Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/22

Makfire Maqedonci – Canolli - Fluturoj përmbi qiellin e trojeve të mija...

Makfire Maqedonci - Canolli  lindi në Prishtinë. Fëmijërinë dhe rininë e hershme i kaloi në vendlindje. Është shkolluar në fushën e pedagogjisë, që e ka bërë më të ndjeshme e më njerëzore edhe në poezi. Me këtë art të vështirë ka filluar të merret që kur ishte nxënëse e klasës së dytë fillore. ”Gjeli im plak” ka titullin vjershsa e saj e parë. E ka botuar 30 vjet e sa më parë në shtojcën për fëmijë të gazetës ”Rilindja” (1978/79), e cila botohej çdo të martë, në kohën e artë të kësaj të së përdishmeje të shuar shqiptare në Kosovën e pushtimi serb.

Makfire Canolli i përket brezit të rinisë ”së padisiplinuar”, e cila sfidonte pushtetin antipopullor të asaj kohe. Ky pushtet të rinjtë shqiptarë i quante ”irredentistë” e ”seperatistë” dhe me nofkat të tjera më poshtëruese, vetëm e vetëm pse deshi të mbante gjallë gjuhën, traditën e kulturën shqiptare, të qenit shqiptar të shqiptarëve në vendin e tyre.Makfires, si motër e vëllezërve ”irridentistë”, iu mohua çdo e drejtë: të regjistrohej në fakultet, të punojë me nxënës, si dhe e drejta për të botuar. E ka vrragë të pashlyeshme në zemër këtë kohë, aq më parë, pasi krijimet e saj të hershme ia konfiskuan punëtorët e shërbimit sekret serb, gjatë një basrisjeje në shtëpinë e saj.

Në vitet e ‘80-ta, si shumë familje shqiptare, edhe familja e Makfires ishte në shënjestër të UDB-së famëkeqe serbe, e cila në vitin 1982 ia burgosi të tre vëllezërit. Ishte kjo koha kur shiri i saj poetik po kendonte nga brenda, pa u shfaqur për lexues.

Në vitet e ‘90-ta emigron në Gjermani, ku qëndroi deri më 1998. Kthehet në Kosovë bashkë me familjen e saj dhe më pas, më 1999, kalon oqenanin për të vazhduar jetën në New York. Aty jeton ende.

Zëri i saj dëgjohet çdo të premte në valet e Radio – Diasporës, ku si moderatore e udhëheq rubrikën "Heroizmi i popullit tonë në shekuj".Poezitë e saj janë prezantuar nëpër disa faqe internetit, të cilat botojnë krijime artistike, si "Teutat shiptare nëpër botë", "Agjencioni Floart-Press","Floripress","Floart", "Tribuna shqiptare", "Bota e re", "Stërkala", si dhe "Qeparoi","Prishtina-press" etj.



Gjer tani ka botur përmbledhjen poetike për të rritur “Gjurmë nëpër flakë” (2010) dhe një tjetër për fëmijë “I shes diellit akullore” (2010).




Makfire Maqedonci – Canolli


Si e bëra Shqipërinë time



Sh-në ia mora shqiponjës në fluturim,

që të ndërtoj çerdhe në shpirtin tim.

Q-në ia mora në qerdhor qershisë,
që t’i bëj të kuqe faqet e rinisë.

I-në ia mora të nesërmen Ilirisë,
që të mësoj rrënjët e Dardanisë.

P-në e la herët pranvera mbi lule,
që të bëj nektar për bletë, jo vetëm pekule.

Ë-në e piku syri i foshnjës pa gji nëne,
që lumenjtë të sjellin qymësht dhene.

R-ja me shi nga retë seç më ra në dorë,
që fëmija të fle gjatë, jo vetëm një orë.

I-në tjetër për emrin e atdheut tim,
e gjeta në abetare duke mësuar shkrim-lexim.

A-në e gatova mirë nga dheu i mëmëdheut,
që të bëja Shqipërinë me dorë të Skënderbeut.


JAM JUGU I SHQIPËRISË


Mos më quani vetëm Çamëri
se jam bija e nënës Shqipëri,
jam motër e Preshevës,
Bujanocit e Medvegjës,
Plavës, Gucisë, e Tetovës,
Mitrovicës e tanë Kosovës!

Më dhem zemra e më djeg shpirti
më djeg malli e më përvëlon,
kur Shqipëria e Kosova
pavarsinë po e festojnë.

Mitrovica pa veri,
Plava e Tetova pa liri,
Presheva e Çamëria në robri,
e ju moj shqiptari,
këtë e quani ju pavarsi?!

Thirrni mëndjes e mendoni
njëri tjetrin ta afroni,
mjaft më me përçarje
vrasje, ironi edhe ndarje.

Jeni ndarë si mos më keq
sikur të ishit bukë me kuleq,
keni krijuar njëqind parti
e shtepijën pa çati!

Disa të tjerë bêjnë be e rrfe
ne jemi të lidhur vetëm për fe,
ca krishterë e ca muhamedan
në dorë t’huajve atdheun e keni lën!

Në shumë vende të shpërndarë
disa masakruar e disa të vrarë,
shumë të tjerë i morri gurbeti
vaj vatani e mjer mileti!

Qaj si fëmi mot pas moti
si nuk është gjallë Kastrioti,
t’ja thyej qafën shkaut e grekut
t’ja kthej nderin mëmëdheut,
ta luftonte padrejtësinë
që po bëhet me nënë Shqipërinë!

Prap po vjen i bekuar nëntori
zemra sa s’më del nga krahrori,
do të festohet pavarsia
pa mua e motrat e mija!

Nuk dua të jem mysafir
duarkryq e të bëj sehir,
dua të jem aty prore
në valle dore për dore.

Nëse jeni bijt e shqipes
e stërnipat e Skënderbeut,
bashkohuni rreth flamurit
e lidheni besën e burrit,
mjaft më lat në dorë të huaj
për liri sa shumë po vuaj.

Kur t’bashkohem me motrat e mija
do t’ju them: Me fat Pavarsia!
E ta dijë gjithë bota mbarë
edhe unë jam nga trolli shqiptarë!

Mos më jepni veq premtime
kërkoj ato t’i ktheni në veprime,
mos më quani vetëm Çamëri
se jam jugu i nënës Shqipëri!




UÇK  TË GJITHË DO TË JEMI


Mitrovicë ty të njeh historia
djemt e tu me dy alltia,
një në shokë e një në brez
për ty flakë kemi me ndez!
Me ta prek ty kush kufirin
e tronditim edhe Berlinin!
As në jug e as në veri
toka jonë nuk njeh kufi.
Të lakmojnë ty millosheviçat
drashkoviçat e borkoviçat,
je e “ëmbël” si sheqeri
por je bërë një “mollë sherri”!
Nuk e lëm ne Ibrin plak
t’ja shkurtojnë të bukrin shtat,
nuk je toka e Berlinit
me t’vu murin në vend t’kufirit!
Mos t’mendon kurrë Evropa
që lejojmë më të nda në copa,
nëse prap e kërkonë vendi
UÇK të gjithë do të jemi!


PERËNDIA IME E KA VETËM NJË EMËR 




Tek ti e kam gjithë dashurinë
për ty e thurri unë poezinë,
tek ti unë e gjejë frymëzimin
tek ti e ndiej gjithë gëzimin.
Për ty flijohem nëse do të duhet
për ty tretem edhe bëhem pluhur,
ty të falemnderoj sa të jemë gjallë
që më dhe emrin të quhem shqipëtarë!
Për ty bie në gjunjë dhe ta puthi tokën
për ty jam në gjendjë edhe ta jap kokën,
ty të falem me mishë e shpirtë
për ty lutem natë e ditë.
Për ty do të jemë gjithë jetën fëmi
je dielli im që gjithmonë bënë dritë,
për mua ti je vetë Perëndia
e shtrenjta ime – Nënë Shqipëria!



Dialog me vajzën time, Dalinën



Më trego të lutem
moj e shtrenjta nënë,
pse “Molla e Kuqe”
nuk është për t’u ngrënë?
Bija ime e vogël
moj e bukura bijë,
“Molla e Kuqe”
e ka një histori!
Pse moj nëna ime
ç’far po thua ti,
qysh “Molla e Kuqe”
është në histori?!
Historija e saj moj bijë
është përplot dhimbje
me vrasje e plaçkitje,
masakra e dëbime.
Pra ajo “Mollë” moj nënë
nuk është si mollat tjera?
Gjaku e paska bërë të kuqe,
që të duket sikur nuse?!
Ajo “Mollë” moj bijë
ka një tjetër shije,
ajo dikur sillte
aromë Shqipërie!
Pra sipas teje
moj e dashura nënë,
“Mollën e Kuqe”
nuk duhet me ngrënë?
Jo moj bijë e dashur
atë “Mollë” nuk e hamë,
e kemi si kujtim
nga të parët tanë.
Po sikur t’i bënim nënë
në Amerikë vendin “Mollës”?
Do të na e sillte aromën
të Shqipërisë e të Kosovës!
Ajo e ka vendin moj bijë
në gjirin e Shqipërisë,
por me dhunë e morri
barbarizmi i Sërbisë!
Mjaft moj nënë mos qaj
mos u brengos ti,
se një ditë “Molla e Kuqe”
prap do të jetë në Shqipëri!
Kam besim moj bija ime
se ju brezi i ardhmërisë,
prap “Mollës” do t’i k’theni
aromën e Shqipërisë!


AMANETI PËR MOLLËN E KUQE



Babai im i ndjerë
më pat thënë disa fjalë:
Bija ime e dashur,
kur për mua të kesh mallë,
kujtoje Mollën e Kuqe
ta shuajsh atë zjarrë!
Atje gjyshja jote
dikur u bë nuse,
varret e të parëve tanë
i ke te Molla e Kuqe!
Atje i ndërtoi foletë
dikur vetë shqiponja,
sepse Molla e Kuqe
ishte vetëm e jona.
Që nga Molla e Kuqe
e deri në Çamëri,
quhej toka jonë
me emrin Shqipëri!
Po iku nga kjo jetë
me dhimbje në zemër,
duke e parë Mollën e Kuqe
vetëm nëpër ëndërr.
Kur të vdes një ditë
t’më mbuloj dheu i zi,
ma mbill një mollë te kuqe
te varri im përmbi.
Mos e leni Mollën
ta hajë Milingona,
sepse Molla e Kuqe
është vetëm e jona.
Ky ishte amaneti
i të ndjerit tim eti,
që as dheu vetë
kurrë s’ka për ta tretë!


NËNTËDHJETË E NËNTË PLAGËT E SHQIPES 



Kam nëntëdhjetë e nëntë dhimbje në shpirtë
mbaj nëntëdhjetë e nëntë plagë në krahët e mij,
me kokën e ndarë në dysh padrejtësisht!
Fluturoj përmbi qiellin e trojeve të mija
dhe i kërkoj trimat e dëshmorët
që me gjakun e tyre e skuqën tokën
e mua më është nxirë i tërë trupi,
nga dhimbja e madhe!
Kam nëntëdhjetë e nëntë vite që rënkoj
dhe koka ime më rrinë menjanë,
kur i dëgjoj zërat kah më thërrasin
e trojet dhe bijtë e mi
jan të shpërndarë akoma.
Ishte ai nëntori i dytë i atij viti
që e shpalli Pavarsinë time
të përgjysmuar!
Por në nëntorin e tretë
prap do të fluturoj lart në qiell
dhe me flatrat e mija
do ta shpalli vetë
Mëvetësinë time të vërtetë,
edhe atje ku i ndërtova dikur foletë!
Dhe bota le ta kuptojë,
se durova e prita
përplot një shekull
për Pavarsinë time të plotë!



TAKIMI NË ËNDËRR




Mbrëmë në shpirtë isha e vrarë
dhe një ëndërr e kamë parë,
se shumë isha e dëshpëruar
për ca gjëra si kanë ndyshuar.
Atje largë në tokën tonë
në Prizeren ma t’bukrin vend,
prap ishin mbledhur trimat
po e mbanin një Kuvend!
Skënderbeu një fjalë ju tha
luftën vëllezër që e kam ba,
shpata ime u la me gjak
shqiptaria të ketë një Bajrak.
Bajram Curri ish ngritë në këmbë
zemra e tij po bënte gjëmë,
zëri i tij e lëkundi gurin
kush ja hjeku shqipen Flamurit?!
Isa Boletini ish mërzit
kurrë o vëllezër se kam prit,
Mitrovicën ma paskan nda
prap me Lordin duhët me u pa!
Adem Jashari ish zemru
për këtë Flamur unë nuk kam luftu,
kurrë nuk kam pa o vëllezër yje
gjakut ngjyrën me ja fshie!
Nga Gllogjani vinte kushtrimi
fjalë kish qu Luan Haradini,
na o vëllezër se kemi l’shu pritën
se kështjellën lart e ngritëm.
Më thanë burrat e trimërisë
të fala bëju gjithë shqiptarisë
edhe të vdekun nuk kemi me duru
vendin tonë të hujt me sundu!
Pajaziti e kish zënë pritën
në Prishtinë ai po qëndronte,
jo s’kam vdek tha trimi i lirisë
po i bëj roje Dardanisë!
Eh sa shumë u ngushtova
për këto fjalë kur i dëgjova,
por me vete u gezova
që veq në ëndërr i takova.




DRITËRO O YLL I DRITËS



(Të madhit Dritëro Agollit -me rastin e 80-të vjetorit të lindjes së tij)

Tetëdhjetë vite më parë
në Menkulas të Devollit,
lindi një yll drite
për t’i bërë dritë kombit.

Tetëdhjetë vite më parë
në Shqipërinë e vjetër,
ishte kohë furtune
ishte kohë e egër!

Por ky yll i dritës
me mencuri e urtësi,
flakën e pishtarit
nuk e la me u fikë.

E lindi nënë Shqipëria
e don shumë Kosova,
e njeh gjithë shqiptaria
me veprat e tija.

Dritëroi gjithë jetën
siq e pati emrin,
atdheut e kombit
i lartësoi nderin.

Sot për ditëlindjen
e uron gjithë kombi,
të na rroshë sa malet
Dritëro Agolli!

Emri yt prej drite
ndër breza do të ruhet,
flaka e pishtarit
kurrë nuk do të shuhet.

Dritëro o yll i dritës
edhe njëqind vite të tjera,
na duhet fjala jote
se është me shumë vlera!


Sofër me plumba e shtruar




Ja ku e ke shtruar me plumba,
sofrën ku gatova lirinë,
për darkën e kombit tim,
Kur u ktheva vonë nga arat,
të bëja bukën e re misërishte,
për trimat, që
ende nuk janë kthyer nga malet.
Mitrovica kërkon prapë trima,
aty jo nuk fluturojnë
të gjitha shqipet e lira të Kosovës.
Shtruar me plumba e ke
armiku im i vjetër,
me të njëjtën qime!
Dëshira ime e ndaluar tani,
nga paqja e botës,
për lirinë e plotë të vendlindjes sime,
për tërë trollin tim,
po pret në sirtarët
e tavolinave diplomatike,
me njërën dorë
në sofrën e plumbave,
që t’i hamë bashkë një ditë.


Abetare për lirinë



Shtrënguar me zinxhirë në trupin tim femëror,
gumëzhitja si tanku armik mbi barin e vjeshtës,
të gjeja abetaren e lirisë,
në natën e zezë me re,
kur ëndërroja frymën e ndaluar në grykë
me hallkat e reja natë për natë,
që të mos çelë kurrë drita e mëngjesit tim,
i lagur me gjakun tim.
Dhe ti nuk e di, armiku im!
Që unë di përmendsh
Lirinë që ma ndalon ti,
këngën më të bukur të poetit
që ua lë cicërima zogjve,
edhe kur ti e vret.
Prapë ti nuk e di!
Se sa më shume që më shtrëngon,
aq më shumë gjaku im më mëson jetën,
zvarrë për të arritur kotherrën e bukës,
që shkel çizma jote,
në sofrën e Kosovës,
gatuar me duart e nënave.
Po ik se nuk kam kohë të flas më me ty!
Më presin trimat në male.
Kërkojnë bukë dhe fishekë,
për ty, armiku im!

Vesa mbi lule gjak të vjen



Ti mendon se u ligështova nga zinxhirët tu,
kur më shikove lotin që nga syri im ra.
Ti nuk dallon gjakun nga loti,
jo që i verbër je.
Të duket gjak edhe vesa mbi lule.
E si ujk lëpin buzët
para torishtës së dhënve.
E di. The me vete:
Femrat janë të fuqishme vetëm në shtrat,
janë vetëm për t’u rregulluar në pasqyrë.
Nuk do të më mbash mend.
E di!
Me flamur i lidha tytën tankut tënd dhe
e zyri kolla në marsin shqiptar,
nga ngulçimet në fyt
kur u ngjita shtatzënë me lirinë.
E një shekull kisha pritur lindjen e parë.
Që të rris gëzimin e parë,
Si lulen në saksi.
E di!
Sa trishtueshëm më sheh tash si atëherë.
Prape lëpin buzët,
vesa mbi lule gjak të vjen.

Nuse shqip në Mollën e Kuqe



Atdheu im sa herë është tkurrur,
braktisur me dhunë
nga shqipatrët e mi,
duke marrë me vete vetëm emrin “shqiptar”,
me lot në sy,
Zemra duke qajtur me ngashërim.
Gjyshi im ruan edhe sot,
Mbiemrin e vjetër “Maqedonc”,
në kohën kur gjyshja ime
u bë nuse në Mollën e Kuqe,
në vendin ku flasin shqip
vetëm eshtrat nën dhe,
ose ndonjë zog që andej i bie fluturim
dhe këndon emrin e atdheut t’im,
poemën time të kafshuar
nga të katër anët,
me emrin Shqipëri.


NËPËR LABIRINTHET DHE DIAPAZONET E KRIJIMTARISË SË SHKRIMTARIT EDMOND SHALLVARI


Nga: Dhimitër Nica


Edmond Shallvari është afirmuar tashmë në letrat,shkrimet dhe mbarë letërsinë shqipe.Është afirmuar plotësisht si poet.Është afirmuar plotësisht si shkrimtar.Në fushën poetike ka botuar katër libra me poezi.Në vitin 2008-të,botoi librin e parë poetik ” Diku..Dikë.. Dikush…”, po në këtë vit botoi edhe librin e dytë me poezi me titull ” C’u bëmë kështu! “.Në vitin 2009 erdhi në dritë libri poetik i radhës ” Mos e ndiqni hijen” . Në vitin 2010-të,Mondi doli para lexuesëve me librin e katërt poetik “Më foli heshtja”. Më parë se këta, në 2006-ën kishte botuar një libër voluminoz ” E megjithatë…jetojmë! “, me përshkrime,shkrime,kujtime të ndryshme,reportazhe,esse,etj.
Po kush është Edmond Shallvari për lexuesin e thjeshtë,që në të vërtet ngjan me një fabrikë brilante prodhuese? E.Shallvari lindi ne Korcë,më 30 korrik 1957-të.Pra, për pak ditë feston 55-të vjetorin e lindjes.Me këtë rast i urojmë shkrimtarit jetë të gjatë e punë të mbarë krijuese.Të ndalesh në librat e poetit do të na duhen orë e ditë të tëra,për t’i vlerësuar e për t’i komentuar.Por,për t’i rënë ca si shkurt,do të ndalemi në dy prej tyre.Në librin e fundit poetik ” Më foli heshtja” dhe ne romanin e parë të botuar prej tij, “Facebook-koobecaf” të shtypur nga shtëpia botuese “Fan Noli” në Tiranë.
Libri “Me foli heshtja” është një libër që në titull të ve në mendime për diapzonin dhe vlerat e shumta që mbart.Libri ka 83-poezi dhe që të ndalesh në të gjitha do të na duhej shumë kohë.Ndaj ne do përshkojmë disa prej tyre,për t’i dhënë një imazh sa më të qartë lexuesit. Libri hapet me poezinë “Shlyerja e mëkatit”. Një poezi tipike për stilin e autorit,që të bën të kujtosh e të mendohesh thellë.
” Falmë e dashur, mëkatin e pa thënë…” e më poshtë vazhdon: ” lërmë në dënim të vet vetes/ sot jam kthyer ndaj saj në xhelat/ dje prift u bëra,e lashë të rrëfehej/ dhe kokën e mëkatit ia preva pastaj…” Pra,sinqeriteti i autorit i kalon përmasat e thjeshta të njeriut.Vazhdojmë me poezinë “Gjyshja” :
” Po gjyshja ishte si përralla
Dhe si përralla një ditë mbaroi
Flokët iu bën re të bardha
Dhe shpirti porsi ujë kroi…”
E kush më mirë se poeti do të shtonte më shumë për gjyshet tona,a për gjyshen e vet në vecanti ? Në poezinë “Do t’ia them…” për nga vet titulli më kujton lebërit e Vlorës,poeti përcjell mesazhin se nuk i trembet vdekjes,por në të kundërt,në momenti e saj do t’ia marrë këngës dhe jo thjeshtë me nota e pentagrame,por në vend të tyre lexuesi do të gjëj nota dhe tinguj pyjesh,malesh, të dalë nga toka e të rënë nga qielli. Në poezinë ” Thjesht…” poeti shumë thjesht përcjell mesazhin e moshës.Në krijimin tjetër “Merre si të duash, afendiko !” përshkruhet puna e rëndë që bëjnë emigrantët shqiptarë në Greqi e më gjerë.Kurbetlliu kënaqet me kacidhet që i jep pronari,ndërsa punë dhënësi jo vetëm që shtrembëron turinjtë kur e paguan shqiptarin,por e shikon me një sy përcmues e racist. Më tej te krijimi ” Pak filozofi ” një ndër temat më të preferuara,më të rrahura e më të sukseshme të tij,ai e pershkruan me nota fantastike bukurine. Vecojmë strofat e saj:
” Ja të pash’
Më vajti syri
Si te kroi në mal
Dhe pemët te pylli
Ndryshe bukuria
E botës përreth
Pa sytë e mia
S’do kishte lezet…
Ja, të preka
C’ti bëj dorës
Sic këpus nga pema
Kokrrën e mollës… “
Pra,bukuri filozofike e shoqëruar me kënaqësi shpirtërore.Edhe tema e dashurisë zë një vend qendror në kjijimtarinë e poetit.Te poezia ” S’e dija ” shijoheni se me sa nota të holla e të thjeshta në aparencë e kofirmon dashurinë.
” S’e dija, c’ishte puthja
Të putha!
S’e dija c’ishte humbja
Humba…”
Poeti me nota të thella dhimbjeje përshkruan se c’është ikja e ikjes,dhimbja e dhimbjes,malli i mallit,halli i hallit… Një vend të gjerë në krijimtarinë e tij zenë edhe vuajtjet e të burgosurve politik në regjimin komunist. Bëni vlerësimin e poezisë ” Ne rrojmë edhe pa to…” pra, pa kockat e trupin skeletor.
“Pa gdhirë të pa gdhirët na marrin
Burgu gjëmon nga muri me shpirt
Skeletet tona në litar i varin
Ne rrojmë edhe pa to, o mik ! “
Sa forcë e madhe dhimbjeje na percillet me to,sa urrejtje të pafundme mbajnë të burgosurit pak caste para ekzekutimit…Unë kam shënuar edhe për poezi të tjera si ” Poeti vërtet” , “Vec me ty”, ” Asaj bote”, ” Pa testament…” një poezi që më pëlqeu shumë…Ja disa vargje:
“Jam baba pa testament
Ky është tëstamenti im!
Shkruaj mos më mbetet peng
Që s’kam pasuri .
Jam baba pa testament
C’e paskam për soj
Po dicka ama do le
Me shkrim e me goj’…”
Po kështu edhe poezia ” Më foli heshtja ” nga ka marrë titullin krejt libri është një krijim lirik i gërshetuar me filozofinë e autorit.Poezia ” Puthja e Judës…” është një ndër korifet e autorit në krijimtarinë e tij .Kjo mund të themi se është një nga rastet e rralla që përshkruhet tradhëtia e Judës me mjeshtëri e transparencë me vargje të thurura bukur e që nxjerrin në pah ” vlerën ” e vërtet të tradhëtarit.Po kështu edhe lirizmi z vend të rëndësishëm në poezinë e Edmond Shallvarit.Por, lirizmi i tij është e do të jetë gjithmonë i mbërthyer nga notat dhe pasioni i tij filozofik.Pra, në qoftë se autorit në fjalë,do t’i jepnim një shpirt tjetër binjak ai do të ishte pa dyshim filozofia dhe psikologjia.Me to dhe pa to duket se poeti nuk rron dot. E njëjta gjë shfaqet edhe në romanin e tij të parë të botuar nga shtëpia botuese “Fan Noli ” në Tiranë. Romani titullohet ” Facebook- koobecaf…” Romani është sa tërheqës,po aq edhe i komplikuar. Vepra fillon me vrasjen e një shkrimtari shqiptar në qytetin S.(ndoshta Selanik- shënimi im). Dhe lloji i vrasjes së tij nuk është i zakonshëm.Krijuesi i veprës,me nota të forta mendimi e vet veprimi të jep përshtypjen se shkrimtari i madh bën vet vrasje.Pra,hidhet me dëshirë në autostradë e kështu e ka ë garantuar vdekjen.Por ajo që të bën përshtypje në rrëfimet e tij është se krijon tipa e prototipa që të nguliten thellë në mendje.Dhe kjo në bazë të veprimeve e të qendrimeve të personazheve të tij.
Në kërkimet e mëpasme që bëjnë shefi i zhdukjes së krimeve ne qytetin ” S ” e sidomos Jashtëtokësori i cili është zv/shefi i zhdukjes së krimeve në qytetin ” S ” .Ky personazh të ngelet gjatë e thellë në mendje.Ai së bashku me Ledianën, bashkëshorten e Dhimitrit që u vra në autostradë,përbëjnë një cift që do t’a kemi deri në fund të romanit.Jashtëtokësori i kërkon Ledianës kompjuterin e të shoqit dhe ajo pas një farë hezitimi vendos t’ia jap prokurorit provën materiale. Pikërisht,këtu fillon pjesa më tërheqëse e romanit.Jashtëtokësori,i cili rri net të tëra pa gjumë mbi profilin e shkrimtarit, zbulon të pabesueshmen .Ai hap facebookun e tij dhe c’të lexojë e c’të shikojë! Pra,në rrjetin e tij social,Dhimitri shkruante ngjarjet dhe rrjedhën e tyre ashtu sic do të ndodhnin.Pra,Jashtëtokësori i kishte gjetur aty të gjithë dëshmitarët dhë s’ishte nevoja t’i kërkonte në terren.Profili i shkrimtarit të vrarë ia zbulonte një nga nje e sipas radhës që i duheshin,ose sipas porosive që i kishte ngarkuar shefi i tij.Pra, facebooku tani ishte kthyer në koobecaf,në të kundërtën e asaj që shkruajmë e lexojmë sot.Pra,sado te duket e pabesueshme ishte kryer një zbulim tjetër gjigant paralel me facebook-un.Kjo e bën edhe më iteresante leximin e librit.Për arsye protokollare,pra formale,prokurorët e qytetit “S” marrin takim me kolegët e tyre në vendin fqinjë,nga kish’ ardhur shkrimtari,pra Shqipëria.Aty zbulojnë të dhëna të tjera për jetën e shkrimtarit shqiptar.Ai, pra Dhimitri kishte pasur një lidhje jashtë martesore në vendin e tij ku punonte,në Tiranë.Beshirja,gruaja me të cilën kishte edhe fëmije jashtë ligjit Dhimitri, ishte e shoqja e një udheheqësi të lartë të UCK-së,në kohën e luftës në Kosovë.Ishoqi e kishte marrë erë situatën dhe si gjak shqiptari që ishte,vështirë se e falte situatën.Dhimitri i mendonte dhe i përjetonte të gjitha këto ndaj dhe ishte shpërngulur.Por, një mercedes me targat e Kosovës ishte rregjistruar nga kamerat e autostrdës,në momentin që ishte vrarë shkrimtari.Mos valle,kosovarët ishin hakmarrë për të cuar nderin në vend,apo dicka tjetër kishte ndodhur?Po me Beshiren c’u bë më vonë,po me Ledianën ish-bashkëshorten e Dhimitrit,cdo të bëhej më vonë?Sa e donte dhe sa i lëpinte buzët për të Jashtëtokësori! A e hodhi dot në dorë?Këto e shumë të tjerë si këto,keni fatin t’i mësoni kur të lexoni romanin e shkrimtarit Edmond Shallvari.Nga planet pasuese në të ardhmen shkrimtari është një galeri e vërtet ari.Ka gati për botim romanin ” Unaza e diamantë ” të redaktuar nga studjiusi e përkthyesi Ligor Prifti.Ka të redaktuar gjithashtu nga shkrimtari dhe gazetari Ndue Lazri librin me tregime ” Edeni tjetër”.Libri me poezi ” Apsurditet apo…” është i redaktuar e gati për botim nga shkrimtari dhe poeti Ziko Kapurani.Ka në planet e mëvonshme romanin ” Unë në dy…”Ka gati për botim akoma pesë libra të tjerë me poezi.Po kështu po përpunon edhe një libër me esse,me artikuj të ndryshëm kritikë,me reportazhe etj.Pra,si përmbledhje ky është Edmond Shallvari dhe veprat e tij ku i shkruan dhe përpunon në Selanik të Greqisë ku rri familjarisht si emigrant ekonomik që nga viti 1997-të.Kjo është fabrika e tij gjigante prodhuese.

Bahri Myftari-Fjalët e gështenjës së madhe


Tregim

Doku me jakën e bardhë të këmishës hedhur mbi të. Ishte kryetari i këshillit të fshatit ku më kishin emëruar. Nuk e di pse, por që në takimin e parë, ai njeri nuk më pëlqeu. Ndoshta, ngaqë kur më uroi mirëseardhjen, nuk mori mundimin të më jepte as dorën, por veç një buzëqeshje, një tundje të kokës, të cilat, që të dyja, mu dukën sa për të kaluar radhën. Lëre pastaj, kur nisi të më jepte udhëzime e këshilla. E vuri veten në rolin e drejtorit të arsimit. Të lumtë, Azem, thashë me vete, të lumtë! Vazhdo, s’kam ç’bëj, kur fati më hodhi në këto gërxhet e tua, në këta rripa, këta përrenj dhe pranë kësaj gështenje të madhe, mbirë mu këtu te dera e shkollës, që të kall tmerrin, që s’të lë më shumë se dy-tri orë të takohesh me diellin…
  Isha djalë qyteti. Kurrë më parë, nuk isha larguar kaq larg nga shtëpia. Dhe, kurrë nuk e kisha menduar se, me të mbaruar universitetin, më priste një fat i tillë. Prej rinisë së hershme, më ishte ngulitur një mendim se shkolla ku do të shërbeja unë, do të ishte pranë ndonjë burimi e, aty rreth e qark, do të kishte pjeshkë, kajsi, e fiq, pra jo në majë të malit dhe, ngjitur me të, ajo e tmerrshmja gështenjë. Domosdo, edhe Azemi, si bir i kësaj krahine të egër, do të kishte diçka prej saj. Më kot përpiqej që me kostumin e dokut dhe me jakën e bardhë të këmishës mbi të, të zbutej sadopak, të hiqej si më i qytetëruar.
  Me kohë mësova se ai dikur kishte dashur një vajzë, një Bardha Gurakuqi, që kishte qenë zooteknike këtu dhe që ajo s’i ishte përgjigjur dashurisë së tij. Sa herë që këmbehesha me Azemin në rrugë a diku tjetër, më kujtohej ajo dashuria e pafat e tij dhe, të them të drejtën, sepse më vinte mirë që nuk e kishte fituar, që vajza e kishte refuzuar. Paska dashur gocë qyteti! Eh, or katundar i dreqit! Midis tij dhe meje ishte po ajo ftohtësia e fillimit dhe s’di sa do të kishte vazhduar kjo, sikur atë natë të mos kisha shkuar te Musai, furrëtari i fshatit. Më kishte ftuar i vëllai i tij dhe po ai më priti. Ishte një djalë me trup mesatar, kaçurrel dhe me mustaqe pis të zeza, tepër të holla. U përqafuam. Tek dhoma e miqve, pashë në qoshen e djathtë, ulur pranë zjarrit, Azemin dhe në anën tjetër Musanë. Që të dy ishin përqendruar drejt televizorit. Më përshëndetën paksa me kokë e përsëri në punë të tyre. U përpoqa të këmbeja fjalë me vëllanë e Musait, po dhe ky sytë atje i kishte hedhur. Ç’të ishte ky emission kaq interesant? Në ekran jepeshin pamje të një ferme bujqësore e flitej më tepër për blegtorinë. Në një çast spikerja zuri në gojë emrin e një vajze, të cilën s’e dëgjova mirë, po ja, sakaq u pasqyrua në ekran portreti i saj, një portret vërtet i bukur e i qeshur.
            -Bardha, more, Bardha jonë!- shpërtheu Musai.- Bardha Gurakuqi, për besë!
  Bardha Gurakuqi, thashë me vete. Në çast mu kujtua vajza që pati dashur dikur Azemi. Një emër të tillë kishte dhe ajo. Shpejt u bë e qartë se për të po flitej. Se ajo ishte atë çast në ekranin e televizorit. Hodha sytë shkarazi nga Azemi. I shkreti, sikur kishte ngrirë në vend.
            -E po kjo pikë e zezë!- tha vëllai i Musait,- Na del dhe Bardha tani në televizor. Sikur s’e njohim ne!
            -Pse, si e njeh ti?- ia ktheu Azemi.
            -Si e njohim! – tha tjetri me qesëndi, duke futur ndërkohë gishtërinjtë nëpër kaçurrelat e vet. – Po e njohim… ti, kryetar, e ke njohur më mirë. Thonë se e ke njohur në shumë anë.
            -S’po të kuptoj,- tha Azemi.
            -Dale, o ti,- iu kthye Musai të vëllait,- mos merr si pushka e jevgut, po ngrihu e na merr tepsinë.
  Bëhej fjalë për lojë filxhanësh. Atij që i binte të tërhiqte tamam atë filxhan që mbante unazën fshehur nën të, i jepnin dënime të ndryshme: të pëlliste, të hingëllinte a të cicërinte.
            -Kjo është fjalë me mend, – tha Azemi e duke qeshur vazhdoi: – Hajde, ta bëjmë këtë mësuesin e ri të hingëllijë njëherë si kalë.
            -Ç’fat të kem,- ia ktheva ftohtë.
            -Që ti je pa fat, ironizoi Azemi, e ke deklaruar vetë. Apo jo? Nuk ke dashur të vish në fshatin tonë. Vend i egër, ke thënë, natyrë e egër, njerëz të egër. A e mohon dot!
  Më erdhi inat, po ç’të bëja! Ç’t’i thosha atij njeriu, që m’u duk atë çast, edhe dy herë më i egër sesa në takimin e fillimit?
  Ashtu kisha menduar, por ç’hynte tani ky muhabet? Vetëtimthi m’u shfaq portreti i asaj vajzës që e kishte refuzuar. Ta ka luajtur zotin, thashë. Kushedi se si do t’i jenë dukur, së gjorës, fjalët e tij?
            -E vërtetë është,- tha vëllai i Musait, që më dha një goditje të lehtë në bërryl. Ai sikur kishte vendosur të sulmonte atë natë Azemin.
            -Çfarë?- pyeti Azemi.
            -Se të gjithë jemi me nga pak fat.
            -Ç’do të thuash?
            -Dua të them se edhe ti, kryetar, je me pak fat, se përndryshe ajo Bardha, që doli e u zhduk për 2-3 minuta në atë pasqyrë, do të ishte këtu, këtu në fshat.
            -E pra,- ia pati Musai sikur të shkundej prej një gjumi të thellë,- dashurinë tuaj e mori vesh i gjithë fshati. Si u bë ajo punë, or burrë?
  Të lumtë goja, Musa, thashë me vete. Azemi uli kokën, sikur dikush ta kishte qëlluar papritur në zverk.
            -Burra jemi të tërë këtu,- në të tijën Musai,- e i këmbejmë dy fjalë si burrat,… apo jo kryetar?
            -Nuk di ç’dashuri na paska marrë vesh fshati?!- tha ngadalë Azemi.
            -Tuajën, ore,- këmbënguli kaçurreli.
            -Le që mirë bëre që hoqe dorë, kryetar. Mua sesi më dukej ajo. Më ngjallte dyshime edhe nga veshja, bile. Pak bishtpërdredhur, ë…- foli Musai, si për t’i dhënë zemër Azemit, që vërtet s’po ndihej mirë.
            -Veç ishte e bukur, o lalë, e bukur…
            -E bukur është edhe dëbora në mal, po e dhjesin qentë.
            -Mjaft de, të shkretën,- kërceu Azemi,- mjaft… Sakaq, i vëllai Musait vazhdoi në të tijën: – E kam parë, e kam parë njëherë në përrua, lakuriq, ashtu siç e pati bërë nëna dhe…
-Dhe, ja burrash,- e shtyu Musai,- Azem, bëre mirë që hoqe dorë prej saj…
  Azemi po turfullonte. Damari në të majtë të tëmthave gati po i dilte vendit.
-Thashë, të mos e zgjasim, por ju s’dihet ku do ta sosni vrapin. Doni ta dini të vërtetën? E pra, unë e kam dashur atë vajzë dhe e kam dashur shumë. Nuk hoqa unë dorë, Musa, jo. Jemi burra dhe burrash të flasim. E doja atë vajzë, e doja sa… Vendi nuk është për betime të tilla, por kur ta do e vërteta, e nëqoftë marrëzi, le të dalë. E doja me jetën time. Nuk është fjalë librash. Po e deshe dashurinë, o duaje ashtu o… Në më donte ajo, këtë nuk e dija, e s’mund ta dija. Goja e saj nuk më pati thënë gjë, mirëpo, si fillim, dashuria ka ca shenja. Veç, a ka burrë nëne që i zbërthen saktë ato shenja të uruara? Nejse… Unë shpejtova dhe e shpreha atë çka ndjeja. Fjalët që ia thashë, i pata thënë dhjetë, njëqind, njëmijë herë me vete. Ishin fjalë zemre. Për to, dëshmon ajo, vetëm ajo, dhe gështenja e madhe tek shkolla. Degët, degët dhe gjethet e saj, edhe sot e gjithë ditën, pëshpërisin ato fjalë, aq të ëmbla ishin…
-O zot!- bëri Musai nëpër buzë.
  Vëllai i Musait dhe unë s’po guxonim të shihnim në sy sho-shoqnë.
-Atë ditë Bardha nuk më tha as po, as jo. Ndoshta kështu veprojnë të gjitha vajzat. Ndoshta, nuk është e thënë që, me t’i shfaqur ti dashurinë, të të hidhen në qafë. Se, vëllezër, drejt me thënë, ç’u bë?! Mirë, shumë mirë deri këtu. Veçse ajo nuk më ktheu përgjigje për ditë me radhë. Nganjëherë, kjo kohë pritmërie të bëhet e ëmbël, të bëhet e dashur, edhe pse herë-herë ndër të, të kap inati dhe revolta. Të bija pre e kësaj ëmbëlsie të rreme, apo t’i kërkoja përgjigje sa më shpejt? Apo, duhet t’ia thosha dhe njëherë tjetër? Edhe mund ta bëja këtë. Nuk ishte punë hunde… Shpejt ndërroja mendje. U thashë, më kishte vënë poshtë ajo ëmbëlsi e rreme. Përgjatë ditës, kur këmbeheshim rastësisht, përshëndeteshim lehtë dhe i buzëqeshnim njëri-tjetrit. Pra, ende shenjat, ende shenjat që s’po kishin vlerë më. Megjithatë, në mbrëmje, shtrirë atje në dhomën time, portretin e saj e mbaja mu tek qepallat. Nuk renditja asnjë arsye, asnjë shkak që ajo të më refuzonte. Nëse, do të ishte për “jo”, patjetër duhet të ma kishte thënë me kohë. Një “jo” pas kaq ditësh, sinqerisht do të ishte tmerr. Shikoni, jeni burra vetë. Nëse dashuria veç të tjerave të bëhet pjesë e gjumit, pjesë e ëndrrave, kërkon kurorën e fitores. Përndryshe, urrejtja të varet mu në cep të syrit. Zgjatja po bëhej litar. Ajo duhet të vepronte. Ç’më takonte mua, ishte bërë dhe qëndronte tani mbi dorën e saj. Ne njiheshim prej gati dy vitesh. Sektori i zooteknikës, i drejtuar prej saj renditej në krye të punës. Vajzë qyteti ishte, thjesht qytetare, por për pasionin e saj ndaj këtij profesioni, linte pa mend deri dhe profesorët e universitetit. Si këshillë fshati, pra nga letrat dhe opinionet, e mbuloja unë. Çdo të thoshte kjo varësi? Asgjë, asgjë, u betohem. Ishte varësi pune, detyre. Kurrë, kurrë nuk mendoja që nisur prej kësaj varësie… Madje, mund t’u them se një kërkesë për transferimin e saj, e pata miratuar pa kurrëfarë ngurimi. Kot u hodhëm në këtë degë. Nuk jam prej asaj “ane” unë, dhe, qofsh ti Musa, qoftë dhe yt vëlla dhe mësuesi, duhet të më besojnë. Eh, kjo gjendje: as mirë as keq nuk mund të vazhdonte pa cak.
  Një ditë të hëne, me autobusin e linjës për të ardhur në fshat, mua aty, e mbaj mend për bukuri, përballë bustit të Kristoforidhit, në krah të teatrit, hipi një djalë i gjatë, flokëverdhë. Të mos ia hamë hakun, shumë simpatik. Bënte çmos të tërhiqte vëmendjen e dikujt. E kalova lehtazi këtë veprim të tij, por pa dalë ende në rrugën nacionale, e kuptova qartazi se i gjithë veprimi i tij, shkonte për tek Bardha. Tashmë, ai po vepronte haptazi fare, dhe në stacionin e fundit, ku unë me Bardhën duhet të zbrisnim për të marrë më tej në këmbë maloren e dushkajës, ai e mbërtheu prej krahu vajzën. Diçka u tha midis tyre. Unë dëgjova vetëm kaq:
-Flasim të shtunën, kur të kthehem,- i tha Bardha.
  “Flasim të shtunën” përsërita duke i penguar fjalët nëpër dhëmbë…
            -E sheh, e sheh, o lalë,- tha i vëllai i Musait.
-Ruhu nga femrat e bukura,- filozofoi Musai.
            -Prit, o, prit,- ia ktheu Azemi,- e pra ç’t’iu them, vëllezër? E merrni vesh, besoj. Nuk bëra zë. Po pse, a ka burrë që mund të flasë në një gjendje të tillë? Përgjigjen e dashurisë e mora, të bukur përgjigje, e bashkë me këtë të keqe edhe një të keqe tjetër, po kaq të madhe, fyerjen. Po, po, ajo as më pak as më shumë, më kishte fyer. Kur e kishte punën kështu, pse, me çtë drejtë më kishte mbajtur kaq kohë? Unë nuk iu luta, nuk iu bëra baltë, si dhe nuk e kërcënova, por thjesht i pata shprehur ç’ndieja për të. Pse, për mendimet a ndjenjat e tua tregohesh aq i përkorë, kurse ato të tjetrit as që i llogarit fare?
  Ah, të lutem shumë, kështu jo! Nejse, aty s’ishte vendi për këtë muhabet, e unë vazhdova rrugën. Ajo m’u gjend shpejt në krah, por, copë t’iua them, më dukej sikur po e mbaja në kurriz.
  Ishte dimër dhe një shi i ftohtë s’kishte reshtur qysh në mëngjes. Hymë në dushkajë. Aty ishte mbretëria e dimrit; erë, shi, ftohtë. Nuk e di se pse e ktheva kokën prapa dhe, të them të drejtën, u befasova. Ai flokëverdhi po na ndiqte pas.
            -Po vjen ai djali,- i thashë asaj.
            -Cili djalë,- tha ajo pa kthyer kokën.
            -Flokëverdhi.
            -Unë s’kam gjë me të,- tha ajo e u përskuq deri në majat e veshit.
  Po më çudiste kjo mungesë kuraje tek ajo. Pse të vepronte ashtu? Mos vallë i vinte keq për mua? E nëse kështu, kujt i duhej kjo djall mëshire. Kërkoja të vërtetën prej saj, vetëm të vërtetën. Ka raste që mëshira është më e poshtër se fyerja. Doja që ajo të fliste, prandaj vazhdova në timen:
            -Mos më rri larg,- i thashë,- se këtu ka edhe ujqër.
            -Të lutem, mos bëj shaka,- më tha.
            -Vjet në këtë kohë, me sytë e mi kam parë nëntë…
            -Çfarë nëntë, çfarë nëntë, Azem?
            -Nëntë ujqër. Ishin ndarë tre e nga tre e, të dërrmuar nga uria skërmitnin lëkurët e pemëve. Lëkurat e pemve, e jo njerëzit. Prandaj nxito.
  Ajo ndaloi e trembur. Të ftohtit, shiu, era të shkonin deri në palcë.
            -Të presim atë djalin,-këmbnguli.
            -E pse? Ti s’ke gjë, apo jo? Pastaj, ai që është nisur këtej, e ka vënë rrezikun në sy.
            -Unë do ta pres.
            -Prite,- i thashë.
            -E presim bashkë, Azem,- m’u lut.
  Unë vazhdova rrugën. Hapat e saj nuk po i dëgjoja më dhe diku ndalova. Ajo rrinte atje poshtë, vetëm, në shi. Era ia dha me ulërimë dhe ajo u tremb. Ndoshta iu bë si ulërimë ujqish e ndërkohë ia nisi vrapit jo, për nga unë, por për teposhtë… për nga ai.
            -Azem, të lutem!..
  Unë nuk doja ta dëgjoja më. Drejt, vëllezër, kam ndier dhimbje që kurrë nuk kam mundur ta shpreh dot. Pse, pse të më ndodhte mua? Ç’gjë të ligë, të pandershme pata bërë? Kurrë…kurrë… E dëgjova përsëri zërin e saj lutës, “Azem, Azem!” Por sakaq era që vërshëlleu më me dhunë, ia rrëmbeu zërin dhe ia hodhi tutje në humnerë. Shpejtova dhe e mbajta frymën, ja mu aty, nën atë gështenjën e madhe. Me të, me të të pranishme pata shpallur dashurinë dhe ja, po në praninë e saj po e digjja përfundimisht…
  Ai psherëtiu, rënkoi. Po bëja çudi, a kisha përballë vërtet Azemin!..
  …Ka kaluar goxha kohë. Shpesh kur jam i ngeshëm, kur kam pushim, shkoi e rri nën gështenjën e madhe. Jam bërë mik me të. Në të shumtën e herës, vetvetiu, duke qeshur i kërkoi asaj të më tregojë fjalët e Azemit, fjalët e tij që patën shprehur dashurinë. Mbaj vesh! Është e pamundur. Fëshfërima e gjetheve dhe e degëve është tepër e zorshme për t’u zbërthyer.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...