2013-12-30

Samir Kumbaro-Martirët


Filmi dokumentar “Martirët”, i realizuar nga regjisori shqiptar Samir Kumbaro dhe me skenar të historianit Uran Butka, ka hapur edicionin e dymbëdhjetë të Festivalit Ndërkombëtar të filmit dokumentar për të drejta e njeriut, “Një botë”, që do të mbahet nga data 23 deri më 28 dhjetor të këtij viti, në Kolegjin “Pjetër Budi”, në Prishtinë.



Ky festival synon t’i promovojë të drejtat dhe liritë e njeriut si dhe demokracinë në vend, por edhe të nxisë debate kuptimplote për çështje si të shoqërisë civile, politikave të jashtme, politikave ambientale e kështu me radhë, është thënë nga organizatorët e këtij festivali, shkruan kultplus.



Do të jenë gjithsejtë 34 filma dokumentarë të cilët do të shfaqen në kuadër të programit të këtij festivalit, tashmë tradicional. Dokumentari “Martirët”, që ka zgjatur 46 minuta, ka shtjelluar një temë për një gjyq special në Shqipëri, ku në të janë dënuar një grup intelektualësh që kishin kryer studimet universitare në vende të huaja por që nuk pajtoheshin asesi me idenë e ideologjisë komuniste. Kryetari i trupit gjykues, gjenerali Koçi Xoxe dënoi me vdekje edhe kunatin e diktatorit shqiptar, Enver Hoxhës, ministrin e jashtëm të vitit 1944, Bahri Omani, me akuzën si “kolaboracionist”.

Gjergj Xhuvani-“Engjëjt janë larg”

“Engjëjt janë larg” filmi më i fundit i regjisorit Gjergj Xhuvani ka qenë dhe prodhimi kinematografik, i cili ka marrë shumë vëmendje gjatë kësaj kohe. Filmi me regji dhe skenar të Xhuvanit përqendrohet te drama kosovare, dhe kjo ka bërë që në kastin e aktorëve të përfshihen edhe artistë nga Kosova, por nuk mungojë edhe aktorë nga Italia. Në rolet kryesore interpretojnë aktori italian Rinaldo Rocco dhe Teuta Krasniqi. Gjithashtu pjesë e kastit është Fatmir Spahiu dhe shënohet pjesëmarrja e aktorit të njohur shqiptar Ndriçim Xhepa. Producenti Dritan Huqi tregon se filmi edhe pse ka në vëmendje luftën e Kosovës, në qendër të tij ka histori njerëzore, me dramën e saj. “Historia njerëzore, përfshihet në atmosferën e luftës së Kosovës, por nuk është vetëm ajo.


E gjitha vjen nga historia e personazheve, nga fëmijëria e tyre, është një film dramatik, ka situata të vështira”, tregon mbi filmin producenti Dritan Huqi, duke shtuar se më e rëndësishmja e filmit, është fakti se filmi do të shfaqë një atmosferë të luftës nga fytyra e fëmijëve. “Në fund të luftës të gjitha personazhet dalin të ndryshuar, sepse kanë përjetuar një situatë tejet të vështirë dhe kanë mbijetuar në luftë”, shton më tej producenti Dritan Huqi. Filmi i cili është miratuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë në vitin 2010, përballë problemeve me buxhetin që nuk kanë qenë të pakta vetëm gjatë muajve të fundit të 2013 arriti të niste xhirimet për të qenë tashmë pranë fundit të tyre. “Problemet me buxhetin tashmë dihen dhe nuk kanë qenë të pakta. Imagjinoni që ky film është miratuar si projekt për tu financuar që në vitin 2010 nga QKK, por dihet se në çfarë vështirësie është me buxhetin QKK, ku buxheti vjetor nuk e lejon të financojë filmat brenda vitit”, tregon producenti Huqi. Xhirimet e këtij filmi përfshijnë Gjakovën në Kosovën, Bajram Currin dhe një pjesë e tyre do të jenë në Itali. Tashmë xhirimet në Kosovë kanë mbaruar dhe zgjatën 4 javë, për të vijuar më pas dhe në Bajram Curri dhe Itali për disa ditë. Filmi i cili këtë herë vjen si një prodhim dramatik, me histori njerëzore, pritet ta ketë premierën vitin që vjen. Edhe pse me jo pak vështirësi, sipas producentit Dritan Huqi në vjeshtë të 2014 “Ëngjëjt janë larg” mund të vijë premierë. “Edhe disa ditë na kanë mbetur për xhirimet, ku 4 javë janë xhiruar në Gjakovë, por filmi ka dhe faza të tjera, si montazhi i tij, etj. Kur të mbarojë do të jetë dhe në festivale të ndryshme, dhe shpresojmë që në vjeshtë të 2014 filmi do të vijë premierë për publikun”, tregon mbi filmi producenti Dritan Huqi.Historia e filmit “Ëngjët janë larg” zhvillohet në mars të vitit 1999, Kosovë. Periudha e bombardimeve të NATO-s, shpërngulja masive me karakter etnik të shqiptarëve. Terrori, frika, pasiguria, uria ka pllakosur qytetin e Gjakovës në kufi me Shqipërinë. Ngjarjet e filmit zhvillohen në harkun e 70 ditëve të bombardimeve. Zhanri i filmit është dramatik, por kjo duket se nuk përjashton që përgjatë narracionit të vijnë llogjikshëm situata, momente humori, erotizmi, që shmangin herë pas here zymtësinë e rrethanave që përshkojnë fabulën e filmit. “Filmi zhvillohet fillimisht në dy linja paralele që më pas puqen, lidhen në një fill të përbashkët, e më në fund secila i kthehet fatit të vet”, tregon producenti Dritan Huqi. Ndërkohë gjatë zhvillimit të filmit do të ndërthuren dhe dhjetëra karaktere paramilitare, ushtare të UÇK dhe banorë qyteti dhe fshati. Kohëzgjatja e filmit do të jetë 90 minuta. Filmi është co produksion shqiptaro-italian dhe nga Kosova. Ashtu si çdo film tjetër shqiptar, që nga momenti i miratimit në Qendrën Kombëtare Kinematografike, deri në fillimin e xhirimeve, duhet të kalojë një kalvar të gjatë për gjetjen e bashkëprodhuesve, financimeve etj, edhe filmi më i fundit i regjisorit Gjergj Xhuvani nuk i ka shpëtuar kësaj “procedure”, dhe që nga 2010 vetëm në vjeshtën e vitit 2013 u bë e mundur që filmi të niste xhirimet

Obelisku i Roland Lushit



Roland Lushi ka lindur në Korçë, më 15 maj 1955. Ka mbaruar shkollën e lartë dega Gjuhë-Letërsi, në Universitetin "Aleksander Xhuvani", Elbasan. Deri në vitin 1990 ka punuar në RTSH. Pas vitit 1990, drejton Shtëpinë Botuese "ADA" dhe boton revistën e përjavshme letraro-artistike "OBELISK". Është autor i filmit vizatimor për fëmijë "Kampioni", i librit "Lepurushi me nr.9-të dhe bashkautor në librin "Historiku Euro-2008".Bashkëautor në librin "100 poetë për dashurinë " Vëllimi i parë dhe ka përgatitur vëllimin e dytë të librit"100 poetë per dashurinë"(Flori Bruqi)


Jo! Jo! Nuk i kemi harruar thonjëzat, por duam që titullin e revistës ta afronim me imazhin e një përmendoreje fisnikërie për botuesin Roland Lushi. Prej pesë vjetësh, ai vazhdon të nxjerrë këtë revistë letrare ku është shpalosur krijimtaria letrare e autorëve shqiptarë dhe të huaj. Nëse do të niseshim nga motivet dhe strategjitë e një biznesmeni, e vetmja gjë që nuk duhej të bënte Landi ishte të mos u hynte këtyre punëve.
Për ta bërë edhe më të besueshëm këtë mendim, kujtojmë se nga mbi njëqind shtëpi botuese dhe shtypshkronja që ka sot Tirana këtë “gabim” nuk e ka bërë asnjëra prej tyre. Ndaj edhe këtu, sikur ta mbyllnim, mund të quhej i plotë ky shkrim dhe e justifikuar ajo heqje thonjëzash në titull.
Kujtoj se para pesë vjetësh, kam botuar një shkrim me titullin “Më shumë se sa një revistë”, në të cilën shprehja emocionet dhe mbresat e një takimi që kishte organizuar Landi me bashkëpunëtorët e tij:
“Të shtunën në mesditë, si rrallë herë, poetë dhe shkrimtarë nga i gjithë vendi devijuan nga qendra e Tiranës për t’u takuar në një lokal të thjeshtë, diku pranë gjimnazit “Qemal Stafa”. Mikpritës ishte “Obelisku”, nga të paktat botime letraro-artistike që dalin sot. 31 numra janë botuar deri në këtë fund viti. Askush nuk e mendonte kur doli numri i parë, se do të ikej me të kaq larg.”
Në atë trokitje gotash, më shumë se sa për shëndetin e Landit, urohej për vazhdimësinë e botimit të revistës. Tani, pas pesë vjetësh, jo vetëm që Landi ndjehet më i rri por edhe revista shënon në kopertinë numrin152. Një mrekulli.



Mrekulli që i ka rrënjët tek ajo dëshirë e hershme e Landit: Ah, sikur të nxjerr një botim letrar.
Kush tjetër më shumë se një krijues ia di vlerën realizimit të kësaj ëndrre. Landi është nga gazetarët e hershëm që prej vitesh ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar. Është autor i botimit të ilustruar për fëmijë “Lepurushi me numër 9”; skenarist i filmit vizatimor “Kampioni”; bashkautor i botimit sportiv “Euro 2008”, ku jepet historiku i plotë statistikor i të gjitha kupave, të dhënat e skuadrave pjesëmarrëse, stadiumet, statistikat dhe formacionet e të gjitha ndeshjeve të kombëtares sonë në edicionet pjesëmarrëse; bashkautor i vëllimit të parë me lirika shqiptare dhe botërore “100 poetë për dashurinë”. Ndërkohë, është duke përgatitur vëllimin e dytë.
Pasioni i kësaj krijimtarie sigurisht që ka qenë nxitja kryesore për të sjellë në jetë “Obeliskun”. Fillimisht hapi shtypshkronjën e tij modeste, por tepër cilësore. Interesi personal e bënte që të ndjehej mirë në shtimin e titujve të librave të botuara. Por, meraku i hershëm e mundonte dhe ngacmonte për të nxjerrë sa më parë revistën. Jo për vete, por për të tjerët. Në një nismë të tillë kaq të vështirë dhe serioze kuptohet që punët e mira bëhen me shokë shumë. Ai mbajti për vete pjesën më të vështirë – atë të përballimit të shpenzimeve, shtypjen dhe shpërndarjen në të gjithë vendin. Ftoi disa nga miqtë e tij, emra të njohur në fushën e krijimtarisë letrare dhe u besoi drejtimin e revistës duke përzgjedhur lëndën që do të botohej në çdo numër.
Entuziazmi dhe jehona e “Obeliskut” ishte e menjëhershme. Pritej me padurim nga krijuesit e diela, dita kur dilte revista. Nga java në javë shtohej numri i autorëve që dëshironin të botonin krijimet e tyre. Nëse në numrat e parë mungonte përzgjedhja pas disa muajve filloi të shfaqej qejfmbetja. U shtuan faqet e revistës, u zvogëlua edhe germa e shkrimit dhe përsëri dosjet me shkrime të pabotuar ishin plot. Në faqet e këtij botimi letrar dinjitoz donin të ishin të gjithë.
Nëse dikush në këto çaste ka lëshuar buzëqeshjen ironike në shenjë mosbesimi, unë po rendis vetëm autorët që kanë pasur fat të botojnë në numrin 132 të “Obeliskut”: Naum Prifti, Betim Muço, Robert Zend, Ramiz Gjini, Frederik Reshpja, Aleksandër Bllok, Agim Spahiu, Iliriana Sulkuqi, Anton Çefa, Bllaga Dimitrova, Dritëro Agolli, Eugjen Eftushenko, Blez Sendrar, Fatime Kulli, Xhevahir Spahiu, Elinda Marku, Faruk Myrtaj, Faslli Haliti, Merita Mccormack, Grigor Jovani, Vaid Hyzoti, Luigj Çekaj, Roland Gjoza, Visar Zhiti, Dalan Luzaj, Nase Jani, Nexhip Ejupi, Julia Gjika, Roland Musta, Janaq Pani, Adnan Mehmeti, Kostaq Duka, Nikolla Spathari, Luan Xhuli, Pjetër Jaku, Puntorie Ziba, Sami Milloshi, Kristaq Turtulli, Adem Harxhi dhe Kolec Traboini. Plot 40 poetë dhe shkrimtarë! 40 mysafirë në bujarinë dhe fisnikërinë e Roland Lushit. Askush nga ne nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë kaq shumë miq në një javë.
Hajde po deshe dhe quaje të marrë këtë botues që vazhdon të nxjerrë me humbje “Obeliskun”?! Një lumturi dhe kënaqësi të tillë nuk ka shans ta përjetojë edhe një miliarder!
Për këtë gjë ka vuajtur deri para pesë vjetësh Roland Lushi! Ndryshe nuk mund të na thoshte gjatë bashkëbisedimit tonë me aq qetësi dhe siguri, se: “Obeliskun” do e botoj deri sa të kem qindarkën e fundit në xhep.
Kundrejt kësaj “trimërie” dhe sakrifice të këtij botuesi qëndron, natyrshëm, indiferenca jonë. Edhe një fjalë të mirë përtojmë ta shkruajmë për të vlerësuar dhe mbështetur këtë fisnikëri. Por më shumë se për fjalën e mirë “Obelisku” ka nevojë edhe për mbështetjen financiare. Bëhet fjalë për një botim letrar nga të vetmit në tregun shqiptar. Nuk ka të çmuar dhe të paguar dobia e këtyre faqeve tek promovon dhjetëra krijues të rinj që do të jenë poetët dhe shkrimtarët e ardhshëm. Të gjithë e kemi dëshiruar dhe përjetuar me emocion çeljen e një dritareje të tillë. Pas atij botimi të parë që kemi parë në faqet e një gazete apo reviste jemi ndjerë dikushi. Edhe nëse vite më pas nuk jemi bërë vërtetë dikushi të paktën ajo dritareje na ka frymëzuar për të shkruar, për të besuar dhe shpresuar…
Është për të ardhur keq, por krahasimi bën më superior atë sistem në promovimin dhe kujdesin për talentet e reja. Po! Ideologjik dhe skematik ishte, por fjalën e kemi për zbulimin dhe jo injektimin. Ndaj të moskeqkuptohemi dhe të vazhdojmë më tej mendimin. Organet letrare vite më parë viheshin në dispozicion të talenteve që kur fëmija ishte në kopsht. Botimet e tjera e afirmonin ose e mënjanonin. Të gjithë poetët dhe shkrimtarët me emër të letërsisë së sotme në këto organe janë prezantuar për herë të parë.
Pse të mos kishim edhe sot “Fatosin” dhe “Pionierin” e demokracisë dhe të fjalës së lirë që do të prezantonte talentet e ardhshme shqiptare?! Ja po pranojmë justifikimin e mungesës së titujve nga ana e shtetit por pse nuk mbështetet ky botim serioz që për fat del në saj të pasionit dhe “çmendurisë” së botuesit.
Dhe jo vetëm kaq! Katër herë i është drejtuar Rolandi Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve për ta mbështetur financiarisht në një projekt që synon nxitjen e krijimtarisë letrare të të rinjve. Krejt modeste ka qenë shuma e kërkuar sa na vjen turp ta themi. Por dhe aq të paturpshëm janë treguar ata zyrtarë sa as përgjigje nuk kanë denjuar t’i kthejnë “Obeliskut”.
Gjithsesi, kjo revistë ka vijuar rregullisht botimin. Madje, për çdo fund viti ka organizuar edhe konkurse duke nderuar me çmimet përkatëse shkrimet më të mira. A nuk do të ishte më e këndshme dhe me interes që fituesit t’i jepej edhe një trofe apo shpërblim simbolik? Thënë ndryshe do të ishte nxitje dhe mirënjohje nga shteti dhe shoqëria për një penë të artë që në të ardhmen do të ushqejë kulturën kombëtare.
Flasim për të mbështetur të rinjtë kur edhe të rriturit janë lënë rrugëve. Nëse vite më parë, ishte një ndërtesë me emrin Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve nga ku dilte edhe e përjavshmja “Drita”, tani i gjithë ky komunitet ka mbetur pa një seli dhe në errësirë. Nuk është thjesht ironi fati, por dëshmi e kohës që sot aty ndodhet ministria e kulturës. Ta gëzojë, por të paktën të mos ligështojë. Mirë bëhet që sponsorizohen konkurse për bukuritë fizike, veçse edhe më e dobishme do të ishte nëse nxitet dhe mbështetet mençuria krijuese.
Me siguri që edhe këto fjalët tona do të bien në vesh të shurdhët. Gjë që Landi e ka ditur para se ne t’i hidhnim këtu. Por nëse me këto rreshta nuk arrijmë t’i lehtësojmë sadopak atë peshë të rëndë që ndjen nga botimi i “Obeliskut” deshëm ta inkurajonim dhe falënderonim në vazhdimësinë e këtij misioni fisnik. Urojmë që të mos i shterojë as qindarka e fundit që do t’i mundësojë botimin e revistës. Kështu edhe më shumë do të zbehet titulli i revistës në vazhdimësi, por obelisku i Roland Lushit do të hijeshohet në madhështi.

Agron Sejamini

Çështja shqiptare sipas politikës dhe diplomacisë ruse

Ç

Nuk janë të shumtë studiuesit, historianët, diplomatët apo autorët shqiptarë të cilët me profesionalizëm, qasje serioze, analiza të themelta, kritere të rrepta shkencore dhe studime të thelluara duke u mbështetur në dokumente dhe burime të dorës së parë kanë trajtuar temën e Rusisë ndaj çështjes shqiptare nga mesi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XXI, siç kanë bërë dr. Islam Lauka dhe prof. dr. Eshref Ymeri, në veprën e tyre: “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”.

Vepra me burime dokumentare, citime e fragmente botimesh të periodikëve, librave dhe agjensive të lajmeve ruse, “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)” e autorëve dr. Islam Lauka e porf. dr. Ershref Ymeri (Prishtinë-Tiranë: Universiteti Iliria & Instituti Shqiptar i Studimeve Politike, 2012), sjell për studiuesin, historianin, politikanin, diplomatin dhe lexuesin e përgjithshëm shqiptar informacione dhe të dhëna me vlera shumë të veçanta të cilat ndihmojnë një njohjen më për së afërmi të veprimeve, qëndrimeve dhe vendimeve politike e diplomatike të Rusisë në momentet më vendimtare të popullit shqiptar në përgjithësi dhe në veçanti të shqiptarëve të Kosovës para dhe pas shpalljes së pavarësisë dhe krijimit të shtetit të tyre më të ri në Europë.

Si njohës të thellë të zhvillimeve dhe prapaskenave politike, profesionit të fushës së diplomacisë, pjesëmarrës të drejtpërdrejtë të këtyre ngjarjeve, autorët me mjeshtri kanë përzgjedhur momentet më kulmore, vendimet më të rëndësishme, botimet dhe lajmet më interesante të kësaj periudhe, të cilat janë botuar ose shkruar në rusishte dhe që ishin fare pak të njohura ose njiheshin vetëm nga një rreth i caktuar politikanësh e diplomatësh, e shumë rrallë nga ndonjë studiues.

Përkthimi në gjuhën shqipe nga rusishtja i një “korpusi” të tillë burimesh na mundëson të gjykojmë, analizojmë dhe reflektojmë mbi qëndrimet politike, vendimet dhe veprimet diplomatike të politikës ruse duke i vënë ato përballë veprimeve dhe vendimeve të shteteve të tjera si të rajonit, Evropës e botës, e veçanërisht SHBA-ve, në momentet vendimtare para dhe pas shpalljes së pavarsisë së Kosovës.

Botimi kësaj vepre “plotëson një boshllëk që ka ekzistuar për një kohë të gjatë në historiografinë shqiptare lidhur me qëndrimin rus ndaj çështjes sonë”, dhe kjo vepër: “jep një pamje të plotë, të sistemuar dhe të strukturuar të qëndrimit rus ndaj çështjes shqiptare”.

Vepra është e ndarë në dy tërësi (pjesë) të lidhura sipas kriterit logjik, e të ndjekura po sipas kriterit kronologjik të krijimit të dokumentit apo materialit. Kësaj vepre i paraprin një studim i thukët, mjaft përmbajtësor i prof. dr. Gazmend Pulës. Në pjesën e parë janë paraqitur dhe sistemuar dyzet e shtatë dokumente e materiale të ndryshme.

Dokumenti i parë i përket vitit 1878 dhe ka të bëjë me qëndrimin e politikës dhe diplomacisë ruse ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit ndërsa dokumenti i fundit kësaj pjese është ai 11 shtatorit të vitit 2012 dhe reflekton deklaratën zyrtare të Presidentit rus, Vladimir Putin, pas takimit të tij të dytë brenda vitit 2012 me Presidentin e Serbisë, Tomislav Nikoliq. Në pjesën e dytë të librit “Antologjia e kryqëzimit.

Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)” me mjaft mjeshtri dhe profesionalizëm të lartë, janë përzgjedhur e paraqitur vlerësimet dhe qëndrimet themelore të Komisionit të Dumës Shtetërore të Federatës Ruse për hetimin e “krimeve” të NATO-s kundër Jugoslavisë, të cilat janë botuar në rusisht në veprën: “Golgota Jugoslave–Ygoslavskaya Golgofa” Moskë, 2002, me bashkautorë ish-Kryetarin e Këshillit të Minisitave të BRSS, Nikollaj Rizhkov, njëkohësisht kryetar i Komisionit “anti-NATO” dhe Vjaçeslav Tetjokin, sekretar përgjegjës i këtij komisioni.

“Vepra ‘Golgota Jugoslave’ paraqet platformën më të përpunuar dhe më të sofistikuar të politikës antishqiptare aktuale të Moskës, si të thuash, kuintesencën e saj. Rizhkov dhe Tetjokin e ‘arsyetojnë’ konstanten antishqiptare ruse me parimet e të drejtës ndërkombëtare.

Në të vërtet nisur nga interesat e ngushta ruse, në rastin e Kosovës ata injorojnë plotësisht legjitimitetin politik, historik, moral dhe humanitar të ndërhyrjes së armatosur të komunitetit ndërkombëtar në vitin 1999, siç dihet në emër të shmangies së një katastrofe të tillë humanitare që do të ishte e aftë të destabilizojë jo vetëm rajonin e Ballkanit, por edhe krejt Evropën”.

Autorët, Lauka e Ymeri me korrektësi, profesionalizëm dhe kritere të larta shkencore që zbatohen me rastin e botimeve të tilla serioze, kanë paraqitur për secilin dokument ose material, të dhëna të sakta, duke shënuar burimin, datën dhe në raste të caktuara kur e kanë gjykuar si të domosdoshëm kanë bërë komente të shkurtëra, por përmbajtësore, duke shtuar kështu edhe më shumë vlerën e këtij botimi.

Këto shënime dhe komente ata i kanë vendosur në faqen e fundit të secilit dokument ose material të botuar. Ndërsa kur është fjala për personalitete të politikës dhe diplomacisë ruse, autorët kanë dhënë shënime shumë të çmuara plotësuese e sqaruese me të dhëna kryesore biografike, pozitat dhe funksionet përkatëse të tyre në hierarkinë e pushtetit rus.

Ky libër të hap sytë për ta parë botën që na rrethon ndryshe nga çfarë e shohim çdo ditë. Konceptualisht i përgatitur sipas metodës kronologjike, duke filluar në fund të shekullit XIX, përkatësisht nga viti 1878, vit shumë i rëndësishëm ky në historinë politike të popullit shqiptar, trajton qëndrimet, përcaktimet deklarimet dhe vendimet e njërës prej superfuqive më me ndikim të botës, Rusisë,si fuqi ndërkombëtare duke u kthyer në retrospektivë për një historik të shkurtër të rikujtesës sonë historike për të shikuar e analizuar me kujdes qëndrimet miqësore korrekte e tendencioze gati armiqësore të kohës, të cilat autorët Lauka e Ymeri me një mjeshtri të jashtëzakonshme i përmbledhin në një tërësi konceptuale që është një nga momentet më të bukura të veprës “Antologjia e kryqëzimit. Rusia dhe çështja shqiptare (1878-2012)”.

Shtjellimi i shtresëzuar i një rrëfimi shkencor sipas modaliteteve bashkëkohore kritike të monografive të specializuara të historisë, politikës dhe diplomacisë bashkëkohore, e bën studiuesin e lexuesin që me padurim të lexojë faqe pas faqe një rrëfim në dukje të parë narrativ, të thjeshtë, por që në brendësi të tij ka brumë, të dhëna dhe informacione politike, diplomatike dhe vendimmarrëse të një hierarkie shtetërore në rrafshin vertikal vendimmarrës, po që përmban edhe të dhëna të shumta shkencore, statistikore dhe të tjera që janë të domosdoshme jo vetëm për të gjithë ata që merren me këto fusha por edhe për lexuesin e kultivuar, e sidomos për studentët universitarë dhe ata të studimeve pasuniversitare si të historisë, shkencave politike, juridike, ekonomike, të marrëdhënieve ndërkombëtare etj.

I shkruar me një sqimë të hollë, me një kujdes të posaçëm, me një përkushtim të madh, kjo vepër, është pa frikë ndër botimet më të arritura të kësaj fushe, botuar nga autorë shqiptarë bashkëkohorë, të kanë arritur nivelin edhe të autorëve europianë e botërorë.

Një pohim të tillë e mbështesim në radhë të parë duke u bazuar në trajtimin e guximshëm dhe mjaft të arsyeshëm të lëndës burimore, të dokumenteve dhe informacioneve të botuara për ato ngjarje e zhvillime që janë ende të freskëta dhe të pashlyera në kujtesën tonë, si dëshmitarë të përjetimit të tyre.
Qëmtimi me kujdes, ballafaqimi kritik me burime relevante, vlerësimi racional dhe paraqitja logjike me një gjuhë të rrjedhshme e të pastër, të bëjnë që të të vijë keq kur përfundon së lexuari librin, gjë që nuk ndodh shpesh me libra të kësaj natyre.

Kjo vepër është një thesar i çmuar, një udhërrëfyes i sigurt, një sinjalizim shumë domethënës për politikanët kosovarë që marrin pjesë në bisedimet më të fundit që po ndodhin në dialogut Kosovë-Serbi, për të treguar tërë vëmendjen e tyre dhe kujdesin e duhur ndaj qëndrimeve të njërës prej superfuqive botërore siç është Rusia.

Fjalë për monografinë e bashkautorëve, Dr. Islam Lauka dhe Dr. Eshref Ymeri


“Antologjia e kryqëzimit: 

Rusia dhe çështja shqiptare,1878 – 2012”



Kohë më parë erdhi tek lexuesit botimi i librit “Antologjia e kryqëzimit: Rusia dhe çështja shqiptare 1878-1912”, i dyti në bashkautorësi, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, diplomati, politologu dhe kremlinologu i shquar, Dr. Islam Lauka dhe pedagogu, intelektuali e studiuesi, Dr. Eshref Ymeri.
Kjo vepër madhore që e trajton problematikën e qëndrimit historik dhe aktual të Rusisë, ndaj, apo thënë më saktë, kundër çështjes shqiptare, dhe atë qoftë nga makroperspektiva gjeopolitike dhe strategjike, qoftë nga mikrokozmosi operacional i kohës, dhe përmes vetë burimeve të provinjencës dhe (f)aktorëve rus edhe nga rrafshi historik dhe madje edhe ai aktual politik.
Libri ofron ndriçim përkatës historiko-politik dhe politiko-aktual të këtij segmenti qenësor për evoluimin e çështjes shqiptare. Aq më tepër, ngase qëndrimi i përhershëm sabotues dhe armiqësor rus ndaj çështjes shqiptare, supozohet si postulat dhe premisë e qëndrueshme, prandaj edhe është marrë gjer tani gjithnjë vetëm si e vërtetë e gatshme historike, që padyshim edhe është. Ndonëse jo shumë e studiuar, ndërsa e elaboruar jo e jo.
Libri paraqet kontribut të ri në sfondin e veprave që trajtojnë një çështje kaq kyçe çfarë është çështja shqiptare, por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor e me këtë edhe të tërë Kontinentit të Vjetër. Me këtë monografi autorët hedhin dritë dhe vizione, fakte e vlerësime të reja, të klasifikuara dhe të diferencuara qartë për politikat destruktive të Rusisë ndaj përkatësisht kundër çështjes shqiptare.
Në këtë kuptim, është vështirë të gjendet një titull më i qëlluar, sa simbolik aq edhe metaforik, për një vepër që si objekt të saj ka pasqyrimin me vërtetësi të qëndrimit te vendosur negativ dhe në fakt destruktiv ndaj çështjes shqiptare të një fuqie të madhe si Rusia. Madje, në një hark kohor të gjatë prej gati 150-vitesh, e si pasojë e të cilit, territoret etnike shqiptare u copëtuan sistematikisht dhe në mënyrë të pamëshirshme.
Pasqyrimin autentik të këtij qëndrimi autorët e nderuar Lauka dhe Ymeri e bëjnë, jo nëpërmjet vlerësimeve të tërthorta, por drejtpërdrejt, nëpërmjet deklarimeve dhe pohimeve të përfaqësuesve më të lartë të politikës dhe diplomacisë zyrtare ruse, përfshirë Carët, Sekretarët e Parë të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste, Kryeministrat, Ministrat e Jashtëm, të Mbrojtjes etj. Të gjithë ata, pavarësisht hierarkisë shtetërore, natyrës së regjimeve që përfaqësonin apo vazhdojnë të përfaqësojnë apo të kushteve dhe kohës kur deklaroheshin, bashkohen në një pikë – në qëndrimin e egër, armiqësor, sabotues dhe rrënues ndaj çështjes shqiptare, qëndrim që, siç e thotë në mënyrë simbolike titulli i librit, çonin në tentativën e tyre për “kryqëzimin” dhe asfiksimin politiko-ushtarak dhe historik të çështjes shqiptare.
Qëndrimin e egër rrënues ndaj çështjes sonë kombëtare e shpreh brutalisht Car Nikollaj II në një bisedë konfidenciale me Ambasadorin e Francës në Rusi, Moris Paleologu, më 21 nëntor 1914, kur i parashtron bashkëbiseduesit objektivat e politikës ruse në Ballkan, gjatë Luftës së Parë Botërore. Ai thotë: “Serbia ta pushtojë Bosnjën, Dalmacinë dhe pjesën veriore të Shqipërisë, ndërsa Greqia të marrë Shqipërinë e Jugut, me përjashtim të Vlorës që do t’i lihet Italisë”. Dyzet e katër vjet pas rrëfimit të Carit Nikollaj II, një tjetër Car, tashmë i kuq, Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të BS, J. Stalini, do t’i deklaronte të dërguarit të J. Titos, Eduart Kardelit “Ne jemi dakord që Jugosllavia ta gëlltisë Shqipërinë… Dhe, sa më shpejt, aq më mirë”. Rreth gjashtëdhjetë vjet më vonë, Cari rus i radhës, V. Putin, me egërsinë dhe vrazhdësinë e paraardhësve të tij, do të ngrihet kundër lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, në mbrojtje të dhunuesit të saj historik, Serbisë. Pra, kryqëzimin e çështjes shqiptare, Rusia tentoi ta realizoi nëpërmjet klientelës së vet ballkanike, në radhë të parë, Serbisë, si një ndër faktorët më agresive ballkanik për hegjemoni rajonale dhe zgjerim territorial, në dëm të shqiptarëve, por pa u kufizuar vetëm me të, natyrisht gjithnjë, në varësi të interesave të saj gjeopolitike, gjeostrategjike dhe gjeoekonomike.
Ky pohim në mënyrën akoma me autentike dhe më të përmbledhur mund të ilustrohet nga depesha e të dërguarit Rus në Beograd N. G. Hartvig dërguar Carit Nikollai të Rusisë, më 27 nëntor 1912 d.m.th. në prag të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ai thotë: “…Serbia do t’i mbrojë me vendosmëri tokat e pushtuara: Kosovën/ Serbinë e Vjetër, me një dalje të domosdoshme në Detin Adriatik, pa të cilën është e pakuptimte ekzistenca e Serbisë”, sepse “për shkak të zgjerimit të të ardhshëm të territoreve, një Shqipëri autonome do të dukej si anomali, si një vatër e përhershme trazirash, që do ta shqetësonin Ballkanin”, prandaj “Shqipëria do të duhet të copëtohet mes Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë”. Apo si thotë Sazanovi, ministri i Jashtëm i Perandorisë Ruse në periudhën 1910-1916 në “Memoare”-t e veta “Qëllimi final i politikës ruse ka qenë arritja e një kalimi të lirë për në Mesdhe”, /d.m.th. duke pushtuar tokat shqiptare, sh.a./
Është e tepërt të theksohet për historianët tanë, por edhe për opinionin e kualifikuar politik shqiptar, se kjo politikë e përshkruar në citatin e dhënë të dërguarit rus në Beograd, ishte fill e për pe, vija e pashkëputur magjistrale dhe determinuese e politikës së Rusisë, përmes aleatit dhe klientit të saj, marionët ballkanik Serbisë, ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve deri në ditët e sotme. Refleksionet dhe manifestimet politike të saj mund të rezymohen në synimet politikisht të sistemuara dhe të implemetuara, fatmirësisht pa sukses, për copëtimin e Shqipërisë mes të Serbisë dhe Greqisë! Në këtë projekt pushtues antishqiptar, Serbia, madje kishte pushtuar pothuaj gjysmën e Shqipërisë Veriore madje gjer më 1922, ndërkaq që Greqia i vërsulej jugut të Shqipërisë. Kjo politikë permanente destruktive e Rusisë që realizohej përmes të Serbisë kryesisht dhe të aleatëve të saj të tjerë në Ballkan, ishte, mes tjerash edhe ai faktor që kushtëzoi dhe pothuaj detyroi Shqipërinë të mbyllej dhe të izolohej në mënyrë anakronike, dhe pothuaj hermetike, në periudhën e diktaturës e me qëllim kryesisht për tu mbrojtur nga ky rrezik që vinte permanent nga Serbia dhe Greqia. Ky kërcënim ndaj Shqipërisë nga Veriu dhe Jugu i shkaktoi dëme të mëdha tërë popullit shqiptar, dhe atë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në rajon, madje me pasoja jo të vogla gjer edhe sot e gjithë ditën.
Me botimin e këtij libri, mund të thuhet, pa hezitim, se plotësohet një boshllëk i madh që ka ekzistuar prej kohësh në historiografinë shqiptare lidhur me qëndrimin rus ndaj çështjes sonë. Jo se nuk ka pasur botime që e kanë trajtuar këtë temë në Shqipëri apo në Kosovë, por ato kanë qenë shume të pjesshme, kanë mbuluar periudha të kufizuara kohore apo edhe vetëm ngjarje e zhvillime të caktuara. Antologjia që kemi në dorë jep një pamje të plotë, të sistemuar dhe të strukturuar të qëndrimit rus ndaj çështjes shqiptare.
Në aspektin strukturor libri është parashtruar dhe mbarështruar si përmbledhje e përzgjedhur e dokumentacionit arkivor burimor ekskluziv të provinjencës historiografike ruse, në mënyrë kronologjikisht sistematike, qenësisht përmbajtësore, fare analitike dhe me ekspertizë të theksuar analitiko-profesionale.
Libri është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë, janë sistemuar dyzet e shtatë dokumente dhe materiale të proveniencës historiografike ruse për qëndrimin e Moskës ndaj çështjes shqiptare. I pari i përket vitit 1878 dhe ka të bëjë me qëndrimin rus ndaj Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, ndërsa i fundit është i datës 11 shtator 2012 dhe i referohet deklaratës zyrtare të Presidentit të Rusisë, V. Putin, lidhur me takimin e tij të dytë, brenda këtij viti, me Presidentin e Serbisë, T. Nikolic.
Në pjesën e dytë të Antologjisë janë përfshirë disa nga vlerësimet dhe qëndrimet kryesore të Komisionit të Dumës Shtetërore të Federatës Ruse për hetimin e gjoja “krimeve” të NATO-s kundër Jugosllavisë gjate intervenimit humanitar të NATO-s në Kosovë. Këto qëndrime antishqiptare të Moskës zyrtare janë botuar në librin “ Golgota Jugosllave”, me bashkautorë, ish-Kryetarin e Këshillit të Ministrave të BS-së, Nikollaj Rizhkov, njëkohësisht Kryetar i Komisionit “anti-NATO” dhe Vjaceslav Tetjokin, Sekretar Përgjegjës i këtij Komisioni. Libri i tyre “Golgota Jugosllave” paraqet platformën më të përpunuar dhe më të sofistikuar të politikës antishqiptare aktuale të Moskës, si të thuash, kuintesencën e saj. Rizhkov dhe Tetjokin tentojnë të “arsyetojnë” konstanten antishqiptare ruse me parimet e së drejtës ndërkombëtare. Në të vërtetë, nisur nga interesat e ngushta ruse, në rastin e Kosovës, ata injorojnë plotësisht legjitimitetin politik, historik, moral dhe humanitar të ndërhyrjes së armatosur të komunitetit ndërkombëtar në vitin 1999, siç dihet, për të shmangur një katastrofë të tillë humanitare, që do të ishte e aftë të destabilizojë jo vetëm rajonin e Ballkanit, por edhe krejt Europën. Kjo logjikë i çoi bashkautorët e “Golgotës Jugosllave” në llogoren e Millosheviçit, duke kërkuar mbrojtjen e kasapit të Ballkanit në bankën e të akuzuarit si kriminel lufte në Tribunalin e Hagës.
Bazën burimore të “Antologjisë së Kryqëzimit” e përbëjnë materialet dhe dokumentet që janë marrë nga botimet periodike të arkivave ruse, nga botimet e Akademisë së Shkencave të Rusisë dhe të Institutit të Sllavistikës pranë kësaj Akademie, nga buletinet periodikë të institucioneve qendrore, në mënyrë të veçantë, ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, si dhe nga librat e kujtimeve të disa prej politikëbërësve kryesorë rusë, të përfshirë drejtpërdrejt në hartimin, përpunimin dhe zbatimin e politikës së Rusisë, lidhur me çështjen shqiptare. Në këtë kuadër, vlejnë për t’u përmendur kujtimet e Ministrave të Punëve të Jashtme, Sazonov dhe Ivanov, të Kryeministrave Primakov dhe Çernomirdin, të Presidentit Jelcin etj.
Në pjesën më të madhe të tyre, mbi 90 për qind e dokumenteve dhe materialeve të këtij libri, botohen për herë të parë në gjuhën shqipe. I tërë materiali historiografik i paraqitur, pjesë të të cilit i ofrohen opinionit për herë të parë nga fondet e Arkivave Shtetërore Ruse, që e bën monografinë e autorëve të nderuar kontribut të çmueshëm të historiografisë shqiptare. Dhe jo vetëm historiografisë, do të thosha.
Renditja e dokumenteve dhe materialeve është bërë në mënyrë kronologjike për periudhën e studiuar që nis me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe mbyllet me zhvillimet e fundit në Kosovë, deri edhe në vitin 2012 të Qindvjetorit të Shpalljes së Pavarësisë Shqiptare.
Duke i qëndruar besnik deri në fund idesë së tyre për një përmbledhje sa më të plotë të qëndrimeve zyrtare ruse për çështjen shqiptare, autorët e librit kanë shmangur përdorimin e vlerësimeve apo të karakterizimeve të politikës ruse nga ana e të tjerëve, qofshin ata edhe autorë rusë.
Dr. Lauka dhe Prof. Ymeri kanë bërë shënime me shumë vlerë, të cilat janë vendosur në faqen e fundit të çdo dokumenti dhe kanë natyrë, kryesisht, informative rreth autorëve të materialeve, rreth protagonistëve të ngjarjeve apo vetë ngjarjeve. Kur është gjykuar e domosdoshme, gjithsesi, është bërë edhe ndonjë koment i shkurtër, por në raste krejt të veçanta, siç ka ndodhur, p.sh., me hedhjen poshtë të spekulimeve ruso-serbe mbi të ashtuquajturat zhvendosje të serbëve nga Kosova dhe gjoja invazionet, po ashtu periodike të shqiptarëve nga Shqipëria në Kosovë.
Autorët u janë përmbajtur rigorozisht kritereve shkencore që zbatohen në botimet e kësaj natyre. Në krye të çdo dokumenti apo materiali jepet titulli në shqip, burimi nga është marrë, përfshirë faqet e cituara, viti i daljes në dritë, si dhe autori. Një punë e shkëlqyer është bërë me transkriptimin e titujve të origjinalit, nga cirilika, në alfabetin latin, duke u dhënë mundësi edhe lexuesve që nuk i njohin gjuhët sllave, të orientohen sa më mirë lidhur me origjinën e dokumenti për të cilin bëhet fjalë.
Një vlerë tjetër e këtij botimi është cilësia e lartë e përkthimit. Në çdo faqe dhe në çdo rresht haset një shqipe e pastër dhe e pasur, gjë që nuk mund të arrihet pa zotërimin e mjeshtërisë së përkthimit në perfeksion. Pjesa dërmuese e materialeve janë përkthyer nga rusishtja, por nuk mungojnë as ato nga anglishtja dhe serbishtja. Është meritë e autorëve të librit Dr. Lauka dhe Prof. Ymeri që në morinë e dokumenteve dhe materialeve ruse për shqiptarët dhe trojet e tyre, kanë ditur të zgjedhin ato më domethënëset, më përfaqësueset, duke na e paraqitur qëndrimin vendosur destruktiv dhe armiqësor te kësaj fuqie të madhe ndaj nesh, përkatësisht ndaj çështjes shqiptare dhe shqiptareve në tërësi.
“Antologjia e Kryqëzimit”, me siguri, do të jetë një libër tavoline apo manual i rëndësishëm referent për studiuesit e historisë, të politikës dhe të diplomacisë, por edhe për publikun e gjerë. Ajo do të jetë një referencë e përhershme autentike për faktorin shqiptar, akademiko-shkencor, por edhe atë politiko – shtetëror. Jam i bindur se ky botim dinjitoz do të gjenerojë studime e monografi të reja, me analiza, komente, interpretime dhe përfundime me vlerë për të sotmen dhe për të ardhmen e kombit tonë. Sepse politika ruse dhe e klientelës së saj ballkanike, për mbi një shekull, vërtet e “kryqëzoi” çështjen shqiptare. Por siç dihet, edhe nga dogmat e doktrinat universale konfesionale, pas kryqëzimit, vjen ringjallja. Ajo, ringjallja dhe fuqizimi i vërtetë e faktorit dhe kombit shqiptar, ka filluar njëherë e mirë. Kosova, tashmë, është shtet i pavarur dhe sovran. Shqipëria është anëtare e Aleancës më të fuqishme të botës, NATO-s dhe në prag të marrjes së statusit të kandidatit për në BE. Dhe vërtetë, shqiptarët nuk kanë qenë kurrë më të lirë dhe më të bashkuar, më të zhvilluar dhe më të fortë dhe më perspektivë të ndritshme se sa janë sot. Këtë, mes të tjerash, shumë fuqishëm dhe simbolikisht e dëshmojnë edhe fjalimet e Kryeministrit të Shqipërisë, të Kryeministrit të Kosovës dhe të liderëve politiko-shtetërorë shqiptarë të Maqedonisë në festimet solemne të qindvjetorit të Pavarësisë Shqiptare.
* Autori, ish-Ambasadori i parë i Republikës së Kosovës në Shqipëri, profesor në Universitetin e Prishtinës.

Prifti serb dhe Janullatos, janë aleanca e djallit

FAMULLTARI AT NIKOLLA MARKU


Kisha Ortodokse e Pavarur Kombëtare Shqiptare “Shën Maria” Elbasan


Të vërtetat historike nuk janë shovinizëm apo nacionalizëm, përkundër, janë përgjegjësi për të ardhmen dhe kujtesë e domosdoshme për brezat qe vijnë. Është detyra jonë që memorien ta ruajmë domosdoshmërish për ngjarjet historike ne dem te kombit shqiptar e për t’ua treguar brezave që vijnë. Ata duhet të mësojnë se 1913 ka qenë viti i kasaphanës mbi kombin dhe trojet shqiptare, kasaphanë e bërë nga fqinjët tanë ku njeri është i përkëdhelur i perëndimit e tjetri i Moskës. Pas një skenari të turpshëm nga Janullatos me eshtra të ushtrisë agresive greke në dëm të popullit shqiptar ne jug të Shqipërisë deri ne Prevezë, na shfaqet një pseudo prift serb ne Shkodër për të kërkuar varre ushtarësh serbe.
Ky prift i quajtur Amillohije Radovic, jashtë misionit të tij si prift, i dërguar nga patriarkana e Beogradit, kërkon të na kujtoje ushtare serbe te vrare ne Shqipërinë tonë, e cila me te vërtetë është bërë varreze për armiqtë e këtij populli(zoti te me fale për këtë që citova). Shqiptaret nuk kane varre ne dhe te huaj sepse, kurrë nuk kanë vrarë, grabitur, shfarosur popuj të tjerë.
Historia na mëson shume për të kaluarën tonë nder shekuj por, sidomos për vitet 1912-1913 kur atdheu yne u be kurban për fqinjët tanë që ne ato vite, treguan natyrën e tyre të vërtetë kundër kombit shqiptar. Serbet ne Kosove dhe Greket në Çamëri vranë popull shqiptar te pa mbrojtur dhe te pafajshëm, plaçkitën dhe shpërngulen, si barbare te uritur njerëz të mirë, ortodoksë, myslimane, katolike, bektashi, vetëm se ishin shqiptare ne shtëpitë dhe pronat e tyre.



Çfarë kurdisin dy aleate të djallit me eshtra ushtarësh si greku, Janullatos, dhe prifti serb Radovic ne dem te kombit dhe truallit shqiptar?
Vetëkuptohet se të prekësh ndjenjat e një shoqërie apo kombi, është t’i sjellësh ndërmend ushtarët e vrare dhe qëllimin e tyre perse janë vrarë, me qellim qe te ngresh një mendim dhe qëllim të ri po si ai i vjetri ne shoqërinë e sotme. Janullatos dhe nazistet greke, thonë se kane heronjtë e Vorio-Epirit, Radovic thotë se serbet kane luftuar kundër osmaneve në veri te Shqipërisë, e cila shtrihet deri në Mitrovicë e Preshëve kur Shqipëria e kishte shpallur pavarësinë e saj me 28 Nëntor 1912 për të katër vilajetet pa asnjë ndarje. Ç’kërkonin këto hordhi grabitqare dhe kriminelesh ne atdheun Shqipëri 62 mije kilometra katrore? Kuptohet se çfarë ndodhi me 1913.
Kisha Ortodokse Kombëtare Shqiptare, per hire te se vertetes, krahasuar me kishën serbe dhe ate greke qëndron ne piedestal te lavdishem prane drites se Perëndisë dhe profetëve. Ne asnjë mënyre kisha nuk mund te behet vegel ne duar terroristesh, mafiozesh, politikaneve vdekje mbjellës, qëllimeve të urrejtjes apo racizmit injorant qe buron qe nga Kaini i Biblës. Si mund te thuash se Zoti te bekon ty, kur ti mendon për vdekjen dhe shfarosjen e tjetrit! Ne shqiptaret e dimë shume mire se, misioni fetar është ai i dashurisë, respektit, besnikërisë, bujarisë dhe mbi te gjitha i lutjeve dhe faljeve te mëkateve qe ben cdo njeri pa përjashtim ne këtë bote.
Si prift qe është, Radovic apo kisha serbe duhet te kryeje misionin e saje human, ne gjetjen e mbi 3000 shqiptareve te zhdukur nga ushtria serbe, ndërsa prifti Janullatos, t’i kërkojë shtetit grek respektimin e emigranteve shqiptare, si dhe kthimin e çameve ne pronat dhe shtëpitë e tyre ne Çamëri. Çdo shqiptar dhe politikan, duhet te mbaje qëndrim te qarte ndaj fqinjëve qe me gjithë genocidet dhe grabitjet ndaj popullit shqiptar dhe trojeve te tije, ne përsëri jemi per fqinjësi normale.
Ajo qe na shqetëson ne si kishe, ne lidhje me kombin shqiptar është se, si duhet te mbrohemi ndaj sulmeve greko-serbe, cili është mekanizmi apo institucioni përkatës qe duhet te ruaj atdheun tone? Ne mbështesim çdo shqiptar dhe institucion kudo qe ndodhet, te beje detyrën me normale dhe te respektoje ligjin. Shqipëria e ka me kushtetute qe nuk lejon organizime politike mbi baza raciste dhe fetare, atëherë perse lejohet hyrja ne Shqipëri e deputeteve te Agimit te arte(I ZI)? Perse lejohet prifti serb Radovic te flasë ne Shkodër me gjuhen e shovinizmit?
Le te mbrojmë se bashku te paktën parimet kushtetuese përsa i takon veprimeve anti shqiptare qe cenojnë territorin dhe identitetin shqiptar. Ne rast se nuk ndërhyjnë institucione te shtetit ne mbrojtje te vlerave tona, atehere e them me përgjegjësi se do ti mbroje populli me veprime fizike te drejtpërdrejta, sepse, kupa po mbushet, siç e ka mbushur me kohe Dule, Bollano, Radovic, Janullatos etj. Nje dite durimi i cameve do te soset dhe po ashtu dhe ai i shqiptareve ne Maqedoni, Presheve , Bujanovc etj. Nuk mund te jeshe nënshtetas i Shqipërisë dhe te kërkosh Vorio-Epir, ketu toleranca kthehet ne dobesi dhe pa aftësi per te vepruar. Disa here kisha serbe eshte bere frymëzuese e akteve te dhunshme ne Mitrovice. Thua se Europa flen për këto akte te drejtpërdrejta terroriste, ne dem te shqiptareve te Kosoves? Ne besojme se jo, por duhet informuar. Ne nuk e kuptojme heshtjen e gjate te partive tradicionale te djathta, qe e kane ne program bashkimin kombetar dhe nuk mbrojne programin e tyre.
Ne si kishe e kemi te qarte planin ortodoks-serbo-grek ne dem te kombit shqiptar dhe kishës ortodokse shqiptare. Jemi te përgatitur per ta përballuar me çdo mjet, sepse është e drejta jone te mbrojmë veten tone, kombin shqiptar dhe truallin e tije te bekuar ne çdo drejtim.
Gjate festimeve te 100-vjetorit, ndodhi nje mrekulli e madhe, kjo mrekulli ishte angazhimi politiko qytetar i gjithë shqiptareve me aktivitete te shkëlqyera, ne cdo drejtim, qe nga ekspozitat e flamurit e deri tek mbledhja e qeverise ne Vlore. Vetem Janullatos nuk organizoi asnje simpozium historik per ata ortodokse qe dhane jeten per pavarësi dhe liri. Cudi? Jo, tashme e kane te qarte te gjithë shqiptaret se, ky përfaqëson kishën e minoritareve te shitur tek asfalia greke dhe racistet e çmendur te Agimit te arte.
Kisha Ortodokse Kombëtare Shqiptare, denon cdo veprim te çdo prifti qe merret me politike shoviniste me qellim genocidi ndoj cdo kujt, qofte ndaj individit apo kombeve te ndryshme. Ne do te reagojmë mbi parime kristiane ndaj Radovicit dhe Janullatosit ne organizma ndërkombëtare përkatës, me qellim qe spekulimi i këtyre gjeneralëve te veshur me rrobe prifti te marre fund bashke me planet e tyre.

Aspekte nga shkolla shqipe me mësim plotësues (në diasporë)

 Valentina Çela


Gjuha shqipe rrjedh nga thellësia e shekujve, nga ilirishtja, arbërishtja, shqipja. Ajo i rezistoi të gjitha stuhive të përplasura mbi të. Sot, është në 5-6 gjuhët më të rëndësishme në Evropë dhe në 11 gjuhët më të rëndësishme në botë. Gjuha shqipe flitet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi dhe në diasporë.
Fillimet e veta diaspora i ka që nga ilirët, të cilët u vendosën në Gadishullin Apenin, në mënyrë të organizuar. Përfaqësues nga kjo diasporë, ndikuan në vendime të rëndësishme të Perandorisë Romake, ku pati dhe periudha të caktuara,që arritën ta udhëhiqnin atë.
Në mesjetë, në Shqipëri ashtu si dhe vende të tjera të botës, pjesa më e madhe e popullsisë nuk dinin të shkruanin e të lexonin. Vendet ku mësohej shkrim e këndim ishin kishat dhe manastiret. Disa nga nxënësit pas përfundimit të shkollave vendase, vazhdonin kolegjet ose universitete jashtë vendit p.sh. në Napoli, Romë, Selanik etj. Po në këtë periudhë, diasporën shqiptare e gjejmë të organizuar në formën e kolonive, të cilat e ruajtën identitetin e tyre.
Në kohën kur vendi u pushtua nga Perandoria Osmane, një pjesë e madhe e fisnikeve vendas u larguan drejt Italisë të organizuar në formën e kolonisë. Kjo popullsi mori me vete: gjuhën, zakonet, traditat, etj. Këtu gjejmë dhe zanafillën e shkollës shqipe, në vitet 1500-1502 në Venetik, Marin Bicikemi, hap shkolle për fëmijët arbëresh. Në shkollë, bëhej punë e mirë për ruajtjen e gjuhës amtare dhe kulturës shqiptare.
Në shkollën e Lek Matrëngës, mësohej gjuha amtare dhe vet Lek Matrënga përktheu në shqip katër libra katekizmi, kështu dhe mësimet fetare merreshin në gjuhën amtare.
Në fillim të shekullit XVIII u themelua kolegji i Shën Adrianit. Me përpjekjen e Jeronim De Rades në këtë kolegj u vendos mësimi i gjuhës shqipe, vet De Rada ishte mësuesi i kësaj gjuhe. Në vitet 1851 kjo katedër u mbyll. Më pas katedra e gjuhës shqipe u shpërngul në Shën Miter Koronë të Kalabrisë. Këtu ka studiuar: Aleksandër Xhuvani, Luigj Gurakuqi etj.
Shkolla në gjuhën shqipe gjejmë në Zare, Rumani, Bullgari e në vende të tjera. Në Rumani hapet shkollë Normale për fëmijët shqiptare, vllehe. Kjo shkollë u hap nga Nuçi Naçi dhe në të studiuan: Kristo Luarasi, Asdreni, Mihal Grameno etj. Kristo Luarasi punonte si tipograf, ku bëheshin botime të librave shqip. Mihal Grameno i njohur si publicist.
Në horizont shfaqet një diaspore e re, Shtetet e Bashkuara te Amerikës, ku atdhetari Petro Nini Luarasi, hap kurse analfabetizmi me emigrantet ekonomik.
Pokështu, në vitet 1920-1921, në Stamboll kemi gjashtë shkolla shqipe të hapura dhe drejtuara nga Riza Drini
Në shkollën shqipe të Argjentinës vazhdoi mësimi i fëmijëve dhe emigranteve të rritur deri në prag të Luftës së Dytë Botërore.
Pas Luftës së Dytë Botërore (ne vitet 60 te shekullit te kaluar) qindra e mijëra familje nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia morën rrugën e kurbetit. Me vendosjen e shqiptareve në vendet pritëse filloi dhe mësimi i gjuhës amtare në kuadër SHSHMP për emigrantet jugosllave që organizohej nga shkolla vendase në bashkëpunim me ambasadën dhe konsullatën Jugosllave në vendet pritëse. Mirëpo, kishte raste, kur fëmijët shqiptar frekuentonin mësimin plotësues jo në gjuhen shqipe po në atë serbokroate. Kështu shumë mësues dhe prindër patriot bënë përpjekje për mësimin e gjuhen amtare duke arritur ne sukses. Po kështu, u krijua ne Prishtine LASH (Lidhja e Arsimtareve Shqiptare), si dhe krijimi i degëve te kësaj lidhjeje ne Evrope, ne vende ku po hapeshin shkolla shqipe me mësim plotësues, Gjermani, Zvicër, Norvegji etj. Shkollat shqipe me mësim plotësues ndikuan në ruajtjen e ndjenjave atdhetare, sa që pati edhe nxënës të këtyre shkollave të shkonin për të mbrojtur Kosovën nga millosheviçjanët e tërbuar. Një ndihmesë me vlerë të madhe, për mësuesit dhe nxënësit në diasporë, ka dhënë didakti Prof. dr. Shefik Osmani, i cili pa u lodhur punoi me bashkëautorët Abdyl Rama, Meriman Braha, Munish Hyseni(dhe me bashkatdhetarë të tjerë në Gjermani, Zvicër etj.) nën drejtimin shkencor-pedagogjik të vet prof. Shefik Osmanit, botojnë Abetaren dhe serinë e teksteve “Zemra ime” për klasën e II dhe të III fillore. Më pas botuan tekstin “Shkollë dhe jetë” për klasat IV, V, VI dhe “Bota Shqiptare” për nxënësit e rritur.
Në Suedi u botua teksti “Urat tona II” për të rinjtë shqiptarë etj.
Pas viteve 1981-1998 nga Kosova dhe Maqedonia pati shpërngulje të popullsisë, për shkak të ngjarjeve të ndodhura. Pas viteve 1990-1997 pati shpërngulje të theksuara të familjeve nga Shqipëria drejt Evropës Perëndimore, kryesisht pjesa me e madhe u vendos ne Itali dhe Greqi, si dhe në vende te tjera te botes.
Në diasporë u krijua LAPSH (Lidhja e Arsimtareve dhe Prindërve Shqiptare), kjo lidhje mori përsipër jo vetëm hapjen e shkollave shqipe, por me fondin e mbledhur nga kuota e çdo anëtari të shoqatës (do paguante një shumë që të ishte e përballueshme edhe nëse prindërit do ishin me përkrahje sociale) u bënë botime të teksteve për çdo grup moshe, behej trajnimi i mësuesve etj.
Në Zvicër mësimi plotësues zhvillohet ne orarin e mësimit te rregullt në disa kantone. Kjo ndodh aty ku kantoni e bën financimin e mësuesve tërësisht ose pjesërisht. Ndërsa, në kantone të tjera financimi behet nga prindërit sipas rregullave te shkruara ne fletëpalosje. Nr i nxënësve qe frekuentonin shkollën shqipe me mesim plotësues ne vitin shkollor 1991-1992 ishte 986 nxënës, ndërsa ne vitet 2004-2005 numri i nxënësve ishte 3263.
Mësuesit që morën përsipër mësimin e gjuhës shqipe, patën përkrahje dhe nga mësues dhe pedagogë zviceran, të cilët, së bashku hartuan tekste shkollorë për nxënësit shqiptarë. Prof. Dr. Phil. Basil Chader bashkautori tekstit Shqip!, fjalorit Udha e fjalëve, dhe autor i veprës Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes, në Zvicër. Tiranë, 2005
Ne Suedi, punojnë 120 mësues ne SHSHMP, këtu mësimi është i institucionalizuar. Suedia ka 15 mijë nxënës që për gjuhë amtare kanë gjuhën shqipe dhe kudo ku janë vendosur shqiptarët ka shkolla shqipe me mësim plotësue. Për të vazhduar mësimin në gjuhën amtare, duhet që çdo vit prindërit të plotësojnë një formular, ku do deklarojnë se përdorin gjuhën amtare në familje, fëmija i tyre di të flasë gjuhën e tij..Duke ditur se në Ligji Suedez për shkollat kudo ku ka 5 e më shumë nxënës të cilët gjuhën amtare nuk e kanë suedishten, ekziston e drejta që ata, disa orë mësimi në javë të mësojnë në gjuhën amtare të tyre. Çdo nxënës në shkollën Suedeze ka të drejtën e vet të bëjë përzgjedhjen e mësimit të gjuhës së dytë.
Mësimi i gjuhës shqipe është i institucionalizuar dhe në shkollat austriake.
Ne Greqi, mësimi i gjuhës amtare zhvillohet ne ambiente te mara me qira, ose pranë shkollave vendase, ditën e diel, nen kujdesjen e shoqatave te ndryshme. Mësuesit punojnë vullnetarisht, por me përkushtim për ruajtjen e gjuhës dhe identitetin kombëtar. Por hasen dhe një sërë vështirësish
Qëllimi i shkollës shqipe në diasporë është që brezi i ri të zotërojë gjuhën amtare , të njohë letërsinë, historinë gjeografinë e vendit të tij, të njoh doket, zakonet, mentalitetin shqiptar dhe ti transmetojë brez pas brezi
Ne te gjitha vendet, ku janë hapur shkolla shqipe me mësim plotësues, zhvillohen Seminare me tema te ndryshme, ne dobi te mësuesve dhe mësimit ne gjuhen shqipe. Po ashtu, zhvillohen Seminare ne bashkëpunim me pedagog dhe mësues vendas,duke shfrytëzuar përvojën e tyre (brenda dhe jashtë vendit), sepse disa vende të fuqishme kanë ngritur në vendet ku ka shumë emigracion edhe shkollat e tyre, siç janë shkollat gjermane, franceze,etj,po ashtu dhe vende më të vogla si Greqia, me të gjitha parametrat e arsimit të tyre
Mësuesit, te cilët janë të përkushtuar për te punuar pranë këtyre shkollave, duhet te jene ne nivelin e mësuesve te vendeve pritëse.
Në morinë e madhe të tyre do të përmendja mësuesen pasionante, Nexhmije Memetaj (mësuese në Zvicër),e cila me një kulturë të shkëlqyer shkencore dhe pedagogjike , çdo ditë përgatit për 80 nxënësit e saj në gjashtë shkolla të kantonit ku ajo punon, materiale mësimore, për të arritur objektivin e orës së mësimit.
Osman Ademi, mësues në Vjen,do konsultohej me mësuesit e shkollës vendase, për të gjetur rrugë që nxënësit të ecnin dhe në gjuhën gjermane dhe në gjuhën shqipe
Valbona Justina dhe gjithë mësuesit të cilët punojnë të përkushtuar pranë shkollave shqipe në Greqi, duke ju dhënë pjesë nga koha e tyre, pa asnjë lloj shpërblimi financiar,për dhjetë vjet rresht.
Masa për mos asimilimin e gjuhës amtare janë mare sidomos nga qeveria e Kosovës, e cila hartoi kurrikulën për shkollat shqipe me mësim plotësues në diasporë.
Tani në Shqipëri është krijuar një Sektor i ri ne Ministri për diasporën, e cila merret me organizimin dhe ndihmën e kësaj diaspore me tekste: “Të mësojmë gjuhën amtare dhe kulturën shqiptare’’ 1, 2, 3 dhe janë të ndërtuar në bazë të programeve të miratuara nga Ministria e Arsimit dhe e Shkencës, te cilat jepen falas, trajnimin e mësuesve etj. Gjithashtu, Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë se Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe e Shkencës se Shqipërisë organizojnë çdo vit Seminarin Mbarëkombëtar, me mësues nga diaspora. Në këto seminare shkëmbehet përvoja e mësuesve, njihen me tekste të reja etj.
Përherë të parë në hapësirën shqiptare,Universiteti: Akademia Pedagogjike e Tiranës, ka në kurrikulën e saj SHSHMP, ku studentët marrin njohuri të thelluara për veprimtarinë dhe zhvillimin e mësimit në këto shkolla. Vet rektori i saj prof. dr. Musa Kraja ka shkruar: “Disa probleme didaktike në shkollat shqipe me program plotësues” dhe tani kemi në proces tekstin: “Pedagogjia, Shkolla Shqipe me Mësim Plotësues.” Gjithashtu, Rektori i Akademisë ka marrë pjesë në Seminarin Mbarëkombëtar për Diasporën. Kjo Akademi ka lidhje me mësues nga gjithë diaspora nëpërmjet postës elektronike si dhe ndjek Seminaret e larmishme që zhvillohen në diasporë, duke qenë gjithmonë më afër saj.
Mendoj, se kemi numrin më të madh të emigracionit, në botë, për sa i përket numrit të popullsisë që ka Shqipëria.

Pas Covid-19, liderët botërorë ranë dakord të punojnë së bashku për të forcuar sistemet globale shëndetësore, por negociatat për një marrëveshje të re kanë ngecur.

Nga Flori Bruqi Është folur shumë në internet se Kina po lufton me një tjetër epidemi pas shumë postimesh në mediat sociale ku supozohet se ...