Agjencioni floripress.blogspot.com

2013/11/29

Nga: FATMIRA NIKOLLI-Besnik Mustafaj: Më vjen mirë që hoqa dorë nga politika

Besnik Mustafaj: Më vjen mirë që hoqa dorë nga politika
TIRANE - Besnik Mustafaj ka promovuar mbrëmë librin e tij "Au toportret me teleskop", roman i ardhur pas 15 vitesh shkëputje të autorit. Botuesja e tij, Irena Toçi e "Toenës", e ka cilësuar botimin ngjarje të panairit, ndërsa redaktorja Beti Njuma i ka bërë një përmbledhje të shkurtër. "Letërsia është arsyeja e ikjes së tij nga politika. Ai e pati thënë atë kur e bëri publik vendimin, megjithatë, nga romani kuptohet më lehtë. Nga ana tjetër, unë kuptoj që e ka pasur të vështirë dhe e ka përjetuar dhimbshëm, humbjen e pushtetit", - tha ajo. Sipas saj, në libër përplasen Besnik Mustafaj politikan, ministër me Besnikun shkrimtar.
Vetë, Mustafaj, në hyrje paralajmëron lexuesit e vet të çmuar se ky nuk është një roman autobiografik, edhe pse njëri nga personazhet quhet Besnik Mustafaj.
E megjithatë, shumë prej detajeve që ai paraqet në të, kanë të bëjnë me takime të rëndësishme të kohës kur ai qe ministër i Jashtëm. Tisi i postit prej ministri, që në fjalimet e tij jashtë vendit kujdeset të gjejë fjalët e duhura për të përcjellë shqetësimin për Kosovën, i vishet kaq bukur romanit.
Përpos kësaj, në disa raste ai i referohet në libër "eprorit" të tij çka siç kuptohet nga ne si lexues, ai duket të jetë as më shumë e as më pak se ish-kryeministri Sali Berisha.
Një tjetër personazh që zë vend në libër është Ana-B. Në hollet e një hoteli luksoz në Monako, ai takon një lexuese të tij që është njëherazi këshilltare e presidentit Slloven.
Një tjetër personazh, tejet grotesk, është Selami Beshiri. Ndërsa ka kërkuar të ikë nga Shqipëria, arsyetimi që ai i ka dhënë zyrës së emigrantëve në shtetin pritës ka qenë pikërisht ky: një ëndërr të parealizuar qysh nga fëmijëria e hershme - të shuante nepsin për sallame e për salsiçe.
Mustafaj, përshkruan e detajon habinë e të huajve për këtë ëndërr të padëgjuar më parë. Arsyeja pse azilkërkuesi lë vendin e tij është ushqimi, e jo buka, por prodhimet e sallamit.
Mbi librin, Berishën e Mustafajn
Një ndër episodet më interesante të romanit, është përplasja e eprorit të Mustafajt (çka nëse kemi të bëjmë me të si ministër, ka qenë ish-kryeministri Berisha) me një shkrimtar të njohur finlandez. Siç e thotë edhe Mustafaj në libër, bëhet fjalë për Arto Paasilinna - qytetari finlandez më i njohur e më i çmuar botërisht, i përmendur shpesh e më shpesh vitet e fundit në listat e kandidatëve për çmimin Nobel.
Për shkak se siç përshkruhet në romanin e Mustafajt, ai po shkruante një libër, ku personazhi i tij shqiptar gjendej në pozicion jo të përshtatshëm e nxirrte në pah anë jo të këndshme të shqiptarit dhe shqiptarëve, eprori i Mustafajt (Berisha) në mes të hollit të hotelit luksoz të Monakos e akuzon atë si racist e albanofob....
Sa e vërtetë është kjo? Mbetet për të dëgjuar përgjigjen e Musfajat në ditët në vijim, e megjithatë, përshkrimi që ai i bën eprorit përkon me atë se si ne e njohim ish-kryeministrin tonë. Si për çudi, gjatë vitit të fundit si shef i qeverisë, Berisha i pat përdorur jo pak këto dy fjalë: racist e albanofob.
"Thesari i luftës"
Një thesar shqiptar i fshehur diku nëpër botë?
Besnik Mustafaj flet për atë që e quan thesar i vërtetë, i paçmueshëm, i gjithi flori e diamante, krijuar nëpërmjet sekuestrimeve të pasurisë së klasave të përmbysura nga revolucioni dhe vënë mënjanë në një vend ultrasekret, sigurisht jashtë Shqipërisë dhe sigurisht jo në ndonjë bankë. Ideja e tij është që të shkruaj një roman ku personazhi i tij vihet në kërkim të këtij thesari sipas disa fjalëve e kodeve të lëna më herët nga ish- diktatori. Bëhet fjalë për të gjetur atë, që në bisedat e fshehta dhe dokumentet e klasifikuara cilësohet "Thesari i luftës". Mustafaj aludon se "Thesari i luftës" do të shërbente për një ditë të zezë, më të zezën e ditëve: në rast se Shqipëria pushtohej nga ushtritë e kundrarevolucionit dhe udhëheqja me Enver Hoxhën në krye do të detyroheshin të kalonin në klandestinitet. Në atë thesar duhej, pra, të kishte rezerva monetare të pazhvleftësueshme nga kriza e thellë ekonomike, që do të trondiste botën me këtë rast dhe po ashtu të mjaftueshme për të financuar një revolucion, që do të niste nga e para.
Diku, në këtë moment në skenë del vetë Ramiz Alia. Madje, hidhet dyshimi se ai mund ta ketë pasur në dorë këtë thesar...

Nga: FATMIRA NIKOLLI-Ylli Polovina: Si i fshehu komunizmi pasardhësit e Skënderbeut


Ylli Polovina: Si i fshehu komunizmi pasardhësit e Skënderbeut












Të quajtur zyrtarisht si familje e shuar më 27 dhjetor 1561, me vdekjen e nipit të Skënderbeut, dukës Ferrante, dinastia e heroit në të vërtetë nuk u fik. Duke mos pasur trashëgimtarë, ajo shumoi pasardhës. Tani janë gazetarë, njerëz të shkencës ose të ligjit, punonjës bankash, muzikantë. Studiuesi Ylli Polovina vjen me të tretin studim për pasardhësit e Skënderbeut. Gjithçka ai është rrekur të arrijë, është të treguarit e historisë: si mbijetuan pinjollët deri në ditët e sotme.
Më sipër, cituam pjesën hyrëse të librit tuaj të fundit, "Pasardhësit e Skënderbeut, si u mbajtën fshehur".
Libri për të cilin po flasim është botimi im i tretë me tematikë përpjekjeje për këndvështrime të reja të veprës dhe jetës së heroit tonë kombëtar. Tek "Gjysma e harruar e Skënderbeut" (2008) mëtoj të argumentoj se si gjatë periudhës 1944-1990 Gjergj Kastriotit i është censuruar, për arsye ideologjike, lidhja e tij e fortë me Evropën dhe qytetërimin e saj perëndimor. Për këtë arsye ai përherë u interpretua si komandant ushtarak, si prijës, ndonjëherë edhe ndopak si diplomat, por kurrsesi si politikan. Po të ndodhte kjo do të zbulohej doktrina e tij politike, e cila kishte për themel lidhjen me Perëndimin.
Tek ky libër i parë për Skënderbeun po ashtu paraqis pikëpamjen personale se Gjergj Kastrioti është hero evropian më shumë se heroi ynë nacional. Pra, është të paktën dy herë më i madh nga sa jemi mësuar ta njohim dhe ta pranojmë ne.
Ndërkohë ka pasur tentativa çmitizuese, që kanë synuar të zvogëlojnë dimensionin e tij. Si i përgjigjeni ju kësaj?
Ky libër i tanishëm synon edhe më shumë. Në 335 faqet e tij paraqes prova të shumta se si, për arsye më shumë se politike, i është privuar opinionit shqiptar njohja me pasardhësit e Skënderbeut në Itali, vend ku kjo dinasti emigroi dhe u shumua deri në ditët e sotme. Me pak fjalë, libri i ri është edhe një rrëfim se si m'u krijua mundësia dhe u angazhova në kërkimin dhe gjetjen në Itali të pasardhësve të vërtetë, si i seleksionova ata mes falsëve të shumtë dhe si organizova sjelljen e tyre në vendin tonë. Është një histori që nis në 17 janar 1998, kur sapo i emëruar në ambasadën tonë në Romë, njoha kompozitorin dhe dirigjentin Lorenco Kastriota Skanderbeg.
Si është grupuar informacioni juaj?
Lexuesi respektohet duke i dhënë informacion të ri, jo duke bërë komente e shprehur opinione personale. Atë e nderon duke i dhënë faktet dhe duke e lënë të lirë të gjykojë vetë të besojë ose jo. Që ai të dijë sa më shumë për historinë e trashëgimtarëve fillimisht dhe më vonë, të pasardhësve të familjes Kastrioti në Itali, libri është ndarë në 47 kapituj. Kjo do të thotë që mesatarisht një i tillë përbëhet prej shtatë faqeve. Nuk është grimcim. Është ashtu "dendësim". Më lejoni t'i përcjell lexuesit titujt e një pjese të këtyre kapitujve: "Shefi i Ballkanit në agjencinë ANSA: "Kemi një shqiptar këtu afër", "Roma mes dy vendmonumenteve të Skënderbeut", "Kronikat regjistrojnë lojë politike", "Dega Kastrioti e Leçes", Izabela origjinale dhe një tjetër e dytë:, "Përplasen komunistë dhe antikomunistë", "Kastriotët-Zogu, rivalitet i ngacmuar", "Në Paris, mbi emrin e Gjergj Kastriotit, tre serbe", "Nga se vdiq Papa Pali II", "Veneciania Luçia Nadin", "Ku ndodhej Donika në dimrin 1466-1467?", "Një ngatërresë në Universitetin Oriental të Napolit", "Si u shpik vajza e Skënderbeut me emrin Vojsava", "Qeveritari i lartë italian, një Kastriot i rremë".
Çfarë risie, dokumente e prova të reja sjell libri juaj, për të dëshmuar se pasardhësit e Skënderbeut janë mbajtur fshehur?
Për ta provuar si u mbajtën fshehur për një gjysmë shekulli dhe cilët në të vërtetë janë ata, realët dhe jo falsët, është shkruar i tërë libri. Por në pak fjalë po tregoj shtratin ku ka ecur ky kërkim. Pasardhësit e Skënderbeut jo vetëm u njohën nga dy vendime të qeverive italiane në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të njëqindvjeçarit të shkuar, por edhe prej bashkësisë së arbëreshëve. U njohën edhe nga politika shqiptare e periudhës së Rilindjes. Kështu, në libër dëshmoj për rolin e tyre për të inkurajuar çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria turke, se si Filipo Kastrioti shkëmbeu telegrame urimi me Ismail Qemalin për shpalljen e pavarësisë, si qenë pjesëmarrës aktivë në Kongresin e Triestes në 1913, si i mbajtën marrëdhëniet me Ahmet Zogun, si një dërgatë e tij kreu bisedime për t'u martuar me njërën nga vajzat e degës së Kastriotëve të Napolit, si ai i ftoi në dasmën me Geraldinën dhe këta, të kënaqur, pas ikjes i dërguan mesazhe falënderimi. Çuditërisht këto raporte të vijuara të politikës shqiptare me pasardhësit në Itali të Gjergj Kastriotit, të pakompromentuara me kërkesa për pjesëmarrje të tyre në të drejtë froni apo pushteti publik në Shqipëri, u ftohën menjëherë pas ardhjes në pushtet të komunistëve. I vetmi dokument që kam gjetur është një listë në mes të viteve pesëdhjetë, ku njëri prej tyre gjendet në listën e ambasadës shqiptare në Romë, si mik i Shqipërisë dhe pastaj bie heshtja e plotë. Ndërkohë janë antikomunistët dhe Vatikani që jo vetëm i mbajnë lidhjet e rregullta me ta, por edhe i gjallërojnë vazhdimisht. Për këtë arsye i hap shumë vend çfarë ndodhi në Romë në 1968, me rastin e festimeve të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Kështu, derisa diktatura ra, nuk u bë asnjë përpjekje për t'i kontaktuar. Për inerci kjo vazhdoi edhe pas rënies së saj dhe unë paraqes në libër rrethanat përse dhe si ndodhi më në fund rikthimi i tyre. Tashmë, pas mbi gjashtëdhjetë vitesh. Gjithnjë si pasuri historike dhe kulturore e vendit tonë, për çfarë edhe ata vetë janë dakord.
Tani që libri juaj është shpërndarë në disa prej librarive të kryeqytetit, çfarë dëshironi ju të bëni për të?
Kam vetëm një "ëndërr": t'i promovoj tre librat e mi për Skënderbeun në një mjedis universitar në Prishtinë.
Me se po merreni aktualisht?
Kam në duar një libër me titullin e përkohshëm "Ambasadori ballkanik". Në të mëtoj të paraqes rolin e Shërbimit të Jashtëm Shqiptar në Ballkan. Do të jetë një i shkruar antologjik: analiza diplomatike, këndvështrime historike, skica e mbresa udhëtimi, rrëfime dëshmitarësh rreth ngjarjeve më të bujshme...

Nga: FATMIRA NIKOLLI-Petro Marko, Plasari: E dënuan miqtë e tij ziliqarë


Petro Marko, Plasari: E dënuan miqtë e tij ziliqarë

TIRANE - Me mall prej Vlore vallen zuri,/ U tund Arbnia, zgjohet me nga dal,/ Rrezët e dritë shikon që pruri,/ I kombësis fatos Ismail Qemal/ Rroft, emri i Tij, dhe lart, oj lart Flamuri". Këto vargje i përkasin poezisë së parë që ka botuar në media Petro Marko. E shkruar në "Shqipëria e Re" më 9 dhjetor 1930, djali i Himarës, asokohe 17 vjeç, ka përdorur pseudonimin "Vlonjati". Gazeta, është pjesë e ekspozitës së çelur dje në Bibliotekën Kombëtare me rastin e 100-vjetorit të lindjes së shkrimtarit, ku paraqiten gjithë veprat e tij. Një fotografi ku ai shfaqet në profil, me një cigare shtrënguar fort mes gishtërinjve, me vështrimin tretur diku tutje, larg prej përditshmërisë së gjithëvuajtshme. Ky është imazhi më i zakonshëm që na del para sysh, sa herë që përreth nesh përmendet emri i tij. Por, pas imazhit, fshihet një jetë dhimbjesh e burgjesh; një jetë e shkërmoqur në qindra copa, e shtrirë në një shekull, pothuaj të plotë, e pothuaj të pamëshirshëm ndaj tij. 
Përkujtimi 
Miq të tij dhe familjes, si Xhevahir Spahiu, Nasho Jorgaqi, Rajmonda Bulku, Fatmir e Irena Toçi, u mblodhën dje në mbrëmje në Bibliotekën Kombëtare për ta përkujtuar, së bashku me drejtorin e BK-së, Aurel Plasari e ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro. Marko, lindi më 25 nëntor 1913 në Dhërmi (vdiq më 1991). Pas vlerësimeve të bëra për shkrimtarin nga studiuesi Nasho Jorgaqi e ministrja Kumbaro, fjalën e mori Prof. Aurel Plasari. Për të, nuk qe një aktivitet i zakonshëm, çka në fakt e vu në dukje që në krye të herës kur tha: I kam borxhe Petro Markos që në adoleshencë. 
"Shoqëria ka ditur për të një legjendë, sipas së cilës, shkrimtari ishte internacionalist, luftëtar, i arrestuar, i burgosur, agjent anglo-amerikan e shumë më tepër se kaq. Legjenda ra, kur ai e vetërrëfeu jetën në 'Intervistë me vetveten", - tha profesori. 
Ai solli në vëmendje vitet '30, ku Marko u bë pjesë e debatit të intelektualëve të kohës. "Që në këtë kohë, për të filluan thashethemet e intrigat, që me kohën do intensifikoheshin më shumë. Në një letër, ai vetë thotë se e kanë akuzuar edhe si i shitur i Moskës", - kujtoi profesori. 
Miqtë si armiq 
E përkundër të gjitha dënimeve që përjetoi Marko, për Plasarin më i rëndi qe ai që ia dhanë miqtë. Krejt i pamëshirshëm në fjalimin e vet (i përgatitur me kujdes), Plasari tha se, më cinik se arrestimi në kohën e Zogut a burgu në Itali, ishte në fakt burgu që i afruan miqtë e tij. "Vuajti histori zilie e urrejtjeje. Për 'Këngët e luftës' ia mohuan autorësinë, e më tej e akuzuan për gjëra që jo vetëm s'i bëri, por edhe që i urrente. Në një letër dërguar Gjykatës së Lartë ai shkruante: 'Më keni hedhur mes atyre që i kam urryer'", tha Plasari. Sipas tij, dosja e procesit hetimor ndaj shkrimtarit ende nuk është bërë publike, por në të ka detaje mjaft interesante. "Ai i bëri thirrje trupit gjykues që, sa u takon hetimeve, të kihet parasysh që të mos merren me hetime të fshehta, sepse me hetime të fshehta 'tradhtar del edhe komandanti e me to mund të dënohet me varje edhe fëmija nga barku i nënës'". Mandej, ai kishte kërkuar që, nëse shpallej fajtor si spiun, të mos i jepnin 3 vite burg, por ta dënonin me vdekje. Për Plasarin, qenë shokët e luftës e të penës ata që e kryqëzuan Markon. Në këtë kuadër, drejtori i BK-së citoi Aleks Cacin të ketë thënë: "Marko ishte burgosur për dyshime dhe mund të bënte vetëm punë të sektorëve të parëndësishëm", ndërsa Shefqet Musaraj të ketë thënë: "Ai, ose s'ka bërë asgjë, ose është i mbuluar mirë". 
Sa u takon debateve për "Hasta la Vista", Aurel Plasari citoi dje: 
Bedri Dedja: A do e lejojmë të shkruajë pornografi, se do që të imitojë Heminguejin? 
Sterjo Spase: Nuk imiton Heminguejin, me të e lidh koha e luftës. 
Fatmir Gjata: Le t'i heqë ato pjesë që shihen si pornografi. 
Baki Kongoli: Po nëse ai nuk do? 
Në fund të fjalës së vet, studiuesi Aurel Plasari u shpreh se ai vuajti për shkak të xhelozisë e zilisë artistike, ndaj unë do të thosha se ai jetoi mes lavdisë dhe zilisë.

NGA: FATMIRA NIKOLLI-Mentor Quku, Kongresi i Manastirit do dështonte pa Mjedën


Mentor Quku, Kongresi i Manastirit do dështonte pa Mjedën

TIRANE-Nëntori i këtij viti, shënoi pothuaj në heshtje 105-vjetorin e Kongresit të Manastirit. E njohur si data historike që njësoi alfabetin tonë dhe i hapi rrugës shqipes së miratuar bashkërisht, përvjetori dje u kujtua vetëm në Manastir. Nga Shqipëria, e pranishme ishte edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila në fakt, ka lidhje familjare më këtë ngjarje historike. Ndërkohë, "GSH" sjell një intervistë të Mentor Qukut, studiues i Ndre Mjedës, mbi rolin e këtij të fundit në kongres dhe rëndësinë që pati ngjarja. 
Cili është roli e pozicioni i Mjedës në Kongresin e Manastirit? 
Dom Ndre Mjeda është i vetmi gjuhëtar dhe glotolog në rrethin e letrarëve, gazetarëve dhe personaliteteve shqiptare që u angazhuan për problemet e alfabetit shqip e në mënyrë të veçantë për një alfabet shqip të njëjësuar. Duhet të pranojmë se shkencëtarët kanë ngatërruar përpjekjet për një alfabet shkencor dhe që do të përkrahej nga rrethet albanologjike të huaja me përpjekjet për një alfabet të përbashkët shqip. Duhet të pranojmë se janë dy linja që nuk janë e njëjta gjë, por që janë zhvilluar si dy rrugë paralele, që herë kanë kundërshtuar dhe herë kanë mbështetur njëra-tjetrën. Edhe përgatitjet për mbajtjen e Kongresit të Manastirit janë zhvilluar në rrugë të ndryshme që herë kanë konverguar dhe herë kanë diverguar, herë kanë patur karakter,romantiko-letraro-gjuhësor dhe herë karakter politiko-pragmatist. 
Kur e kishte nisur ai punën për alfabetin shqip? 
Ndre Mjeda kishte punuar për alfabetin shkencor të shqiptarëve që në vitin 1887, kur ishte vetëm 21 vjeç, kur ishte student i teologjisë në Chieri. Ndofta edhe më herët kur ishte student në Kroaci. Duhet të nënvizojmë faktin se Mjeda që nga kjo kohë dhe deri në 1908, dmth deri në mbajtjen e Kongresit të Manastirit në vitin 1908, punoi për 20 vjet me radhë intensivisht në këtë linjë. Shpesh herë studimet tona kanë keqkuptuar, keqinterpretuar, kanë neglizhuar herë me qellim e herë me dashje, kontributet e vërteta të Mjedës për një alfabet shkencor dhe të përbashkët shqip. 
Në Kongres ka pasur dy rryma sa i takon alfabetit si edhe përplasje se cili alfabet duhej zgjedhur... 
Po. Ky gjuhëtar dhe glotolog, mbas njëzet viteve pune dhe përpjekjeve të vazhdueshme, në një çast vendimtar, kur luheshin fatet e kombit, gjeti forca që të falte çdo gjë të tijën në favor të arritjes së kompromisit historik, atij të marrjes së vendimit për alfabetin e përbashkët shqip më 20 nëntor 1908. Edhe para Kongresit të Manastirit, Mjeda, megjithëse në krahun e fituesve, me-gjithëse kishte botuar me alfabetin e tij me shenja diakritike rreth 15 tekste shkollore, dy gazeta e një kalendar shqip, përfshihet në përpjekje për kompromis me dy shoqëritë rivale, shoqëritë "Bashkimi" dhe "Stambolli". Studimet rreth këtij kongresi u frenuan në një farë mënyre nga vendimi që morën anëtarët e komisionit të alfabetit për të ruajtur fshehtësinë dhe anonimatin e debateve. Kurse punimet e tij u manipuluan dhe u instrumentalizuan për një shekull, gjë që ndodhi kryesisht për shkaqe jashtëletrare: Ku shqetësimi i pjesëmarrësve të Kongresit të Manastirit dhe ku preokupacioni i shtetarëve dhe politikanëve një shekull. 
Çfarë dokumentesh trashëgojmë nga Kongresi? 
Për fat, deri tek ne, kanë arritur katër dokumente të hartuara direkt nga anëtarët e komisionit të alfabetit, që flasin mbi punimet e Kongresit të Manastirit: 
1. Relacioni i Gjergj Qiriazit, i hartuar më 20 janar 1909, Manastir, në anglisht. 
2. Kronikë e punimeve të Kongresit të Manastirit e Mit'had Frashërit, botuar në gazetën "Lirija" më 8 (21) nëntor 1908, Selanik, në gjuhën shqipe, me alfabet të Stambollit. 
3. Procesverbal i mbledhjeve V dhe VI të komisionit të alfabetit, mbajtur nga Luigj Gurakuqi më 6 (18) XI/1908, me alfabet të Stambollit, autograf. 
4. Kujtime autograf të Dom Ndre Mjedës, me alfabet të Kongresit të Manastirit, pa datë. 
Në mes të dokumenteve që kanë arritur deri tek ne, kujtimet e Mjedës sqarojnë mekanizmin e zhvillimeve dhe atë të zgjidhjes së ngërçit që kishte pushtuar punimet e Komisionit të Alfabetit, më 20 nëntor 1908. Ruhen në AQSH proces-verbale të mbledhjes së 7 (20) nëntorit 1908, ku pasqyrohet vendimi për alfabetin e përbashkët të shqiptarëve. Me interes për studimet janë edhe deklarata, kujtime dhe debate nga revista si rev. Cirka, Leka, apo autorë bashkëkohës, si Dom Ndue Doçi, Ernest Koliqi, Lul Shkurti, Atë Zef Valentini SJ, August Kral, Atë Pal Doda OFM, Dom Ndoc Nikaj, Atë Pashk Bardhi OFM, Injac Zamputi, Atë Antonin Fishta. 
Cilat qenë arritjet e kësaj mbledhje të madhe? 
Përfundimet lidhur me Kongresin e Manastirit janë: 
1. Burimet dokumentare për këtë ngjarje të rëndësishme historike, pavarësisht nga ndonjë ndryshim i vogël dhe i parëndësishëm nga karakteri subjektiv i tyre, përbëjnë një njësi organike pa pasur kontradikta themelore. 
2. Dokumentet arkivore dhe kronikat e shtypit lidhur me këtë kongres janë të besueshme. 
3. Sipas fjalëve të Fishtës: "Ndre Mjeda në Kongresin e Manastirit përbën një autoritet të shquar dhe për më tepër një shtrim të ri të çështjes së alfabetit nga të gjitha anët". (Arkivi i Vjenës, raporti i konsullit Zambaur, Shkodër, 12 janar 1911.) Veprimtaria e Mjedës në Kongresin e Manastirit, përbën fazën kulmore, atë më të shquarën, në mes të punës së tij njëzetvjeçare për alfabetin e njësuar shqip. 
4. Rreziku i alfabetit arabo-turk gjatë punimeve të Kongresit të Manastirit qe i dukshëm. 
5. Përpjekjet e pararendësve që punuan për një alfabet të përbashkët luajtën një rol me rëndësi në përfundimet e Kongresit të Manastirit, por nuk janë pjesë e vendimit të 20 nëntorit 1908 për alfabetin që kemi sot. 
6. Secili prej delegatëve shkoi në Manastir si dalzotës i një alfabeti të caktuar. 
7. Kthesa e madhe filloi në komisionin e alfabetit. Punimet e komisionit të alfabetit u bllokuan, duke bërë që të rrezikoheshin punimet, që Kongresi të dështonte përfundimisht. 
Dhe ka qenë Mjeda ai që gjeti një zgjidhje për përplasjen... 
Ndre Mjeda, duke parashikuar një fund të palavdishëm të Kongresit, tërhoqi alfabetin e tij, dhe krijoi mundësi për pajtim në mes të tri palëve. Kjo ndodhi natën e 19 nëntorit. Në darkë ai takoi Mit'hat Frashërin dhe i paraqiti atij një alfabet pajtimi. Ai propozoi alfabetin e sotëm si alfabet pajtimi. Ditën tjetër në mëngjes u bë mbledhja e komisionit të alfabetit ku u vendos për dy alfabete, ky që kemi sot dhe një tjetër, ai i Stambollit, me disa ndryshime. Ky vendim i arritur në kufirin e limitit, u shoqërua me fjalime entuziaste, dhe me manifestime. 
Kongresi i Manastirit qe një kongres pajtimi me karakter të pastër politik, ku linja shkencore-gjuhësore luajti rol të dorës së dytë. Mjeda luajti në Kongresin e Manastirit rolin e lehtësuesit. Me botimin, me alfabetin e ri të Abetares shqipe, Mjeda bëhet i pari autor në historinë e alfabetit shqip, që zbatoi në botimet e veta alfabetin e Manastirit. 
Dhe nuk ja falën rrethet antishqiptare Mjedës kontributin e tij për shmangien e dështimit të Kongresit të Manastirit, me manovrën e tij gjeniale, ai u rrah, keqtrajtua, burgos dhe e dërguan brenda qytetit të Shkodrës, ku poeti jetoi dhe...

Nga: BEN ANDONI-Petro Marko, një mësim për shoqërinë

Petro Marko, një mësim për shoqërinë



Petro Marko ka një përvjetor të madh për pak ditë. Një datë, që shënon 100-vitet e ditëlindjes së tij, kohë që besohet se do t'i përkujtohet me nderimin e duhur. Por, në atë ditë, ata që do të kenë një farë vetëdije qytetare, duhet t'u mjaftojë të kujtojnë edhe për vuajtjet e këtij njeriu. 

Të nisura që herët në jetën e vet, ato e ndoqën përgjatë të gjithë jetës. Në këtë letër që po e botojmë për herë të parë, kemi një shfrerje qytetare të tij, sesi ia kanë përdhosur idealin. Duhet të jemi të ndërgjegjshëm dhe të lexojmë mes rreshtave dhe të mos paragjykohet besimi në idealin komunist, që në atë kohë ishte në front të gjerë ndër masën e madhe të njerëzve. Ai flet me dhimbje për jetën e vet, gabimet e veta njerëzore, pjesa më e madhe e të cilave vinë prej sinqeritetit dhe shpirtit të tij artistik, por më shumë kudo flitet për zhgënjimin e vet. Është interesant kjo pasqyrë e re që na jep për ikonën e komunistëve Ali Kelmendi sesi stërhallesh në Francë, duke luajtur bixhoz dhe sesi i ka shpërdoruar pa iu dridhur syri paratë që duhet të shkonin drejt familjes së Petros. 

Më i dhimbshëm është roli i Nako Spirut (nëse ai nuk e tepron), që në të ritë i ngacmon familjen, por më e dhimbshme akoma është sjellja e hetuesve ndaj tij. Çuditërisht prokurori ka folur mirë por dëshmitë që jepen ndaj tij prej hetuesve servilë janë të këqija dhe gjithnjë e më të këqija. Megjithatë, ajo që duam të theksojmë është mjedisi meskin i paraardhësve tanë, që ndryshon fare pak nga të sotmit. E akuzojnë për paratë me pikatore që merr për të bërë ABC-në që mundi të botohet vetëm në një numër, sesi akuzohet e akuzohet për të gjithë jetën. Shfrimi i Petros në këtë letër nga burgu më 5 Maj të vitit 1949 është më shumë se i dhimbshëm. Është trishtimi për idealin e marrë nëpërkëmbë, meskinitetin e shoqërisë së prapambetur shqiptare që tani e kupton më së miri dhe që në këto momente të vështira, ka mundësi t'ia sendërtojë të keqen. 

Zhgënjimi për komunistët dhe partinë e tij për të cilën ka sakrifikuar dhe ka vuajtur është i tejmatë. E keqja fshihet si struci dhe në sipërfaqe kanë dalë servilët dhe njerëzit që manipulojnë. Kjo nuk është më dhimbje por është fytyra e shoqërisë shqiptare që duhet thënë se pak ka ndryshuar në thelbin e vet. E ardhur nga një realitet shumë osman që zgjati me shekuj, ajo nuk i shpëtoi plagëve shoqërore që i ka pasur të plazmuar. 

Në këtë masë, përballet personazhi ynë duke parë se edhe ideali nuk i ndryshon aq lehtë shoqëritë. Tek e fundit, tradita është themeli ku mbahen shoqëritë dhe duhen disa revolucione që ato të shndërrojnë realitete. Situata shqiptare është shumë specifike dhe e trishtuar për ata që kanë besuar të ndryshojnë. Një nga këta është Petro Marko, që besoj se njerëzit duhet ta lexojnë ashtu si duhet në këtë trishtim të jashtëzakonshëm, ku përfshihet zhgënjimi, pabesia por më shumë trishtimi që njerëzit e tij nuk ndryshojnë dot. 

NGA: FATMIR LUARASI : Ndue Shyti, Paganini i Çiftelisë Shqiptare

Ndue Shyti, Paganini i Çiftelisë Shqiptare













PUKE-Sot është e vështirë të gjesh një mjeshtër të çiftelisë apo të fyellit. Dikur e kishim. E kemi fizikisht edhe sot Artistin e Madh. E kemi harruar 80-vjeçarin Ndue Shyti, i cili njihet ndryshe edhe si Paganini i çiftelisë shqiptare. Askush si ai nuk dhuroi tinguj kaq të harmonishëm prej drurit dhe telave, apo fyejve; askush si ai nuk e solli artin dhe shpirtin e popullit në skenat më të mëdha të botës. E ky shkrim synon për të shlyer sadopak mëkatet tona të përditshme që bëjmë me të kaluarën e artë. Artisti i Popullit gjallon dhe sfidon me shpirt heshtjen tonë, duke sjellë kujtime që shumë prej të rinjve nuk i kanë dëgjuar kurrë; madje ato mund të duken edhe si legjenda… 

Mrekullia në Dizhon të Francës 

“Para se të niseshim për të marrë pjesë në Festivalin Ndërkombëtar të vitit 1970, në Dizhon të Francës, bëmë shumë prova në Ansamblin e Këngëve e Valleve në Tiranë dhe ‘qepëm’ një koncert që do të zgjaste 80 minuta”, – thotë Artisti i Popullit, Ndue Shyti. Kur mbërritëm në Dizhon na ndryshoi plani…. Na thanë se koncerti ynë (si çdo shtet tjetër) do të reduktohej në vetëm 15 minuta. Pra, duheshin hequr pjesë të ndryshme të programit. Mua më thanë që ‘ta qethja’ melodinë time. Rashë në mendime se çfarë të hiqja? Atëherë vendosa të shpejtoj ritmin. Nga shtatë minuta duhet ta bëja tre. Më erdhi radha. Dola në skenë. Fillova të luaj në çiftelinë që më kishte bërë Gjin Shkoza (mësuesi im i parë si instrumentist). Gishtat lëviznin lehtë dhe me shpejtësi si asnjëherë. Duhet ta mbyllja në kohën e caktuar, ndryshe grupi skualifikohej. (Kështu ishte rregulli). Binte gongu, pjesa mbyllej. Unë që nuk e matja dot kohën, në ato momente emocionesh duke i rënë çiftelisë, fillova të tërhiqem nga skena. Gongu (topan i thotë Ndue Shyti) nuk po binte. Ndërkohë. kryetari i jurisë më bëri shenjë t’i afrohesha mikrofonit. U afrova dhe vazhdova t’i bie. Më ftoi të zbrisja nga skena për te juria. “Pasi këqyri bajagi çiftelinë, më shtrëngoi një dekik dorën dhe tha: ‘Bravo Albania! Fituat’. 
Tish Daia ma përktheu. ‘Mersi boku’, – iu përgjigja unë (kështu na kishin mësuar të thoshim sa herë na lavdëronin)”. 

Çiftelia asht shqiptare 
“N’atë dekik m’u kujtua se dikur, në Turqi një fansi jem (politikan turk), kur u kënaq me melodinë e çiftelisë time e që mësoi se jam albanez, më tha: ‘Kemi kujtuar se çiftelia ka lindur në Anadoll, por njëtash u binda se e paska origjinën nga Albania. Po ku bie kjo Albania, axheba?’ Ndërsa sot Albaninë le ta marrë vesh e gjithë bota mbarë”. 

“Aty në Dizhon morëm Gjerdanin e Artë (3 kg e 860 gramë) – jo unë, por grupi”, – thotë Ndueja me modesti. “Si mos fitonim na, tu pas në krye Besim Zekthin e Ibrahim Tukiçin?” 

Ndueja përdor shpesh një shprehje mirditore: “Asht ma e mirë gjasa se kapucari”, – që do të thotë: “Më e saktë është ajo që ndodh, sesa kjo që thuhet”. Pra, nuk mund të rrëfehet ajo që ndodhi në Dizhon të Francës më 30 gusht – 4 shtator 1970. Çaste të bukura, të paharruara. Ansamble, të mbledhura nga e gjithë bota, do të parakalonin para personaliteteve kryesore franceze. Shqiptarët me Gjerdanin e Artë mbanin mbi supe shqiponjën e kërcimit, artistin Besim Zekthi. Bulevardi u bllokua 60 minuta sepse njerëzit që kishin mbushur dy anët e rrugës donin të përqafonin fituesit. Ata brohorisnin: “Albania… Albania!”. Në përfundim të parakalimit Ndue Shytit iu desh të përballej me pesë profesorë të muzikës franceze. Ata do të kontrollonin me rrënjë e degë instrumentin magjik. (Atë çiftelinë që kokën e kishte me dru mani e bishtin me dru ahu). Profesorët nuk i jepnin kënd si e qysh dhe çfarë magjie ka brenda vegla që lëshon ato tinguj të ëmbël. 

Tinguj bjeshke 
Artisti i Popullit, Ndue Shyti, lindi 80 vjet më parë në Gojan, në një fshat të Pukës. Ishte veçse 3 vjeç kur e mori çiftelinë për herë të parë në dorë. Teksa vitet kalonin telat e çiftelisë çdo ditë e më shumë prodhonin tingujt të harmonishëm dhe ngjyra mahnitëse nëpër gishtat që rriteshin. Artisti i vogël shoqëronte të rriturit me veglën muzikore. Kur dilte në stane, lart në bjeshkë, ai merrte me vete çiftelinë dhe fyellin; pjesën e pandarë të jetës së vet. Për herë të parë dha një koncert para grupeve vullnetare, që po ndërtonin hekurudhën Elbasan-Peqin, në vitin 1950. Ata e kishin marrë artistin 15-vjeçar që t’u binte veglave në orët e dëfrimit. Kaq deshi që tingujt e dalë nga çiftelia e tij të merrnin dhenë. Aty ndjeu dhe kënaqësinë e duartrokitjeve. Në ato vite të vështira Ndueja punonte me sharrëxhinjtë dhe në vaktet e drekës, çlodhte punëtorët me meloditë që krijonte nëpër telat e çiftelisë. Ai kujton se këtë kënaqësi e kishte ndjekur përgjatë gjithë viteve, edhe në kohën kur ishte në shërbimin ushtarak. Aty provoi diçka më tepër; provoi t’i binte çiftelisë para mikrofonit. Tani talenti i tij kishte rënë në sy. Çdo ditë njihej ndërsa dhuntia perfeksionohej. Një ditë ai do të përballej me vlerësimin e ekspertëve të muzikës. Me gjithë sigurinë që kishte në veten e tij, ende nuk i harron ato emocione që provoi. 

Ishte viti 1958 kur doli për herë të parë në skenën e Festivalit Folklorik të rrethit. Aty mori diplomën e parë për talentin dhe punën e akumuluar ndër vite mbi dy tela çiftelie. Rritej djaloshi, rritej dhe nami i tij. 

Një ditë, nga skena e Pukës do të dilte në një ngjitej në një tjetër skenë, kësaj radhe më të madhe, do të shfaqte talentin e tij për artdashësit e kryeqytetit. “Ndihesha i gëzuar, por me më shumë përgjegjësi”, – thotë Ndueja. Përveç çiftelisë, aty i ra edhe bilbilit (instrument që e kishte përgatitur vetë). Në sallë ishte edhe Enver Hoxha. Ndueja thotë se Enveri i ngjit në skenë dhe iu drejtua: “Ndue, si quhet ky instrument?”. “Bilbil”, – iu përgjigj Ndueja. Më pas ai thotë: “Të lumtë! Në duart tuaja fishkëllen si pishat tona krenare”. Ndueja kishte me vete një grup me 104 instrumentistë popullorë pukjanë. Ata kishin për mësues Ndue Shytin. Teksa largohej nga skena, Enver Hoxha tha se “edhe Franca nuk ka një artist që të luajë si malësori ynë, me dy tela e një bilbil”. “Nji kjo çifteli e ky bilbil, – thotë Ndue Shyti, – më bënë të njohur dhe më kanë shtrënguar dorën burra shteti, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e Ramiz Alia, e deri te Sali Berisha”. Ai kujton se tingujt e çiftelisë kanë mahnitur edhe Mao Ce Dunin dhe Çu En Lain, të cilët i kanë shtrënguar dorën. 

Histori të rralla 

Artisti i Popullit Ndue Shyti dhe çiftelia e tij i kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Ai është bërë i njohur me interpretimet e tij nëpër skenat botërore, në Kinë, Francë, Turqi, Suedi, Jugosllavi etj. Kudo ka marrë duartrokitje e fjalë të ngrohta. Një gazetë franceze shkuan për të: “Ndue Shyti, një shqiponjë që luan me dy tela, por që tingëllon si një simfoni”. Ndërsa bashkëshortja e Mao Ce Dunit thoshte në një nga gazetat kryesore kineze: “Një shqiptar virtuoz i vërtetë”. Një media maqedonase në Ohër thoshte shumë vite më parë: “Ndue Shyti është një nga instrumentistët më të mëdhenj të Ballkanit”. 

Fama e Ndue Shytit jehoi nga Bjeshkët e Tërbunit deri në Pekinin e largët. Ai interpretoi në sallën ku ndodhej udhëheqësi komunist Mao Ce Duni, një pjesë instrumentale kineze. “Salla gjigante më shoqëronte me këngë e thirrjet përsëritëse ‘ci go jo’, ‘ci go jo’”, – kujton me mallëngjim Artisti i Popullit. 

Kujtime që nuk vdesin 
cifteli



















Në karrierën e tij artistike Ndue Shyti ruan shumë kujtime. Ai tregon se teksa luante në një skenë në Turqi, në mes të melodisë, i këputet njëri nga telat e çiftelisë. “Vazhdova me një tel deri në fundin e pjesës muzikore. Ndihesha keq, por u ngroha shumë nga duartrokitjet me ovacione të mëdha. Ambasadori ynë atje më tha: ‘Kur nuk e mora unë vesh se ti i re çiftelisë me një tel, edhe salla nuk e dalloi’”, – thotë artisti. Ai rrëfen një tjetër histori. 

“Në Jugosllavi u fikën dritat në krejt sallën, por unë vazhdova t’i bija çiftelisë dhe dukej sikur tingujt shpërndanin dritë”. Ndue Shyti i njeh shumë mirë instrumentet popullore, sidomos çiftelinë dhe fyejt. Çuditërisht interpreton pa partiturë. Madje më mirë se artistët e mëdhenj që punojnë me partitura. Por ai ka edhe një gjeni tjetër të veçantë: Ndueja i përgatit vetë instrumentet, vetë kompozon, organizon grupin dhe dirigjon. Edhe këtu pa partiturë. 

Arti dhe politika 

“Tingujt e mi nuk kanë pyetur për politikën”, – thotë Ndue Shyti. Në atë kohë e kanë dëgjuar të gjithë ata që kishin veshë, si komunistët, ashtu edhe kulakët. “Çiftelinë time ma ka pëlqyer edhe Enver Hoxha, edhe Sali Berisha. Për mua, si njëri dhe tjetri janë dashamirës – fansa – njëherësh politikanë”, – thotë Artisti i Popullit. Ai kujton një koncert, bashkë me Fatime Sokolin. “Sa kishim dalë nga një koncert dhe takuam Sali Berishën, doktor me zë, dhe na ftoi për kafe”, – thotë Ndueja, i cili kujton fjalën që tha: “Me ju krenohet Malësia”. 

Mjeshtri i çiftelisë thotë se e ka takuar edhe një herë tjetër zotin Berisha, kur u bë kryetar i Partisë Demokratike në qytetin e Pukës. “Rastësisht më takoi dhe më tha fjalë të mira”, – shprehet artisti i përjetshëm i malësisë. 

Tri magjitë e çiftelisë 
Çiftelia e Ndue Shytit nuk ka një, por tri magji: Instrumenti i prodhuar nga kryemjeshtri Gjin Shkoza; melodia që buron në gurrën popullore dhe së treti, por mbi të gjitha, vetë dhuntia që i fali Zoti Ndue Shytit. Në karrierën e tij ka një mal me dekorata, diploma, certifikata etj. Janë të regjistruara mbi 450 koncerte brenda vendit dhe me dhjetëra të tjerë jashtë vendit. Sot. në moshë të thyer, është vlerësuar me titujt “Artist i merituar” dhe “Artist i Popullit”, “Krenaria e qytetit të Pukës” dhe me vlerësim në vendin e lindjes së tij. 

Ai jeton dhe luftën në heshtjen e përditshme, me harresën e madhe, larg zhurmës dhe famës së dikurshme, në Lagjen Nr. 14 të qytetit të Durrësit. Prej 15 vitesh lufton me sëmundjen e paralizës. Shpirti prej artisti dhe familja e tij e ndihmojnë të sfidojë sëmundjet e moshës. Artisti i Popullit nuk ka nevojë për ne. Ne kemi nevojë për artin dhe talentin e tij. Gjithçka që Ndue Shyti bëri për artin popullor do ta bënin të meritueshme edhe titullin “Nderi i kombit”, pasi gjithë jetën ai e nderoi vendin e vet, në skenat brenda dhe jashtë vendit; sepse përçoi anembanë identitetin e shqiptarit. Heshtja e Artistit të Popullit është më e madhe sesa harresa jonë.

Letra e 1907, akuzat e Dervish Himës për Gurakuqin, Currin e Topullin

NGA FATMIRA NIKOLLI

Letra e 1907, akuzat e Dervish Himës për Gurakuqin, Currin e Topullin


Një kartë postale e Dervish Himës dërguar nga Brukseli më 8 nëntor të vitit 1907 Nikolla Ivanajt, hedh dritë mbi marrëdhëniet mes atdhetarëve më në zë të kohës. Patrioti nga Ohri, Hima, i njohur ndryshe edhe me emrin Ibrahim Mehmet Naxhi, duket se nuk ka pasur marrëdhënie të mira me Bajo Topullin, Luigj Gurakuqin dhe Bajram Currin. Në fakt, në letrën që po botojmë me faksimile, Topulli e Curri shkruhen vetëm si emra, ndërsa Gurakuqi përmendet vetëm me mbiemër. Mes radhëve përmendet edhe Faiku, pa u sqaruar nëse bëhet fjalë për Konicën, ashtu sikundër mund të mendohet. Dokumenti në fjalë është marrë në Arkivin Qendror të Shtetit (Fondi 44, dosja 21, fleta 92), ndërsa kartela orientuese e institucionit sqaron me këto fjali përmbajtjen dhe domethënien e letrës: Kartë postale e Dervish Himës dërguar Nikolla Ivanajt, ku ndër të tjera bën akuza kundrejt elementëve demokratë, si Bajo Topulli, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, dhe kërkon të dijë ku ndodhet Hilë Mosi.

Një tjetër letër tek e cila mund të ndalemi, është ajo e Gurakuqit për Jani Vruhon. Ish-ministri i Arsimit e firmëtari i deklaratës së Pavarësisë, shkruan se është treguar pak i rreptë me Abdyl Ypin (atdhetar, pjesë e Kongresit të Manastirit). Kjo letër, faksimile të së cilës po botojmë, është marrë në Arkivin e Shtetit (Fondi 22m, dosja 7/1, fleta 192).

Letra e Dervish Himës për Nikolla Ivanajn

Bruxelles më 8/ XI. 07
I dashur vëlla
Mora postëkartën tane dhe u gëzuash shumë.
Bajo (ghinet? e palexueshme mbase gjindet-gjendet në kuptimin është) në Napoli dhe pagon odën 7 ½ për ditën. (Ai?) më shkruan andej ky neri asht pa turp e i prishur mendsh.
Faiku ka shkruar dhe ka për të shkruar keq.
Tash për tash, nuk du me i shkru as keq as mir për atë nerin dhe aq për Gurakuqin.
Bajrami mëson italishten për me kuvenu ma mir në galerin Humberto I në Napoli me grat e udhës.
Do të jetë fort mir për këtë nerin le të këput qafën dhe le të hyn në Shqypnin.
Në Shcypni asht digjuar se ky neri harxon të hollat me (theatre?) dhe ...
Në vend që të dalë nami i keq në Shcypëni asht fort mir me i dal shpirti.
Shkruaj mua, kush ky Nicolla Laco.
L'Albanie ka për të dal me 60 face po po (prit?) të holla prej (shtëpie?). Kam shkruar ghërra të pëlcyeshme.
Ah! Or vëlla lypset ce të picemi në herë. Po shicioj se je neri energique dhe i punës.
(Yti, Dervish. Hil Mosi ku asht?)

Letra e Gurakuqit nga Nica e
Francës për Jani Vruhon në Egjipt
Nicë, më 8/7/1912
I dashur zoti Vruho!
Ka shumë kohë që nukë jemi shkruar, po të më besoni se kam mbajtur kurdoherë, një kujtim t'ëmbël për juve, sidmos ngaqë ju kuptonj nga shkrimet për një atdhetar të flaktë, të drejtë, zëmrëhaptë, ashtu si duhet të jenë sot shqipëtarët.
Mund të kuptoni pra sa e pëlqyeshme, m'erdhi karta juajë me përgëzimet për letrën e hapurë që bëra Abdyl bej Ypit, për të cilën edhe shumë të tjerë më kanë rrëfyer kënaqësiën e tyre.
Ndofta u tregova tepër i ashpër, por nuk mund t'u përmbajta më, e shkrova si shkrova.
Do t'a keni kënduar edhe tjatrin artikull tim të nënshkruar Lek Gruda, sot dërgova një të tretë nën titullin "Shkatërrimi i Turqiës".
Nesër do të nisem për Geneve ku kemi mbledhje e pastaj, do të vete të zë vendin tim pranë kryengritësvet që mbajta për pesë muaj vitin që shkoi.
Të fala juve, Tashkos (e pakuptueshme) e miqvet.

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar

Web faqja “Zemra shqiptare.net” është një blog antishqiptar që editohet nga njëfarë ekstremisti dhe terroristi antishqiptar nga Shkodra, m...