lartë me internim, të cilin e vuajti për 7 vjet. Në maj të 1900, për t’u shpëtuar ndjekjeve të Sulltanit, u arratis nga Stambolli dhe qëndroi në vise të ndryshme të Evropës, ku vendosi lidhje dhe bashkëpunoi me rrethet politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Ismail Qemali zhvilloi një aktivitet të dendur politik për njohjen e Shqipërisë në opinionin evropian. Ai shpalli botërisht programin e tij autonomist në intervista e artikuj të botuar në shtypin shqiptar të kohës dhe në organe të huaja. Mori pjesë aktive në lëvizjen xhonturke, në krahun përparimtar të saj që ishte për njohjen e të drejtave të kombeve të Perandorisë dhe u hodh kundër xhonturqve kur këta morën pushtetin dhe vendosën diktaturën ushtarake. Në dhjetor të 1908, me gjithë luftën që i bënë autoritetet xhonturke, u zgjodh deputet i sanxhakut të Beratit në parlamentin osman ku, së bashku me grupin e deputetëve patriotë, mbrojti interesat e kombit shqiptar. Në këtë kohë ai kaloi në pozitat më të përparuara duke e konsideruar kryengritjen e armatosur si mjet për sigurimin e autonomisë së Shqipërisë. U dallua si frymëzues dhe organizator i kryengritjeve antiosmane të viteve 1910-1912. Së bashku me L. Gurakuqin e patriotë të tjerë hartoi memorandumin e Greçës të qershorit 1911 dhe në fund të atij viti mori nismën për organizimin e kryengritjes së përgjithshme të 1912. I ngarkuar nga rrethet patriotike të vendit shkoi në Stamboll për ta bindur qeverinë osmane t’u jepte shqiptarëve autonominë. Pas fillimit të Luftës së Parë Ballkanike ndërmori së bashku me Luigj Gurakuqin një aksion të ri politik për të shpëtuar atdheun. Në mbledhjen e Bukureshtit më 5 nëntor 1912 gjeti përkrahjen e kolonisë shqiptare të atjeshme dhe prej andej shkoi në Vjenë ku u takua me personalitete politike austro-hungareze dhe me përfaqësues diplomatikë të Fuqive për të shtruare mbrojtur çështjen shqiptare duke pasur parasysh kontradiktat që ekzistonin midis fuqive. Ai për çlirimin e plotë të vendit. Më 19 nëntor 1912 njoftoi në atdhe se do të shpallej pavarësia nga Kuvendi Kombëtar që do të mblidhej për të vendosur mbi të ardhmen e vendit. U kthye me bashkëpunëtorët e tij në Shqipëri. Në Vlorë kryesoi mbledhjen e Kuvendit Kombëtar që shpalli Pavarësinë e Shqipërisë më 28 Nëntor 1912.Qeveria e kryesuar nga Ismail Qemali, ndonëse në kushte shumë të vështira të brendshme e të jashtme, mori një varg masash në fushën eekonomisë, të ndërtimit shtetëror dhe të kulturës kombëtare që hapnin rrugën e zhvillimit demokratik të atdheut. Mbrojti pranë Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit dhe pranë kancelarive të Fuqive të Mëdha të drejtat e ligjshme të popullit shqiptar, tërësinë territoriale të vendit. Në të gjitha këto veprime Ismail Qemali u tregua burrë shteti dhe diplomat largpamës. Me politikën e tij ngjalli kundërshtimin e rretheve konservatore e reaksionare çifligare si edhe të imperialistëve, të cilët e rrëzuan qeverinë kombëtare të kryesuar prej tij në janar 1914. Vitet e fundit të jetës së tij të kaluara në mërgim Ismail Qemali i përdori në dobi të çështjes shqiptare. Kryeministri kishte 9 fëmijë.6 djem, 3 vajza. Në zyrën e kryeministrit është një foto e tij me 6 djemtë e tij. Në këtë zyra janë kujtimet e tij, që fillimisht u nxorën në dritë nga shqiptarët e Amerikës.
2-Zv kryeministër-dom Nikoll Kacorri Nënkryetar i Qeverisë së Vlorës l9l2. Një personalitet i spikatur i kishës katolike, sekretar i Argjipeshkvisë së Durrësit, me qendër asokohe në Delbnisht të Kurbinit, ku shërbeu për njëzet vjet, duke patur në administrim dhe kishat e famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Ishte monsinjor. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit në vitin 1908, ku u vendos për alfabetin e gjuhës shqipe, përkrah Fishtës dhe personaliteteve të tjera të kohës. Në vitin l909 mori pjesë në Kongresin Kombëtar të Ebasanit, ku u diskutuan probleme të shkollës shqipe. Çdo 28 Nëntor, së bashku me Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin përkujtohet dhe atdhetari i madh Dom Nikoll Kaçorri. U lind në Krejë Lurë në vitin l862 dhe vdiq në Vjenë në vitin l9l7, pas një sëmundje të rëndë në moshën 55 vjeçare. Emri i tij është përmendur rrallë gjatë viteve të komunizmit, duke mos i dhënë vendin që meriton këtij kleriku katolik në panteonin e figurave të shquara të kombit tonë.
3-Ministër i Brendshëm –Myfit Libohova  ose Mufid Bej Libohova, lindi në vitin 1876 dhe vdiq në vitin 1927, ishte politikan shqiptar, ish kryeministër i Shqipërisë si dhe kryerës i detyrave të disa Ministrive në Shqipëri. Myfit Libohova rrjedh nga oxhaku i vjetër i familjes Libohova që për shumë vjet me radhë (afro 300 vjet ) kanë sunduar Janinën. Ky oxhak i ka dhënë Shqipërisë për vite me rradhë shumë njerëz të shquar në politikë dhe në drejtimin e shtetit shqiptar. Mufid bej Libohova është një nga 15 anëtarët e kësaj familje që kanë kontribuar në krijimin dhe mbarvajten e shtetit . Një nga më të rëndësishmit e kësaj familje është pa dyshim Mufit bej Libohova. Ai ka qenë kryeministër i Shqipërisë gjatë një periudhe të shkurtër gjatë viteve 1913 – 1914. Në anën tjetër ai ishte pjesë e udhëheqësish së shtetit shqiptarë për nëntë vite nga viti 1912 e gjer në vdekje si Ministër i Drejtësisë, Ministër i Punëve të Brendshme, Ministër i Financave dhe Ministër i Punëve të jashme. Ishte themelues i Bankës së Shqipërisë. 4-Ministër i Drejtësisë -dr.Petro Poga Lindi në Erind të Gjirokastrës ku edhe ndoqi mësimet e para. Më pas shkollohet në Gjimnazin e Janinës dhe pastaj në degën e Drejtësisë së Universitetit të Stambollit ku fitoi një kulturë të gjerë. Njihte mirë disa gjuhë të huaja si frëngjisht, gjermanisht, greqisht dhe turqisht. Në Stamboll bashkëpunoi me vëllezërit Naim Frashëri, Sami Frashëri, Abdyl Frashëri, si dhe me Jani Vreton, Koto Hoxhin, Shahin Kolonjën, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin. Në vitin 1884 themeloi dhe botoi gazetën “Drita” të Stambollit, që me pas e vijoi botimin patrioti rilindas Pandeli Sotiri. Ne kujtimet e tij, Petro shkruan: “Fletorja Drita e zgjoi idealin e shenjtë Kombëtar dhe ndikoi për çrrënjosjen nga zemrat e shqiptarëve të mendimit që fetë nuk e ndryshojnë kombin, duke mos mundur të ndryshojnë gjuhën dhe zakonet që formojnë Kombin.” Në vitet 1906-1908, Petro Poga gjendet në Gjirokastër ku dha ndihmesën në përhapjen e gjuhës shqipe dhe ndjenjave Kombëtare. Roli i tij më i dukshëm u shfaq në themelimin e Klubit Patriotik “Drita” të Gjirokastrës, të cilin bashkë me të e udhëhoqën atdhetarët Hasan Xhiku, Idriz Guri, Hysen Hoxha dhe Elmas Boce. Në vitin 1912 Petro Poga mbështeti fuqimisht kryengritjen antiosmane të Shqipërisë së Jugut. Në Nëntor të vitit 1912, parësia e Gjirokastrës e zgjedh delegat në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Petro Poga bëhet kështu një nga nënshkruesit eShpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912. Në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Vlorës, Petro Poga caktohet Ministër i Drejtësisë si pjesë e Qeverisë së Parë Shqiptare, post të cilin e mban deri në vitet ’20. Krahas kësaj detyre, Ismail Qemali dhe Qeveria e Vlorës e ngarkuan edhe me detyrën e Kryetarit të Gjykatës së Lartë 1913-1915. Së bashku me avokatët e shquar Taq Tutulani dhe Feim Mezhgorani harton Statusin që shkëputi Gjykatën Shqiptare nga juridiksioni i Perandorisë Osmane. Pas veprimtarisë në Vlorë, shkoi në Durrës ku iu dha posti i Ministrit të Drejtësisë në Qeverinë e Princ Vidit. Më 25 dhjetor, 1918 ishte përfaqësues i Gjirokastrës në Kongresin e Durrësit, ku u zgjodh nënkryetar dhe anëtar i kabinetit të Turhan Pashës. Së bashku me Luigj Gurakuqin në diskutimet e tij në këtë Kongres ata kërkuan të respektoheshin liritë fetare sipas parimeve evropiane. Një pjesë të madhe të jetës Petro Poga ia kushtoi Drejtësisë Shqiptare. Mendja e tij u shfaq edhe në hartimin e Legjislacionit Shqiptar dhe ndërtimit të Kushtetutës së Mbretërisë më 1928. Vitet e fundit të jetës Petro Poga i kaloi në vendlindjen e tij, Erind.
5-Ministër i Bujqësisë- Pandeli Cale,lindi në Korçë. Kreu liceun klasik francez të Aleksandrisë në Egjipt. Në vitet 19001904 punon në koloninë e Bukureshtit. Më 1904 kthehet në Shqipëri. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe Mid’hat Frashërin vuri bazat e Komitetit të Fshehtë Shqiptar në Selanik. Kryetar i shoqërisë “Banda e Lirisë” më 1908. Në shkurt 1909, sekretar i shoqërisë “Lidhja orthodhokse”. Në kryengritjen e përgjithshme të vitit 1910 – 1912 drejtoi çetat e zonës së Korçës. Merr pjesë në mbledhjen e 5 nëntorit 1912dhe si vetëdashës shoqëron Ismail Qemalin për në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912, si delegat i Korçës, firmos manifestine pavarësisë me siglën “Pandeli Cale”. Emërohet Ministër i Bujqësisë, Industrisë dhe Tregtisë. Vitet e Luftës së Parë Botërore kalon në Zvicër, Ukrainë, Bullgari, Francë. Më 1919 kthehet në atdhe. Më 1920 hartues dhe firmëtar i Protokollit të Kapshticës. Më1920 Prefekt i Korçës. Në shkurt 1921 deputet në të parin parlament shqiptar. Vdiq i sëmurë në një spital të Selanikut
6-Ministër i Financave- Abdi Toptani
7-Ministër i Arsimit- Dr Luigj Gurakuqi Luigj Gurakuqi është një nga figurat kryesore të lëvizjes sonë atdhetare dhe demokratike. I përkushtuar tërësisht ndaj çështjes së atdheut, veprimtaria e tij lidhet me ngjarjet më të rëndësishme të kohës. Lindi në Shkodër më 1879. Mësimet e para dhe një pjesë të shkollës së mesme i bëri në vendlindje, pastaj shkoi në Itali. Aty mbaroi kolegjin e Shëmitër Koronës në Kalabri, ku ishte nxënës i De Radës,dhe vijoi studimet e larta në shkencat biologjike në Napoli. Që kur ishte student, bëri emër në shtypin shqiptar si poet dhe publicist (me pseudonimin Cakin Shkodra dhe Lekë Gruda). Më 1908 Gurakuqi u kthye në Shqipëri dhe u bë shpejt një nga udhëheqësit kryesorë të lëvizjes kombëtare.. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit, ishte drejtori i parë i Shkollës Normale të Elbasanit dhe një nga udhëheqësit e kryengritjeve të Veriut (1911-1912). Ai ishte krahu i djathtë i Ismail Qemalit në gjithë atë punë të madhe për shpalljen e Pavarësisë. Më 1916 ishte nga themeluesit e Komisisë Letrare në Shkodër. Në vitet 1921-1923 L.Gurakuqi si deputet i Shkodrës Bashkëluftëtar i F. Nolit, Gurakuqi ishte ndër udhëheqësit më aktivë të Revolucionit Qershorit të vitit 1924. emigroi në Itali, dhe në mars 1925 u vra në Bari.
8-Ministër i Luftës- Mehmet Dërralla. Lindur më 1843 në Gradec të Tetovës, Mehmet Deralla është regjistruar në memorien historike, si një ndër protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Arsimin fillor e mori në Tetovë, kurse atë të mesëm në Shkup .Pas shkollimit në vendlindje, ai ndoqi studimet e larta në Akademinë Ushtarake të Stambollit, të cilat i përfundoi me rezultate të shkëlqyera.. Pas diplomimit do të shërbente për disa vite në një regjiment këmbësorie në Anadolldhe njëherazi, atij do t’i jepej e drejta për të ndjekur shkollën e lartë të Shtatmadhorisë në Stamboll, që ishte niveli më i lartë i arsimimit ushtarak në Turqi. Suksesi në karrierë falë aftësive dhe shkallës së lartë të përkushtimit në të gjitha detyrat e ngarkuara, do ta bënin Mehmetin që në moshën 35vjeçare të përligjte kualitetet e titullit të “Pashait”, që nënkuptonte atë të gjeneralit. I graduar kështu me gradën më të lartë të kohës do të niste nga detyrat e reja që do t’i besonte komanda e lartë, fillimisht si komandues xhandarmërie në Bagdad të Irakut dhe, më vonë, në Halep të Sirisë për t’u transferuar më tej në Selanik, i cili në atë periudhë përfaqësonte një nga portet më të rëndësishëm të Perandorisë Osmane në Ballkan. Prej Selanikut Mehmet Pashë Dërralla, do të merrte emërimin në vilajetin e Kosovës për të shërbyer në kryeqendrën e tij, në Shkup për të vijuar më vonë në funksionin e komandantit të qarkut të Prizrenit në të cilin bënte pjesë edhe Tetova, Gjakova dhe Luma. Pikërisht me këtë detyrë gjeneral Dëralla, do t’i jepte fund karrierës si oficer i Ushtrisë osmane. Më tej, për të fillon një karrierë tjetër, me një profil të ri. Ai në shenjë proteste hoqi spaletat dhe yjet e gjeneralit të Ushtrisë turke dhe iu përkushtua çështjes kombëtare. Pas këtij momenti gjenerali u vu në dispozicion të Ushtrisë Vullnetare të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Jemi në kohën kur Lëvizja Kombëtare Shqiptare kulmonte një moment historik. Mehmet Pashë Dërralla u caktua këshilltar i Sulejman Vokshit, i cili bënte detyrën e ministrit të Mbrojtjes të kabinetit qeveritar, Në të njëjtën linjë vazhdon aktiviteti atdhetar i Mehmet Dërrallës edhe pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit nga ushtria osmane e dërguar nga Stambolli. Prej këtij momenti trishtues, gjenerali Dërralla do të kontribuonte në Lidhjen e Pejës. Janë përpjekjet e personaliteteve shqiptare të vitit 1899, të cilët në drejtimin e Haxhi Zekës, ndërmorën aksionin për të realizuar atë që nuk mundi ta bënte Lidhja e Prizrenit. Sidoqoftë përballë taborëve osmane, kjo lëvizje detyrohet të dështojë. Në këtë krizë Mehmet Pashë Dërralla u kap nga forcat okupatore dhe u internua në shkretëtirat e Irakut prej nga u kthye aty nga viti 1908, falë një amnistie të përgjithshme, që u dha pas kryengritjes xhon-turke. Në situatën e mëvonnshme Mehmet Dërrallës, ju ofrua një funksion i lartë në ushtrinë osmane, por aie refuzoi prerazi, duke vënë në dukje se, tanimë i përkiste tjetër kauze që kishte të bënte me idealin kombëtar. Roli i Mehmet Pashë Dërrallës në organizimin dhe drejtimin e kryengritjeve të mëdha të Kosovës të viteve 1910, 1911 dhe 1912. Ishin këto beteja që kulmuan me atë të verës së vitit 1912, e cila shënoi marrjen e Shkupit, ish- qendrës së vilajetit të Kosovës. Kryengritësit shqiptarë, tashmë tronditën tërë mjedisin ballkanik, në të cilin faktori shqiptar filloi të bëhej dominant. Në fokusin e lëvizjes së tyre u vendos në këtë periudhë shpërfillja e hegjemonizmit të shteteve fqinje siç ishte, Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, të cilat prej kohësh investonin për strategjinë e tyre që kishte të bënte me mohimin e ekzistencën e kombit shqiptar, në mënyrë që të zgjeronin teritoret e tyre. Gjenerali Dëralla ishte një nga protagonistët kryesorë të qëndresës shekullore përballë sulmeve serbo-malazeze, të cilat synonin pushtimin e Shqipërisë veriore. Nën komandën e tij, luftëtarët shqiptarë i gozhduan forcat serbe në hapësirën ndërmjet Drinit të Bardhë e Drinit të Zi
 9-Ministër – Punëve Botore -Mit’hat Frashëri.Ai lindi më 25 mars 1880 në Janinë; vdiq më 3 tetor 1949 në New York, SHBA. Ishte i biri i Abdyl Frashëritdhe nipi i Sami Frashërit dhe Naim Frashërit. Ai e njohu shumë pak babain e tij dhe u rrit nën kujdesin e Samiut dhe Naimit. Edukimin akademik e mbaroi në Stamboll. Pas mbarimit të shkollës, deri në vitin 1905, punoi në administratën turke dhe më pas kaloi në Selanik, në administratën shtetërore. Në 4 prill 1929 Mit’hat Frasheri në testamentin e tij i lë shtetit shqiptar pasurinë e tij, të tundshme dhe të patundshme me qëllim krijimin e një instituti albanologjik në Tiranë, i cili do të merrej me studime në fushën e historisë së Shqipërisë. Filloi të aktivizohet në politikën shqiptare që në fund të shekullit XIX. Një nga figurat më të spikatura në politikën shqiptare në gjysmën e parë të shekullit XX. Në vitin 1908, ai fillon botimin e gazetës “Liria” në Selanik. Gjatë kësaj periudhe bashkëpunon ngushtë me Kristo Luarasin, i cili drejtonte shtypshkronjën/shtëpinë botuese “Mbrothësia”. Ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i njohur ndryshe edhe me emrin Kongresi i alfabetit me 14 nëntor- 22 nëntor 1908. Mit’hat Bej Frashëri u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i Komisionit të hartimit të alfabetit (kryetar i Komisionit ishte At Gjergj Fishta). Në moshën 32-vjeçare largohet përfundimisht nga Stambolli dhe udhëton për në Shqipëri duke kaluar nga Kosova në Shkup dhe pastaj në Elbasan. Në vitin 1912, në qeverinë e pavarësisë të krijuar nga Ismail Qemali ai zgjidhet ministër i botores. Më 30 mars 1913, ai jep dorëheqjen nga detyra. Ai mirëpriti ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri dhe ndihmon në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Pas largimit të Princ Vidit, Mit’hat Frashëri largohet nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete të Ballkanit. Në vitin 1916 vendoset në Bukuresht ku arrestohet nga policia dhe internohet në Moldavi. Në vitin 1918, me mbarimin e Luftës së Parë Botërore, lejohet të largohet dhe vendoset në Lozanë, Zvicër. Aty ai i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. Në promemorie ai deklaron “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufinjve në Ballkan”. Në vitin 1920 ai vendoset në SHBA. Kthehet në Shqipëri në vitin 1922. Në janar 1923 fillon detyrën e Ministrit Fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Athinë. Këtë detyrë e kreu deri në dhjetor 1925. I zhgënjyer nga zhvillimet politike në Shqipëri ai jep dorëheqjen dhe deklaron largimin e tij nga aktiviteti politik. Në vitin 1927, fillon të botojë në Tiranë, revistën Dituria dhe themelon librarinë Lumo Skëndo. Në vitin 1939, pas pushtimit të vendit nga Italia fashiste vendos të rikthehet aktivitetit politik. Në vitin 1941, ai është ideologu kryesor dhe një nga themeluesit ePartisë Nacionaliste, e njohur më shumë me emrin Partia e Ballit Kombëtar. Kundërshtar i Partisë Komuniste të Shqipërisë, u detyrua në nëntor 1944, të largohet nga Shqipëria dhe të vendoset në Itali. Gjatë një udhëtimi për në Nju Jork, SHBA ai vdes si pasojë e një ataku kardiak.
10-Ministër i Postëtelegrafës -Lef Nosi.I lindur në Elbasan më 9 prill 1877, u arsimua fillimisht në vendlindje e më pas në Athinë. Megjithëse nuk i përfundoi studimet e larta për farmaci (kreu vetëm 2 vjet), pas kthimit në qytetin e tij, iu kushtua me zell punës për njohjen e  gjërë dhe të thelluar të historisë dhe të kulturës shqiptare. Më 1909, ai u zgjodh kryetar i Klubit “Vllaznia” në Elbasan, në të njëjtin vit themeloi shoqërinë “Afërdita”, një vit më vonë, botoi gazetën “Tomorri”. Ai ishte një nga figurat qendrore që kontribuan në organizimin dhe zhvillimin e Kongresit Arsimor Kombëtar të Elbasanit (tetor 1909) si edhe të çeljes të së parës shkollë normale në vend (1 dhjetor 1909). Ishte nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit, krijuesi i filatelisë shqiptare, Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në periudhën e Qeverisë së Fan Nolit.Iu përkushtua gjurmimit të dokumenteve historike, materialeve folklorike, etnografike, botimeve me vlera albanologjike, u shqua si arkivist, folklorist, etnograf, numizmat, arkeolog etj. Botoi fletoren “Dokumente historikë” dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912, me rastin e 25- vjetorit të asaj ngjarjeje Në tetorin e vitit 1943, ishte anëtar i Këshillit të Regjencës, për shkakun e të cilës u quajt “kolaboracionist”, gjë që u shfrytëzua nga pushteti i pasluftës, nga regjimi komunist që e ekzekutoi me pushkatim më 1946. Qeveria e Vlorë filloi funksionet në datën 4.12.1912.Punoi deri në 22 janar 1914. 7 ditë është regjistruar kohëzgjatja e kuvendit të Vlorës,me fillesë 28 nëntorin,por brenda këtij intervali,data 5 s’ka ndonjë aktivitet. Ministrat ishin të shkolluar në shkollat e Romës,Vjenës,Stambollit,Athinës.Mehmet Pashë Dërhalla, ministër i luftës ishte gjeneral. Në këtë kuvend, nuk kanë marrë pjesë patrioti Hasan Prishtina,saktëson cicëroni dhe Idriz Seferi. Ata ndodheshin të izoluar në burgkalan e Beogradit,si elementë të rrezikshëm. Nga historianë të kohës së dikaturës është cituar se këta persona kanë qenë prezentë në Vlorë, ndërsa faktet që disponojnë në këtë muze flasin për të dhëna të tjera. Isa Buletini mbriti me vonesë për shkakun e pritave, që i kryenin rrugës.Por erdhi plot me 400 trima,të zgjedhur, që formuan gardën nacionale. Në këtë ndërtesë janë zyrat e Lef Nosit,Mehmet Dërhallës, Luigj Gurakuqit,salla e kabinetit ministror,ku mblidhej qeveria e Vlorës.Gazeta e Qeverisë së Vlorës, e para e  shtetit shqiptar është:Perlindja e Shqipëniës”,botim i Qeverisë së Vlorës,nxori dritëzën e parë në gusht,viti 1913 deri në 26 mars 1914. Në këtë gazetë zyrtare fillimisht kryeredaktor ishte Dhimitër Berati, kontribuoi publicisti M.Grameno i thirrur urgjent nga Vlora ai mbriti aty rreth 2 dhjetorit. Largimin e Esat Pashës i pakënaqur nga vendi i ministrit të punëve të Brendshme ,Grameno i përgjigjet tek “Pëlindja…Shqipëria pasha do të bëhet për shqiptarët gjithë të krishterë e muhamedanë edhe edi fort bukur,që s’bëhet Turqi e vogël…”. Në këto zyra gjenden dokumente origjinale. Zyra e kryeminstrit I.Qemali ka karrigen,tavolinën e punës,raftet e librave. Një foto origjinale I.Qemali dhe qeveria në ballkon,poshtë populli duke pritur me ankth vendimet e konferencës së ambasadorëve në korrrik ’12. Në fillim citon udhërrëfyesi, ministrat punon nëpër shtëpitë e vlonjatëve. Ministri i arsimit L.Gurakuqi e kishte zyrën tek shkolla Nr 1,mes nxënësve. Kur shkonte dhe kthehej,minsitri takonte nxënësit. Në kuvendin e Vlorës u zgjodh edhe senati me 19 veta më kryetar Vehbi Dibrën. Përbërja e delegatëve të kuvendit të Vlorës:14 delegatë ishin nga Kosova,4 nga Camëria,6 nga Vlora,7 Elbasani,12 Durrësi,4 Korca,11 Dibra,4 delegatë nga kolonitë shqiptare jashtë vendit.

Nga Armand Plaka-Letërsia e huaj dhe përkthimet

Nëse sot je mbi 30 vjeç, lehtësisht mund të kujtosh emisionet për mësimin e gjuhëve të huaja që nisën të transmetoheshin në TVSH, kanali i vetëm televiziv në vend, duke ia nisur me anglishten e frengjishten, e më pas duke vijuar edhe me gjermanishten e italishten. Ky trend, në fakt vijoi edhe përgjatë viteve të para pas ardhjes së demokracisë. Por jo vetëm kaq. Mësimi i gjuhëve të huaja tashmë pas vdekjes së diktatorit, kishte marrë përmasa realisht të konsiderueshme edhe përmes mësimit autodidakt, apo mësimdhënies në ambiente private kundrejt pagesave nën dorë. Ndërsa shteti tashmë mbyllte “me stil” njërin sy, lagjeve e blloqeve të banimit nëpër qytete, vijonin të gëlonin “kalecë” të zellshëm të ish-regjimit, që në ndonjë rast mund të jenë habitur me tolerancën apo mosdashjen e regjimit për t’i ndëshkuar “mëkatarët”.

libra
Ndërkohë, fenomeni kishte rënë në sy me kohë edhe tek mediat e huaja, të cilat në një konstatim të vitit 1988, shkruanin se: Studimi i gjuhëve të huaja aktualisht po promovohet gjerësisht në radhët e opinionit publik shqiptar, ku në të shkuarën vetëm një sasi e pakët të përgjedhurish janë lejuar të mësojnë. Në të njejtën kohë, përkthimi i letërsisë së huaj po inkurajohet. Vëmendja në rritje që po u jepet atyre, është në linjë me rritjen e kontakteve që vendi komunist po synon me botën e jashtme (shih: “Foreign Languages and Books Win Favor in Albania”, RAD Background Report / 163 ALBANIA, 22 Aug. 1988, By Louis Zanga). Në fakt, shqiptarët, edhe në një pikëpamje historike kanë shfaqur e vijojnë të shfaqin interes të veçantë për mësimin e gjuhëve të huaja. Mjafton të përmendim se italishtja për shembull, sidomos në kohë të caktuara (sigurisht edhe sot e kësaj dite) perceptohet ndër shqiptarët si një gjuhë, e cila përthithet ndoshta pa iu nënshtruar domosdoshmërisht asnjë seance të mirëfilltë mësimore, duke hasur në një masivitet të konsiderueshëm. Sidoqoftë, ky trend ishte shumë i përhapur në fundvitet ’80 e fillimvitet ’90, për t’ia lënë vendin apo zgjeruar me gjuhë të tjera që u mundësuan pas ardhjes së demokracisë e lëvizjes së shqiptarëve në vendet e huaja.

Ismail Qemali, e nisi si përkthyes
Qysh në kohët e hershme, nën sundimin romak, bizantin, venedikas, apo osman, shqiptarët kishin shfaqur aftësi të veçanta, duke u rekrutuar shpesh jo vetëm si luftëtarë e nëpunës të zotë, por edhe si mendimtarë, e në këtë kontekst edhe si përkthyes. Mjafton të kujtojmë fazat e para të angazhimit zyrtar në shërbim të Perandorisë osmane të Babait të shtetit shqiptar, Ismal Bej Vlora, i cili, duke pasur bagazhin e duhur gjuhësor e intelektual, shërbeu si përkthyes i disa gjuhëve të huaja në Ministrinë e Jashtme osmane, para se t’i nënshtrohej një karriere brilante që e katapultoi atë me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, në postin e Kryeministrit të parë të vendit.

“Fenomeni” ndër shqiptarët gjatë historisë
Nësë hidhemi më afër në kohë, aftësitë e shqiptarëve për të mësuar e zotëruar gjuhë të huaja, na i rrëfejnë më së miri edhe raportet, apo artikujt e shkruar nga korrespondentë e udhëtarë të huaj në viset shqiptare, ku rëndom përmendet fakti se në vitet ’20, për shembull, në Korçë “…gjithandej mund të dëgjosh anglisht, pasi thuajse çdo i rritur i familjeve korçare ka qenë në Amerikë“ ( shih: “A New Nation In An Old World”, Scribner’s Magazine, by Viola Paradise and Helen Campbell, Feb. 1923). Po aty, konstatimi bëhet edhe më evident, ndërsa theksohet se: Shqiptarët kanë një dhunti për gjuhë të huaja. Pajisja me turqisht, greqisht dhe serbisht, bullgarisht apo rumanisht, alternativë ndaj shqipes, është e zakonshme. Mes atyre që kanë pasur mundësinë të kenë një edukim të huaj, frëngjishtja, gjermanishtja dhe italishtja – shpesh të trija sëbashku – përbëjnë kanale interaktive të komunikimit. Shqipëria nuk e ka përzier urrejtjen me gjuhët e huaja, siç bëjnë shpesh kombe të tjera. Ajo i edukon të rinjtë e saj në Itali, Francë e Austri, të gjitha këto vende të cilat kanë qenë dikur pushtuesit e saj. Shumë shqiptarë lexojnë në persisht, duke e renditur atë si njëra ndër gjuhët e tyre klasike.
Këto tendenca vijuan (sigurisht se ndërkohë, numri i atyre që njihnin turqisht, osmanisht, persisht e arabisht, sa vinte e ulej) e madje u konsoliduan edhe më tej gjatë monarkisë shqiptare e viteve të Luftës së Dytë. Në një esé kritike rreth çështjes së botimeve në gjuhën shqipe, në vitin 1944, Muzafer Pipa shkruante diku se: Është koha kur libri sjell fitim! O burra! Të rrokim penët! E mbijnë atëherë veprat si kërpudhat pas shiut! Përkthimet morën dhenë. Kush është ai që nuk e njeh një dreq gjuhe moderne? E kush është ai i marrë që nuk përkthen ndonjë send? (shih: „Frenezia e Botimeve“, Revista Fryma, Nr. 4, 1944, fq. 151-154).

Rusishtja si “lingua franca
Në vitet e Pasluftës,  u has një tendencë e re në mësimin e gjuhëve të huaja, ku si trend kryesor u vu re ai i mësimit të rusishtes (mos harrojmë se për pak kohë madje, pati nisur të futej në shkollat shqiptare edhe mësimi i serbokroatishtes), një risi kjo për shqiptarët, por jo për kohën, kur gjysma e botës tashmë kishte rënë nën ndikimin sovjetik e ku “gjuha e Leninit” kishte marrë të drejtën e qytetarisë, duke shërbyer si gjuha bazë e komunikimit mes vendeve të ish-Demokracive Popullore. Interesant është fakti se rusishtja vijoi të mësohej e ushtrohej me prioritet deri në rënien e komunizmit në Shqipëri, duke u shoqëruar ndoshta paralelisht nga frëngjishtja, e cila gjithsesi duhet thënë se mbeti deri në fund, një domen i inteligjencës moniste shqiptare, pa mundur dot të depërtonte në masat e gjera.
Fati i saj, me ardhjen e demokracisë, ka njohur madje vazhdimisht një kurbë në rënie, pavarësisht se prezenca e departamentit përkatës në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, ajo e Aleancës Franceze dhe anëtarësimi “pro forma” i Shqipërisë në Klubin Ndërkombëtar të Frankofonisë, kanë tentuar në dukje ta pengojnë atë. Në periudha e kontigjente të caktuara, tendenca, ose le të themi më mirë, orientimi, zhvendosej paksa edhe nga italishtja e anglishtja, në terma publikë e masivë, pasi sigurisht gjuhët e fqinjëve apo ajo arabe, kineze, spanjishtja etj, i nënshtroheshin trendeve të veçanta. Sidoqoftë, ndryshe nga të gjitha kohërat e tjera, mësimi i gjuhëve të huaja tashmë orientohej më shumë nga e ardhmja dhe interesat ekonomike, duke përdorur nuhatjen që diktonte kthesa radikale. Kështu nisi të eksperimentohej në vitet ’70 e ’80 me çeljen e degëve të reja në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, të cilat jo gjithmonë kishin jetëgjatësi e vijimësi.

Vitet ’80 dhe gjuhët e huaja
Në gjysmën e dytë të viteve ’80, shtypi shqiptar raportonte në formë avokatie për trendin që po përhapej në mësimin e gjuhëve të huaja nëpër shkollat shqiptare të kohës.  Patjetër,  si “mbrojtje” e mirë ideologjike përdorej thënia e Marksit, “një gjuhë e huaj është një armë në luftën e jetës”. Të tjera masa për promovimin e këtij trendi ishin edhe konkurset mes shkollave të mesme e gjimnazeve në promovimin e anglishtes e frëngjishtes. Gjithashtu, edhe promovimi i Shqipërisë në dokumentarë të ndryshëm shoqëruar me komente në gjuhën angleze, i shërbenin në dukje këtij qëllimi ( Shih: Gazeta “Mësuesi”, 22 mars 1988). Po në këtë kohë, “Zëri i Popullit” publikonte një artikull që bënte fjalë për kërkesën e madhe që reflektohej në popull për hartimin dhe shitjen e fjalorëve dygjuhësh. Kështu, sipas organit të ish-Komitetit Qendror të PPSH-së, në (shih: Zëri i Popullit, 31 korrik 1988) shkruhej se përgjatë 15 viteve të fundit, ishin botuar gjithsej 25 fjalorë dygjuhësh me nga 50.000 fjalë secili. Po kështu, gazeta konstatonte se ishte e vështirë të gjendej në librari ndonjë kopje e fjalorit frëngjisht-shqip që ishte botuar tashmë 10 vjet më parë dhe se kur një fjalor anglisht-shqip ishte futur në treg 7 vjet më parë, 8.000 kopjet e tij, ishin shitur brenda pak ditëve. Ndërkohë, 15.000 kopjet e fjalorit italisht-shqip botuar së fundmi në atë kohë, dhe 25.000 kopjet e fjalorit tjetër të botuar vetëm dy vjet më parë, anglisht-shqip, ishin mbaruar pak ditë pas daljes në treg. Nga ana tjetër, edhe një fjalor gjermanisht-shqip (botuar në 15.000 kopje) po shitej me shpejtësi, sikurse edhe disa doracakë bisedimorë anglisht-shqip e gjermanisht-shqip. Interesant është fakti se tashmë theksi po shkonte gjithnjë e më shumë drejt gjuhëve perëndimore dhe megjithëse rusishtja vijonte të ishte akoma gjuha numër 1, e cila mësohej në sistemin arsimor shqiptar, fakti se fjalori i fundit rusisht –shqip, (përveç njërit mbi terminologjinë teknike, me 50.000 fjalë), i botuar tashmë para 35 viteve, në vitin 1954, me 25.000 fjalë, fliste më së miri për këtë fenomen.

Letërsia e huaj dhe përkthimet
Rritja e interesit për mësimin e gjuhëve të huaja, kryesisht atyre të mëdha perëndimore, tashmë po shoqërohej vrullshëm edhe nga rritja e përkthimeve nga letërsia e huaj. Në një takim të zhvilluar me përkthyes të letërsisë së huaj, që e organizonte në Tiranë organi i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë, “Nëntori”(shih: Revista Nëntori, Maj 1988), ish-kreu i saj, Prof. Dhimitër Shuteriqi, theksonte se letërsia, filmat etj, duhej t’u vinn në ndihmë individëve për t’u lidhur e përshtatur më mirë me njerëzit e kombeve të tjera. Ka pasur një kohë, theksonte Shuteriqi, kur letërsia e huaj, sidomos veprat bashkëkohore, ishin lënë vërtet pas dore. Gjatë dy viteve të shkuara janë bërë përpjekje për ta mbushur këtë vakuum, por se për këtë duhej të viheshin në punë më shumë përkthyes. Përveç përkthimeve nga anglishtja, frëngjishja, italishtja, gjermanishtja, spanjishtja, etj, tashmë, sipas tij, kishte ardhur koha të zbuloheshin edhe letërsia amerikanolatine, ajo arabe dhe ajo irlandeze, duke e renditur këtë të fundit si njëra nga letërsitë më të moçme e më me tradita. Po kështu ai ngrinte lart rëndësinë e letërsisë gjermane që rrënjët e saj – sipas tij – i kishte qysh nga koha e Martin Luterit e ajo e humanizmit europian, e duke vijuar me atë bashkëkohore. Në këtë kontekst, Prof. Shuteriqi bënte thirrje për një ngritje profesionale të përkthyesve tanë. “Gjërat duhet të ndryshojnë, pasi, aktualisht ne kemi, pak, shumë pak, përkthyes kompetentë”. Ai bënte nga ana tjetër rekomandimin që pas rreth 12 vitesh punë teorike në nxënien e gjuhëve të huaja nga studentët shqiptarë, ata të dërgoheshin jashtë në vendet përkatëse për të thyer veshin e rritur performancën profesionale.
Nga ana tjetër, Robert Schwartz, ish-përkthyesi i ndjerë i letërsisë gjermanike, thoshte se ai ishte plotësisht dakord me shqetësimin që ishte bërë prezent në takim dhe se këto gjëra duhej ndoshta të ishin bërë qysh 10 apo 20 vjet më parë. Herë pas here rezulton që ish-diktatori komunist Enver Hoxha të ketë bërë kërkesë për rritjen e numrit të përkthyesve nga gjuhët e huaja, porse trendi më shumë ishte ai i përcjelljes së veprave të letërsisë shqipe e atyre me përmbajtje ideologjike, ku pikësëpari renditeshin vetë veprat e Hoxhës, drejt gjuhëve e vendeve të huaja, se sa e kundërta. Sipas perceptimit publik e vlerësimeve të shumë dëshmitarëve të kohës dhe autorëve të huaj, sigurisht se Hoxha vetë kishte një adhurim për letërsinë e huaj, por kjo e limituar ndoshta vetëm tek klasikët grekë dhe ajo franceze e shekullit të 19-të apo ajo e fillimshekullit ’20.

Gjuhët e huaja dhe përkthimet sot
Me ardhjen e demokracisë, sigurisht se të mësoje tashmë një gjuhë të huaj, jo vetëm që nuk përbënte më asnjë rrezik, por ishte një “armë”, të cilën, me shumë gjasa do të gjendej rast ta përdorje në çdo rast. Në aspektin masiv, vendin e rusishtes e frëngjishes tashmë e kishin zënë italishtja e anglishtja, duke u pasuar nga gjermanishtja, e cila ka njohur rritje në terma relativë, sidomos në moshat e reja përgjatë 20 viteve të fundit. Po ashtu një trend modern e me kahje sidomos femërore, është edhe ai i spanjishtes, i cili po tenton të rritet kohët e fundit, falë edhe përpjekjeve të institucioneve të promovimit gjuhësor të shtetit spanjoll e më gjerë. Ndërkohë, rritje ka pësuar edhe mësimi i gjuhës greke, porse duhet theksuar se kjo, e lidhur veçanërisht me kontigjentet që shkojnë e vijnë në Greqi, si emigrantë ekonomikë, duke prekur kësisoj trupa shumë të vogla njerëzish e individësh që e mësojnë atë, nisur nga interesa thjesht studimorë dhe pavarësisht prezencës prej vitesh të departamentit të gjuhës greke në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë, apo institucioneve të tjera minore të arsimit publik e privat që e ofrojnë këtë mundësi.
Në terma profesionalë, përkthimet nga letërsia apo botimet në gjuhë të huaj, kanë njohur një bum të vërtetë, por e gjitha kjo ka shkuar në kurriz të cilësisë, për të cilën është folur e debatuar shpesh në publik. Në fakt, vlerësimin më eksplicit dhe më kritik në lidhje me aftësinë e shqiptarëve për të mësuar gjuhë të huaja, e ka bërë studiuesi Robert Elsie, i cili vite më parë, përpos nxjerrjes në pah të aftësisë së shqiptarëve për të mësuar gjuhë të huaja, ka kritikuar hapur mungesën e përkthyesve të thelluar që do mundësonin kësisoj përcjelljen e veprave të letërsisë bashkëkohore shqipe në gjuhë të huaj. Nga ana tjetër, ai ka kritikuar orientimin e kohës së monizmit për t’ia ngarkuar këtë rol, vetëm shqiptarëve (madje në shumicën e tyre, ish-të burgosuve politikë) e shumë pak e thuajse aspak të huajve, të cilët sigurisht se duke ardhur nga jashtë, do të njihnin më mirë gjuhët e tyre përkatëse (shih: “Nuk bëhesh i famshëm vetëm kur përkthehesh jashtë“, revista “Ars”, Tiranë, 26.10.2003, f. 22.)
Niveli i përkthyesve (por jo sasia) dhe ndonjëherë edhe shpërblimi i tyre, liçensimi, ndërthurur me një sërë problemesh të tjera që vijnë si pasojë edhe tendencave aktuale të tregut të lirë, apo edhe e shkaqeve e fenomeneve të tjera të veçanta që mbart ndoshta vetëm Shqipëria, bashkë me krizën në tregun e librit, kanë bërë që paradoksalisht, thirrja e Prof. Shuteriqit për rritjen e nivelit të përkthimeve në vitin 1988, të tingëllojë aktuale, sot më shumë se kurrë më parë.
*Përkthyes, studiues

Entela Resuli-‘Më tmerron ideja e “gllabërimit” të qytetit nga njerëz me pushtet’

Një këngëtare që shkruan një libër, dhe çfarë libri do të thoni ju. Një libër për arkitekturën dhe urbanistikën. Ajo është Eliza Hoxha. Vajza bionde nga Prishtina është pedagoge e Arkitekturës në këtë qytet. Pas disa vitesh eksperiencë, disa muaj më parë ajo nuk publikoi një album, por me një… libër mbi urbanistikën. Sot është Dita Ndërkombëtare e Arkitekturës dhe ne zgjodhëm të flisnim me Elizën për problemet e qytetit. Në fakt, asnjëherë nuk kishim intervistuar një këngëtare që shkruan, dhe përveç zërit është e mprehtë edhe në penën e saj. Si një personazh që i njeh mirë notat muzikore ajo po ashtu njeh mirë edhe qytetin dhe zhvillimin e tij. Sot, kemi folur me Hoxhën, jo për këngën e saj më të re, por kemi bërë me të një bisedë dhe “ecje” nëpër qytet. Veçanërisht në Prishtinë dhe Tiranë. Ajo na ka shpjeguar pikat e dobëta të qytetit të saj të lindjes dhe ato të forta. Nuk ka guxuar shumë të flasë për Tiranën, pasi nuk pretendon se e njeh mirë, por edhe për kryeqytetin tonë ka një mendim prej “specialisteje”. Për të gjithë ata që e njohin Elizën si këngëtare duhet të dinë që nuk është ky profesioni i saj primar, por arkitektura. Ajo prej vitesh jep mësim në universitet, duke pohuar se ndihet mirë në këtë punë dhe është më se e lumtur. Më poshtë një rrëfim i Elizës brenda botës së një qyteti.

elizaa

Eliza, sot do të flasim me ju për qytetin, por ju vetë disa muaj më parë keni botuar një libër për të, apo jo ?

Po, ishte libri im i parë autorial, por që vitin e kaluar bashkë me një kolegun tim sollëm në jetë librin “Hoë to turn a place around” (Si ta ndryshojmë një vend) në shqip. Libri “Qyteti dhe dashuria” në fakt është përmbledhje e një pune të vazhdueshme të bërë ndër vite nga 2007 deri në 2011. Janë këto kolonat e mia javore të shkruara nën kornizën “ditar urban” dhe të botuara në gazetat ditore kosovare si: “Express”, “Koha ditore”, “Zëri”.



Dhe gjatë kësaj periudhe, çfarë ju ka shqetësuar si urbaniste dhe që iu ka bërë të shprehni në gazetat që përmendët?

Shkrimet “ditar urban” në librin “Qyteti dhe dashuria” flasin për dimensione të ndryshme të jetës në qytet. Duke qenë të tilla ato janë grupuar më pas brenda librit në tre kapituj dhe jo në radhitje kronologjike sipas kohës kur janë botuar, por në bazë përmbajtjes tematike. Kapitulli i parë “qyteti dhe identiteti” përmbledh shkrime që flasin për historinë e qytetit, trashëgimin e tij, identitetin e humbur në rrugën e shfytyrimit dhe zhbërjes së qytetit të vjetër, si dhe për elementet e reja identifikuese në Prishtinën e tranzicionit sidomos ato fizike si, prodhim i trendëve të reja, mendësisë dhe kulturës lokale, dinamikës së rrjedhjes së parasë pas luftës në Kosovë dhe të tjera. Kapitulli i dytë “qyteti i premtuar”, flet për qeverisjen lokale, premtimet e bëra, premtimet e papërmbushura, premtimet e shkelura, jo transparencën dhe politikat “ad hoc” të bëra për të akomoduar grupe të caktuara të interesit. Kapitulli i tretë “imagjinata dhe qyteti” sjell në shprehje dimensionin social, shpirtin e qytetit, kreativitetin si formë e mundësive të reja në qytet për të prodhuar një qytet të së ardhmes që akomodon nevojat dhe interesat e gjeneratave të reja.



Nëse ju pyesim tani… cila është vërejtja që keni për qytetin ku jetoni, Prishtinën. Çfarë keni për të na thënë?

Si e para është qasja jonë për qytetin, qoftë e njerëzve në qeverinë lokale e qoftë e grupeve profesionale, por edhe e komunitetit. Shpërfillja e mendimit publik si diçka që thuajse nuk na takon, si dhe procesi teknik i vizionimit të qytetit me idenë se qyteti ende planifikohet nga zyra, e sjell komunitetin para një produkti të kryer ku ndikimi në të është pothuajse i pamundur apo edhe nëse është do të jetë shumë formal dhe shumë i vogël. Ajo që më tmerron është ideja e “gllabërimit”, kur shumë njerëz përvetësojnë hapësira dhe të mira të tjera në qytet si iu teket, kur iu teket dhe ku t’u teket atyre, vetëm sepse janë të fuqizuar nga ndonjë sfond politik apo nga ai i parasë. Dhe në këtë pikë shteti/qyteti mungon, pra mungon sundimi i ligjit dhe qeveria e cila duhet ta adresojë zhvillimin e qytetit dhe të mirave publike në të mirën e përgjithshme.



Ndërsa na flisni për Prishtinën, natyrshëm na lind pyetja edhe për Tiranën. Çfarë problemesh ka ky qytet në syrin tuaj?

Do të ishte e pandershme nga ana ime të jap një mendim të thellë profesional për Tiranën, vetëm nga një përshtypje sipërfaqësore që unë mund ta kem nga copëzat fizike që njoh nga aty, apo copëzat sociale që janë rrethi im atje. Tirana si edhe çdo qytet tjetër është shumë kompleks, edhe ajo ka përplasje të së resë e të vjetrës, shumëllojshmëri kulturore dhe ekonomike dhe ajo që mund ta ndihmojë është ideja që këto ndryshime në të gjitha shtresimet të shihen si vlera dhe të adresohen tutje në formësimin e një mozaiku të qëndrueshëm dhe harmonik për një Tiranë për të gjithë.



Duke i marrë të dyja së bashku. Çfarë ju frymëzon apo ju revolton në urbanistikën e një qyteti?

Më frymëzon gjithçka, një ulëse e bukur, një dru i vjetër, një rrugë e dikurshme që ka ruajtur atributet e një qyteti të dikurshëm dhe ka mishëruar njëkohësisht edhe copëza të reja jete, gjallëria, njerëzit, aroma e një qyteti të shëndetshëm. Më revolton ideja që në qytet mund të vish të marrësh e të bësh çfarë të teket, në të mirën personale dhe ta realizosh veten, dhe mos t’i japësh prapa qytetit asgjë, apo si disa, që sjellin copëza mentaliteti e kulture të cilat shpesh bien ndesh me normat urbane dhe mënyrën e jetës në qytet dhe të tillët me ngulm dëshirojnë t’i mbajnë e t’i kultivojnë ato në një kontekst krejt ndryshe.



Sipas jush, kush është fajtor për shkatërrimin e një qyteti?

Fajtori nuk është një. Por sidoqoftë, si për zhvillim e si për shkatërrim faji u atribuohet njerëzve që janë përzgjedhur për ta qeverisur qytetin, për faktin se atyre u është besuar kjo punë. Por në këtë rrugëtim fajtor shpesh është edhe komuniteti. Kjo për shkak se, aty ku qeveria nuk punon në të mirën e përgjithshme, është komuniteti ai i cili e ka në dorë t’ia ndërpresë mandatin kësaj të parës. Por kur qyteti ndër vite qeveriset me një sfondi politik nuk ka përparim, dhe për më tepër kur njerëzit politik përzgjidhen nga populli, atëherë vijmë në një moment reflektimi. Këtu kuptojmë se në përcaktimin për fajtorin për degradimin e qytetit përgjegjësit i gjejmë edhe shteti edhe komuniteti.



Arkitekturë, muzikë dhe fotografi

“Kënga nisi kur isha 6 vjeçe, në kohën dashuria kur babai im (kompozitor) po bënte këngët për mua dhe më pas kur u rrita kisha dëshirë ta zhvilloja veten në muzikë. Jeta institucionale publike e shqiptarëve në Kosovë u shpërbë për shkak të rrethanave politike, gjë që ndikoi në përcaktimet e mia në studime, por edhe i bëri të pamundura prezantimet e mia në muzikë. Në këto rrethana, nisi të vijë në shprehje fotografia, e cila për mua ishte dhe vazhdon të jetë pasion, por që atë kohë kisha nevojën e theksuar të kontribuoja në një formë apo tjetër për vendim tim, dhe regjistrimi i shumë ngjarjeve dhe momenteve të asaj kohe më bën të ndjehem krenare për shënimin e një memorie kolektive për Kosovën, e trishtuar nga presionet politike dhe lufta së fundi. Kjo fazë dhe veprimtaria ime gjatë kësaj kohe ndikoi shumë në formësimet e mia si person, duke parë një realitet tjetër nga afër në të gjithë Kosovën, që shumë moshatarë të mi e shihnin vetëm përmes mediumeve dhe nuk e perceptonin dot direkt, sidomos në zonat urbane. Konditat e reja të pasluftës nxorën në pah hapësirën e munguar të shprehjes artistike të shqiptarëve të Kosovës, prandaj dhe ishte një bujë e madhe e projekteve të muzikës moderne. Unë, më në fund, po përmbushja ëndrrën time në muzikë dhe po e formësoja veten tutje në një profesion tjetër, i cili ka melodinë, harmoninë dhe shpirtin e vet e që përcjell dhe ndikon jetën e njeriut çdoherë. Kjo është arsyeja se përse muzikën dhe arkitekturën nuk i ndaj dot, sepse të dyja kanë ndërlidhje njëra më tjetrën, në formë, strukturë, shtrirje, ngjyrim, lojë etj. E para, përmbush njeriun shpirtërisht dhe e dyta, ndikon në mirëqenien e tij. Por, që të dyja të kenë efektin pozitiv tek njeriu duhet të formësohen, promovohen dhe kurohen me shumë pasion, shije, përmbajtje konform konditave aktuale dhe kërkesës së njeriut modern”.



Qyteti dhe dashuria

Brenda librit flitet për komponentë të shumta të dashurisë, dhe këto copëza dashurie të cilat realizohen, përjetohen dhe lindin brenda një qyteti siç është Prishtina, nuk mund të jenë të ndara nga konteksti…, prandaj pikërisht kjo është çështja që unë ngre më lartë dhe e quaj librin “qyteti dhe dashuria”. Po qe se i dhurojmë pak më shumë dashuri e vëmendje vendit ku jetojmë edhe ai do të na shërbejë më mirë në të ardhmen duke rritur shtatin bashkë me ne, shëndetshëm dhe lumtur. Prishtina qytet romantik? Edhe mund të jetë, varet çfarë dozash romanticizmi kërkon njeriu (qesh) dhe çfarë e lumturon atë.





Njerëzit dallojnë nga mënyra se si duan të arrijnë suksesin

Eliza, çfarë e bën një njeri të suksesshëm?

Ishte dashur të ishte puna, apo jo…!!! Por në një botë imazhi si kjo sot edhe perceptimi për “njeriun e suksesshëm” po ndryshon çdo ditë. Teori e libra të ndryshëm flasin për sekretet e suksesit jo vetëm tek femrat, por të njerëzve në përgjithësi nga fushat e ndryshme.

Po, teori e libra ka shumë. Por çfarë është vërtet e rëndësishme në fund?

Mendoj se e rëndësishme në fund është që secili nga ne duhet t’i kuptojë dhe t’i vlerësojë cilësitë dhe ambiciet që ka duke e përcaktuar vetë cakun dhe pozicionin e synuar në shoqëri. Për mua, njerëzit dallojnë vetëm nga mënyra se si duan të arrijnë tek suksesi. Ngaqë në një formë apo tjetër të gjithë e duan atë.

Ka ndonjë gjë që e bën më të lehtë suksesin?

Nuk besoj se ka sukses të lehtë. Me punë dhe investim profesional e arrin, por rruga deri te suksesi është e gjatë, me shumë sfida dhe shpesh edhe e vështirë. Por një gjë është e sigurt nëse ka një rrugëtim, ky sukses është i qëndrueshëm, përmbajtës dhe i merituar.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...