Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/27

Stili, gjuha dhe estetika e Dom Lazër Shantos




Lazër Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892 (ose me 7 korrik 1891[1]), në një familje tradicionalisht të shquar për patriotizëm, intelektualizëm dhe kontribut në fushën e albanologjisë[2]. Nacionalist e demokrat, orator, poet lirik, eseist, përkthyes, i mbiquajtur “famullitari i pianofortit”, Shantoja do kujtohet sidomos si përkthyesi i veprave të mëdha të Gëtes, Shilerit dhe Hajnes. Shkrimet e Shantojës mbetën të shpërndara ndër gazeta e revista, por u përmblodhen e u botuan në 2005 nën kujdesin e botimeve françeskane në "Vepra, Lazër Shantoja".


Lazershantoja.jpg


Lazër Shantoja lindi në Shkodër më 2 shtator 1892, nga Mikel (i quajtur shkurtimisht Keli) dhe Luçije (shkurtimisht Luçe) Shantoja.[2] Te dorëshkrimi Shantojana - Histori e familjes Shantoja D. Lazri shkruan se origjinën familja e tij e ka nga Vjerdha e Vjetër, pranë fshatit Rragam të Shkodrës.[3] Arsimin fillor e krey në kolegjin Saverian dhe në Seminarin papnor në Shkodër me profesor Ndre Mjedën e etër të tjerë jezuitë. Rreth viteve 1909-1910 u dallua në pervetësimin e latinishtes, greqishtes dhe italishtes. Ishte shqiptari i parë që njihte me kompetencë gjuhën esperanto në Shqipëri.[1]

Më 1914 vizitoi Vjenën për herë të parë. Studimet e larta teologjike i vazhdoi në Universitetin e Insbruku-ut, ku përvetësoi edhe gjermanishten. Me 29 maj 1915 u shugurua meshtar dhe si famullitar shërbeu në Pulaj, Beltojë, Velipojë, Rrjoll, Sheldî nga viti 1917 deri në vitin 1922. Filloi përkthimet dhe botimet e para u shfaqën te “Lajmtari i zemrës s’Jezu Krishtit”, “Kalendari i veprës pijore”, etj. Botoi “Për natë kazanash”, përmbledhje me lojra, kashë e lasha e proverba.[1] Në qershor 1919 burgoset nga italianët në Beltojë. Për dy vjet (1922-1924) është sekretar i Arkipeshkvit të Shkodrës, Imzot Lazër Mjedës. Më 17 prill 1923 takoi në Vjenë, Kancelarin e Austrisë Dr. Joseph Seipel. Bashkëpunoi me Anton Harapin për “Ora e Maleve”, ku shfaqi aftësitë e tij si shkrimtar i zjarrtë e poet satirik. Dom Lazri ishte bashkëpuntor i parë i tij së bashku me Luigj Gurakuqin. Pater Antoni, me vonë do të shkruante: «Kur kam nxjerrë gazetën s’kam pasë kênd me më ndihmue posë Dom Lazrit».[1]

Më 20 shkurt 1924 del prej shtypit “Shjor Puci”, një përkthim i Shantojës. Maj 1924 dha dorëheqjen prej redaksisë së Orës së Maleve. Pas atentatit të Beqir Valterit takon Ahmet Zogun.[4]. 22 Tetor 1924 vdes i ati i Dom Lazrit, Kel Shantoja[5]. Në janar 1925 u arrestua dhe u burgos si frymëzues e organizator i Revolucionit të Qershorit 1924. Mbas disa muajve burg u fal nga qeveria e Ahmet Zogut dhe u largohua për në Jugosllavi.

Me 2 tetor 1925 prej Beogradit, me zemër të pikëlluar, kujton me një artikull prekës te ”Liria Kombëtare“ vrasjen e Gurakuqit. Më 1 shtator 1926 në Cetinjë mori pjesë e mban ligjëratën në varrimin e Kapiten Mark Rakës, vdekur në rrethana misterioze në një aksident rrugor. Në 1928 kaloi nga Jugosllavia në Vjenë, Austri. Këtu filloi të botojë gazetën “Ora e Shqipnisë”, financuar nga Hasan Prishtina.

Nga ndërrimi i shpejtë i gjendjes politike në Shqipëri, D. Lazri doli prej atdheut dhe vajti në Zvicër si famullitar i fshatit Bienne ku predikon gjermanisht, më tej në La Motte te kantonit Vaud, ku qëndroi për pesëmbëdhjetë vjet, duke perfeksionuar dijet e tija në frëngjisht. Për të jetuarit me të ka shkuar edhe e ëma, Çija. Në fshatin zviceran filloi të përkthejë Wilhelm Tell-in e Faust-in. Asokohe në Shqipëri Kumbona e së Dielles, Cirka, Illyria etj. shtypnin pa pushim artikujt e përkthimet e Dom Lazrit. Në 1936 e përkohshmja LEKA botoi Hermandin e Dorothenë e Goethes, përkthyer prej Dom Lazrit. Më 4 Maj 1937 i vdiq në Rumani i vëllai, Kapiten Luigj Shantoja.[5]

Gjendja e re, e krijuar në Shqipëri me 7 Prill 1939, i çeli rrugën, si shumë të mërguarve të tjerë edhe D. Lazrit për t'u kthyer rishtas në atdhe[2] [6]. Në vendlindje iu bëh një pritje tepër e ngrohtë. Ai mbajti meshë në kishën kathedrale dhe tha një omeli të paharrueshme për të pranishmit. Shkodranëve u tha: «Më keni mbytë me gosta». Më 28 shtator 1939 mbajti fjalimin me rasën e dorëzimit të Flamurit të Ri. dhe po në atë vit u vendos bashkë me të ëmen në Tiranë. Ka shumë shpresa te epoka e re në të cilen ka hyrë populli shqiptar. Në 12 mars 1940, Shantoja niset me motoanijen «Calitea» nga porti i Napolit, për në Misir,[7] ku u takua me shqiptarët e atjeshëm prej të cilëve u largua me përshtypjet më të mira.[5]

Më 1941, bashkë me Ernest Koliqin, Mustafa Krujën, Zef Valentinin, Karl Gurakuqin, Xhevat Kortshën etj., qe një nga themeluesit në Tiranë të Institutit të Studimeve Shqiptare. Mbështeti pambarimisht qeverinë e Mustafa Krujës. Në maj të 1943 merr pjesë në varrimin e Ndok Gjeloshit në Tiranë, vrarë nga njësitë guerrile. Me kapitullimin e Italisë në shtator 1943 u tërhoq prej skenës politik dhe vijoi të merret me përkthime, ndërsa vëzhgonte me dhimbje të madhe luftën vëllavrasëse që kishte filluar në Shqipëri.[1]

Arrestimi dhe vdekja


Në fundin e vitit 1944 dom Lazri iku ndër malet e Sheldisë, ku bujti në qelën e Dom Nikollë Gazulli një natë. Në Dedaj ka ndenjur 22 ditë tek i quajturi Mark Tom Prela, e më tej në shtëpinë e Kolë Nuri Sheldisë për 26-27 ditë. I fundit kishte qenë shërbyes në shtëpinë e Shantojës. Do dënohej për "krimin e mikpritjes" 6 ditë para mikut që i kishte mësye konakun.

Në momentin kur erdhen komunistët në pushtet, në janar 1945[1] e arrestuan dhe e torturuan (Oficeri pyetës: Lako Polona e Skënder Hysi, Proçes-verbali datë 27 janar 1945). Kur u kap nga forcat partizane Don Lazri iu tha atyre ndër sy:

"As ma pak e as ma shumë, se ajo që kam dijtë me kohë, se, komunistët janë veç trathtarë!"

Më datën 31 janar 1945, ditë e martë, ora 15.00, në Shkodër, u dha vendimi nga Gjykata Ushtarake e Qarkut, me kryetar Esat Ndreu, antarë: Mustafa Iljazi e partizani Hysni Lame, prokuror Vaskë Koleci, sekretar Shaban Kuçi:

"I pandehuri Dom Lazër Shantoja me vdekje, me pushkatim."

Me datën 2 shkurt 1945, aprovohet nga Gjykata e Lartë Usht. Tiranë, vendimi i dhënë në bazë të ligjit nr. 21, dt. 30 janar 1945, nga gjykata ushtarake e korparmatës së III, Shkodër:
"Dom Lazër Shantoja, vjeç 52, nga Shkodra, dënohet me vdekje - me pushkatim".
Me datën 9 shkurt 1945, u mblodh komisioni për zbulimin e kriminelëve të Luftës për Tiranën... Shoku Jusuf Alibali, vjeç 24, nga Shkodra, deklaron si mbas akt-akuzës së sipërme. Poshtë shënohet: Deklaruesi (Jusuf Alibali) d.v. Komisioni hetimor: J.Alibali d.v.

"Vendimi u ekzekutue në Tiranë, me datën 5 mars 1945."[1][8]

Urrejtja e pushtetit komunist ndaj këtij intelektuali që kishte përkthyer Goethe-n dhe Schiller-in e kishte shkruar në revistat më të rëndësishme kulturore të Shqipërisë (Përparimi, Agimi, Hylli i Dritës, Illyria etj), ishte aq e madhe, sa torturuesit i kishin këputur katër ekstremitetet e trupit. Kështu Dom Lazri ishte i dëtyruar të tërhiqej zvarrë nëpër qeli me gjunjë e bërryla. Fati i Shantojës i kishte rrënjët e veta në qëndrimin antipërëndimor dhe antikristian të komunistëve dhe në qëndrimin propërendimor të Shantojes, si dhe në besimin e tij te ringjallja e kulturës autoktone të krishterë shqiptare të periudhes para turqve, bindje të cilen ai e shfaqi në veprat dhe poezitë e tij. Kur nëna e Shantojës shkoi të vizitojë djalin e saj në qeli dhe e pa të vuajë me këmbë e krahë të prerë, iu lut me ngulm rojeve të burgut që t'i tregonin mëshirën e fundit djalit të saj dhe ta vrisnin. Ekzekutimi ndodhi me 19 shkurt 1945 në Tiranë nga një ushtar, bashkë me Sulçe beg Bushatin. Ish drejtori i Shoqërisë Letrare "Dante Alighieri" në Tiranë, si dhe ish anëtari i Institutit Mbretëror për Studime Shqiptare, Dom Lazër Shantoja, u gropos në një varr pa emër afër Tiranës.[9] Partizanët, pasi e ekzekutuan, thirrën për kryerjen e sharteve të vdekjes Atë Viktor Volajn, i cili ishte edhe njeriu i fundit që pa kufomën e martirit. Më 28 qershor 1949 vdiq e ëma e Dom Lazrit, Luçije Shantoja.[5]



Shkrimtar origjinal në poezi dhe në prozë




Përmbledhja publicistikës së L.Shantojes

Në pesë tingëllimet “Zog Mali” të nëntitulluara “Duhija”, “Lamtumirë”, “Mërgimi”, “Kështjelli” dhe “Barija” autori, siç duket, parafytyron alegorisht vuajtjet e rrepta që pëson shqiptari, i cili gjen prehje vetëm në soditjen e një kështjelle, lavdi e kohës së kaluar. Origjinaliteti Shantojës shprehet në vargjet satirike plot ironi e sarkazëm që u botuan në shtyllën Ora ndër valle t'Ores së Maleve. Në prozë kemi një radhë shkrimesh nën titullin “Kodra mbas bregut” të botuara në të përkohshmen “Cirka”. Ato janë një prodhim letrar pothuaj “sui generis” në shqip, me të cilat autori në një gjuhë popullore të gjallë e argëtuese vihet së largu në përpjekje me doket dhe jetesën tipike shqiptare, sidomos kur thekson kontrastin e mentalitetit të vjetër me atë të të rinjve.[2]. Në pikëpamjen estetike vepra e tij paraqet një interes sepse në të jetojnë natyrshëm tendencat e letërsisë bashkëkohore të fillimeve të shekullit XX, sidomos gjejmë gjurmët e asaj franceze dhe gjermane. Ironia dhe sarkazma e fortë e afrojnë në publicistikë me autorë si Karl Kraus-i dhe Kurt Tuchosky, forca e të cilëve tundi me rrënjë Vjenën dhe Berlinin e gjysmës së parë të '900-ës. Poezia e tij ka notat e pesimizmit kozmik leopardian, kurse rrëfimi i shtruar e i ëmbël me thekse baritore e afron me një Chesterton. Gjithsesi tek ai ndihet e gjallë qenja shqiptar e stili i tij origjinal.[9]

Orator


Aftësinë e tij oratorike e dëshmuan fjalimet e zjarrta që mbajti shpesh në periudhën e manifestimeve të viteve 1923-24. Do të mbetet e paharrueshme biseda e flaktë që D. Lazri bëri në funeralin madhështor të Avni Rustemit. Në atë rast Shantoja u tregua orator i fortë duke tronditur shpirtat e atyre që ishin të pranishëm me fjalimin e tij.[2].

Përkthyes


Përkthimi i kryeveprave poetike gjermane është fusha në të cilën Shantoja derdhi një zotësi të konsiderueshme. “Kumbona” e Schiller-it dhe “Flutura” qenë sprovat e tij të para në lëmin e përkthimit. Në vitin 1935 nisi të botojë në të përkohshmen “Leka”, Hermandin e Dorothean, një poemth të cilit i dha shpirt e natyrë thjesht shqipe, megjithë vështirësitë që jep përdorimi i njëmbëdhetrrokshit në shqip.

Dom Lazri dha kontributin e vet të lartë në letërsinë e përkthyer shqipe me përkthimin e kryeveprës goethiane “Faust”. Ai dha dëshminë se edhe gjuha shqipe, me anën e një pende të vaditur, mund të shprehë mendime të thella filozofike.[2]

Ndryshe nga shumë shkrimtarë të tjerë shqiptarë të kohës, Shantoja ka njohur mjaft mirë letërsinë bashkëkohore europiane e prej saj ka çmuar shkrimtarë jo fort familjarë për ambjentin e tij natyror; ndër këta mund të permendim: Keats, Shelley, Heine, Wilde, Gautier, Munthe etj.

Ky horizont i hapur që kishte ndaj letërsisë botërore bëri që Shantoja të ishte krejt i veçantë dhe i ndryshëm prej poetëve e shkrimtarëve të tjerë të kohës së vet. Përkthimet e tij përbajnë një pasuri të veçantë për traditën shqiptare. Ndër autorë që i kanë tërhequr vemendjen përmendim: Schiller, Goethe, De Musset, F. W. Weber, Heine, Wilde, Immermann, Giannini, Leopardi, Parini, etj.

Fausti dhe Hermandi e Dorotheja të Goethes së bashku me Kumbonën e Schillerit janë kryeveprat që Shantoja ka ditur të përkthejë me një mjeshtëri të pashoqe. Nuk mbesin mbrapa as poezitë e [Leopardi]]t që i përktheu dhe i botoi në vitet '1940. Duket se asokohe pesimizmi kozmik i poetit italian e kishte mbërthyer, ndoshta si parandjenjë e fundit të vet tragjik.

Shantoja nuk mundi ta botojë të plotë përkthimin e Faustit, versioni përfundimtar i të cilit deri tash nuk është gjetur. Por prej pjesëve që kemi në dorë, duke i krahasuar me përkthimet e mjeshtrave të tjerë të mëdhej, kuptojmë se sa i çmuar ka qenë ai Faust dhe se sa bukur tingëllonte shqip.[7]

Stili, gjuha dhe estetika


Dom Lazër Shantoja përgjithësisht ka stil popullor të rrjedhshëm dhe dinamik. Shprehja e tij priret drejt një gjuhe më të përbashkët që përdorën shkrimtarët e rinj gegë në kohën kur ai jetoi. Kultura e Dom Lazrit, që bazën e kishte në klasicizëm, u pasurua për hir të gjuhëve moderne, si gjermanishtja, frëngishtja dhe italishtja, të cilat i njihte fare mirë dhe i zhfrytëzonte me përfitim të plotë.[2]

Estetika e Shantojës e ka themelin te klasikët e letërsisë gjermane, Schiller e Goethe, ndërsa shumë shfrimeve lirike të tija ua gjejmë gurrën tek autorë bashkëkohorë që ai ka njohur e ka çmuar. Megjithatë, thelbi i artit të tij mbetet e bukura që na përcjell drejt amëshimit dhe ideja se jeta pa të është një përpjekje e kotë për të zgjatur një vuajtje të shkurtër.

Kthimi i shpirtërave në shpirtëra të bukur ishte ëndrra e Shantojës, por e parë në një kontekst e në rrethana krejt të tjera prej atyre të romanticizmit europian. Megjithatë, edhe ideja e veprimit konkret dhe shndërrues nepërmjet artit dhe të bukurës e Shantojës kujton etjen e romantikëve për të përmbytur e për të ndërtuar. Në një këndvështrimin estetik dhe lirik Shantoja donte të zhdukte brenda njerëzve zbrazëtinë, në mënyrë që të ndërtonte të bukurën në vend të saj, duke i kujtuar lexuesit se e bukura nuk është fryt i lëndës, por i shpirtit.[7]

Burimet:

  1.  Pepa P., "Lazër Shantoja (1891-1945)" Publikue ne albanovaonline.com me 5.3.2008
  2.  Dr. Dom Ukgjini N., "Dom Lazër Shantoja (1892-1945) - Shkrimtar origjinal në poezi dhe në prozë"
  3. Shantojana-Historia e familjes Shantoja, dorëshkrim Mark Shantoja, Sheldî 7.IV.1921. Shkëputun nga "Vepra".
  4.  "Vepra" ff.8, «Lazër Shantoja në Shêjzat e shkrimeve shqipe», nga dr. Arben Marku; Varazze, mars 2002
  5.  Lazër Shantoja (1891-1945)
  6. (Anglisht) Lazer Shantoja
  7. Botuar i plotë tek “Hylli i Dritës”, n. 2, 2009
  8.  Radovani-De Angelis F. "Një monument nën dhé", e botuar nga Misioni Katolik në Kroaci, Janar 2004.
  9. Ndreca A., "Toni i publicistikës së Lazër Shantojës", Telegraf. - Nr. 52, 5 mars, 2010, f. 20 - 21.


2013/11/26

Raimonda MOISIU - Kthjellohem pasi e kam shkruar poezinë

-Kam lexuar mbresa, mendime, komente të shumta për krijimtarinë tuaj, veçmas për librin tuaj të parë me poezi, me titull “Verbëri kotësie”. Si jeni ndjerë rreth këtyre vlerësimeve? Cfarë ju shtyhu ta titulloni me këtë titull?

image

Anxhela. R. Peza

Librin e parë e kam shkruar për t’ja bërë dhuratë familjes time, pasi ata investonin për arsimimin tim. Asaj kohe si 18 vjeçare mendova që talentin e spikatur nga 8-vjeçarja dhe gjimnazi ta shfrytëzoja në formë dhurate për ata. Komentet kanë qënë të shumta pasi ai libër u pasua nga tjetri pas 5 viteve. Madje disa komente i ruaj ende, janë të shkrimtarëve, të poetëve, kritikëve letrarë, pedagogëve, të afërmve të mi, njerëzve të thjeshtë, librarive, mediave të ndryshme etj. Kuptova në një mënyrë më serioze se talenti im ishte i dukshëm. Por duke studiuar psikologji më vuri në dyzim fakti se  ishte vërtetë talent apo frymëzim i moshës siç ndodh zakonisht. Për të diferencuar këtë gjë, e lashë veten të rrija disa kohë, të cilën e pëcolla duke shkruar gjithmonë pafund kudo dhe ngado. Jam fanatike për titujt, më të bukur dua të jenë ata sesa vetë poezia. “Verbëri Kotësie” është mesazh për njeriun i cili përpiqet aq shumë në jetën e tij, por e gjithë magjia qëndron tek liria që ka. Duke paur lirinë s’ka as pse të fustrohet, të ndrydhet, të ndjeki norma, tabu, zakone pa dashur, është i lirë, lumturia aty ndodhet.

-Cilat kanë qënë përfytyrimet më të herëshme se një ditë do të bëheshit shkrimtare? Kush ka qënë dashuria tuaj e parë,?       
                                                                                                                    

Mbase e kam ditur gjithmonë që do bëhem shkrimtare qysh në vegjëli. Ma kanë induktuar zyshat gjithmonë, “do bëhesh shkrimtare, se shkruan shumë bukur” krijoja vazhdimisht vjersha, shkruaja ese paksa filozofike në përputhje më moshën. Vendimin e prerë e kam marrë pasi krijova poezinë “Injoranti”. Dashuria imë e parë është dhe do mbetët poezia, nuk do isha unë nëse nuk do e shkruaja atë gjithkund.


-Kush ka ndikuar në mënyrë të vecantë që ju ka frymëzuar apo inkurajuar për të shkruar një poezi?

Askush s’më ka inkurajuar, ajo është diçka e cila buron nga një vend që as unë nuk e di. Shkrimtarët shpesh thonë nga shpirti, por jo çdo shpirt prodhon. Qëndron përtej të panjohshmes burimi i saj. Kthjellohem pasi e kam shkruar poezinë aty e kutpoj se çfarë kam bërë.

-Cilat janë shprehitë tuaja kur  shkruani një poezi, tregim apo  meditim… . Dëgjoni muzikë apo dëshironi qetësi?

Ma kanë bërë shpesh këtë pyetje. Qetësi, verë të kuqe, muzikë smooth jazz, Ëaldack,Yann Tieresen, Yiruma, të gjitha meloditë e pianos, i adhuroj më akomodojnë për të shkruar.             Këto janë kushte që i krijoj unë vetes kur e marrë me të mira. Realisht unë shkruaj ku të jetë, ku të vijë. Zgjohem në mes të natës e hedh diçka mbi letren që qëndron në talovilnë, në faturën e kafesë, duke pritur në takim, madje edhe kur bisedoj me ndonjë person e lë pauz 3 -4 minuta.



-Cfarë është një “muzë”. Është aftësi gjenetike sipas mendimit tuaj?

Gjithsecili nga ne nuk i shpëton dot gjenetikës se tij. Por mjedisi luan një rol mëse të rëndësishëm në jetën e njeriut. Pa pasur ngacmim nga shqisat e mia s’do mundja dot.               Çdo fjalë që më prek qënien, çdo fije bari e deri tek zogu lart në qiell shëndronhet në muzë. Shkrimtari e njeh dashurinë e zemrës dhe falë kësaj ai ka muza plot.

-Kush ka ndikuar në mënyrë të konsiderueshme në krijimtarinë tuaj, -prindërit, artet, letërsia apo  njerëzit e thjeshtë, qoftë edhe një person i vetëm që ka luajtur një rol të vecantë në frymëzimin tuaj?

Për ti dhenë dhe një përgjigje më të detajuar pyetjes më lartë, mamaja ime dhe dashuria parë kanë luajtur një rol të madh në frymëzimin tim. Pastaj gjithshka tjetër më ka ndihmuar në frumëzim, romanet, fshati, kështjellat, deti, mali, gjyshërisht në përgjithësi, pikturat e femrave nudo, skulpturat e 1700, qoftë dhe milingona me thërrime buke sipër më jep frymëzim. Edhe një bisedë me një të panjohur lë mbresa më shumë se të veçanta.

-Ju jeni poete. Dhjetra vargje  poetike dhe poezi të përmbledhura në vëllimin poetik botuar këtë vit “Zemër me Kock”. Ç’mund të na thoni për këtë përvojë interesante e përkushtim profesional, nivel e cilësi artistike- letrare?

Nëpër shkrime të poezisë e kam quajtur atë të “dashurin tim të parë”. Të them se unë përkushtohem shumë në poezi s’mund ta them këtë gjë, pasi ajo qëndron brenda meje, kur do të dalë jashtë meje vjen në formë shkrimi në letër. Nuk e kam imponuar ndonjherë veten që të ulem e të shkruaj poezi. Ajo kur qëndron brenda teje, nuk e  zgjedh momentin se kur do të dalë. Libri me poezi “Zemër me Kockë” erdhi bashkë me vendoshmërinë se un s’do ndahem më prej shkrimeve. Do vazhdoj ta bëj publike poezine time apo romane qofshin. Kam zgjedhur pikërisht këtë titull duke e njohur më mirë qënien njerzore nëpërmjet profesionit që ushtroj, jo gjithkush ka një zemër me tul, ku mbart vlera njerzore, norma, mirësi, dashuri, e drejtësi mbi të gjitha, e pra ka dhe nga ata që e kanë me kock ku e rëndësishme është qëllimi s’ka shumë rëndësi mënyra.


-Kur shkruani  cili është vendi tuaj më i preferuar, në studio,  në natyrë apo krejt rastësisht edhe duke pirë kafe diku?

Gjithkund ashtu siç u shpreva dhe më lart, në çdo vend nëse ndjej se duhet të hedh diçka në letër, e bëj. Çantës sime nuk i mungon ndonjëherë letra dhe lapsi, e po nuk pati gjej mjete rrethanore për të shkruar dicka.

-Ju ndjek vazhdimisht  në krijimtarinë tuaj, duke qënë kështu një lexuese e rregullt.                   
Kam lexuar disa fragmente nga romani juaj në botim “ Monolog neuroze”. Në prozën tuaj ka mall, protestë, revoltë, dhimbje, psikikja me shpirtin artistik, dashuri, mesazh tolerance e paqe, ton qytetar e intelektual … A keni ndonjë ndjesi të vecantë që ju e shfaqni nëpërmjet artit të të shkruarit..?

I gjithë romani flet për psikologjinë e një femre adulte ku shpeshherë e vë në paralel ish- dashurinë e saj me dashurinë e një vajze adoleshente. Një cop dashurie e ndjerë ndryshe vjen në formë neuroze, tek shpreh se dashuria është e pafund e ndjesia e njeriut ndryshon nga gjithkush tjetër. Edhe pse historitë tona ngjajnë me tregimet e të tjerëve. Tregon se dashuritë kanë fytyra të ndryshme, dhe ti gjatë jetës mund të shikosh dhe provosh mbase disa prej tyre dhe mund të arrij faza që shikon se kush të ka pëlqyer më shumë e kush ka qënë më me rëndësi për ty. Shekuj më parë dashuria e madhe e fortë e kanë quajtur dhe sëmundje sa e vertëtë është ende kjo nëpërmjet fjalëve urbane të njerzve, kjo ende s’dihet duhet provuar dashuria dhe të flasësh për të. Unë mbetëm ende partizane e fjalës që të dashurosh është një luks që jo gjithkush mund ta ketë.


-Ju jeni psikologe këshillimi në media. A ka lidhje psikologjia me letërsinë? Si ja dilni ta shfaqni atë nëpërmjet artit të të shkruarit? Cila është lidhja mes gazetarisë e letërsisë?

Vërtetë kam më shumë se dy vjet tashmë që jam pjesë e pandashmë e medias si psikologe dhe shkrimtare. Të dyja kanë lidhje, çdo shkrimtar është pak psikolog, për të mund të përcjellë personazhin e tij më së miri. Mendoj se e kam të pashmangëshme të shkruaj mbi piskologjinë e njeriut. Gazetaria me letërsinë kanë lidhje të tjera, në rolin gazetaresk unë nuk hyj shumë pasi figura ime publike televizive vjen si specialiste e psikologut më së shumti, e më pas si shkrimtare.

- Pra,  sfida për të shkruar një roman qëndron në   përballjen me ndërtimin e strukturës së tij,   duke e krijuar atë me idetë që keni në mendje për ecurinë e personazheve. E paraqisni personazhin nga jeta reale në përshtatje me kohën e situatën apo anasjelltas?

Romanin tim të parë e kam shkruar gjatë periudhës që kam qënë në Firenze të Italisë.                  
 Por nuk kam vendosur ende ta botoj. Monolog Neuroze është i treti në numër. E dua më fort           se dy të parët ndaj dhe dua ta sjell tek lexuesit. Kjo mund të vijë dhe si një shtysë e madhe nga pasja e shumë klienteve adoleshente që mbartin probleme emocionale mbi dashurinë. Libri ka vetëm një personazh. Dedikimi vjen për të gjitha ato femra që një herë në jetë janë ndjerë të tilla.

-Kush apo cfarë ka qënë ndikimi  juaj më i madh si poete, romanciere apo psikologe? Cilat janë sfidat më të mëdha për ju në lëvizjen feministe si autore?

Ndikimi si poete ka qënë vet vetja ime. Ajo më shtyn vazhdimisht të shkoj drejt letrave të prodhoj është më e fortë se unë. Një poezi është një roman i tërë. Për të qënë psikologe e kam dëshiruar që 16 vjeç shumë herët e çdo herë e më shumë e kultivoja veten për të qënë e tillë në të ardhmën. Pa këto të dyja s’do isha unë. Lëvizjen fëmisniste e shikoj brenda të dy profesioneve. Si shkrimtare përcillet gjithshka emancipim, revolt, sfidohet nepërmjet risisë që ajo sjell krijimi yt, emri i madh të qëndrojë mbi një femër jo gjithnjë në meshkuj. Por botës i duhen dhe disa dekada të lindi një Shekspir femër. Si psikologe çdo femër që ulet përball meje rimëkëmbien e indentitetit të saj, të buzëqeshjes, të guximit.

-Keni qënë e sukseshme vitet e fundit si shkrimtare dhe psikologe në media duke gëzuar kështu edhe admirimin nga lexuesit e shumtë? A jeni habitur  kur ju kanë vlerësuar? Si ju bën të ndiheni kjo gjë si autore femër?

Normalisht shumë mirë. Vlersimi është domethënës se tregon për mënyrën se si përcillesh në publik, tek lexuesi, modeli që përcjell gjithshka ka rëndësinë e saj. Rrethimi me dashuri dhe pozitivitet të jep kurajo që mos të zhgenjesh asnjë më pas. Megjithatë unë jam një natyrë kritike e pandreqshme.

-A do ta keni të vështirë të shkruani një romancë dashurie rreth jetës intime të një vajze?

Jo aspak, përkundrazi do më pëlqente, do vazhdoj të shkruaj për të. Sa me shumë kalojnë vite tek unë aq më shumë bindem se nuk dua të heq dorë nga vetja. Të qënit unë. Pa tërhequr zvarrë paragjykimet, e fisit, lagjes, komunitetit, vendit që jetoj. S’dua ta llogaris këto kur shkruaj. Shkrimet janë bota ime virgjër, e pastër e sinqertë. Nëpërmjet empatisë unë mund të jem çdo lloj personazhi dhe të kem çdo profesion të kësaj bote. Një njeri nëse nuk ka një mëndje të lirë, një jetë me veprime të lira, edhe shkrimi dhëmb.

-Kur ktheni kokën pas si e shikoni krijimtrainë tuaj gjatë viteve? Cilat janë drejtimet dhe objektivat interesante për të ardhmen?

Krijimet gjatë viteve tregojnë shumë gjëra. Nëpërmjet tyre njoh akoma më mirë veten, zbuloj gjëra që mbase se dija që i mbartja. Në momentin që krijimet pubikohen ato nuk janë më të miat, janë të lexuesit. Objektivat janë të shumta, shkollimi i mëtejshëm, krijime jashtë vendit, do vazhdoj të bëj karrierë, do e rris më shumë emrin tim.


-Cfarë dëshiron të ndash me kolegët dhe audiencën e lexuesve që janë duke e lexuar këtë intervistë?

Lexuesve, ti largohen teknologjive e ti rikthehen librave. Ndërsa kolegëve i them se puna dhe dashuria ndahen me milimetra nga njera – tjetra, por për punën do thoja që është një sfidë në vazhdim, e që të frymosh sipër ujit duhet vullnet.


-Dhjetra e dhjetra vargje poetike dhe fragmente për femrën e dashurinë...Cfarë është dashuria për ju? Kur një vajzë e re  e ndjen se është e dashuruar? Si arrini ta reflektoni këtë në krijimtarinë tuaj letraro-artistike?

Dashuri do të thotë të duash tjetrin më shumë se veten. Të qëndrojë tjeri përpara gjithshkaje, mohimi i vetes. Një vajzë e re e ndjen kur është e dashuruar kur figura e tij pulson si pulsi i dorës në zemrën e saj. Dashurinë në krijmatrinë time do e reflektoj në format e pafundme të saj. Pa krusyer asgjë. Nëse jeta s’do kishte dashuri, do kishte robotë.

- Pse shkruan Anxhela  dhe cfarë simbolizon emri tuaj? Kush ia u ka vënë këtë emër?

O sa pyetje e bukur kjo. (qesh) Asaj kohe nuk shiheshe ende gjinia e foshnjeve. Dhe kur ime më ishte 4 muajshe shtatzanë, im atë shikon një ënderr ku i thonë që ti do lindësh një vajzë me emrin Anxhela. Që do të thotë ëngjell, unë isha ëngjëlli parë për prindërit e mi. Kjo mistika e vënies së emrit nga një ëndërr mbase rezervon gjëra të mira për mua.

-Si jeni ndier përballë botës së frikëshme  të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit maskilist? Cfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale”?

Në fillim e dobët besoj, sepse është ndryshe ta dëgjosh e ndryshe ta provosh, jam frikësuar, jam rrëzuar, jam ngritur. Ende kam frikë kam të gjitha këto. Qëndroj në mesin e tyre për t’ju bërë ballë asgjë nuk është e pasfidueshme përveç vdekjes. Me fjalët vetgjymtim dhe vetëvrasje intelektuale kuptoj atë që më dhemb më shumë nga vendi im. Më gjymton mentaliteti, pargjykimi, çdo gjë e cila nuk mbart gjërat e mia. Injoranca është një kategori që mua më nervozon më irriton së brendëshmi, arroganca, nëna që edukojnë djem maskilist, vajza materialiste, është për të ardhur keq realisht. Ne shpesherë rrim dhe përshtatemi me disa gjëra që na lëndojnë, na ndrydhin për të mos qënë më ne.

-Mendoni se keni arritur aty ku duhet me krijimtarinë tuaj apo kini akoma për të bërë? Cfarë po shkruani aktualisht? Projektet tuaja në të ardhmen?

Aktualisht do marrë pjesë në dy konkurse një në Triestë të Italisë dhe një në Sarajevë të Bosnjes. Nuk do flas shumë për në një tjëtër moment do ishte më mirë.

-Autorët tuaj më të preferuar…

Uuu sa shumë ka, Migjeni,Ismail Kadare, Dritero Agolli, Vicotor Consinaj, Entela Safeti Kasi, Mimoza Ahmeti, Honore de Balzak, Albet Kamy, Kafka, Leon Tolstoi, Dostojevski, Aleksander Dymas, MIhal Lermontov, Dino Buxati, Gustav Folber, Frederiko Grazia Lorka, Paolo Cohelo, Remark, Xhon Gollsuorth………e shumë e shumë. Çdo gjë që lexoj më pëlqen, se hedh dot poshtë.

-Si e shihni kritikën letrare sot? A ekziston një e tillë dhe e mirëfilltë?

Nuk më hasin shpesh sytë e veshët për kritikën letrare. E cunguar shumë, ka nevojë dhe vetë publiku televiziv apo lexues të dijë të diferencojë e të zgjedhe se kush duhet të lexohet.

-Mesazhi tuaj për talentet e reja, por edhe  për shkrimtaret femra në përgjithësi.

Intervistoi:Raimonda Moisiu

Çdo talenti të ri i uroj suksese në rrugëtimin e krijimeve. Uroj një tjetër Kadare, një tjetër Agoll, një tjetër emër që shëtit botën e bëhet krenaria vendit.

FLISTE HESHTJA PËR TRAJTIMET MIZORE...!

image

Nga: Ryzhdi Baloku



Për të siguruar sa më shumë prova materiale rreth veprimtarisë së pjesëtarëve të ilegales, që kohë më parë ishin arrestuar dhe tashmë gjendeshin në paraburgim, milicia, sigurimi i shtetit, gjyqtari hetues dhe prokuroria publike e qarkut zhvilluan hetime intensive për disa muaj resht. Mbështetur në provat e grumbulluara të hetuesisë, me 6 gusht të vitit 1964 prokurori i këtij institucioni shtetëror Miro Matoviç ngriti aktakuzën e përbashkët për të dy organizatat ilegale, në të cilën mes tjerash shkruan: Të akuzuarit gjatë veprimtarisë së tyre ilegale ishin angazhuar me tërë potencialin posedues për ta rrënuar rendin kushtetues, me pretendim që Kosovën dhe trojet tjera në Jugosllavi që janë të banuara me shumicë shqiptare t’ia bashkëngjisin Shqipërisë.

Meqë sipas procedurave paraprake tanimë kishin përfunduar të gjitha përgatitjet përkatëse për mbajtjen e këtij gjykimi, kryetari i trupit gjykues e caktoi datën për nismën e seancës gjyqësore. Lidhur me këtë, edhe avokatët e palëve në procedurë u njoftuan me kohë, përmes ftesave që i morën brenda afatit të paraparë ligjor.

Kur deshi të nisë shqyrtimi kryesor i këtij gjykimi, korridoret e gjykatës u mbushen me milicë e udbashë. Nga numri i madh i njerëzve që ishte brenda dhe vapa e madhe që mbretëronte jashtë, në gjykatore ndjehej një zagushi prej të cilës zihej fryma. Ndërkaq te hyrja e kësaj ndërtese dhe rrugëve përreth vërehej një përqendrim i shtuar i milicëve të armatosur me pushkë e automatikë, e që një tendosje e tillë hetohej edhe në qytet.

Nga burgu në gjykatë, të akuzuarit u sollën të lidhur me pranga, nën përcjelljen e dyfishuar të milicëve. Ata ngarendnin njëri pas tjetrit në resht shkallëve përpjetë. Kur arritën në katin e epërm, kolona e tyre dukej e pafund në korridorin e gjatë që çonte kah salla e gjykimeve. Ndonëse të drobitur, të pandehurit përpiqeshin për të ecur pa u përkulur, edhe pse paraprakisht iu kishin thënë nën kërcënim se do të ndëshkohej secili prej tyre që nuk do ta mbajë kokën ulur me shikim teposhtë.

Nga përvoja e përjetuar më herët, dihej se të pandehurit trajtoheshin me fasha të lagëta e medikamente mjekuese disa ditë para se t’iu fillonte gjykimi, ngase nëpër procedura të tilla kishin kaluar edhe shumë tjerë s’i këta. Një gjë e tillë bëhej me qëllim që nga opinioni publik t’i fshihnin pasojat e torturave, megjithëkëtë nga fytyrat e vrenjtura të të arrestuarve që iu përshkonte një tis i ndritur së bashku me shoqërimin e ndonjë prej hijeve çivit të mbetura në mollëzat e disave prej tyre, fliste heshtja që tregonte se nëpër çfarë trajtimesh mizore kishin kaluar ata, gjatë periudhës së marrjes në pyetje.

Në sallën e madhe të gjykatores, të pandehurit i rreshtuan me nga një milic në mes, në rendin e parë të ulëseve. Përball tyre ishte renditur trupi gjykues i përbërë prej pesë anëtarësh, në krye të të cilit qëndronte Zhivojin Cvejiçi në mes, që ishte njëherësh edhe kryetarë i kësaj gjykate qarku në Pejë, ndërkaq përkrah tij rrinte ulur Ngazëllim Sarhoshi, i cili gjithashtu e mbante postin e kryetarit të gjykatës komunale në këtë qytet. Anash tyre nëpër karrige kapardiseshin me azgani gjyqtarët porotë: Shebek Boshkoka, Trajka Angjelkoviç e Serasqer Batakçiu si anëtarë të trupit gjykues dhe po ashtu procesmbajtësja Zorica Malikoviç, që ishte nëpunëse e kësaj gjykate.

Pasi që kryetari i këtij trupi gjykues e hapi seancën gjyqësore me një qëndrim prej vojvode, prokurori publik i qarkut Bozhidar Babiç si një serdar nisi ta shpalosë aktakuzën e ngritur nga kolegu i tij Miro Matoviç, e cila kryesisht mbështetej në procesverbalet e të pandehurve dhe dëshmitarëve të marrë në pyetje nga organet e sigurimit shtetëror, gjyqtarit hetues Novak Tajiç dhe vetë atij, për çfarë pastaj në përmbyllje të këtij leximi iu drejtua trupit gjykues me kërkesë që këto akte të të akuzuarve t’i kualifikojë si vepra të rënda penale.

Në parim, provat e paraqitura në këtë aktakuzë, nuk i mohuan as të pandehurit e pranishëm, por gjatë marrjes në pyetje, secili prej tyre që fliste, në përgjigje shtonin: Për ta stimuluar shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi, ky regjim po ua mohon atyre të gjitha drejtat njerëzore, me qëllim që pastaj këto treva t’i kolonizojë me serbë e malazezë. Pos kësaj, secili i pandehur po ashtu sqaronte pa e fshehur synimin që e kishte pasur për çlirimin e të gjitha trojeve të okupuara nga Jugosllavia dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë, duke konsideruar këtë si një të drejtë universale që i takon çdo populli për të jetuar i lirë në shtetin e vet. Mirëpo të këto komente, ndërhynte kryetari i trupit gjykues me fjalë kërcënuese, se nuk do t’i tolerojë e as t’i lejojë që të flasin jashtë pyetjeve të parashtruara.

Meqë numri i të akuzuarve dhe dëshmitarëve ishte bukur i madh, gjykimi zgjati për disa ditë rresht.

Në ditën e përmbylljes së kësaj maratone gjyqësore, mbretëroi një qetësi varri. Të gjithë që ishin në sallë u ngritën në këmbë kur fjalën e mori Zhivojin Cvejiçi, kryetar i këtij trupi gjykues, i cili po ashtu ishte edhe violina e parë e orkestrës së koncertit të muzikës funebër që ekzekutohej nga UDB-ja jugosllave në krye me ministrin e brendshëm Aleksandër Rankoviç dhe xhelatët tjerë të udhëhequr nga partia komuniste. Të gjithë nga publiku u bënë sy e vesh për ta dëgjuar me kujdes shpalljen e këtij aktgjykimi, që nisi ta lexojë ai. Në gjykatore, fytyrat e familjarëve dukeshin të mpira, sikur të ishin para pushkatimit. Të pandehurit u shpallen fajtorë. Të gjithëve me radhë iu shqiptuan dënimet, që kryesisht silleshin në kohëzgjatje prej katër e deri në katërmbëdhjetë vite burg të rëndë, duke e llogaritur aty edhe kohën nga dita e arrestimit.

Kur trupi gjykues u tërhoq, familjarët nisen me dalë të kalamendur nga salla. Me fytyra të ngrysura, kolona e tyre ecte korridorit si një kortezh i përmortshëm. Me kokë të ngritur e çehre të vrenjtur Sokol Malësori ecte në mesin e njerëzve duke i lëvizur hapat ngadalë, ndërsa menjëherë mbrapa tij i shkonte mbas e reja Tringa në një gjendje kujtese krah përkrah me vjehrrën e saj Zojën, që në pamje shihej se nga pikëllimi zemra po i pikonte gjak. Përgjatë kësaj kolone, diku pak më tanë shihej edhe e shoqja Zekës - Nifa, e cila mezi mbahej në këmbë, e që e reja e saj Hana ia kishte vënë dorën nën krah me qëllim që ta ndihmonte për të ecur me lehtë, ndërkaq Petriti i cili ishte sugari i kësaj shtëpie, ecte avash para tyre me një pamje zemërimi.

Të nesërmen, sipas të dhënave nga agjencia e lajmeve “Tanjug”, mediumet shtetërore e bënë publike përfundimin e këtij gjykimi. Në tekstet e publikuara, radioja dhe gazetat kryesisht parafrazuan fjalët: “Grupet terroriste që vepruan kundër Jugosllavisë, i morën dënimet e merituara”.

Menjëherë pas këtyre publikimeve, si një lukuni ujqish që lëshohet mbi pre, strukturat e caktuara të Partisë komuniste dhe Lidhjes socialiste kaluan në ofensivë për t’i dhënë përkrahje pushtetit lidhur me këto dënime.

Kësaj lufte speciale psikologjike, e cila në Kosovë u përhap si epidemi, iu bashkëngjiten edhe organizatat tjera politiko-shoqërore.

Pos mbledhjeve të shpeshta që ato filluan t’i mbanin me strukturat e veta në çdo nivel, nëpër organizatat e Lidhjes socialiste të lagjeve, iniciohej izolimi dhe “leçitja” e të gjitha familjeve të të burgosurve politikë. Po ashtu u dha urdhër që institucionet shtetërore e publike, kooperativat e ndërmarrjet ekonomike të vihen nën kujdestari përnatë.

Me këtë rast, anëtarët e partisë komuniste u bënë vasalët më aktivë të UDB-ës, ndërsa e ashtuquajtura “milicia popullore”, intensifikoi patrullimet nëpër fshatra e lagje të qyteteve, sa që me veprimet e veta u ngjanin langonjve kur lëshohen në gjah.

Pjesë nga romani në dorëshkrim

Rexhep Polisi -Amaneti i fundit i Bedri Myftarit!

image 
Rexhep Polisi

Vdekjet gjithmonë përjetohen me dhembje e pikëllim të madh, por pikëllimi për ikjen e shkrimtarit dhe ish-të burgosurit politik, Bedri Myftari të rëndoka më shumë.






















Është një pikëllim sa i dhembshëm po aq edhe i rëndë. Përveçse një shkrimtar i shquar, Bedriu ishte njeri fisnik me shpirt të bukur, rebel dhe i dlirë, bujar dhe zemërbardhë… Të gjitha këto virtyte ishin harmonizuar tek ai njeri sa shpesh mirësia e tij kthehej në dhembje për shokun, mikun dhe cilindo që ka ndenjur një hop me të në tavolinën ku rrufiste kafen çdo mëngjes tek Hotel “Tirana Internacional”, ose siç njihet me emrin 15 katëshi. Bedriun trupvogël dhe me një zemër të madhe, i qeshur me sytë që i shkëlqenin gjithmonë, kurrë nuk e shihje vetëm në tavolinë. Në tavolinën e tij gjeje çdo ditë plot njerëz, të cilët e dëgjonin me vëmendje dhe shkëmbenin batuta me të.
Kështu e gjeta edhe atë mëngjes, një ditë para se të jepte shpirt. Sa u futa në lokal, ma bëri me dorë që të shkoja tek ai. Në fakt, për tek ai isha nisur se kisha ditë pa e takuar dhe ku ta dija unë se ky do të ishte takimi i fundit me mikun tim, njeriun e mirë Bedri Myftari?!
- Kam shkruajtur disa poezi këto kohët e fundit, më tha. - M’i ka hedhur mbesa në kompjuter, por do t’i sjell ty që t’ia nisësh me email Mujos, që t’i botojë tek “Nacional”. Patjetër, i thashë, mi sill nesër ose kur të kesh kohë dhe ia dërgoj unë Mujos. I ndritën edhe më shumë sytë nga gëzimi. Gjithmonë fytyra e tij merrte një shprehje tjetër, kur i botoheshin krijimet e tij në gazeta. Kishte shumë dëshirë t’i publikonte krijimet e tij, dhe në fakt sa herë që botonte poezitë dhe tregimet e tij ngjallnin interes tek lexuesi. Mbesa ishte pika e dobët e tij. Si shpjegohet më tha, mbesa ime ka mbaruar shkollën e lartë për gjermanisht me të gjitha notat 10-ta dhe është pa punë? Kanë marrë në Fakultet ata që e kanë mesataren 8 dhe nuk marrin mbesën time, pse të ndodhë kështu, m’u drejtua me pikëllim.
- Mos u mërzit Bedri, i thashë se do të fillojë një punë se i takon. - Nuk kam shpresë me këta që janë në pushtet, më tha. Sepse e di që e kanë me mua, se kam qenë i burgosur politik. Nuk dija çfarë t’i thoja dhe ndryshova bisedë. Pastaj më tha, po mora këstin e dytë të lekëve të burgut, do të mundohem të iki në Çamëri, kam shumë mall të shoh edhe një herë tokën ku linda dhe më dëbuan që fëmijë 5 vjeç.
Pastaj, ai më përcolli një copë rrugë deri afër punës time. A thua po e ndjente se ky do të ishte takimi i fundit?!
U ndamë për t’u takuar të nesërmen, sepse do të më sillte poezitë e reja për t’ia dërguar për botim. Teksa largohej, unë ktheva edhe një herë kokën pas dhe pashë tek largohej ai njeri me flokë të bardha dhe trupi i zvogëlohej edhe më shumë, ndërsa nxitonte në udhën pa kthim. Sot, Bedriu nuk ishte si përherë në tavolinën e tij tek lokali i 15 katëshit, por në tavolinën e tij ishte vendosur filxhani me kafenë që ai pinte çdo mëngjes, një tufë me lule shumëngjyrëshe, një monedhë bakshish për kamarierin, një fletë e badhë dhe një stilolaps. Kështu ishte përditë tavolina e tij, por e mbushur plot me njerëz. Sapo mbetej vetëm në tavolinë, Bedriu niste e shkruante poezi, ndaj dhe fleta e bardhë dhe stilolapsi ishin aty në tavolinë sot, a thua se po prisnin të zotin që të viheshin në përdorim...
Lamtumira e fundit
Familjarë, të afërm, miq e shokë, shkrimtarë dhe artistë i dhanë sot lamtumirën e fundit Bedriut. Kortezhi u përcoll për në banesën e fundit nga një lumë njerëzish. Një kurorë me lule u vendos mbi varrin e tij edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, si dhe nga shkrimtarë dhe artistë. Më pas u fol edhe mbi jetën dhe veprën e Bedriut. Bedri Myftari është nga ata shkrimtarë që vuajti vite të tëra burgu në regjimin komunist. Edhe pse ai kishte botuar dy libra me tregime gjatë regjimit komunist, iu hoq e drejta e botimit dhe pas viteve '90, ai mundi tërifillojë të botojë veprat e tij të spikatura. Edhe pse kaloi disa vite burg në ferrin komunist, Bedriu nuk ishte hakmarrës, por një njeri me zemër të madhe. I dashur me njerëzit dhe përkushtuar në letërsi. Ndarja e tij nga jeta ishte një humbje e madhe për familjen, të afërmit miqtë dhe shokët, por edhe për letërsinë shqiptare.
Jetëshkrim
Bedri Myftari lindi në fshatin Sklav të Filatit të Çamërisë më 21 dhjetor të vitit 1938, është shkrimtar shqiptar. Në moshën 5-6 vjeçare, me gjithë familjen, u detyrua ta lerë vendlindjen e vet, Çamërinë, i detyruar nga holokausi i monarko-fashistëve grekë dhe erdhën e u vendosën në Shqipëri. Shkollën shtatëvjeçare e kreu në Fier, të mesmen, një teknikum financiar, në Tiranë, po ashtu edhe gjimnazin në Tiranë.
Në fillim të viteve ’60 ka punuar si gazetar në gazetën “Zëri i Rinisë”. Ka filluar të shkruajë që në moshë fare të re. Është pranuar anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë (LSHA) në vitin 1966. Në këtë kohë, kishte botuar vëllimet me tregime “Fluturzat e borës” dhe “Mbrëmjet e qytetit tim”, me të cilat ka marrë çmim të dytë dhe të tretë në konkurset kombëtare.
Gjatë kësaj kohe një grup të rinjsh: Bedri Myftari, Suzana Selenica, Bilal Xhaferri, Namik Mane, Zyhdi Morava, Faik Ballanca, Roland Gjoza, Kostandin Dhamo, Sadri Ahmeti, Ahmet Golemi, etj., nisën të shkruajnë me dorë të lirë kundër realizmit socialist. Ky grup u zbulua nga organet e Sigurimit të Shtetit dhe u quajt “grupi i të rinjve kundër vijës së partisë në art dhe letërsi” dhe shumica e anëtarëve, me kryetar grupi Bedri Myftarin, u dënuan për agjitacion e propagandë kundër vijës së partisë në art dhe letërsi. Të gjithëve iu hoq e drejta e botimit për 20 vjet.
Pas shembjes së diktaturës komuniste, Bedriu punoi si gazetar në gazetën “Kosova”, kryeredaktor i gazetës “Tribuna Demokratike”, përgjegjës redaktor në gazetën “Emigranti shqiptar” që dilte në Europë, kryredaktor i gazetës “Bota shqiptare” dhe “Çamëria”. Ka bashkëpunuar me gazetën “Drita” dhe revistën "Krahu i shqiponjës”, organ i OJQ Shoqata Kulturore "Bilal Xhaferri", ku botonte publicistikë dhe krijimet e veta letrare.

Disa nga veprat e botuara
“Fluturzat e borës”, tregime, 1967
“Mbrëmjet e qytetit tim”, tregime, 1969
“Kronikat e vdekjes”, roman, 1994
“Rojtari i varrezës”, roman, 1995
“Ti je Eva”, poezi, 1996
“Dashuria e parë”, tregime, 1997
“Pranverë që s’kthehet më”, poezi, 1999
“Bardh e zi”, publicistikë, 2000
“Dashuri fatale”, roman, 2000
“Përralla”, Tiranë, 2001
“Vajza e rojtarit të pyllit”, përralla, 2003
“Zonja e Ambasadorit”, novela, 2006
“Simfoni e erërave”, poezi, 2005
“Vampiri, roman, 2006
“Pas Kastadivës”, roman, 2007
“E parathëna”, roman, 2008
“Eja në takim”, poezi, 2009

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...