Agjencioni floripress.blogspot.com

2014/12/21

dr. Zenun Gjocajt“Vështrime letrare”

Botuar nga Radio-Kosova e lirë dhe financuar nga komuna e Junikut, doli nga shtypi libri: “Vështrime letrare” i dr. Zenun Gjocajt ( 1943-2013). Autori, këtë vepër e kishte lënë në dorëshkrim dhe nuk arriti ta botojë për së gjalli.
Vepra, “Vështrime letrare” përbehet nga një mori studimesh të temave të ndryshme si: kritika letrare, recensione, studime gjuhësore dhe vështrime për librat e lexuar të autorëve të ndryshëm.
Në pjesën e parë të librit janë prezantuar kritika letrare e studime të autorit për shkrimtarë dhe krijues të caktuar, ndërsa në pjesën e dytë janë prezantuar shkrime të autorëve të ndryshëm për krijimtarinë letrare artistike dhe shkencore të aurorit.
Dr. Zenun Gjocaj, ashtu sikur në krijimtarinë artistike edhe në kritikat letrare ka lënë gjurmë të një origjinaliteti të rrallë krijues, që dëshmon për seriozitetin, me të cilin në vazhdimësi iu kishte përkushtuar çdo pune të cilën e kishte filluar dhe e kishte mbaruar, gjithnjë me një përkushtim të veçantë dhe kurdoherë me sukses. Me një metodologji të avancuar shkencore dhe me kreativitet krijues, autori i këtij libri ka arritur të depërtojë thellë në veprat të cilat i ka marrë në shqyrtim, gjithnjë duke i dhënë përparësi aspketeve afirmative të librave, për të cilat ka shkruar...
Libri ka 266 faqe, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë




...Për nga natyra i heshtur dhe shumë i matur, i dashur për të gjithë, shumë solidar dhe i përkushtuar për shokun e mikun, i urtë dhe besnik, Zenun Gjocaj është prej atyre krijuesve shqiptarë që të përkujtojnë urtësinë, modestinë dhe thjeshtësinë e Ndre Mjedës, freskinë e mendimit militant të Gjergj Fishtës dhe kredon artistike të Kolë Jakovës.
Ndjenjën e tij të sakrificës për njerëzit e kishte pjesën më të fisnikëruar të qenies. Ai ishte i të gjithëve, i të afërmve dhe i atyre të tjerëve, me të cilët e lidhte puna, aktiviteti, komunikimi. Aq shumë ishte dhënë pas punës, mirë bërjeve, angazhimeve krijuese, sa dukej se e kishte harruar vetveten, e kishte harruar edhe sëmundjen, që mjekët e kishin evidentuar një vit para vdekjes, por që nuk kishin treguar përgjegjësinë në nivel të betimit, përveç njërit prej tyre. Zenun Gjocaj, nuk ankohej, nuk po arrinte apo thjesht nuk donte ta kuptonte seriozitetin e sëmundjes. Mbase donte ta përmbyllte jetën si spartan, ashtu sikur edhe kishte jetuar. Mbase e kishte kuptuar më mirë se unë dhe të gjithë ne se “Jeta është si treni i shpejtë, që nuk ndalet në asnjë stacion dhe kurrë nuk kthen prapa”.
Tani që Zenuni nuk është më fizikisht në mesin tonë, fryma dhe shpirti i tij janë gjallë, në veprat e shkruara që na ka lënë pas, janë gjallë fjalët e tij të urta, anekdotat që i krijonte aty për aty, ose i rrëfente në mënyrë të modifikuar, janë kujtimet, zëri i tij i çiltër, fryma humane dhe mbi të gjitha shpirti i pastër si kristali. Kujrimi për Zenun Gjocajn mbtetet kurdoherë i freskët, sepse nuk ka si harrohet një qenie e tillë, nuk mund të harrohen veprat dhe madhështia e modestisë së tij, nuk ka si harrohet krijimtaria e veprimtaria e tij, nuk ka si harrohet Zenuni, sepse si Zenuni ka pak të tjerë!...

Kadri Rexha, “Thirrjet e kohës, Studime, botoi Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2014

Studimet e prezantuara në këtë libër të autorit, mr. Kadri Rexha i përkasin një periudhe gati dyzet-vjeçare dhe datojnë qysh prej kohës kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, Kadri Rexha ndodhej në rrugën e tij, jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Në studimet e tij ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale. Ai me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit. Edhe ky libër me studime ashtu sikur edhe libri paraprak “Pikëtakime letrare” është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës. Libri, “Thirrjet e kohës” ka 500 faqe, botori Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola” në Prishtinë.

“Thirrjet e kohës”, ora e pandalshme drejt aspiratës së bërjes definitive të Shqipërisë





( Kadri Rexha, “Thirrjet e kohës, Studime, botoi Radio-Kosova e lirë, Prishtinë 2014)

“Sot përulemi me respekt dhe krenari para të gjithë dëshmorëve të UÇK-së, ashtu si dhe para të gjithë dëshmorëve të Kombit, që në vazhdimësi ranë për mbrojtjen dhe bashkimin e popullit shqiptar dhe të trojeve të Atdheut tonë të ndarë...”, shkruan në hyrje të librit, “Thirrjet e kohës”, studiuesi, i burgosuri politik dhe veprimtari i njohur, Kadri Rexha. Respekti për të rënët, respekti për trimat e trimëreshat, të cilët me penë e pushkë e nxorën Shqipërinë nga bataku shekullor i katandisjes tragjike, jeta dhe vepra e tyre, synimet dhe aspiratat e tyre, fati i tyre i lidhur me kombin ashtu si mishi për thoin, janë tema të përhershme të Kadri Rexhës, janë një “perpetuum mobile” krijuese, vetë kredoja e angazhimeve të tij, për ta zbardhur dhe për të mos e harruar të kaluarën, për të nxjerrë prore mësime nga ajo, sepse jo vetëm një herë na u ka përsëritur historia.

Studimet e përmbledhura në këtë libër, i përkasin një periudhe gati dyzet-vjeçare dhe datojnë qysh prej kohës kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, Kadri Rexha ndodhej në rrugën e tij, jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Në studimet e tij ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale. Me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit.
Edhe ky libër me studime ashtu sikur edhe libri paraprak “Pikëtakime letrare” është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës.

Kadri Rexha, në të gjitha studimet e tij ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, vlerësuese e vrojtuese, për letërsinë shqipe në përgjithësi, edhe pse ajo deri vonë është përcjellë me fatin e keq të ngufatjes, ndarjes, izolimit dhe zhvillimit jo harmonik, në kushte dhe rrethana të njohura, nëpër të cilat ka kaluar edhe arti e kultura shqiptare në trojet e robëruara të Atdheut.
I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin që ka luajtur dhe luan libri, studimi, analiza, vështrimi, që kanë për qëllim krijimin e shtigjeve për një krijimtari sa më realiste dhe artistikisht më të arrirë, Kadri Rexha në studimet e tij ka aplikuar qasjen afirmative, pozitiviste, e cila ka shërbyer dhe i shërben lexuesit si mesazh, mjet në shërbim të edukimit të brezave, veprimtari jo vetëm korrektuese e kritike, me qëllim diskreditimi apo megalomanie, por më radhë të parë si kritikë e shëndoshë, mbështetëse e shpeshherë edhe inkurajuese.
Kritikat letrare të autorit datojnë qysh herët, qysh në vitet ’70, të shekullit të kaluar. Asokohe profesori i letërsisë nuk kënaqej vetëm me shpjegimin dhe interpretimin e lëndës së letërsisë sipas teorive të aplikueshme dhe tradicionaliste, por rrugëtonte drejt interpretimit më të lirë, më frymëmarrës dhe më të kuptueshëm, sidomos për lexuesin, por edhe për studiuesin e letërsisë. Në përpjekje për të vlerësuar më ndryshe librin, duke qenë edhe në kontakt me metodat e njohura të kritikës letrare, Kadri Rexha ka krijuar një stil sintetik të vrojtimit letrar, andaj analizat e tij letrare janë origjinale, organike, si për nga qasja ashtu edhe rendimenti që sjellë në vlerësimin realist të veprave të ndryshme...

Libri me studime, analiza, komente, letërkëmbime, polemika, intervista, recensione e tema të tjera, titulluar “Thirrjet e kohës”, i autorit, Kadri Rexha, pa dyshim se begaton letrat tona, në kohën kur studimi i mirëfilltët, i thellë dhe shkencor i letërsisë, kulturës, publicistikës, nga një pjesë e studiuesve shikohet me skepticizëm, si diçka që u përket “shkollave letrare të kaluara”. Kjo vepër me përmbajtjen e begatshme dhe të llojllojshme imponohet për lexim, meqë secili lexues, gjen tema që i interesojnë, qoftë nga e kaluara apo e tanishmja, tema nga të cilat mësohet dhe edukohen brezat e ardhshëm.
I arsimuar dhe i edukuar në frymë të traditës realiste afirmative kombëtare, autori në librin e tij ka prezantuar tema të ndryshme duke filluar nga letërsia e vjetër shqipe dhe duke kaluar nga një shekull në tjetrin për të ardhur në kohën tonë, deri të Epoka e UÇK-së dhe periudha e shtet ndërtimit të rëndë të Kosovës, të pleksur me shumë probleme të pazgjidhura.
Një kapitull të veçantë në këtë libër paraqet prezantimi i letërkëmbimit të autorit me veprimtarin e mirënjohur të çështjes kombëtare, të burgosurin politik dhe militantin e lirisë, dr. Shaqir Shaqiri. Prezantimi i këtij letërkëmbimi hap një dimension të ri në angazhimet krijuese të autorit, Kadri Rexha, i cili nuk është thjesht një studiues katedre, por mbi të gjitha një personalitet i afërt me shokët, i cili jeton me hallet dhe problemet e tyre, me jetën dhe degdisjet e tyre nëpër botë, në kushte dhe rrethana tashmë të njohura nëpër të cilën kanë kaluar shqiptarët sidomos në kohën e fundit.
Në shtrirjen e temave në pothuajse tërë gjeografinë shqiptare, në kohë dhe hapësirë, në sinkroni dhe diakroni, autori ka arritur të zbërthejë thirrjet e çdo kohe, të çdo epoke, thirrjet e përjetshme dhe të përhershme të zërave të ngritjes dhe kalitjes së vetëdijes kombëtare, të frymëzimeve atdhetare, thirrjet e përhershme për liri, barazi, bashkim kombëtar dhe unifikim të shqiptarëve të shkapërderdhur nëpër trojet e tyre stërgjyshore.
Duke qenë vrojtues i thellë i realitetit historik dhe i kontradiktave shoqërore, politike e kulturore, veçmas në rrafshin kombëtar, Kadri Rexha ka arritur që edhe në këtë libër, ashtu sikur edhe në veprat e botuara më herët, të kondensojë një materie gjithëpërfshirëse, mjaft të begatshme dhe reprezentative, meqë opusi i studimeve paraqitet shumëdimensional dhe i ngjeshur mirë nga të gjitha pikëpamjet krijuese.
Duke i rënë pash më pash trojeve të Shqipërisë, duke dëgjuar dhe duke i përfillur me besnikëri thirrjet e kohës që nga kambanat e Krujës së Gjergj Kastrioti e deri te thirrjet mobilizuese për kushtrim të legjendarit, Adem Jashari, autori i këtij libri me studime, ka arritur të sintetizojë thirrjen shqiptare, orën e pandalshme drejt aspiratës së bërjes definitive të Shqipërisë. Ky është edhe mesazhi më i fuqishëm i autorit, që i drejtohet lexuesit me qëllim që rruga e emancipimit kombëtar të kërkohet brenda vlerave të fisnikëruara të kombit, pa mohuar vlerat universale krijuese e humane, por fillimisht e përfundimisht në përpjekje për ta begatuar, ndriçuar dhe emancipuar kulturën tonë autentike, pjesën e saj më afirmative dhe më reprezentative.

Përmbledhje me studime, analiza e vlerësime, “Thirrjet e kohës” e studiuesit, Kadri Rexhës është një kontribut i çmuar për studimin dhe njohjen e lexuesit me tema të caktuara të letërsisë shqipe dhe me kritikën letrare në përgjithësi. Libri ka 500 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.
Ahmet Qeriqi

Vështrim me rastin e përurimit të librit


             

               Prof. Binak Ulaj

Propozimin për t’i thënë ca fjalë për librin e kujtimeve “Nga fëmijëria deri të liria” të Jashar Alisë, e kam mirëpritur me kënaqësi të veçantë. Jo për atë se në këtë libër përfshihet edhe pjesa e rrugëtimit tonë të përbashkët, por më tepër për atë se autorin e njoh që prej shumë vitesh dhe këtë, në rrethana në të cilat dëshmohej më së miri botëkuptimi liridashës, karakteri dhe dinjiteti i njeriut. Për këtë arsye, vlerësoja, se edhe në këtë libër nuk ka mospërputhje ndërmjet veprimtarisë së tij dhe asaj që ka shkruar, gjë për të cilën u binda për të satën herë.

Në qendër të kësaj monografie jetëshkrimore është veprimtaria shumëvjeçare e autorit si pjesëtar i Lëvizjes ilegale, përndjekja dhe ballafaqimi i tij me organet policore të sigurimit shtetëror të ish-Jugosllavisë dhe shqetësimet e tij për fatin e Atdheut, përkatësisht për fatin e pjesës së ndarë, të robëruar dhe, më pas, të copëtuar të Atdheut, Kosovës1.

Nga përshkrimi i rrjedhës kronologjike të ngjarjeve në Kosovën e robëruar, nga përshkrimi i përndjekjeve dhe krimeve të bëra ndaj shqiptarëve nga xhandarmëria serbe e malaziase, nga përshkrimi i krimeve të bandave çetnike të institucionalizuara, të bëra në trevën e Burimit, të cilën autori me të drejtë e quan çerdhe të çetnikëve serbë a malazez, na del i natyrshëm përcaktimi i autorit për rrugën jetësore që do të ndjekë që nga rinia e hershme.


Jehona e demonstratave të vitit 1968 do të përcillet vit pas viti te brezat e rinisë shkollore dhe studentore, do të shtojë besimin në fuqinë e popullit dhe do i nxisë të angazhohen gjithë ata që e ndienin për obligim të organizohen e veprojnë për të mirën e Atdheut. Këtu zë fill edhe ideja Jasharit për të vepruar në mënyrë të organizuar. Ardhja e tij për të studiuar në Prishtinë ku studionte edhe Xhafer Shatri, të cilin e njihte që nga gjimnazi i Burimit, e i cili kishte kohë që vepronte në grupin e formuar së bashku me Kadri Osmanin e Binak Ulajn, të quajtur Grupi Revolucionar2, ishte rasti më i mirë për të realizimin e kësaj ideje.

Ndonëse të rinj dhe pa përvojën e duhur, thekson autori, anëtarët e këtij grupi, do të projektojnë drejt veprimtarinë e vet atdhetare. Këtë e dëshmon serioziteti dhe përkushtimi me të cilën i qasen punës ilegale të organizuar, moto e të cilit ishte: “ Çdo gjë për çështjen dhe asgjë mbi çështjen”.

Pas formimit të strukturave organizative, anëtarët e Grupit Revolucionar, objektiv të parë do të kenë përgatitjen dhe hartimin e dokumenteve politike e programore, siç ishte Statuti dhe Programi i Grupit, ku përcaktohej qëllimi dhe veprimtaria e tij, çështja e anëtarësisë, e marrëdhënieve, të drejtave dhe detyrave të anëtarëve të Grupit, format e organizimit dhe disiplina e, veçanërisht, shtrirja e veprimtarisë anekënd viseve shqiptare në ish-Jugosllavi. Rëndësi të veçantë i kushtohej ngritjes së vetëdijes atdhetare dhe intelektuale të anëtarëve. Për këtë qëllim, thekson autori, burim kryesor ishte literatura që vinte ilegalisht nga Tirana 3.

Përshkrimi që i bën kryerjes së detyrave të caktuara, siç ishte sigurimi i mjeteve teknike, i makinave të shkrimit dhe shumëzuesve të materialeve e, sidomos, shpërndarjes së afisheve, gjë që ishte me shumë rreziqe, dëshmon për përkushtimin dhe guximin e Jasharit dhe të anëtarëve tjerë të Grupit Revolucionar. Afishet e para GR do t’ua kushtojë studentëve, gjë që nuk ishte e rastit. Përmasa e jugosllavizimit të mendimit politik shqiptar në Kosovë, të kamufluar me parullën e vëllazërim- bashkimit, më së shumti kërcënonte rininë studentore dhe shkollore. Përveç tek rinia, Grupi Revolucionar do ta përqendrojë veprimtarinë e vet edhe tek klasa punëtore, veçmas te minatorët, si kategoria më e shfrytëzuar. Anëtarët e Grupit Revolucionar, në mesin e të cilëve edhe vetë autori i librit, do të shpërndajë afishe dhe shkruajë parulla në Mitrovicë, në Tunelin e parë, në Stan Tërg, në Kishnicë, në Ajvali, në Golesh të Magurës e gjetiu.

Vlen të theksohet se Grupi Revolucionar është organizata e parë ilegale e cila i ka shkruar afishet edhe në gjuhën serbo-kroate, siç quhej atëherë. Ky fakt dëshmon se Grupi Revolucionar bënte dallim të qartë ndërmjet regjimit shtetëror të Beogradit dhe popullit serb. Grupi Revolucionar, me të drejtë, këtë regjim, e konsideronte shtypës, jo vetëm të popullit shqiptar, por edhe të popullit serb dhe të popujve tjerë në ish-Jugosllavi. Rëndësi të veçantë për veprimtarinë e Grupit Revolucionar, veçmas për informimin dhe ngritjen e anëtarëve të Grupit Revolucionar, kishte botimi i 'Zërit të Kosovës', numri i parë i të cilit do të dalë më 1 shkurt 1974. Lidhur me këtë, studiuesi i përkushtuar i Lëvizjes ilegale, dr. Ethem Çeku, shkruan: “Gazeta e parë shqiptare ilegale në Kosovë është ”Zëri i Kosovës“ (Ethem Çeku, Mendimi politik i Lëvizjes Ilegale në Kosovë, 1945-1981, Pr. 2003, f 229). Në këtë organ botoheshin tema politike, komente për ngjarjet aktuale, për çështje ekonomike, organizative, por edh krijime letrare artistike. Me këtë rast e ndiej për obligim të theksoj se shumicën e shkrimeve për “Zërin e Kosovës“ dhe të shkrimeve tjera, i kam shtypur në shtëpinë ku banonte me qira artisti i mirënjohur i Teatrit të Kosovës, Selim Ramadani nga Tetova, të cilit, nga pakujdesia, i kam mbetur borxh për një mirënjohje dhe falënderim publik.


Siç shkruan autori, veprimtaria kaq intensive dhe në nivel të lartë organizimi, i kishte ngritur në këmbë strukturat e të gjitha niveleve të ish-UDB-së, veçmas ato në Kosovë. Ndaj, në fillim të majit të vitit 1974, pas një aksioni për sjelljen e materialeve në bazën kryesore të Grupit Revolucionar, e që ishte e ndërtuar enkas për këtë qëllim në një thellësi mbi të cilën ishte ngritur shtëpia e Kadri Osmanit, do të arrestohen pesë anëtarë të Grupit Revolucionar: Kadri Osmani, Jashar Alia, Xhafer e Metë Shatri dhe unë.

Nga përshkrimi i torturave të ushtruara gjatë hetimeve, por edhe i qëndresës për të mos i zbuluar shokët, autori bën karakterizimin, jo vetëm të vetvetes si i burgosur politik, por edhe të të gjithë atyre të burgosurve politikë shqiptarë, që jetën dhe veprën e tyre ia kushtuan çlirimit të trojeve shqiptare të okupuara dhe bashkimit të tyre me Shqipërinë shtetërore. Falë qëndresës dhe mos zbulimit të shokëve, veprimtaria e Grupit Revolucionar do të vazhdojë edhe më me sukses, duke parapërgatitur kështu Pranverën e Madhe të Tetëdhjetenjëshit, që do të shpie drejt formimit të UÇK-së, organizues dhe pjesëmarrës të të cilës do të jenë edhe disa prej anëtarëve të Grupit Revolucionar.

Shkallën e dënimeve, siç shkruan edhe autori, nuk e caktonte gjykata, por organet e UDB-së. Të vetëdijshëm për këtë, por edhe për të mos e rënduar edhe më gjendjen ekonomike të familjes, anëtarët e Grupit Revolucionar nuk do të angazhojnë fare avokatë. Do të ishte me interes dhe mbetet detyrë e ndonjë juristi të mirëfilltë, të studiojë dhe analizojë aktgjykimet e të burgosurve politikë shqiptarë, për të parë absurdin e bazës juridike dhe humanitare, karakteristike për sistemin juridik të ish-Jugosllavisë.

As torturat çnjerëzore gjatë hetimeve dhe, më pas, në burgjet e ashtuquajtura “Shtëpi ndëshkimore-korrektuese”, në të cilat të burgosurit politikë shqiptarë ishin të rrezikuar, jo vetëm nga gardianët, por edha nga të burgosurit e sëmurë psikik, të cilët i vendosnin në të njëjtën qeli, siç i kishte ndodhur edhe autorit të këtij libri, as dënimet më shumë vite burg, nuk thyejnë vullnetin e të burgosurve politikë shqiptarë. Edhe në kushte të tilla të rënda, ata sillen me dinjitet dhe shqetësim të tyre kanë vazhdimin e veprimtarisë pas daljes nga burgu, por edhe brenda burgut, kuptohet, për aq sa kishte mundësi. Ishte kjo shprehje e fuqisë motivuese dhe e vetëdijes për rrugën e drejtë që kanë zgjedhur dhe dëshmi e asaj se të burgosurit politikë shqiptarë, pas atyre që kanë rënë në luftë me armë në dorë, ishin dhe mbetën kategoria më sakrifikuese për lirinë e Atdheut.

Ndaj, edhe Jashari, pas daljes nga burgu do e vazhdojë veprimtarinë ilegale, e cila tanimë kishte arritur një shkallë të lartë organizimi. Për këtë arsye, pa kaluar shumë kohë, do të arrestohet për herë të dytë, në fillim të muajit maj të vitit 1979 dhe më pas, do të arrestohet edhe për herë të tretë, më 20 tetor 1981, me ç‘rast do të dënohet me 6 vjet burg të rëndë.

Me një gjuhë mbresëlënëse autori e përshkruan takimin dhe dashurinë për familjarët e vet, posaçërisht për nënën, duke veçuar edhe rolin e familjeve të të burgosurve politikë, pa ndihmën e të cilave nuk do të kishte veprimtari të suksesshme ilegale. Siç është e ditur, të burgosurit politikë shqiptarë, përbënin numrin më të madh të të burgosurve politikë dhe, pothuaj, nuk kishte burg ca më të madh, në cilëndo nga republikat në ish-Jugosllavi, e të mos kishte të burgosur politikë shqiptarë. Duke shkuar për t’i vizituar të afërmit e vet të burgosur , anëtarët e këtyre familjeve, njiheshin dhe miqësoheshin me njëra tjetrën, duke krijuar kështu një kategori shoqërore, e cila, falë solidaritet dhe ndihmës së ndërsjellë, jo vetëm që arrinin t’u përballonin masave represive të pushtetit, por edhe të bëheshin krah me rëndësi të veçantë në ecjen përpara të Lëvizjes ilegale. Nuk është e rastit që edhe Jashari do e zgjedhë për shoqe të jetës një bashkëveprimtare, e cila ishte e vetëdijshme për sakrificat që e prisnin, por edhe për misionin e saj të shenjtë, lindjen dhe përkujdesjen për fëmijët, si vazhdimësi e pashkëputur e ekzistencës dhe e rritës familjare.

Përshkrimi i shqetësimeve të autorit për rrjedhat e ngjarjeve në Shqipëri dhe për veprimet e qeverisë fantome të Kosovës në egzil, e cila i keqpërdorte paratë e mërgimtarëve në kohën kur djemtë e vajzat shqiptare derdhnin gjak për lirinë e Kosovës, përbën një kapitull të veçantë.

Shkuarja e autorit në Shqipëri dhe rreshtimi i tij në radhët e UÇK-së janë përplotësim i integritetit atdhetar të tij.

Botimi i pjesëve të ditarit në fund të këtij libri, ku flet për kthimin dhe përkushtimin e tij ndaj familjes dhe, veçmas, për gëzimin që ndien me nipat dhe mbesat, është jo vetëm shprehje e dashurisë ndaj tyre, por edhe shprehje e brengosjes dhe e zhgënjimit në elitën politike e intelektuale të Kosovës, por edhe shqetësim për zërin e munguar të ish- të burgosurve politikë, të cilët, të paorganizuar e të shpërndarë, ashtu siç nuk pritej, ka kohë që nuk dëgjohet.

Veçmas autorin e shqetëson heqja dorë nga ideja largpamëse e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, për të cilën janë sakrifikuar breza e breza atdhetarësh. Lidhur me këtë ide, do të citoj akademik Rexhep Qosjen, i cili shkruan: “Ideja e bashkimit të Shqipërisë dhe të Kosovës mbasi të hynë në Bashkimin Evropian, që po e përsërisin tani e sa kohë disa liderë politikë, është ide demagogjike dhe mashtruese. Një bashkim i tillë i ndarë, jo vetëm se nuk mund të jetë bashkim, por mund të jetë largim gjithnjë e më i përshtirë identitar ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”.

Autorin e shqetësojnë zërat ndjellakëqij për krijimin e kombit kosovar nga kombi shqiptar dhe krijimin edhe të një standardi të dytë të gjuhës shqipe. Theksoj se në një libër të përuruar dy-tri ditë më parë, mu në këtë bibliotekë, theksohet se 32 për qind e banorëve të Kosovës, kur pyetën për kombësi, e quajnë vetën kosovarë.

Autorin e shqetëson edhe fakti se një numër jo i vogël i uzurpuesve të pushtetit që nga viti 1999 e këndej, kanë krijuar pasuri marramendëse, jo vetëm për kushte tona e në dëm të popullit, me çka u kanë dhënë shkas për akuza atyre që kanë qenë kundër UÇK-së dhe që ende vazhdojnë ta mohojnë rolin e saj për çlirimin e Kosovës. Thënë të vërtetën, ata që e kanë materializuar kontributin e tyre në këtë mënyrë, s’kanë të drejtë morale të thirren në kurrfarë meritash.

Sikur ta kishin ruajtur vullnetin dhe përkushtimin që kishin ndaj Atdheut, sikur të kishin ruajtur etikën e pjesëtarit të UÇK-së, i cili autorit të këtij libri, i kishte thënë me një rast: “Kam ardhur për të luftuar dhe kam shitur lopën për të blerë një pushkë," punët do t’ i kishim më ndryshe.

Kjo porosi del edhe nga kjo monografi jetëshkrimore, ndaj s’na mbetet tjetër pos autorit t’i urojmë shëndet të plotë dhe sukses në shkrimin edhe të pjesës së dytë kushtuar dukurive që vazhdojnë të rrezikojnë të sotmen dhe të ardhmen tonë.

Binak Ulaj, 18 tetor 2013

____________________

1. Vlen të theksohet se me emrin Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore, Qeveria e Tiranës, i quante të gjitha trevat etnike e historike shqiptare të ripushtuara nga ish–Jugosllavia, gjë që ishte emërtim i drejtë juridikisht e politikisht dhe, njëkohësisht, shprehte vizionin largpamës dhe besimin për çlirimin dhe bashkimin e saj me Shqipërinë shtetërore.

2. Sot, jo pak studiues të shkencave shoqërore e filozofike, termin revolucion, e përdorin në kuptim negativ, gjë që nuk qëndron. Pa dashur të merrem me interpretimin e tillë dhe kthesat përparimtare që kanë bërë revolucionet në zhvillimin e shoqërisë njerëzore, theksoj se ishte iluzion të pritej që çështja shqiptare në ish-Jugosllavi do të zgjidhej me rrugë evolutive. Përkundrazi. Edhe anëtarët e Grupit Revolucionar, sikundër edhe ata të Lëvizjes për Çlirim e Bashkim Kombëtar të Kosovës, ishin të bindur se vetëm me luftë të armatosur mund të çlirohej populli shqiptar nga pushtuesit jugosllavë, gjë që do të vërtetohet vite më vonë, me organizimin dhe rrjedhat e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

3. Rol të rëndësishëm në sigurimin e kësaj literature ka pasur Idriz Zeqiraj. Pasi kishte ikur ilegalisht në Shqipërinë shtetërore, kishte përzgjedhur dhe blerë shumë libra, të cilat ia dërgonte vëllait, Seferit, në Gjermani dhe axhës, Rexhepit, në Francë, të cilët i sillnin në Kosovë. Më pas, ato i shpërndante vëllai tjetër i Idrizit, Tafa.

Mr. Kadri Rexha: Pikëtakime letrare

Nga Prof.Ahmet Qeriqi


Kohë më parë doli në dritë libri më i ri i Kadri Rexhës, “Pikëtakime letrare” një përmbledhje studimesh e recensionesh të shkruara e të botuara kohë pas kohe, qysh prej vitit 1977 e deri në ditët tona.
Pikëtakimet e mr. Kadri Rexhës në letërsinë shqipe janë të hershme dhe ato datojnë qysh në vitet ‘70, kur kritiku i ardhshëm i letërsisë, shkrimtari e veprimtari, ndodhej në rrugë jo vetëm të krijimit të identitetit krijues, duke gjurmuar shtigje drejt lirisë së shprehjes, por edhe në rrugë drejt përparimit dhe emancipimit të çështjes kombëtare shqiptare. Kadri Rexha, në pikëtakimet e tij letrare ka sjellë një qasje të re në kritikën tonë, duke anashkaluar gati në tërësi metodën e kritikës përshkruese, tradicionale, ai me kohë ka krijuar një konceptim të ri të vlerësimit të veprës letrare, por pa sharruar në futurizëm dhe neo modernizëm të thatë dhe abstrakt, ku kanë sharruar jo pak kritikë të letrave shqipe, sidomos në kohët e fundit.
Duke shpjeguar qasjen origjinale për krijimtarinë dhe përgjithësisht për vrojtimet e tij letrare, autori i librit, shkruan: “Mbase larg realitetit dhe teorive shkencore, nisur nga botëkuptimi dhe formim im, letërsinë e shikoj si veprimtari, si mision, si thirrje të brendshme individuale, si urdhër kohe, si mjet në shërbim të njerëzores, lirisë, kombit, progresit...” Në këtë përkufizim, studiuesi i zellshëm dhe kritiku i mirëfilltë i letërsisë, Kadri Rexha ka pasqyruar më së miri kredon e tij krijuese, qasjen origjinale ndaj letërsisë dhe artit në përgjithësi, duke mos u ndalur vetëm në këtë segment të krijimtarisë, por duke çarë për para rrugën drejt formave të tjera të shprehjes artistike.
Libri me studime, qasje, kritika dhe analiza letrare, titulluar “Pikëtakime letrare”, që sapo doli në dritë, është një përmbledhje e shkrimeve dhe studimeve të kohë pas kobshme të autorit, të botuara në gazetat dhe portalet në gjuhën shqipe, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri, Iliridë dhe në shtypin e mërgatës.



Këtë vepër autori e ka segmentuar në disa këndvështrime sipas përmbajtjes së shkrimeve që ka prezantuar në librin e tij më të ri. Duke filluar nga: mbresat, rrëfimet, vështrimet, përjetësimet, çastet e amshimit, përurimet e duke përfunduar në përkujtime, kritiku i letërsisë, Kadri Rexha ka sintetizuar një përvojë të gjatë krijuese, vlerësuese e vrojtuese, për letërsinë shqipe në përgjithësi, edhe pse ajo deri vonë është përcjellë me fatin e keq të ngufatjes, ndarjes, izolimit dhe zhvillimit jo harmonik, në kushte dhe rrethana të njohura, nëpër të cilat ka kaluar edhe arti e kultura shqiptare në trojet e robëruara të Atdheut.
I vetëdijshëm dhe i ndërgjegjshëm për rolin që ka luajtur dhe luan libri, studimi, analiza, vështrimi, si pikëtakime apo vrojtime, që kanë për qëllim krijimin e shtigjeve për një krijimtari sa më realiste dhe artistikisht më të arrirë, Kadri Rexha në recensionet e tij ka aplikuar qasjen afirmative, pozitiviste, e cila ka shërbyer dhe i shërben lexuesit si mesazh, si mjet në shërbim të edukimit të brezave, si veprimtari jo vetëm korrektuese e kritike, me qëllim diskreditimi apo megalomanie, por më radhë të parë si kritikë e shëndoshë, mbështetëse e shpeshherë edhe inkurajuese.
Kritikat letrare të autorit datojnë qysh herët, qysh në vitet ’70, të shekullit të kaluar. Asokohe profesori i letërsisë nuk kënaqej vetëm me shpjegimin dhe interpretimin e lëndës së letërsisë sipas teorive të aplikueshme dhe tradicionaliste, por rrugëtonte drejt interpretimit më të lirë, më frymëmarrës dhe më të kuptueshëm, sidomos për lexuesin, por edhe për studiuesin e letërsisë. Në përpjekje për të vlerësuar më ndryshe librin, duke qenë edhe në kontakt me metodat e njohura të kritikës letrare, Kadri Rexha ka krijuar një stil sintetik të vrojtimit letrar, andaj analizat e tij letrare janë origjinale si për nga qasja ashtu edhe rendimenti që sjellë në vlerësimin realist të veprave të ndryshme.

Autori ka marrë në shqyrtim dhe ka analizuar segmente të caktuara të letërsisë shqipe qysh nga Letërsia e Vjetër, duke filluar nga Lekë Matrënga, Frank Bardhi, Pjetër Bogdani, pastaj ka trajtuar tema nga periudha e Rilindjes kombëtare, me analiza e vlerësime për Jeronim De Radën, Gavril Darën, Sami Frashrin, Mihal Gramenon, Luigj Gurakuqin, Shtjefën Gjeçovin, Hilë Mosin, më vonë Dhimitër Shuteriqin, për të kaluar te krijimtaria e Adem Demaçit, Jusuf Gërvallës, Teki Dervishit, Kadrush Rodogoshit, Agim Spahiut, Bedri Islamit e të tjerëve.
Një vend me rëndësi në studimet dhe analizat e Kadri Rexhës, të prezantuar në librin: “Pikëtakime letrare” zë edhe folkloristika shqiptare, e kundruar sidomos nga refleksionet dhe porositë që ajo ka transmetuar nga brezi në brez. Autori, kësaj letërsie iu ka qasur në sinkroninë dhe diakroninë e saj të zhvillimit, për faktin se letërsia gojore e transmetuar nëpër shekuj, ka ruajtur kujtesën e të parëve, me vlerat e veta të përgjithshme, edukative, njohëse, transmetuese dhe si e tillë, sado e ngrënë nga goja e pamëshirshme e kohës, ajo ka arritur deri në ditët tona. Janë të një cilësie të jashtëzakonshme dhe të përcjella me një ndjenje të thellë përkushtimi, sidomos analizat e mirëfillta dhe sintetizuese për disa nga këngët historike dhe këngët e trimërisë, të cilat i ka kënduar rapsodi i mirënjohur, Dervish Shaqa, për jetën dhe veprën e të cilit, Kadri Rexha ka botuar edhe një monografi të shkëlqyer.
Përmbledhje me studime, analiza e vlerësime, “Pikëtakime letrare” e Kadri Rexhës është një kontribut i çmuar për studimin dhe njohjen e lexuesit me tema të caktuara të letërsisë shqipe dhe me kritikën letrare.
Libri ka 300 faqe, botoi Radio-Kosova e Lirë, shtypi “Shkrola”, në Prishtinë.

DJEMTË E LIRISË SË BURGOSUR

Shkruan Rrustem geci-Dortmund



Ese për librin e shkrimtarit, Kadri Rexhaj, „Pikëtakime letrare“


Shkrimtari, publicisti, ish i burgosuri politik, veprimtari dhe patriot i radhëve të para për çlirimin e Kosovës, Kadri Rexhaj, këto ditë doli me libër të ri, „Pikëtakime letrare“. Me këtë libër të eseistikës moderne shqiptare, shkrimtari Kadri Rexhaj, e begaton letërsinë tonë të bukur me një vepër të mirëfilltë. Veçanti të librit, „Pikëtakime letrare“ janë; stili i shkrimit, estetika e kuptimeve, dramaturgjia e përgatitjeve dhe përmbajtja e veprimit për luftë finale. Esetë e shkrimtarit Kadri Rexhaj, janë mesazhe veprimi dhe kulturimi, se ku fshihet e vërteta, dhe pse duhet të luftojmë.

  Mr.sci. Kadri Rexhaj


Jam i dashuruar i së së bukurës, shprehet poeti Rexhaj. Poetikë e kam kokën, shpirtin dhe zemrën. Unë i kam dy të dashur të mishit dhe të gjakut tim, Atdheun dhe motrën e tij, Lirinë. Pa këta të dashur të shpirtit e të mendjes, mua do më merrej goja, do më zihej fryma…Ky libër i botuar nga Radio Kosova e Lirë, i bën nderë edhe botuesit, edhe lexuesit, edhe autorit.

Libri i Kadri Rexhajt, „Pikëtakime letrare“, shtrihet në një hapësirë shkrimesh në 64 ese. Në këtë libër gjeografia e atdheut tonë, hapet përmes krijuesve të vullnetit kryengritës të shqiptarëve për liri, pavarësi, dhe bashkim kombëtar. Që në faqen e parë të librit me ese, „Pikëtakime letrare“, shkrimtari Kadri Rexhaj, zëshëm shpalon dashurinë e tij për artin, për letërsinë, dhe përcaktimin e vetes së tij në beteja.

Për një popull qytetërues si ky i yni, pushtimi ishte poshtërim i rëndë. Prandaj, gishti në këmbëz për Çlirimin e Kosovës ishte i nevojshëm dhe i domosdoshëm. Shkrimet e mia shprehet shkrimtari Rexhaj, para se t´i realizoj si art, i kam konceptuar dhe artikuluar si porosi, thirrje, mobilizim…Unë kujtoj shprehet autori i librit „Pikëtakime letrare“, se me arsim të mirëfilltë gjeopolitik dhe historik, shqiptarët janë në udhë të mbarë që t´i rikthejnë tokat e tyre të humbura.

Fjala kryengritëse në letërsi është ndërgjegjje e shkrimtarit, muziktarit, piktorit, artistit, dhe ndërgjegjje e gjithë patriotëve që përfshihen në luftën për çlirim. Libri i Kadri Rexhës, „Pikëtakime letrare“, është përmbledhje esesh, që nga De Rada i madh e deri tek shkrimtari i zëshëm, Ahmet Qiriqi.

Kadri Rexhaj u lind me 7 shkurt 1949, në Cercë të Burimit. Është magjistër i shkencave filologjike. Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës. Veprimtaria krijuese dhe patriotike e shkrimtarit Kadri Rexhaj është e gjerë dhe me taban kombëtar. Shkrimtari Kadri Rexhaj, deri më tash ka botuar këto vepra; 1 . Kosovë, gurrë e bardhë, 2 . Fati i luleve ( monografi për Jusuf Gërvallën ), 3 . Pushkë lajmëtare ( monografi për Edmond Hoxhën ) 4 . Dervish Shaqa ( monografi ), 5 . Pikëtakime letrare, dhe 6. Thirrjet e kohës.

Në këtë libër autori na sjell një portretizim të krijuesve shqiptar. Bardhësia shpirtërore e poetëve shqiptar hetohet edhe në vargjet me plagë betejash dhe luftash. Nuk ka shkronjë shqipe që nuk është përballur me armikun pushtues, dhe me djemtë e lirisë së burgosur. Libri i Kadri Rexhajt, „Pikëtakime letrare“, i takon llojit të eseistikës kryengritëse.

Në çdo betejë shkruan autori, fjala dhe flamuri ishin të parat. Fjala kryengritëse e brezit të autorit Rexhaj, ishte nevojë dhe domosdoshmëri, për të zgjuar masën milionshe të popullit tonë kundër pushtuesit.

Gjërat që kanë ngrohtësinë e diellit unë i pelqej shumë shkruan shkrimtari Kadri Rexhaj. Unë kudo e ndiej këtë tokë, pëshpërimat dhe dhimbjet e saj. Në shpirtin tim prej shkrimtari kurrë si kam bërë strehë marrëzisë. Jeta pa dashurinë e atdheut për mua është e zbrazët dhe e pakuptimtë. Pa idenë krijuese të bashkimit, çdo gjë do mbetet e vogël dhe midis vogëlimave.

Nuk mjafton të jesh nën hije, e të bëhesh shkrimtar. Jeta nën pushtues do që ta bësh dorën grusht. Ambient lufte dhe krengritjesh ishte e tërë jeta ime dhe e brezit tim shprehet shkrimtari, Rexhaj. I frymëzuar nga betejat e poemave të shkrimtarëve të rilindasve tanë, Kadri Rexhaj, në librin „Pikëtakime letrare“, na e jep një peisazh mbresëlënës të letërsisë sonë të bukur. Me kujdesë i kam lexuar ëndrrat e mia, ujqërinë e fqiut armik, të tashmen time të ardhshme, dhe të kaluarën time të tashme.

I frymëzuar nga një grusht i këtillë i popullit kryengritës si dhe nga betejat e poemave të shkrimtarëve dhe rapsodëve tanë më të mirë, me librin „Pikëtakime letrare“, shkrimtari Kadri Rexhaj, na e ka dhënë një dimension të veçantë letrar dhe një tablo me peisazh ndezës të letërsisë sonë të bukur. Uroj autorin Kadri Rexhaj, për këtë libër të mrekullueshëm. Sukses o i nderuari shkrimtar!


Kryevepra poetike e Bilal Xhaferrit


Balada çame 



 Esse nga Prof. Dr. Resmi Osmani






Bilal Xhaferri (1935-1986), shkrimtar disident çam, që për ti shpëtuar burgimit, u detyrua të lerë atdheun në vjeshtën e vitit 1969, për të mbrritur në SHBA1. Përveçse prozator, romancier e tregimtar, ishte edhe poet me ndjeshmëri të lartë. Mjeshtër i rrallë i fjalës, që shkroi poezi të frymëzuara, të bukura artistikisht, me gjuhë të zgjedhur dhe finesë, që përçojnë te lexuesi përveç kënaqësisë estetike edhe botën e gjerë shpirtërore mendimin e thellë, brengat, trishtimin, filozofinë dhe humanizmin, dashurinë për vendin dhe njerëzit. Poezitë e tij, me forcën dhe bukurinë e brendshme që kanë, mesazhin që përcjellin, stilin, figurat, metaforat, simbolikën, bëhen pjesë e pashlyeshme e kujtesës, të nxisin përfytyrimin, fantazinë, të bëjnë të mendosh, të meditosh, të ëndërrosh dhe të reflektosh. Vjershat dhe krijimtarinë tjetër, i ka shkruar në vitet 60-të të shekullit të shkuar, në një periudhë kohore të shkurtër, dhe i ka botuar në gazetat dhe revistat e kohës. Romani “Krasta Kraus”,një vepër nga më të arrirat, nuk u lejua të botohej, ndërsa vëllimi i vjershave “Lirishta e Kuqe”, u kthye në karton. Për afro tridhjetë vjet, poezitë bashkë me gjithë krijimtarinë e tij, mbetën të ndaluara dhe u lanë në harresë. Për këtë shkak, Xhaferri mbeti pak i njohur nga lexuesit. Poezitë i janë përmbledhur pas vdekjes, në vëllimin “Eja trishtim” botim i Rilindjes, Prishtinë 1995 dhe tani së fundi në përmbledhjen e plotë të veprave të tij, në Tiranë.


Në një shqyrtim tërësor, poezitë e tij janë më e mirë njera se tjetra, si një diademë, ku çdonjera shndrit me një dritë lbyrëse si një diamant, por guri më i çëmuar i kurorës është “Balada çame”. Edhe sikur kjo baladë të ishte i vetmi krijim i poetit, ai do të hynte në panteonin e poezisë më të mirë shqipe.

* * *

Balada çame,u botua së pari në vitin 1966 në faqen letrare të gazetës “Zëri i Rinisë”. Redaktorit të kësaj faqeje, shkrimtarit të mirënjohur Vath Koreshi, aq shumë i pëlqeu sa e mësoi përmendsh dhe ja u deklamonte shokëve duke ecejakur nëpër korridorin e redaksisë. Në këtë kohë, poeti, ishte tridhjet e një vjeç. Nga ndodhja e tragjedisë çame, kishin kaluar njëzet e dy vjet. Goxha vite. Atëhere, kur ndodhën ngjarjet e kobshme(1944-45), poeti ishte një fëmijë nënëtë vjeçar, por në kujtesën e tij kishin mbetur të gjalla e të pashlyera pamjet e eksodit biblik dhe varganet e muhaxhirëve që linin vendin e tyre. Ato pamje dhe kujtimi i masakrave çnjerëzore të gjenocidit për dëbimin e çamëve nga trojet stërgjyshore, për të dhe çamët, u bënë pjesë e botës së tyre shpirtërore. Por për të si çam, shqiptar e poet, humbja e Çamërisë ishte edhe një tragjedi personale, por njëkohësisht edhe tragjedi e bashkësisë dhe etnosit.

Për poetin, Çamëria ishte dashuria fatkeqe, dashuri e dheut mëmë të humbur, e cila nuk rreshti asnjëherë. Ishte dhembja e shpirtit e pafashitur në kohë, brenga që i trishtonte jetën dhe ëndërrat e neteve të paqeta. Emrin e saj e kishte të ndryrë në zemër si një talisman. Aroma e saj, jetonte në subkoshiencë si kujtim i pavdirë i fëminisë, që nuk iu shqit gjithë jetën. Prandaj për Çamërinë dhe etninë, për të ngjizur poezitë e tij, ai shkriu arin e shpirtit në vargjet e tij më të mira. Ishte ky një detyrim i birit për nënën, një devocion moral e atdhetar, por edhe një mënyrë për të shprehur emocionet dhe ndjenjat që i merrnin frymën. Ishin këto ndijime e përjetime, që ushqyen frymëzimin për të shkruar katër poezi për Çamërinë, ndër to edhe baladën e famshme, e cila është kryevepra e poezisë së tij. Ajo është lirika më e mirë e Xhaferrit, bile, është një nga lirikat më të mira të letërsisë shqipe2. Balada, ka një dramacitet të brendshëm, të njësojtë,por më të fuqishme se drama që ka teksti si piknisje, që është tragjedia çame e humbjes së atdheut. Është kënga elegjiake e humbjes, një klithje drithëruese e shpirtit të poetit. Për ta shprehur më fuqishëm idenë e tij, poeti ka futur një risi, duke ndërthurur baladën me elementët e elegjisë.

Balada është e ndërtuar me njëzet e tre vargje, por ajo është një masë e rëndë dhe e ngjeshur si superyjet, një univers poetik, ku pesha specifike e fjalës në varg, është si gur themeli. Ato lidhen me hallka të arta dhe kanë shkëlqim diamanti edhe kur janë me ngjyrime te errëta. Kësisoj ato rrëfejnë gjithë zezonën rrëqethëse e të tmerrshme të tragjedisë çame. Balada fillon me vargje madhështore,me përmasa qiellore:

Ylberi si një përshëndetje e përlotur lamtumire
U zhduk matanë largësive.
Mbi kreshtat e flakëve,
Nëpër shi......

Është një përjetim apokaliptik në sfondin qiellor ku, në katër vargje sintezë, përzihen në një dinamikë të pazakontë të tre elementet: zjarri, uji, qielli. Ylberi, si një shfaqie eterike, piktakimi i dritës me ujin, që simbolizon bukurinë e çamërisë, por edhe dhimbjen e saj, i përlotur, ngrihet mbi kreshtat e flakëve shkatërruese dhe shiun si një lejtmotiv i trishtimit dhe dhimbjes njerëzore, me nje përshëndetje të dhimbshme lamtumire për atë që ngjet nën harkun e tij, për njerëzit e saj, dhe zhduket larg , për të mos parë mynxyrën, matanë largësive. Lamtumira e vargut të parë, tregon se krahina u humb pa kthim. Humbja është që në krye të herës. Pas këtyre vargjeve, jepet kumti lakonik dhe i kobshëm që shihet nga përjetimi i dhimbshëm i pamjes, me sytë e mendjes së poetit:

Matanë largësive u zhduk e përflakur Çamëria
Dhe të gjitha rrugët tona të shpien në veri.

Jugu i atdheut, i përfshirë nga flakët u humb.Mbeti, ashtu i masakruar matanë largësive, jashtë trojeve të dheut amë. Përsëritja dy herë e fjalëve matanë largësive rrëfen për një humbje pa kthim. Etnia humbet trojet dhe tkurret. Çamët, të vrarë, të masakruar, të shpronësuar, marrin arratinë, drejtohen për në veri, në Shqipëri. Pas këtyre dy vargjeve kontestues e disi deklarativë, vjen shpërthimi emocional:

Ulërin era e Mesdheut mbi trojet e lashta epirote,
mbi të shtrenjtat ton troje stërgjyshore.
Në kullotat e braktisura kullosin rrufetë.
Ullishtat e pavjelura gjëmojnë si dallgë nëpër bregore.
Dhe kudo toka çame,
Mbuluar nga retë,
Rënkon e mbytur në gjak e në lot,
E mbetur shkretë,
Pa zot.

Ulërima e erës, rrufetë që “kullosin” në kullotat e braktisura, retë e zymta që mbulojnë tokën e mbytur në gjak e në lot, janë pamje rrëqethëse, si në një kataklizmë, një paralelizëm i egërsisë së forcave natyrore me egërsinë e të keqes njerëzore, që shfaqen në tokën e lashtë epirote. Këtu, bashkëkohësia, ajo që po ndodh dhe lashtësia jepen si e drejta historike që ndeshet me padrejtësinë. Në vargjet e mësipërme me metaforat e fuqishme, rrëfehet se toka çame është kthyer në banjë gjaku, e mbytur në gjak e lot, ka mbetur e shkretë e pazot, pa jetë, pa mbrojtje. Fjala e shkretë, është fataliteti i braktisjes tmerruese të vendit. Por përse gjithë kjo gjëmë kolektive?
Na e tregojnë drejtimin plumbat, që fërshëllejnë në errësirë.

Na e ndriçojnë rrugën flakët
Që gjithë tokën e kanë përpirë.....

Shkaktarët e kësaj tragjedie të rëndë nuk etiketohen, mbi ta nuk vihet gjishti, nuk flitet për lukuntë e dala nga shpellat barbare shovene. Janë ata, dora që shkreh armët prej nga dalin plumbat vrastarë që vërshëllejnë në errësirë, është dora e tyre që mban urën e ndezur të zjarrit, flakët e të cilit kanë përpirë gjithë tokën. Janë grekët. Poeti nuk e thotë por të gjithë e dinë. Më në fund ja dhe mbyllja e baladës:

Pas shpinave tona
Përplas tufani dyert e shkallmuara të shtëpive
Dhe rrugët zgjaten e zgjaten në veri.
Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi.....
Lamtumirë Çamëri!

Dyert e shkallmuara simbolizojnë shkatrrimin e shtëpive, të jetës ndenjëse të banorëve autoktonë, shtëpi të shkatrruara, pa njerëz, pa frymë, pa jetë, të braktisura, të mbetura shkretë. Të tilla janë edhe sot e kësaj dite: rrënoja të vithisura, në një peizazh të trishtuar, gri, të vulosura me damkën barbare të djegies shkatërrimit dhe braktisjes. Vargu:” Ne, popull muhaxhir, ecim nëpër shi” jep të gjallë imazhin e varganit njerëzor të shpërngulur dhunshëm, të eksodit të popullatës së një krahine, e cila me vuajtje e mjerim, merr e lemerisur arratinë drejt së panjohurës, por të vetmes shpresë,Shqipërisë.
Balada hapet me vargjet e lamtumirës që Çamëria i jep popullit të saj dhe mbyllet me lamtumirën që bijtë i japin asaj,që tashmë nuk janë tjetër veç muhaxhirë. Një gjetje sa artistike dhe historike,që përkon me atë realitet të dhimbsur e të hidhr. Me këto dy lamtumira, duket si një braktisje pa shpresë,një ndarje pa kthim. Këtë humbje, këtë braktisje që i ngjason një eksodi biblik, poeti e pëjeton në qënien e vet emocionalisht e me një ndjeshmëri të lartë në çdo qelizë të trupit të tij. Por e përjeton edhe si një tragjedi kolektive. Veten, unin, e përfshin dhe e shkrin në vargun “ne popull muhaxhir”. Aty është edhe ai, poeti elegjik dhe vuajtës.

Balada kur u botua, por edhe sot, ishte një kujtesë dhe rekuiem artistik për Çamërinë, por tingëllon edhe si një sfidë që i bëhej qeverisë së atëhershme. E tillë ajo mbetet edhe për qeveritë dhe politikën e tanishme. Një kujtesë historike e ngritur në art për një problem që kërkon zgjidhje.
Për hir të vlerave të saj të spikatura, bukurisë artistike, toneve epiko-lirike, fuqisë emocionale dhe mesazhit që përcjell, kjo baladë është deklamuar nga autorë të shquar në tubime dhe veprimtari të komunitetit çam, ndërsa kompozitori Edmond Zhulali i ka muzikuar vargjet e saj në një këngë epike, të cilën me aqë ndjenjë e këndon këngëtarja Enkeleida Arifi.


1. Në SHBA botoi revistën “Krahu I Shqiponjës” ku përfshiu shumë krijime letrare dhe publicistike të vetat.

2. Shala Kujtim ”Poezia e Bilal Xhaferrit”. Rilindja 2001

“Smajl Kelmendi ‘Një gjurmë intelektuale përgjatë një jete’”




Pejë : Promovohet monografia për intelektualin Smajl Kelmendi



“Smajl Kelmendi ‘Një gjurmë intelektuale përgjatë një jete’”, është monografia e autorëve Naim Kelmendi e Skender Mulliqi, e cila u promovua para shumë të pranishmëve në ambientet e teatrit “Istref Begolli” në Pejë.

Recensenti i monografisë, Valdet Hysenaj, para të pranishmëve tha se ky libër nderon jetën , veprën dhe vlerat e një intelektuali dhe veprimtari të çështjes kombëtare, siç është Smajl Kelmendi.






“Në retrospektivë sot, do të ravizohet personaliteti dhe vepra e tij. Do të ravizohet shtegtimi jetësor me rrjedhë motesh, të atij promotori të denjë të luftës për ekonomi, humanizëm, drejtësi dhe liri”, thotë Hysenaj.



Autori i monografisë, Naim Kelmendi, sqaroi se ideja për një monografi jetësore e të karrierës për intelektualin e atdhetarin Smajl Kelmendi ishte e kamotshme, por u arrit të realizohet në 10 vjetorin e vdekjes së tij.










“Ishte ndër të parët ai, që i kundërshtoi publikisht ato masat e ish pushtetit okupator, dhe kështu ja çjerri maskën atij regjimi se në Kosovë ishte instaluar për ta shkatërruar ekonominë e Kosovës dhe jo aspak për tjetër qëllim”, deklaron ai.


Në vazhdim të këtij tubimi promovues, i organizuar mjaft mirë, u shfaq edhe filmi dokumentar prej 20 minutave i cili i kushtohej jetës dhe veprës së Smajl Kelmendit që nga ditët e rinisë studentore e deri te aktivitetet e tij politike në kuadër të LDK-së dhe takimi i tij më presidentin historik Dr. Ibrahim Rugova.
Po ashtu këtij tubimi ia shtoi mallin dhe i dha frymë emocionuese tek të pranishmit ishte këngëtari dhe aktori i Ansamblit Folklorik Autokton “Rugova” , Shaban Lajqi i cili mjaft bukur e këndoi këngën kushtuar veprimtarit dhe atdhetarit Ismajl Kelmendi.

Po sjellim poezinë kushtuar Smajl Kelmendit nga poeti: 


Naim KELMENDI - PAS NESH


Të gjitha janë fjalë,
 që pështyhen që nuk hahen, 
që hahen më bukë me dashuri, 
që më në fund ikin avullohen, 
vijnë pasardhësit e gërmojnë,
 epope të moralshme fjalësh..


Ish-kryetari i Komunës së Pejës, Ali Lajqi, e kujton Smajl Kelmendin si njeri përkrahës të lëvizjes kombëtare për liri dhe pavarësi të Kosovës.

“Një njeri po ashtu, përkrahës i lëvizjes sonë kombëtare për liri e pavarësitë Kosovës, edhe para vitit 81 e pas saj,por edhe gjatë periudhës 90’të e këtej, dhe sigurisht përgatitja e tij profesionale bëri që në kuadër të vendosjes së tij si drejtor për zhvillim ekonomik, ishin atribute pa të cilat nuk mund të kalohej dhe u emëruar drejtor për zhvillim ekonomik në një kohë mjaftë të vështirë”, shprehet Lajqi.

Në fund të promovimit të Monografisë, është shfaqur edhe një film dokumentar për jetën dhe veprën e Smajl Kelmendit.




Akademik Prof.dr.PhD. Rexhep Qosja mbi çthurjet ideologjike në shoqërinë shqiptare dhe eksperimentin proserb të ashtuquajtur “kombi kosovar”.

AKADEMIK REXHEP QOSJA Ideologjia e shpërbërjes – trajtesë mbi idetë çintegruese në shoqërinë e sotme shqiptare Argumente të shpikura për “k...